20.3 C
Prizren
E mërkurë, 6 Maj, 2026
Home Blog Page 8743

Mustafa: Në vitin e gjashtë të pavarësisë, Kosova do të udhëhiqet nga ne

0

Isa Mustafa LDKKryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ua ka uruar qytetarëve të vendit 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Si gjithmonë, e përkujtojmë veprën madhështore të Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitektit të shtetit tonë, sakrificën e madhe të Familjes Jasharaj, si dhe të gjithë dëshmorët e tjerë, të cilët ranë në altarin e lirisë”, thuhet në një kumtesë.

“LDK-ja, me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, do ta marrë sivjet besimin për ta udhëhequr sërish vendin dhe për t’i çuar përpara proceset e ngecura, si pasojë e keqqeverisjes aktuale. LDK-ja, bashkë me partnerët e saj vendës e ndërkombëtarë, do të punojë fort për shtetin e rendit dhe të ligjit, për shtetin e dijes dhe të demokracisë së mirëfilltë europerëndimore, në të cilin udhëheqësit dhe politikëbërësit do të jenë shërbyes të qytetarëve dhe llogaridhënës përpara tyre”.

Jashari pret ndryshimin e strukturave udhëheqëse për shtet funksional

0

MuratJashari5-29Murat Jashari pret ndryshimin e strukturave udhëheqëse për ndërtimin e një shteti funksional, teksa thotë se në 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, qytetarët e vendit po përballen me pakënaqësi të mëdha.

Jashari ka bindjen se ka mundur të bëhet më shumë.Në një intervistë për “lajmi.net”, Jashari ka thënë se 6 vjetori e gjen Kosovën me ideale të papërmbushura. Njëri nga përfaqësuesit e Familjes Jashari thotë se gjendja aktuale në Kosovë mund të përshkruhet me dy anët e medaljes. Sipas tij, ana pozitive e medaljes përmban përmbushjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, ndërsa ajo negative tregon për kërkesat e papërmbushura për një shtet me funksionalitet të plotë.

“Konsideroj që kemi mundur të bëjmë shumë më shumë dhe nuk janë realizuar të priturat e qytetarëve. Kemi një pakënaqësi të madhe të qytetarëve. Nëse shohim të gjitha raportet ndërkombëtare për Kosovën, tregojnë një gjendje jo të mirë”, thotë Jashari për këtë portal.

“Për vite të tëra ka pasur besnikëri ndaj familjes, ndaj atdheut, moral më i fortë. Mirëpo, e kam një përshtypje se kemi filluar t’i humbim këto, gjatë këtyre viteve”, ka shtuar më tej ai.

Murat Jashari pret që në zgjedhjet e radhës të ketë ndryshim të pushtetarëve, që, sipas tij, nuk duhet të qëndrojnë në pozita për më shumë se një mandat.

“Nëse nuk mundohemi që të krijojmë një shtet të së drejtës tani, atëherë këto probleme do t’i bartim te gjeneratat e reja dhe gjithmonë do të kemi pushtetarë që do të jenë të përfolur në media për korrupsion. Mendoj që gjatë këtyre zgjedhjeve duhet ndërruar pushtetarët, pasi që në çdo vend një klasë politike që qëndron më shumë se 2 mandate, nuk është e dobishme. Ndërrimi i pushtetit për çdo mandat është proces demokratik”, është shprehur ai.

Jashari, po ashtu, shprehet i brengosur për mungesën e vullnetit për ndërtimin e një shteti funksional nga strukturat udhëheqëse.

“Nëse deri tash ka qenë patriotizëm të luftojë për vendin, tash është shtet-formimi, ku secili do të duhej ta kryente punën me pasion dhe me nder. Përderisa kemi pasur vullnet të luftojmë kundër armiqve të cilët kanë qenë shumë më të fortë se ne, unë them se nuk është e pamundur edhe të krijohet një shtet i mirëfilltë, por duhet të vullnet punë”.

Rrugëtimi i Kosovës drejtë pavarësisë – Sfidat pas saj!

0

Kreshnik KokollariKreshnik Kokollari

Kosova mbush 6 vite të Pavarsisë së saj. Pas një ëndërre një shekullore arriti Kosova të pavarësohet dhe përfundimisht ti jep fund dëshirës së palës tjetër për një ” Serbi të madhe” dhe ” Metohi”. Megjithëse me ndihmën e ndërkombtarëve arritëm ndoshta të fillojm ndërtimin dhe konsolidimin e këtij shtetit më të riut. Kosova, filloj pas gati një dekade të marrë frym më ndryshe. 17 Shkurti 2008 ishte dita që e vulosi këtë Ditë. Për dikë njihet e vlersëohet si e ”Shenjtë”.

Spekulimet e partive të ndryshme Kosovare, kritikat mes njëra tjetrës hiç më larg së një vit para Pavarësisë sjelli në mazhoranc dy subjektet politike rivale në skenën tonë politike. Megjithë kritikat, si nga shoqëria civile, nga qytetarët përmes shumicës së gazetave ditore, me slloganin e tyre të bashkëqeverisjes për procese madhore disi j’au mbushi mendjen të gjithë qytetarëve të Kosovës se arritja e një gjuhe të përbashkët do i sjellte dobi këtij vendi.

Pas atij viti që u preheshin në harmoni dy liderët udhëheqës, nuk ju zgjati shumë saqë pas zgjedhjeve të 2009-tës ato lokale, filluan kundërshtimet mes veti, e duke mos anashkaluar, skandalin e ” Zanzibarit” që u formua qeveria brenda natës.

Gjithçka u vendos me dorëheqjen e Presidentit Sejdiu, ku Sejdiu e angazhoi partin e tij , dhe filloj mobilizimin në Degë por fatkeqësisht siç duket, nuk i priu fati, dhe po ai u sfidua në Kuvendin e VII-të të LDK-së, që të ju them të drejtën ishte shumë më ndryshe, shumë më demokratik sesa i 2006-tës pas asaj ”Betejës me Karrike për Karrikë”.

Po edhe ky Kryetar i ri, nuk ja arriti të vendos të dytën as në 2010-tën, Kryeministrin e Kosovës z Thaqin njëherësh Kryetar i PDK-së. Pas një koalicioni numër, filloj një qeverisje e re, që nuk i zgjati as ëndrrën e z Pacollit për President sepse edhe ky vazhdoj shkeljen e Kushtetutës, si z Sejdiu , e që në fakt, t’shiheh në një aspekt, ai jo që e nuk e ushtronte postin e LDK-së, por e kishte ngrirë fare, saqë as i pari mbas Sejdiut z Kryeziu nuk i vuri ndonjë pik të nxeht që ta shkrij.

E mbeti të shihej se kush do ishte i Pari i vendit, por siç e parashikuan liderët tan nuk ju doli ashtu, por ju doli ” E Para e Vendit” , pra zonja Jahjaga, i zëvendsoi, dhe jo vodhi ëndrrën e z Pacollit, dhe z Sejdiut, që realisht as ajo sigurisht që as nuk e kishte ëndrruar këtë ditë.
2013-ta ishte një vit më ndryshe, për Skenën Politike Kosovare, ku ndryshuan shumë gjëra, u ndrruan shumë Kryetar, po nuk la vend as Burgu për ti strehuar këta zotrinjët Komunal, e qe besa për dikënd me 9 komuna ishte fitore, për dikë me 10, për dikë me 5, e për dikë me një, e që fitues ishin qytetarët e Kosovës nuk duhet të mohohet, por duke e rikujtuar Prizrenin, është mëkat, të udhëhiqet nga një njeri afër 80-tave, i Akuzuar, e me një Koalicon Minoritetesh saqë ka ra në hall në përcaktimin e Drejtorive, e mos të harrojmë që rrezikohet edhe me Burg.

Po në anën tjetër le të lëjm fare sferen politike Shqiptare, por le ti hedhim syt, tek krijimi i komunave të reja serbe, e që shihen si të jenë me të vërtetë Republika Serbska.

Duke mos harruar, edhe rezulutën 1244, poashtu edhe Pakon e z Ahtisari , siç duket Republika Serbska, u rikthye në Kosovë me 9 komuna.
Marrëveshjet ? Bisedimet z Thaqi i vazhdon ende, edhe pse ndoshta do thoja i vetëm, duke mos harruar një gjë, se cilido nga këta Liderët tanë po të kishte qenë në lëkurën e z Thaqit, do pranonte ndoshta secilat, e duke mos menduar për më të keqen, ndoshta ndoshta do i faltë tërë atë Artifical Republik Serbe brenda Mitrovicës së Veriut.

Por e vërteta është se Kosova, ka arritur përparim, por aq edhe dështim. Edhe kjo pavarësi , nuk na ndau nga fusnota, edhe kjo pavarësi nuk e zbardhi qështjen e të pagjeturëve, edhe kjo pavarësi nuk i gjeti të burgosur përbindshat serb që vran e masakruan, mijëra e mijëra familje, edhe kjo pavarësi nuk na gjeti me një prespektiv për rinin, e që bredhin parqeve të Evropës. Por me gjithë këto, jemi njohur nga shumë shtete. Kosova, vazhdon rrugëtimin, e saj edhe pse me shumë barriera, por siç duket po kalohen.

 

Thaçi: Të rrëzohen gjitha vilat pa leje në Prevallë

0

Thaci ne prevallKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka vizituar të martën vendin ku është bërë rrënimi i shtëpive pa leje ndërtimi dhe ku po bëhet rehabilitimi i hapësirës së parkut në Prevallë.Duke folur para gazetarëve, Thaçi ka thënë se ka dalë këtu për t’i dhënë mbështetje të plotë vendimit të ministrisë së Ambientit për pastrimin e plotë të kësaj zone të mrekullueshme të bjeshkëve të Kosovës.

“Bjeshka e Prevallës është bukuri e jashtëzakonshme e Kosovës, është një bukuri natyrore, por edhe turistike dhe ne kemi obligim të gjithë, ta mbrojmë nga dëmtimi, shëmtimi dhe degradimi. Jemi sot këtu, së bashku me ministrin Gashi që të shikojmë hapat e mëtejmë që po ndërmerren. Veprimet e para veç janë ndërmarrë, është pastruar një pjesë e madhe e hapësirës që ka qenë më herët e uzurpuar”, ka thënë Thaçi.

