10.8 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 524

Aksident i rëndë në Krushë të Vogël, një person mbetet i ngujuar në veturë

0

Një aksident trafiku ka ndodhur pasditen e sotme në Krushë të vogël, ku për pasojë një person ka mbetur i lënduar, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga policia, si pasojë e këtij aksidenti, personi i lënduar ka mbetur i ngujuar në veturë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit.

Me ndihmën e tyre, personi i lënduar është nxjërrur nga vetura dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Lajmin për Sinjalin e kanë konfirmuar nga Policia Rajonale në Prizren.

 

Sinan Thaçi – Simboli i luftës për liri

0

Menjëherë pas kazermimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 26 prill të vitit 1998, në Drenaj të Anadrinit, ilegalja e hershme e fshatrave përreth Therandës zë të grumbullohet në Samadraxhë, Dabërdelan, Sudençan, Budakovë, Korishë e Nepërbisht, në pajtim me situatën e krijuar në terrenin e Anadrinit. Strukturimet e përmendura zhvilloheshin përreth djelmoshave të betuar e të bashkuar rreth idealit për një Kosovë të lirë, për një flamur e për bashkimin e trojeve etnike. Në krye të grupeve të ilegales qëndronin me stoicizëm të pashoq, Feim Morina, Fetah Gega, Xhavit Bajraktari e Kadri Kokollari, sot dëshmorë të kombit.

Grupet ilegale të organizuara mirë mbi bazat e një konspiracioni të thellë, duke u mbështetur mbi situatën në terren sepse në Rrafshin e Anadrinit pas pushkës së bashkëluftëtarëve të Komandantit Legjendar Adem Jashari te “Përroni i Keq”, edhe djelmoshave të fshatrave Krushë e Vogël, Qëndresë, Zojz, Medvec, Nepërbisht, Piranë e Landavicë, lidhen me Retinë, Hoçën e Vogël e Apterrushën dhe kështu zënë të forcohen shtabet operative lokale. Fshati Zojz, i organizuar nëpërmjet Këshillit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas të gjitha përgatitjeve mësynë kah Samadraxha dhe nëpërmjet Raif Gashit, Rexhë Morinës, Enver Cikaqit, Bajram Bekteshit e Feim Balës, grupi i Zojzit stërvitet në “Qafën e Pagarushës” dhe në këto stërvitje përgatiten luftëtarët Hysen Destani, Eqrem, Muharrem e Agim Grulaj, Xhavit Bytyçi, Rexhep Bardheci, Durak e Sinan Sahit Thaçi, sot dëshmor i kombit, që pushon në Kosharen e Agim Ramadanit e të Salih Çekut, pranë kushëririt Hamëz Ali Thaçi, pranë Aziz Tolajt, pranë Naim Arllatit, pranë Luan Gashit, pranë Islam Krasniqit, pranë Bekim Thaçit, pranë Ilir Hoxhës, pranë Jonuz e Ramiz Krasniqit e pranë Arben Bytyçit, me 10 dëshmorë të thyerjes së kufirit shekullor që ndante vëllanë prej të vëllait.

Sinan Thaçi është i lindur më 10 janar të vitit 1962 në fshatin Zojz të Anadrinit të Prizrenit. Prindërit e Sinanit, Sahit Thaçi, i martuar me Sevdije Kryeziun e Pagarushës, kishin dy djem e tri vajza; Sinanin, Jetonin, Xhernilen, Eminen dhe Kumrinë, ndërsa sot nën Sevdia, e mbetur pa xha Sahitin ka vetëm Jetonin, por me plotë nipa e mbesa që po rriten me krenarinë për Sinanin – dëshmor i kombit. Familja e xha Sahitit, ekonomikisht e dobët nuk premtonte shkollimin e bijëve, prandaj Sinani, me të mbaruar filloren zë të merret me bujqësi, por sa lëshoi shtatin u hyri punëve të ndërtimtarisë, si shumica e kushërinjve të zbritur në Zojz, me shpresë për një jetë më të mirë, prandaj, shumë shpejt afirmohet si ndërtimtar i zoti.

