5.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Zoti Grenell, mos doni rastësisht t’ju dërgojmë dhe për pushime në det!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Mjerë i ligu , sa i fort është : Dikush ka vendosur ta bëjë një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë , pa e pyetur fare Kosovën . Dikush që llogaritet të jetë shumë i fuqishëm ka vendosur ta bëjë marrëveshjen sipas modelit Izrael – Palestinë e në rastin konkret Serbia po trajtohet sikur të ishte Izraeli kurse Kosova sikur Palestina. Dikush po bënë përpjekje që tokat e okupuara palestineze nga Izraeli t’ia kalojë në pronësi të Izraelit sikur që tokat e Kosovës e që janë okupuar pas përfundimit të luftës nga Serbia , t’ia kalojë Serbisë.

Në Kosovë , më heret lëshuarja e dokumentit mbi pronësinë e tokave të okupuara nga Serbia kamuflohej si korigjim i kufijve , herë i lehtë e herë i rëndë ! Për këtë duket të ishin marrë vesh Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi . Ishte caktuar edhe koha dhe vendi kur dhe ku do të nënshkruhej marrëveshja sikur që ishte caktuar edhe përmbaruesi e ai ishte Donald Tramp , president i SHBA –ve. Hashim Thaçi , pasi ta kishte bërë punën m.t me korigjimin e kufijve , do të parfumosej në Washington në Parkun me Trëndafila ku llogaritej të përmbyllej procesi i funeralit të tërësisë territoriale të Kosovës. Taksa 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Dodikut e ndërpreu këtë masakrim të territorit të Kosovës dhe kjo është merita ekskluzive e Ramush Haradinjat dhe Kadri Veselit , që e vendosën taksën , më vonë Ramushi e mbrojti taksën përkundër presioneve që ajo të hiqej.

Besoj , se pas një kohe , kur të hapen letrat do të vlerësohet roli i taksës 100%e cila , duket vetëm përkohësisht e ndali copëtimin e territorit të Kosovës. Edhe bisedimet , ato publike midis Kosovës dhe Serbisë u ndërprenë kurse ato të nëntokës politike asnjëherë nuk u ndërprenë . Serbia e kushtëzonte vazhdimin e bisedimeve me largimin e taksës dhe këtë e kërkonin me këmbëngulje , edhe armiqtë sikur edhe “ miqtë “ e Kosovës. Deri sa Qeveria Haradinaj ra nga pushteti ! U mbajtën zgjedhjet e 6 tetorit 2019 pas së cilës u krijua një gjeografi e re politike . Ende pa u formuar institucionet e reja bëhej presion mbi Albin Kurtin që ta largojë menjëherë taksën 100% dhe të vazhdojë bisedimet me Serbinë për një arritje të një marrëveshjeje përfundimtare me ç’rast përmendej dhe ende vazhdon të përmendet një kompromis të dhimshëm thuaja se Kosova paska bërë pak kompromise , në dëm të saj , pa asnjë dyshim. Edhe Aleksandar Vuçiq , një kriminel lufte po kërkon gjithashtu kompromis duke deklaruar se : “ nëse nuk bisedohet për kufijë , atëherë nuk ka pse të bisedohet …”. Në ndërkohë , presidenti Tramp caktoi dy emisarë : Metju Palmer për Ballkanin pjesë e së cilës janë Kosova dhe Serbia dhe Riçard Grenell , ambasador i SHBA –ve në Gjermani , emisar për bisedime midis Serbisë dhe Kosovës. Riçard Grenell , gjatë vizitës së parë në Kosovës u portretizua si “ buldozher diplomaci “ apo si “ Holbruk diplomaci “ për të frikësuar këta që po bëjnë përpjekje të bëjnë politikë në Kosovë. Pastaj tha se është i mbijetuar nga kanceri me porosi se : “ nëse e kam hëngër kancerin , juve as që ju llogarisë si kundërshtarë …”. Politikanët në Kosovë , edhe ashtu e pranojnë çdo propozim që vjen nga SHBA , pa e lexuar fare prandaj Grenell nuk ka nevojë të na kërcënojë , as me arte marciale , as me “ buldozher diplomaci “ , as me mundje të kancerit e as me bllokim të fondeve …” Kosova është vend i vogël për ta kërcënuar aq shumë dhe aq ashpër. Se Grenell e ka mundur kancerin është fat i mirë për të dhe familjen e tij dhe është rast interesant për mjekësi por kjo nuk nënkupton se kjo mund dhe duhet të përdoret si mjet presioni dhe kërcënimi për largimin e taksës 100% dhe arritjen e çfarëdo marrëveshjeje me Serbinë pikërisht në vitin kur në sHBA mbahen zgjedhjet presidenciale ku , edhe pa Kosovën duket se Tramp do ta fitojë edhe një mandat . Jam i sigurt se do ta fitojë edhe një mandat ! Albin Kurti dhe LVV –ë gjatë fushatës elektorale kanë premtuar se do ta largojnë taksën 100% dhe se këtë do ta zëvendësojnë me masën e reciprocitetit. Nëse Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë kundërshtuar taksën 100% shumë herë , reciprocitetin do ta kundërshtojnë 1000 herë! Kryeministri Kurti , bashkë me partnerin qeverisës do ta largojë taksën por duket se kjo për Grenellin nuk mjafton ; ai kërkon largimin e taksës 100% sikur që e kundërshton vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë .

