25.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Qershor, 2025
Home Blog Page 5788

“Chromium”, filmi i Shqipërisë për Oscars

0

Shqipëria ka dërguar filmin e Bujar Alimanit “Chromium” për Oscars në kategorinë e filmit të huaj, njofton Klan Kosova.

Hollywood Reporter shkruan se ngjarja e filmit është shumë e ndjeshme ku një 15 vjeçar kërkon pavarësinë e tij dhe mundohet të pavarësohet nga nëna që është shurdhmemece dhe një tip i vetmuar.

Kjo është hera e dytë e këtij regjisori që dërgon film në Oscars.

Në vitin 2011, Alimani kishte marrë pjesë me “Amnesty”, një tregim për vizitat e bashkëshorteve në burgje, megjithatë ky film kishte dështuar të futej në listën finale.

Në “Chromium”, Fredjon Ruci e luan Adin, një djalë të qetë që jeton në një shtëpi të vogël në skaj të qytetit me vëllanë e tij më të vogël dhe nënën shurdhë-memece.

Me shpresën për të fituar pak privatësi dhe para, tinejxheri shkon në punë ilegalisht në një minierë kromi, duke mos kuptuar se vendimi i tij do të ketë pasoja për tërë familjen.

Filmi, që premierin botërore e pati në Karlovy Vary’s është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Kosovës.

Producentë janë “90 Production Gegnia Film” dhe Tefta Bejko, Valon Jakupaj, Anita Elshani, Thanos Anastopoulos dhe Stella Theodorakis.

Shqipëria ka dërguar filma për këtë kategori në Oscars nëntë herë qysh nga viti 1996, por asnjëherë nuk ia ka dal të futet në listën finale. /klankosova.tv

Banega ka një mesazh për tifozët

0

Ever Banega mendon se tifozët e shumtë në ‘Giuseppe Meazza’ luajtën një rol të rëndësishme në fitoren e Interit ndaj Juventusit

Zikaltrit fituan 2:1 derbin italian ndaj ‘Zonjës së Vjetër’, të cilët fillimisht panë vetën në disavantazh – por më pas përmbysën gjithçka.

Mesfushori Ever Banega, i cili i ka dhënë qetësi skuadrës së Interit me klasin e tij, lavdëroi bashkëlojtarët për paraqitjen ndaj kampionëve të Serie A, teksa falënderoi tifozët për mbështetjen në ‘Giuseppe Meazza’.

“Ekipi ishte fantastik në këtë ndeshje. Bëmë një paraqitje të shkëlqyer’, tha Banega për faqen zyrtare të klubit.

“Mendoj se diferenca ishte mentaliteti. Pranuam gol, por u kundërpërgjigjëm menjëherë. Atmosfera ishte fantastike dhe tifozët na ndihmuan shumë në këtë ndeshje’, shtoi argjentinasi.

“Është kënaqësi të luash me Icardin. Tani duhet të shohim para dhe të vazhdojmë drejt synimeve tona”, përfundoi Banega.

I pëlqen t’u ndihmojë femrave të reja

0

Edhe pse në moshën 78-vjeçare, Jane Fonda ende është në top-formë. Shumë do të thonë se është lehtë për t’u dukur si ajo kur në mënyrë të përsëritur i nënshtroheni operacioneve estetike, kur keni aq shumë para, kur keni një ekip të tërë të njerëzve të cilët përkujdesen për flokët, kozmetikën, thonjtë, veshjen etj. Lidhur me këtë gjë dhe çështje të tjera, Jane Fonda dha një intervistë për mediat britanike.

“Më pëlqen t’u ndihmoj femrave të reja dhe t’ua shpjegoj atyre se ato nuk duhet të kenë frikë se çdo ditë janë më afër vdekjes, por duhet ta bëjnë çdo ditë të jetës së tyre edhe më të mirë se sa që ishte ajo e mëparshmja. Unë jam 78 vjeçe dhe ende ndihem e re, kam pasion, kureshtje dhe shumë energji. Duke shikuar vitet në pjesën e jashtme është një gjë e frikshme, për këtë arsye i shikoj ato nga brenda, në mënyrën se si ndjehem”, tha Jane Fonda, duke shtuar se për çdo ditë mediton dhe në asnjë mënyrë nuk humb tetë orë gjumë.

