17.6 C
Prizren
E enjte, 11 Shtator, 2025
Home Blog Page 8746

“Ngjallën” të vdekurit për votime

0

Lista e votuesveKanë ndërruar jetë vite më parë, por emri i tyre ekziston akoma në listën e zgjedhësve. Ferat Zhdrella, Osman Gajtani, Ajmone Hysenaj e Petrit Sherifi, tashmë të ndjerë, janë vetëm disa nga emrat të cilët figurojnë në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Familjarët e tyre, ndonëse në shtëpi i kanë certifikatat e vdekjeve të të afërmve, emri i tyre nuk është fshirë. Kjo tregon më së miri se KQZ-ja nuk ia ka dalë që t’i pastrojë tërësisht listat e zgjedhjeve, emrat e personave të cilët kanë vdekur. Ky institucion është arsyetuar se mund të ketë lëshime në disa raste, por shumica e listave tashmë janë pastruar derisa thonë se listat janë të përpiluara nga regjistri civil.

Sipas KQZ-së, ndodh që çdo ditë të vdesin njerëz dhe të shtohet numri i atyre që mbushin 18 vjet dhe nga kjo situatë mund të ikë ndonjë emër, raporton KTV.

Një situatë e tillë ngre shqetësime për partitë opozitare, të cilat frikësohen se mund të përsëritet ngjarja e zgjedhjeve të kaluara, duke u manipuluar me votat e votuesve.

LDK-ja vlerëson se KQZ-ja ka arritur të heqë nga lista 30 mijë emra, megjithatë lista mund të mos jetë e pastruar tërësisht. Lëvizja e Albin Kurtit, Vetëvendosje, kujton marrëveshjen trepalëshe Thaçi-Mustafa-Pacolli, sipas së cilës ekskluzivisht do të merreshin me zgjidhjen e problemeve të procesit zgjedhor, por kjo nuk ka ndodhur, thotë VV-ja. Ndërkaq, AAK-ja frikësohet se kur po afrohen zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, mospastrimi i listave do të lë hapësirë për manipulim të votave.

Ndërprehet spërkatja kundër rriqrave në Malishevë, dëmtohen bletët

0

Malisheva-dezenfiktimi rriqraveËshtë ndërprerë për disa ditë spërkatja e zonave të rrezikuara nga pickimi i rriqrave në rajonin e Malishevës. Ndërprerja është bërë pas reagimit të Shoqatës së Bletarëve të Kosovës, sipas së cilës, janë dëmtuar rreth 40 deri në 50% shoqëri të bletëve, si pasojë e kësaj spërkatjeje.

Kreu i Shoqatës së Bletarëve të Kosovës, Salih Bytyçi, thotë se ata nuk u njoftuan paraprakisht për efektet e kësaj spërkatje dhe gjithashtu nuk u njoftuan as për kohën e spërkatjes, raporton KTV. Bytyçi thekson se nëse kjo spërkatje do të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme ashtu siç është e kontraktuar kompania, atëherë dëmi në bletari do të jetë shumë i madh.

Përfaqësuesit e kompanisë “Truly Nolen” nuk e mohojnë se në fazën e parë të spërkatjes janë dëmtuar bletët, por, siç thonë ata, nuk ekziston rreziku i zhdukjes së kolonive të tyre. Madje, ata paralajmërojnë se në të ardhmen do të mund të ketë ende dëme në bletë, si shkak i spërkatjes.

Alban Gunga thotë se që nga e hëna do të vazhdojë faza e dytë e spërkatjes së fshatrave në rajonin e Malishevës. Deri më tani janë spërkatur fshatrat Astrazub, Dragobil, Burim dhe Balincë.

Salustro kundër idesë që Kosova të ketë gjykatë speciale për krime lufte

0

Salustro-prokurorProkurori i EULEX-it, Maurisio Salustro, është shprehur kundër idesë lidhur me atë se a ka Kosova nevojë për gjykatë speciale apo departament të posaçëm për krime lufte. Qasja në Gjyqësor, sipas Salustros, është shumë e lehtë dhe Kosovës i mjaftojnë këto gjykata dhe departamente që i ka. Të gjitha këto Salustro i tha në debatin, i cili u organizua nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Edhe panelistë të tjerë që morën pjesë në këtë debat, janë shprehur kundër themelimit të gjykatës speciale, por më shumë e kanë përkrahur themelimin e një departamenti. Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, ka thënë se nëse themelohet kjo gjykatë, Kosovës i duhen shumë kapacitete dhe sipas tij, në atë gjykatë nuk duhet të gjykohen vetëm shqiptarët, por edhe të tjerët, raporton KTV.

