17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

A prodhuan zgjedhjet, zgjidhje apo krizë?!

Shkelzen Dakaj

Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit u dëshmua së nuk prodhuan zgjidhje, përkundër se qeveria u rrëzua pikërisht me këtë arsyetim, gjoja për të nxjerrë vendin nga status-quo e krijuar për temat e ashtuquajtura të mëdha, Demarkimi i kufirit me Malin e Zi, Asosacioni i komunave serbe dhe krijimi i Ushtrisë.

Edhe pse me një koalicion prej mbi dy të tretave të shumicës parlamentare, për temat e sipërpërmendura nuk u arrit të gjendej një konsensus as brenda vetë partnerëve të koalicionit PDK – LDK e lerë më me partitë opozitare.

Në këto rrethana, partneri me i madh i koalicionit PDK vendosi që në mënyrë të pa natyrshme të përkrah mocionin e iniciuar nga opozita duke rrëzuar qeverinë në të cilën vetë ishte partneri më i madh.

Këtë vendim të saj PDK-ja e arsyetoi duke akuzuar partnerin e saj, LDK-në dhe Kryeministrin Isa Mustafa për mungesë vendimmarrje dhe stagnim të proceseve.

PDK apo më saktësisht lideri i saj Kadri Veseli, pretendonte se do të arrinte të jepte zgjidhje për temat e vështira siç i quante, duke i fituar zgjedhjet dhe duke udhëhequr vet qeverinë.

Për të arritur qëllimin që t’i fitonte zgjedhjet ai bëri koalicion parazgjedhor me AAK dhe NISMA-n vetëm pak minuta para skadimit të afatit për dorëzimin e listave, nga frika se do të dilte humbës në zgjedhje.

Me këtë rast nominoi Ramush Haradinaj e AKK-së për kryeministër, duke treguar kështu një pasiguri dhe panik para futjes në garë.

Rezultati i dalë të dielën mbrëma doli të jetë befasues për shumë kë, e ndoshta më së shumti për vet PDK-në dhe aleatët e saj parazgjedhor.

Tashmë i tërë ky koalicion “i madh” mes PDK, AAK dhe Nisma, si dhe një alamet partish tjera më të vogla arriti të fitoi aq sa PDK kishte fituar si e vetme në kohën kur kjo parti udhëhiqej nga Hashim Thaçi, tashmë president i vendit.

Me sa duket koalicioni PAN do të ngelet në kotën e 34% pa asnjë gjasë që ta formoj as shumicën e brishtë të nevojshme sa për të formuar qeverinë, e lërë më që të ketë një shumicë të kualifikuar për t’i kaluar “temat e mëdha”.

Në anën tjetër Vetëvendosje e cila shënoj rritje spektakolare në këto zgjedhje, duke e befasuar edhe vetveten me sa duket, se lëre më partitë rivale, arriti të pozicionohet në vendin e dytë në skenën politike për herë të parë me mbi 27%.

LDK po ashtu me koalicionin tjetër, AKR dhe Alternativa zbritën në vendin e tretë, me rezultat zhgënjyes për 3% më pak se VV.

Tashmë zgjedhjet që u proklamuan se do të prodhonin zgjidhje, duket se kanë bërë të kundërtën, kanë futur vendin në një krizë politike nga e cila vështirë se do të dilet shpejt.

PAN-it i takon mandati, sipas Gjykatës Kushtetuese që ta provoj e para formimin e qeverisë. Por, bazuar në atë si qëndrojnë shifrat, asaj do t’i duhet edhe një partnerë tjetër, pra VV ose LDK.

Bazuar në qëndrimin e VV dhe konsistencën politike që ka treguar kjo parti, të cilat janë të njohura dhe nuk po zgjatemi t’i përkujtojmë, duket se PAN nuk mund të llogarisë në bashkëpunimin me të.