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Gjiri familjar në të cilin u rrit dhe u edukua Sinani, kishte një traditë luftarake, përherë me të parët e kyçyr në lëvizjet kombëtare, me burra që i kuptonin mirë tradhtitë që i bëheshin këtij populli. Gjyshi iu bashkua Shaban Polluzhës dhe luftëtarëve të pathyeshëm në luftë për idealin kombëtar. Si familje, Thaçët e Zojzit ishin në shënjestër të pushtetit serb dhe të ekzekutorëve serboçetnikë, prandaj edhe rrahën deri në alivanosje në stacionin policor të Krushës së Madhe, me pretekst se kanë armatim të padorëzuar. Ndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe persekutimet ndoqën edhe fshatin Zojz, sidomos familjet thaçjane, pasi që, sipas informacioneve të shërbimit sekret serb, si lagje ishin vënë në anën e studentëve që prej vitit 1968.

Shkollën fillore Sinani e bëri në vendlindje, të mesmen e nisi në Prizren por nuk e përfundoi pasi që, ndjekjet nga njëra anë, gjendja sociale veçanërisht pas vitit 1980, kur mbetet pa të anë, e detyrojnë t’i braktisë bankat e shkollës së mesme dhe t’i qaset zejes së ndërtimtarisë dhe me këtë

punë mbante tërë familjen e që shihet se herët i ra mbi shpinë barra e përgjegjësisë, prandaj 1994-1995 mori rrugën e shpresës; krahas trastës së kurbetçarit, mbante edhe një thes me ëndrra për ditë më të mira e për një fëmijëri më të lumtur të bijëve: Sahitit, Granitit e Besnikut, të cilët ia lë përgjithmonë bashkëshortes, Xhylies, që t’ia rrisë e t’i “dalin në selamet”.

Duke shtegtuar, Sinani në fillim vendoset në Slloveni, e më vonë del në Zvicër, por pushka e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe kushtrimi “Priti djemtë e Dukagjinit”, të cilin e lëshonte Luan Haradinaj nga “Qafa e Kunorës”, edhe Sinan Thaçin e kthejnë në Kosovë dhe vëhet në krye të “Djemve të Zojzit” me besën e burrave, si dikur te “Lisat e Zojzit”. Të lidhur me besa – besë, e me këngën “Besën ta kam dhanë”, Sinan Thaçi vendos ta marrë pushkën e lirisë dhe kështu, në fund të prillit 1998, shtegton itinerarin Drenaj – Zatriq – Shkozë – Dabërdelan – Samadraxhë dhe nëpërmjet Durak Thaçit, fillon jetën luftarake në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mos u ndarë për asnjë çast prej shokëve dhe gjendet në çdo skutë të Anadrinit e veçanërisht në luftimet e Fortesës e të Rahavecit.

Pas luftimeve të përgjakshme te “Lugu i Shqipeve”, më 26 korrik të vitit 1998, u bashkohet luftëtarëve të Shkozës e së andejmi zbret në Pagarushë e Dabërdelan, për të marrë pjesë në zjarrin e vijës Samadraxhë, Apterrush e Reti, e pastaj kyçet në sektorin e logjistikës dhe së bashku me grupet logjistike të Anadrinit dhe të Hasit, bart armatim dhe furnizon shokët në frontin përreth masivit malor që ndan Anadrinin prej Llapushës.

Në fshatin Reti, Sinan Thaçi është në formacionet e Xhelal Hajdës – Tonit e të Selajdin Mullabazit – Micit dhe “Djemtë e Zojzit” rikthehen në pozicionet nismëtare: Landavicë, Medvec, Nepërbisht, Zojz e Qëndresë, për të vepruar së bashku me grupin e Hasit e të Landavicës kah Maja e Pashtrikut.

Më 11 mars të vitit 1999, Shtabi i Brigadës 125, nga Retia vendosi që një grup të depërtojë në Jeshkovë e të rivendoset në rajonin e Vërrinit, por në këtë ndërmarrje ushtarake marrin përjetësinë 20 dëshmorë, ndërsa pas .bombardimeve të Aleancës Veriatlantike mbi caqet serbe, fillojnë edhe luftimet përreth masivit të Shkozës e të Gallushës, që ndan Llapushë nga Anadrini, por edhe në Bjeshkët e Budakovës dhe heroikisht mbrohen fshatrat e Llpushës e nuk bien as Kleçka legjendare as Malet e Berishës, sepse është dashur me çdo kusht të mbrohen mbi 100 mijë banorë të Anadrinit, të Llapushës e të Drenicës, të strehuar në këto male.