Përveç kësaj, ajo komentoi në lidhje me ndërhyrjet e shumta estetike.

“Unë pranoj se nuk është e lehtë për t’i bërë ballë presionit të Hollivudit. Do të doja të isha trimëreshë dhe të mos i nënshtrohem presionit, por më duhet të pranoj se operacionet e mia më kanë ‘blerë’ dekada të jetës”, theksoi në mënyrë të sinqertë, Jane Fonda.

James: Zidane është idoli im

0

Mesfushori kolumbian, James Rodriguez, i cili shënoi gol në fitoren e Real Madridit prej 2:0 ndaj Espanyol, ka thënë se Zinedine Zidane është idoli i tij.

“Zidane është idoli im. Real Madridi është ëndrra ime dhe shpresoj të zgjasë sa më shumë”, tha fillimisht James.

“Familja ime është e lumtur në Madrid. Nuk është e vërtet që nuk jam i lumtur. Pse nuk flas në media nuk do të thotë që unë po kaloj momente të vështira dhe se kam probleme me të tjerët”, shtoi ai.

“Do të luftojë që të qëndrojë këtu përgjithmonë”, përfundoi kolumbiani.

Arrestohet kosovari në Morinë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar

0

Policia Kufitare e Morinës ndalon një shtetas kosovar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare Morin, në hyrje u bë ndalimi dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht Driton Delijaj, 41 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë.

Ndalimi i shtetasit u bë pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Organet e Drejtësisë së Luxembourg, me vendim Nr.9422/15/CD, datë 29.02.2012, për veprat penale të “Vjedhje me dhunë dhe vjedhje me thyerje”dhe ”Vjedhje me armë ose e organizuar me thyerje” parashikuar nga nenet 51, 461 dhe 467 të Kodi Penal të Luxembourg. Maksimumi i dënimit 10 vjet burg. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Nuk kishin kulm mbi kokë

0

Para se të bëhej e famshme, Jennifer Lopez, për pak kohë ishte e pastrehë. Ajo për disa muaj kishte fjetur në një shtrat në studion e saj të vallëzimit, por në fund i ka buzëqeshur fati duke u bërë një këngëtare dhe aktore e famshme. Por ajo nuk është e vetme në këtë, pasi edhe shumë të famshëm të tjerë e kanë shijuar jetën e të pastrehut para se të gjenin famën. Kur ishte vetëm 20 vjeçe, Carmen Electra-n e kishte plaçkitur i dashuri me të cilin ishte në lidhje dhe e kishte lënë pa asgjë.

“Qëndroja ulur në një park dhe qaja pse i kisha lejuar atij të ma bëjë këtë”, ka rrëfyer Electra.

Para se të fitonte në garën “American Idol”, Kelly Clarkson për një kohë kishte jetuar në veturën e saj, sepse banesa i ishte djegur nga zjarri. Ajo çdo ditë kishte shkuar në palestër në të cilën ishte anëtare, për të bërë dush. Halle Berry kishte jetuar në një objekt për të pastrehët kur ishte 21 vjeçe dhe kur mundohej të bëhej e njohur në Hollivud, edhe pse e ëma e saj e kishte kundërshtuar këtë.

“Pas dy muajve kam mbetur pa para dhe e kam thirrur nënën që të më dërgojë para, por ajo ka refuzuar. Më ka thënë ose të gjindem disi, ose të kthehem në shtëpi. Isha shumë e zemëruar. Pas kësaj nuk kemi folur për një vit”, ka treguar ajo.

Walker: Sistemi politik në Kosovë nuk funksionon

0

Ambasadori William Walker, ish-shefi i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, thotë se kriza aktuale në Kosovë dhe gjithë problemet që e shqetësojnë vendin, tregojnë se sistemi politik nuk po funksionon.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Walker ia atribuon përgjegjësinë jo vetëm politikanëve të vendit, sidomos qeverisë, por edhe problemeve të trashëguara nga ato që ai i quan gabime të organizatave dhe faktorëve ndërkombëtarë që kanë vepruar në vend që pas çlirimit. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, ambasadori Walker foli edhe për planin e tij për të organizuar diasporën shqiptare nga të gjitha vendet e Ballkanit, për të rritur ndikimin e tyre.

