10.3 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026
Home Blog Page 1461

Ish-drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale mohon që Komuna e Prizrenit është dëmtuar nga veprimet e komisionit

0
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ish- drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren, Fejzë Kabashi, i akuzuar për korrupsion, ka dhënë mbrojtjen e tij sa i përket ndryshimit të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, ku Komuna e Prizrenit është futur si palë e dëmtuar.
Ai ka mohuar se komuna është dëmtuar nga veprimet e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale.

 

Në këtë rast, të akuzuarit Levent Kasëmi, ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi, ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri, ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, Ganimete Babuna, ish-asambliste e Kuvendit Komunal të Prizrenit, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, në cilësi të anëtarëve të komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, po akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme kanë përzgjedhur Fatmire Berishën si përfituese të ankandit publik për lokalin në sheshin “Shatërvan” , raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ne si komision kemi qenë të themeluar nga vetë komuna dhe për mbrojtjen e interesit të komunës, e cila në fund të procesit të përzgjedhjes e që bëhet fjalë për këtë ankand, na ka përkrahë dhe vetë menaxheri kryesor i komunës, e që është kryetari i Komunës. E ka pranuar këtë përzgjedhje të këtij ankandi dhe nuk ka pas asnjë kundërshtim dhe bashkërisht me organet e tij, siç është zyra e pronave ka bërë kontrata me përfituesit e këtyre lokaleve. Pra, përkundrazi komuna ka fituar, nuk ka humb asgjë. Ata janë kanë organet që kanë mundur me hudhë poshtë këtë proces” ka thënë Kabashi.

Kabashi tha se qëndron në tërësi pranë deklaratave të 21 tetorit dhe 31 dhjetorit 2022, të dhëna pranë kësaj gjykate.

I njëjti deklaroi se përfituesi i ankandit është bërë sipas kritereve të cilat janë shpallur në ankand dhe se në këtë rast përfituese ka qenë një grua, e cila ka lidhur kontratë me Komunën e Prizrenit.

Paraprakisht, mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i akuzuari Kasëmi, i cili deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklaratave të dhëna më 22 gusht dhe 28 tetor 2022.

Ai ka mohuar se në këtë rast është e dëmtuar Komuna e Prizrenit dhe Albert Doqi, siç pretendon Prokuroria.

“Nuk e konsideroj as komunën as palën e dëmtuar që është këtu, Albert Doqi, për arsye se kjo ka qenë një garë dhe në garë një fitues dhe një humbës”, ka thënë i akuzuari Kasëmi.

Tutje, Kasëmi deklaroi se komisioni këtë rast e ka cilësuar si rast specifik, për arsye se shumica e lokaleve që jepen me qira që janë në zonën historike të Prizrenit menaxhohen me ligj të veçantë, me të cilin ndalohen disa veprimtari të bizneseve dhe se për këtë tha se kanë vendosur kritere të tjera të cilat janë lejuar me ligj.

Po ashtu, Kasëmi tha se prej 40 rasteve për të cilat janë dhënë lokale me qira, ka pasur shumë raste të tjera që kanë ofruar çmim më të lartë, por kriteret e tjera nuk i kanë plotësuar.

Më pas, gjykatësja e rastit, Teuta Krusha seancën e sotme e ka ndërprerë për shkak që kishte të caktuar një seancë tjetër. Ajo tha se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 29 gusht 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi/

Në Vërmicë sekuestrohen afro 600 fishekë të AK-47

0

Dogana e Kosovës ka njoftuar se të hënën në pikën kufitare në Vërmicë është parandaluar kontrabandimi i afro 600 fishekëve të armës AK-47.

Fishekët po synohej të kontrabandoheshin nga Shqipëria, ndërsa shoferi i automjetit kishte synuar të shmangte kontrollet doganore.


Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 

“Pas ndalimit të automjetit, u dha urdhër për të kryer një kontroll në vijën e dytë të kontrollit doganor. Përpara oficerëve drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk kishte asgjë në mjetin e tij. Megjithatë, pas një kontrolli të kujdesshëm të automjetit, së bashku me ndihmën e zyrtarëve të policisë që ishin të pranishëm gjatë këtij kontrolli, u zbulua mallrat e ndaluara që ishin fshehur me kujdes në pjesën e pasme të mjetit pranë këmbëve të pasagjerit. Konkretisht, u gjetën 577 copë fishekë për armën tip AK-47. Pas zbulimit të kësaj sasie të municioni, automjeti u dërgua për një skanim të thelluar në doganën e Shqipërisë. Për të siguruar një kontroll më të hollësishëm, u përdor edhe fibroskopi, por nuk u gjet asgjë tjetër të dyshimtë. Municioni i zbuluar është konfiskuar dhe së bashku me rastin i është transferuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Fero për herë të parë publikon një fotografi të vajzës duke u falë

0

Fero publikon një fotografi të vajzës duke u falë.

Rap-artisti nga Gjilani, Fero, vetëm pak ditë më parë njoftoi fansat se po largohet nga muzika.

Ai bëri të ditur se po tërhiqet përfundimisht për shkak se do t’i përkushtohet fesë islame dhe familjes.

I njëjti u kërkoi ndjekësve që të mos i dëgjojnë këngët e tij dhe se tani është penduar për çdo tekst që ka shkruar.

26 vjeçari së fundmi në InstaStory ka publikuar një fotografi të vajzës së tij, Ninës, për të cilën thotë se po falet, ndonëse duket se po ndjek hapat e të atit.

“Çika e babit tu u falë”, ka shkruar ai.

Ky vendim i Feros vjen pas ngjarjes së fundit me partneren e tij, Arbenita Ismajlin, pasi u dyshua për sulm fizik dhe kanosje.

Pavarësisht kësaj, ata janë parë shpesh së bashku nëpër rrugët e Gjilanit.


Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 

BQK: Remitencat e tregtia e mallrave shënojnë rritje në korrik

0

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar statistikat financiare, remitencat dhe tregtia e mallrave për muajin korrik të këtij viti për institucionet tjera financiare, të cilat thuhet se kanë shënuar rritje.

BQK-ja, ka bërë të ditur se asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë kanë arritur vlerën 455.4 milionë euro me rritje prej 8.1 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

“Bruto kreditë e ndërmjetëseve tjerë financiar shënuan vlerën për rreth 328.6 milionë euro në korrik 2023, rritje për 7 milionë euro krahasuar me muajin paraprak”, thuhet në njoftim.

Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga rritja e kredive të aktivitetit të sektorit financiar. Kreditë ndaj ekonomive familjare në korrik 2023 përfaqësojnë 63 për qind të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar. Gjithashtu është bërë e ditur se asetet e Fondeve Pensionale kanë arritur vlerën prej 2.6 miliardë euro, e cila shënon një rritje prej 66.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

“Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit që përbejnë 76.4% të gjithsej aseteve. Vlera e tyre në korrik 2023 ka arritur në 1.99 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 225.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kjo rritje kryesisht i atribuohet rritjes së investimeve jashtë vendit, por njëkohësisht është vërejtur se ka pasur rritje të performancës së letrave me vlerë ekzistuese të cilat janë investuara me herët”, thuhet në njoftim.

Asetet e Kompanive të sigurimit thuhet se kanë arritur vlerën 296.3 milionë euro, e cila përfaqëson një rënie prej 2.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Remitencat në muajin qershor 2023 ishin 123.9 milionë euro, që paraqet rritje prej 18 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

“Prurjet më të mëdha të remitencave gjatë këtij muaji ishin përmes agjencive për transferimin e parave dhe kanaleve tjera, konkretisht përmes IFJB 58.4 %, bankave 15.4% dhe kanalet tjera 26.2%”, bën të ditur BQK-ja.

Remitencat kryesisht vijnë nga shtetet Bashkimit Evropian rreth 60 për qind e gjithsej remitancave, prej të cilave kryeson Gjermania me 38.1 për qind dhe ndiqen nga Zvicra me 17.6 për qind dhe SHBA-ja rreth 7.5 për qind.

Gjykata e lë në paraburgim “Kobrën”

0

Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 gusht 2023, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra”, i dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C., në Prizren.

Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zyra e gjykatëses së procedurës paraprake Violeta Namani, ku konfirmohet se masa e paraburgimit, Hoxhajt iu vazhdua deri më 3 nëntor 2023.

Ndërkaq, lidhur me të dyshuarin Roland Susuri, Gjykata Supreme më 16 gusht 2023, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për mbrojtje të ligjshmërisë, duke ia zëvendësuar kështu masën e paraburgimit me atë të lajmërimit në stacion policor.

Kurse, për të dyshuarit Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli si masë të fundit Gjykata ua kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, por ndaj të njëjtëve Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të kësaj mase.

Gjithashtu, Gjykata edhe ndaj të dyshuarit Burim Mazreku si vendim të fundit kishte caktuar masën e paraqitjes në stacion policor dhe po ashtu për të njëjtin, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të masës.


Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 

Kurse, ndaj të dyshuarit Enver Amrllahu, me vendimin e 19 prillit 2023 i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë, si dhe të dyshuarit Kujtim Gashi i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të lajmërimit në stacion policor. Për Amrllahun dhe Gashin, po ashtu nuk është paraqitur kërkesë për ndonjë masë.

Lidhur me këtë rast, prokurorja speciale e ngarkuar me këtë çështje penale, Merita Bina-Rugova tha për “Betimi për Drejtësi” se ende nuk është ngritur akuzë ndaj të dyshuarve për vrasjen e të riut nga Kukësi.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Ndërsa, i dyshuari i shtatë Roland Susurit, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se më 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal.

Arabia Saudite kërkon të hyjë në UEFA Champions League

0

Arabia Saudite është e interesuar të diskutojë mundësinë e anëtarësimit në turneun më prestigjioz të futbollit të klubeve evropiane, “UEFA Champions League” (Ligën e Kampionëve – ed.).

Pas thashethemeve të javëve të fundit, kompania amerikane “Bloomberg” konfirmon gatishmërinë e ligës saudite për të tentuar të hyjë në garën elitare evropiane të futbollit për klube.

“Ne po përpiqemi të diferencojmë veten, kështu që çdo lloj ndryshimi ose përmirësimi i formatit që mund të futet në ligë do të jetë i mirëpritur”, tha në një intervistë shefi operativ i Saudi Pro League (SPL), Carlo Nohra.

Ai shtoi se SPL-ja është ende “plotësisht e përkushtuar” për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve AFC, e cila është kompeticioni kryesor i klubeve aziatike.

Çdo diskutim në lidhje me anëtarësimin e ekipeve të SPL-së në Ligën Evropiane të Kampionëve ka të ngjarë të bëhet midis UEFA-s dhe Federatës Saudite të Futbollit.

Midis anëtarëve të UEFA-s janë disa vende jo-evropiane, përfshirë Kazakistanin, skuadrat e të cilit kanë të drejtë të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve.

Zvonimir Boban, shefi i futbollit të UEFA-s, ndërhyri ditët e fundit për këtë temë, duke deklaruar për gazetën kroate Jutarnji List se kjo është një “shpikje”.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që këta lojtarë të vijnë në Arabinë Saudite”, shtoi Nohra, i cili më parë ka punuar për World Wrestling Entertainment Inc, duke folur për tregun e transferimeve.

“Kjo nuk do të thotë se ne kemi një buxhet të pakufizuar. Por ne nuk mund ta kufizohemi nëse duam të tërheqim disa prej talenteve më të mirë këtu. Ne duhet të paguajmë tarifat për t’i sjellë këtu”, vijoi shefi operativ i Saudi Pro League (SPL).

SPL-ja ka bërë shumë përpjekje gjatë vitit të kaluar për të tërhequr më shumë sponsorë dhe për të arritur marrëveshje transmetimi me kompanitë ndërkombëtare të medias.

Ndeshjet e tij tani transmetohen në rreth 140 vende, tha Nohra, dhe të ardhurat nga transmetimi janë rritur me 650 për qind që kur Cristiano Ronaldo filloi të luante në Arabinë Saudite.

“Nuk janë të ardhura të mëdha për të financuar të gjitha bizneset që kemi, por është padyshim një lëvizje e rëndësishme”, tha ai. “Rritja e vlerës së korporatës së ligës dhe klubeve është sigurisht në qendër të asaj që ne bëjmë. Nëse kjo i bën klubet dhe ligën një pasuri fitimprurëse, atëherë do ta kishim arritur qëllimin”, përfundoi Nohra. Albanian Post

Jasharaj: Viti shkollor do të fillojë me vështirësi, fajtore është ministrja Nagavci

0

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se viti i ri shkollor do të fillojë më vështrësi të cilat sipas tij, i ka krijuar Ministria e Arsimit.

Në mbledhjen që pati me kryetarët e sindikatave në nivel komunal dhe të universiteteve, Jasharaj ka kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Ky vit po fillon pa greva e veprime sindikale, e kjo do duhej ta gëzonte edhe qeverinë e veçmas ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i gëzonte greva për ta drejtuar gishtin drejt nesh e për tu heshtur lëshimet e mungesa e përgatitjeve që MASHTI do të duhej ti bënte. Ky vit shkollor do të filloj i përcjellë me vështirësi të cilat i krijoji MASHTI me eksperimentin e gabuar për tekstet shkollore.” – ka thënë Jasharaj shkruan Ekonomia Online.

“Zonja Nagavci po e mban inatin nga grevat sepse nuk po takohet me SBASHK-un, këshillin e prindërve, DKA-të e as me Asociacionin e Komunave. Ajo doli me një lajm që i ka shqetësuar edhe prindërit dhe neve si mësimdhënës. Ajo sjell vendim që tekstet shkollore të shpërndahen nëpër librari që një pjesë e qyteteve nuk ka fare, dhe prindërit të vrapojnë në e-Kosova të aplikojnë dhe të presin rimbursimet.” – ka thënë tutje ai.

Tutje, ai ka kritkuar Qeverinë e Kosovës për metodën për librat.


Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 

Mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

0

1 mijë e 418 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 22 aksidente me të lënduar dhe 41 me gjoba trafiku.

Në 24 orët e fundit janë arrestuar 17 persona dhe 11 janë dërguar në mbajtje.


Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 

“Faik Konica ishte i martuar me një franceze”- Zbulohet djali i tij i panjohur!

0

AFRIM IMAJ/ Sakip Skepi, ai fëmija pesëvjeçar që kapërceu Korabin me familjen nën breshërinë e plumbave në majin e largët ’58, u rrit e shkollua në Bruksel. Aty u martua, u bë baba, bëri karrierë e emër në profesion dhe spikati ndër personalitetet e diasporës në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Përtej brengës për vendlindjen dhe motrat e mbetura aty, jeta i rrodhi si e dëshiroi. Nga shumëçka që i fali Brukseli, njohja me burrat e mençur dhe shqiptarët që bënë histori në mërgatën shqiptare, ka qenë për të një privilegj i jashtëzakonshëm. “Një privilegj që nuk e patën bashkëkombësit që jetonin në Shqipërinë e Enver Hoxhës”, shprehet Sakipi, duke përmendur avarganën e shqiptarëve të botës tjetër që e ëndërruan vendin e tyre jashtë vargonjve të regjimit komunist dhe brenda kufijve të botës perëndimore. Nuk është e rastit që narracioni i tij rreth kësaj qasje nis me emrin e Faik Konicës.