Pas përfundimit me sukses të kësaj ndërmarrjeje, komandant Tahir Sinani vendos që me të gjitha forcat e Zonës Operative të Pashtrikut e në bashkëveprim me drejtuesit e operacionit “Shigjeta”, të zbresë nga Malet e Berishës, Budakova, Maçiteva, Gallusha, Qafa e Pagarushës, Grabi, Balli i Vneshtit, Zatriqi, Guri i Kuq dhe t’i pozicionojë efektivet në kodrinat bri aksit rrugor Prizren – Gjakovë dhe të sulmojë: Maçakun e Prizrenit, Izbishtën e Rahavecit dhe aksin rrugor Xërxë – Rahavec, prej Hamoceve, më 26 maj e deri në fund të luftës.

Një pjesë të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, së bashku me njësitin “Arbëri”, e solli kah Hoça e Vogël, një pjesë të Brigadës 122 “Ymer Krasniqi”, në kurrizin Celinë – Rahavec, një pjesë të Brigadës 123 në Sudençan, Samadraxhë e Reti, Brigadën 124 “Gani Paçarizi” në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Celinë e Qëndresë, një pjesë të Brigadës 125 në rajonet Medvec, Zojz, Terpeticë, Landavicë, Gjonaj e Romajë, sepse Brigada 126 drejtonte thyerjen e kufirit dhe “Shigjetën”, si mbështetje për 127 dhe 128, falë kontributit të madh të Batalionit “Atlantiku”, i cili përbëhej prej bijve të mërgimtarëve tanë të përgatitur nga veprimtari Hysni Syla.

Më 29 mars 1999, pas fitoreve të përmendura, Sinani arrin për ta tërhequr dhe shpëtuar familjen, së bashku me shumë bashkëfshatarë dhe kalon në Shqipëri. Pas vendosjes së familjes, i gjen shokët dhe bashkohet për t’u rikyçur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por tash në Qendrën Stërvitore Ushtarake në Kalimash, te instruktori Binak Gashi, të cilin Sinani e njihte nga betejat e Anadrinit. Gjatë ushtrimeve në Kalimash, shquhet me shkathtësi të jashtëzakonshme, vullnet të pashoq, besnikëri të madhe e njohuri për armatim, prandaj eprori Binak Gashi e inkuadron në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, me destinacion për luftime në “Rrasat e Koshares” që ishte një kënaqësi e veçantë për Sinanin dhe kështu radhitet në Batalionin e drejtuar nga Skënder Rexhahmetaj dhe vendoset komandant i një togu për këmbësori, sepse tashmë kishte një përvojë të madhe. Këtë përvojë Sinani e demonstroi në vijat e para të frontit, në të cilat qëndronte i pathyeshëm, madje edhe në ditët kur mori lajmin për rënien heroike të kushëririt Hamëz Thaçi. Mirëpo, kah fundi i prillit, në përpjekjet për t’i tërhequr shokët e vrarë dhe të plagosur, goditet rëndë së bashku me luftëtarin e lirisë Selver Bajram Kryeziu, nga Rogaçica e Dardanës dhe merr përjetësinë duke u përshëndetur për herë të fundit me bashkëfshatarët luftëtarët e lirisë, Ilir Bytyçi e Sejdi Grulaj. Varrimi i Sinanit, e i Selverit u bë më 30 prill të vitit 1999, në Varrezat Ushtarake të qytetit Bajram Curri. Mirëpo, pas vendimit që luftëtarët e rënë në rajonin e Koshares të vendosen në shtëpitë e amshueshme, në një prozhmë në bukur në Koshare, më 23 gusht 1999, edhe trupi i pajetë i Sinan Thaçit zhvarroset dhe bëhet rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare.

