15.4 C
Prizren
E enjte, 28 Gusht, 2025
Home Blog Page 5823

Adem Demaçi, pasuri e jona kombëtare

0

(Selatin Novosella, “Adem Demaçi në gjykimin e parë” (1958), botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2016)
Fazli Hajrizi

Sivjet, në 80-vjetorin e lindjes së veprimtarit e atdhetarit të shquar, shkrimtarit të spikatur e simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Bacë Adem Demaçit, pa shpirtin idealist të të cilit sot nuk do të kishim as Kosovën e as popullin e saj kështu siç është sot, autori Selatin Novosella, gjithashtu një veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, ka botuar tre libra kushtuar jetës dhe veprimtarisë për të: “Adem Demaçi në Gjykimin e parë” (1958), “Adem Demaçi në gjykimin e dytë” (1964) dhe “Adem Demaçi në gjykimin e tretë” (1975).

Deri më sot për Adem Demaçin kanë shkruar disa autorë. Disa kanë shkruar për veprimtarinë e tij patriotike, disa për krijimtarinë letrare e disa të tjerë janë marrë me pikëpamjet e tij filozofike etj. Deri në fillim të viteve ’90, ka pasur kryesisht shkrime anatemuese e denigruese, më vonë, me ndryshimin e rrethanave, anatemat janë kthyer kryesisht në lavde. Të mos keqkuptohemi, ai ishte i anatemuar nga pushteti, por gjithmonë ka qenë shumë i dashur dhe i çmuar nga populli i tij. Këtë nderim e vlerësim të lartë nuk e kanë bërë për shkak të një e dy veprave të tij. Ai është, padyshim, njëra ndër figurat më të shquara të kohës sonë, simbol i shqiptarësisë dhe kulturës sonë kombëtare, simbol i rezistencës, njëri ndër lëruesit e prozës sonë moderne në Kosovë, e cila është komplekse e me disa shtresa: historike, filozofike, sociale, estetike, etnografike etj. Është pra një intelektual i kompletuar me një botë të madhe shpirtërore e kombëtare, njeri i pathyeshëm, mishërim i aftësisë dhe ndershmërisë njerëzore. Forca shpirtërore dhe papërkulshmëria e tij dëshmohet në burgjet jugosllave. Kështu, fjalët e Shekspirit në veprën “Jul Qesari” i përgjigjen karakterit të fortë, krenarisë, qëndrimit dinjitoz të Adem Demaçit:
“As kullë e gurtë, as muret prej bakri,
As burgu i errët, as vargojtë prej hekuri
Nuk e përmbajnë dot fuqinë e shpirtit!”

Adem Demaçi që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar e deri më sot, ka mbetur njëri ndër zërat më të artikuluar të aspiratave të popullatës shqiptare në Kosovë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, figura më e njohur, më e spikatur e më e respektuar. Duke qenë thellësisht shqiptar, ai është po aq universal. Tre librat e Selatin Novosellës shpërfaqin vizionet e Bacë Adem Demaçit për liri, pavarësi, çlirim dhe bashkim kombëtar, janë një thirrje që e vërteta të mos harrohet. Këta tre libra janë një kontribut shumë i çmueshëm sepse ndriçojnë veprimtarinë patriotike të A. Demaçit dhe të bashkëveprimtarëve të tij për çlirimin e Kosovës dhe të popullit të saj nga Jugosllavia, përkatësisht Serbia, dhe bashkimin e saj me Shqipërinë e ndarë padrejtësisht në konferenca e kohë të ndryshme. Para së gjithash, kjo trilogji është një pëshpëritje e një akti të madh moral. Intelektuali amerikan Southëorth, mëtimin për ndërtimin e një demokracie të mbështetur mbi harresën e quan një “vizion të gjymtuar të virtyteve të demokracisë”. Nga kjo del se ata që predikojnë harresën, nuk janë demokratë të vërtetë a të mirëfilltë. Prandaj ne shqiptarët kemi nevojë për libra si këta të Selatin Novosellës. Kemi nevojë ne që kemi jetuar e përjetuar atë kohë, kanë nevojë sidomos ata që nuk e kanë jetuar. Për libra të tillë ka nevojë ndërgjegjja jonë. Kjo trilogji veprash mbi tri proceset gjyqësore të Adem Demaçit, janë dëshmi për të kaluarin që kanë përjetuar shqiptarët gjatë një gjysmë shekulli të regjimit titist në Jugosllavi.

Titujt e secilit libër janë mjaft kuptimplotë. Në librin e parë “Adem Demaçi në gjykimin e parë (1958)” autori Selatin Novosella hedh dritë në shumë probleme të historisë së popullit tonë, duke filluar nga viti 1912 e këndej, në jetën e veprimtarinë e Adem Demaçit, sidomos nga fillimi i viteve ’50 e këndej, kur edhe dënohet për herë të parë me pesë vjet burg. Në Jugosllavinë e asaj kohe ligjshmëria ishte veshur me një formë të tillë sa ajo për shqiptarët ishte shumë më e keqe sesa paligjshmëria. Aktakuza, zhvillimi e drejtimi i gjyqit bëheshin direkt nga lart (UDB-a) Pra kemi të bëjmë me tjetërsimin e organeve të drejtësisë si dhe një dhunim i ligjeve të kohës, të cilat shkeleshin e tejkaloheshin skajshmërisht. Potenciali politik dhe ushtarak i diktaturës titiste ishte vënë në goditje të pamëshirshme në shuarjen e çdo shkëndije të lirisë e humanizmit, të liberalizimit të jetës, ishte drejtuar në ndjekje kundër intelektualëve e krijuesve me mendësi të reja. Pikëpamjet e reja konsideroheshin herezi e krim, prandaj bartësit e tyre ndëshkoheshin. Regjimi komunist jugosllav kishte një optikë tjetër për intelektualët, sidomos për ata shqiptarë. Botëkuptimet i këtyre intelektualëve, sipas udhëheqësve, duhej të ishin në harmoni me ato të shtetit, duhej të ishin zëdhënës mjeranë të ideologjisë. Adem Demaçi mendonte ndryshe dhe ky është tipar thelbësor i intelektualit të mirëfilltë.

Libri është i ndarë në tri pjesë. Pas përmbajtjes, librit i paraprin një vështrim mjaft i thukët i historianit tonë të nderuar Prof. Dr. Hakif Bajrami (fq. 13-20). Pas tij vjen hyrja (fq. 21-28), ku autori tregon arsyet pse është marrë me kaq seriozitet dhe përkushtim me figurën e Adem Demaçit, të cilin, me të drejtë, e quan “personalitet i rrallë, i veçantë, emblematik”. Ai, në vija të trasha, e njofton lexuesin për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit, sidomos nga dalja e tij në skenën tonë kombëtare, për ripushtimin e Kosovës, për veprimet e OZN-ës e UDB-së kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, për hapjen e shkollave turke, për aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, për shfaqjen e figurës së Adem Demaçit në letrat shqipe; për punën e tij në gazetën “Rilindja”, demaskimin që i bën regjimit gjakatar jugosllav; për burgosjen e tij më 19 nëntor 1958, për qëndrimin konsekuent të tij për pesë vjet në kazamatet jugosllave etj.

Në fund të hyrjes autori flet për një dialog midis Bacë Ademit me një gazetar (verë 2015). Në pyetjen e gazetarit se si e zbërthen sintagmën “burgu nuk shpjegohet, por vetëm komentohet” dhe se a ka provuar apo i ka shkuar mendja ndonjëherë të ikën nga burgu, A. Demaçi përgjigjet në mënyrë proverbiale: “Unë isha në punë, prandaj ku ke parë ose dëgjuar që njeriu ikë nga vendi i tij i punës?!” Kjo përgjigje e tij më kujton thënien e të mençurit Fontenal, i cili, midis tjerash, thekson: “Njeriu më i lirë është ai që di të qëndrojë i lirë edhe në skllavëri (robëri)!”

