Home Blog Page 5790

Shteti shtyp qytetarët

0

Derisa është konstatim i përgjithshëm, i analistëve dhe ekspertëve të fushës, se të dy institucionet më kryesore të shtetit ligjor, e që janë gjykatat dhe administrata në Kosovë shkelin të drejtat e njeriut me të dyja këmbët në baza ditore dhe pandalshëm, as që mund të pretendojmë se mund të zhvillohemi si shtet. E para është e kapur nga politika e oligarkët, kurse e dyta është e mbushur me militantë partiakë e familjarë, prandaj pa një pastrim të këtyre dy institucioneve nuk do të ketë kurrë funksionim normal të shtetit demokratik e ligjor.

Njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti thotë se është fakt që drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive dhe e dirigjuar nga politika. Sipas tij, këtë “hipotezë” e argumentojnë shumë hulumtime e raporte nga organizata vendore e ndërkombëtare.

“Kjo logjikë e funksionimit të sistemit të drejtësisë, e cila vepron nën kthetrat e politikës e jo brenda mandatit kushtetues e ligjor, ka prodhuar një gjendje anarkie në institucionet publike të shtetit. Standardi i mbrapshtë i funksionimit të institucioneve të drejtë- sisë duhet të përfundojë, por pa një vullnet politik që i shtyn proceset reformuese të sistemit e drejtësisë përpara është një demagogji boshe”, u shpreh ai.

Sistemi i kapur

Sipas Ahmetit, kapja e drejtësisë është bërë në mënyrë sistematike dhe të sofistikuar dhe falë kësaj piramide hierarkike është kontrolluar dhe dirigjuar më lehtë. “Mekanizmat kontrollues të sistemit të drejtësisë janë kapur në mënyrë sistematike, duke i pamundësuar të funksionojnë në mënyrë të pavarur hallkës zinxhirore të institucioneve kontrolluese të drejtësisë. Nuk mund të gjeneralizojmë në paragjykimin e deficitit në profesionalizmin e gjyqtarëve e prokurorëve, por hallka zinxhirore, menaxheriale e sistemit të drejtësisë është e kapur nga politika”, potencoi ai. “Kosova si shtet ka marrë obligime kontraktuale me marrëveshjen për MSA-në, ku reforma në sistemin e drejtësisë është kruciale, por institucionet publike, e posaçërisht Qeveria e kaluar nuk ka pasur vullnet për ta bërë reformën në sistemin e drejtësisë, jo duke i kapur me militantë partiakë e njerëz super të dëgjueshëm, por duke e çuar vizionin për reformën e drejtësisë përpara”, tha Hidajet Ahmeti.

Krimi mbetet i pandëshkuar

Sipas ekspertit të kësaj fushe Blerim Burjani, për të shmangur këtë sjellje të kundërligjshme në institucionet e shtetit, për të evituar shkeljen ekstreme të të drejtave të njeriut, duhet të ketë një monitorim më të shprehur në punën e gjykatave në Kosovë, ku tash për tash ka shumë “çudira” dhe shkelje të të drejtave të njeriut. “Së pari hapet procedura, mbahet personi i caktuar 2 vjet nëpër seanca gjyqësore dhe në fund lirohet plotësisht si i pafajshëm. Ose ndodh rasti tjetër, ku gjithmonë gjykatat nxjerrin aktgjykime me dënime kohore prej 10 vjet e më shumë dhe pastaj shkalla e dytë e liron komplet palën nga aktgjykimi, rasti i tretë është kur gjykata pa nxjerr asnjëherë aktgjykim zhvillon seanca pa ndalur për më shume se një vit dhe lirohet i dyshuari i si i pafajshëm”, potencoi ai. “Rastet e tjera janë raste të punës së prokurorisë, kur kapen rastet në flagrancë, siç është rasti me stenta dhe askush deri tash prej të pandehurve nuk është thirrur nga gjykata për seancë. Pra, kjo flet mjaft dhe kjo është e tmerrshme, më shumë se e pabesueshme”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Ai konsideron se tanimë duhet që të gjitha rastet të trajtohen e të rishikohen plotësisht. “Nëse shkalla e parë nxjerr aktgjykim drakonik, pra të lartë, dhe shkalla e dytë e liron plotësisht nga fajësia, kjo i bie se gjykata ka shkelur të drejtat e njeriut, për shkak se ka maltretuar dhe nuk e kompensojnë asnjëherë kohën e humbur për të dyshuarit dhe prishjen e imazhit të tij publik. Për këtë arsye gjyqtarët e shkallës së parë në këto raste të gjithë duhet të merren në pyetje ose ata gjyqtarë të shkallës së dytë, të dihet se çka ka ndodhur dhe si ka ardhur deri te këto aktgjykime dënuese edhe liruese”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.