Bashkëluftëtarët e Sinanit u përkujdesën që në qendër të fshatit, buzë një lumi, t’i ngrihet një lapidar, jo larg shkollës fillore të fshatit Zojz dhe shpresojnë se shkolla do ta marrë emrin e këtij luftëtari të lirisë, ndërsa tradicionalisht ky fshat, tash e shtatë vite pas përfundimit të tubimit përkujtimor të cilin e oragnizojnë për çdo 29 prill, të gjithë së bashku marrin rrugën për në Koshare për ta nderuar dëshmorin e kombit, birin e Kosovës, Sinan Sahit Thaçin, dëshmor i vetëm i këtij fshati.

Në krye të vizitorëve, përherë e fortë dhe stoike marshon me hapa burrërorë, nëna Sevdie, e përcjellur prej nipave e mbesave dhe të gjithë ushqehen me krenari kur dëgjojnë për veprat e Sinanit të tyre, e tash Sinanit të tërë shqiptarisë. (S. c.)

Studentët e Fakultetit Juridik në Prizren diskutojnë për sfidat e qasjes në drejtësi

0

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren kanë pasur rastin që të diskutojnë me gjyqtarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe ligjërues të drejtësisë, në kuadër të diskutimit me temën “Avancimi i Qasjes në Drejtësi – Sfidat dhe Rëndësia”.

Aktiviteti është organizuar nga Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë”, në partneritet me Qendra për Studime të Avancuara FIT dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit të Lëvizjes FOL panelistë kanë qenë Lavdim Makshana, gjyqtar nga Gjykata Themelore në Prizren, Tringa Kasemi nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi dhe Dardan Vuniqi ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin “Ukshin Hoti”.

“Ky diskutim synoi të thellojë debatin publik mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët. Gjatë ngjarjes, u prezantua “Udhëzuesin Praktik për Qasjen në Drejtësi”, dokument i cili ka për qëllim të fuqizojë qytetarët me njohuri ligjore dhe t’i orientojë ata në sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes FOL, raporton Telegrafi.

Ky aktivitet, sipas njoftimit, është pjesë e fushatës “Qasja në Drejtësi”, e cila do të vijojë edhe në komunat tjera për ti afruar qytetarët më pranë institucioneve dhe diskutimeve mbi qasjen në drejtësi. /Telegrafi/

Gratë e suksesshme të Malishevës diskutojnë historitë e suksesit dhe fuqizimin shoqëror

0

Zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Malishevës, Vera Bytyçi, organizoi një tryezë me temën “Histori suksesi dhe fuqizimi”, ku u diskutuan përvojat dhe historitë e suksesit të grave nga fusha të ndryshme, si arsimi, shëndetësia, politika, sektori i OJQ-ve dhe biznesi.

Sipas njoftimit, qëllimi i tryezës ishte të nxirrte në pah modelet pozitive që nxisin bashkëpunimin ndërsektorial dhe zhvillimin e qëndrueshëm në jetën shoqërore dhe politike.

Në këtë aktivitet morën pjesë: drejtoresha e SHFMU “Ibrahim Mazreku”, Rrezartë Mazreku-Kastrati, dr. Ganimete Bytyçi, Feride Hoxha, Hidajete Mazreku, Hyra Mazreku dhe Fatime Limaj, të cilat ndanë historitë e tyre të suksesit dhe përvojat e frymëzuara nga angazhimi i tyre në zhvillimin e komunitetit.

“Debati i zhvilluar mes grave të suksesshme shpërfaqi përvojat dhe historitë e tyre të suksesshme, duke përfshirë gra nga fusha të ndryshme si: arsimi, shëndetësia, politika, sektori i OJQ-ve dhe biznesi, me qëllim ndarjen e përvojave frymëzuese dhe nxitjen e fuqizimit individual dhe kolektiv në Komunën e Malishevës”, thuhet në njoftimin e komunës./PrizrenPress.com

Nga 15 në 12 qershor – Dragashi ndryshon datën e çlirimit

0

Me 21 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal i Dragashit ka miratuar sot vendimin për ndryshimin e datës zyrtare të çlirimit të komunës.

Data e re e çlirimit do të jetë 12 qershori, duke zëvendësuar datën e mëparshme, 15 qershorin, njofton Klankosova.tv.