Në kapitullin e parë të librit (fq. 29-56) me titull “Fati i Kosovës prej vitit 1912 deri në vitin 1956” autori bën një vështrim të përgjithshëm e gjithëpërfshirës mbi gjendjen e popullatës shqiptare që nga Shpërthimi i Luftërave Ballkanike, gjymtimi i organizmit tonë kombëtar, pushtimi i Kosovës, Kosovës Lindore, Maqedonisë Perëndimore e pjesëve të ndryshme të Malit të Zi; për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912; për rezistencën e vazhdueshme të popullatës shqiptare që kishte si qëllim të parë dhe të fundit lirinë e bashkimin me Shqipërinë; për gjendjen e shqiptarëve gjatë Luftës së Parë Botërore, sidomos pas ripushtimit të saj në vitin 1918 e deri në Luftën e Dytë Botërore nën Mbretërinë SKS, përkatësisht Jugosllave; për themelimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918) e angazhimin e këtij Komiteti për të sensibilizuar situatën në Kosovë; për Konferencën e Paqes në Paris; për Lëvizjen Nacionalçlirimtare Kaçake, për rolin e disa personaliteteve shqiptare (Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadri Prishtinës etj), sidomos të të personaliteteve huaja (Edit Durham, Vilsonit etj. ); për situatën gjatë Luftës së Dytë Botërore, për ripushtimin e Kosovës në fund të vitit 1944 e rezistencën kundër instalimit të regjimit komunist; për Lëvizjen ilegale të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH); për Kongresin e Lipovicës, për themelimin e organizatës “Bashkimi i Kombit”, për formimin e një sërë grupeve të tjera politike që kishin për qëllim mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë.

Dy kapitujt në vazhdim, i dyti dhe i treti, përbëjnë temën bosht të librit sepse hedhin dritë kryesisht në jetën dhe veprimtarinë e Bacë Adem Demaçit. Në kapitullin e dytë (fq. 57-144) autori flet për fëmijërinë dhe rininë e Adem Demaçit, për datëlindjen dhe vendlindjen (26 shkurt 1936, Prishtinë), për prindërit (nënë Nazifen e babë Zeqirin), për shkollimin fillor dhe të mesëm, për mësuesit që kanë ndikuar në formimin e tij; për studimet në Degën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit; studimet që u bën autorëve shqiptarë e botërorë, të sistemeve filozofike e ideologjike të kohës së vjetër e të re; për veprimtarinë e OZN-ës e presionet mbi shqiptarët, për hapjen e shkollave turke, për nënshkrimin e Traktatit të ri me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve; për aksionin e UDB-së për mbledhjen e armëve; për kundërshtimin dhe demaskimin që i bën politikës diskriminuese shtetërore jugosllave; për qëndrimin e Adem Demaçit kundër shpërnguljes e torturave që u bëheshin bashkëkombësve të tij; për ballafaqimin e parë me policinë në konviktin e studentëve e në zyrat informative në lagjen “Kurora e gjelbër” (dimër 1955-56); për angazhimin e tij në gazetën e përditshme “Rilindja” në Prishtinë; për botimin e shkrimeve të tij, sidomos të prozës së gjatë“Gjarpijtë e gjakut” (roman, mars –prill 1957); për kundërvënien ndaj Dobrica Qosiqit e shkrimtarëve serbë që kërkonin që në Kosovë të kultivohet një letërsi në frymën e socializmit jugosllav; për refuzimin e tij që të anëtarësohet në LKJ, për arrestimin më 19 nëntor 1958 dhe hetimet që vazhduan për tetë muaj rresht; për ngritjen e aktakuzës nr. 836/19, 19. 11. 1958 nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës në bazë të deklarimeve të dëshmitarëve për propagandë armiqësore kundër popullit e shtetit të Jugosllavisë se ai ka folur me studentë, punëtorë lidhur me pozitën e vështirë të shqiptarëve, se Kosova i takon Shqipërisë, prandaj edhe bashkimi i shqiptarëve me nënën e tyre është e ligjshme; për domosdoshmërinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë; për nevojën e formimit të një organizate dhe grupeve të ndryshme në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkup, Lipjan, Mitrovicë, Pejë etj. ; për dënimin pesëvjeçar në emër të popullit sepse i ka shpallur luftë sistemit komunist jugosllav; për transferimin e tij në Burgun Qendror etj.