Nëse Kurti , si drejtues i Qeverisë së Kosovës është deklaruar për reciprocitet , partneri LDK-ë ka hezitime në këtë drejtim , duket se është më afër qëndrimit të Grenellit , se të kryeministrit . Do ta shohim , shumë shpejt ! Grenell është arrogant dhe shpërfillës ndaj politikanëve kosovarë ; e përkrah kryeministrin për largim të taksës kurse e kundërshton për reciprocitet ! Në fakt , ai , Grenelli nuk bashkëbisedon , ai urdhëron dhe ai kërcënon. Shiheni nivelin e komunikimit me kryetarin e PDK-së , ish – kryetarin e Kuvendit të Kosovës , Kadri Veseli ! Me te sillet sikur Grenelli i ka caktuar të lexojë Bagëti dhe Bujqësi por të mos i dhënë asnjë mundësi apo të drejtë ta bëjë një ese për këtë. Kështu sillej dikur edhe ambasadori Dell , një kusar në diplomaci që nuk ka lënë gjë pa bërë në Kosovë , që nga përpilimi i rendit të ditës e deri te ndarja e tenderëve për ndërtimin e autorrugës kombëtare përmes konsorciumit BehtDell Enka , çmimi i së cilës ishte sikur autostrada të shtrohej me tepihë dhe ngrohje nën të ! Uroj që çështja e Kosovës të mos zgjidhet sipas projektit të Tramp dhe Grenell duke e imponuar modelin Izrael – Palestinë ! Grenell , në këmbim të largimit të taksës 100% dhe mosvendosjes së reciprocitetit , për Kosovën nuk ofron asgjë përveç një marrëveshjeje të dyshimtë , që nuk e zgjidhë çështjen fare , që do të bëhet me kompromis të dhimbshëm ku mbase , Kosovës do t’i merrej një pjesë e territorit apo do t’i hiqej mundësia për ushtrim të sovranitetit përmes Zajednicës dhe , në të njëjtën kohë Zonat e Mbrojtura do të përdoreshin si mekanizëm kurdisës të një bombe që do të shpërthente çdoherë kur për këtë Beogradi do të kete nevojë !