Ai ka bërë me dije se do të vazhdohet edhe në pjesë të tjera dhe është një aksion që do të përfshihet në katër faza, ndërsa tani, Thaçi ka thënë se jemi në fazën e dytë.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se Qeveri do të vazhdojë të investojë në turizëm e në ambient. “Ai që investon në ambient të mirë, për mua është një patriot i madh, sepse është vetë shëndeti ynë”, theksoi Thaçi, duke shtuar se do të punojmë maksimalisht edhe me autoritetet komunale dhe me gjithë akterët të tjerë të mbrojtjes së ambientit.

“Gjithashtu dua të theksoj ne veçanti se pas insistimit të Qeverisë së Kosovës dhe vendimeve që kemi marrë në Qeveri dhe në Kuvend, tani do të kemi edhe Ligjin për Legalizime, që janë diku mbi 500 mijë leje që kanë ndodh dhe që do të ndodhin në të ardhmen. Prandaj, kam besim të plotë që gjithçka do të shkojë sipas planit, jo vetëm këtu në Prevallë, por në të gjitha hapësirat e territorit të Republikës së Kosovës, ku është e nevojshme dhe e domosdoshme”, theksoi mes tjerash, Thaçi.

Ndërkaq, në pyetjet e gazetarëve nëse do t’u mbetet hatri kolegëve të tij që kanë vila në Prevallë, Thaçi ka thënë se nuk merret me ta, por vetëm për ambientin e Kosovës.

“Nuk jam këtu as për kolegët e mi, as për kundërshtarë politikë, jam për ambientin e Kosovës, jam në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit dhe ambienti i pastër është në shërbim të të gjithëve, në interesin e shëndetit të të gjithëve. Sa i përket kolegëve politikë dhe oponentët që ju përmendët, dua të theksoj se një nga frekuentuesit më të shpeshtë të kësaj bjeshke gjatë vikendeve, jam personalisht vetë, kështu që, i ftoj të gjithë për mbështetje dhe falënderoj shumë për mbështetjen që po e japin për të vazhduar thjeshtë pastrimin e këtij ambienti, sepse është në shërbimin e të gjithëve, qofshin ata të opozitës, qofshin të PDK-së. Por, ju e dini se vendimet që janë marrë edhe më herët, nuk ndërlidhen me mandate qeveritare apo të autoriteteve komunale. E theksova, dëmtimi dhe degradimi ka filluar qysh prej 99’-s deri më sot”, ka theksuar Thaçi.

Gazetarët e kanë pyetur edhe në lidhje me mos-gatishmërinë e komunës së udhëhequr nga PDK, Prizrenin, për t’u marrë me këtë gjendje që e ka kapluar Prevallën, duke theksuar se gjithçka ka nisur me iniciativën e Ministrit Gashi, i cili i ka pezulluar vendimet e Komunës së Prizrenit.
“Unë nuk jam këtu për tu marrë me parti politike. Faleminderit autoriteteve komunale për mbështetje të plotë që i kanë dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës. Besoj se qytetarët e dinë se ky degradim dhe shëmtim ka ndodhur që nga viti 1999 e deri më sot. Por, ne jemi të vendosur ta ndalim dhe këtu nuk ka asnjë qasje apo motiv politik. E gjitha është në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, u shpreh Thaçi.
Në fund, kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi, u pyet nga gazetarët nëse ka ndonjë vilë edhe ai, ndërkaq ai u përgjigj: “Sikur ta kisha, do ta kisha deklaruar”.

Aurela Gace: Dorëhiqem nga ‘The Voice’, nuk dua të lëndoj talentet

0

AurelaGace_thevoice“Jap dorëheqjen. Të isha pjese e jurise se ‘The Voice of Albania’ ishte aq sa bukur, aq edhe rraskapitëse”.

Kështu e nis postimin e saj në rrjetin social, Facebook, këngëtarja Aurela Gace e cila sqaron me detaje arsyet pse largohet nga ky talent shou. Sipas Gaces, të ishe trajnere mbi të gjitha ishte lodhje psikologjike e shpirtërore dhe se formati kërkonte të trishtonte nga një person cdo javë, gjë që ajo si person po e vuante shpërtërisht.

“Unë e dua punën dhe lodhjen që sjell puna. Kam 20vjet pa u ndalur që vetëm punoj të jem e pranishme në skenë. Por, kjo lloj lodhje që ndjeva këtë rradhë, ishte komplet ndryshe nga cdo gjë që kam provuar deri me sot. Ishte lodhje psikologjike e shpirtërore. Nuk e kisha menduar aspak kur pranova ofertën. E mendova të thjeshtë. Unë punoj dhe zgjedh më të mirin ose me të mirën. Por kur je përballe faktit, uhhhh kuptova se nuk e përballoj dot të lëndoj dikë që ëndërron. ….edhe pse karriera e askujt nuk mund të ndaloje aty, unë ndjeja një peshë shumë të rëndë në kraharor gjatë gjithë kohës.

Unë e di që e dua muzikën dhe jam mësuar të dal në skenë e të bëj njerëzit të ndihen mirë. Në këtë rast unë nuk ndjeva se e bëra këtë. Lumturova vetëm një, dhe trishtova shumë konkurrentë të tjerë.
Punova shumë e me shpirt, por formati kërkonte cdo javë dikë….ndoshta edhe ata që nesër mund të bëhen shumë të dashur për ju.
Kam lindur të lumturohem me këtë që bëj, e të lumturoj sado pak ata që më duan….Nuk dua të lëndoj askënd që sapo hedh hapat e pare në skenë. E di dhimbjen e eleminimit….më kanë eleminuar edhe mua në shumë raste….e di shijen e hidhur. Prandaj po ndaj edhe me ju vendimin që kam marrë që ditën kur mbaroi konkurrimi”.

