22.6 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 560

Vazhdon operacioni i kërkim-shpëtimit për 27-vjeçarin në Has që u zhduk pasi doli për të prerë dru

0

Po vazhdon operacioni i kërkim-shpëtimit për 27-vjeçarin nga fshati Kishaj në Has, i cili rezulton i zhdukur nga dje, pasi kishte shkuar në pyll për të prerë dru.

Reporteri.net ka siguruar disa pamje nga vendi ku po zhvillohet operacioni i kërkim-shpërtimit nga anëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.

“Sot, më 07 Prill 2025, ka nisur operacioni i kërkim-shpëtimit në zonën malore të Pashtrikut (Hasi), në Rep. të Shqipërisë. Operacioni po realizohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe ekipin e motoçiklistëve të specializuar dhe ekipin për vëzhgim me dron, për të gjetur shtetasin A.R., 26 vjeç, i cili është raportuar i zhdukur në këtë zonë. Terreni është i vështirë dhe kërkimi po vazhdon me intensitet. Lutemi qytetarëve që kanë ndonjë informacion të njoftojnë autoritetet”, thuhet në njoftim.

67 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2047 gjoba në trafik dhe janë shënuar 67 aksidente në trafikun rrugorë.

Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, një aksident me fatalitet, 27 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 40 me dëme materiale.

Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 12 persona, 7 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

Fahrije Hoti çon në Athinë rrëfimin historik frymëzues të grave të Krushës

0

Një bashkëbisedim i jashtëzakonshëm me zonjën Fahrije Hoti, iu është ofruar audiencës greke për të njohur historinë e saj frymëzuese të ringritjes pas luftës dhe suksesin e saj në biznes.

Në një ngjarje të mbushur me pyetje nga publiku, Hoti ndau rrugëtimin e saj që ka nisur nga zero pas luftës në Kosovë, kur ajo bashkoi gratë dhe vajzat e Krushës dhe themeloi një nga bizneset më të suksesshme të Kosovës – fabrikën e grave të Krushës, transmeton klankosova.tv.

Ajo tregoi se, pas një të kaluare të dhimbshme, ka arritur të kthehet në një shembull të forcës dhe qëndrueshmërisë, duke u përqendruar në të ardhmen dhe mundësitë që ajo ofron për gratë dhe për të gjithë Kosovën.

Gjatë ngjarjes, ajo foli për rëndësinë e pasurimit të mundësive për gratë dhe ndihmën që biznesi i saj ka ofruar në zhvillimin e komunitetit.

Pjesëmarrësit, përfshirë diplomatë, artistë dhe anëtarë të komunitetit grek dhe shqiptar, gjithashtu patën mundësinë të shohin filmin HIVE, i cili i dedikohet jetës dhe punës së palodhshme të Fahrije Hotit.

Ky bashkëbisedim u mundësua nga bashkëpunimi i Zyrës së Kosovës në Athinë dhe Universitetit Webster në Athinë.

.

Nesër fillon ndërtimi i rrethrrotullimit të ri në Prizren

0

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të martën, më 8 prill 2025, do të fillojnë punimet për ndërtimin e një rrethrrotullimi të ri në kryqëzimin ndërmjet rrugëve “Ekrem Rexha – Tirana” dhe “Ramadan Bush”, nga KFOR-i turk.

Sipas njoftimit, ky projekt synon të përmirësojë sigurinë në komunikacion, të lehtësojë qarkullimin dhe të mundësojë një organizim më efikas të trafikut në këtë zonë me ngarkesë të lartë.

“Ky rrethrrotullim është projektuar me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, lehtësimit të qarkullimit dhe organizimit më efikas të trafikut në këtë zonë”, thuhet në njoftimin e komunës, përcjell PrizrenPress.

Ndërtimi i këtij rrethrrotullimi pritet gjithashtu të ndihmojë në uljen e ngarkesës në rrethrrotullimin ekzistues pranë ish- “Bellona”, duke ofruar një rrugë alternative për lëvizjen e automjeteve dhe duke zvogëluar bllokimet në atë pikë kritike të trafikut.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që gjatë kohës së punimeve të shmangin përkohësisht këtë segment rrugor, për të siguruar një proces pune të qetë dhe pa pengesa./PrizrenPress.com

Hasan Tahsini, shkencëtari dhe veprimtari i çështjes kombëtare

0

Më 7 prill të vitit 1811 lindi Hasan Tahsini (1811-1881), filozof, astronom, matematicien e psikolog, një ndër personalitetet më të shquara të Rilindjes Kombëtare.

Tahsini ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të.

Lindi në fshatin Ninat të Konispolit, ku mori mësimet e para. Vijoi shkollimin në një nga medresetë më të njohura të Stambollit. U caktua rektori i parë i Universitetit të porsahapur të Stambollit (1870). Veprimtaria e Hasan Tahsinit për përhapjen e diturive shkencore, që ishin në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve shtetërore e fetare të kohës, ra në sy; ai u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u përzu nga Universiteti.

Hasan Tahsini qe një ndër veprimtarët më aktiv të Rilindjes Kombëtare. Qysh në vitin ’60, në bashkëpunim dhe me atdhetarë të tjerë, si Kostandin Kristoforidhi, filloi të mendojë dhe të veprojë për krijimin e shoqërive që do të punonin për përhapjen e diturisë midis Shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe.

Hasan Tahsini u përndoq e u burgos për veprimtarinë e tij atdhetare nga fanatikët e njerëzit mendjembyllur, por ai nuk u largua nga bindjet shkencore dhe nga rruga e tij për zhvillimin e kulturës dhe për afirmimin e kërkesave kombëtare të shqiptarëve. atsh

Noterët e rinj nisin zyrtarisht detyrën në Prizren, Suharekë dhe Mamushë

0

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, ka mirëpritur në takim Noterët të cilët kanë kaluar fazat përfundimtare procedurale  pranë Ministrisë së Drejtësisë, dhe nga sot me datë 07.04.2025, fillojnë angazhimin e tyre pranë Zyrave dhe Komunave përkatëse.

