3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Vrasja dhe djegia e vëllait në Rahovec, ekspertja thotë se nuk gjetën gjurmë të ADN-së së viktimës

 Eskpertja e ADN-së, Hidajete Muharremi tha se nuk kanë gjetur profil të ADN-së së viktimës nga mostrat e dheut që janë marrë nga vendi ku pretendohet se është djegur viktima.

Këtë deklarim, ekspertja Muharremi e bëri në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Gani Kriezi po akuzohet se ka vrarë vëllanë e tij B.K, e më pas e ka djegur për 2-3 ditë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur fillimisht në pyetjet e prokurores Dëshirë Jusaj, ekspertja Muharremi tha se ekspertiza është bërë nga mostrat e dheut dhe se nuk kanë gjetur profil, përkatësisht nuk është identifikuar ADN.

Ajo tha se nuk ka qenë në vend të ngjarjes, pasi në vend të ngjarjes dalin vetëm në raste të veçanta me thirrje, ngase nuk dalin nga laboratori.

E pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Drilon Haraçia, se me rastin e djegies së trupit të viktimës a është shkatërruar mundësia e AND-së.

“Në realitet po, por kjo varet si proces a është shkatërruar krejt apo vetëm një pjesë apo si”, ishte përgjigja e ekspertes.

Në këtë seancë, trupi gjykues ka vendosur sipas propozimit të prokurores që të dëgjohen ekspertë mjeko-ligjorë, ndërsa e kanë refuzuar propozimin që të dëgjohet eksperti tjetër i ADN-së, Bashkim Mustafa, pasi që sipas gjykatësit i njëjti ka njoftuar se në këtë rast ka qenë vetëm mbikëqyrës.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 7 shtator 2022, ku ndaj dëshmitarit Sylë Berisha qe mungoi në këtë seancë, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, ndërsa dëshmitarët Sadat dhe Isuf Kryeziu do të ftohen përmes sekretarisë.

Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.

Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, Altinit Jashar Cukiqit, në emër të një borxhi.

Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drunj, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat së bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Të shtënat në Malishevë, dy persona arrestohen për armëmbajtje pa leje

Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës në Astrazub, Malishevë, ku dy persona janë arrestuar pas një konflikti mes tyre. Sipas policisë,...

Aktakuzë ndaj një personi që drejtoi veturën i dehur dhe shkaktoi aksident ku mbeti i vdekur një i mitur në Korishë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit Y.A., i cili ngarkohet se drejtoi veturën nën ndikimin...

Lajmet e Fundit