Vendimi u mor në përgjigje të kërkesave të qytetarëve dhe organizatave të dala nga lufta, të cilët e konsiderojnë 12 qershorin si ditën e vërtetë të çlirimit të Dragashit, në përputhje me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë dhe përfundimin e luftës në vitin 1999.

Beteja e katërt

0

Gjysmëfinalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës vazhdojnë me super ndeshje këtë mesjavë.

Garat shtesë kanë dhuruar emocione dhe adrenalinë, që po vazhdon të rritet, raporton PrizrenPress.

Mesjava sjell sfidat e katërta gjysmëfinale, që janë shumë të rëndësishme. Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale. Të gjitha ndeshjet gjysmëfinale janë fituar deri më tani nga vendësit.

Në kryeqytet ndeshen Sigal Prishtina me Trepçën, në një tjetër sfidë që pritet të jetë shumë interesante. Prishtinasit synojnë fitoren dhe të barazojnë serinë në 2:2, kurse mitrovicasit të fitojnë dhe të kualifikohen për herë të katërt radhazi në finale.

Takimin e parë e fituan mitrovicasit 80:65, të dytin e fituan prishtinasit pas vazhdimeve 90:83, ndërsa të tretin mitrovicasit 67:61.

Gjysmëfinalja tjetër është po ashtu shumë interesante ndërmjet Pejës dhe Bashkimit. Prizrenasit po udhëheqin 2:1 në serinë gjysmëfinale dhe synojnë fitoren për tu kualifikuar në finale, ndërsa pejanët të barazojnë serinë në 2:2, në mënyrë që finalisti të përcaktohet në sfidën e pestë.

Portokallezinjtë fituan ndeshjen e parë 81:61 dhe të tretën 84:78 pas vazhdimeve, kurse pejanët fituan ndeshjen e dytë 84:79.

Gjysmëfinalet IV

E mërkurë

19:00 Sigal Prishtina – Trepça

E enjte

19:00 Peja – Bashkimi

Sakrifica e dëshmorit Sinan Thaçi përkujtohet në Zojz të Prizrenit

0

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të martën me rastin e shënimit të 26-vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Sinan Thaçi në Koshare dhe të Ditës së Shkollës SHFMU “Sinan Thaçi” në fshatin Zojz është organizuar ceremonia përkujtimore.

Në mesin e shumë pjesëmarrësve nga institucione, shoqatat e dala nga lufta e mysafirë të tjerë ka qenë edhe nënkryetari Kujtim Gashi.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, Gashi ka shprehur nderimin dhe respektin për veprën si dhe sakrificën e dëshmorit Sinan Thaçi, që sipas tij është një figurë e shquar e luftës për liri.

“Shkolla SHFMU “Sinan Thaçi”, që mban emrin e tij, vazhdon të jetë simbol i krenarisë për banorët e Zojzit dhe burim i rëndësishëm edukimi për brezat e rinj”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Zogjtë ‘zbresin’ në Universitetin e Prizrenit – 40 fotografi nga 12 vende dhurohen për art dhe vetëdije mjedisore

0

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka pranuar një dhuratë të veçantë nga fotografi i njohur Liridon Shala. Ai ka dhuruar për universitetin 40 fotografi të mrekullueshme të zogjve, të realizuara nga 40 fotografë të ndryshëm nga 12 shtete të botës, raporton PrizrenPress.

Këto fotografi janë pjesë e ekspozitës ndërkombëtare “Zogjtë Thërrasin” (“Birds Call”), e cila është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ekspozita përfshin fotografë nga vende të ndryshme si Kosova, Shqipëria, Italia, Zvicra, Maqedonia e Veriut, Rumania, Mali i Zi, Greqia, Franca dhe të tjera, duke sjellë një pasuri kulturore dhe natyrore për komunitetin universitar.

“Universiteti falënderon fotografët pjesëmarrës dhe në veçanti Liridon Shalën dhe Valtida Shukriun për këtë iniciativë që kontribuon në promovimin e artit, kulturës dhe mbrojtjes së natyrës në hapësirat akademike”, thuhet në njoftimin e UPZ-së.

Kjo dhuratë ka një rëndësi të veçantë për universitetin, pasi jo vetëm që zbukuron ambientet e tij, por njëkohësisht ndihmon në rritjen e vetëdijes për ruajtjen e natyrës dhe promovimin e artit bashkëkohor./PrizrenPress.com

Rrëzohet nga objekti ku ishte duke punuar, lëndohet rëndë një person në Mamushë

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person në Mamushë është rrëzuar derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi.