Zëri i Amerikës: Ambasador Walker, Kosova gjendet në krizën më të rëndë politike që kur shpalli pavarësinë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, e cila është tërhequr tashme nga parlamenti, dhe asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si i shihni ju këto zhvillime?

William Walker: Mendoj se është një krizë shumë serioze, jo vetëm politike, por e përgjithshme që tregon se çfarë ka ndodhur në Kosovë që nga pavarësia, madje që nga çlirimi i saj. Ka shumë çështje që janë akumuluar, si për shembull radikalizimi i të rinjve të Kosovës. Kush mund ta mendonte se Kosova do të kishte një përqindje kaq të lartë të rinjsh që bëhen xhihadistë, në raport me popullsinë? Është pastaj krimi i organizuar, mungesa e shtetit ligjor, korrupsioni, të gjitha këto çështje vijnë para një parlamenti, një qeverie që nuk po funksionon. Sistemi politik nuk funksionon dhe të gjitha këto probleme janë manifestim i kësaj dukurie. Të gjitha këto sipas mendimit tim, e kanë fillesën tek hapat që u morën pas çlirimit dhe pas pavarësisë. Unë fajësoj klasën politike, fajësoj ndërkombëtarët që erdhën për t’u bërë mentorë dhe kam frikë se disa herë kanë udhëzuar në drejtimin e gabuar. Mendoj se një pjesë e mirë e korrupsionit në Kosovë, është pasqyrim i korrupsionit që ishte tek UNMIK-u, tek disa nga ndërkombëtarët, detyra e të cilëve ishte që t’i tregonin Kosovës se si të bëhej një shtet modern evropian.

Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin disa nga zgjidhjet e krizës politike në Kosovë, sipas jush? Çfarë duhet bërë për ta kapërcyer atë?

William Walker: Mendoj se qeveria duhet të dëgjojë opozitën në vend që ta detyrojë të hedhë gaz lotsjellës në parlament, apo të organizohet për të dalë nëpër rrugë, siç ka bërë Vetëvendosja. Nuk duhet ta shohin opozitën si armik dhe të mendojnë se është shumë më mirë të kënaqin komunitetin ndërkombëtar, sesa opozitën në vend. Mendoj se mënyra e vetme për reformimin e sistemit politik është përfshirja e opozitës në diskutime, sesa të thonë “jo, jo, jo” dhe të dëgjojnë vetëm atë që u thotë komuniteti ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë i afërt me opozitën, veçanërisht me Vetëvendosjen. Ju po thoni që opozita është shtyrë të ndërmarrë këto veprime, por përgjegjësia nga vëzhguesit e jashtëm të paktën, është vendosur jo vetëm mbi qeverinë që nuk e dëgjoi opozitën por edhe mbi metodat që ka përdorur opozita, që në një vend demokratik nuk do të ndodhnin dhe mënyra sesi ka vepruar opozita është konsideruar jokonstruktive…