Konica i madh, thotë, si rrallëkush tjetër në trojet tona që u anatemua e stigmatizua pa fund nga propaganda enveriane. Në radhët e atyre që ka njohur në Belgjikë veçon Muharrem Bajraktarin, një gjigand burrë siç e quan që jetoi 100 vite larg familjes me dy djem të vrarë e gruan të internuar dhe nuk ra kurrë në gjunjë, por qëndroi deri në çastet e fundit një shqiptar i madh. Sakip Skepi ndihet krenar që i ka njohur nga afër një pjesë të këtyre korifenjve të çështjes shqiptare dhe ka mësuar shumë prej tyre. Sakaq, ka mendimin se historia dhe shoqëria shqiptare janë ende larg promovimit të vlerave të tyre, këtij thesari të formësuar jashtë trojeve shqiptare.

Shërbimi që i bënë ata shqiptarizmës në kushte të vështira e teje të vështira, vlerëson 70-vjeçarin Skepi, ka qenë epokal, por për fatin e keq pjesa më e madhe e tyre nuk arritën t’i shikojnë realitetet e reja kur Shqipëria e ëndrrave të tyre të dashura e ka braktisur një herë e mirë flamurin me yll dhe regjimin komunist. Po çfarë sjell tjetër nga historia e mërgatës shqiptare ai djaloshi që kapërceu Korabin me familjen nën breshërinë e plumbave në majin e largët ’58 dhe u rrit e shkollua në Bruksel…

Zoti Sakip! Në Belgjikë ka jetuar një pjesë e madhe e mërgatës shqiptare, që në Shqipëri, në vitet e regjimit komunist, njihej pak. Çfarë mund të na thoni për historinë e saj dhe mënyrën si ishte integruar ajo në jetën e vendit?

Komuniteti i shqiptarëve që kanë jetuar e jetojnë në Belgjikë ka një histori komplekse. Në fakt, këtu ka pasur shqiptarë qysh në fillimet e shekullit të 20, por kanë qenë të paktë. Në fillim të vitit 1957 ka mbërritur kontingjenti i parë, që do të thotë një numër i madh dhe i organizuar.

Dërgata e dytë ka ardhur në vitin 1960, për të pasuar me dërgatën tjetër në vitin 1962. Kontingjenti i fundit ka qenë ai kur erdhëm ne, në fillimin e vitit 1967. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë zyrtare. Shumica erdhi me ndihmën e Karitasit dhe organizatave të tjera katolike që i sillnin në mënyrë të organizuar nga vende të ndryshme. Në të gjitha rastet, shteti belg i mirëpriste dhe krijonte kushte sociale, deri sa të integroheshin në tregun e punës.

Pse thoni që mërgata shqiptare e Belgjikës ka një histori komplekse, kur të gjithë vinin aty për një jetesë më të mirë?

E vërtetë është që i bashkonte halli, por të tjera gjëra krijonin ndasi, madje dhe përplasje. Në çdo kohë, përveç mirëkuptimit, ka pasur dhe problematika të ndryshme me arsye nga më të ndryshmet, duke filluar nga më të rëndomtat. Shkurt, nuk ka shkuar çdo gjë kreshendo në komunitetin e shqiptarëve që jetonin këtu…

E keni fjalën për shqiptarët e Shqipërisë…

Në përgjithësi, shqiptarët e Shqipërisë nuk kishin probleme më së veti. Probleme ka pasur ndërmjet tyre dhe emigrantëve që vinin nga Kosova dhe trojet e tjera shqipfolëse. Më së shumti shkak i tyre kanë qenë qasjet politike. Ndërkohë që pjesa dominuese e shqiptarëve të Shqipërisë ishin antikomunist dhe kundër regjimit të Enver Hoxhës, nuk ndodhte kështu me pjesën e shqiptarëve të tjerë…

Pra, në Belgjikë kishte dhe shqiptarë që besonin te komunizmi…

Grupi i parë i emigrantëve shqiptarë që besonin te komunizmi dhe Enver Hoxha ishte ai i kosovarëve që erdhën në Belgjikë nga Turqia në vitet ’60-’70, pasi nuk ishin përshtatur dot me jetesën aty. Ata ishin indoktrinuar dhe shfaqeshin haptas pro Enverit dhe Shqipërisë socialiste. Kjo falë dhe ndikimit që kishte luajtur te ta personeli i ambasadës shqiptare në Turqi dhe në Belgjik. Tjetërsoj shfaqeshim ne emigrantët që kishin ardhur nga Shqipëria dhe e urrenim me shpirt komunizmin dhe Enver Hoxhën. Pra, shqiptarë të dy palët, por me dallime të dukshme ideologjike…

Kjo vetëm me emigrantet kosovarë që erdhën nga Turqia..