Gjatë procesit gjyqësor në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë Adem Demaçi nuk e mohon atë çfarë mendon. Temperamenti i tij prej idealisti ka refuzuar të bëjë kompromise. Përgjigjet e tij para gjyqit tregojnë pozicionin, qartësinë, pjekurinë dhe ekzigjencën e tij si politikan i rrezikshëm ndaj Jugosllavisë socialiste. Prandaj është shprehur në mënyrë shumë të qartë se popullsia shqiptare në Kosovë e në trojet e veta në Jugosllavi është e diskriminuar. Ai shprehet hapur se qysh nga viti 1878, madje edhe më herët, Serbia ka bërë plane të ndryshme, duke ndjekur një politikë antishqiptare, sidomos që nga viti 1912, që ka kulmuar në periudhën midis dy luftërave botërore dhe ka vazhduar edhe pas ripushtimit të Kosovës (1944) me instalimin e sistemit komunist jugosllav. Shihet qartë se përmes gjykimit dhe dënimit të Adem Demaçit pushteti jugosllav është përpjekur që të arrijë disa qëllime politike. Në fund të kapitullit të dytë autori Sabri Novosella rithekson se gjykimi i atdhetarit Adem Demaçi ka qenë kryekëput politik, se deklaratat e pesëmbëdhjetë dëshmitarëve janë dhënë nën presion, meqë asnjëri nuk solidarizohet me të, se deri në vitin 1959 Adem Demaçi nuk kishte arritur të përpilonte një Program a Statut në formë të shkruar. Ai i njofton lexuesit se, pas burgosjes së Adem Demaçit janë formuar organizata të ndryshme ilegale, si: “Bashkimi i Trojeve Shqiptare, “Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare”, “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë” (1960) etj. Tashmë në horizont dalin figura veprimtarësh të tjerë, ku vend qendror zë Metush Krasniqi.

Kapitullin e tretë (145-296) e përbëjnë njëzet e shtatë dokumente (procesverbale, aktvendime, aktgjykime, ankesa të avokatit të Adem Demaçit e prokurorit publik, referati i kryetarit të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës etj. ). Për të ilustruar dhe dëshmuar mënyrën e akuzimit dhe dënimit të Adem Demaçit, autori na ofron 27 dokumente të skanuara. Librin e pasurojnë edhe tetëmbëdhjetë fotografi të veprimtarëve të shquar si dhe ato që paraqesin pamje të burgjeve jugosllave. Në çdo rrethanë, si gjatë veprimtarisë patriotike, si para hetuesve, prokurorëve e gjykatësve, si brenda nëntë rrathëve të ferrit dantesk, A. Demaçi ka ruajtur ekuilibrin shpirtëror e mendor, pra arsyen e shëndoshë e parimet e tij. Ai me kohë kishte vendosur në mënyrë shumë të vetëdijshme që të sakrifikojë veten e familjen e tij sepse, për të, ideali kombëtar për çlirim ishte më sublim. Ai, madje, nëpërmjet gjyqit u jep leksione demokracie dhunuesve të lirisë dhe demokracisë. Asnjëherë nuk iu dridh qerpiku as para dënuesve inkuizitorë, as para vuajtjes, as para vdekjes. Qëndrimi i tij dinjitoz në gjyqe dhe burgje ka inspiruar shumë të rinj të tjerë që të përfshihen në lëvizjen për liri dhe bashkim.

Libri në fund ka një rezyme prej gjashtë faqesh në gjuhën angleze dhe literaturën. Në fund dëshiroj të shtoj edhe nja dy-tri gjëra. Brezi im është rritur me veprat e Adem Demaçit. Na ka frymëzuar më shumë romani “Gjarpijt e gjakut”, të cilin e kemi lexuar dhe komentuar fshehurazi. Që nga vitet ’90 është shkruar mjaft për Adem Demaçin. Na ka rënë të lexojmë edhe shkrime disonante, sidomos pas përfundimit të luftës në Kosovë (1999). Sërish m’u kujtua porosia e një njeriu të mençur, i cili, midis tjerash, thotë: “Mos i poshtëroni e gjykoni njerëzit e mëdhenj për një e dy faje të tyre sepse diamanti sado i prerë shtrembër të jetë, është shumë më i vlefshëm se një gur i zakonshëm i prerë në formën më të përsosur”! Kësaj po ia shtojmë një mendim të A. Linkolnit, president i SHBA-së (1861-1865): “Përvoja ime jetësore më ka bindur se njerëzit, të cilët nuk kanë të meta, kanë shumë pak vlera”!
Autori Selatin Novosella ka plotësuar një amanet të bashkëvuajtësve të tij, duke kryer kështu një mision të madh para historisë dhe ndërgjegjes shqiptare. E përgëzojmë për këtë punë të madhe të tij, duke i uruar shëndet e suksese të reja!