Në këtë tryezë ka pasur edhe diskutime të tjera të ekspertëve lidhur me gjykimet për krime lufte, si dhe rolin e tyre në realizimin e të drejtave të viktimave dhe familjeve të tyre.

Rreth 11 mijë maturantë sprovuan dijen në pjesën e dytë të Testit të Maturës

0

Testi matures-gushtNë organizim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe bashkëpunim të Drejtorive Komunale të Arsimit, sot në 31 komuna të Kosovës është mbajt pjesa e dytë e provimit të Maturës Shtetërore 2013 – afati i gushtit.

Në këtë test, sprovuan dijen e tyre rreth 11 mijë maturantë të cilët nuk kishin sukses në afatin e qershorit por edhe në vitet e më parme, ndërsa për administrim të suksesshëm, MAShT ka angazhuar rreth 860 administrator (zyrtarë të MAShT, mësimdhënës dhe profesor të universiteteve publike).

Zëvendësministri i Arsimit, njëherësh kryetar i Komisionit Qendror Shtetërorë të Maturës, Nehat Mustafa i shoqëruar nga drejtori i DKA-së në Ferizaj Agim Berisha, vizituan gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj ku po zhvillohej Testi i Maturës.

Me këtë rast Mustafa ndër tjera tha se sot pamë një organizim dhe administrim të mirë të testit dhe se për këtë qëllim kemi angazhuar rreth 860 administrues mbi 350 komisioner dhe kemi caktuar edhe monitorues nga Universitetet Publike të Kosovës .

“Sipas informatave që kemi nga terreni, çdo gjë ka shkuar në rregull dhe se çdo kund testi ka filluar me kohë, nuk kemi vonesa kurse publikimi i rezultateve do të bëhet më 16 shtator. Ndërkaq më 20 shtator do të bëjmë publikimin e ankesave dhe rezultatet e ankesave të cilat do ti shqyrtojë komisioni përkatës, çka do të thotë se do të jetë koha e mjaftueshme për ata maturantë që kalojnë që ti nënshtrohen konkurseve për universitet publike”, ka thënë Mustafa./PrizrenPress.com/

Partitë angazhojnë kompani për fushatë

0

Afishet e partivePavarësisht se më 3 nëntor kosovarët do të zgjedhin përfaqësuesit lokalë, partitë politike e kanë marrë seriozisht garën.

Shumica e partive politike kryesore thonë se e kanë ndërmend që të angazhojnë edhe kompani marketingu për t’ua bërë fushatën për zgjedhjet e nëntorit.

Kështu, në PDK, LDK, AAK dhe AKR kanë thënë se do të angazhojnë kompani dhe individë për përgatitjen e fushatës zgjedhore, derisa Vetëvendosje pritet ta organizojë vetë gjithë kampanjën zgjedhore.

Në zgjedhjet e fundit, pothuajse të gjitha subjektet politike patën angazhuar kompani të specializuara në fushën e komunikimit publik për fushatën zgjedhore.

Zyrtarët e PDK’së, të cilët s’kanë dashur t’iu përmendet emri, kanë thënë se do të ndjekin modelin e zgjedhjeve të fundit dhe do të angazhojnë njerëz dhe kompani të dëshmuara në fushën e zgjedhjeve.

Edhe Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova ka thënë se kanë themeluar Shtabin Zgjedhor, por ende nuk kanë vendosur për kompaninë që do t’ua përgatisë zgjedhjet.

Ai ka thënë se në ditët në vazhdim do të vendoset nëse do të angazhojnë kompani vendore ose ndërkombëtare të marrëdhënieve me publikun.

“Ende nuk kemi vendosur se cilën kompani do të angazhojmë. Por, në ditët në vazhdim do të marrim vendim se kush do të na e përgatit fushatën tonë”, ka thënë Rugova, për Gazetën Express.