William Walker: E di që ka shumë njerëz që mendojnë se unë kam shumë simpati për Vetëvendosjen. Kur Vetëvendosja u shndërrua nga një lëvizje popullore nën Albin Kurtin dhe (lëvizjes iu tha) se ndërkombëtarët nuk duan t’ju flasin, Ambasada amerikane nuk donte t’i fliste Albin Kurtit, por më thanë mua që nëse Vetëvendosja bëhet parti politike dhe hyn në jetën politike, atëherë ndërkombëtarët do të bisedonin me ta, do t’i ndihmonte që të tregonin se janë një forcë e opozitës, por gjithsesi një forcë pozitive. Kur u realizua kjo, unë thashë se kjo ishte diçka e mirë për demokracinë, që tani ky grup njerëzish që ishte jashtë sistemit, ishte përfshirë në sistem. Disa muaj pasi unë po bëja këto deklarata në favor të Vetëvendosjes, edhe unë u zhgënjeva me mënyrën se si po vepronte Vetëvendosja si parti politike. Pa dyshim që unë nuk jam në favor të dhunës që është provokuar në parlament dhe nëpër rrugë. Për protestat e dhunshme që kanë qenë të shpeshta vitet e fundit, Vetëvendosja ka një pjesë të mirë të përgjegjësisë, por kjo ka lidhje edhe me refuzimin e qeverisë për të hyrë në dialog me ta, duke thënë se Ambasada amerikane, apo ambasada të tjera na kanë thënë se duhet të veprojmë kështu e ashtu lidhur me Malin e Zi dhe çështjet e tjera. Unë nuk flas më në favor të Vetëvendosjes. Unë nuk besoj se gjendja është e mirë në Kosovë, si edhe në vende të tjera të rajonit. Politikanët nuk po punojnë si patriotë për qytetarët por vetëm po përpiqen të pasurojnë veten, të mbajnë veten në pushtet. Qeveria duhet të flasë me të gjithë në vend. Ata nuk i flasin Vetëvendosjes, nuk i flasin Ramush Haradinajt dhe njerëzve në partinë e tij dhe kjo mungon atje.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për luftëtarët e huaj, xhihadistët që bashkohen me luftra të huaja në Lindjen e Mesme. Fakti tjetër shqetësues është që ata vijnë nga një vend që është ndoshta më proamerikani në botë. Si e shpjegoni këtë?

William Walker: Kur unë ika nga Kosova popullsia myslimane e Kosovës ishte ndër më laiket. Unë e kam vizituar vazhdimisht Kosovën, rreth 50 herë në 15 vitet e fundit. Për mua ka qenë befasi që Kosova është bërë tani një nga kontribuesit e numrit më të madh të xhihadistëve që shkojnë në Siri, në Lindjen e Mesme për të luftuar për ISIS-in, në raport me numrin e popullsisë. Është shumë e vështirë të gjesh një përgjigje, përveç faktit që papunësia mes të rinjve në Kosovë është në shifra astronomike, rreth 75-80 për qind. Këta të rinj nuk kanë se për çfarë të shpresojnë. Po ashtu, pas luftës, një numër faktorësh nga konfliktet e Lindjes së Mesme, filluan të dërgojnë fonde për ngritjen e qendrave ku predikohej një lloj islamizmi që ishte më radikal nga ai tradicional i Kosovës, para se ata të vinin. Filluan të vijnë para nga Lindja e Mesme, duke kërkuar vende ku mund të vendoste rrënjë ky lloj radikalizimi. Dhe u konsolidua ngadalë. Në fillim askush nuk po i kushtonte vëmendje. Është një prirje shumë shqetësuese dhe as komuniteti ndërkombëtar, as qeveria e Kosovës nuk e panë që ishte një problem në rritje. Këtij problemi i duhet kushtuar vëmendje e jashtëzkonshme dhe duhet të zmbrapset.

Zëri i Amerikës: Ju keni ndërmarrë një nismë për të bashkuar në një zë diasporat shqiptare nga të gjitha vendet e rajonit, për t’i mobilizuar që të jenë më forta si grupim vetë, por edhe që të kenë një zë më të fortë në vendet e origjinës. Mund të na jepni disa detaje?

William Walker: Unë jam i interesuar për mënyrën sesi funksionojnë sepse kam qenë i angazhuar me diasporën salvadoriane dhe atë vietnameze. Diasporat kanë disa të përbashkëta, përfshirë ato që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi megjithëse vijnë nga kontekste të ndryshme. Shumë prej tyre duan të punojnë dhe të kthehen në vend të hapin biznese me përvojën që kanë marrë këtu. Por shumë pak nga këto përpjekje kanë qenë të suksesshme, sepse kur kthehen shohin që qeveritë e vlerësojnë faktin që ata dërgojnë remitanca në vendet e tyre, sepse shumë vetë varen prej tyre. Për shembull në Kosovë, ato përbëjnë një përqindje të madhe 30-40 për qind të prodhimit të brendshëm kombëtar dhe qeveria e vlerëson këtë, por nuk do asnjë këshillë ose opinion nga diaspora, nuk duan që asnjë organizatë e diasporës t’u thotë se çfarë të bëjnë, që të sjellin përvojë nga jashtë, nga Shtetet e Bashkuara, Evropa.

