10.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Si festohet Dita e Flamurit në Luginë të Preshevës, Maqedoni dhe Mal të Zi

Dita flamurit-28 nentoriNëntorët e krenarisë, nëntorët e betejave e të heroizmit, të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, kombin shqiptar e gjejnë të ndarë padrejtësisht nga rrënja etnike në disa shtete të rajonit të Ballkanit të trazuar. Ky komb, që shtegtoi nga viti në vit, i përgjakur e i gjymtuar, nëpër stuhitë e kohëve të liga, pati para vetës dorën që ndalonte të drejtën e tij për liri, për gjuhë e flamur.

Në vend të kremtes së 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, shqiptarët e Luginës së Preshevës, pothuajse çdo vit mbajnë protesta. Më anë të këtyre protestave ata kërkojë liri më shumë, për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.

Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, thekson se shteti serb mundohet që t`ua imponojë shqiptarëve një flamur që nuk iu përket aspak interesave dhe traditës kombëtare shqiptare.

“Megjithëse Serbia promovon vullnet politik kinse për t`i respektuar të drejtat e komuniteteve joserbe dhe në këtë rast komunitetit shqiptar, megjithatë ndalimi i përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar reflekton një antishqiptarizëm paraekselancë. Në anën tjetër, Serbia në emër të normave ndërkombëtare, përpiqet ta imponojë një flamur i cili është në shpërputhje me historinë dhe traditat e kombit shqiptar dhe aq më tepër kur kemi parasysh se ky simbol kombëtar është lejuar edhe në kohën e Titos, pavarësisht që ideologjitë politike ishin edhe më të ashpra. Në këtë kuptim Serbia dëshiron të imponojë simbolet që nuk janë në përputhje me interesat kombëtare dhe traditën kombëtare shqiptare, kjo është një shkelje e të gjitha të drejtave ndërkombëtare pavarësisht se bëhet dhe legjitimohet në emër të këtyre konventave ndërkombëtare”, thotë Belgëzim Kamberi, transmeton RTK.

Sipas Kamberit, shqiptarët nuk duhet ta pranojnë asnjë imponim që vije nga Serbia, e që për qëllim ka deformimin e simboleve kombëtare.

“Në këtë drejtim Serbia duhet të rishikojë çështjen e legalizimit të flamurit kombëtar shqiptar i cili është krejtësisht legjitim dhe aq më tepër që shqiptarët e ndjejnë atë si simbol të tyre kombëtar dhe ai ushqen ndjenjat e tyre shpirtërore”, shton më tej Kamberi.

Në anën tjetër deputeti në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, thekson se nga vitit 1968 deri në vitin 1990, është përdor lirshëm dhe në mënyrë institucionale simboli kombëtar. Mirëpo, rreth fillimit të vitit 1990 është ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar nga regjimi i Slobodan Milosheviqit. Sipas tij, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, kishte paraqitur një variant për simbolin e tyre, që do të ishte flamuri kombëtar por me një dimension më ndryshe.

“Këshilli Nacional tentoi vitin e kaluar që ta paraqes një version për zgjidhje që dallimi te jetë në dimensionin e flamurit kombëtar dhe të mos jetë identik me atë që përdoret në shtetin amë. Mirëpo kjo nuk është pranuar dhe tashmë faktikisht pozicionet e shqiptarëve në Luginë janë betonuar. Subjektet politike shqiptare dalin me argumente se simboli kombëtar duhet të përdoret i pandryshuar edhe në Shqipëri edhe në Mal të Zi edhe pse në Mal të Zi ka disa iniciativa që në një mënyrë për ta marrë përvojën e Serbisë, mirëpo në këto momente edhe më i fortë është fati se serbet në Kosovë e përdorin flamurin e tyre pa e ndryshuar fare në çdo fshat të Kosovës”, thotë Riza Halimi.

Pavarësisht përpjekjeve dhe protestave të vazhdueshme të shqiptarëve, që përdorimi i simboleve kombëtare të lejohet me ligj, kërkesat e tyre nuk janë përfillur asnjëherë nga ana e Beogradit zyrtar. Belgëzim Kamberi thotë se as faktori ndërkombëtar nuk është treguar i gatshëm për të ndërhyrë në zgjidhjen e kësaj çështje.