Gjashtë vjet shtet

0

FLAMURI KUQE E ZI DHE I KOSOVESE diel, 17 Shkurt 2008. Ora shënonte 15 e 30 minuta. Deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin mbledhur në një seancë të veçantë. Tashmë gjithçka ishte gati për të bërë hapin më të madh në historinë e Kosovës. Nëntë vjet pas çlirimit të Kosovës, pas muajsh të tërë negociata të ndërmjetësuara nga presidenti Marti Ahtisari, kishte ardhur momentin që Kosova të vendoste për veten. Mbi bazën e propozimit të Ahtisarit ishte përgatitur shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, i cili kishte pak muaj që kishte marrë këtë post, doli në foltoren e Kuvendit për ta lexuar Deklaratën e Pavarësisë.

””Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate e shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik””, tha ai.

Në të njëjtën seancë u bë publik edhe flamuri shtetëror i Kosovës, me hartën e Republikës së Kosovës që simbolizon tërësinë territoriale, gjashtë yjet që simbolizojnë komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe prapavijën e kaltër që simbolizon synimin për integrim në Bashkimin Evropian. Po ashtu u intonua edhe himni pa tekst. Pasuan njohjet e menjëhershme nga shumë shtete, si SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e shtete të tjera. Gjatë kësaj periudhe, u miratua edhe Kushtetuta e Kosovës, e cila u vlerësua si më e avancuara në rajon.

Kosova filloi hapat e parë si shtet, nën udhëheqjen e koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ishte rezultat i marrëveshjes ndërmjet liderëve të këtyre subjekteve, Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu.

Bashkëqeverisja PDK-LDK vazhdoi për më shumë se dy vjet. Vjeshta e vitit 2010 shënoi fundin e këtij koalicioni, i cili që nga fillimi edhe pse i qëndrueshëm për nga numrat, ishte konsideruar i panatyrshëm. Goditjen këtij koalicioni ia dha dorëheqja e presidentit Fatmir Sejdiu pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës me mbajtjen në të njëjtën kohë edhe të postit të kryetarit të LDK-së. Sejdiu e kishte menduar ndryshe këtë.

””Unë kam besuar se mbajtja e postit të kryetarit të LDK-së, duke mos e ushtruar atë funksion siç e përcakton kushtetuta, nuk përbën shkelje të kësaj kushtetute. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe dhe unë e respektoj këtë vendim””, tha Sejdiu.

Në zgjedhjet brenda LDK-së, Sejdiu humbi edhe postin e kryetarit të partisë, kundrejt Isa Mustafës, i cili kishte kohë që kërkonte prishjen e koalicionit PDK-LDK.

Vendi shkoi drejt zgjedhjeve të reja parlamentare në vitin 2010. Partia e Hashim Thaçit doli sërish fituese. Thaçi fitoi edhe një mandat si kryeministër. Kësaj radhe i mbështetur nga një tjetër partner koalicioni. Biznismeni Behgjet Pacolli, i cili kishte pak kohë që i kishte hyrë politikës, me partinë e tij, Aleanca për Kosovë të Re, arriti koalicion me PDK-në, duke kërkuar edhe pjesën e vetë të pushtetit. Postin më të lartë të vendit. Atë të Presidentit të Republikës. Me shumë peripeci më 22 shkurt 2011, Pacolli u bë president i vendit.

””Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Betohem para jush””, tha Pacolli.

Por, fati nuk ishte me të. Vetëm për një muaj, Pacolli kreu detyrën e presidentit të vendit. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi edhe atë nga kjo pozitë. Kjo gjykatë konstatoi se zgjedhja e Pacollit president i Kosovës ishte jokushtetuese. Edhe koalicioni qeverisës PDK-AKR u vu në pikëpyetje. Por, Pacollit, kryeministri Thaçi ia bëri vendin pranë vetes, si zëvendëskryeministër i parë.

Një marrëveshje e arritur ndërmjet kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, solli stabilitetin sa i përket çështjes së presidentit. Ishte ish ambasadori amerikan Kristofer Dell, ai që i uli në tavolinën e bisedimeve dhe doli me propozimin për presidentin e ri. Ishte dikush nga strukturat udhëheqëse të Policisë së Kosovës. Atifete Jahjaga, deri atëherë krejtësisht jashtë politikës, u bë femra e parë që mori postin më të lartë të shtetit, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

””Deri dje nuk kam menduar kurrë për të marrë një pozitë të lartë udhëheqëse. Por ashtu, si shumë nga bashkëqytetarët e mi isha e gatshme të të shërbejë kur të më ftojë vendi dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t””i kryej të gjitha detyrimet e mia””, tha Jahjaga.

Pas tejkalimit të krizës politike me zgjedhjen e presidentes, Kuvendi nisi punën për reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore. Dy komisionet ””ad hoc”” punuan për muaj të tërë, por rezultati mbeti zero. Edhe sot e kësaj dite, reforma kushtetuese ka mbetur askund, ndërsa ajo zgjedhore, me të cilën tani po merret Komisioni për legjislacion i Kuvendit të Kosovës, cilësohet si reformë sa për sy e faqe.

Në gjashtë vjetët e shtetësisë së saj, Kosova u përball më sfida të shumta. Ngritja e institucioneve shtetërore dhe konsolidimi i shtetit, ishte një sfidë që kërkon angazhim maksimal. Kryeministri Hashim Thaçi megjithatë, vlerëson se janë bërë hapa të rëndësishëm.

””Kanë qenë këto vite të rëndësishme të shtetbërjes, të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë,. Ishin vite të rëndësishme të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, demokratik dhe sovran. Sot kemi arritur ta bëjmë pavarësinë e Kosovës të njohur nga shumica e vendeve të botës. Të anëtarësojmë shtetin tonë të re në organizatat ndërkombëtare me peshë si në Bankën Botërore, FMN, Bankën Evropiane për rindërtim dhe zhvillim, si dhe në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare””, tha ai.

Flamuri i Republikës së Kosovës vazhdonte çdo ditë ta fitonte nga një pozicion të ri në botë. Valëvitej në vende të ndryshme të botës. Por, jo edhe në pjesën veriore të Kosovës. Korriku i vitit 2011, shënoi fillimin e ndryshimit edhe në këtë pjesë, ku mbretëronte nga paslufta mungesa e kontrollit të shtetit, pasi që strukturat paralele të Serbisë ishin bërë pengesë për ndërtimin e shtetit dhe ushtrimin e funksionalitetit në gjithë territorin e Republikës. Natën e 25 korrikut, kryeministri Hashim Thaçi i koordinuar me ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, kishte vendosur që në këtë pjesë t’i dërgojë forcat policore të Kosovës dhe njësitet ROSU. Dy pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak u vunë nën kontroll. Një pjesëtar i njësisë ROSU ra heroikisht gjatë këtij aksioni. Enver Zymberi menjëherë u nderua me urdhrin “Hero i Kosovës”. Kryeministri Thaçi 25 korrikun e quan datë të bashkimit territorial të Kosovës.

””Asnjë qeveri kosovare më herët nuk e ka pasur kurajën më herët të përballet me këtë të keqe. Nuk vazhduam me retorikën boshe të mëparshme për veriun, por u ballafaquam me atë sfidë. Pa vendimin dhe veprimin për marrjen nën kontroll të kësaj pjese të territorit dhe pikave kufitare 1 dhe 31 me 25 korrik 2011, nuk do të fillonte as dialogu real, nuk do të merreshim seriozisht as nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj 25 korriku 2011, është bashkimi territorial të Kosovës””, u thotë Thaçi.

Viti 2011 për shtetin e Kosovës, shënoi edhe një hap tjetër. Atë të fillimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhjetëra takime janë zhvilluar në Bruksel, ndërmjet delegacionit të Kosovës të kryesuar nga Edita Tahiri dhe atij serb të kryesuar nga Borisllav Stefanoviq. Nga këto bisedime teknike kanë dalë marrëveshje, siç është ajo për vulat doganore, librat amzë, marrëveshja për diplomat universitare, ajo për lirinë e lëvizjes, përfaqësimin rajonal të Kosovës, shënimet kadastrale dhe marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Në shkurtin e vitit 2012 u arrit edhe marrëveshja për formulën e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale, përkatësisht përfaqësimin e Kosovës me fusnotë. Kjo fusnotë që u quajt ””fluskë bore””, u tha se do të shkrihej shpejt, por ajo vazhdon të jetë prezente edhe më tej,shkruan rtk.

Ndërkohë, dialogu Kosovë-Serbi gjatë vitit 2012-2013 u ngrit në nivel të kryeministrave. Një sërë raundesh bisedimesh politike janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Këto bisedime rezultuan me Marrëveshjen e 19 prillit, ndërsa për çështje të ndryshme, takimet vazhduan edhe më tutje.

Po cilat janë rezultat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

””Disa nga rezultat kryesore që ka prodhuar ky dialog janë marrëveshja për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave ku është vendosur reciprocitet dhe bashkëpunim ndërshtetëror mes dy vendeve dhe ka mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave të Kosovës edhe nëpër Serbi. Dialogu ka bërë që Serbia pas shumë vitesh të heq bllokadat dhe embargon ndaj Kosovës si dhe të njeh dokumentet shtetërore të udhëtimit, vulat shtetërore të Doganave të Kosovës, diplomat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Dialogu po ashtu ka mundësuar shuarjen e strukturave paralele, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe përfshirjen e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës””, tha Thaçi.

Katër vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shtator të vitit 2012, Grupi Drejtues Ndërkombëtar në Vjenë vendosi t””i jap fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ky grup konstatoi se plani i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës është zbatuar në mënyrë thelbësore. Pas kësaj pasoi mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Në tetorin e vitit 2013, u bë një tjetër hap për Kosovën drejt integrimit evropian. Komisioni Evropian miratoi rekomandimet e vendeve anëtare për të hapur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën.

U quajt historike dita ku u mor një vendim i tillë. Por, jo i gjithë spektri politik në Kosovë e sheh të tillë. Por opozitën, jo gjithçka ka shkuar ashtu siç është pritur. Dialogun me Serbinë e kishin mbështetur të gjitha grupet tjera opozitare përveç Lëvizjes Vetëvendosje, megjithatë opozita është e njëzëshme në pakënaqësinë e saj me atë që është bërë për forcimin e shtetit të Kosovës.

Edhe për vendimin për MSA-në, që u konsiderua sukses për Kosovën në rrugën e integrimit evropian, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, konsideron se Kosova nuk përmbushi kriteret për MSA-në, por vetëm sjellja e Qeverisë së Kosovës karshi dialogut me Serbinë.

””Unë do doja të ishte ndryshe. Më mirë ta kishim merituar ne MSA-në nëse kjo do të matej me sundimin e ligjit në Kosovë, me luftimin e korrupsionit në Kosovë, me pavarësinë e drejtësisë, me efikasitetin e drejtësisë e kështu me radhë, sesa në negociata me Serbinë””, thotë Konjufca.

Edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se dëshira dhe angazhimi për shtetin e Kosovës ka qenë për më shumë se kaq.

””Sigurisht të gjithë ne kemi punuar, kush më shumë kush më pak mbi të gjitha si popull që të gëzojmë atë që sot e kemi, ose atë që u shpall para gjashtë vjetësh, pavarësinë e Kosovës. Dëshirat dhe synimet tona krejt tjera kanë qenë. Dëshira për t’u bërë shtet është bërë realitet, por funksionimi i mirëfilltë, angazhimi që të kemi një shtet ligjor, të zhvilluar ekonomikisht, ku sundon rendi dhe ligji, ku ka punësim, ku gjenerohen vende të punës, ku luftohet korrupsioni. Të gjitha këto kanë qenë dëshira dhe angazhim i yni, por fatkeqësisht këto nuk kanë ndodhur””, thotë Beqiri.

Kurse, Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së thotë se realiteti është ndryshe nga pritjet që ishin pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

””Gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë kemi një gjendje e cila është e vështirë për qytetarët e Kosovës si në planin ekonomik, social, pastaj edhe të zhvillimeve të tjera, edhe të atyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pritjet e qytetarëve kanë qenë shumë më të mëdha. Konsiderojmë që kjo qeveri që për të dytën herë e bartë mandatin nuk ka treguar performancën e mirë për të përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve në Kosovë dhe për të përmirësuar imazhin në arenën ndërkombëtare””, thotë Isufi.

Deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, vlerëson se Kosova ka përparuar shumë në procesin e shtetndërtimit për gjashtë vjet, por ai përmend edhe ngecje, siç është fusha e sundimit të ligjit. Sidoqoftë, Bajrami thotë se tani kur Kosova nuk e ka mbikëqyrjen e pavarësisë, ka një agjendë tjetër politike.

””Unë mendoj se tani gjashtë vjet pas pavarësisë kemi një agjendë krejt tjetër politike. Është agjenda e integrimeve evropiane, përfshirja e Kosovës në proceset e liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane, por kemi edhe një agjendë të brendshme politike, stabiliteti i brendshëm, sundimi i ligjit, luftimi i krimit, i dukurive tjera negative, sigurimi i një sistemi demokratik të qeverisjes dhe ngritja e standardeve sa i përket qeverisjes dhe sistemit zgjedhor. Mendoj se këto sfida janë shumë aktuale në Kosovë sepse tani nuk kemi më një mbikëqyrje ndërkombëtare, jemi shtet që qeverisë vetë dhe ne tani duhet ta marrim përgjegjësinë për përparimet e vendit tonë””, thotë Bajrami.

E, këto përgjegjësi, u demonstruan edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organizoi zgjedhjet edhe në pjesën veriore të Kosovës. Kjo u arrit falë marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Organizimi i këtyre zgjedhjeve u vlerësua si një e arritur e madhe për Kosovën edhe nga organizmat ndërkombëtarë.

Edhe 2014-ta do të jetë vit zgjedhor për Kosovën. Vit kur do të mbahen zgjedhjet nacionale. Por, zhvillimet e brendshme, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, nuk do ta pengojnë Kosovën në përspektivën evropiane.

””Unë jam i bindur se viti 2014 do të jetë vit i fuqizimit të shtetit tonë, i vazhdimit të zhvillimit ekonomik, i krijimit të vendeve të reja të punës, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosoëvs dhe vit i përspektivës evropiane të Kosovës dhe afrimit me NATO-n. Natyrisht pretendimet tona gjithmonë do të jenë që të punojmë maksimalisht për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara””, thotë Thaçi.

Shteti i Kosovës i shpallur më 17 Shkurt 2008, hyn në vitin e shtatë. Me institucione të konsoliduara, me zhvillim në ngritje e sipër, Kosova tani ka përpara shumë sfida, si në agjendën e integrimeve evropiane ashtu edhe në agjendën e brendshme, sundimin e ligjit, luftimin e krimit e korrupsionit, sigurimin e sistemit demokratik të qeverisjes dhe ngritjen e standardeve sa i përket sistemit zgjedhor. Lëvizja e lirë pa viza, është ajo që qytetarët e Kosovës e presin tash e sa kohë. Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në. Zotimet e krerëve të institucioneve të Kosovës në këtë drejtim mbetet mjaft shpresëdhënës.

Për një rini pa drogë

0

Astrit AhmetiAstrit Ahmeti

Përdorimi drogave është në mesin e shumë dukurive negative në shoqërinë tonë, është një sfidë që po e sfidon gjithnjë e më shumë shoqërinë tonë e në veqanti rininë si pjesa më e rendësishme e saj.

Kjo dukuri në Kosovë ka filluar të përdoret në masë të madhe pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, me fillimin e tranzicionit të stërgjatur, me instalimin e lirisë së njerzve dhe të kapitalit pra me hapjen e kufijve, me ç’rast hyrja në Kosovë e njërzve dhe e kapitalit ishte shumë e lehtë, duke marrë parasysh mos kontrollin efikas të kufijve territorial të Kosovës.

Në Kosovë ende nuk ka një numër të saktë të atyre që konsumojnë drogë dhe problemi kryesor këtu qëndron që shumica e përdoruesve të drogës nuk lajmërohen në qëndrat e trajtimit dhe rehabilitimit.

Sipas statistikave të policisë së Kosovës grupmosha që më së shumti atakohet nga kjo dukuri është ajo 15-35 vjeçare, kjo është alarmante kur dihet që rinia ka qenë dhe është baza e shoqërisë, shtytëse e shumë proceseve shoqërore e politike, nga ajo varet ardhmëria e shoqërisë dhe shtetit.

Në shoqërinë tonë ende mungon një qasje serioze për trajtimin e kësaj dukurie, ku ne si shoqëri civile dhe institucionet shtetërore duhet të bëjmë shumë më shumë në reduktimin e numrit të përdoruesve të substancave narkotike.

Deri më tani me trajtimin e këtyre rasteve është duke u marrë Ministria e shendetësisë në kuadër të Klinikës Neuropsikiatrike por efikasiteti dhe rezulati konkret pozitiv mungojnë.

Strategjia e Ministrisë së shendetësisë e hartuar kundër përdorimit të drogave nuk po sjell rezultate pozitive ndersa numri i përdoruesve po rritet gjithnjë e më shumë.

Rol të rendësishëm në këtë aspekt është duke luajtur organizata jo-qeveritare “Labyrinth”, një qënder e trajtimit të rasteve të konsumimit të lëndeve narkotike, të cilës për të pasur me shumë efikasitet i duhet shumë më shumë përkrahje financiare nga Qeveria e Kosovës.

Një fakt tjetër mjaft shqetësues është përdorimi i drogave në Shkollat e Kosovës nga nxënësit, ku numrin më të madh të përdoruesve e gjejmë në Prishtinë.

Përdorimi i drogave nuk është vetëm problem invidual por dhe shoqëror sepse pasojat janë shumë më të mëdha sese individuale, duke filluar nga dhuna në familje, divorci, kriminaliteti, kontrabanda etj.

Prandaj për të pasur rezultate konkrete në reduktimin e numrit të përdoruesve duhet medoemos të këtë kontroll më të fortë kufitar pasiqë shteti ynë llogaritet si vend tranzit i drogave dhe kjo tani është bërë edhe biznis mes kontrabandistëve, fuksionalizimi i gjyqësorit, duhet të këtë denime dhe gjoba më të mëdha për abuzuesit e drigave, rol të rëndësishëm do të luante instalimi i psikologëve dhe sociologëve në Shkollat e Kosovës, të këtë më shumë fushata sensibilizuese për të rinjët, me shumë emisione edukuese në mediat tona, të rritet bashkëpunimi nxënës- prindër- mesimdhënës , inspektimi i rregullt i vendeve të dyshimta të konsumimit të drogave dhe ndriqimi i tyre me reflektorë dhe në fund të krijohet një fond i veçantë për ti ndihmuar financiarisht për njerëzit që kanë arritur të largohen nga përdorimi i drogave e të cilët janë të ndarë nga familjet e tyre etj.

Të gjitha këto do të arrihen me një mobilizim të institucioneve dhe shoqërisë civile për të ardhë deri tek krijimi i një shoqërie me numër minimal të përdoruesve të drogave.

Hashim Thaçi “lajmërohet” nga Prevalla

0

Thaci ne prevallNë mandatin e dytë të Qeverisë, Hashim Thaçi ka vendosur të centralizoi gjithcka sa i përket komunikimit me publikun.

Ai ka hapur pothuajese të gjitha llogaritë nëpër rrjete sociale dhe po publikon njoftime dhe foto.

Sot, ai ka bërë një “selfie” nga Prevalla.

“Prevalla, përkundër mungesës së borës, mbetet vend i mrekullueshëm për t’u clodhur dhe për të reflektuar për punët e mëdha që janë përfunduar këto vite dhe për punët akoma më të mëdha që duhet bërë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Varroset veterani i luftës së UÇK-së në Malishevë, Sahit Thaçi

0

Sahit ThaçiMe nderime u varros sot kryetari i Degës së Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së në Malishevë, Sahit Thaçi. Paraprakisht, në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë u bënë homazhe dhe u mbajt një mbledhje komemorative, në kujtim të jetës dhe veprës së veteranit dhe invalidit të luftës së UÇK-së, Sahit Thaçit.

Në homazhet dhe mbledhjen komemorative, morën pjesë qindra bashkëluftëtar të Sahitit, pastaj deputetët e Kuvendit të Kosovës, Halit Krasniqi dhe Haxhi Shala, zv/ministri i MPMS-së,Fatmir Shurdhaj, kryetari i Malishevës,Ragip Begaj, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe shumë qytetar të tjerë.

“Këtë nderim Ne po i bëjmë sot një njeriu, i cili gjatë gjithë jetës së tij ishte i angazhuar për çështjen kombëtare. Sado që dhembja është e madhe ne ndihemi krenar për kontributin që dha gjatë luftës për lirinë e atdheut dhe pas luftës si aktivist i devotshëm, ku vdekja e gjeti në krye të shoqatës së invalidëve të luftës”, tha kryetari i Malishevës Ragip Begaj.

Në emër të tri shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së në Malishevë, foli Selajdin Sertolli, i cili në formë kronologjike, foli për veprimtarin e Sahit Thaçit, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa në Faton Thaçi, bashkëluftëtar dhe bashkëvendës i Sahiti, foli për jetën dhe veprimtarin e tij, që nga arrestimi i tij si gjimnazist, për të vazhduar me luftën e UÇK-së, plagosjen e tij, dhe deri në ditët e sotme, duke vazhduar veprimtarin e tij, në mbrojtje të të drejtave të invalidëve të luftës së UÇK-së./PrizrenPress.com/

 

 

Në Prizren hapet edicioni i III-të Sculp’ice

0

skulpNdezja e motor-sharrave dhe prerja e kubave të akullit të shtunën mbrëma në Prizren në mënyrë simbolike shënoi fillimin e edicionit të tretë të Sculp’Ice. Artistët e ftuar nga vende të ndryshme nisën punën në krijimin e skulpturave të tyre, që do të jenë gati në përvjetorin e VI-të të pavarësisë së Kosovës, e të cilat në përputhje me konceptin e këtij edicioni do të shkrihen në natën e fundit të festivalit.

Në ceremoninë hapëse të Sculp’Ice III, ka qenë i pranishëm ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jan Braathu, i cili vlerësoi këtë organizim si një ngjarje të veçantë që krijon hapësirë për takimin dhe komunikimin në mes të artistëve të vendeve të ndryshme që ndërtojnë marrëdhënie edhe me popullatën vendëse përmes artit të tyre,transmeton koha.net

“Duke qenë se ky organizim ndodh në një kohë kur nuk ka shumë ngjarje artistike, jemi të lumtur që ta përkrahim atë, sikurse që i japim mbështetje të gjitha ideve kreative që mundësojnë promovimin e njerëzve të këtij shtetit të mrekullueshëm, por edhe që sjellin dinamizëm dhe energji të re në jetën kulturore”, tha Braathu.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i festivalit, Leutrim Fishekqiu, shpjegoi se Sculp’Fest përbëhet nga dy komponentë: Sculp’Ice dhe Sculp’Edu, të cilat organizime i paraprijnë ngjarjes kryesore që është Sculp’Biennale, që planifikohet të mbahet për herë të parë në vitin 2016.

“Sculp’ice, për herë të tretë mbahet si një manifestim kolektiv, në kuadër të cilit akulli shndërrohet në art. Duke i dhënë akullit formë artistike, festivali synon të promovojë skulpturën dhe angazhohet për krijimin e hapësirës së nevojshme për shprehjen e talentit artistik të të rinjve”, theksoi Fishekqiu. Ai ka falënderuar të gjithë sponsorët e festivalit për mbështetjen e dhënë.

Në anën tjetër kritiku i artit, Mehmet Behluli çmoi punën e organizatorëve të Sculp’Ice dhe shprehi bindjen se më këtë përkushtim është nisur rruga për Sculp’Biennalen 2016 dhe se “nuk ka dyshim që do të arrihet edhe ky synim”. Ai e shpalli të hapur festivalin.

Në vigjilje të hapjes së edicionit të tretë të Sculp’Ice, të shtunën mbrëma është debatuar mbi rëndësinë e diplomacisë kulturore në promovimin e shtetit të Kosovës. Gjatë këtij diskutimi, pjesëmarrësit e debatit theksuan se diplomacia kulturore paraqet një kanal tjetër jo-formal, me anë të cilit mund të përcillet imazhi i duhur për Kosovën.

Njëri nga panelistët e diskutimit, ambasadori norvegjez në Prishtinë, Jan Braathu pohoi se diplomacia kulturore shërben që përmes artit të prezantohet shteti dhe atë në një dritë më pozitive se që janë shpesh perceptimet nga jashtë.

“Imazhi i Kosovës në perëndim më duhet ta them me keqardhje që nuk është shumë pozitiv. Dhe këtë duhet ndryshuar. Këtë ndryshim mund ta bëjnë individët, artistët, me ide kreative, që mund të pasqyrojnë një tjetër imazh të Kosovës së vërtetë”, tha Braathu.

Ndërsa panelisti tjetër, kritiku i artit, Mehmet Behluli theksoi se diplomacia kulturore duhet të përdoret për të krijuar sa më shumë miq, që më pastaj sjell përfitime për vendin. Sipas tij, institucionet nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtim, por është shprehur i bindur se në këtë drejtim artistët duhet të jenë forca shtytëse dhe të detyrojnë institucionet që të veprojnë.

Edicioni i tretë i Sculp’ice do të realizohet rreth konceptit të “Shkrirjes se Barrierave”. Shkrirja do të tematizojë të gjitha seksionet e festivalit, duke shërbyer si emërues i përbashkët dhe moto e këtij edicioni.

Duke i dhënë akullit formë artistike, festivali synon të promovojë skulpturën dhe angazhohet për krijimin e hapësirës së nevojshme për shprehjen e talentit artistik të të rinjve.