16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Roli i arsimit dhe i edukatës në formimin e të rinjve dje dhe sot

Shkruan: Prof. Gani Rudaj

Arsimi është një tërësi e njohurive dhe e shprehive që jepen me sistem e sipas një programi në shkolla që ka për detyrë për të mësuar e për të edukuar brezin e ri. Këtë detyrë e ka mësimdhënësi.

Fjala EDUKATË rrjedh nga latinishtja që ka kuptimin e rritjes, mbajtjes, kultivimit. Me edukatë njeriu fiton shprehitë kulturore të fituara nën ndikimin sistematik të shkollës. Edukata e bën formimin e veçantë e të përgjithshëm të njeriut. Para tridhjetë viteve politika e arsimit dhe e edukatës te nxënësit kishte një frymë tjetër.

Mësimdhënësit e asaj kohe kishin një çasje shumë më serioze në daljen e tyre para nxënësve. Mësimdhënësit jepnin shumë, por edhe kërkonin shumë. Në atë kohë mësimdhënësit së pari e studionin literaturën, sepse e dinin që vetëm me këtë mënyrë do t’i armatosin nxënësit me dije.

Ata nuk i linin literaturat në vendet e papërshtatshme ku i lagë shiu e i ha miu. Hyrja e mësimdhënësit në klasë, ishte sikur të hyjë një dritë në errësirë. Mësimdhënësi fillor përgatiste nxënësit për shkollat e mesme.

Literatura e nxënësve filloristë ishte e përshtatur për moshën e tyre. Ishte një ligj shumë i mirë në atë kohë. Nxënësi nuk mund të shkonte në shkollën e mesme pa i përvetësuar mirë mësimet e shkollës fillore.

Mësimdhënësit e dinin se duhet të shkrijnë jetën e tyre për të edukuar brezin e ri, shpresën e atdheut. Këtë edhe e kanë bërë. Edhe prindërit luanin një rol të madh në edukimin e fëmijëve.

Ata gjithmonë u thoshin atyre se duhet t’u binden mësuesve dhe të përpiqen sa më shumë të jetë e mundur që të mësojnë më tepër dhe të kërkojnë më shumë nga mësuesi se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet deri në paraksizmën e inteligjencës. Tashmë nxënësit nën ndikimin e vazhdueshëm të mësimdhënësit dhe të prindërve, e kanë kuptuar se pa arsim nuk mund të ketë përparim.

Pajisja me tekstet shkollore për xhepin e nxënësve ishte e kapshme . Për nxënësit nuk mbetej asgjë tjetër pos të mësojnë dhe të kërkojnë nga mësuesi sa më shumë. Ata kishin ardhur në shkollë për të marrë një kulturë të gjerë e të përgjithshme

Mirëpo, lind pyetja se çfarë ndodh në rast të ndonjë mossuksesi nga ana e mësuesit në aspektin profesional? Atëherë me këtë problem u merreshin Organet kompetente që ka shkolla. Por, këto raste ishin shumë të rralla. Nxënësit pas përfundimit të tetëvjeçares hapin dyert e shkollave të mesme.

Ata kanë ardhur në këto shkolla me një njohuri të kënaqshme. Tani mësimdhënësit e kanë për detyrë vetëm të vazhdojnë rrugën në thellimin e njohurive të reja. Për shembull mësimdhënësi i gjuhës shqipe, në fillim të vitit shkollor nxënësve ua jep titujt e romaneve që duhet lexuar gjatë vitit shkollor.

Për secilin muaj nga një roman plus romanet që duhet lexuar gjatë pushimit dimëror dhe veror. Biblioteka publike dhe ajo e shkollës ishin të pajisura me romane. Nxënësit vetëm duhet t’i lexojnë ato dhe t’i analizojnë ato. Nxënësit nga shkollimi i mesëm nuk mund të shkojnë në studime pa i përvetësuar mirë lëndët nga shkolla e mesme. Nxënësit që nuk e meritonin notën kaluese, përsëritnin vitin. Planprogrami për të gjitha lëndët mësimore ishte i ngjeshur dhe i studiuar mirë.

Erdhi koha e studimeve. Dikush do të regjistrohet në shkollat e larta të profileve të ndryshme, dikush do të shkojë nëpër fakultete. Për këta studentë e rinj po hapet një dritare e re. Në atë kohë nuk kishte numër të kufizuar për t’u pranuar. Por, problemi më i madh i Universitetit ishte se nga ajo derë nuk dilnin me diploma universitare. Shumica i ndërpritnin studimet.