Shteti i pakonsoliduar

Analisti Arsim Haziri konsideron se sipas atributeve që i posedon tani, Kosova akoma nuk mund të konsiderohet shtet normal dhe i mundshëm për konsolidimin e vetvetes si shtet i sundimit të drejtë të ligjit. “Kjo është më se e qartë! Përderisa ato dy institucione relevante për fuqizimin e shteti tonë influencohen nga ndikimi politik, çdo gjë e pritshme mund të jetë e kotë dhe e parealizueshme. Shteti nuk konsolidohet kur i mungojnë organet, të cilat përbëjnë premtim për avancimin e tij. Kosova, përkatësisht institucionet e saj, sidomos ato pa të cilat nuk mund të garantohet stabiliteti, nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm, ashtu edhe sistem të fuqishëm ligjor kur mungojnë së vepruar në mënyrë të paanshme sistemi i gjykatave dhe ai i administratës, që në përkthim lateral nënkupton një lloj timoni juridik”, ka thënë ai.

“Kosova, fatkeqësisht, nuk funksionon mbi baza juridike dhe ekonomike, po ajo ndikohet skajshmërisht nga dominimi i tepërt politik, kahe e cila ka instaluar pamundësinë për të dhënë kontribut të pashmangshëm shtetëror. Mundësia potenciale për të eliminuar këtë ndikimin politik është ndëshkimi përmes këtyre zgjedhjeve të subjekteve të caktuara, të ndëshkohen ato subjekt të cilat mbajnë faturën kryesore për degjenerimin e vendit”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Keqbërësit larg pozitave

Edhe Skënder Mulliqi pohon se është fakt që të gjitha sistemet nuk po funksionojnë si duhet, e jo vetëm organet e drejtësisë dhe administrata . “Drejtësia po ndikohet nga politika ditore, po ndikohet nga njerëzit e fuqishëm në pushtet, të cilët në një mënyrë apo tjetër janë ngritur mbi ligjin. Pa reformë thelbësore në organet e drejtësisë nuk mund të funksionojë asnjë shtet si duhet, porse kulimi është drejtësia jofunksionale”, theksoi ai. “Organet e drejtësisë duhet domosdo të shkë- puten nga ndikimi i politikës. Derisa kemi drejtësi seleksionuese nuk mund të flasim se kemi gjyqësor në nivel të duhur. Janë mbushur të gjitha sistemet me militantë të partive politike, me njerëz të dëgjueshëm dhe servilë karshi strukturave pushtetare. I kanë inkuadruar në administratë njerëzit jokredibilë dhe krejt me qëllime të caktuara profitereske”, u shpreh Mulliqi. “Punësimi pothuajse pa asnjë kriter ka bërë që të kemi institucione fragjile, që të kemi shkelje të rënda edhe të lirive dhe të të drejtave elementare njerëzore. Po mbesin jashtë sistemeve njerëzit, të cilët kanë kualifikime përkatëse, vetëm pse nuk kanë lidhje me strukturat politike. Këto marifete e kanë sjellë këtë gjendje çfarë e kemi aktualisht, shumë të keqe politike dhe të ecurive ekonomike. Nevojitet një reformim i thellë, duke i larguar të gjithë ata të cilët kanë bërë keqpërdorime të detyrës zyrtare”, ka thënë Mulliqi.

(Kosova Sot)

PZAP pranon ankesën e Zafir Berishës

0

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thotë se ka pranuar 18 apele në këtë institucion pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i decertifikojë ata kandidatë që kanë aktgjykime të formës së prerë nga Gjykatat e Kosovës.
Në mesin e atyre që i kanë bërë këto ankesa mësohet se është edhe deputeti i Nismës, Zafir Berisha.

Mulë Desku nga PZAP ka treguar për Express se nga cilat subjekte politike kanë ardh këto ankesa.

“Ju informoj se PZAP, ka pranuar 18 apele, 7 nga PDK, 2 PSHDK, 4 LDK, 3 NISMA, 1 AKR, 1 PD”, ka sqaruar ai.

Vendimi për decertifikimin e kandidatëve që kanë aktgjykime të formës së prerë u morë me 8 vota pro, një abstenim dhe një kundër.

Zyrtarët e misioneve të huaja e kanë mirëpritur këtë vendim të KQZ-së duke thënë se votuesit e Kosovës kanë të drejtë të kenë përfaqësues etikë.

Ndërkaq, Zafir Berisha të cilit iu mohua e drejta që të kandidojë për kryetar të Prizrenit është shprehur i habitur me vendimin e KQZ-së pasi sipas tij, këta të fundit pak muaj më parë e kishin lejuar që të marrë pjesë në garën për deputet në Parlamentin e Kosovës, ndërsa po i mohohet mundësia për të garuar në nivel lokal.

