13.5 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 492

Kryetari i AAK-së në Prizren e vlerëson si gabim të rëndë koalicionin me Nismën, kërkon falje nga përkrahësit

0

Kryetari i degës së AAK-së në Prizren ka vlerësuar se lidhja e koalicionit parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate ka qenë gabim i rëndë. Për këtë arsye ka kërkuar falje nga votuesit dhe përkrahësit e AAK-së.

“Gabimi më i rëndë i kësaj periudhe ishte lidhja e një koalicioni të panatyrshëm me të majtët e Nismës Socialdemokrate. Ky bashkëpunim ishte një devijim nga vlerat dhe identiteti ynë politik – dhe për këtë përgjegjësinë e marrim ne, kryesia dhe kryetari së bashku”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, Aleanca është një forcë politike e qendrës së djathtë, e ndërtuar mbi parime të qarta, mbi traditë kombëtare, përgjegjësi dhe integritet dhe se largimi nga këto vlera është një shkelje ndaj besimit të votuesve e përkrahësve të AAK-së.

 

Në të njëjtën kohë ka shprehur qëndrimin se Aleanca do të vazhdojë të forcohet si një zë i fuqishëm dhe i besueshëm i djathtës shqiptare.

“E ardhmja jonë është në qëndrueshmëri, jo në pazare”, ka përfunduar Krasniqi.

Në zgjedhjet e këtij viti për Kuvendin e Kosovës, koalicioni AAK, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët ka marrë 66 256 vota ose 7,06%. Nga tetë deputetët e zgjedhur të këtij koalicioni 5 janë nga AAK-ja dhe 3 nga Nisma Socialdemokrate. Sinjalet e kësaj të fundit se mund të përfshihet në koalicion me LVV-në ka ndikuar në ftohjen e raporteve me AAK-në. /Telegrafi/

Gjendet i gjallë 34-vjeçari i zhdukur në Prizren

0

Tre ditë pas zhdukjes së tij misterioze, G. Ç., një 34-vjeçar nga fshati Lubizhdë i Prizrenit, është gjetur i gjallë.

Lajmi që pritej me ankth nga familjarët dhe komuniteti lokal u konfirmua mëngjesin e 20 majit, kur ai u lokalizua në një objekt të braktisur në lagjen “Dardania” të Prizrenit.

Pas një operacioni kërkimi të udhëhequr nga Sektori i Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim të ngushtë me të afërmit e tij, autoritetet arritën të gjurmojnë vendndodhjen e tij. Burime të afërta me hetimet kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se ai është gjetur në gjendje të rënduar emocionale, por pa shenja të dukshme dhune apo lëndime fizike serioze.

Menjëherë pas gjetjes, G. Ç. u dërgua në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor dhe më pas iu dorëzua familjes, e cila prej ditësh jetonte me ankthin e së panjohurës.

Zhdukja ishte denoncuar më 17 maj nga vëllai i tij, A. Ç., i cili raportoi në polici se kishte humbur kontaktin me të që në orët e hershme të mëngjesit. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale dhe mediat lokale, duke nxitur një reagim të gjerë dhe një operacion të përbashkët kërkimi mes familjarëve dhe policisë.

Pas hetimeve të zhvilluara dhe në mungesë të ndonjë vepre penale, Prokuroria ka urdhëruar mbylljen e rastit me klasifikimin “person i gjetur”.

Ndërkohë, mbetet për t’u kuptuar se çfarë e shtyu G. Ç. të zhdukej në mënyrë të tillë dhe si ka ndikuar kjo përvojë në gjendjen e tij psikologjike. Për familjen, megjithatë, fundi është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër — ai është kthyer në shtëpi, i gjallë./Gazeta Sinjali/

QKMF-ja në Prizren u bën thirrje qytetarëve që të zgjedhin mjekun e tyre familjar

0

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, Dr. Fadil Bajraktari, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk e kanë përzgjedhur mjekun e tyre familjar, që ta bëjnë këtë sa më parë.