Edhe në AAK kanë thënë se janë në fazën finale për të marrë një kompani për zgjedhjet lokale.

Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Besnik Tahiri ka thënë se ende nuk është vendosur se a do të jetë kompani vendore apo ndërkombëtare.

“AAK në të gjitha fushatat ka bashkëpunuar me kompanitë të ndryshme. Gjithsesi, edhe në këto zgjedhje do të angazhojmë dhe kjo është detyrë e Shtabit Zgjedhor. Besoj se shumë shpejt do të bëhet e ditur për shkak se ne duhet të përgatitet materiali i nevojshëm zgjedhor”, ka thënë Tahiri.

Ai ka treguar se pa përfunduar shorti në KQZ për renditjen e partive politike nuk do të angazhohet as kompania e PR’it.

Ndryshe prej partive tjera, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur përsërit të mos angazhoj asnjë kompani për t’ia përgatitur fushatën.

Zëdhënësi i VV’së, Erzen Vraniqi ka thënë se Vetëvendosje s’ka nevojë të angazhojë kompani, pasi krejt fushatën do ta bëjnë vetë.

“Ne fushatën do ta bëjmë vetë. S’kemi as mjete për me harxhu. Fushata jonë do të jetë modeste dhe nuk do të angazhojmë kompani”, ka thënë Vraniqi, për Gazetën Express.

Ndryshe, zgjedhjet lokale mbahen për herë të parë në krejt Kosovën, derisa partitë politike kanë përzgjedhur njerëzit që i konsiderojnë më të mirët për Kryetarë të komunave.

Gara më e fortë pritet të jetë në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, e Viti për shkak se fuqia partive politike nuk dallon shumë njëra prej tjetrës.

Kosova dhe disa probleme të saj

0

Krasniqi-Jakup5-21Shkruan: Jakup Krasniqi

Kosova sigurisht që ka shumë probleme, të cilat është vështirë të numërohen që të gjitha. Por këtyre ditëve të nxehta vere janë shfaqur në formë të përsëritur, më të theksuar dhe gjithsesi janë shqetësuese dhe me të drejtë kanë ngjallur shqetësim tek qytetarët tanë.

Në këtë rast do t’i veçoja disa syresh:

1. Siguria dhe sundimi i ligjit në Kosovë

Siguria dhe sundimi i ligjit në Kosovë lë për të dëshiruar shumë, madje tepër shumë. Siguria edhe katërmbëdhjetë vjet pas luftës çlirimtare e pesë vjet pas pavarësisë vazhdon të jetë tepër e brishtë. Vazhdon të udhëhiqet nga njerëz që nuk janë aspak kompetentë e të përgjegjshëm për t’ju përshtatur rrethanave tona. Ky nivel i dobët i pasigurisë që kemi për jetën, për familjen, për punën dhe pasurinë vazhdon të stimulohet edhe nga mosveprimi e mosfunksionimi profesional dhe efikas i Sistemit të Drejtësisë, dhe këtu para së gjithash mendoj në Prokurorinë e Shtetit dhe në Gjykatat tona si mekanizmat më përgjegjës për sundimin e rendit e të ligjit. Shumë forma të krimeve deri dhe ato ordinere po mbesin të pazbardhura dhe për pasojë edhe të pandëshkuara. Pra, qytetarëve tanë, para çdo gjëje u duhet garancia për jetën, për familjen, për pronën, për lirinë e fjalës, të lëvizjes së njerëzve e të mallrave, të punës e të organizimit demokratik në përgjithësi. Kështu nuk ndërtohet shteti i se drejtës, kështu nuk mund të këtë drejtësi sociale dhe perspektivë për qytetarët. Kështu dhe duke u lënë hapësirë fundamentalizmave primitiv ngado që vijnë ato (edhe ato të stilit të DDB-ës), nuk mund të integrohemi në vlerat Veri-Atlantike. Ne duhet ta saktsojmë qartësisht nga duhet të shkojmë: aty ku ishte synimi ynë historik apo aty ku ishte imponimi historike. Ne kameleon nuk duhet të bëhemi as në raport me perëndimin e as me lindjen. Rruga e jonë e pa alternativë, është integrimi në institucionet Veri-Atlantike.

