17 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 553

Dëmet nga ngricat në Rahovec: Vreshtat dhe kulturat bujqësore përballen me humbje të mëdha

0

Ditëve të fundit, Komuna e Rahovecit është përballur me temperatura të ulëta dhe ngrica, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin bujqësor, përcjell PrizrenPress.

Në bashkëpunim me Departamentin e Vreshtarisë të MBPZHR-së, ekipet profesionale janë në terren për të bërë një vlerësim të saktë të dëmeve. Nga të dhënat paraprake, kryetari i komunës Smajl Latifi theksoi: “Dëmet më të mëdha janë në kultivarët e hershëm të rrushit, me theks të veçantë rrushi i tryezës, që në disa parcela humbjet shkojnë deri në 90%.”

Përveç vreshtave, janë prekur rëndë edhe kulturat tjera bujqësore. Sipas Latifit, “Pemëtaria, ndonëse jo shumë e zhvilluar në territorin tonë, ka pësuar dëme të mëdha nga ngricat pranverore.” Po ashtu, “Dëme të theksuara janë evidentuar edhe në sektorin e perimekulturës, veçanërisht te patatja e hershme.”

Përkundër dëmeve të pësuara, kryetari i Komunës ka apeluar për vazhdimin e procesëve agroteknikë, duke shtuar: “Apelojmë që proceset agroteknike të vazhdojnë, për të ruajtur vitalitetin e bimëve për vitin e ardhshëm tek kulturat shumëvjeçare.”

Latifi gjithashtu ka theksuar mundësinë e ndikimit afatgjatë të kësaj fatkeqësie: “Ndikimi i kësaj fatkeqësie natyrore, për fat të keq, mund të reflektohet edhe në vitin 2026.”

Komuna e Rahovecit qëndron pranë fermerëve, duke bërë fillimisht vlerësimin e dëmeve për të vazhduar më pas me masa të tjera mbështetëse. “Me ngulm kërkojmë nga Ministria e Bujqësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që ta kenë në konsideratë situatën e krijuar dhe të marrin vendimet e duhura për kompensimin e dëmeve.”

Në fund, ai apelon për veprime konkrete: “Është koha për veprim konkret dhe për të dëshmuar se bujqësia është realisht prioritet. Vetëm në këtë mënyrë mund të ruajmë motivin dhe besimin e fermerëve për të vazhduar të punojnë tokën dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe për ta ruajtur identitetin bujqësor të kësaj zone.”/PrizrenPress.com

Bashkimi fiton edhe finalen e dytë

0

Në një atmosferë fantastike dhe dramën e zhvilluar në Pejë, KBF Bashkimi ka triumfuar ndaj Peja 03 në ndeshjen e dytë të finales së Superliga Femrat, me rezultat 82:86 (21:23, 20:21, 20:23, 21:19)

Në dramën e zhvilluar në “Karagaçi”, Bashkimi shënoi fitore në finalen e dytë. Ndeshja nisi dhe u zhvillua shumë e barabrtë për të dy skuadrat, ku çereku u mbyll 21:23, derisa edhe periudha e dytë ishte thuajse e barabartë 20:23. Skuadrat shkuan në pushimë me rezultat 41:46.

Drama e vërtetë u zhvillua në dy çerekët e fundit ku nuk mungoi rivaliteti për asnjë sekondë, ku herë njëra e herë tjetra skuadër kalonte në epërsi me Bashkimin që fitoi 82:86.

Më e dalluara te Peja 03 ishte Calveion Landrum me 15 pikë, 9 kërcime dhe 8 asistime, ndërsa për Bashkimin u veçua Brooque Williams me 26 pikë, 4 kërcime dhe 4 asistime.

Finalja e tretë zhvillohet këtë të marten në Prizren, në palestrën “Sezai Surroi”, nga ora 19:00. Skuadra që arrin 3 fitore shpallet kampione e Superliga Femrat./PrizrenPress.com

Ballkani deklason Dukagjinin në Klinë

0

Dukagjini i Ismet Munishit e ka përjetuar një prej disfatave më të thella në Superligë.