„Përzgjedhja e mjekut familjar mundëson kujdes të vazhdueshëm, të personalizuar dhe më efikas për shëndetin tuaj“, u shpreh Dr. Bajraktari.

Kjo thirrje u bë në kuadër të aktivitetit të organizuar nga QKMF-ja në Prizren me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjekut Familjar, që u shënua më 19 maj. Aktiviteti kishte për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e mjekut familjar si pika e parë dhe më e rëndësishme e kontaktit me sistemin shëndetësor për çdo individ dhe familje.

Përmes këtij aktiviteti, QKMF-ja synon të forcojë lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe shërbimeve të mjekësisë familjare, duke theksuar rolin parësor të këtyre mjekëve në ofrimin e kujdesit shëndetësor bazë dhe në parandalimin e sëmundjeve./PP/

PDK-ja në Dragash ngre dyshime për tenderin e vizitës së kuvendarëve në Austri, Komuna i mohon pretendimet

0

Dega e PDK në Dragash përmes një reagimi ka adresuar dyshimin për keqpërdorim të parasë publike dhe përzgjedhje të operatorëve me favorizim nga drejtuesit e Komunës për realizimin e vizitës së kuvendarëve në Austri.

Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga menaxhmenti i Komunës së Dragashit.

Partia opozitare në reagimin e saj ka shprehur qëndrimin se “kur vizitat shndërrohen në mjete për keqpërdorim, ato humbin çdo vlerë”.

“Dega e PDK në Dragash nuk është kundër vizitave jashtë vendit që sjellin përvojë, njohuri dhe rezultate konkrete për komunën. Por rasti i fundit i raportuar gjerësisht në media ngre dyshime serioze për keqpërdorim të parasë publike dhe përzgjedhje të operatorëve me favorizime të hapura”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Tutje theksohet se “këshilltarët komunalë nuk janë përgjegjës për procedurat e prokurimit” dhe se “ata kanë rol në avancimin e politikave dhe proceseve që shërbejnë në të mirë të qytetarëve”.

“Përgjegjësia ligjore dhe morale për mbikëqyrjen e prokurimeve i takon Kryetarit të Komunës, i cili është i obliguar të sigurojë që çdo procedurë të zhvillohet në mënyrë të ligjshme, transparente dhe në funksion të interesit publik. Kryetari ka për detyrë të punojë për afirmimin e komunës, të ndërtojë imazhin e saj dhe të krijojë mundësi zhvillimi – jo të krijojë situata ku qytetarët ndihen të turpëruar nga raportimet në thuajse të gjitha mediat vendore, që tashmë paraqesin Dragashin si një komunë me praktika të dyshimta e të padenja, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”, thuhet në reagim.

Në të njëjtën kohë dega e PDK-së ka pretenduar se kryetari synon që ta marrë nën kontroll Zyrën e Prokurimit.

“Dyshohet se Zyra e Prokurimit ka qenë që nga fillimi synim i Kryetarit për ta marrë nën kontroll të plotë, gjë që vërtetohet edhe nga dorëheqja e detyruar e menaxherit të mëparshëm të prokurimit. Sipas informacioneve që qarkullojnë, ai pritet të zëvendësohet nga ish-drejtori i administratës – zyrtar komunal dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit. Kjo lëvizje nuk është rastësore. Ajo duket të jetë pjesë e një strategjie të qëllimshme për kapjen e plotë të prokurimit komunal, me qëllim të kontrollimit të tenderëve dhe realizimit të interesave të ngushta politike e personale, në kurriz të qytetarëve dhe të parasë publike. PDK në Dragash kërkon urgjentisht hetim të pavarur dhe mbajtje të përgjegjësisë institucionale”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.

Zyra për Informim e Komunës së Dragashit lidhur me vizitën e asamblistëve në Austri ka sqaruar se “vizita të tilla janë organizuar çdo vit nga të gjitha qeveritë komunale, ku asambleistët hartojnë agjendën e vizitës dhe miratojnë shumën e buxhetit”.

