6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Shishmash me foljet gjysmëndihmëse MUND dhe DUHET

Shkruan: Prof. Gani Rudaj

Pjesët gramatikore të ligjëratës ndahen në dy grupe. Në pjesë të ndryshueshme dhe të pandryshueshme. Në pjesët e ndryshueshme të ligjëratës bëjnë pjesë: emri, mbiemri, përemri, nyja, numërori dhe folja. Gjatë përdorimit të këtyre pjesëve të ligjëratës në fjali, vërehen gabime gjuhësore drejtshkrimore, por edhe gabime kuptimore ( logjike ).

Me anë të këtyre gabimeve te lexuesi krijohet një moskuptim në mes të asaj që është shkruar dhe asaj që duhet kuptuar. Për t’u kuptuar dhe lexuar drejt këto pjesë të ligjëratës duhet të mos ketë gabime.

Për fat të keq kjo ndodh.

Në këtë punim do të shkruaj për keqpërdorimin e foljeve gjysmëndihmëse MUND dhe DUHET për të cilat jam i mendimit se ka gabime kuptimore. Në mesin e kategorive leksike – gramatikore të gjuhës shqipe, folja është pjesë e ndryshueshme e ligjëratës. Folja gjatë përdorimit të saj në fjali del me forma të shumta dhe të ndryshme gramatikore. Folja ka mënyrë, vetë, kohë, numër dhe diatezë. Në gjuhën shqipe kemi folje të zgjedhimit të parë, të dytë dhe të tretë. Kemi edhe një numër të foljeve të parregullta. Kemi edhe folje ndihmëse dhe folje gjysmëndihmëse.

Gjatë përdorimit të këtyre foljeve brenda kategorive gramatikore shkruhen me forma të gabuara drejtshkrimore, të cilat janë në kundërshtim me rregullat dhe normat drejtshkrimore të gjuhës shqipe. Me anë të përdorimit të gabueshëm të këtyre foljeve, te lexuesi krijohet edhe gabimi logjik i përdorimit të foljeve. Si shembull po i marr foljet ndihmëse KAM dhe JAM. Këto folje quhen ndihmëse sepse shërbejnë për t’i zgjedhuar foljet e tjera në kohët e tjera analitike të mënyrave të ndryshme.

Folja KAM ndihmon zgjedhimin e foljeve në diatezën veprore, ndërsa folja JAM ndihmon në zgjedhimin e foljeve në diatezën joveprore ( pësore – vetvetore ). Në të gjitha librat e letërsisë vërehet përdorimi i gabueshëm i këtyre dy foljeve. P.sh Naim Frashëri ka lindur… Ose Nëna Tereza ka lindur… Në këta dy shembuj kemi gabime logjike sepse N. Frashëri është mashkull dhe nuk mund të lindë, ndërsa te shembulli i dytë të gjithë e dimë që ajo kurrë nuk ka lindur!!! Në këta shembuj duhet të përdoret diateza mediopasive, si p.sh N. Frashëri është lindur më… dhe Nëna Tereza është lindur më… Tani do të mundohem të shkruaj për foljet gjysmëndihmëse MUND dhe DUHET. Këto folje shërbejnë për t’i zgjedhuar foljet e tjera, jo në të gjitha mënyrat, kohët, vetat dhe numrat. Shërbimin e këtyre foljeve gjysmëndihmëse e kërkojmë vetëm në mënyrën lidhore të kohës së tashme, e të pakryer të vetës së tretë njëjës, ngase aty këto folje shprehin qëndrimin e folësit ndaj realitetit që ai e ka. Këto folje quhen edhe folje modale mënyrore.

Funksioni i foljes DUHET është të shprehë domosdoshmërinë a nevojshmërinë, ndërsa folja gjysmëndihmëse MUND funksionin e ka të shprehë mundësinë a lejueshmërinë e kryerjes së veprimit nga vepruesi ose thënë ndryshe nga kryefjala. Mospërdorimi i drejtë i këtyre foljeve krijon paqartësi te lexuesit. Teksti është i pakuptimtë. Krijohet mjegull në kokat tona. Funksioni i këtyre dy foljeve nuk është gjithmonë si folje gjysmëndihmëse.

Ato mund të përdoren edhe si folje më vete. Paqartësia e foljeve gjysmëndihmëse MUND dhe DUHET u vunë re edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Në hartimin e Kushtetutës së Kosovës u përdorën foljet gjysmëndihmëse MUND dhe DUHET.

Gjatë leximit të neneve, këto folje krijuan dilemën te lexuesi se a mund të shpërndahet Kuvendi, apo duhet të shpërndahet Kuvendi!? Paqartësia e këtyre foljeve gjysmëndihmëse që ishte e madhe, u krijua te neni 82 dhe me një pjesë të nenit 86.

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetshmërisë së dekretit të presidentit. Dekret me të cilin ai ka emëruar kandidatin e ri për kryeministër të ri të Kosovës duke u mbështetur në nenin 95.