Zëri i Amerikës: Dhe cili do të ishte roli juaj?

William Walker: Mendoj se diasporat nuk e kanë të qartë se çfarë pushteti do të kishin po të bashkoheshin dhe të punonin si një. Dhe ndryshime duhet të ketë në vetë këto vende. Për shembull në Kosovë, 20 vende në parlament janë të rezervuara për pakicën dhe ata kanë të drejtë vetoje. Por aq shumë vetë sa kanë lënë Kosovën dhe kontribuojnë në ekonominë e saj, kanë të drejtën që të kenë vende të rezervuara si diasporë në parlament, duhet të kenë zërin e tyre në procesin politik, sepse aktualisht janë krejtësisht të përjashtuar. Gjithashtu diaspora duhet të ketë të drejtën të votojë nga çdo vend ku janë në botë. Ka një proces që mund të votojnë në mungesë, por është shumë i komplikuar. Kur ata të kenë të drejtën të votojnë, politikanët do të dëgjojnë. Ajo që po përpiqem të bëj është që mes gjithë atyre organizatave të diasporës shqiptare, me platforma të ndryshme t’i bind tëm harrojnë politikën, dhe se kë mbështesin në vendin e origjinës dhe të bashkohen. Diaspora është aq e përçarë dhe e çorganizuar saqë unë do të përpiqem t’i bind njerëzit që të bashkohen, që të fitojnë peshën e duhur që të ndikojnë në vendet e tyre.

Zgjedhjet e reja pas “furtunës” së Speciales

0

Një nga kritikat e ashpra, që vazhdimisht i janë adresuar Kosovës nga BE-ja, edhe në raportet e Progresit gjatë viteve të kaluara, e që vazhdon të mbetet aktive edhe në mandatin aktual, është ngecja e politikës dhe institucioneve në realizimin e mirëfilltë të një reforme zgjedhore, për të pasur zgjedhje të besueshme, kredibile dhe me sa më pak mundësi manipulimi.

Sipas përfaqësuesve të partive politike dhe ekspertëve, gjasat janë që përsëri, për shkak të mosgatishmërisë politike edhe në mandatin e tanishëm të Kuvendit të Kosovës, edhe dy palë zgjedhje të reja të mbahen po me atë legjislacion të vjetër, ato lokale dhe parlamentare, pavarësisht defekteve që janë evidentuar. Shumica e partive politike, veçmas ato në opozitë, janë shumë të bindura që në Kosovë shumë shpejt do të kemi zgjedhje të reja, dhe nuk do të ketë kohë për inicimin e ri procedural të reformës zgjedhore, ndonëse askush nuk mund të flasë për kohën se kur mund të ndodhë befasia zgjedhore, qoftë pas arrestimeve të para për Gjykatën Speciale, që do të thotë në pranverën e vitit të ardhshëm, apo do të mund të shtyhet disi funksionimi i brishtë i institucioneve për të mbajtur të dyja palë zgjedhjet së bashku në fund të vitit të ardhshëm.

Sipas deputetit të AAK-së, AliBerisha, i cili edhe është sekretar organizativ në AAK, është shumë e pritshme që Kosova të shkojë shpejt në zgjedhje të reja, pa paragjykuar kohën, por një gjë e keqe është se ato do të mbahen me Ligjin e vjetër zgjedhor, ngase për reformën zgjedhore tani nuk është askush i interesuar. Sipas tij, edhe po të ngrihej si temë, është e sigurt që nuk premton koha për ta përfunduar atë.

“Unë nuk besoj që do të ketë kohë për të iniciuar dhe vazhduar përfundimin e reformës zgjedhore. Dihet mirëfilli që po kalojnë muaj e vite që reforma ka mbetur mbrapa, për fajin e partive politike në pushtet, që nuk kanë pasur vullnet ta përfundojnë atë, prandaj edhe tani kjo përbërje e partive politike, por edhe e kësaj strukture institucionale nuk mendoj që do të arrijë ta bëjë reformën zgjedhore, prandaj edhe në këto zgjedhje të reja, që presim të ndodhin shpejt, me siguri që do të shkohet si në të kaluarën me ligjet e vjetra. Kjo situatë mbetet kështu, duke pasur për bazë dhe duke parë vetë konstelacionin e forcave politike”, u shpreh deputeti Berisha.

Ai shtoi se tani është e domosdoshme që të ndodhin zgjedhjet sa më shpejt, aq me mirë sepse, sipas tij, po shihet që gjithçka po degradon në funksionimin e institucioneve, dhe nuk janë vetëm këto dy marrëveshjet e dëmshme që e kanë bllokuar jetën, por po shihet që ka ngecje dhe bllokadë totale të zhvillimit në çdo sektor të rëndësishëm zhvillimor për interesin e vendit dhe perspektivën e qytetarit.

“Gjithçka është më keq sesa që ka qenë, prandaj duhet të ndërpritet ky trend i ngecjes nëpërmes një procesi të ri zgjedhor, për institucione të reja dhe për një shkollë të re të qeverisjes së vendit”, u shpreh deputeti Ali Berisha për “Kosova Sot”.

Ai ka pohuar se sado që Kosova ka nevojë për reformë të mirëfilltë zgjedhor, edhe me këtë ligj të vjetër, nëse do të funksionojnë si duhet të gjitha hallkat e sundimit dhe zbatimit të ligjit, Kosova mund të organizojë zgjedhje të drejta, kredibile dhe të pamanipulueshme. “Duhet të angazhohen të gjithë dhe besoj që mund të kemi zgjedhje të mira edhe me legjislacionin e vjetër”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”

Opozita i thotë ‘Po’ thirrjes së Mustafës

0

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë pranuar që t’i përgjigjen thirrjes eventuale të kryeministri Isa Mustafa, për të debatuar edhe një herë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Derisa partia më e vogël e opozitës, “Nisma” thotë se debati i ri për kufirin është një lloj tradhtie, AAK-ja dhe LVV-ja thonë se në këtë takim përfundimisht Demarkacioni do të konstatohet i vdekur dhe do të ecet përpara me proces të ri.

Kryeministri Mustafa ka deklaruar se jo më larg se në fillim të muajit tetor, pritet të nisë një raund i ri bisedimesh rreth përafrimit të qëndrimeve mbi kufirin me Malin e Zi, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Ai tha se ratifikimi i Demarkacionit do të kryhet brenda muajit të ardhshëm përkundër faktit se paraprakisht u ka bërë thirrje opozitës për bisedime. Megjithatë, Mustafa ka thënë se me këtë ftesë do t’i jepet mundësi e dytë të gjithëve për sjelljen e fakteve rreth mëdyshjes së vijës kufitare me Malin e Zi. /Zeri/

DAM festivali hapet të martën

0

Performanca “Domosdoshmëritë e harrnuara” do të hap Festivalin DAM

Festivali DAM do të hapet të martën mbrëma duke nisur kështu marratonën e koncerteve të cilat do të mbahen deri me 26 shtator.

Koncertit do t’i paraprijë performanca “Domosdoshmërritë e harrnuara” nga dy artistë kosovar Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova, vepër kjo e cila ngërthen në vete disa mediume arti. Sylaj dhe Zhegrova janë finalistë të konkursit “Artistët e së nesërmes”.

Kori i Flautëve të Kosovës në përbërje të 20 anëtarëve të drejtuar nga flautisti beogradas Ljubisa Jovanovic do interpretojnë një repertor tejet atraktiv për publikun. Kjo njëherësh do të jetë prezantimi i rezultati të punëtorisë disa ditore të flautistëve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia me pedagogun Jovanovic i cili ndryshe njihet edhe si artist i markës Haynes.

Ndërsa pjesa qendrore e mbrëmjes do jetë koncerti i trios Triisimo në përbërje të pianistes Olga Zado – njëherësh artiste e markës Seintway & Sons, violinistit Robert Kowalski – koncertmjeshtër i “Orchestra della Svizzera Italiana” si dhe violonçelisti Boris Nedialkov i cili aktivitetin e tij koncertal e ushtron në Amsterdam.

Festivali DAM është themeluar në vitin 2006 dhe që atëherë qëllim kryesor ka promovimin e artistëve të rinj. Festivali do të mbyllet me 26 shtator me recitalin e kitaristit Drilon Çoçaj. /PrizrenPress.com/