17.6 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 511

Pas triumfit në Big Brother VIP Albania, Gjesti bën hapin e ri për t’u rikthyer në muzikë

0

Pas triumfit të tij të madh në spektaklin Big Brother VIP Albania 4, duket se suksesi i këngëtarit të njohur Gjesti po merr përmasa edhe më të mëdha.

Me një energji të re dhe një publik që e ka përqafuar fuqishëm, ai tashmë është gati të rikthehet fuqishëm në skenën muzikore – këtë herë si pjesë e një labeli të ri.

Gjesti ka firmosur kontratë me shtëpinë diskografike SGM Management, një hap ky që pritet të sjellë projekte të mëdha dhe një kapitull të ri në karrierën e tij artistike.

Lajmi është bërë publik nga vetë këngëtari, por edhe nga vetë labeli, përmes një postimi në rrjete sociale.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Three60 Music (@three60_music)

 

“Jemi shumë të lumtur të ndajmë me ju se Gjesti ka nënshkruar zyrtarisht kontratë me shtëpinë tonë diskografike nën menaxhimin e SGM. E mirëpresim atë dhe jemi shumë të emocionuar për atë që na pret në të ardhmen!”, thuhet në deklaratën zyrtare të SGM.

Pas një pauze disa mujore nga muzika – kohë gjatë së cilës ishte i angazhuar intensivisht në dy formate të mëdha televizive: Big Brother VIP Kosova dhe më pas Big Brother VIP Albania – Gjesti është më i motivuar se kurrë për të sjellë projekte të reja muzikore. /Telegrafi/

Gjykata në Prizren i cakton një muaj paraburgim shtetasit turk që vrau vajzën

0

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me incialet M.G., shtetas turk, i dyshuar për kryerjen e tri veprave penale.

Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj tij ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Paraburgimi do të zgjasë deri më 5 qershor 2025.

Gjyqtarja e procedurës, Shpresa Emra, ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për shkak të rrethanave të rënda të veprave, të cilat dyshohet se janë kryer brenda ambientit familjar, si dhe për shkak të vendosmërisë së të pandehurit për t’i kryer ato.

Po ashtu, është theksuar se i pandehuri nuk ka vendbanim të përhershëm në Kosovë dhe ekziston rreziku i arratisjes, çka justifikon mbajtjen e tij në paraburgim për të siguruar prezencën në procedurat e mëtejme hetimore.

Gjykata ka theksuar se këto janë dyshime fillestare dhe vërtetësia e tyre do të vlerësohet në fazat e mëvonshme të procedurës penale.

Gjykata në Prizren shqyrton kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e vajzës së tij

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka filluar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për vrasjen e vajzës së tij në Prizren.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për shtetasin turk, i cili dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.

“Seanca për caktimin e masës së sigurisë për këtë rast ka filluar në ora 14:30. Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje ose posedim i paautorizuar i armëve””, ka bërë të ditur zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit M.G., (shtetas turk), për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari M.G., me datë 06.05.2025, rreth orës 05:30 min, në Rr. “Shote Galica” në Prizren, me dashje privon nga jeta vajzën e tij 15 – vjeçare, me mjet të mprehtë (thikë) të llojit “Bajonetë”, me ç ‘rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Më këto veprime, i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje theksohet se “i njëjti, me dashje tenton t’i privoj nga jeta vajzën rreth 10 vjeçare, të cilës i shkakton lëndime të rënda trupore”, dhe se “më pas me po të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij, duke vënë me dashje në rrezik jetën e tyre”.

“Me këto, veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Personi i dyshuar, me inicialet M.G., sipas Prokurorisë, gjendet në ndalim 48 orësh nga data 06 maj 2025.

Policia e Kosovës të mërkurën në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se një i dyshuar, shtetas i Turqisë, ka sulmuar me mjet të mprehtë dy vajzat e tij, ku njëra prej tyre nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa, tjetra ka pësuar lëndime trupore. Sipas njoftimit lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit respektivisht nëna e viktimës si dhe vet i dyshuari.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ndërsa e lënduara tjetër është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është në gjendje stabile. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Trajneri i Bashkimit flet para ndeshjes me Trepçën: Askush s’është i pathyeshëm, ne do ta fitojmë trofeun

0

Superliga e Kosovës në basketboll po shkon drejt fundit dhe tashmë ka nisur seria finale.

Pas një super sezoni, Klubi Basketbollistik, “Bashkimi” dhe “Trepça”, kanë arritur të prekin finalen e madhe, me prizrenasit që po luftojnë për të rikthyer titullin kampion në qytetin historik pas shtatë vitesh, kurse mitrovicasit duan ta mbrojnë titullin e fituar sezonin e kaluar, shkruan Arbresh.info.

Seria finale nisi të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku Bashkimi triumfoi me rezultat 84-77.

Tashmë akti i dytë i finales bartet sot në Mitrovicë, ku me fillim nga ora 19:00 nis beteja e radhës finale.

Bashkimi i motivuar nga suksesi në sfidën e parë kërkon që të dyfishojë epërsinë dhe të afrohet edhe më shumë me titullin.

Në një intervistë për Arbresh.info, trajneri i Bashkimit, Sasa Jankovic foli rreth situatës në klub pas ndeshjes së parë si dhe synimin kryesor të prizrenasve.

“Dy ditët e fundit i kemi shfrytëzuar për rikuperim dhe analizë të ndeshjes së fundit. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe besoj se jemi të gatshëm për ndeshjen e radhës”, tha fillimisht Sasa.

Trepça dhe Bashkimi janë përballur këtë sezon plotë gjashtë herë duke marrë parasysh edhe ndeshjen e fundit në finale.

Të dy skuadrat kanë bilanc të njëjtë të fitoreve nga tri secila. Vlen të theksohet se të gjitha ndeshjen kanë qenë dramatike dhe fituesi shpeshherë ishte vendosur në minutat e fundit.

Trajneri Jankovic, tregoi përvojën nga ndeshjet e kaluara dhe tha se skuadra e tij është gati të reagojë në çfarëdo lloj situate që ndodhet para kundërshtarit.

“Është e vështirë të thuhet se çfarë ndryshimesh taktike mund të bëjë secila skuadër në këtë periudhë të shkurtër mes ndeshjeve. Kemi luajtur shumë ndeshje kundër njëri-tjetrit këtë sezon dhe të dy ekipet janë shumë mirë të përgatitura në atë aspekt. Nëse kundërshtari tenton të ndryshojë diçka, besoj se do të jemi të përgatitur dhe do të dimë si të reagojmë”, u shpreh Jankovic.

Që nga ardhja e trajnerit, Sasa Jankovic, Bashkimi ka krijuar një identitet si skuadër. Ndeshjet që kanë bërë kanë qenë jashtëzakonisht të forta, duke e rikthyer edhe publikun prizrenas që në secilën ndeshje mbush shkallët e palestrës në “Sezai Surroi”.

Skuadra prizrenase ka zënë vendin e parë në sezonin e rregullt, teksa trajneri tregoi çelësin e suksesit.

“Mendoj se kemi shpirt ekipi dhe një kimi shumë të mirë mes nesh. E shijojmë së bashku kur gjërat shkojnë mirë, por qëndrojmë të bashkuar edhe kur ka momente të vështira. Prandaj e konsideroj punën në ekip si armën tonë më të fortë”, potencoi ai.

Palestra “Minatori” është një arenë e zjarrtë ku shumica e skuadrave kosovare bien në këtë sallë, ndër to edhe Bashkimit. Dy herë që janë përballur në Mitrovicë, Trepça e ka mposhtur skuadrën prizrenase.

Mirëpo për trajnerin e Bashkimit asnjë skuadër nuk është e pathyeshme, duke ditur se më herët ata fituan edhe në “Karagaç”, një arenë mjaft e vështirë për t’u luajtur.

“Pa dyshim që loja do të zhvillohet në një atmosferë të zjarrtë, por këtë sezon kemi dëshmuar disa herë që dimë si të përballemi me presionin dhe të luajmë ndeshje të mira. Trepça luan shumë mirë në fushën e vet, por asnjë skuadër nuk është e pathyeshme. Çelësi do të jetë të kemi një fillim të mirë dhe të ruajmë fokusin maksimal gjatë gjithë ndeshjes”, deklaroi ai.