Ata ishin bërthama e parë e grupimeve që besonin te komunizmi, po pati dhe të tjerë. Në vitet ’70-’80 pati një fluks të madh emigrantësh që erdhën nga Jugosllavia, ku kishte shumë shqiptarë nga Kosova dhe Mali i Zi. Çuditërisht pjesa më e madhe e tyre shfaqnin urrejtje për shtetin e Jugosllavisë dhe një dashuri të pakuptimit për regjimin komunist të Tiranës.

Ishte e pamundur t’u shpjegoje tmerrin që jetonte atëherë Shqipëria komuniste. Madje, shumë syresh kishin bindjen se politika e Tiranës do të çlironte Kosovën nga kolonizimi serbomadh. Dhe e demonstronin këtë në tubime të ndryshme, aq sa shpesh bëheshin objekt i përplasjeve me pjesën tjetër që e shikonin ekzistencën e Enver Hoxhës dhe regjimit komunist si shkaktar të gjenocidit në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi…

Ka pasur në tilla në ato vite në Bruksel?

Mbaj mend një rast kur erdhi për një ndeshje futbolli “17 Nëntori” i Tiranës në Standard Leizhin. Ne shkuam me flamurin shqiptar pa yll, ndërkohë që ata erdhën me flamurin me yllin e kuq. Shqiptarë të dy palët, po me një ndarje të madhe në mes. Ra bilbili. Filloi ndeshja. Filluan brohoritjet “Shqipëri, Shqipëri”. Të parët ata ngritën flamurin e tyre.

Ç’të shikoje, në mes të stadiumit flamuri i Enverit me yll. U çuam ne dhe shkuam e ua hoqëm me forcë, duke ngritur flamurin pa yll. U bë një pështjellim i madh, gati në përplasje fizike. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve. “Po grinden shqiptarët”, thoshin të tjerët që nuk e kuptonin shkakut e vërtetë. Ç’të të them, ka qenë një episod më shumë se i pakëndshëm…

Sidoqoftë, në radhët e mërgatës shqiptare të Kosovës ka paSur dhe patriotë të spikatur të çështjes kombëtare…

Patjetër që ka pasur. Ka pasur të tillë që bënë dhe histori, si rasti i Enver Hadrit dhe Gani Azemit pas vitit ’81. Po dhe pjesa tjetër që besonin te komunizmi nuk mund të thuash se nuk ishin patriotë. Ashtu me flamurin e kuq ata demonstruan fuqishëm disa herë para ambasadës jugosllave në Bruksel në mbështetje të protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Më vonë pastaj, sidomos pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rrëzimit të monumentit të Enverit në Tiranë, gjithkush prej tyre do qartësohej për të vërtetat e komunizmit dhe regjimit komunist që e kishte lënë Shqipërinë jashtë botës së qytetëruar…

Në Bruksel ku jetoni, ka operuar dikur Faik Konica dhe një pjesë e madhe e personaliteteve të shquara shqiptare. Si është përjetuar kjo nga diaspora shqiptare dhe si vlerësohet kontributi i tyre?

Faik Konica është një emër i madh për diasporën shqiptare të Brukselit, por jo vetëm. Ai ka jetuar disa vite aty, por ka lënë gjurmë të thella për kontributet e jashtëzakonshme në fushën e shqiptarizmës. Ka qenë krijues, filozof, politolog, nga të rrallët e brezit të tij.