“Në anën tjetër, gjithnjë kemi hasur në vesh të shurdhër nga autoritetet e Beogradit dhe ajo që është edhe më shqetësuese është se edhe vet faktori ndërkombëtar, për të mos i provokuar ndoshta ndjenjat e Serbisë, nuk bënë sa duhet kur i përket çështjes së simboleve kombëtare por faktikisht përpiqet që t`i inkurajojë shqiptarët për të zgjedhë një simbol të tyre të përafërt por të ndryshëm nga ai i Republikës së Shqipërisë. Mendoj se në këtë aspekt edhe faktori ndërkombëtar është në shpërputhje krejtësisht me historiografinë sociologjike dhe kombëtare të popullit shqiptar në përgjithësi”, thotë Belgëzim Kamberi.

Shteti serb e ka parasysh se popullata shqiptare në Luginë nuk e përkrah ndryshimin e simbolit kombëtar shqiptar. Ndërkohë, spektri politik shqiptar, gjendjet në një pozitë jo edhe aq të mirë për shkak të gjendjes ekzistuese atje. Në pamundësi për të vënë bazën e së drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare, shqiptarët nga Lugina shpeshherë i janë drejtuar edhe autoriteteve zyrtare në Prishtinë e Tiranë. Por, Belgëzim Kamberi thekson si politikanët e Luginës duhet të bëjnë një presion më të madh tek autoritete në Kosovë e Serbi për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë çështje.

“Unë mendoj se ata duhet më shumë të bëjnë dhe të veprojnë për ta imponuar faktikisht dhe për ta arsyetuar legjitimitetin e simbolit kombëtar shqiptar. Ndërkaq në anën tjetër duhet të bëjnë presion më të madh politik edhe në Prishtinën dhe Tiranën zyrtare për ta adresuar çështjen e përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar në spektrin politik ndërkombëtar dhe në institucionet ndërkombëtare”, shton Kamberi.

Përveç protestave gjithëpopullore që organizonin shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, për çështjen e përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar, ata vazhdimisht në mënyrë të pandërprerë përpiqen ta promovojmë këtë shkelje flagrante të të drejtave kombëtare të shqiptarëve edhe në faktorin ndërkombëtar. Madje, nga autoritetet e larta kishte zëra se Kosova pranoi ndryshimin e simboleve kombëtare. Por, Belgëzim Kamberi, këtë nuk e quan ndryshim.

“Unë nuk do kisha thënë se Prishtina zyrtare e ka ndryshuar simbolin kombëtar shqiptar por e ka krijuar nj flamur shtetëror, mbase të cilin nuk e ka hartuar dhe projektuar mbase edhe vet Prishtina zyrtare sepse edhe ai flamur nuk është përcaktuar në mënyrë demokratike nga qytetarët e Kosovës. Por sido që të jetë ai është identitet shtetëror dhe nuk është simbol kombëtar. Nga ana tjetër ne këtu jetojmë në Serbi dhe simboli shtetëror dihet se është flamuri dhe simbolet tjera serbe. Por neve na mohohet simboli kombëtar, simboli i përkatësisë sonë kombëtare dhe kjo nuk mund të paralelizohet me Kosovën”, thotë Kamberi.

Por, si e kremtojnë sot këtë ditë shqiptarët e Luginës së Preshevës, kur pikërisht, në këtë ditë u ndalohet e drejta për të festuar më flamurin dhe simbole kombëtare shqiptare?

“Unë personalisht mendoj se ka më shumë arsye për të protestuar se sa për të festuar. Edhe pse ajo është festë kombëtare dhe duhet të kremtohet si festë por duke pasur parasysh se veçoria e shqiptarëve në Ballkan është me këtë rast çështje e Luginës së Preshevës meqë jemi të vetmit nga shqiptarët në rajon të cilëve ne na cenohet dhe ndalohet përdorimi i lirë i flamurit të kombit shqiptar. Do të ishte e logjikshme dhe e arsyeshme që kjo ditë të shënohet nëpërmjet formave të ndryshme të protestave, qofshin ato institucionale apo edhe jashtë institucionale”, shton më tej Belgëzim Kamberi.

Si degë të thyera nga trungu i lashtë shekullor, fatin e njëjtë të vëllezërve nga Presheva, e kanë edhe shqiptarët në Maqedoni. Menjëherë pas përfundimit të luftës çlirimtare në Luginën e Preshevës, filluan luftën e armatosur për t`i fituar me gjak të drejtat e tyre. Me dëshmorë e martirë, populli shqiptar në Maqedoni, fituan një gjysmë lirie, por jo edhe ato të drejta që u takojnë si populli më dominues në atë shtet, pas maqedonasve. Lidhur me këtë, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik, thekson se populli shqiptar ka fituar vetëm disa të drejta, që ai i quan si “të drejta deklarative”.