Paqartësia që duhet të sqarohet nga profesionistët e fushave të ndryshme është se a mund të shpërndahet Kuvendi, apo duhet të shpërndahet Kuvendi? Për ta larguar këtë paqartësi, në radhë të parë duhet të bëhet një studim i hollësishëm gjuhësor për foljet gjysmëndihmëse. Përdorimi i foljeve modale kërkon një seriozitet maksimal. Duhet të kuptojmë rolin semantik të foljes. Gjuha është arma kryesore për komunikim. Me anë të gjuhës ne shprehim ide në lidhje me ndodhitë e ndryshme të bazuara në faktet që i kemi. Shumëherë dëgjojmë shprehje që shprehin siguri ose mundësi. Termi modalitet do të thotë qëndrimi i subjektit dhe i kallëzuesit, dmth qëndrimi personal i folësit ndaj asaj që shpreh me fjalinë. Kjo mund të kuptohet si bindje, siguri ose dyshim, si kusht, si dëshirë, si urdhër etj.

Kemi dy lloje të modaliteteve, ato janë: epistemik dhe deontik.

Modaliteti epistemik ka të bëjë me teorinë e njohjes. Ky modalitet ka lidhje me gnosologjinë. Me anë të modalitetit deontik folësi shpreh domosdoshmërinë ose detyrimin dhe lejimin. Në aspektin semantik në gjuhën shqipe modalteti shprehet me anë të mënyrës së foljeve. Aty bëjnë pjesë edhe pjesëzat modale si dhe kategoritë e tjera leksikore. Për funksionin e pjesëzave të foljeve do të merrem njëherë tjetër. Në këtë punim do të përqendrohem vetëm në analizën e foljeve modale edhe pse pjesëza modale DO ka shtrirjen e të shkruarit të saj në të gjithë Kushtetutën dhe shkakton dykuptimëse e ambiguitet.

Si p.sh. te Neni 58 ku thuhet: Republika e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personat të cilët mund t’u nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë a dhunës si rrjedhojë e identitetit kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar. Përdorimi i foljeve modale duhet dhe mund në shembujt si: Kushtetuta është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës.

Ligjet dhe aktet e tjera juridike DUHET të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë. ( Kushtetuta, neni 103 – Epërsia e Kushtetutës, paragrafi i parë ). Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40 ) ditë, nga dita e shpalljes së tyre. ( Kushtetuta, neni 95 – zgjedhja e Qeverisë, paragrafi i katërt ).

Në këta shembuj vërehet se folja gjysmëndihmëse DUHET është përdorur për të shprehur detyrime kushtetuese. E dimë që foljet DUHET dhe MUND, janë folje gjysmëndihmëse, por mund të hasen si folje të ngurosura. Dallimi në mes të foljes modale DUHET dhe MUND është se folja modale MUND në dokumentet ligjore shpreh lejim, si në shembullin: Republika e Kosovës me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore MUND të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare. ( Kushtetuta, neni 2, Sovraniteti, paragrafi i tretë ).

Ose në shembullin: Republika e Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare për çështje të caktuara MUND t’i kalojë kompetencat shtetërore organizatave ndërkombëtare. ( Kushtetuta, neni 20 – Bartja e sovranitetit , paragrafi i tretë ). Ose në shembullin: Republika e Kosovës në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare për çështje të caktuara MUND të kalojë kompetencat shtetërore organizatave ndërkombëtare. ( Kushtetuta, neni 20 – Bartja e sovranitetit, paragrafi i parë ).

Në këta shembuj vërehet se këto dy folje nuk shprehin emërtime semantike të njëjta. Në të gjitha rastet në Kushtetutë, ku folja MUND shpreh kuptimin deontik nuk mund të zëvendësohet me foljen DUHET. Në këta shembuj folja DUHET shpreh detyrim të fuqishëm. Funksioni i foljeve në fjali ka lidhje të ngushta me logjikën e gjuhës.

Ata që merren me shkrime në radhë të parë duhet të njohin mirë funksionimin e fjalëve në fjali. Mosnjohja e mjaftueshme e pjesëve të ligjëratës te lexuesi krijon për atë që është thënë. Për t’i larguar këto paqartësi te lexuesi, ne vetëm duhet të njohim me themel fonetikën, morfologjinë, sintaksën dhe logjikën e fjalës së gjuhës. Për ta mbajtur në dorë një laps për nga pesha është shumë i lehtë, por përdorimi i i tij është shumë i rëndë.

Më Shumë

Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike teksa po peshkonte në Romajë

Një person ka vdekur sonte në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi derisa ishte duke peshkuar me gjenerator elektrik, në fshatin Romajë, ishte goditur nga...

U tha se u nda me të dashurën pasi flirtoj më njërën nga vajzat në ‘’Ferma Vip’’, reagon Robert Berisha

Robert Berisha është njëri nga meshkujt shqiptar, që përmendet më së shumti për lidhjet e tij të dashurisë. Së fundmi ai ishte pjesë e Reality...

Lajmet e Fundit