“Kësaj radhe, asambleistët e të gjitha partive politike kanë votuar për një vizitë studimore në Austri. Pasi KRPP-ja e ka aprovuar kërkesën për tender, Zyra e Prokurimit ka ndjekur procedurat e hapura të tenderimit. Në këtë tender ka konkurruar vetëm një kompani, e cila i ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj, duke dorëzuar edhe referenca për vizita turistike jashtë vendit. Pasi janë ndjekur të gjitha procedurat dhe afatet ligjore, Zyra e Prokurimit ka lidhur kontratën me këtë kompani. Sa u përket pretendimeve të Degës së PDK-së në Dragash, ku apostrofohet kryetari i Komunës, ju informojmë se kryetari as nuk shpall dhe as nuk jep tenderë. Këtë funksion e kryen Zyra e Prokurimit si zyrë përgjegjëse për zhvillimin e të gjitha procedurave të tenderimit, duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim të Komunës së Dragashit.

Gjithashtu është theksuar se në vizitën në Austri “nga njëzet asambleistët pjesëmarrës, gjashtë prej tyre kanë qenë nga PDK-ja, ku njeri nga ta ka qenë edhe udhëheqës i vizitës studimore”.

“Kjo është e vërteta e vetme mbi vizitën studimore në Austri dhe për Zyrën e Prokurimit. Të vërtetë tjetër nuk ka! Lidhur me pretendimet tjera të Degës së PDK-së për Zyrën e Prokurimit, kryetari i Komunës do të japë sqarime në seancën e radhës të Asamblesë Komunale, në pikën eventuale të rendit të ditës”, përfundon komunikata e Zyrës për Informim të Komunës së Dragashit.

Procedura e prokurimit për vizitën e kuvendarëve të Dragashit në Austri, sipas të dhënave në platformën elektronike të Prokurimit Publik është iniciuar më 27 mars 2023, me vlerën e parashikuar për 22 mijë eurove.

Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë data 17 prill 2025. Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar me 16 maj 2025. Ndërkaq njoftimi për nënshkrimin e kontratës është publikuar me 19 maj 2025.

Komuna e Dragashit javën e shkuar ka njoftuar lidhur me takimet e realizuara me homologët në Austri. /Telegrafi/

Grisi Kuranin në Prizren, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë dhe propozon trajtim psikiatrik

0

rokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të martën ka njoftuar se ka dorëzuar në organet gjyqësore aktakuzën ndaj të pandehurit I.P. për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, i cili dyshohet se në muajin mars të këtij viti ka grisur Kuranin në afërsi të Teqes “Saraçhane” në Prizren.

Me këtë rast PSRK ka propozuar që ndaj të pandehurit të shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë aktakuzë kundër të pandehurit I.P. për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, sipas nenit 141, paragrafi 1 të KPRK-së. PSRK ka ngritur aktakuzë me propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri ndaj I.P.”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 03 mars 2025, në afërsi të Teqes “Saraçhane” në Prizren, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.

Një burrë dyshohet se ka grisur Kuranin në Prizren – kapet nga kamerat e sigurisë
“Hetimet kanë rezultuar se I.P. e ka grisur dhe e ka shpërndarë në tokë librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, duke shkaktuar mllef të madh te komuniteti islam dhe duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet grupeve me ideologji të ndryshme fetare”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, “meqenëse aftësia e tij, në kohën e kryerjes së veprës penale, për të gjykuar dhe kontrolluar veprimet e veta ka qenë e zvogëluar në shkallë esenciale”.

Trepça 3-2 Bashkimi, sfida për titullin vazhdon nesër

0

Finalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës po dhurojnë emocione të jashtëzakonshme, me atmosferë fantastike dhe ndeshje të bukura në parket. Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe luftohet deri në sekondën e fundit për çdo top.

Seria finale e “Play-off”-it zhvendoset në Mitrovicë, ku përballen Trepça dhe Bashkimi, dy skuadrat që ishin renditur në dy pozitat e para në garat e rregullta.

 

Seria finale është 3:2 për ‘Xehetarët’, raporton PrizrenPress.

