6.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Katër revista historike bëhen digjitale

Koleksioni me katër revista të rëndësishme për historikun e shtypit shqiptar hyjnë në bibliotekën digjitale. Bëhet fjalë për revistat “Minerva”, “Përpjekja shqiptare”, “Agimi”, “Rilindja” dhe “Kalendari i vietës”. “Koleksionet e plota të revistave të digjitalizuara janë publikuar në faqen zyrtare të Bibliotekës Kombëtare, në seksionin “Periodikë” të Bibliotekës Digjitale, duke rritur ndjeshëm numrin e revistave, të cilat shumë lehtë mund të shfletohen online dhe shkarkohen në çdo pajisje elektronike si kompjuter, laptop, kindle, book reader, smartphone, tablet etj.”, bëhet e ditur nga njoftimi për mediat të BK-së. Janë rreth 594 njësi të digjitalizuara, të cilat janë pajisur me Metadata, gjë që mundëson indeksimin e tyre nga motorët e kërkimit si Google, Bing etj., duke lehtësuar gjetjen e tyre të menjëhershme dhe adresimin në faqen elektronike të Bibliotekës Kombëtare nga çdo përdorues virtual.

Nga informacioni i Bibliografive Kombëtare të Periodikut, të hartuara nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, për secilën veçojmë këto të dhëna:
“Përpjekja shqiptare” (1936-1939): revistë kulturore, shoqërore dhe filozofike, ekonomike e letrare, me botues Branko Merxhanin, një nga themeluesit e mendimit sociologjik shqiptar. Kjo revistë do të bashkonte emra të njohur dhe të rëndësishëm si Tajar Zavalani, Vangjel Koça, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Aleksandër Xhuvani etj.. Shkrimet dhe studimet e saj përfshinin fusha të ndryshme si në filozofi, sociologji, psikologji, letërsi, histori, duke e shndërruar atë në një nga organet me të rëndësishme të shtypit të kohës. Numri i parë doli më 1936 dhe vijoi për 27 numra deri në vitin 1939. Në vitin 1937 u botua një numër special i saj, nr. 9-10, në gjuhën frënge dhe shqipe, i cili iu kushtua filozofit francez Rene Descartes. Krahas të dhënave biografike për filozofin francez përgatitur nga Branko Merxhani, gjenden edhe artikuj të tjerë nga Sotir Angjeli, Perikli Mbrorja, Ali Kuçi, si dhe mendime nga J. G. Meyer e T. V. Charpentier. Gjithashtu në këtë numër botohet për herë të parë në gjuhën shqipe “Fjalimi i metodës” i Rene Descartes, që vjen përmes përkthimit mjeshtëror të Vangjel Koçës.

“Minerva” (1932-1936): revistë shkencore letrare, fillimisht si e përdyjavshme dhe më pas përmujore, u drejtua prej gazetarit të njohur Nebil Çika. Revista “Minerva” mblodhi bashkëpunëtorë dhe emra të shquar të publicistikës shqiptare si Tajar Zavalani, Odise Paskali, Ikbale Çika, Stefan Shundi etj.. Revistë e madhe e jetës moderne shqiptare botuar në Tiranë, ajo është një nga më të rëndësishmet dhe me një ndikim të madh në kulturën e jetën shoqërore të kohës. Numri i saj i parë doli më 1932 dhe u botuan 38 numra deri në vitin 1936.

“Agimi” (1919-1922): revistë letrare e përmuajshme, organ i shoqërisë “Vllaznija”, Shkodër, dhe prej vitit 1921 u bë organ i Federatës “Atdheu”. Kjo revistë trajtoi probleme të gjuhës shqipe, të historisë dhe etnografisë, arkeologjisë, traditave kombëtare, letërsisë, arteve dhe muzikës.

“Rilindja” (1934-1936): revistë e përdyjavshme shoqërore, kulturore dhe letrare u botua në Korçë. Pjesën më të rëndësishme të revistës e përbënin artikuj ku u përshkrua gjendja sociale e vendit, ndërsa në rubrikën letrare të saj u botuan shkrime nga autorët e rinj.

“Kalendari i vietës” (1912-1927): Pjesë e rëndësishme e Veprave Pijore është edhe Kalendari i vietës, botim i Klerit Jezuit në Shkodër. “Kalendari i vietës” përmbante festa fetare dhe lëndë të ndryshme kulturore, letrare, historike, fetare, kronologji ngjarjesh, kuriozitetet etj., në gjuhën shqipe. Numri i saj i parë doli në vitin 1912, m.gj.th disa ndërprerje, u botua deri në vitin 1927.

Prej 10 vitesh Biblioteka Kombëtare ka një sërë shërbimesh online si katalogë online, katalogë të dixhitalizuar, bibliotekë digjitale, e-bibliografi etj. Si një pjesë e rëndësishme e fondit, drejtuesit e BK-së, konsiderojnë e-Albanica, që përfaqëson Bibliotekën Digjitale Albanologjike të BKSH-së, titujt e rinj i shtohen koleksioneve të revistave të digjituara më herët si, “Albania”, (1896-1913); “Dituria” (1909-1929), “Hylli i Dritës” (1921-1944), “LEKA” (1929-1944), “Përlindj’e Shqipnies” (1913-1914) dhe “Kalendari Kombiar” (1897-1928). Në e-Albanica janë përfshirë edhe vepra të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, antikuarë, dorëshkrime, harta dhe periodikë, të shekujve XV-XIX në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, si dhe editimet digjitale të botimeve të para të veprave të Naim Frashërit etj. /Mapo

Më Shumë

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare kushtuar mbrojtjes së ambientit

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, lëshoi sot në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Mbrojtja e ambientit”.  Si pjesë përkrahëse e fushatave sensibilizuese,...

Dënohen Ballkani e dy zyrtarë, po edhe trajneri i Dritës

Klubi i Ballkanit është dënuar me gjobë 1200 euro, videoanalisti i FC Ballkanit, Ardi Kabashi me gjobë prej 500 euro dhe zyrtari i Ballkanit,...

Lajmet e Fundit