Pozita dhe opozita , bashkëpunimi dhe kundërshtimi : Në Kosovë , pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 kemi përmbysje të pushtetit , opozita u bë pozitë kurse pozita u bë opozitë! Partitë opozitare PDK-ë dhe AAK-ë , ende pa u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve u deklaruan se pranojnë rezultatin dhe se kalojnë në opozitë e që ishte , sa e papritur aq edhe pozitive për një mjedis të kontaminuar politik ku kundërshtarët konsideroheshin si armiq. Pozita aktuale kaloi nëpër “ vuajtjet e Tantalit “ deri te marrëveshja për bashkëqeverisje dhe ndarje të posteve. I dha shije të hidhur një idili të deklaruar gjatë dy viteve të fundit midis LVV -ës dhe LDK –ës. Nëse opozita e ndërmorri në fillim një hap shumë pozitiv dhe gjeneroz , pastaj bëri gabime që e kundërshtonin hapin e parë, sidomos gjatë seancës së parë të Kuvendit të Kosovës. Është një rregull i pashkruar se çdo qeveri dhe qeverisje duhet t’i ketë 100 ditë besë e që , pastaj do të mund t’i nënshtrohej një kritike eventuale. Në rastin konkret nuk janë respektuar as 100 sekonda për ta sulmuar qeverinë dhe qeverisjen , ende pa u formuar dhe pa ndërmarrë asnjë veprim. Është krejtësisht normale që qeveria që vjen , si rezultat i zgjedhjeve , e ka programin qeverisës që e dallon nga qeveria e mëparshme , ndryshe pse do të mbaheshin zgjedhjet ! Qeveria Kurti ka dhënë shumë premtime dhe zotime e që , në disa raste janë në kundërshtim të plotë me mundësitë dhe rrethanat kur përmbushja e këtyre premtimeve varet edhe nga faktori i jashtëm dhe Serbia që ka kapacitet të madh bllokues.

Opozita ende nuk po vepron si opozitë sepse është e ndarë . Mbase është fillimi dhe më vonë do të veprojë më e koordinuar . Edhe Qeveria është ende e pakompletuar , pa kapacitet të plotë veprues . Pozita duhet ta ketë shumë të qartë se edhe disa premtime elektorale të cilat janë të një interesi strategjik dhe kombëtar , nuk mund të përmbushen pa një konsensus politik dhe partiak. Kryeministri Kurti ka filluar ta bëjë një distancim të lehtë nga të vepruarit si opozitar dhe , në këtë kontekst po tregohet më i butë dhe më i “ mëshirshëm “ ndaj opozitës. Ndryshe edhe nuk bënë sepse nëse nuk do të sillet në këtë mënyrë edhe në të ardhmën, situata do të përshkallëzohej deri sa edhe do të dali jashtë kontrolli. Deri më tani , kryeministri Kurti ka një fjalor të ekulibruar ndaj opozitës e që është në rregull në ndërkohë që opozita po përdorë një fjalor fyes . Vendimet që i merr qeveria Kurti e të cilat mund të kontestohen ligjërisht , opozita duhet t’i përdorë si argument siç bënë çdo opozitë duke i dërguar edhe në Gjykatë Kushtetuese . Lojërat që po bëhen rreth fotografisë së presidentit aktual nuk meritojnë vëmendje sepse aspak nuk i ndihmojnë pozitës por e dëmtojnë atë ndërsa e forcojnë presidentin sikur që përdoren edhe si municion për opozitën. Kosova ka probleme shumë më të mëdha se vendosja apo zhvendosja e fotografive të presidentit aktual. Shiheni transformimin e kryeministrit Kurti , nga kërcënimi për burgosje të presidentit Thaçi , tash e thërret për bashkëpunim dhe ndërtim të konsensusit për politikë të jashtme. Pozita dhe opozita duhet të ndërtojnë një raport bashkëpunimi për disa çështje që dodmosdoshmërisht duhet të bashkëpunojnë ndryshe do ta kemi një situatë sikur në Shqipëri. Albin Kurti nuk mund ta përjashtojë presidentin Thaçi nga roli i tij kushtetues e as nga bisedimet me Serbinë ku kërkohet një konsensus i gjerë shoqërorë , politik dhe jopolitik ! Kosovën e presin shumë sfida dhe shumë probleme për t’i mbuluar me një eufori të çastit apo ndonjë veprim kozmetik ! Së pari duhet të miratohet Buxheti dhe kontributi i opozitës është i domosdoshëm .