2. Privatizimi i Postës dhe Telekomit (Valës)

Për çështjen rreth privatizimit të Postës dhe Telekomit (Valës) të Kosovës me kohë i kam renditur një sërë parregullsish të argumentuara mirë ndaj të cilave është dashur të reagojnë të gjitha pushtetet përgjegjëse. Kjo nuk ka ndodhur, që do të thotë është keq, madje tepër keq për shetin tonë të ri. Kjo që po ndodh këtyre ditëve, me këtë vonesë alarmante të kontratës së privatizimit të Valës është një dëshmi më tepër se në këtë shitje ka pasur dhe ka parregullsi të shumta. Edhe ekspertët tanë të posttelekomit kanë përsëritur në kontinuitet vërejtjet e argumentuara, por ato vërejtje kanë hasur në veshë të shurdhër. Kush duhet të reagojë ndaj kësaj parregullsie, nëse jo qeveria si pronare e pasurisë së shtetit dhe prokurori i shtetit?!

Papërgjegjësia e të parëve të politikës sonë, paaftësia e tyre për të drejtuar vendin e porsadalë nga lufta e egër, moskomunikimi i atyre njerëzve për interesin kombëtar, mosafrimi i ekspertëve të lëmenjve përktës rreth vetës, u ka lënë hapësirë matrapazëve vendorë e ndërkombëtarë të shkatërrojnë ekonominë e vendit. Ata lejuan sundimin e krimit e të kaosit në segmentet kryesore të jetës në Kosovë. Prishtina, kryeqyteti ynë është shembulli më i keq i kaosit urban, por as qytetet tjera nuk mbesin prapa. Prishtina dhe Kosova duhet të ndryshojnë, por a mund ta ndryshojnë ata që e kanë sjellë këtë gjendje? Këta njerëz, krejt çka kanë pasur mundësi dhe kanë ditur e kanë treguar, këta nuk dinë as më shumë e as më mirë. E çka është edhe më keq, ata as nuk dojnë të bëjnë punë të mira për vendin. Ata gjithëçka kombëtare ia kanë nënshtruar interesave personale. Riciklimi i tyre në cilëndo formë do të thotë riciklim i krejt asaj që kemi përjetuar gjatë viteve të shkuara. Zgjedhja do të jetë vetëm duke ndjekur rrugë të reja qeverisëse.

3. Skandalet ministrore

Është shqetësuese edhe rritja e skandaleve të ndryshme në institucionet tona, si në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe, sidomos, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, aty ku është edhe pasaporta kryesore e përfaqësimit të Kosovës në botën e jashtme. Dikush ata njerëz i ka emëruar në ato pozita dhe për këtë duhet dhënë sa më parë dorëheqje, por si duket dorëheqja si akt moral është në shoqëritë që kanë përgjegjësi e moral. Tek ne përgjegjësia dhe morali vazhdojnë të jenë malli më deficitar që ka Kosova sot. Së paku këtë e kemi parë gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës. Shqetësuese është edhe mënyra sesi vendosen njerëzit në drejtimin e të ashtuquajturave Institucione të Pavarura Kushtetuese si dhe mënyre sesi funksionojnë ato. Shqetësuese është mendjelehtësia e pranimit të detyrave të larta shtetërore si dhe dhënia e atyre përgjegjësive shtetërore nga përfaqësuesit e “zgjedhur” të popullit. Kjo legjislaturë (mos u përsërittë më), i konfirmon më së miri këto që u thanë. Asnjë nga ato institucione nuk udhëhiqen nga drejtues të mirë dhe ekspertë, pra ashtu siç parashihet me ligje. Pse veprohet kështu? Si duket qëllimi është për të pasur të gjitha institucionet vetëm një “shef” që vranë e kthjell. Kjo praktikë e shëmtuar duhet të ndërpritet. Kështu, si kemi vepruar deri sot, nuk ndërtohet shteti i se drejtës që ishte dhe është aspiratë e brezave. Ky qelbëzim institucional duhet të nderpritet me votën e qytetarëve të Kosovës.