Ballkani i deklasoi “Hithat” në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, duke i mundur me rezultat 5-0, raporton Klankosova.tv

Dy golat e parë i shënoi sulmuesi në top-formë i suharekasëve, Sundy Adetunji, dy të tjera Bleart Tolaj, kurse vulën e dha realizimi i Bernard Karricës.

“Xhebrailat” tani kanë shkuar në kuotën e 50 pikëve, dhjetë më pak se Drita që e udhëheq renditjen tabelare, kurse gjashtë më shumë se Malisheva e vendit të tretë.

Dukagjini nga ana tjetër, ngelët me 35 pikë, tri më shumë se Suhareka që gjendet në zonën e barazhit dhe pesë sosh më shumë se Llapi i vendit të nëntë.

Suhareka – Prishtina, Gjilani – Llapi dhe Malisheva – Drita, janë ndeshjet që e përmbyllin xhiron e 28 kampionale.

 

Mick Jagger, 81 vjeç, fejohet me balerinën 37-vjeçare

0

Legjenda e muzikës rock, Mick Jagger, është fejuar me partneren e tij prej vitesh, balerinën amerikane Melanie Hamrick.

Lajmin e konfirmoi vetë 37-vjeçarja në një intervistë për revistën Paris Match, duke zbuluar se fejesa ka ndodhur që para dy ose tre vitesh, por nuk ishte bërë publike më herët.

Edhe pse të fejuar, çifti nuk ka plane të menjëhershme për martesë. “Ndoshta një ditë do të martohemi, ndoshta jo. Jemi kaq të lumtur me jetën që kemi tani, sa më frikëson ideja e ndryshimeve,” – është shprehur Melanie.

Historia e dashurisë së çiftit nisi në vitin 2014, gjatë një koncerti të Rolling Stones në Tokio. Në atë kohë, Melanie ishte pjesë e trupës prestigjioze të baletit American Ballet Theatre dhe ishte vetëm 26 vjeçe kur u takua për herë të parë me ikonën e muzikës.

Shtatë vite më parë, çifti u bë prind i një djali, të cilin e kanë quajtur Deveraux. Sipas burimeve të afërta me çiftin, Jagger ka ndryshuar shumë falë Melanie dhe djalit të tyre.

“Mick është më i qetë tani. Melanie dhe Deveraux e shoqërojnë në turne dhe janë gjithmonë bashkë – si një familje. Kjo e ka bërë shumë të lumtur,” – u shpreh burimi për mediat amerikane.

Melanie, ndërkohë, ka komentuar edhe për diferencën e madhe në moshë mes saj dhe Jagger: “Nuk e mendoj këtë gjë. Të gjithë kanë opinionin e vet. Nëse fillon të merresh me mendimet e të tjerëve, sado ku të jesh në jetë, do të kesh gjithmonë probleme,” – tha ajo për The Sunday Times.

Aktualisht, familja jeton mes dy vendeve – në një apartament me qira në New York dhe në një kështjellë buzë lumit Loire në Francë, ku edhe djali i tyre ndjek shkollën.

Punimet për rehabilitimin e gypit të ujit nisin në Prizren

0

KRU Hidroregjioni Jugor në Prizren ka njoftuar fillimin e punimeve për rehabilitimin e gypit të ujit me diametër fi 400 mm, i ndërtuar nga materiali ACC (azbest çimento), si dhe integrimin e një burimi alternativ në sistemin ekzistues të ujësjellësit të qytetit.

Sipas kompanisë, ky projekt ka për qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe garantimin e sigurisë së sistemit për banorët e Prizrenit./PrizrenPress.com

Publikohet lista e bursave për studentët 2024/2025 në Prizren – Drejtoresha e Arsimit: Investimi më i duhur për të ardhmen

0

Komuna e Prizrenit ka publikuar sot listën propozuese të bursave për studentët për vitin akademik 2024/2025, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për mbështetjen e arsimit dhe të rinjve, përcjell PrizrenPress.

Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, tha se mbështetja për studentët është investimi më i duhur për të ardhmen.

“Nuk ka si mbyllet java më mirë se me mbështetje për studentët – investimi më i duhur për të ardhmen. Urime dhe suksese për të gjithë studentët përfitues!” – theksoi Veselaj-Gutaj

Përfituesit janë përzgjedhur në bazë të kritereve të përcaktuara dhe procesit të vlerësimit nga komisioni përkatës.

