18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Shteti shtyp qytetarët

Derisa është konstatim i përgjithshëm, i analistëve dhe ekspertëve të fushës, se të dy institucionet më kryesore të shtetit ligjor, e që janë gjykatat dhe administrata në Kosovë shkelin të drejtat e njeriut me të dyja këmbët në baza ditore dhe pandalshëm, as që mund të pretendojmë se mund të zhvillohemi si shtet. E para është e kapur nga politika e oligarkët, kurse e dyta është e mbushur me militantë partiakë e familjarë, prandaj pa një pastrim të këtyre dy institucioneve nuk do të ketë kurrë funksionim normal të shtetit demokratik e ligjor.

Njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti thotë se është fakt që drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive dhe e dirigjuar nga politika. Sipas tij, këtë “hipotezë” e argumentojnë shumë hulumtime e raporte nga organizata vendore e ndërkombëtare.

“Kjo logjikë e funksionimit të sistemit të drejtësisë, e cila vepron nën kthetrat e politikës e jo brenda mandatit kushtetues e ligjor, ka prodhuar një gjendje anarkie në institucionet publike të shtetit. Standardi i mbrapshtë i funksionimit të institucioneve të drejtë- sisë duhet të përfundojë, por pa një vullnet politik që i shtyn proceset reformuese të sistemit e drejtësisë përpara është një demagogji boshe”, u shpreh ai.

Sistemi i kapur

Sipas Ahmetit, kapja e drejtësisë është bërë në mënyrë sistematike dhe të sofistikuar dhe falë kësaj piramide hierarkike është kontrolluar dhe dirigjuar më lehtë. “Mekanizmat kontrollues të sistemit të drejtësisë janë kapur në mënyrë sistematike, duke i pamundësuar të funksionojnë në mënyrë të pavarur hallkës zinxhirore të institucioneve kontrolluese të drejtësisë. Nuk mund të gjeneralizojmë në paragjykimin e deficitit në profesionalizmin e gjyqtarëve e prokurorëve, por hallka zinxhirore, menaxheriale e sistemit të drejtësisë është e kapur nga politika”, potencoi ai. “Kosova si shtet ka marrë obligime kontraktuale me marrëveshjen për MSA-në, ku reforma në sistemin e drejtësisë është kruciale, por institucionet publike, e posaçërisht Qeveria e kaluar nuk ka pasur vullnet për ta bërë reformën në sistemin e drejtësisë, jo duke i kapur me militantë partiakë e njerëz super të dëgjueshëm, por duke e çuar vizionin për reformën e drejtësisë përpara”, tha Hidajet Ahmeti.

Krimi mbetet i pandëshkuar

Sipas ekspertit të kësaj fushe Blerim Burjani, për të shmangur këtë sjellje të kundërligjshme në institucionet e shtetit, për të evituar shkeljen ekstreme të të drejtave të njeriut, duhet të ketë një monitorim më të shprehur në punën e gjykatave në Kosovë, ku tash për tash ka shumë “çudira” dhe shkelje të të drejtave të njeriut. “Së pari hapet procedura, mbahet personi i caktuar 2 vjet nëpër seanca gjyqësore dhe në fund lirohet plotësisht si i pafajshëm. Ose ndodh rasti tjetër, ku gjithmonë gjykatat nxjerrin aktgjykime me dënime kohore prej 10 vjet e më shumë dhe pastaj shkalla e dytë e liron komplet palën nga aktgjykimi, rasti i tretë është kur gjykata pa nxjerr asnjëherë aktgjykim zhvillon seanca pa ndalur për më shume se një vit dhe lirohet i dyshuari i si i pafajshëm”, potencoi ai. “Rastet e tjera janë raste të punës së prokurorisë, kur kapen rastet në flagrancë, siç është rasti me stenta dhe askush deri tash prej të pandehurve nuk është thirrur nga gjykata për seancë. Pra, kjo flet mjaft dhe kjo është e tmerrshme, më shumë se e pabesueshme”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Ai konsideron se tanimë duhet që të gjitha rastet të trajtohen e të rishikohen plotësisht. “Nëse shkalla e parë nxjerr aktgjykim drakonik, pra të lartë, dhe shkalla e dytë e liron plotësisht nga fajësia, kjo i bie se gjykata ka shkelur të drejtat e njeriut, për shkak se ka maltretuar dhe nuk e kompensojnë asnjëherë kohën e humbur për të dyshuarit dhe prishjen e imazhit të tij publik. Për këtë arsye gjyqtarët e shkallës së parë në këto raste të gjithë duhet të merren në pyetje ose ata gjyqtarë të shkallës së dytë, të dihet se çka ka ndodhur dhe si ka ardhur deri te këto aktgjykime dënuese edhe liruese”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.

