Gazmend Beqaj, ishe njëri ndër kandidatët për drejtor të shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren. Edhe pse është vlerësuar lartë nga komisioni, ai nuk është zgjedhur drejtor i shkollës.
Thotë se pikët e vlerësimit janë dhënë sipas diktatit politik.
“Komisioni edhe pse në intervistë më lartësoi në qiell, megjithatë pikët me qyqarllëk i paska dhënë sipas diktatit politik” tha Beqaj, shkruan “PrizrenPress”.
Ai, fajëson ish-kryetarin e Prizrenit, Ramadan Mujën, kryetarin aktual, Mytaher Haskukën dhe kryetarin e Nismës në Prizren, Zafir Berishën, për politizim të arsimit.
“Nga këndi im personal si Ramadan Muja dhe Klani “Pronto” si Mytaher Haskuka e Zafir Berisha një mall na qenkan, vetëm paketimi politik që ndyshuaka!!!”, shkruan ai në “Facebook”.
Gazmend Beqaj punon profesor në shkollën e mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren.
Ai merret edhe me krijimtari.
Është autor i disa librave.
Në vitin 1990, ai ishte kryetar i Sindikatës së Pavarur dhe përfaqësonte regjionin e Prizrenit në kryesinë e SPAMK-së.
“ Në atë kohë kam organizuar greva dhe ndarje të të mjeteve materiale”, tregon Beqaj.
Në vitin 1992, Beqaj ishte emëruar drejtor i Shkollës Teknike.
“Për shtatë vite e kam ringjallur atë shkollë”, tregon ai.
Ndërkaq, para tetë vitesh, Gazmend Beqaj, kishte konkuruar për drejtor të shkollës, por nuk ishte zgjedhur.
“Para tetë vitesh edhe pse komisioni i Ramadan Mujës, më pat vlerësuar bindshëm, në mënyrë të paligjshme nuk më zgjodhi për drejtor”.
Drejtoria e Arsimit ka publikuar listën me emra të drejtorëve të rinj të shkollave.
Kjo listë është kundërshtuar Vetëvendosje dhe LDK-ja.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, në raportin e tyre, kanë treguar se procesi i zgjedhjes së drejtorëve të rinj është përcjellë me mungesë të transparencës.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka paralajmëruar ndërkaq rishikimin e procesit të zgjedhjes së drejtorëve të shkollave.
Drejtori i Arsimit në Prizren, Skënder Susuri, ndërkaq i ka dalë në mbrojtje Komisionit që ka përzgjedhur drejtorët e rinj të shkollave.
Ai tha se nuk ka pasur asnjë shkelje procedurale, në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave./PrirenPress.com/