“Se sa kemi të bëjmë me të drejtat e shqiptarëve mund të them se shqiptarët kanë një avancim të të drejtave të tyre, por avancim vetëm deklarativ. Avancim deklarativ për arsye se deklarohemi si shoqëri multietnike e demokratike por në fakt disa procese mund të them se janë retrograde me plotë kuptimin e fjalës. P.sh., në ditën e flamurit nuk ka asnjë iniciativë për të protestuar kundër ligjit që është sjellë në Parlamentin e Maqedonisë para dy vitesh, që flamuri shqiptar të jetë për një të tretën më i vogël se flamuri maqedonas. Ky është ligj dhe ky ligj ka filluar edhe të zbatohet por me një kujdes nga ana e pushtetarëve, p.sh., zbatohet në viset ku shqiptarët nuk janë shumicë absolute”, thotë Pollozhani.

Gjendja e arsimit në gjuhën shqipe është larg kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni. Shumica e teksteve për shkollat e mesme dhe ato fillore, janë të përkthyera nga gjuha maqedonase. Madje, pavarësisht thirrjeve nga ana e popullit shqiptar që shteti maqedonas t`i njeh të drejtat e shqiptarëve, një gjë e tillë nuk zbatohet në praktikë.

“Shqiptarët në tekstet shkollore që iu takojnë lëndëve të muzikës e të historisë, mësojnë 95 për qind historinë, autorët dhe muzikën maqedonase dhe kjo është një çështje kontestuese dhe unë mendoj që për shkak të drejtës që të përfaqësohemi në parlament dhe për shkak të drejtës që të mund të thërrasim bërtasim e të çirremi deri në kupë të qiellit, nuk ka ndonjë ndryshim të madh për arsye se edhe sot e kësaj dite, neve nëpër burgjet e Maqedonisë kemi mbi 35 të burgosur politik nën akuzën e atë ashtuquajturës terrorizëm. Këto ndoshta kanë praktikuar edhe dhunë ndaj aktiviteteve të veta por motivet e tyre kanë qenë politike dhe ne si shoqatë e të burgosurve politikë kërkojmë që këta të burgosur të trajtohen si të burgosur politik”, shton Pollozhani.

Shpëtim tij, e vetmja mundësi që populli shqiptar t`i gëzojë të drejtat e tij elementare, ato të drejta për të cilët edhe është sakrifikuar, është bashkimi i spektrit politik rreth një platforme të përbashkët.

“Është fatkeqësi e madhe që shqiptarët në Maqedoni nuk kanë një platformë të përbashkët politike. Le të veprojnë ato si parti politike por të jenë të bashkuar rreth një platforme. Kështu që kur opozita e sotme është në pozitë gjendjen e përshkruan si ideale. Dhe kur pozita e sotme është në opozitë ndodhë e kundërta. Pra, gjithnjë tek pushtetarët gjendja është ideale. E vetmja zgjidhje është veprimi rreth një platforme të përbashkët politike, por fatkeqësisht ajo platformë nuk ekziston edhe pse kemi dy akademi të shkencave por akademitë tona të shkencave nuk merren me këto çështje, si duket kanë çështje tjera prioritare. D.m.th., e vetmja zgjidhje është veprimi në bazë të një platforme kombëtare dhe madje partitë politike le të veprojnë sipas programeve të veta, por kjo platformë duhet të jetë udhërrëfyes. Alfa dhe Omega e të gjitha veprimeve”, thotë Shpëtim Pollozhani.

Incidentet ndëretnike në Maqedoni, vazhdojnë të jenë të pranishme. Dhunë është shprehur me rrahjen e nxënësve shqiptarë nga huliganët maqedonas dhe kjo dhunë ishte ushtruar nga maqedonasit disa herë me radhë. Menjëherë pas kësaj, shqiptarët kishin organizuar protesta por asnjëherë nuk ishin zbuluar aktorët e vërtetë. Shpëtim Pollozhani mendon se kjo gjithsesi është nën regjinë e shërbimeve sekrete të cilët janë nën kontrollin e pushtetit. Sipas tij, këto sulme bëhen gjithnjë në çastet kur Maqedonia duhet të marrë ndonjë datë qoftë për bisedime apo anëtarësim në ndonjë institucion ndërkombëtar, siç janë NATO dhe BE-ja.

“Pra, aq të sinkronizuara dhe të organizuara janë këto sulme sa që ne që merremi me analizat e sigurisë në Maqedoni mundemi që saktësisht të përcaktojmë se a do të ketë ndonjë incident ndëretnik apo nuk do të ketë. Kjo është bërë një praktikë e pushtetit për të tërhequr vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe opinionit të jashtëm për t`i dhënë benificione Maqedonisë se ja që Maqedonia është në prag të incidenteve ndëretnike, të konflikteve ndëretnike, luftës civile etj”, shton më tej Pollozhani.