Shteti i pakonsoliduar

Analisti Arsim Haziri konsideron se sipas atributeve që i posedon tani, Kosova akoma nuk mund të konsiderohet shtet normal dhe i mundshëm për konsolidimin e vetvetes si shtet i sundimit të drejtë të ligjit. “Kjo është më se e qartë! Përderisa ato dy institucione relevante për fuqizimin e shteti tonë influencohen nga ndikimi politik, çdo gjë e pritshme mund të jetë e kotë dhe e parealizueshme. Shteti nuk konsolidohet kur i mungojnë organet, të cilat përbëjnë premtim për avancimin e tij. Kosova, përkatësisht institucionet e saj, sidomos ato pa të cilat nuk mund të garantohet stabiliteti, nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm, ashtu edhe sistem të fuqishëm ligjor kur mungojnë së vepruar në mënyrë të paanshme sistemi i gjykatave dhe ai i administratës, që në përkthim lateral nënkupton një lloj timoni juridik”, ka thënë ai.

“Kosova, fatkeqësisht, nuk funksionon mbi baza juridike dhe ekonomike, po ajo ndikohet skajshmërisht nga dominimi i tepërt politik, kahe e cila ka instaluar pamundësinë për të dhënë kontribut të pashmangshëm shtetëror. Mundësia potenciale për të eliminuar këtë ndikimin politik është ndëshkimi përmes këtyre zgjedhjeve të subjekteve të caktuara, të ndëshkohen ato subjekt të cilat mbajnë faturën kryesore për degjenerimin e vendit”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Keqbërësit larg pozitave

Edhe Skënder Mulliqi pohon se është fakt që të gjitha sistemet nuk po funksionojnë si duhet, e jo vetëm organet e drejtësisë dhe administrata . “Drejtësia po ndikohet nga politika ditore, po ndikohet nga njerëzit e fuqishëm në pushtet, të cilët në një mënyrë apo tjetër janë ngritur mbi ligjin. Pa reformë thelbësore në organet e drejtësisë nuk mund të funksionojë asnjë shtet si duhet, porse kulimi është drejtësia jofunksionale”, theksoi ai. “Organet e drejtësisë duhet domosdo të shkë- puten nga ndikimi i politikës. Derisa kemi drejtësi seleksionuese nuk mund të flasim se kemi gjyqësor në nivel të duhur. Janë mbushur të gjitha sistemet me militantë të partive politike, me njerëz të dëgjueshëm dhe servilë karshi strukturave pushtetare. I kanë inkuadruar në administratë njerëzit jokredibilë dhe krejt me qëllime të caktuara profitereske”, u shpreh Mulliqi. “Punësimi pothuajse pa asnjë kriter ka bërë që të kemi institucione fragjile, që të kemi shkelje të rënda edhe të lirive dhe të të drejtave elementare njerëzore. Po mbesin jashtë sistemeve njerëzit, të cilët kanë kualifikime përkatëse, vetëm pse nuk kanë lidhje me strukturat politike. Këto marifete e kanë sjellë këtë gjendje çfarë e kemi aktualisht, shumë të keqe politike dhe të ecurive ekonomike. Nevojitet një reformim i thellë, duke i larguar të gjithë ata të cilët kanë bërë keqpërdorime të detyrës zyrtare”, ka thënë Mulliqi.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Prizren/ Një person kapet me thikë në xhep

Policia  në Prizren  ka ndaluar një person me inicialet B.K. për kontroll rutinor në një automjet me targa të Shqipërisë. Gjatë kontrollit, një arme e...

SBASHK-u mësimdhënësve: Mos nënshkruani ndryshimet e Kontratës së punës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), thotë se kohëve të fundit po qarkullon një version i ri...

Lajmet e Fundit