Në ceremoninë në të cilën Kryetarja e Gjykatës vërteton vulën dhe nënshkrimin e noterëve sipas legjislacionit në fuqi, dhe më pastaj vula dhe nënshkrimi i noterëve depozitohen në Gjykatën Themelore në Prizren, dhe me këtë noterët fillojnë punën dhe aktivitetin e tyre në komunat e përcaktuara, Prizren, Suharekë dhe Mamushë.

Kryetarja e Gjykatës, i ka ofruar noterëve bashkëpunimin e plotë të Gjykatës./PrizrenPress.com

Lis Shoshi i Yllit, MVP i xhiros së fundit 

0

Përfunduan 28 xhirot e rregullta në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll, duke u qartësuar gjithçka për garat shtesë.

Në javën e fundit u zhvilluan disa përballje mjaft interesante.

Golden Eagle Ylli vazhdoi me formë të lartë për të regjistruar fitoren e gjashtë radhazi, kësaj radhe duke mundur Proton Cable Prizrenin.

Lis Shoshi zhvilloi ndeshje të jashtëzakonshme, duke pasur 25 pikë, 15 kërcime e katër asistime, me indeks 40, apo më të lartin e kësaj xhiro. Ai shpallet MVP i javës së 28.

MVP
Lis Shoshi (Golden Eagle Ylli) 25 pikë, 15 kërcime, 4 asistime, 40 indeksi

Top 5
Lis Shoshi (Golden Eagle Ylli) 25 pikë, 15 kërcime, 4 asistime, 40 indeksi
Lejson Zeqiri (Bashkimi) 22 pikë, 6 kërcime, 4 asistime, 25 indeksi
Tekele Cotton (Trepça) 13 pikë, 5 kërcime, 11 asistime, 25 indeksi
Rashid Mahalbasiq (Sigal Prishtina) 10 pikë, 12 kërcime, 2 asistime, 24 indeksi
Dirk Williams (Bashkimi) 10 pikë, 13 kërcime, 6 asistime, 25 indeksi

Pas takimit me banorët, Komuna e Dragashit tërhiqet nga plani për shkritoren e xeheve në Shajne

0

Banorët e fshatit Shajne në Dragash kanë njoftuar se kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e organeve komunale dhe se nga ta kanë marrë zotimin se shqyrtimi i kërkesës për shprehje të interesit për marrje në shfrytëzim të tokës për ndërtimin e fabrikës për shkrirjen dhe përpunimin e xeheve do të largohet nga rendi i ditës i  seancës së Kuvendit të Komunës, të caktuar për datën 8 prill 2025.

Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale thuhet se nga zyrtarët e lartë komunalë është marrë edhe zotimi se kjo kërkesë nuk do të procedohet më tutje.

Fillimisht aty është sqaruar se mbledhja në fshatin Shajne është zhvilluar të dielën me pjesëmarrjen e mbi 100 banorëve, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini dhe kryesuesja e KK-së, Arijeta Skeraj.

“Pika e I-rë e rendit të ditës ishte kundërshtimi i dhënies në shfrytëzim të tokës së fshatit tonë për ndërtimin e shkritores së xeheve, iniciativë kjo e planifikuar të shqyrtohet në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Dragashit më 8 prill 2025. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini dhe Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Arijeta Skeraj, të cilët pasi dëgjuan banorët, na njoftuan zyrtarisht se pika 7 e rendit të ditës në Kuvend, që kishte të bënte me ndërtimin e fabrikës – shkritores për shkrirjen e metaleve të rënda, do të largohet nga rendi i ditës, dhe nuk do të procedohet më tutje”, thuhet në njoftimin e fshatit Shajne.

Dita Botërore e Shëndetësisë, Spitali i Prizrenit thekson rëndësinë e solidaritetit

0

Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit, Ditën Botërore të Shëndetësisë që shënohet me 7 prill e ka cilësuar si një ditë me rëndësi të veçantë për të gjithë njerëzimin.

Kjo ditë, sipas njoftimit të Spitalit, është themeluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1948 dhe se që prej atëherë është bërë një moment për të reflektuar mbi rëndësinë e shëndetit dhe kujdesit shëndetësor për të gjithë.

“Çdo vit, kjo ditë fokusohet në një temë të ndryshme, që ka për qëllim të ndërgjegjësojë publikun dhe vendimmarrësit për çështje të rëndësishme që lidhen me shëndetin publik. Qëllimi është i qartë: të promovohet një jetë më e shëndetshme për të gjithë dhe të nxisim veprime konkrete për përmirësimin e sistemeve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Aty gjithashtu theksohet se kjo ditë e shënuar paraqet edhe thirrje për solidaritet.

“Dita Botërore e Shëndetësisë është gjithashtu një thirrje për solidaritet – për të siguruar që të gjithë, pavarësisht nga vendi, mosha apo statusi social, të kenë qasje të barabartë ndaj kujdesit shëndetësor”, përfundon njoftimi.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës nis një operacion të kërkim- shpëtimit në Kukës

0

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se kanë nisur një operacion të kërkim- shpëtimit në qarkun e Kukësit, më saktësisht në fshatin Kishaj.

SHKSHMK nuk ka dhënë më shumë detaje rreth operacionit.

“OPERACION! Një skuadër e ShKShMK ka filluar një operacion të Kërkim-Shpëtimit në qarkun e Kukësit, fshatin Kishaj. Për më shumë informata do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftim./PrizrenPress.com