Rasti ka ndodhur në Mamushë, të hënën në ora 08:00.

“Lëndime të rënda trupore ka pësuar viktima mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se gjersa ishte duke punuar në një objekt në ndërtim është rrëzuar. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raport.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Inspektorati i punës, ndërsa rasti po hetohet.

Bashkimi dënohet me 3 ndeshje pa shikues dhe mbi 4 mijë euro gjobë

0

Pas incidentit të pahijshëm që ndodhi në përballjen e tretë të serisë gjysmëfinale, ku Bashkimi mposhti Pejën dhe mori epërsinë në seri 2-1, KG i FBK-së ka shqiptuar dënimet për këtë ndeshje.

Klubi i Bashkimit është dënuar me 3 ndeshje pa shikues në terren të vetë në vazhdim të kampionatit. Kështu, me këtë kuptohet që skuadra prizrenase nëse luan ndeshjen vendimtare ndaj Pejës në Prizren, nuk do të ketë ndihmën e përkrahjes së publikut.

Por, nuk mbaron me kaq, nëse portokallezinjtë shkojnë në finale, atëherë edhe aty dy ndeshjet e para si vendas nuk do të mund t’i luajnë me shikues. Kjo, po që do të jetë hendikep i madh për prizrenasit e drejtuar nga Sasa Jankovic, falë një momenti të pamatur që ndodhi 5 sekonda pa përfunduar ndeshja!

Pos kësaj, Bashkimi ka marrë dënim në total prej 4 mijë e 400 euro gjobë.

Dënimet për Bashkimin:

—Mungesa/pamjaftueshmëria e PK-së dhe sigurimit gjatë ndeshjes = 500 euro;
—Hedhja e gjësendeve të forta, që mund të shkaktojnë lëndime të lehta = 500 euro;
—Animi/sjellja josportive, sharja më kor ndaj ekipeve, gjyqtarëve, zyrtarëve, etj = 700 euro;
—Hedhja/ndezja e mjeteve piroteknike në tribuna, parket, apo në afërsi = 700 euro;
—Pjesëmarrja/realizimi i sulmit fizik ndaj lojtarëve, trajnerëve, zyrtarëve, apo përfaqësuesve të ekipeve, zyrtarëve apo zyrtarëve të FBK-së pa pasoja fizike = 2000 euro dhe 3 ndeshje pa shikues.

Dënimet për lojtarët:

—Ndërsa nga akterët në fushë të lojës janë dënuar Lejson Zeqiri i Bashkimit me 100 euro, si dhe Darryl Morsell i Pejës, me po aq, 100 euro, për gabime teknike.

Bashkimi doli dje me një sqarim për situatën e krijuar në “Sezai Surroi”, duke thënë, ndër të tjera: “Për fat të keq, për shkak të një keqkuptimi dhe reagimit jo të duhur në menaxhim të situatës nga ana e sigurimit të brendshëm, që është kontraktuar nga klubi për t’u kujdesur për sigurinë në sallë, në mënyrë të paqëllimshme ndodhi një incident dhe një situatë të papëlqyeshme, 5 sekonda para përfundimit të ndeshjes, kur rezultati ishte i qartë. Veprime këto që nuk pasqyrojnë vlerat dhe qëllimet tona sportive. Incidenti nuk ka të bëjë me asnjë nga akterët brenda fushës, as me gjyqtarët, as me klubin KB Peja, siç shihet në të gjitha videot dhe fotografitë, por ishte një incident i ndodhur në zonën e ulëseve që gjinden në parket dhe në asnjë moment akterët që gjenden brenda fushës nuk kanë qenë të atakuar…”

Seria gjysmëfinale ndërmjet Bashkimit dhe Pejës është aktualisht me rezultat 2-1 në të mirë të prizrenasve. Ndeshja e radhës luhet në Pejë. Ekipi që së pari arrin tre fitore siguron finalen e playoffit ku do të luajë me fituesin e përballjes Trepça-Prishtina (2-1)./topsporti.com/