E ndërsa në Shqipëri në kohën e regjimit komunist njihej fare pak kontributi i tij, në Bruksel, për shqiptarët Faik Konica ishte pjesë e krenarisë kombëtare. Unë kam shkuar i vogël, por në vitet e rinisë dhe më vonë kam mësuar shumë për veprën e Konicës. Kam shfletuar librat e tij, kam vjershëruar poezitë e tij dhe me moshatarët në shkollë kam folur gjatë e shpesh për vlerat e tyre…

Çfarë dini për aktivitetin e Konicës në Bruksel, sa vite qëndroi aty?

Faik Konica kishte ardhur në Bruksel në fundin e viteve 1800, pasi kishte kryer studimet në Francë dhe jetoi e punoi aty deri në vitin 1909. Qysh në ditët e para të mbërritjes në Bruksel botoi revistën “Albania”, ku vendin kryesor e zinin krijimet e tij në poezi, prozë poetike, artikuj publicistik e tregime. Është ky momenti historik kur Konica i madh hapi një periudhë të re të zhvillimit të kulturës, të arsimit dhe të prosperitetit të popullit shqiptar, duke u inkuadruar kësisoj në lëvizjen patriotike të Rilindjes Kombëtare. Meritat në këtë fushë janë të pakontestueshme.

Jehona që bëri vepra e tij patriotike, ra menjëherë në sy të Perandorisë Osmane që asokohe kishte pushtuar Shqipërinë. Reagimi i saj kishte qenë i ashpër e brutal. Dy herë u dënua sa ishte në Bruksel Konica i madh. Një herë me shtatë vite burg dhe një herë tjerr me burgim të përjetshëm, por mundi të shpëtonte, fal zgjuarsisë dhe miqësisë me njerëzit e shquar të Brukselit të atyre viteve.

Ajo çka ndodhur më tej me të është e ditur. Në Bruksel dhe sot roli dhe kontributi i tij nderohet jo vetëm nga diaspora shqiptare. Në nderim të tij, autoritetet lokale, kanë pagëzuar një rrugë në lagjen ku jetoi Konica i madh me emrin rruga “Rue d’Albanie”. Sakaq, në njërën nga shtëpitë ku Konica përgatiste revistën politike, kulturore dhe letrare “Albania”, është vendosur një pllakë përkujtimore me emrin e tij.

Në Shqipëri vitet e fundit janë bërë përpjekje dhe gati është botuar e gjithë vepra e Konicës dhe aktualisht njihet më mirë profili i tij. Në Bruksel ku ka kaluar pjesën më të madhe të rinisë, flitet se njohin mirë dhe jetën private të tij…

Gjeniu Konica sa i pranuar aq dhe i kontestuar, sa i dashur aq dhe i përbuzur, sa i vlerësuar aq dhe i mohuar, ka pasur si të gjithë jetën e tij private, për të cilën ka qenë shumë i kursyer për ta hedhur në librat dhe krijimet e tij. Megjithatë bashkëkohësit me dëshmitë e tyre kanë transmetuar brez pas brezi shumë nga bëmat e jetës së tij, që emigrant e hershëm i dinë mirë. Në tërë ato që ka botuar Konica pohon se mban statusin e “beqarit të përhershëm” dhe se nuk ka lënë asnjë trashëgimtar.

Po e vërteta është ndryshe. Faik Konica ka qenë i martuar me një nënshtetase franceze, Annette Sophie-Josephine Hugan, me të cilën ka pasur një djalë me emrin Henrik Schengrin bey Konitza. Certifikata që porosita për panoramën e lëshuar nga zyra e gjendjes civile në Saint-Gilles, Bruksel, konfirmon zyrtarisht ditën e lindjes së tij në qershor 1897.