Pastaj , pastaj fillon llogaridhënia për mospërmbushje të premtimeve eventuale. Është pozitive se nuk ka qasje hakmarrëse të pozitës ndaj opozitës , së paku në nivele të larta. Këta që e luajnë rolin e zhurmuesit , janë të përkohshëm dhe nuk kanë ndonjë peshë në vendim-marrje . Opozita duhet të pajtohet me situatën e re dhe duhet të jetë konstruktive , të përkrahë qeverinë kur punon mirë dhe t’i rrijë mbi kokë kur dështon ! Opozita duhet të lirohet nga fjalori fyes duke gjetur mënyra krejtësisht të reja të të bërit opozitë . Nëse opozita përpiqet të riciklojë metodat e të bërit opozitë siç bëri LVV –ë atëherë , që tani e them se do të dështojë. Ato ishin kohëra tjera , tash janë procese dhe projekte tjera. Po , është shumë heret dhe e pandershme të nxirren përfundime dhe të jepen vlerësime , si për punën e Qeverisë Kurtri ashtu edhe për opozitën. Të presim , së paku nja 120-160 ditë ! Ashtu patëm vepruar me të gjitha qeveritë e mëparshme , mos të bëjmë as tani përjashtim ! Deri atëherë mendoj se Qeveria e Kosovës , as nuk duhet ta largojë taksën 100 % e as të vendosë reciprocitetin !

Kameleonizmi politik dhe prostituimi praktik : Në çaste të krizave martesore më së lehti tradhëtojnë , edhe burri , edhe gruaja. Kur uji është i turbulltë më së lehti peshkohen peshqit e mëdhenj. Ku ka mjegull , ujku e bënë kërdinë dhe kur bëhet përmbysja e pushtetit , në sipërfaqe dalin prostitutat politike dhe jopolitike . Gjatë votimit për Qeverinë kurti , opozita nuk votoi përjashtuar dy deputetë të AKR-së. Behgjet Pacolli e dha arsyetimin se këtë e bënë për shkak se është pozitiv ( mbase mendon se nëse jeni Rh pozitiv ajo automatikisht ju bënë person pozitiv ) , se është[ konstruktiv ( ndërtues ) në kohën kur Ministrinë e Jashme e ka shkatërruar duke e shndërruar në një Çernobil diplomatik . Këtë nuk e konsideroi si vardisje ndaj pushtetit në ardhje e që unë mendoj se është pikërisht një vardisje e nivelit më të ulët apo vardisja e parë. Së dyti , gjatë dorëzimit të detyrës ministrit në ardhje të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë , Glauk Konjufcës por edhe kryeministrit Kurti ua vuri në dispozicion aeroplanin e tij privat , jo për të shkuar në kanaxheqe dhe dasma por për të lobuar për njohje të pavarësisë së Kosovës.

Kjo ishte , brenda një kohe të shkurtër vardisja numër tre dhe më e ulët se ajo e para. Vardisja e tretë apo hat – tricku i vardisjeve ishte përkrahja e tij që ia bënë kryeministrit Kurti për propozimin e këtij të fundit drejtuar presidentit Thaçi për koordinim dhe veprim të përbashkët për të ndërtuar një politikë të jashtme unike ! Këtë e arsyetoi me faktin se , pikërisht për shkak të mungesës së një koordinimi të tillë , ai , Pacolli nuk ka mundur të jetë efikas në kryerjen e detrave si ministër për Punë të Jashtme.

Në një mënyrë po bënë përpjekje t’ia hedhë Hashim Thaçit i cili e bëri edhe predident , edhe zëvendëskryeministër dhe Ministër në kundërshtim të plotë me normat morale, interesin shtetërorë dhe kombëtar. Arsyetim shumë i ulët , të mos them , kanalizim fare ! Për një njeri që respekton edhe kodeksin minimal moral , miqtë mbesin miq edhe kur mbesin pa pushtet , edhe kur janë në pushtet !
12 shkurt 2020 Prishtinë

Më Shumë

Totaj priti në takim Konsullin e Konsullatës së Turqisë në Prizren dhe kolonelin e KFOR-it

Kryetari i Prizrenit,  Shaqir Totaj, sot priti Konsullin e Përgjithshëm të Konsullatës së  Turqisë në Prizren, Celal Do?an, dhe Kolonelin e KFOR-it turk, Sabri...

Këto janë vendet në Prizren ku sot do të ketë ndërprerje të rrymës

KEDS ka bërë të ditur se sot do të kryhen punime të domosdoshme në sistem dhe për këtë arsye në disa vende do të...

Lajmet e Fundit