10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

A i ka shkruar vërtet Noli vargjet që fshikullojnë viset shqiptare?

Ka vite që qarkullon dorazi në rrethe të ndryshme publike një vjershë nën titullin e sajuar “Merr e zgjidh” ose pa titull fare, e cila i atribuohet Fan Nolit. Ajo është një vjershë strofike, shkruar në vargje tetërrokëshe, por numri i strofave nuk është i qëndrueshëm, ato lëvizin nga 5-6 deri në 22 strofa, për aq sa më kanë rënë mua në dorë.

Por, mund të qarkullojë dhe në variante numerike të ndryshme, fakt që flet për një lojë djallëzore dhe dëshmon qartazi se kemi të bëjmë me një vjershë apokrife. Vjersha të tilla njihen si thurje vjershërore, të hartuara nga autorët, që duke ndjekur formalisht modele të poetëve të njohur, krijojnë vjersha që imitojnë në frymë, në mjete shprehëse, gjuhë e stil poetin model. Në rastin tonë modeli është Noli.

Nga: Nasho Jorgaqi

Në kujtesën time kjo vjershë lidhet me një ngjarje konkrete të rastësishme, që padashur më bën mua dëshmitar. Kanë qenë vitet ‘80-të, kur punoja si pedagog në Fakultetin e histori-filologjisë dhe një ditë, ndërsa ndodhesha në katedër me kolegun tim Vehbi Bala, trokiti dera dhe hyn një mesoburrë. Si prezantohet, më zgjat një letër me një vjershë të daktilografuar dhe dëshiron të bisedojë me ne. Nuk dua t’i përmend emrin, as punën që bënte, por dua të tregoj gjithë sa ndodhi me të.

Pra, pse trokiti në katedrën tonë dhe çfarë kërkonte prej nesh kur mori vesh se ne ishim titullarë të lëndëve të letërsisë shqipe në fakultet?

Ai na tregoi se vinte me porosi të të jatit, i cili tashmë kish ndërruar jetë, por pak kohë para se të ndahej i kish diktuar një vjershë të Fan Nolit, që sipas tij nuk e kish të shkruar, por e dinte përmendësh dhe nuk desh ta merrte me vete. Dëshira e tij ishte që këtë vjershë i biri ta çonte e t’ia dorëzonte atyre që merren me studimin e Fan Nolit. Dhe, ishte një koincidencë e rastit që dy njerëzit që ai takonte ishin studiues të poetit.

E morëm vjershën dhe e lexuam veç e veç, njëri pas tjetrit. Kur u njohëm me tekstin, i cili doli se ishte krejt i panjohur për ne, vështruam njëri-tjetrin në sy dhe në heshtje ngritëm supet. I ardhuri na ndiqte me vëmendje dhe priste përgjigjen tonë. Vjersha nuk ishte më shumë se dhjetë strofa, e thurur me vargje humoristike e herë-herë sarkastike, ku viheshin në lojë bashkatdhetarët e tij sipas krahinave, duke i përfolur dhe tallur dobësitë dhe veset e tyre. Autori ishte tepër kritik dhe i prerë, i pakursyer në epitete negative, me fjalë deri dhe të rënda e të pamëshirshme. Kështu i quante shqiptarët sipas krahinave mercenarë, sharlatanë, budallenj, gënjeshtarë, dembelë, llafazanë, gomerë e kokëpalarë, hajvanë, koprracë, karrieristë etj. Por, në pak strofa thoshte dhe fjalë të mira si trima, të fortë, gazmorë, njerëz të zgjuar, komandantë të zotë, të pastër e nikoqirë, patriotë (kurse në variantin e fundit që më ka rënë në dorë, vjersha ka 22 strofa, nga të cilat shumica janë me ngarkesë negative dhe vetëm shtatë pozitive)

Më në fund i dhamë përgjigje të ardhurit që priste me padurim. I thamë se kemi të bëjmë me një vjershë të panjohur, interesante nga ndonjë pikëpamje, por në themel është e diskutueshme, sepse nuk i bën nder shqiptarëve. Për aq sa e njohim ne Nolin, ai s’ka pas mendime negative deri në këtë shkallë që dalin në këtë vjershë. Megjithatë, ne ju falënderojmë për mirësinë që patët të na e besonit. Ne do ta studiojmë e, ç’është më e rëndësishme, do ta verifikojmë. Duhet patjetër të kërkojmë origjinalin në arkiv, ndryshe nuk mund të japim një gjykim shkencor. Por i ardhuri, para se të largohej, na tha: “Të keni besim te im atë. Ai ka qenë aktivist i Vatrës dhe i afërt me Nolin.”