Deputeti Berisha nuk e ka mohuar mundësinë që një vendim i tillë i KQZ-së të ndërlidhet edhe me abstenimin e tij në Parlament për qeverinë “Haradinaj”./GazetaExpress/

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/pzap-pranon-18-ankesa-pas-decertifimit-nga-kqz-njeri-nga-ta-eshte-edhe-zafir-berisha-434428/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Ministri Kujtim Gashi premton depolitizim të kulturës

0

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, RuairíO’Connel, me të cilin bisedoi për zhvillimet në fushat që i mbulon MKRS-ja, politikat programore dhe objektivat që ka në plan MKRS-ja të përmbushë si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Britanisë së Madhe në sferat që janë më me prioritet dhe në interes të dy vendeve në kuadër të këtyre fushave.

Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin O’Connelldhe, përmes tij qeverinë dhe popullin britanik për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në mbështetje të kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore.

Sipas njoftimit për media, ai tha se e çmon bashkëpunimin e deritashëm dhe përkrahjen që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë për projekte të ndryshme, të cilat e kanë ndihmuar MKRS-në që të realizojë politikat e saj dhe se kjo ka krijuar lehtësira të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen e punës së ministrisë. Ndër këto projekte është Databaza e Trashëgimisë Kulturore, në të cilën Britania e Madhe ka ofruar mbështetjen e plotë. Programi i bursave, i cili është nënshkruar në një marrëveshje mes MKRS-së dhe Këshillit Britanik që studentët kosovarë të vazhdojnë studimet në universitetet britanike në fushën e trashëgimisë dhe projekte tjera infrastrukturore, janë ndër të shumtat që Ambasada e ka ndihmuar MKRS-në.

Po ashtu, ministri Gashi tha se mbetet i përkushtuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Ai tha se MKRS-ja do të angazhohet në reformimin e politikave të saj programore me synim të depolitizimit dhe zvogëlimit të barrierave të panevojshme administrative, duke siguruar edhe pavarësinë e funksionimit të institucioneve vartëse të ministrisë. “Do të angazhohemi që të rikonceptojmë mbështetjen e fuqishme për kulturën e pavarur, gjegjësisht, artistët, punëtorët profesionalë të trashëgimisë kulturore, sportistët dhe aktivistët e rinj të dëshmuar”, tha ministri Gashi.

Nga ana e tij, ambasadori britanik Ruairí O’Connell, pasi e uroi ministrin Gashi për detyrën e re, tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen. Ai potencoi se mbështetja e Ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë edhe më tutje. O’Connell e inkurajoi ministrin që të punojë dhe të angazhohet në përkrahjen e vlerave dhe mbështetjen e talenteve të rinj në të gjitha fushat.

Letra e Mitrush Kutelit për Lasgush Poradecin

0

Dje u mbushën 110-të vite që kur lindi në Pogradec shkrimtari i njohur Dhimitër Pasko me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli. Pasi përfundoi shkollën në Bukuresht, ai u kthye në Shqipëri ku jetoi e punoi si shkrimtar, përkthyes dhe financier dhe ku vdiq në vitin 1967.

Po sjellim sot një letër që ai i ka dërguar Lasgush Poradecit:

I dashur Llazar,

S’di qysh të filloj e qysh të shkruaj. Me dhembje, duke shkelur brutalisht përmi shpirtin t’im, të pata shkruar përpara pak kohe, në një ditë, një k.p. dhe një letrë. Nuk isha zot i vetë vetes. Nervoz, i konsumuar dita me ditën prej lufte e brengash, i munduar në çdo fillim lufte, i dërmuar shpirtërisht… të pata shkruar tepër ashpër. Më von, pas disa ore më ardhi keq… Po të ma dish gjëndjen nuk do më gjykosh rëndë. Qetohem. Turbullohem. Ngrihem. Vdes. Dhe sa herë nuk e thërres argumentin…

Dhe të them tashi si pat qënë puna që të shkrojta ashpër:

1) Përgjegjësia morale (dhe mbase më tepër) kundrejt një rrethi që s’më kupton e s’të kupton… pyetjet e dëndura: kur dalin poezitë e Lasgushit, sa e sa insceptibilitete.
2) Dëshira e madhe që të shoh të realizuar ëndërrën t’ime dhe t’ënden, të shoh në dorë volumin e poezive.
3) Pritje e gjatë e një letre konfirmimi prej teje. Më dërgove dorëshkrimin pa asnjë shpjegim. Pas tij asnjë letrë përveçse pasi e kishe vënë në postë. Të gjitha këto më prishnin mëntsh.

Po t’i lemë këto.