Për shembull, në drejtimin e Gjuhës shqipe, studenti i ka bërë tri gabime ortografike, ai rrëzohej nga provimi. Ishte rregull. Detyra e studentit ishte të studiojë dhe jo të mësojë përmendësh njësitë mësimore. Në provimin Teoria e letërsisë, studenti pos shënimeve, për detyrë ka pasur të lexojë 198 romane, ndëra me shkrim do ta analizonte vetëm një roman. Kjo vlente edhe për Letërsinë popullore.

Ata që kanë diplomuar në drejtimet e tyre, sot ecin ballëlartë dhe krenar, sepse titullin që e kanë fituar, është fituar vetëm me punën e tyre dhe jo ndryshe. Ndërsa sot me keqardhje po e them se vetëm mësimi fillor është për lëvdatë për punën që po e bëjnë mësimdhënësit e gjeneratave të mëhershme.

Ata ende po e mbajnë atë kulturë të punës që e kishin pasur gjithmonë. Por, lind pyetja se çfarë do të bëhet kur të pensionohen këta mësimdhënës? Sa i përket shkollave të mesme mund të them se është një kaos i vërtetë. Nxënësi gjatë tri viteve nuk e ka të lexuar asnjë vepër letrare. Pjesën e gramatikës mësimdhënësit as që e përmendin sepse një numër i madh i tyre as vetë nuk i njohin problemet gramatikore. Në gishtat e njërës dorë mund të numërohen mësimdhënësit që kanë kurajo në shpjegimin e gramatikës.

Në përpilimin e librave shkollorë sot po merren grafomanët. Këto libra nuk kontrollohen në aspektin shkencor. Për shembull libri për klasën e dhjetë që është për gjuhën shqipe i autorëve Idriz Mejtani dhe Mimoza Gjokutaj, ky libër as që duhet të blihet e lëre më të mësohet nga ai. Në këtë libër nuk ka asgjë tjetër pos gabimeve të shumta. Vetëm libri i klasës së njëmbëdhjetë i Abdullah Konushevcit vlen të përmendet për të mirë. Karakteristikë tjetër e shkollës së mesme është se të gjithë nxënësit e përfundojnë shkollimin e mesëm dhe atë me nota të mira. Nuk ka përsëritës. Pas përfundimit të shkollës së mesme, vijnë studimet në degë të ndryshme. Tani kemi edhe Universitete private.

Mrekulli!

I njëjti film i arsimit po luhet, por në të tjera dyer. Studenti i gjuhës shqipe diplomon pa e dëgjuar kurrë se ekziston Gjuhësia e përgjithshme. Teorinë e letërsisë e merr notën e mirë pa e analizuar asnjë roman. Kjo dukuri vlen edhe për lëndët e tjera. Fjalorin drejtshkrimor as që e kanë hapur ndonjëherë. Në fund të gjithë dalin të diplomuar në drejtimet e tyre. Këtu kemi të bëjmë me kuantitetin, jo me kualitetin. Fakultetin e kryejnë shpejt sepse nuk dështojnë asnjëherë në provime.

Pas diplomimit, ecin drejt masterit e më vonë drejt doktoraturave. Sa i përket titujve mund të krenohemi se e kemi vendin e parë në Evropë. Duhet të cek se nuk ka nxënës e studentë të dobët, por ka mësimdhënës të dobët. Problemi i arsimit është një problem me shumë rëndësi për përparimin e vendit tonë.

Shkolla duhet të jetë baza e shëndoshë ku do të edukohet rinia. Pa arsim dhe pa kulturë të shëndoshë nuk mund të ecim përpara. Çështja e mësimit te të rinjtë duhet të bëhet një çështje nderi nga ana e mësimdhënësve. Mësimdhënësi, i cili e realizon misionin e shenjtë, e meriton mirënjohjen e kombit.

 

Më Shumë

Robin Krasniqi rikthehet në ring me 4 maj

Boksieri Robin Krasniqi ka bërë të ditur se lufta e tij e ardhshme do të jetë me 4 maj 2024. Ai ka thënë se kundërshtari...

Familja e 71 vjeçarit të vdekur akuzon urologun në Prizren për neglizhencë

Urologu Fatos Shukriu është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren për veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”. Kjo pasi që familja e...

Lajmet e Fundit