14.2 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 1489

Miratohet projekt-udhëzimi që ndalon pjesëmarrjen e fëmijëve në klube të natës

0

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot e ka miratuar një projekt-udhëzimin administrativ për masat e duhura parandaluese e mbrojtëse për ndalimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në klubet e natës dhe hapësirat e tjera të ngjashme.

Ky udhëzim, buron nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve për të mirën e fëmijëve dhe se për qëllim e ka të realizohet përmes policisë, shërbimeve sociale, prindërve e kujdestarëve.

Në mbledhje u tha se rezultatet synohet të arrihen nëpërmjet krijimit të mekanizmave dhe të ndarjes së përgjethësive.

Ky vendim u mor pas ngjarjeve të fundit, në një lokal të Prishtinës ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 17 persona të tjerë, njofton Klankosova.tv

Reperi kanadez dënohet me 10 vjet burgim për plagosjen e Megan Thee Stallion

0

Reperi kanadez Tory Lanez, është dënuar me 10 vjet burgim për plagosjen e muzikantes Megan Thee Stallion.

Lanez qëlloi fituesen e Grammy, në këmbë gjatë një debati mes dyshes pas një feste në vitin 2020.

Ai u shpall fajtor në dhjetor, duke u akuzuar për tri vepra dhe që atëherë është mbajtur në burg.

Artistja iu nënshtrua një operacioni për të hequr pjesët e plumbave nga këmba e saj, shkruan BBC përcjell Klankosova.tv

Prokurorja e Qarkut në Los Angelos tha pas vendimit se fakti që ajo është e famshme ndihmoi në tërheqjen e vëmendjes për çështjen e dhunës ndaj grave.

“Fakti që ajo është një artiste e suksesshme ka sjellë një qendër të rëndësishme për çështjen e dhunës ndaj grave”, tha prokurori George Gascón,transmeton klankoaova.tv

Të shtënat ndodhën gjatë udhëtimit për në shtëpi nga një festë në pishinë e organizuar nga Kylie Jenner.

Mbi 254 mijë euro për librat e nxënësve në Luginë të Preshevës

0

Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete buxhetore për tekstet shkollore në gjuhën shqipe, për nxënësit e shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Shuma që ekzekutivi ka ndarë është 254 mijë e 562 euro e 30 centë.

“Ndihma jonë për bashkëkombasit tanë është jo vetëm nevojë por edhe obligim i yni, që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë.

Kërkesa e Këshillit Kombëtar Shqiptar, u votua unanimisht, njofton Klankosova.tv

Trafiku Shkodër-Tiranë, Rama: E ka rënduar turizmi, vijon puna me ritme të shpejta për segmentet problematike

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkon ndjesë dhe durim qytetarëve dhe turistëve, të cilët çdo ditë ndeshen me trafik të rënduar në aksin Shkodër-Tiranë këtë vere.

Rama thotë se rritja fluksit të vizitorëve në këtë sezon për industrinë e turizmit, e ka rënduar edhe më shumë se zakonisht situatën e trafikut përgjatë këtij aksi, sidomos në segmentin Milot – Kashar.

Kryeministri thekson se ky problem do vijojë për disa kohë në mungesë të Korridorit Blu, por vijon puna me projektime dhe financime, për ta lidhur Shqipërinë Perëndimore nga veriu në jug me Korridorin Blu, një autostradë e mirëfilltë e standardeve europiane, ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh.

Postimi i Ramës në Facebook:

NDJESË EDHE PAK DURIM JU LUTEM

I ndjekim me vëmendje ankesat e mirëkuptueshme të drejtuesve të automjeteve në aksin Shkodër – Tiranë këtë verë dhe jemi shumë të vetëdijshëm për faktin që rritja marramendëse e fluksit të vizitorëve në këtë sezon fantastik për industrinë e turizmit, e ka rënduar edhe më shumë se zakonisht situatën e trafikut përgjatë këtij aksi, sidomos në segmentin Milot – Kashar. Shpërblim i madh i përpjekjeve tona këmbëngulëse ky moment shpërthyes për turizmin, por shumë ndjesë për pasojën e këtij zhvillimi të shumëpritur, të cilën do ta vuajmë edhe për disa kohë në mungesë të Korridorit Blu.
Lajmi i mirë është se puna e gjithanshme, me projektime dhe financime, për ta lidhur Shqipërinë Perëndimore nga veriu në jug me Korridorin Blu, një autostradë e mirëfilltë e standardeve europiane, ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh po aq të shumëpritura sa edhe zhvillimi i mëtejshëm spektakolar i industrisë së turizmit.
* Në segmentin THUMANË – KASHAR po vijon puna me ritme të shpejta dhe është realizuar mbi 40% e volumeve.
* Për segmentet MILOT – THUMANË / KASHAR – LEKAJ / LEKAJ – FIER kanë përfunduar garat dhe janë tanimë gati tre kontrata të reja, që po lidhen për të nisur menjëherë nga puna.
* Për segmentin MILOT – BALLDREN hapim garën e ndërtimit në vjeshtë.
* MURIQAN – LEZHË është segmenti lidhës me Malin e Zi, për të cilin aktualisht konsulentët e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) po hartojnë projektin paraprak, të cilin pritet ta dorëzojnë në Dhjetor 2023.
Korridori Blu do të jetë kolona vertebrore e infrastrukturës turistike të #Shqipërisë2030 e cila po merr formë ditë pas dite, si ylli në ngjitje i Ballkanit Perëndimor.
Përdoruesit e aksit të rënduar Shkodër – Tiranë nuk do të durojnë më aq shumë sa kanë duruar, edhe pak durim dhe falë edhe Korridorit Blu po edhe shumë veprave publike në nivel vendor dhe investimeve shumë të konsiderueshme private në turizëm, Shqipërinë bregdetare turistike do ta kemi një nga krenaritë tona të mëdha kombëtar.