Përkujtime personale me Astrit Deharin

0

Nga Prof.h.c Max Brym

Ende nuk mundem të besoj se shoku im, Astrit Dehari nuk është më gjallë. Qysh nga e shtuna në mbrëmje, kur lexova lajmin nga mediat kosovare rreth vdekjes së tij, zemra ime për pak sa nuk ndaloi se rrahuri. Edhe në moshën 59 vjeçare, qenka e mundshme që njeriu të shpërthej në vaj. Astritin e njoha qysh nga viti 2008. Ai u rrit në një familje të arsimuar, mikpritëse dhe me patriotizëm të majtë. Babai i tij Avni Dehari, është një veteran i majtë i lëvizjes kundër shovinizmit serb. Çfarë vuajtje duhet të përballojë familja e tij tashmë. Në vitin 2014 iu vdiq djali më i madh, Arbenori e tani edhe Astriti po ashtu. Para me shumë dy jave, vizitova Astritin në burgun e Prizrenit. Ai me krijonte si gjithmonë përshtypjen e një djali të zgjuar dhe aspak depresiv. Përplot gaz me njoftoi se ai po lexon shumë dhe se nuk po dorëzohej para terrorit të regjimit. Krenarë, nëna dhe babai e vështronin atë.

Lidhur me shkaqet e vdekjes së tij, ka të dhëna të ndryshme nga regjimi. Astrit po qëndronte plotë pafajësi, ashtu si të tjerët në burg. Pikërisht një regjim terrorist e akuzonte atë për “terrorizëm”! Dëshmi për këtë nuk ka madje edhe nga vetë gjykata e atij regjimi. Avokati mbrojtës i Astrit, Gent Beka ma konfirmoi po ashtu këtë, në një bisedë që e patëm të përbashkët. Astriti qëndroi gjithsej 68 ditë në burg. Në Kosovë, ku qeveritarët milionerë i hedhin në burg njerëz si Astrit Dehari. Ata e kanë mbytur atë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, mirëpo edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë tashmë. Gjithçka çka ka ndodhur në burg iu nënshtrohet përgjegjësisë së këtyre institucioneve. Krejtësisht qesharake është pretendimi se Astriti ka marrë shumë barna apo ndoshta edhe drogë. Kush i shpërndan barnat në burg? Familja me të drejtë kërkoi një autopsi nga pjesëmarrja e mjekëve, të cilët do të pëcaktoheshin nga vetë familja e Astriti.

Astriti po studionte me shumë sukses mjekësinë. Në shumicën e rasteve nga vizitat e mija në familjen Dehari e gjeja Astritin duke studiuar libra të fushës së mjekësisë ose të politikës. Astriti ishte i njëjte si vëllai i tij i ndjerë, Aktivist i “Lëvizjes Vetëvendosje” (VV). Një rol të veçantë ka luajturai edhe në lëvizjen studentore SKV: ai luftoi kundër taksave të studimeve, kundër privatizimit të arsimit dhe kundër rektorëve të korruptuar. Gjithmonë pranë aktiviteteve të ndryshme. Shpeshherë ai përkthente ligjëratat e mia në Prishtinë. Ai fliste në mënyrë të jashtëzakonshme gjuhën shqipe dhe atë gjermane. Astriti gjithmonë ishte për rezistencë masovike kundër varfërisë, papunësisë si dhe për konceptin e vetëvendosjes në Kosovë. Ai ishte një mik i mirë i cili së fundi përkthej një libër timin nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe. Librin e përfundoi në kompjuterin e tij në burg. Tekstin do ta marrë, por Astriti ynë kurrë më nuk do të flas, as të qesh e as të luftojë në mënyrë politike. Çfarë humbje, çfarë vuajtje hijezon prezencën njerëzore. Trashëgimia e lënë nga Astriti duhet të zbatohet, për të drejtën shoqërore të barazisë në Kosovë dhe gjithkund në botë. Me duhet të ndalëm së shkruari tani. Pata dëshirë të shkruaj edhe shumë përjetime të tjera, por tani nuk mundëm më. Unë po qaj. E ti Astrit ishe vetëm 26 vjeç.