4. Edukimi dhe arsimi

Edukimi dhe arsimi vazhdon të jetë një problem serioz në republikën tonë. Edhe shfaqjet e mungesës së edukatës në familjet e politikanëve duhet marrë me shqetësim do të thoja tepër të madh. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për deliktet e kryera kundërvajtëse a penale, por edhe për shpejtësinë e avancimit me mjetet më moderne e tepër të kushtueshme, si dhe me posedimin e palejueshëm e të paarsyeshëm të armëve sikur ato të ishin lodra fëmijësh.

Mua personalisht me vjen keq për gjeneratën e re, e cila do të duhej të kishte preokupime të tjera për veten, për familjen, për kombin dhe për vendin, sesa të bëhen objekte sulmi me të drejtë apo pa të drejtë. Politikanët, prindër të këtyre fëmijëve duhet të reflektojnë seriozisht, pasi ata nuk mund të amnistohen nga papërgjegjësia e skandalet e madha që u kanë dalë në sipërfaqe. Ata duhet ta kuptojnë në plotni peshën e përgjegjësisë publike që kanë marrë, sido që e kanë marrë atë.

Madje ata duhet ta dinë se, marrja e medieve të ndryshme me fëmijët e tyre adoleshentë, është tek papërgjegjësia e tyre politike, tek skandalet e tyre të përsëritura e jo tek faji i adoleshentëve. Përgjegjësia publike kudo e ka koston e vet bukur të rëndë, as në Kosovë nuk do të duhej të ishte ndryshe. Gjithsesi, adoleshentët në një shoqëri të civilizuar nuk do të duhej të bëheshin target i medieve profesionale që ndiejnë një përgjegjësi publike edhe kur prindërit e tyre janë personalitete politike. Ato, mediet, duhet të jenë oponencë e politikës në përgjithësi e jo e adoleshencës e cila meriton një përkujdesje tjetër të mbarë shoqërisë sonë e sidomos të të gjitha niveleve të edukimit e të arsimit të organizuar publik. Në raste të tilla target sulmesh e kritikash mediale do të duhej bërë sistemi i edukimit tek ne, si ai publik e po ashtu edhe ai privat.

A kemi pyetur ndonjëherë: Si funksionon Agjencia e Akreditimit e Kosovës? Cila është përgjegjësia e drejtuesve të kësaj Agjencie? Si u vendosën ata njerëz aty dhe mbi bazën e cilave kritere? Kur dhe ku ata dhanë prova se mund t’u besohet një përgjegjësi e nivelit të tillë kombëtar e profesional të një rëndësie të veçantë?!

Jam i bindur se me mënyrën sesi e kemi trajtuar sistemin e arsimit në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti, vendit dhe popullit tonë ia kemi garantuar stagnimin e përjetshëm. Populli dhe rinia jonë nuk e meritojnë këtë ndëshkim që po ia bëjnë kapadainjtë e politikës së muskujve, apo ata të shekullit të shkuar. “Vizionin” e këtyre njerëzve e kemi provuar tashmë thuaja 15 vjet, i cili nuk na shpie askund, veç në gllabërimin e pasurisë publike e kombëtare. Shtetarë vizionarë i duhen këtij vendi dhe këtij populli. Unë besoj që njerëz të tillë ka populli ynë, por ai duhet t’i gjejë vetë ata. Vota e vjedhur, e blerë apo e shitur dhe asnjë formë tjetër inskenimi a injektimi nuk i sjellë ata në drejtimin e shtetit. Këtë e kemi parë, si gjatë këtyre viteve të pasluftës si dhe gjatë 100-vjeteshin të shqiptarëve.

Po zhvillohet Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë

0

Pogradec-festivali filmitFestivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë, përveç promovimit të filmave dhe njohjen e publikut me to, ka për qëllim edhe promovimin e resurseve turistike të qytetit të Pogradecit.

Edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë që po zhvillohet në qytetin e Pogradecit, ka ngjallur kureshtjen e mjaft vizitorëve dhe dashamirësve të filmit. Festivali nisi në datën 2 shtator dhe do të përfundojë në datën 7, ku më pas do të shpallen çmimet për filmat fitues. Përgjatë këtyre ditëve në këtë event do të shfaqen para publikut rreth 60 filma, me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, nga vende të ndryshme ballkanike, përfshi këtu edhe Kosovën.