Nëse fiton Trepça, atëherë do të mbrojë titullin e kampionit, ndërsa Portokallezinjtë luftojnë për fitore për të barazuar serinë finale në 3:3, në mënyrë që finalja vendimtare të jetë të dielën në Prizren.

Ndeshjen e parë e fituan prizrenasit 84:77, e më pas fituan tri takime radhazi mitrovicasit 79:72, 71:88 dhe 80:74, ndërsa sfidën e fundit Portokallezinjtë 85:77.

Këto dy skuadra u përballën katër herë në edicionin e rregullt me nga dy fitore secila skuadër, e po ashtu ishin përballen edhe në finalen e Kupës, ku triumfuan ‘Xehetarët’.

Ndeshja zhvillohet të mërkurën në Palestrën ‘Minatori’ nga ora 19:00./PrizrenPress.com

Komedia brilante “ART” ngjitet nesër në skenën e teatrit të Prizrenit

0

Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren mirëpret nesër, më 21 maj, nga ora 20:00, komedinë e njohur “ART”, një vepër që përplas miqësinë me artin, në skenën vendase, raporton PrizrenPress.

Shfaqja realizohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës, nën regjinë e Bashkim Ramadanit, dhe sjell në qendër të saj pyetjen: A është një vepër arti e bardhë arsye për të shkatërruar një miqësi të gjatë? Në këtë përballje të bindjeve personale me estetikën, vepra zhvillohet në një komedi brilante që ngacmon mendjen dhe ndjenjat.

Në role do të interpretojnë aktorët Ard Islami, Ylber Bardhi dhe Butrint Lumi, ndërsa në ekipin realizues përfshihen dramaturgja Zoga Çeta Çitaku, kompozitori Tomor Kuçi, skenografi Burim Arifi, kostumografja Yllka Brada, autori i animacioneve Florian Çanga, inspicientja Nazmije Krasniqi dhe asistentja e regjisë Kreshnike Osmani./PrizrenPress.com

Rrahman Jasharaj në gjendje të rëndë shëndetësore

0

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari po kalon në një periudhë të rëndë shëndetësore.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Jasharaj është i shtrirë në Spitalin e Pejës dhe ndodhet nën kujdes intensiv.

Lajmin e ka konfirmuar për Indeksonline edhe njëri nga mjekët që ka pranuar Jasharajn nën kujdes mjekësor, por që nuk ka pranuar të jap detaje të reja për gjendjen e tij shëndetësore./Indeksonline/

Marketing

 

Aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”, lëndohen tre persona

0

Tre persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti të ndodhur të martën në mëngjes në mes një kamioni dhe dy automjeteve në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë-Duhël.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka pohuar se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, teksa ky segment ka qenë i mbyllur përkohësisht për qarkullim.

“Rreth orës 09:20 në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova” Suharekë-Duhël, KM-37 është shkaktuar aksident trafiku me lëndime në mes një kamioni dhe dy automjeteve me targa vendore. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore, të cilët me autoambulancë janë dërguar për tretman mjekësor. Autostrada Suharekë-Duhël ka qenë e bllokuar përkohësisht”, ka thënë Hoxha për Telegrafin.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, të cilat edhe janë marrë me hetimet për shkaktarët e aksidentit.

“Rruga tani është liruar për qarkullim”, ka bërë të ditur Hoxha. /Telegrafi/

Marketing

Theranda Basket, kampion në Ligën U16 Perëndim

0

Theranda Basket është shpallur kampion i Ligës U16 në Perëndim te meshkujt.

Skuadra therandase fitoi ndaj Proton Cable me serinë finale 2:0, raporton PrizrenPress.

Ndeshja e parë përfundoi 51:61 në favor të therandasve, derisa e dyta 74:69 në të mirë të prizrenasve.

Medaljen për vendin e parë dhe të dyta, si dhe trofeun e Kupës e ka ndarë, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Therandës, Albulena Kokollari.

Theranda Basket në gjysmëfinale të “Play-off”-it eliminoi Ylli 04, ndërsa Proton Cable eliminoi Grapeland./PrizrenPress.com