Komuna e Rahovecit formon Shtabin për Emergjencë

0

Pas reshjeve të vazhdueshme të shiut, Komuna e Rahovecit të mërkurën ka formuar Shtabin Komunal për Emergjencë.

Pjesë e shtabit janë të gjithë drejtorët e drejtorive, Njësia e Zjarrfikësve, komandanti i Policisë në komunën e Rahovecit, ndërmarrjet publike dhe Qendra e Mjekësisë Familjare.

Shtabi Komunal për Emergjencë, ka për detyrë që ta hartojë planin operativ për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të komunës së Rahovecit, që rrezikohen nga përmbytjet si rezultat i reshjeve të shumta atmosferike. Obligim tjetër i Shtabit Komunal për Emergjencë është që të mblidhet urgjentisht dhe t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e rrezikut të qytetarëve të komunës së Rahovecit.

Sipas pikës shtatë të vendimit për formimin e shtabit Komunal për emergjencë , udhëheqës i këtij shtabi është kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi. Kurse në pikën nëntë të njëjtit vendim është thënë se ky Vendim hyn në fuqi menjëherë dhe ka fuqi juridike, deri në përfundim të situatës emergjente.

Prizren: Sulmon borxhliun, arrestohet nga policia

0

Një sulm fizikë ka ndodhur për shkak të borxhit. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të sulmuesin.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti për shkak të një borxhi ka sulmuar fizikisht viktimën”, njofton Policia e Kosovës.

“ Po ashtu i dyshuari nuk i ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policor derisa ishin në vend-ngjarje. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” /PrizrenPress.com/

Klesta Qehaja nga Kosova përfaqëson Shqipërinë në Junior Eurovision

0

Për të dytën herë Shqipëria do të përfaqësohet në “Junior Eurovision” nga një këngëtare nga Kosova. Klesta Qehaja nga Prishtina, do të këndojë për Shqipërinë në “Junior Eurovision 2016“.

Kënga e saj “Besoj” flet për luftën në botë dhe besimin në një paqe të mundshme.

Sot Radio Televizioni Shqiptar, ka publikuar versionin final të këngës bashkë me videoklipin e thjeshtë por mjaft interesant. Në videoklip shfaqen fëmijë dhe disa mjete luftarake, ndërsa kënga flet për fëmijët të cilët po i vuajnë pasojat e luftë në gjithë botën.

“Junior Eurovision” do të mbahet në kryeqytetin e Maltës, më 20 nëntor.

Përmbytje në Malishevë, mbyllen shkollat

0

Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe të pandërprera, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të Malishevës. Po ashtu edhe në vendbanimet tjera ka sasi të mëdha të ujit, pothuajse në të gjitha vendbanimet. Si rezultat i kësaj, të gjitha shkollat në Malishevë, sot janë mbyllur, ndërsa kjo ditë e humbur, do të zëvendësohet një ditë tjetër, njofton Zyra për Informim Publik e Komunës së Malishevës.

Rrugët Malishevë-Kijevë, Mirushë-Gurbardh, si dhe qendra e qytetit në Malishevë, janë të pakalueshme, ndërsa gjendja e rëndë është në aksin rrugor Malishevë-Autostradë-Duhël.

Gjendja e rënduar është edhe në liqenin Mirusha, pasi uji ka mbuluar edhe digën, ndërsa në disa vende, përkatësisht përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha, është e rënduar. Në disa shkolla uji pothuajse ka hyrë në objekte.