Është nje detyrë për ty dhe për mua që të dali volumi. Me që ti nuk munt, dergoma këtë dorëshkrim së bashku me shënimet e tua të fundit. Nga të 900 Schilingat që ke marrë mbaj 200 ti për harxhet e tua dhe dërgomë vetëm 700. Besoj të më sosin. Në qoftë se nuk do mjaftojnë do bëhem urë e gur e do t’i plotësoj. Korrekturat do t’i dërgoj aty. Ti të më tregosh formatin që të pëlqen. Të tjerat leri në kujdesin t’im. Pasi të dali volumi do mundim të shesim mjaft numura. Fitimi do të jetë t’ëndi. Me këto të holla të përkujdesesh për shëndetin t’ënd. Përveç këtyre si të dali libra do mundim të kërkojmë ndonjë subvencion për ty prej M. Së Arësimit ose gjetkë. Është momenti psikologjik më i sgjedhur. Kam mik një gazetar dhe një poet gjerman M. Rosenkranz– i cili ka shtypur disa volume poezie– që do të të bëjë recenzione në gjuhën gjermane. Unë do të shkruaj shqip dhe rumanisht. Gjithashtu do bëj një recenzion frëngjisht për revistën “Les Balkans” të Athinës. Do kësilloj me vepërim si thua ti, t’ja thyejmë gjunjët Djallit të Shqipërisë…

Kjo është udhë më e mirë dhe më korekte. Mos rri në mendime sepse jam menduar dhe kam vrarë unë mëndjen mjaft. Sgjidh rrugën e mirë për dërgimin e të hollave dhe mos vono. Çdo vonim të sjell dëm moral dhe material. Nuk është çudi se shtypja e librës do të të sjellë një reaksion psikollogjik dhe do mund të ketë reperkusione për ty.

Unë jam në mbarim e sipër të thezës. Kam 44 faqe dorëshkrim. Gjithsej do bëhen përmbi 500. Faqe shtypi do të jenë 300. Me sa vojtje e bëra vetëm unë e di. Asnjë tjetër. Mungesë materiale, mungesë morale… E si t’a mbaroj? Hiç. Perspektiva për shtypjen e kësaj proze nuk kam asnjë. Trokas derë më derë. Hiç.

Po ta levdonja Bankën e Shqipërisë do kisha “situatë”. Po shpirti është shpirt. Për pastërtinë e tij dhe për idealin e shqipes po hiqem zvarrë. S’ka gjësend. Si thua ti: Valoj me sulm e gas. U mbarua gazi? Digjet fitili dhe pa dritë nuk do mbetemi. Ç’thua ti? Nuk është kështu?

“Shqipëria e re nuk ka dalë prej shumë kohe. Me këtë numër do shikosh ndryshime. Zgjohemi, vepërojmë dhe godasim me ashk. Dhe do vazhdosh të lëçitësh (daca nu se vinde magarul acela de proprietor). Pe mine ma doboara reumatismele. Afi plona Ah. Doamne.

Cancua nuk më shkruan asgjë. Ka frikë mos i presin kreditin nga banka sepse unë qenkam jashtë ligjit.

Me postën e parë pres dorëshkrimin dhe të tjerat.
Me dashuri e dhembje!

(Shkruan Konica.al)./ KultPlus.com

Gazetarët, pyetjet e pakëndshme dhe politikanët e “lazdruar”

0

Nga Musa Sabedini

Jo vetëm rasti i fundit, mes Ramush Haradinajt dhe koleges Kaltrina Zymberi, meriton të trajtohet me shumë përgjegjësi dhe me një motiv edhe më të madh për ta inkurajuar gazetarinë e pyetjeve të pakëndshme, por komuniteti i gazetarëve duhet të motivojë çdo gazetar, qoftë i ri apo i vjetër, për të luajtur rolin e tij, kudo që ndodhet. Gazetarit dhe gazetarëve u lejohet të bëjnë pyetje të pakëndshme, u lejohet të mos ia qëllojnë apo siç e themi ne profesionistët ”të bëjnë pyetje që nuk është pyetje”, u lejohet të bëjnë nervoz dhe ta dekoncentrojnë një politikan a kryeministër. Pse ky privilegj? Sepse gazetarët këtë punë kanë, këtë profesion e zanat ushtrojnë çdo ditë. S`kanë obligime tjera dhe s`kanë asnjë arsye të ndihen në siklet që po “terrorizojnë” një politikan apo ndonjë zyrtar të lazdruar.

Konferencat zyrtare, ku pyetjet e gazetarit dhe përgjigjet e politikanëve apo zyrtarëve të lartë, shihen “live”, nganjëherë e kanë sikletin e dyanshëm. Pyetjet e pakëndshme që shpesh politikanët i urrejnë, janë momentet më të mira, kuptohet për gazetarët inteligjentë dhe ata që hulumtojnë tema të mëdha, që të marrin përgjigje në hapësira publike.

Nga përvoja ime kam parë që edhe politikanët, edhe gazetarët, shpesh parapëlqejnë që temat e ndjeshme t`i diskutojnë në situata më private. Tani rasti me Kaltrina Zymberin është vërtet për keqardhje, meqë Ramush Haradinaj, duke e njohur të gjithë kapacitetin e tij të shkollimit, jep leksione e ligjërata se çka duhet të lexojnë e të mësojnë gazetarët.