Lista e plotë është publikuar në uebfaqen zyrtare të Komunës së Prizrenit: Shiko listën këtu /PrizrenPress.com

Rregullimi i shtratit të lumit nga Shtavica deri në Fortesë vazhdon – pritet përfundimi brenda vitit

0

Komuna e Rahovecit ka njoftuar se punimet për rregullimin e shtratit të lumit nga Shtavica deri në Fortesë janë në vazhdim.

Në varësi të kushteve atmosferike, autoritetet lokale presin që ky projekt të përfundojë brenda këtij viti.

“Vazhdojnë punimet në projektin e rregullimit të shtratit të lumit nga Shtavica deri në Fortesë. Në varësi të kushteve atmosferike, ky projekt pritet të përfundojë brenda këtij viti”, thuhet në njoftim./PrizrenPress.com

Rahoveci shkruan histori: Shqipëria përballë Danimarkës në kualifikimet për futsal Euro 2026

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur sot djemtë e Kombëtares Shqiptare në futsall, bashkë me trajnerët dhe stafin e ekipit, duke shprehur mbështetje dhe përkrahje për ndeshjen historike që do të zhvillohet në Rahovec.

Të shtunën, për herë të parë, Rahoveci bëhet vendi ku shkruhet historia: Palestra ‘Mizahir Isma’ do të presë ndeshjen zyrtare Shqipëri–Danimarkë, në kuadër të kualifikimeve për Futsal Euro 2026.

Komuna e Rahovecit fton çdo qytetar që të jetë të shtunën aty, në orën 19:00, për të përkrahur Kombëtaren Shqiptare dhe për të bërë pjesë të këtij momenti historik.

Suksese ekipit të Kombëtares në Futsall!/PrizrenPress.com

Rahovec, forcohet koordinimi institucional në luftën kundër dhunës me bazë gjinore

0

Në Komunën e Rahovecit është mbajtur mbledhja e parë e rregullt për tremujorin e parë të vitit 2025 e Mekanizmit Koordinues kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore. Mbledhja u kryesua nga Zyrtari për Barazi Gjinore, Alban Gashi.

Në njoftimin e komunës thuhet se gjatë takimit u shqyrtua rregullorja e re e mekanizmit, e cila ndër të tjera parashikon që kryetari i komunës, si autoriteti më i lartë administrativ, të udhëheqë mbledhjet e këtij mekanizmi.

Po ashtu, anëtarët e mekanizmit prezantuan të dhënat dhe statistikat për rastet e raportuara gjatë tremujorit të parë të këtij viti, me qëllim të analizimit të gjendjes aktuale dhe forcimit të koordinimit ndërinstitucional për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës./PrizrenPress.com

Komuna e Prizrenit njofton për rindërtimin e Kadastrit në Zhur, Lez, Landovicë, Lubinje e Pllanjanë

0

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se Agjencia Kadastrale e Kosovës do të fillojë rindërtimin e Kadastrit në zonat Zhur, Lez, Landovicë, Lubinje e Poshtme dhe Pllanjanë.

Qëllimi i projektit, sipas komunikatës së Komunës së Prizrenit, është harmonizimi i gjendjes faktike në terren me të dhënat në Kadastër.

“Përfitimet kryesore nga ky projekt janë: Zyrtarizimi i të drejtave pronësore jo kontestimore mbi pronat e paluajtshme, për rastet e trashëgimive; Zyrtarizimi i shitblerjeve të kryera përmes marrëveshjes jo formale/gojore; Realizimi i matjeve gjeodezike dhe përgatitja e dosjeve për proces të legalizimit”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se faza e parë e këtij projekti është takimi informues me banorët e zonës ku do të njoftohen për planin e rindërtimit, dinamikën e realizimit dhe rëndësinë e tij; obligimet dhe përgjegjësitë e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Zyrës Kadastrale Komunale dhe Komunës; obligimet e Operatorit Ekonomik në zbatimin e planit të rindërtimit, dhe të drejtat dhe obligimet e banorëve të Zonës Kadastrale në procesin e rindërtimit.

“Të gjitha punët dhe aktivitetet në kuadër të këtij projekti do të kryhen pa pagesë”, përfundon njoftimi.