9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Prizren: Është mbajtur shqyrtimi i dytë fillestar kundër të akuzuarve për veprën penale mashtrimi

Në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur shqyrtimi i dytë fillestar kundër Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik, të cilit po akuzohen për veprën penale mashtrimi.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Milot Krasniqi, të akuzuarit Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik, deklaruan se nuk e pranojnë veprën penale e cila u vihet në barrë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Luan Berisha konstatoi se nga shqyrtimi i parë fillestar e deri në shqyrtimin e dytë, nuk ka pranuar asnjë kërkesë me shkrim për hudhje të aktakuzës e as kundërshtim të provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarës Mirjeta Zylfiu, avokati Ermira Gavazaj-Gashi, deklaroi se sot ka marr autorizimin gojor nga ana e të akuzuarës, duke shtuar se kundërshton në tërësi aktakuzën e prokurorisë me arsyetimin se është e pa bazuar dhe e pa argumentuar.

E akuzuara Mirjeta Zylfiu e mbështeti në tërësi deklaratën e avokatës Gashi.

Lidhur me këtë, prokurori Krasniqi kundërshtoi pretendimet e mbrojtjes lidhur me kërkesën për hudhje të aktakuzës, duke shtuar se aktakuza është e bazuar në fakte dhe prova të besueshme, duke propozuar që gjykata të cakton shqyrtimin gjyqësor.

Pas kësaj, gjykatësi Berisha merr vendim për refuzimin e kërkesës nga mbrojtësi i të akuzuarës Mirjeta Zylfiu, avokatja Gashi, lidhur me hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në këto rrethana, avokatja Gashi kërkoi formë të posaçme të aktvendimit mbi refuzimin e kërkesës në fjalë.

Nga ana tjetër, i dëmtuari Sabit Krasniqi deklaroi që sot publikisht e njofton prokurorin Krasniqi se nga 16 shtatori kur ka qenë shqyrtimi i parë, e deri më sot vazhdimisht dhe në mënyrë permanente ka marr telefonata kërcënuese.

“Më 14 tetor 2020, derisa kam qenë duke rihapur lokalin e një shokut tim Alush Kryeziu, nga fshati Lubiqevë Komuna e Prizrenit, ka ardhur i akuzuari Jesmiri Ponik, ka hyrë në lokal dhe më është drejtuar me fjalët më banale dhe atë ‘ti shker*ej robt’, ka marr shtekën e bilardos, ka tentuar të më godas me të, por miku im Alush Kryeziu nuk e ka lejuar ku pastaj më ka thenë ‘ja unë ja ti’ ”, deklaroi i dëmtuari Sabit Krasniqi.

Për të gjitha këto kërcënime, mbrojtësi i të dëmtuarit Sabit Krasniqi, avokati Blend Gjini deklaroi se këtë rast e kemi paraqitur në stacionin policor në Prizren.

Pas këtyre, gjykatësi Berisha njoftoi se shqyrtimi i sotëm përfundon, ndërsa pas plotfuqishmërisë të aktvendimit mbi refuzimin e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, gjykata do të procedojë në këtë çështje penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 24 qershor 2020, të pandehurit Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik, po akuzohen se nga muaji shtator i vitit 2016 e deri në muajin tetor të vitit 2019, në vazhdimësi, duke vepruar në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke i fshehur faktet e mashtrojnë të dëmtuarin Sabit Krasniqi, nga fshati Lubiqevë, Komuna e Prizrenit.

Duke i premtuar fillimisht fejesë e më pas martesë të rrejshme me një vajzë që në realitet nuk ekziston me emrin Blerta Berisha nga fshati Xërxe, Komuna e Rahovecit, kinse me vendbanim në Zvicër, thuhet në aktakuzë.

Tutje, sipas aktakuzës, nga i dëmtuari Sabit Krasniqi përfitojnë para të gatshme në vlerë prej 5.200 euro, të cilat i dëmtuari ua paguan në disa pjesë të pandehurve me destinimin për ta ndihmuar financiarisht për shërimin nga kanceri Arbëresha Berishën, motrën e Blerta Berishës, bashkëshortes së tij të ardhshme.

Sipas aktit akuzues, të pandehurit Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik, fejesën dhe martesën e premtuar nuk ia rregullojnë të dëmtuarit Sabit Krasniqi, e as paratë e marra për këtë qëllim nuk ia kthejnë, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, të pandehurit Zylfiu dhe Ponik, po akuzohen se kanë kryer veprën penale: Mashtrimi, nga neni 323 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e të miturës nga Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e një vajze të mitur. Të dyshuarit thuhet se janë...

Jasharaj: Po përgatitemi për grevë

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari ka deklaruar se nëse qeveria aktuale në vend nuk merret me kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë,...

Lajmet e Fundit