6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Romancat shqiptare, pas një dekade rikthehen në skenë nga kompozitorët

Koncerti i Romancave Shqiptare mbrëmë erdhi në kuadër të edicionin XVIII të Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Muzikës së Re”.

Koncerti i Romancës Shqiptare erdhi për publikun me një krijimtari të pasur muzikore në skenë e arteve. Me veprat që mbajnë emrin e kompozitorëve më të njohur shqiptarë, ky koncert përcolli jo pak vlera muzikore.

I zhvilluar në skenën e Universitetit të Arteve, Koncerti i Romancës Shqiptare për drejtues dhe kompozitorë pjesëmarrës përbën dhe një nga momentet më të veçanta në jetën artistike, kur në vëmendje është krijimtaria muzikore serioze shqiptare, e cila për fat të keq sipas tyre prej vitesh është lënë në harresë. Për publikun në sallën e madhe të arteve u interpretuan vepra nga emra shumë të vlerësuar në krijimtarinë muzikore si kompozitori Albert Paparisto, Kozma Lara, Aleksandër Peçi, Haig Zacharian, Endri Sina, Shpëtim Kushta, VasoTole, etj.

Ky koncert këtë vit erdhi nën organizimin e kompozitorit të njohur Haig Zacharian, dhe me zhvillimin e tij në skenën e madhe të arteve riktheu vëmendjen dhe në mungesën e mbështetjes financiare, që kanë institucionet ndaj krijimtarisë muzikore serioze. Nuk kanë qenë të paktë kompozitorët që kanë kërkuar më shumë vëmendje, financime për krijimtarinë nga Ministria e Kulturës, duke thekuar dhe mungesën e konkurseve, por sipas tyre situata nuk ka ndryshuar prej vitesh.

“E kemi thënë disa herë që nuk ka vëmendje për krijimtarinë muzikore shqiptare, ka probleme jo pak, por asgjë nuk është bërë”, pohon kompozitori i njohur Aleksandër Peçi.

Por edhe për kompozitorin e njohur Endri Sina problemet që janë prej vitesh e kanë zbehur jo pak krijimtarinë e muzikës serioze.

“Romanca është një gjini muzikore më e vogël e muzikë serioze, është më taktike për tu interpretuar. Nuk kërkon orkestër të madhe. Ky koncert erdhi dhe si një apel ndaj institucioneve, Ministrisë së Kulturës, që të ketë në vëmendje krijimtarinë e muzikës serioze shqiptare. Krijuesit shqiptarë janë pa përkrahje, ka vite kjo situatë por asgjë nuk ka ndryshuar. Ndërsa në shtete të tjera ka më shumë vëmendje, duke u ndarë një zë i veçantë në buxhet për krijimtarinë, tek ne kjo gjë nuk ndodh. Në shtete të tjera zhvillohen edhe konkurse të ndryshme për krijimtarinë, por sërish këto tek ne mungojnë”, pohon kompozitori Endri Sina.

Krijimtaria muzikore pa vëmendje dhe pa stimulim për krijuesit ka sjellë sipas kompozitorëve dhe varfëri në jetën artistike kur flitet për muzikën serioze. Por përballë kësaj varfërie, për kompozitorin Endri Sina mungesa e mbështetjes për krijuesit ndikon jo pak dhe në procesin e mësimdhënies në Fakultetin e Muzikës.

“Konkurset për krijimtarinë kanë vite që nuk zhvillohen nga Ministria e Kulturës, nuk ka interes për të paguar krijuesit, zero mbështetje. Në dijeninë time në shtete të ndryshme japin buxhete në ndihmë të krijimtarisë së tyre, kështu Maqedonia ka politikat e saj kombëtare për krijimtarinë, Zvicra jep 8 milionë euro në vit për krijimtarinë, tek ne zero buxhet. Por meqë po flasim për krijimtarinë po shterojnë dhe burimet për pedagogjinë, në procesin e mësimdhënies kemi ende prodhime muzikore të viteve më përpara, nuk ka vepra të reja, dhe sigurisht që kjo është një problem tjetër”, u shpreh mes të tjerave kompozitori Endri Sina.

Veprat që erdhën në këtë Koncert të Romancave Shqiptare ishin menduar të porositen nga kompozitorë të brezave të ndryshëm për të mundësuar kësisoj edhe një panoramë të qasjeve estetike, që kompozitorët shqiptarë kanë sot. /KultPlus.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit