6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Tragjedia e Haxhiademit: Si shkroi intrigën vrastare brenda kampit të Skënderbeut

Martesa e së motrës, Mamicës, me Karol Muzakë Topian e Beratit do të sjellë disa fatkeqësi për Skënderbeun. Zanfina, gruaja që la dy fëmijë te i shoqi Karol Muzakë Topia, i cili e ndau për Mamicën, nuk do ta gëlltisë këtë fyerje. Rimartohet me Moisi Golemin e Dibrës, por do ta urrejë për vdekje Skënderbeun. Ajo intrigon që ta shthurë besëlidhjen e Skënderbeut me prijësat e tjerë shqiptarë. Intrigon çdo natë te i shoqi Moisi, për t’i shtirë helmin se Skënderbeu si egoist dhe i dashuruar me pushtetin, të tjerët, si Moisiu, i shkel me këmbë, edhe pse kurrë nuk është në lartësinë e gjeneralëve si ai. Zilia e bren keq Moisiun. Lakmia për t’u bërë vetë mbret, e ushqyer nga Zanfina, vret ndërgjegjen e tij dhe ai tradhton Skënderbeun. Te otomanët vihet në krye të një ushtrie dhe ndeshet me Skënderbeun. Humbet luftën dhe… kthehet prapë te Skënderbeu, i bie në gjunjë, kërkon falje. Skënderbeu e fal dhe e kthen te funksioni i tij si general.

Zanfina intrigon dhe te Hamzai, për ta bërë armik të të ungjit të tij. Ndërkohë që Moisiu kthehet te Skënderbeu, Zanfina e marrosur ther veten me thikë. Me pak fjalë, kjo është nyja intriguese që ngjiz këtë tragjedi, e kryer në Gjirokastër, më 1 Maj 1935. Në këtë paragraf, informacioni lidhet me tragjedinë “Skëndërbeu” të shkruar nga Et’hem Haxhiademi, të cilën e sjell në vëmendje poeti Sadik Bejko meqë ky vit është shpallur viti i heroit kombëtar.  Në postimin e tij, të para pak ditëve në rrjetin social, facebook, ai shkruan:

“Në vemendje  të Ministrisë së Kulturës dhe të Teatrit Popullor: Tragjedinë “Skënderbeu” të Ethem Haxhiademit e ka vënë në skenë Xhevat Nimani, me Teatrin shqiptar në Shkup në vitin 1989-90. A mund te vihet në skenë në këtë vit jubilar të Skënderbeut?

Et’hem Haxhiademi ka lindur në Elbasan më 8 Mars 1902. I ati, Emin Haxhiademi, si bashkëpunëtor i ngushtë i Konstandin Kristoforidhit, njihej si patriot që përpara Kongresit të Lidhjes së Prizrenit. Babai i mësoi shqipen. E futi dhe në Normalen e Elbasanit, themelues i së cilës ishte ai vetë. 14 vjeç u mbyll në shtëpi, që të shkruante një dramë.

Mësoi latinishten, iu fut përkthimit të “Bukolikeve ” të Virgjilit, i dha shqip në hekzametra.

Në Austri lexonte tragjedianët grekë në latinisht dhe gjermanisht.

Në Berlin për studime më 1924. Papritmas i vdes e dashura dhe shkroi elegjinë ” Galatés”.

Tragjedia iu bë ” fryma ime e të jetuarit” , siç i shkruante Lasgush Poradecit.

Pas tragjedisë ” Ulisi “, dy vjet më vonë, më 1926 shkroi në Vjenë tragjedinë “Akili”.

Erdhi në Shqipëri në vitin 1927, u emerua nënprefekt në Lushnjë. Pas një viti shkroi tragjedinë “Aleksandri”. Tri tragjeditë i botoi në Tiranë më 1931. Me punë në Berat… në Gjirokastër, kryesekretar i prefekturës, viti 1933. Përfundon tragjeditë  “Pirua “(1934), ” Skënderbeu” (1935), “Diomedi” (1936 ). Shkroi “Abeli” në prag të pushtimit (1938 ).

Sipas tij, duhej ribërë Shqipëria e lashtë, ajo mesjetare, aristokracia, kalorësia. Duhej rimarrë mitologjia, antikiteti, heronjtë, pasionet e përjetshme, e bukura e estetikës klasiciste.

Disa nga tragjeditë u vunë në skenë në Elbasan. Djemtë e rinj luanin rolet e grave. Gjatë pushtimit fashist, pati simpati për Ballin Kombëtar, botoi librin me poezi “Lyra”.

Aty gjejmë elegjitë e dashurisë, “Galatés “, “Nata e zezë”, poezinë për Naim Frashërin, këngëtarin hyjnor. Pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore është themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë dhe kryetar për degën e Elbasanit.

Më 1946 e arrestuan. Dënimin me vdekje, me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit ia kthyen në burg. E mbyllën në  Burrel. Përkthente. Përkthimet mbase janë botuar me emra të tjerë, ose kanë humbur. Shkroi romanin ” Jeta e Njeriut ” dhe dramën ” Koha e premtueme “. Deri tani mendohen të humbura. Viti 1965, 63 vjeçar, mbas 18 vjetësh burg, po i vinte dita e lirimit… por ka mbetur enigmë si vdiq. Një atak zemre i beftë. Mbase nuk duhet të dilte prej burgut. Eshtrat e tij nuk janë gjendur. Në varrezat e Elbasanit, familja i ka bërë një varr kenotaf (pa eshtra).

Ndërkaq, vjen tek ne Anatema për diktatorin shqiptar, një poezi me mallkimin e tragjedianit Haxhiademi:

Qofsh i mallkue, i poshtun, ti për jetë,

Prej nesh edhe prej zotit të vërtetë.

Zemra e jote kurr mos t’ paft gëzime,

N’mjerimin tand ne gjetshim ngushullime.

Ti qi na dhe për pleqëni kët tmerr,

Të bift n’vend t’grunit n’arën tande ferrë.

Jo vetëm ti, por dhe fëmijët tuëj

Mënin e madhe paçin të gjithkuëj,

Paçin bashk’ me urrejtjen e njerzís,

Mallkimet e Krijuësit të Gjithsís.

Prej secilit, prej Eskilit dhe Sofokliut botës i erdhën nga shtatë tragjedi… shqiptarëve u mbetën shtatë tragjedi prej atij poeti që jetën e mbylli tragjikisht, prej Et’hem Haxhiademit”.

Më Shumë

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Kosova merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në Bienale të Venecias

Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin...

Lajmet e Fundit