Përveç kinematografisë, organizatorët kanë menduar të sjellin edhe kuzhinën tradicionale të vendeve pjesmarrëse. Kinematografia dhe kulinaria kanë erdhur së bashku në këtë festival. Për çdo ditë ofrohet dreka me gatime tradicionale të një prej vendeve ballkanike.

Si çdo vit në Festivalin Ballkanik krahas kineastëve marrin pjesë edhe figura të njohura të kinematografisë. Vizitorët e shumtë kanë mundësi të takojnë edhe aktorë të mirënjohur të skenës shqiptare dhe jo vetëm.

Në një prononcim për mediat, kineasti Eno Milkani, tha se qëllimi kryesor i këtij eventi është që të sjellë së bashku vlerat më të mira të ballkanit dhe shkëmbimi i eksperiencave. Sipas tij, këtë vit ka patur edhe shumë prurje nga kineastë të rinj dhe kjo është diçka shumë pozitive.

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë, përveç promovimit të filmave dhe njohjen e publikut me to, ka për qëllim edhe promovimin e resurseve turistike të qytetit të Pogradecit.

Kërkohet vendosja e shenjave të trafikut nëpër shkolla të Suharekës

0

Kujdes femijet-shkollaKomandant i stacionit policor në Suharekë, Major Arsim Berisha, në takimin e rregullt javor të koordinimit për siguri lokale, ka thënë se policia po angazhohet për të siguruar lëvizje të lirë dhe të qetë nëpër ambientet shkollore.

“Për këtë ne kemi fotografuar të gjitha shkollat në Komunë dhe kemi hasur se në shumë ambiente shkollore mungojnë shenjat e trafikut”, tha Major Berisha.

Ai tha se kanë kërkuar nga autoritetet komunale që të vendosen shenjat e trafikut dhe të sigurohet qarkullim i lirë për nxënësit./PrizrenPress.com/

VV-ja në Malishevë: Pushteti lokal e ka shndërruar arsimin në fole të partisë

0

Malisheve-Vetevendosje7-18Lëvizja Vetëvendosje! në Malishevë, ka akuzuar pushtetin lokal për degradimin e sistemit të arsimit në Komunë, që e kanë sjellur buzë greminës duke e shndërruar arsimin nga tempulli i dijës në fole të partisë. Edhe këtë vit pushteti aktual përmes Drejtorisë së Arsimit e shfrytëzoj konkursin publik për të shtrirë ndikimin e partisë, për të shantazhuar punëtoret e arsimit, për të realizuar interesa partiake e familjare si dhe për të eliminuar kuadrat profesionale ngjashëm si në kohen e diferencimeve politike.

“I tërë procesi i rekrutimit të mësimdhënësve nga fillimi e deri në fund është përcjellur me shkelje ligjore. Shpallja e konkursit me pozitat përkatëse nuk është bërë në bazë të një analize paraprake, por për qëllime dhe kalkulime politike e nepotiste. Me qindra mësimdhënës të cilët kanë aplikuar për vende pune janë maltretuar duke pritur në ankth me ditë të tëra pa marrë as më të voglin informacion për vendin, kohën dhe mënyrën e intervistimit. Ata janë thirrur në intervistë vetëm pak orë para se të intervistohen”, thuhet në kumtesën e VV-së.

Sipas VV-së, procesi i intervistimit të mësimdhënësve ka qenë skandaloz, paneli intervistues përveç se nuk ka qenë profesional ai edhe nuk ka hartuar lista me pyetje siç e parasheh ligji, nuk e ka bërë vlerësimin e mësimdhënësve sipas kritereve të parapara, në shumicën e rasteve pyetjet kanë qenë të karakterit politik dhe provokativ ku të intervistuarve iu janë bërë kushtëzime që nëse dëshirojnë një vend pune duhet të sigurojnë që do të votojnë me familjet e tyre PDK dhe të jenë në shërbim të Partisë gjatë kohës së zgjedhjeve.

“Në shumë raste intervista nuk ka zgjatur më shumë se sa dy minuta. Njoftimi për pranim apo mospranim në punë nuk është bërë publik asnjëherë. Njoftimet për rezultatet e intervistës janë bërë me vonesë duke tejkaluar afatet ligjore, janë bërë me telefon në mënyrë shumë private. Ndërsa nuk ka pasur njoftim publik për kandidatët që nuk janë pranuar duke shkelur edhe ligjin e punës nenin 8 të këtij ligji”.