Ka dëshmitarë e dokumente që Henrik Schengrin bey Konitza ka jetuar në Zvicër dhe se ai nuk e ka mohuar asnjëherë faktin që është i biri i Faik Beut. Ka pastaj dhe histori të tjera të Konicës me femra, për të cilat është rezervuar ti dëshmojë. Gjithsesi, Konica mbetet Konic, gjigand i letrave dhe shqiptarizmës, si rrallëkush tjetër…

Ka jetuar në Bruksel dhe Muharrem Bajraktari, një nga korifenjtë e nacionalizmit shqiptar. Besoj e keni njohur…

Muharrem Bajraktari ka qenë miku i ngushtë i familjes sonë, me të cilin jemi njohur e miqësuar sa kemi mbërritur në Bruksel. Im atë e njihte qysh kur ishim në Shqipëri dhe e çmonte si një nga burrat e shquar të atdhetarizmit shqiptar. Mbaj mend mbrëmje të tëra të bisedave me të në shtëpinë tonë. I

shte burrë që i kishte hije fjala dhe kuvendi. Kishte ardhur në Bruksel aty nga viti ’47, pasi ndiqej nga bandat e Enverit që e kishte prerë në besë në vitet e luftës. Dy djem dhe vëllai i ishin vrarë. Gjysmën tjetër të familjes e kishte lënë në Shqipëri dhe jetonte i vetëm. I vetëm po burrë bajraku deri sa vdiq në vitin 1989. Vdiq kur sa kishte mbushur një shekull. Do rroj gjatë i thoshte babait, se do jetoj dhe ditët që u preu në mes plumbi fëmijëve e të afërmve…

Dhe vdiq në vetmi…

Ai burrë nuk ndenji kurrë vetëm. Gjithkush nga emigrantët shqiptarë në Bruksel e kishte nder të pinte një kafe e të ndërronte një bisedë me të. Kishte çfarë mësoje prej tij. As në vdekje nuk mbeti vetëm. Ceremonia e varrimit të tij ka qenë nga më të mëdhatë që kam parë në Bruksel. Me mijra veta kishin ardhur qysh nga Amerika, Franca, Gjermania e Kosova për ta përcjellë gjeneralin e pashoq.

Ka qenë një tubim madhështor. E mbaj mend si tani. Fjalën e rastit e mbajti Idriz Basha një nga liderët e emigracionit politik shqiptar, njëherazi një intelektual i shquar. Ai solli aty profilin e plotë të Muharrem Bajraktarit, si një ndër nacionalistët me emër shqiptar që Shqipërinë e deshi fort deri në çastet e fundit. Profesor Basha përmendi meritat e pakontestueshme të tij në luftën kundra okupatorëve italian e gjerman si dhe mënyrën tinëzare si e preu në besë Enver Hoxha dhe të tijtë.

Sakaq në drekën e mortit ndër të tjera folën me superlativa për rolin dhe kontributin historik të tij Enver Hadri dhe Skënder Zogaj, dy nga figurat e shquara të lëvizjes kundër gjenocidit serbomadh ën Kosovë. E mbaj mend çdo detaj të këtij eventi se e kam përcjellë me shumë vëmendje në radion “Jehona e Shqipes”, të cilën Muharrem Bajraktari e dëgjonte me vëmendje, si zërin e vetëm që vinte nga trojet shqiptare…/panorama

Kryeministri Kurti sot në Slloveni në panelin me liderë të rajonit

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, sot do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit.

Ai po ashtu do të zhvillojë disa takime bilaterale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka marrë mesazhe inkurajuese nga homologu i tij slloven, Robert Golob, mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe mundësitë e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim.

Ai ka shkruar në Twitter të dielën se ka bërë thirrje për qasje të bazuar në vlera “të fokusuara në respektimin e pakicave dhe me njohjen reciproke si parakusht”.

“Mesazhe inkurajuese nga kryeministri slloven Robert Golob mbi zgjerimin e BE-së dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Në këtë takim prezentë ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe përfaqësues të tjerë.

Po ashtu shefi i ekzekutivit kosovar mbrëmë ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.

Në fotot që janë publikuar në rrjetin social “X”, nga Qeveria e Sllovenisë, Kurti shihet krahas pjesmarrësëve tjerë, raporton RTKlive.

Ndryshe kyeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje udhëtuar për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023.


Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon