Kishte menduar se çdo gjë i kishte perënduar në jetë, ndryshe nga të tjerët, të cilëve u perëndonte vetëm dielli për t’i lënë nën çaste agonie e dhembjesh (ç)njerëzore dalë boje. Kishin kaluar shumë shekuj që kur ajo e priste njohjen e vetvetes dhe hyrjen e saj në një kohë të re. Njohjen e asaj që tentonte ta braktiste, por që sërish, në brendi shpirti ia lente copëzat e kujtimit me albatrosin e ëndrrave që vononte t’i bëhej realitet e trupit t’ia hiqte edhe gjethet e pakta mbetur kohe.
Për aq kohë sa i kishte dashur ndryshimet, sipër gjoksit kishte marrë vetëm frymë të çmendura dhe ëndrra me shenja marrëzish. E bindur se pikërisht për këto ishte e mallkuar, pranonte të vuante si Sizifi, herë-herë edhe më shumë se ai. Të njëjtat, përpos që ia kishin zënë frymën dhe para pasqyrës së Evës e kishin shfaqur të dobët edhe me gjinj të bollshëm, nuk i kishin dhuruar gjë tjetër. As fjalë të ngrohta… As buzëqeshje… E as dashuri me pikëza të pakta besimi.
E ndodhur detyrimisht nën këto gjokse të rënda, kishte fshehur shumë ëndrra, motivet e të cilave për aq kohë sa jetën e shihte të përçudnuar, nuk ia kishte treguar as vetes, e jo më një hëne, një mashkulli e një bote që hapte sytë t’ia vidhte edhe frymën e mbetur në gjysmë, ashtu si ëndrrën e ditës së djeshme.
Për një kohë të gjatë kishte qenë e larguar nga bota, duke pritur që fillimisht të njihte veten, të vendoste paqen me të e më pas të nxitej që ta vidhte zemrën e dikujt. Rrallë i kishte ndodhur të buzëqeshte realisht, e në atë buzëqeshje ta rrëfente shpirtin e saj, në pamundësi për t’iu rrëfyer shekujve të mëparshëm. Sepse njëjtë si Evën, vetëm tradhtare dhe vjedhëse brinjësh kishin ditur ta quanin djallëzorët. E kur këto i vinin njëra pas tjetrës, kishte qenë e pamundur që të qëndronte në shtrat e t’i rrëfente si para një murgu ndjenjat që në mesnatë ia arratisnin gjumin, pa folur kurrë me qenien që vazhdimisht kishte dashur ta kishte pranë e të njëjtit kurrë s’ia kishte pohuar diçka të tillë në sy. E mundonte fakti që sërish mund të bëhej molla penguese në fytin e Adamit e bota të mos e njihte të vërtetën e lajkave dalë boje.
E kishte ndaluar veten në shumë gjëra. Kishte heshtur duke menduar se do të mbrohej nga djajtë e botës e në rrugën e saj do t’i mjaftonin vetëm fija e kuqe në dorën e majtë dhe flokët e gjata braktisur dëshpërueshëm pas shpine. Këto të fundit kishin qenë të ndaluara për prekje për aq kohë sa ajo nuk besonte marrëzisht asnjë nga gjokset e çmendura e të rënda.
Kështu kishte jetuar me shekuj të tërë. Duke parë në pasqyrë se sa të brishtë e kishte falur perëndia e sa të tillë e quanin edhe të tjerët, pa ia njohur skutat e thella në të cilat fshihte dashurinë, ajo ëndërronte të mos e dhunonin e të mos ia vidhnin gjërat e pakta që ia kishte falur jeta. Këtë të fundit nuk e ndjente as kur në dritën e hënës ia dhunonin gjinjtë, ngase ishte e bindur se jeta në tokë do e mbronte më mirë, e ajo sërish edhe në dhembje ta priste çastin ideal që dikë ta quante Ymer Agë, edhe kur të njëjtit udhëtimi për tek ajo do i zgjaste më shumë se nëntë vjet.
Ajo e dinte se që në krijimin e saj, fati vazhdimisht e kishte goditur, sa herë që tentonte ta shihte të vërtetën në pasqyrë e para kësaj të fundit ta pohonte zëshëm se diku larg fshihej dikush që e donte për gjithë jetën, por që jeta ende nuk e lejonte që në rrjedhën e shekujve t’i hiqte gjethet, të shkopsitej me dashuri dhe ta njihte veten jashtë gjokseve trashëgues të Adamit. Jashtë gjithçkaje që atë e mohonte, sepse për të vetëm pasqyra jepte shenja që jeta e femrës nuk perëndon aq lehtë.
Adelina XHAFERI