Këtë vit diskriminimi, shkeljet, përjashtimet kanë qenë edhe mbi bazën e vendbanimit duke i përjashtuar mësimdhënësit nga komunat tjera edhe pse të njëjtit kanë pasur përgatitjen e duhur profesionale për të ushtruar punën e tyre. Ky vendim antiligjor ka përcjellur pasojën e largimit të mësimdhënësve të Malishevës në komunat e tjera.

“Ky pushtet i cili është ndarë edhe përbrenda tij nga klanet e interesave të ngushta dhe tani nuk zgjedh mjete për t’ia siguruar mbijetesën vetes, tashmë kur rënia e këtij pushteti në sytë e qytetarëve është akt i kryer, ai vazhdon presionin maksimal ndaj personelit arsimor”, thuhet në kumtesë.

Vetëvendosje! shpreh shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve e cila po kanoset nga ky pushtet, i cili përveç që ka degraduar segmentin e arsimit ai ka degraduar ç’do segment të jetës publike. Sipas VV-së, kjo që po ndodhë me arsimin në Komunën e Malishevës na rikthen në periudhat më të errëta të diferencimit politik ku pushteti i atëhershëm bënte gjithçka për të shkatërruar mësimin shqip. Përgjegjësinë për këtë degradim e mban pushteti aktual në nivel qendror dhe lokal si dhe Kryetari i Komunës së Malishevës Isni Kilaj, Drejtori i Arsimit Isuf Morina dhe bashkëpunëtorët e tyre./PrizrenPress.com/

Pa luftim të korrupsionit nuk ka marrëdhënie të mira me BE-në

0

Grupi për Studime Juridike dhe PolitikePa rezultate konkrete të Institucioneve të vendit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të vendosen marrëdhënie normale me Bashkimin Evropian, vlerëson Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ky grup ka prezantuar raportin e tretë me radhë, “Procesi i liberalizimit të vizave: Një matriks vlerësimi mbi të arriturat dhe sfidat”.

Raporti vë në pah arritjet, por edhe identifikon dështimet e institucioneve të Kosovës në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raporti i parë i vlerësimit të Komisionit Evropian, por edhe identifikon sfidat dhe dështimet e Kosovës në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, që përfshin periudhën Qershor 2012 – Gusht 2013.

Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka potencuar se Kosova ka bërë progres të dukshëm në miratimin e pakos legjislative që kanë të bëjnë me ligjet anti-korrupsion dhe ligjet tjera që lidhem me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por zbatimi i tyre mbetën një ndër kritikat kryesore që Komisioni Evropian në vazhdimësi po adreson në drejtim të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës nuk kanë treguar progres të dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e drejtësisë duhet të kuptojnë se pa hapa dhe rezultate konkrete të prekshme dhe të matshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të vendosim marrëdhënie normale me Bashkimin Evropian. Kjo gjë po reflektohet dukshëm në procesin e liberalizimit të vizave, ku blloku më i rëndësishëm në këtë fushë është rendi dhe siguria publike, ku progresi i Kosovës në këtë fushë është shumë i vogël”, ka pohuar ai.

Mungesa e ligjit mbi përgjimet është një kërkesë tjetër e BE-së, e cila kërkon të jetë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që janë në implementim. Ndërsa financimi i partive politike mbetët njëra ndër çështjet kryesore që institucionet gjegjëse duhet të adresojnë.

Një rekomandim tjetër i Komisionit Evropian, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ka të bëjë me zgjedhjet lokale, ku kërkohet organizimi dhe evidentimi i mirë i këtyre zgjedhjeve, pasi që kjo çështje, sipas Dolit, mbetet kryesore që KE do të fokusohet në vlerësimin nëse institucionet e Kosovës kanë maturin dhe gatishmërinë e mjaftueshme për të krijuar një shtet ligjor.

Njëkohësisht, ky grup ka dhënë edhe rekomandimet për institucionet e vendit, të cilat duhet të merren me seriozitet, në mënyrë që të përmbushin sa më parë rekomandimet në kuadër të udhërrëfyesit deri në fund të këtij viti, nëse dëshirojnë që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë vitin e ardhshëm.