E, kur flasim për të drejtat e shqiptarëve, të shpërndarë gjithandej nëpër shtetet e rajonit, hiç më mirë nuk qëndrojnë as ata në Mal të Zi. Përdorimi i simboleve kombëtare është i kufizuar për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në shtetin malazez. Publicisti nga Mali i Zi, Ismet Kallaba, thekson se as ligji aktual por as ai që pritet të miratohet së shpejti në Parlamentin malazez, nuk e lejon përdorimin e lirë të simboleve kombëtare shqiptare.

“Me ligjin ekzistues i cili është në fuqi për përdorimin e simboleve nacionale, përdorimi i simboleve nacionale për shqiptarët ne Mal të Zi është mjaft i kufizuar. Megjithatë në shqyrtim publik është ligji i ri mbi zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike apo ekspozimin publik të simboleve nacionale të pakicave që në këtë rast hyjnë edhe shqiptarët i cili në një mënyrë e avancon përdorimin e flamurit dhe të simboleve kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. Megjithatë duhet theksua se edhe projektligji i ri që pritet të miratohet së shpejti në Parlamentin e Malit të Zi, është një ligj i cili në një mënyrë përsëri nuk e lejon përdorimin e lirë të simboleve nacionale të shqiptarëve dhe të pakicave tjera. Aty parashikohet që një pakicë duhet të përbëjë ose duhet të marrë pjesë në një numër të konsiderueshëm dhe është përcaktuar përqindja, prej 15 për qind në mënyrë që simbolet nacionale ose flamuri i asaj pakice të ketë të drejtë përdorimi në një territor të caktuar”, thotë Kallaba.

Duke hedhur kritika edhe mbi Draftligjin e ri, Kallaba, potencon se vetëm dy komuna në tërë Malin e Zi, mund ta përdorin lirshëm flamurin dhe simbolet kombëtare.

“Kjo i bie që sa i përket shqiptarëve, duke pasur parasysh edhe konfigurimin e tyre dhe përqindjen e tyre në trevat ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, i bie që edhe me ligjin e ri shqiptarët të kenë përdorim të lirë vetëm në Ulqin dhe në Plavë por jo edhe në treva tjera ku shqiptarët nuk përbëjnë 15 për qind. Duhet të kemi parasysh edhe një gj tjetër sa i përket përdorimit të simboleve nacionale, edhe me ligjin ekzistues por edhe me aktual nuk është shumë problem përdorimi i simboleve privat pra në festa etj, sa është përdorimi i tij publik”, shton ai.

Mos lejimi i përdorimit të lirshëm i simboleve kombëtare, ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullatës shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, injorimi dhe mos dhënia e të drejtës për komunën e Tuzit, arrestimet e 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë, pastaj marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit si dhe konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit, janë vetëm disa nga diskriminimet që po u bëhen popullit shqiptar në Mal të Zi. Ndërkohë, shteti malazez nxjerr ligje që janë vetëm trashëgimi e ligjeve të vjetra, e që në thelb nuk përmban asnjë të drejtë për shqiptarët.

“Nëse kemi parasysh ligjin aktual që është në fuqi, ky ligj më tepër ka pamundësuar dhe ndaluar përdorimin e flamurit se sa e ka lejuar atë. Bile në shumë vende mund të thuhet se edhe tani që përdoret, pra konkretisht flamuri shqiptar, siç janë komuna e Ulqinit apo vende të tjera siç është komuna urbane Tuzit etj , de jure përdorimi i tij është joligjor edhe pse de fakto përdoret”, shton më tej Kallaba.

Në fund, mund të thuhet se për popullin shqiptar që jeton i ndarë në Luginë të Preshevës, Maqedoni e Mal të Zi, do të vazhdojë edhe më tutje një situatë e tillë. Shqiptarët në mënyrë sporadike do ta përdorin simbolin kombëtar, por pa të drejta të garantuara me ligj, ashtu siç i ka komuniteti pakicë serb në Kosovë.

Më Shumë

Kryetari Shaqir Totaj në SHBA afirmon bashkëpunimin e Prizrenit me Amerikën

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me Drejtoreshën e Zyrës së Evropës...

Sot moti me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Moti sot në Kosovë parashikohet të jetë me diell dhe po ashtu edhe me vranësira. Siç bën të ditur Meteo Kosova, era do fryjë kryesisht...

Lajmet e Fundit