Alternitava tjetër i mbetet rikthimi te ish partneri i saj LDK. Por, në rrethanat e se si PDK e prishi koalicionin me LDK-në dhe qëndrimin e eksponentëve të kësaj të fundit në lidhje me koalicionin e kaluar, vështirë se mund të llogaritet rifillimi i një “dashurie të re” në rrethanat kur “plagët e tradhtisë” janë ende të freskëta.

Kështu mund të vijmë në situatën kur PAN e djegë mundësinë që të formoj qeverinë dhe mandati i kalon VV, gjithnjë nëse zyrtarizohet si e dyta. Kjo mundësi ekziston bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të viti 2014, në lidhje me të drejtën që qeverinë ta formoj partia apo koalicioni që ka shumicën në kuvend. Rast të ngjashëm kishte në zgjedhjet e fundit në Maqedoni, ku përkundër rezistencës së presidentit maqedonas, qeverinë e formon Zoran Zaev lider i LSDM që ishte e dyta në zgjedhje. Kjo ndodhi pas dështimit të Gruevskit me VMRO-DPMNE i i cili edhe pse ishte i pari, nuk arriti të siguroi shumicën duke e humbur rastin të udhëheqë qeverinë.

Duke e ditur se VV nuk ka pothuajse asnjë gjasë të hyj në një qeveri me PDK-në, duket se negociata më serioze do t’i zhvilloj me LDK.

Një koalicion mes LVV dhe LDK sado që do të dukej simpatik nga anëtarësia e të dy subjekteve politike dhe sa do që numerikisht do tu jepte komoditet të mjaftueshëm për të qeverisur, vlerësohet si mjaftë vështirë i arritshëm. Kjo për faktin se qëndrimet e prera të LVV në lidhje me disa tema si dialogu, Asociacioni, Demarkacioni etj., bien ndesh me qëndrimin ndërkombëtar ndaj tyre. LDK dihet se nuk e preferon thyerjen e shtizave me ndërkombëtarët dhe harmonizimi i qëndrimeve në këto apo pika tjera divergjente do të jetë shumë i vështirë.

Në këto rrethana do të mund të vije deri tek opsionet tjera si prishja e koalicioneve parazgjedhore dhe vërtitja e partive në pole tjera sa për të bërë ndonjë vend në ndarjen e pushtetit.

E nëse këto kombinacione nuk prodhojnë zgjidhje për një qeveri të re, mund të vijë në pah një koalicion i gjerë me një soj qeverie teknike, duke mbetur në opozitë eventualisht vetëm VV. Kjo mund të vije në shprehje vetëm në rrethana të ndërhyrjes së ashpër ndërkombëtare, duke pas parasysh qëndrimet dhe premtimet e LDK-së për një bashkëpunim të ri me PDK-në apo edhe divergjencat që mund të ngjallë rezultati i dobët i koalicionit PAN dhe detyrimin e tij për të rishikuar pozicionet për të cilat ishin marrë vesh. Kjo e fundit vështirë e arritshme, për shkak të qëllimit jetësor të Ramush Haradinaj për tu bërë kryeministër.

Të gjithë skenarët e lartcekur, apo edhe të tjerë që nuk janë përmendur, e sjellin vendin në një krizë të thellë politike të atillë sa që më e mundshme do të jetë të shkohet në një palë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme se sa të arrihet një marrëveshje për krimin e një qeverie stabile. (Autori është kryeredaktor i portalit INFOKUSI)

Më Shumë

Dallimet mes letërsisë së Shqipërisë e Kosovës, Ligjerata e Krajës, identitetet politike e rrymat letrare

Letërsia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës është parë në kontekstin gjeografik e politik duke gjetur pika të përbashkëta dhe dallime. Nga variantet e...

52 vite më parë Bekim Fehmiu vizitoi për herë të parë Shqipërinë

Më 21 prill 1972 aktori kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu vizitonte për herë të parë Shqipërinë. Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936...

Lajmet e Fundit