Kurti e falënderon Mehajn për kontributin: Bashkëshortes së tij i dëshiroj shërim të shpejtë

0

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë i ka uruar mirëseardhje në kabinetin qeveritar ministrit të ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonit, raporton Ekonomia Online.

Kurti e falënderoi ish-ministrin Armend Mehaj për kontributin dhe i uroi shërim të shpejtë bashkëshortes së tij.

“E falënderoj edhe një herë përzemërsisht për kontributi ish-minsitrin Armen Mehaj ndërkaq bashkëshortes i dëshiroj shërim të plotë”.

Prizren, ngriten aktakuza kundër 9 personave

0

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se gjatë 24 orëve të fundit nga Prokuroria Themelore në Prizren janë ngritur tetë aktakuza kundër nëntë personave, për vepra të ndryshme penale.

Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, për 48 orë është ndaluar një person, si dhe është bërë një kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj një personi.

“Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një (1) person të dyshuar, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar një (1) kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj një (1) personi. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur tetë (8) aktakuza kundër nëntë (9) personave, për vepra të ndryshme penale”, njofton Prokurori i Shtetit.

Gjashtë persona rrahën në Dragash

0

Gjashtë persona janë rrahur mes vete pas një mosmarrëveshje në fshatin Rançe të Dragashit.

Ata kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar ne procedurë të rregullt, njofton raporti 24 orësh i policisë.

Në oborrin e një shtëpie në Mamushë gjendet municion i pashpërthyer

0

Në Mamushë, një burrë ka gjetur një municion të pashpërthyer në oborrin e shtëpisë së tij.

Rastin ai e ka raportuar në polici, njësitet e së cilës kanë dalë më pas në vendin e ngjarjes.

“Njësia policore ka siguruar vendin e ngjarjes, derisa aty ka dalë edhe njësiti për deminim, që i ka tërhequr 195 copë fishekë të kalibrit 5.6mm, të prodhuara në vitin 1912”, njofton policia.

Tutje, bëhet e ditur se nuk është raportuar për ndonjë incident.

Kur filluan paraardhësit tanë të varrosnin të vdekurit e tyre?

0

Bashkë me peshkimin, format primitive të artit, dhe përdorimin e majave të mprehta si mjete pune, varrosja e të vdekurve konsiderohej dikur si një nga karakteristikat përcaktuese që e ndan Homo sapiens nga paraardhësit tanë tanimë të zhdukur.

Por për më shumë se një shekull, zbulimet arkeologjike të atyre që duken të jenë varret e homininëve të hershëm, e kanë sfiduar idenë se praktika është ekskluzive vetëm për njerëzit modernë, teksa kanë ndezur një debat të vazhdueshëm se kur dhe ku filloi ajo.

Këtë javë një ekip shkencëtarësh pretendoi se ka zbuluar shembujt më të hershëm të njohur të varrimeve njerëzore. Por që në vitin 2013, një çift arkeologësh që eksploronin sistemin e shpellave Rising Star rreth 48 km në veriperëndim të Johanesburgut, Afrika e Jugut, zbuluan mbetjet e Homo naledi, një hominin i panjohur më parë me krahë të shkurtër, dhe me një tru sa një e treta e madhësisë së një njeriu të sotëm.

Mendohet se ai ka jetuar midis 240.000-500.000 vjet më parë. Menjëherë pas këtij zbulimi, Li Berger, paleoantropolog në Universitetin e Uituoterrand në Johannesburg, drejtoi një ekip shkencëtarësh në gërmimet e shumta të shpellave nëntokësore, gjatë të cilave ata gjetën eshtra nga të paktën 27 individë.

Kur Berger dhe kolegët e tij botuan gjetjet e tyre fillestare në revistën “eLife” në vitin 2015, ata vunë re se mbetjet skeletore ishin të mbuluara në një dhome në thellësi të shpellës. Ndaj ata hipotezuan se Homo Naledi i zhvendosi enkas trupat atje për t’i varrosur.