“Dakord”, i thamë ne, “por jemi para një problemi që duhet studiuar dhe studimi bëhet mbi bazën e dokumentit origjinal, përndryshe nuk mund të quhet i vërtetë.”

Pas këtij debati të shkurtër, ne u ndamë dhe pas asaj dite nuk u takuam më. Dhe, s’kishim pse ta takonim. Kjo ishte një punë që tani na takonte ne si specialistë.

Ç’është e vërteta, Vehbiu dhe unë ishim njohur me arkivin e Nolit që gjendet në Arkivin e Shtetit, por vjersha që na solli i panjohuri na bëri që t’i rikthehemi dhe një herë fondit të dorëshkrimeve të poezive të Nolit. Kështu bëmë. Shkuam, gjurmuam, verifikuam dhe nuk gjetëm gjë, qoftë dhe ndonjë gjurmë. Kështu bëmë dhe me fondin e Faik Konicës, pasi dyshuam se vetëm ai mund të tregohej aq kritik dhe i pamëshirshëm ndaj bashkatdhetarëve të tij. Por më kot, përsëri nuk gjetëm gjë. Sa për problemin e vjershës që na solli burri i panjohur, ishim të një mendje që të mos e botonim për problematikën delikate dhe qëndrimin negativ që mbahej nga autori anonim.

Ndërkaq, Vehbiu u nda nga jeta. Iku me pengun e vjershës, megjithëse kishte shumë dyshime për vërtetësinë e saj. Në këto pozita isha dhe unë, por prapë kisha një merak dhe kur rifillova punën për të hartuar biografinë e Nolit pas viteve 90 dhe m’u dha rasti të shkoja disa herë në SHBA, nuk harrova fatin e vjershës enigmatike. Kështu bëra disa përpjekje në arkivin e Nolit të Kishës së Shën Gjergjit, të Vatrës; shfletova shtypin e viteve ‘20-‘30, bisedova me miq të Nolit, bashkëkohës të tij, fola me At Liolinin dhe studiuesin P. Prifti dhe përsëri nuk doli gjë në dritë. Bile kur ua jepja vjershën për ta lexuar jo vetëm nuk e njihnin, por nervozoheshin dhe refuzonin ta zgjasnin bisedën. Megjithatë, unë do të vijoja punën time për biografinë dhe do të njihesha me burime nga më të ndryshmet, por prapë kurrkund nuk dilte një vjershë e tillë.

Në arkivin e Nolit dhe veçanërisht atë të poezive, rezultonte se poeti gjatë gjithë jetës, pavarësisht nga detyrat dhe rrethanat e rënda, ishte kujdesur për dorëshkrimet e vjershave të veta. Jo vetëm që i kishte ruajtur dorëshkrimet, bile dhe variantet, por bashkë me to mbante dhe kypyrat e gazetave me vjershat e tij. Por ç’ishte më e rëndësishme, poeti mendonte dhe punonte për t’i botuar vjershat origjinale dhe përkthimet poetike në vëllime të veçanta. Për këtë rezultojnë dy plane të hartuara prej tij, një në vitet ‘20 e tjetri në vitin 1964, pak para se të ndahej nga jeta.

Më Shumë

8 dhe 11 milionë euro, mbërrijnë dy oferta për Rrahmanin

Albion Rrahmani duket se do të largohet këtë verë nga Rumania për një hap më cilësor në karrierën e tij. Dhe, ofertat tashmë kanë...

Zhdukja e kobshme – Niset për shtëpi, e moshuara nga Rahoveci vdes në mal

Si rëndom, edhe pasditen e së dielës doli nga shtëpia, por në të nuk u kthye e gjallë.   Hajnishahe Hoti nga Ratkoci i Rahovecit pasi...

Lajmet e Fundit