Apetitin për fitore ditën e sotme e rrit edhe më shumë fitorja e së dielës dhe këtë e thotë edhe vetë trajneri.

“Fitorja e së dielës na ka dhënë një motivim pozitiv, por që të nesërmen kemi kthyer faqen dhe jemi përqendruar në ndeshjen tjetër. Nuk vendosim presion mbi veten, vetëm përpiqemi të japim maksimumin dhe të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, vazhdoi Jankovic.

Gjithnjë finalet janë të papërshkueshme sidomos kjo e këtij viti duke marrë parasysh se mund të luhen shtatë ndeshje për herë të parë në histori të basketbollit kosovar.

Padyshim synimi i klubit prizrenas është titulli kampion dhe kështu beson edhe shef i shtabit teknik të portokallezinjve.

“Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë në këtë seri, dhe nuk është në stilin tim të mendoj shumë përpara. Çdo ndeshje është e ndryshme, dhe qëllimi ynë është të fokusohemi ditë pas dite në ndeshjen e radhës dhe të mbajmë besimin që do të jemi ne ata që në fund do të ngremë trofeun”, përfundoi ai.

Bashkimi synon të rikthehet në majat e basketbollit kosovar pas atij suksesi historik të vitit 2018 ku u shpall kampion për herë të parë dhe të vetme.

Skuadra ka bërë një super sezon duke prekur edhe finalen e Kupës së Kosovës, mirëpo aty u mposhtën pikërisht nga Trepça me rezultat 85-79.

Kampioni i Kosovës shpallet, skuadra që arrin katër fitore e para. Bashkimi në gjysmëfinale eliminoi Pejën me seri 3-1. Kujtojmë që prizrenasit e mbyllën sezonin e rregullt në pozitën e parë që gjë ua mundësoi edhe terrenin vendas në finale.

Pa ujë çdo ditë nga ora 16:00 deri 23:00 në Malishevë – deri në vendosjen e pompave të reja

0

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka bërë të ditur se për shkak të mosfurnizimit të rregullt me ujë në disa zona të fshatit Banjë, do të aplikohen redukime të përkohshme të ujit në disa lokalitete të komunës së Malishevës.

Sipas njoftimit të publikuar nga kompania, duke filluar nga kjo javë, pa ujë do të mbesin çdo ditë nga ora 16:00 deri në ora 23:00 këto zona: Qyteti i Malishevës, fshati Carrallukë dhe rruga “Imer Krasniqi” në fshatin Mirushë, përcjell PrizrenPress.

“Pas takimit me banorët e fshatit Banjë dhe për shkak të mosfurnizimit të rregullt me ujë në disa lagje të këtij fshati, jemi të detyruar të bëjmë reduktime të përkohshme në disa zona. Pa ujë do të mbesin çdo ditë nga ora 16:00 deri në ora 23:00: konsumatorët në Malishevë, Carrallukë dhe rrugën ‘Imer Krasniqi’ në Mirushë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kompania ka njoftuar se këto reduktime do të jenë në fuqi deri në një njoftim tjetër, përderisa të kryhet montimi i pompave të reja dhe të sigurohet furnizim i qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.

Autoritetet e ujësjellësit kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe kanë theksuar se janë duke punuar me intensitet për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit./PrizrenPress.com

KRU “Hidroregjioni Jugor” shkyç konsumatorët me borxhe të akumuluara

0

 

“Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A – Prizren njofton të gjithë konsumatorët se jemi duke vazhduar me shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të moskryerjes së obligimeve financiare”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se ky veprim po ndërmerret në raport me konsumatorët që kanë borxhe të akumuluara.
“Shkyçjet do të realizohen për të gjithë konsumatorët që kanë borxhe të akumuluara mbi 200 euro, të cilët nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për riprogramimin apo pagesën e detyrimeve”, thuhet në njoftim.

Kjo kompani ka bërë të ditur se krahas shkyçjes nga rrjeti i furnizimit me ujë, rastet po dërgohen për procedura edhe te përmbaruesit privat.