Problemi më i vogël sot për një gazetar, është të bëjë një pyetje të drejtpërdrejtë. Problemi kryesor mbetet se kush do t`i jap përgjigje asaj pyetje. Shumica e politikanëve tanë janë mësuar që mediat të jenë servile dhe pse jo edhe në shërbim të tyre. Ama, një gazetar duhet të ruaj kriterin profesional dhe etik edhe atëherë kur politikani mendon se e ka mik dhe nuk sheh rrezik nga ai. Ky edhe është gabimi më i madh i këtyre politikanëve.

S`kam asnjë dilemë se në rastin konkret, gazetarja nuk bëri as gabimin më të vogël, sikur që nuk e kam asnjë dilemë se Kaltrina bëri pyetjen e duhur. Trajtesa ime lidhet me reagimin e pavend dhe shumë të ulët të Ramush Haradinajt.

Ramushi duhet ta kuptojë se mediat dhe gazetarët nuk janë raste sociale dhe nuk janë as pensionistë. Ata janë gazetarë për të bërë pyetje, për të thumbuar kryeministrin, ministrat, zyrtarët e lartë. Gazetarët këtë punë kanë dhe këtë profesion ushtrojnë. Kryeministri vetëm duhet të jap përgjigje, ose edhe të heshtë. Ky është problem i tij.

E keqja është se kohëve të fundit, është krijuar një aversion i padrejtë ndaj gazetarëve dhe kjo kryekëput nga rrjetet sociale. “Gazetarët rrejnë, mirë po ua bëjnë, mbylleni gojën, jeni edhe ju matrapazë” – këto janë komentet e shumta që has nëpër rrjetet sociale të njerëzve të kategorive të ndryshme.

Kjo, gjithsesi që nuk qëndron, sepse gazetarët jetojnë nga djersa e tyre. Ata kanë të drejtë të trajtojnë temat më të ndjeshme, më të panjohura për publikun, më të pakëndshme për ndonjë parti a lider.

Personalisht mendoj se rasti i Kaltrina Zymberit duhet të na jap forcë edhe më të madhe dhe motiv shtesë që zyrtarët e lartë t`i “bombardojmë” me pyetje të pakëndshme, duke shmangur pyetjet protokollare dhe shpesh të mërzitshme edhe për publikun.

Gazetari ka të drejtë ta pyes kryeministrin edhe sa të holla i ka në xhep për momentin. Llogariteni se si do të ishte ndier një politikan yni sot, po t`i bëhet kjo pyetje. Ose, nëse do e pyesni cilin libër e keni lexuar të fundit, apo sa gazeta ditore botohen në Kosovë etj. etj.

Gazetarët e mirë, të aftë profesionalisht, të përkushtuar, të njohur dhe me autoritet, të qëndrueshëm në profesion, janë shenja të mira në edukimin e publikut, në edukimin e politikanëve ndaj sjelljeve të tyre.

Jam i sigurt se incidenti i fundit i Ramushit, duhet t`i vlejë atij si një shembull që në të ardhmen të mos ngacmojë “grejzin” sepse ai nuk të fal.

Ramush, kësaj radhe gabove dhe mos ngacmo aty ku nuk duhet dhe ku nuk ke aspak nevojë. Gazetarët janë miq të mirë dhe mund të jenë edhe afrues e bashkëpunues, ama kurrë mos harro se ata nuk e tradhtojnë profesionin e tyre!.

Zafir Berisha ka disa pyetje për shtetet e Kuintit

0

Zafir Berisha deputet i NISMA për Kosovën, i cili u decertifikua nga KQZ-ja për kandidat për kryetar të Prizrenit nga kjo parti, u ka parashtruar disa pyetje shteteve të Kuint-it.

Kujtojmë se ambasadat e Shteteve të Kuintit në Kosovë, (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania), i kanë bërë thirrje KQZ-së që të decertifikojë kandidatët për zgjedhjet lokale të cilët janë të dënuar.

Postimi në Facebook
Pyetje për ambasadorët e huaj në Kosovë, të shteteve të Kuintit!

1).- A ndodhë në vendet tuaja, që një organ ekzekutiv, si shebull KQZ-ja në Kosovë, që para dy dite, me votu për zbatimin e ligjit, kur dihet se ligjet zbatohen nga të gjitha organet dhe qytetarët, që nga momenti kur miratohen në Kuvend ?

2).-Në rastin konkret sipas praktikës së krijuar, a ka të drejtë KQZ-ja, me votu për moszbatimin e ligjit, siç nuk e ka respektuar afër 10 vite, pasi e ka praktiku të drejtën me votu për me respektu ?

