8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Prokuroria Themelore në Prizren zgjedh prokuroren Arjana Shajkovci për anëtare të re të KPK-së

24 prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, me vota të fshehta, këtë të mërkurë kanë zgjedhur prokuroren e Departamentit të Krimeve të Rënda në këtë prokurori Ariana Shajkovci, si anëtare të re të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Në garën e Prokurorisë Themelore në Prizren për anëtarë të KPK-së kanë qenë prokurorët Ariana Shajkovci dhe Musli Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga 24 fletëvotime, 16 prokurorë kanë votuar për prokuroren Shajkovci, shtatë për prokurorin Gashi, ndërsa një prokuror ka votuar për të dy kandidatët, e cila votë u shpallë e pavlefshme.

Ndryshe, KPK është në procedurë të zgjedhjes së shtatë anëtarëve të rinj të këtij këshilli nga radhët e Prokurorive Themelore, përkatësisht nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Gjatë të mërkurës, përpos zgjedhjeve në Prokurorinë Themelore në Prizren, nga ora 14:00, këto zgjedhje do të mbahen në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, të enjten këtë proces është paraparë ta kryej Prokuroritë Themelore në Prishtinë, Gjilan dhe Ferizaj, ndërsa më 23 tetor Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe ajo në Pejë

Proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPK-së nga radhët e shtatë Prokurorive Themelore, është duke u udhëhequr nga komisioni i formuar nga KPK.

Në krye të këtij komisioni është anëtari i ri i KPK-së, Agron Beka, derisa anëtarë të këtij komisioni janë edhe Idail Smajli – prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Valdrin Krasniqi – zyrtar nga Sekretariati i KPK-së.

Si anëtarë rezervë të këtij komisioni janë zgjedhur Bedrije Syla Alshiqi – anëtare në KPK, Agron Qalaj – prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Dardan Maloku – zyrtar i sekretariatit të KzPK-së.

Shpallja e zgjedhjeve për anëtarë të KPK-së nga radhët e prokurorive themelore është bërë nga KPK më 8 tetor 2020, në të cilën ditë edhe është miratuar Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sipas ligjit dhe rregulloreve të KPK-së, ky konkurs është dashur të shpallet më së largu deri më 1 tetor 2020, për shkak se mandati i anëtarëve aktual të KPK-së nga radhët e prokurorive themelore përfundon më 1 janar 2021.

Në ditën kur është shpallur konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinjë të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile, tre anëtarë të KPK-së kanë dhënë dorëheqje në prag të përfundimit të mandatit të tyre si anëtarë të KPK-së. Përkatësisht, dorëheqje kanë dhënë anëtarët Zejnullah Gashi, Arben Ismajli dhe Dëshirë Jusaj.

Ndaj këtyre dorëheqjeve, në po të njëjtën ditë kishte reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku kishte thënë se dorëheqja e anëtarëve të KPK-së në kohën para shpalljes së konkursit për kryeprokurorë, është praktikë që mund të paraqesë konflikt të interesit dhe mungesë të integritetit.

Një ditë më vonë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës ka njoftuar se është tërhequr nga procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPK-së dhe zgjedhjes së Kryeprokurorëve, me arsyetimin se këto procese janë prishur rrënjësisht.

“Për vite, Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe për të zgjedhur Kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur rrënjësisht. Atyre u mungon transparenca dhe i nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit. Meqenëse përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet keq si miratim i këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve. Ndryshimet në kornizën ligjore që mbështesin KPK-në janë të nevojshme për të rivendosur transparencën dhe drejtësinë e këtij sistemi. Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështesin përpjekjet e Ministrit të Drejtësisë për të përfunduar menjëherë Rishikimin Funksional”, thuhet në deklaratën e kësaj ambasade.

Një ditë më vonë, është konfirmuar se nga këto procese është tërhequr edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.  /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Totaj ndan pamje të fshatit Jeshkovë: Fshat i bujarisë dhe trimërisë

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj,  ka përshëndetur qytetarët, të dielën, duke ndarë pamje nga fshati Jeshkovë. Ai në postimin e tij në Facebook ka thënë...

Moti sot me vranësira, diell e shi

Sot parashihet të mbajë mot me vranësira dhe intervale të shkurtra me diell. Kohë pas kohe pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në...

Lajmet e Fundit