“Për të shmangur shkyçjen, konsumatorët mund të: riprogramojnë borxhin në zyret tona, kryejnë pagesat përmes pikave të arkëtimit të kompanisë, llogarive bankare të shënuara në faturë, Posta dhe Western Union, aplikacioni E-HRJ”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidroregjoni Jugor”. 

Sonte ndeshja e dytë e serisë finale ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës

0

Sonte, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, zhvillohet ndeshja e dytë e serisë finale ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit – një përballje që pritet të jetë e zjarrtë dhe me atmosferë të elektrizuar.

Pas fitores së ngushtë të Bashkimit në ndeshjen e parë në Prizren – e cila u luajt pa praninë e tifozëve për shkak të një dënimi që ekipi prizrenas kishte marrë nga gjysmëfinalja me Pejën – seria zhvendoset tani në Mitrovicë, ku pritet përkrahje e madhe për Trepçën nga tribuna e zjarrtë “Torcida”.

Trepça do të kërkojë me çdo kusht barazimin e serisë në 1-1 për të mbajtur gjallë shpresat për titull, ndërsa Bashkimi do të synojë një fitore të madhe në udhëtim për ta afruar edhe më shumë trofeun e kampionit.

Nuk ka dyshim – kjo ndeshje do të jetë spektakolare dhe e cila nis nga ora 19:00.

Kosova, krizë institucionesh e çmimesh të produkteve bazë

0

Është vetë politika ajo që me shembullin e saj për paaftësi të krijojë institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, madje duke dështuar hiç më pak se 11 herë për konstituimin e Kuvendit, t’ua lërë bizneseve në duart e tyre çrregullimin e çmimeve.

Qytetarët mbase, janë kategoria më e dëmtuar në këtë lojë, të cilën deshën apo jo, duhet ta përballojnë me shumë vështirësi, marrë parasysh pagat e tyre të ulëta.

Publikimi i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i muajit mars, nxjerr në pah një rritje mesatare të çmimit të produkteve të konsumit për 2.9% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9 % në muajin Mars 2025, krahasuar me muajin Mars të vitit të kaluar. Kjo kryesisht është shpjeguar me rritjen e çmimeve të konsumit siç janë kafeja, çaji dhe kakao për 17,1%, perimet për 8,7%, mishi 8,3%, qumështi, djathi dhe vezët për 7,1%, pemët për 6,7% si dhe buka e drithërat për 2,1%”, grafika e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Përveç mungesës së institucioneve, sipas ekonomistit Lulzim Beqiri, edhe vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji, për ndryshimin e tarifave në një ngritje prej 16.1%, i ka hapur rrugë ngritjes së çmimeve të produkteve bazë.

“…sigurisht që me rritjen e çmimit të rrymës dhe mos formimin e institucioneve bizneset kanë filluar të rrisin çmimet. Një ngritje veç sipas perceptimit të tyre. Buka, produktet esenciale veçse kanë filluar të rriten, por edhe gjërat e luksit…”, tha Beqiri për RTV21.

Ditëve të fundit rritja e çmimit të rrymës nga ZRrE-ja ngjalli reagime të shumta, përfshirë tri protesta si dhe padinë e shoqërisë civile të deponuar ndaj ZRRE-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Instituti “Katalea” për vrasjen e vajzës nga i ati në Prizren, alarm për reflektim dhe veprim shoqëror

0

Instituti për Psikologji dhe Kriminologji “Katalea” me seli në Prizren përmes një reagimi ka vlerësuar se vrasja e vajzës 15-vjeçare nga i ati në Prizren paraqet një thirrje urgjente për reflektim dhe veprim shoqëror.

“Ky akt i tmerrshëm nuk është vetëm një krim kundër jetës, por një akt dhune ekstreme që godet thellë themelet e familjes dhe sigurisë së fëmijëve”, thuhet në reagim.

Aty thuhet se vrasja nga prindi është një nga format më tronditëse të krimit familjar, “shpesh e shoqëruar me mungesë të sinjaleve paralajmëruese ose me injorim të tyre nga rrethi social dhe institucional”.

Gjithashtu theksohet se ky rast vë në pah një boshllëk të madh në mekanizmat e parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve, veçanërisht kur ka përfshirje të shtetasve të huaj dhe potencialisht rrethana të ndërlikuara sociale, kulturore apo juridike.

“Dhuna e përsëritur, kontrolli ekstrem ndaj anëtarëve të familjes, izolimi social, problemet psikologjike të prindërve dhe mungesa e ndërhyrjes së hershme janë faktorë që shpesh çojnë në tragjedi të tilla”, thuhet në reagim.

Tutje nënvizohet nevoja për ndërhyrje ndërkulturore dhe ndërinstitucionale.

“Raste të tilla kërkojnë një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve të sigurisë, mirëqenies sociale dhe sistemit arsimor, si dhe një ndjeshmëri kulturore në trajtimin e rasteve me shtetas të huaj”.

Në të njëjtën kohë është theksuar se parandalimi është detyrë kolektive.

“Shoqëria duhet të ndalë së relativizuari dhunën në familje. Raportimi, edukimi, dhe ndërtimi i sistemeve të forta të mbrojtjes së fëmijëve janë domosdoshmëri dhe jo opsion”, përfundon reagimi i Institutit “Katalea”.

Policia e Kosovës të mërkurën në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se një i dyshuar, shtetas i Turqisë, ka sulmuar me mjet të mprehtë dy vajzat e tij, ku njëra prej tyre nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa, tjetra ka pësuar lëndime trupore. Sipas njoftimit lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit respektivisht nëna e viktimës si dhe vet i dyshuari.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ndërsa e lënduara tjetër është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është në gjendje stabile. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Rexhaj pyetet për propozimin e Abdixhikut: Jo – nuk kemi çka ulemi, është devijim i popullit

0

Arbër Rexhaj i betuar si deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se subjekti që ky përfaqëson, nuk do ulet në tryezë për të diskutuar propozimin e Lumir Abdixhikut për qeveri tranzicioni.

Kjo anise shfaqi ankesa për mënyrën e përgjigjes së LDK-së, qoftë edhe për refuzum, e cila ua tha vetëm përmes një letre, transmeton klankosova.tv.

”Është dashtë të ulemi në tavolinë”.

”Mosulja e Abdixhikut qoftë për t’i thënë jo, qoftë për të gjetë mundësi të tjera në tavolinë, ose kur ke dallime apo për të propozuar gjëra të tjera, mund të ulesh në tavolinë edhe për ta propozuar në tavolinë një datë të zgjedhjeve – kanë frikë nga zgjedhjet në anën tjetër, dhe propozojnë gjëra të tjera”.

VV u pyet a do të uleni në tavolinë për ta diskutuar qeverinë e tranzicionit, dhe Rexhaj pasoi me komentin:

”Jo. Nuk kemi çka ulemi, ky është devijim i popullit”.

 

Rrahu gruan para fëmijëve dhe u zhduk – në kërkim i dyshuari nga Llozica e Malishevës

0

Në fshatin Llozicë të komunës së Malishevës një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe psikike të përsëritur.

Viktima është M.GJ, 27 vjeçare, e cila ka deklaruar para policisë se bashkëshorti i saj, B. D. 28 vjeçar, e ka keqtrajtuar në vazhdimësi, ndërsa incidenti i fundit ndodhi pikërisht atë ditë, kur pas një mosmarrëveshjeje verbale, ai e sulmoi fizikisht duke e goditur me grushta në regjionin e kokës dhe të shpinës.

Pas denoncimit, viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar dhe më pas është dërguar për kontroll mjekësor. Me pëlqimin e saj deklarativ, ajo është strehuar te prindërit në fshatin S. bashkë me dy fëmijët e saj.

Nga ana tjetër, i dyshuari është larguar nga vendbanimi dhe ndodhet në arrati. Policia nuk ka arritur të sigurojë prezencën e tij në momentin e raportimit të rastit.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, është iniciuar procedurë penale për “Dhunë në familje”, dhe sapo të lokalizohet i dyshuari, ai do të intervistohet dhe ndalohet për 48 orë./Sinjali