Më pas ata gdhendën vepra arti në muret e saj për të shënuar varret. Gjetjet e tyre u publikuan më 5 qershor. Por ekspertë si Pol Peti, profesor i arkeologjisë paleolitike në Universitetin e Darham dhe ekspert në praktikat funerale të homininëve, mbetet ende skeptik për këtë gjë.

“Unë nuk jam i bindur që ekipi ka treguar se kjo ishte varrosje e qëllimshme. Pra që u hap një varr i cekët, në të u vendos një kufome, e cila më pas u mbulua me dheun e gërmuar”- thotë ai, duke theksuar se ka mungesë të provave të qarta për një varrim.

Duke pasur parasysh se mbetjet skeletore mund të zhvendosen apo edhe të transportohen në një vend tjetër gjatë mijëra viteve, përcaktimi se kur paraardhësit e njeriut modern nisën të varrosnin të vdekurit e tyre, është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë.

Edhe pse gjatë 150 viteve të fundit janë zbuluar shumë varre të Neandertalëve, nuk ka një konsensus se cili ishte i pari që u krye qëllimisht. Megjithatë, midis disa prej gërmimeve më të fundit dhe rishqyrtimeve të zbulimeve të mëparshme, ka prova të forta që sugjerojnë varrime të qëllimshme të Neandertalëve në Kapelën e Shënjtorëve në Francë, shpellën Shanidar në Irak dhe guvën La Ferrassie në Dordonjë po në Francë.

Ai që konsiderohet të jetë varrimi më i vjetër i qëllimshëm i njeriut ndodhi afro 100.000 vjet më parë në një shpellë në Kafzeh, Izrael, ku mbetjet e deri në 15 Homo sapiens të hershëm u zbuluan gjatë gërmimeve në vitet 1930-1960.

Më së afërmi në kohë, varrimi më i vjetër i qëllimshëm i njeriut në Afrikë, u zbulua në vitin 2013 pranë brigjeve të Kenias, ku afro 78.000 vjet më parë, një fëmijë i vogël 2.5-3 vjeç ishte varrosur në pozicionin e fetusit dhe prehej në një varr të cekët.

Këto varrime janë intriguese jo vetëm për vjetërsinë e tyre, por edhe sepse janë shembuj të hershëm të një rituali të njohur që ne vazhdojmë ta praktikojmë ende sot. Por Peti thotë se akti në vetvete nuk është aq i jashtëzakonshëm sa mund ta mendojnë shumë njerëz, sepse sipas tij edhe nënat shimpanze i ‘varrosin’ të vdekurit me sedimente të ndryshme.

Ndaj ai sugjeron që duhet të shohim përtej varrimit si një ritual për të kuptuar më mirë nuancat se si njerëzit e hershëm reaguan dhe përkujtuan vdekjen e një të afërmi. “Nëse ka një praktikë që është e veçantë dhe me sa duket unike për Homo sapiensin, nuk është varrimi në vetvete, por përcaktimi kulturor i zonave specifike për prehjen e të vdekurve”- thekson Peti.

Bankat e Kosovës thyejnë rekord, grumbullojnë mbi 65 milionë euro vetëm për 5 muaj

0

Bankat komerciale në Kosovë kanë arritur që vetëm deri në muajin maj të këtij viti, të grumbullojnë gjithsej 65.9 milionë euro profit neto.

Këto fitime enorme të tyre, vijnë si rezultat i normave të larta të interesit në kredi, si dhe nga tarifat e larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi), të cilat në vitin 2022 pothuajse të gjitha janë rritur në emër të inflacionit të lartë që po mbretëron në Kosovë e rajon, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin maj të vitit 2023, të hyrat totale në këtë sektor ishin në vlerë të 157.5 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 118.1 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 91.6 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 13.3 milionë eurove.

Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin maj mbetën në vlerën 6.5%, nga 6.3% sa ishin në muajin prill. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ishte 6.1% njësoj si në prill, kurse për ato konsumuese mbeti poashtu njësoj si në prill në 6.5%, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare u rrit në 6.8% nga 6.5% sa ishte në muajin prill të këtij viti.

Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin maj të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 643.3 milionë nga 4. 562.8 milionë euro sa ishte vlera në prill. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 747.2 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 864.9 milionë tjera për korporatat jo financiare dhe 15.6 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, deri në fund të muajit maj 2023, arritën në 5 miliardë e 604.3 milionë euro, nga 5 miliardë e 575.0 milionë sa ishte vlera e tyre në prill.

Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 6 miliardë e 806.4 milionë euro.

Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2022, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 140.3 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80-100 milionë euro.

Ndryshe, në vendin tonë aktualisht janë duke operuar gjithsej 12 banka komerciale, 9 prej të cilave janë banka me kapital të huaj.