3).- Në vendet nga vini ju, a ka përgjegjësi ligjore dhe juridike për mosrespektim të ligjeve me vite të tëra, nga organet e caktuara siç është rasti te ne me KQZ-n ?

4).-Në vendet nga vini ju, çka ndodhë me organet dhe personat fizik që i përbëjnë ato organe, kur e marrin rolin e organit ligjëvënës (në rastin tonë Kuvendit), a e llogaritni këtë si logjikë “lladrovcijane” se ligji është si lastiku?

Me respekt deputeti /ligjëvensi/ i Kuvendit të Kosovës: Z.Berisha

Mytaher Haskuka, pro ndërtimit të Xhamisë në Kalanë e qytetit

0

Lëvizja Vetëvendosje e mbështet ndërtimin e Xhamisë në Kalanë e Prizrenit.Kështu ka thënë në një intervistë të dhënë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, kandidati për kryetar të Prizrenit nga VV-së, Mytaher Haskuka, raporton Gazeta Blic.Ai ka thënë se nëse shumica e mbështesin ndërtimin e kësaj xhamie, atëherë edhe ai do ta mbështes atë.

Ndërkohë, tash e sa kohë ka filluar debati për dhe kundër ndërtimit të një xhamie në Kalanë e qytetit të Prizrenit.Haskuka ndër të tjera ka thënë se ka plan për ruajtjen e trashëgëmisë dhe ndërtesave të vjetra në qytetin e Prizrenit.Ai ka thënë se edhe si deputet të formohet një komision, që do të hetonte se çka po ndodhë me Qendrën Historike të Prizrenit, raporton Gazeta Blic.Sipas tij, duhet të krijohet edhe një fond emergjent për qendrën Historike të Prizrenit.

Prizren: Dënohet me 10 muaj burg i akuzuari për vjedhje

0

I akuzuari për vjedhje grabitqare, Fabijan Gjugja, të mërkurën, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me 10 muaj burgim efektiv, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, prej rreth 5 muajsh.

Derisa pritej që në këtë seancë të vazhdonte gjykimi i rregullt i të akuzuarit Gjugja, prokurori i rastit, Metush Biraj, ka shprehur gatishmëri që me të akuzuarin të negociohet një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

I akuzuari dhe mbrojtësja e tij, avokatja Hana Cana, kanë pranuar propozimin e prokurorit, ndërsa trupi gjykues u ka dhënë kohë atyre disa orë që të arrijnë një marrëveshje të tillë.

Pasdite, prokurori Biraj së bashku me avokaten Cana kanë paraqitur para trupit gjykues marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në të cilën parashihej dënim me burgim efektiv për të akuzuarin prej 8 deri në 12 muaj.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, ka pranuar marrëveshjen e arritur mes palëve, ndërsa të akuzuarit i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv, në lartësi prej 10 muajsh.

Po ashtu, i akuzuari Gjugja është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale prej 400 euro.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, e cila e akuzonte Fabijan Gjugjajn se më 4 dhjetor 2012, rreth orës 2:00, pas mesnate, ka hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Ahmet Çertik dhe ka vjedhur një telefon celular.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Gjugja, në momentin kur po largohej nga shtëpia, është ndeshur me pronarin Çertik dhe me qëllim që të mbajë sendin e vjedhur dhe të largohej nga shtëpia, ka përdorur forcën fizike kundër tij.

Ky rast, për disa vjet nuk ka mundur të gjykohej, sepse i akuzuari ka qenë i pakapshëm për forcat e rendit, pasi që i njëjti ka qenë jashtë Kosovës./betimiperdrejtesi/

Demarkacioni në rrugë të drejtë

0

Hapja e shpejtë të temës së Demarkacionit nga Qeveria e re e Kosovës, madje duke u renditur si temë që në mbledhjen e parë të Qeverisë, me shkarkimin e komisionit të mëparshëm dhe emërimin e kryetarit të ri të komisionit për demarkim dhe reagimet e mëvonshme ndërkombëtare, atyre amerikane rreth këtij veprimi, nga analistët politikë po shihet si një veprim i nxituar, i pamatur mirë, i kryeministrit Haradinaj, epilogu i të cilit mund të jetë edhe një përplasje e re e tij me ndërkombëtarët. Madje besohet shumë që Demarkacioni si temë do të vazhdojë të dominojë edhe për shumë kohë, edhe në agjendën e qeverisë aktuale, së bashku me Asociacionin, pasi Lista Serbe nuk do të heqë kurrë dorë nga Asociacioni.

Analisti Florim Zeqa nuk sheh efekt tjetër të këtij veprimi të Haradinajt përveç çmimit për marketing politik.”Hapja e shpejtë e temës së Demarkacionit, që në ditën e parë të punës si kryeministër nga ana Ramush Haradinajt, më tepër ka të bëjë me marketing politik sesa me zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Këtë e dëshmon shkarkimi i komisionit të deritanishëm qeveritar për demarkimin, gjegjësisht kryetarit Mehaj, gjë e cila nuk e nënkupton zgjidhjen kaq të lehtë të këtij problemi të trashëguar nga qeveria paraprake”, u shpreh ai.

Nën hijen e Listës Serbe

Edhe analisti Hidajet Ahmeti konsideron se euforia e zotit Haradinaj po krijon një mjegull në opinionin publik. “Më këto veprime mundohet të mbuloj gjithë ato lojërat e ndyta politike në raport me partinë shtet, PDK-në, e posaçërisht me Listën Serbe, e cila do të jetë determinuese e shumë proceseve të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Deklaratat dhe veprimet populiste pa një strategji afatgjate për zhvillimin dhe përfundimin e proceseve të rëndësishme për vendin janë veprime boshe e pa përmbajtje substanciale. Çështjes së Demarkacionit nuk mund t’i shmanget Qeveria ‘Haradinaj’, pasi që Demarkacioni është krucial për Liberalizimin e vizave, si kusht në Raportin e Komisionit Evropian. Është faktike se është një kusht diskriminues nga Komisioni Evropian, pasi që është i vetmi shtet Kosova që deri më tani e ka pasur si kusht çështjen e demarkimit”, tha Ahmeti.

Ai thotë se nuk ka dyshim që edhe Lista Serbe do të veprojë e do të punojë brenda kornizës së interesave nacionaliste serbe, duke vepruar me strategjinë e Beogradit zyrtar për Asociacionin.”Gjykoj se në momentin kur Qeveria ‘Haradinaj’ nuk do të punojë brenda agjendës së Listës Serbe dhe interesave kruciale të Beogradit zyrtar, Qeveria ‘Haradinaj’ potencialisht do të rrëzohet”, tha Hidajet Ahmeti. ‘Arrë’ e fortë për Qeverinë ‘Haradinaj’ mbeten Demarkacioni dhe Asociacioni edhe sipas analistit Jeton Kelmendit. Ai thotë se shkarkimi i kryetarit të komisionit për demarkim me Malin e Zi, z. Murat Meha, është dashur të bëhej para dy vjetësh nga Isa Mustafa, por problemi qëndronte se nuk guxonte ta bënte, sepse pastaj Thaçi do dilte tradhtar, prandaj kjo nuk ndodhi. Këtë guxim që do të jetë sfidues, sipas tij, e mori tash Haradinaj, edhe pse nuk është menduar si veprim i mirë, por mbetet të shihen veprimet e tjera.”Së pari është dashur të ftohej ky ekip dhe të jepte llogari para qeverisë, pastaj të bëhej një takim me palën malazeze dhe t’u sqarohej pakënaqësia dhe pastaj në përputhje me ligjet e vendit të shkarkohej ky ekip që Kosovës i solli dëme të mëdha në shumë aspekte”, tha Kelmendi.

MARRËVESHJA MUND TË PËRFUNDOJË NË ARBITRAZH

Edhe Skënder Mulliqi jep një vlerësim të balancuar rreth kësaj teme. Ai thotë se finalja e këtij procesi do të zgjidhet vetëm në Arbitrazh ndërkombëtar, derisa problem më të madh e sheh çështjen e Asociacionit. “Që Demarkacioni të jetë kusht për liberalizim të vizave kanë ndikuar shumë Thaçi dhe Mustafa, së për këtë çështje duket shumë më herët janë marrë vesh me Gjukanoviqin në Podgoricë. Edhe Kroacia dhe Sllovenia një kohë të gjatë e kishin një kontest me territor me Gjirin e Piranit, por jo edhe si kusht për inkuadrim në BE. Kjo çështje kontestuese u zgjidh midis këtyre shteteve me Arbitrazh ndërkombëtar. Mendoj së të njëjtin qëllim do ta këtë edhe Haradinaj si kryeministër, që çështja e shënjimit të vijës kufitare me Mal të Zi të dërgohet në arbitrazh”, u shpreh ai.

“Dihet së sipas ekspertëve dhe njohësve të kufirit në terren Kosova humb mbi 8000 mijë hektarë tokë, gjë që nuk ishte dashur të lejohej. Rol ndoshta vendimtar rreth kësaj teme do të këtë faktori ndërkombëtar. Haradinaj në këtë drejtim do ta testojë bashkësinë ndërkombëtare, e nuk besoj që çështja e demarkimit do ta përplasë atë me ndërkombëtarët. Më parë do të dominojë tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila edhe po kërkohet të implementohet nga Lista Serbe, me instruksione të Beogradit zyrtar”, tha Skënder Mulliqi. Edhe sipas Analistit Albrim Badallaj procesi i Demarkacionit duhet të jetë në listën e prioriteteve, jo vetëm të Qeverisë, por edhe të Kuvendit, për shkak se po del të jetë një barrierë për procesin e liberalizimit të vizave, por mund të jetë barrierë edhe e proceseve të tjera integruese, euroatlantike.”Kosova assesi në këtë pikë nuk guxon t’i prish marrëdhëniet me SHBA-në, mirëpo nëse ka fakte në atë që po aludon Bulliqi me komisionin e tij atëherë besoj që edhe miqtë tanë do të pajtohen me një vendim të tillë, por që duhet angazhim i madh për të bindur me fakte”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

DY TË TRETAT NË KUVEND, PENGESË E MADHE

Sipas Zeqës, edhe pse në dukje të parë komisioni i ri ngjall shpresa për riparim të gabimeve në demarkimin e kufirit me Malin e Zi, një gjë e tillë do të jetë vështirë e realizueshme, për faktin se nuk është aspak punë e lehtë anulimi ndërkombëtar i marrëveshjeve (të nënshkruar nga presidenti Thaçi). “Për të mos thënë e pamundur, do të jetë punë e vështirë për kryeministrin Haradinaj sigurimi i 2/3 të votave në Kuvend për çështjen e Demarkacionit pa e përmbushur premtimin e tij për kthimin e kufirit në Çakorr, ashtu siç e kishte kërkuar gjatë kohës sa ishte në opozitë. Ky është kushti i vetëm, i cili mund ta bëjë për vete votën e opozitës, në këtë rast shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës”, theksoi ai. “Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në veri të vendit do të jenë “arrë” e fortë për Haradinajn, për të cilën lista serbe thotë se është edhe kjo pjesë e marrëveshjes për koalicion, gjë të cilën vazhdon të heshtë akoma kryeministri i ri i vendit. Krahas këtyre dy barrierave, me të cilat do të përballet Haradinaj, përplasja me ndërkombëtarët mund t’i kushtojë me përfundim shumë të shpejtë të mandatit politik, madje edhe para 100-ditëshit të parë të qeverisjes ‘Haradinaj'”, tha analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

KUFIRIN NË ÇAKORR E VOTOJNË SHUMICA

Sipas analistit Gani Qarri,mospajtimi për kufij i shteteve të dala nga ish-Federata jugosllave pothuajse ekziston tek çdo ish-njësi e saj dhe rasti i kontestit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi nuk është i pari dhe as i vetmi,sepse probleme kufitare kanë edhe Kroacia me Slloveninë,Mali i Zi me Kroacinë,Serbia me Kroacinë,Kroacia me Bosnjën etj.Sidoqoftë,ai thotë se vendimi i Ramush Haradinajt për shkarkimin e Murat Mehës dhe komplet ish-komisionit shtetëror të Demarkacionit me Malin e Zi,si dhe propozimi i qeverisë aktuale që komisionin e ri për Demarkacion,ta formojë dhe ta udhëheqë eksperti më i mirë në vend për gjeografi,Shpejtim Bulliqi,është vendim shumë i drejtë.

“E për t’i shkuar punës deri në fund duhen ndërmarrë edhe hapa të tjerë shtesë,sepse versioni i kaluar i Demarkacionit jo vetëm se është proces i një komisioni plotësisht të dështuar,që duhet të rishikohet në tërësi,por edhe ish-kryetari dhe grupi rreth tij duhet sa më parë të thirren para përgjegjësisë penale,për t’u qartësuar çdo gjë dhe gjithçka rreth veprimeve të tyre edhe juridikisht”,potencoi ai.Rishikimi i Demarkacionit bëhet dhe duhet të bëhet edhe për heqjen e të gjitha dyshimeve dhe vendosjen e kufijve me argumente e drejtësi,ndërmjet Kosovës e Malit të Zi.Ndaj nuk ka pse të ketë kurrfarë përplasje të brendshme,as të shprehen mospajtime ndërkombëtare,qoftë edhe nga Ambasada e SHBA-së,në mënyrë që të mënjanohen problemet edhe në të ardhmen,kur kemi parasysh kontestet që vazhdojnë edhe sot ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë,të cilat përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit nuk po arrijnë të pajtohen për vijën kufitare,që do të përcaktonte ndarjen e një sipërfaqe aq të vogël të ujërave detare ndërmjet këtyre dy vendeve”, tha Gani Qarri.Ndërsa,sa i takon temës së Asociacionit,Qarri thotë se kjo as që duhet të hapet pa u bërë Ushtria e Shtetit të Kosovës.

(Kosova Sot)

Koncert humanitar për Manolja Kabashin në Prizren

0

Sot në Prizren mbahet koncertin humanitar për Manolja Kabashin, vajzën 22 vjeçare nga Prizreni, e cila aktualisht është duke u trajtuar për leukemi në një spital në Stamboll të Turqisë.

Koncerti fillon nga ora 20:00 dhe mbahet në Kinemanë Lumbardhi në Prizren.