Luten qytetarët të mos lëvizin pa nevojë, pasi gjendja në rrugë është e rënduar.

Të gjitha ekipet emergjente, janë në terren duke i ndihmuar qytetarët që kanë nevojë, si drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, njësia e zjarrfikësve dhe shpëtimit dhe Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com/

Image

Schwendiman sjell mesazhe ‘drithëruese’

0

Edhe pse nuk u precizua saktësisht se kur pritet të shpallet akuza e parë për “Krime lufte”, prokurori David Schwendiman, sipas njohësve të drejtësisë, ka sjellë në Prishtinë mesazhin përgatitor. Ai ka njoftuar lidershipin se duhet të jenë gati për aktakuzat e para në fillim të 2017-ës. Arrestimet, sipas ekspertëve, pritet ta tronditin skenën politike vendore

Akuzat e para për “Krime lufte” ndaj ish guerilëve të UÇK-së, pritet të tronditnin skenën politike kosovare në fillim të vitit 2017-të. Ndërsa, prokurori special, David Schwendiman gjatë qëndrimit në Prishtinë, sipas njohësve të drejtësisë, ka sjellë mesazhe të qarta për lidershipin kosovar, se Gjykata Speciale po konkretizohet dhe Kosova duhet të jetë e gatshme për bashkëpunim.

Madje, ai ka qenë i qartë se asnjë politikan apo komandant nuk do të jenë imun ndaj Gjykatës Speciale. Përkundrazi, funksionet politike do të bëhen joekzistuese kur të finalizohet kjo Gjykatë. Vetë Schwendiman pohoi se shumë shpejt do të nisin procedurat lidhur me këtë çështje. Sipas tij, i tërë procesi do të jetë objektiv dhe nuk do të ketë drejtësi selektive.

Sipas njohësve të drejtësisë, arrestimi i mundshëm i politikanëve të caktuar, do të ketë ndikim të madh në skenën politike. /Zëri/

Kërkohet ndërtimi i xhamisë në Kala të Prizrenit

0

Bashkësia Islame në Prizren po kërkon ngritjen e xhamisë në Kalanë e qytetit. Kësaj iniciative i janë bashkuar edhe shoqëria civile në këtë qytet. Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit thotë se kanë kërkuar nga shteti rindërtimin e xhamisë së rrënuar në Kalanë e Prizrenit. KBI thekson se kjo është kërkesë edhe e tyre dhe të qytetarëve të Prizrenit. Megjithëse shprehen se ka kohë që e kanë bërë një kërkesë të tillë, institucionet shtetërore nuk i janë përgjigjur kërkesave të tyre.

Orhan Bislimaj, sekretar i KBI-së në Prizren, tha për “Kosova Sot” se ende nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje me shkrim lidhur me kërkesën e tyre. “Xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit dhe në Kosovë, e ndërtuar rreth viteve 1450, kur Perandoria Osmane është vendosur në qytetin e Prizrenit. Me vendosjen e tyre në pjesën e Kalasë së Prizrenit aty kanë ndërtuar edhe xhaminë për nevojat e banorëve që kanë jetuar aty”, tha Bislimaj.

Xhamia u rrënua nga serbët pas vitit 1920

Sipas tij, kjo xhami ka pësuar shkatërrime dhe rrënime në periudha të ndryshme. “Për herë të parë rreth viteve 1681-89 ishte shkatërruar nga sundimi i atëhershëm austro-hungarez. Mirëpo, ajo më vonë, në vitin 1826 ishte ndërtuar për herë të dytë nga një mytesarif i Prizrenit, Mahmud pashë Rrotlla. Kjo xhami pastaj ka vazhduar të jetë në funksion deri në vitin 1912, deri atëherë kur Kosova mbetet e ndarë prej Shqipërisë dhe bie nën okupim të pushtetit serb. Aty fillon një trajtim mizor ndaj objekteve fetare islame, ku të njëjtin fat e ka pasur edhe Xhamia e Kalasë, e cila pas vitit 1920 si dhe objektet e tjera në Kalanë e Prizrenit, kanë përjetuar një kulturocid nga pushteti serbo-malazez i asaj kohe”, thotë Bislimaj. Ai pohon se në kuadër të projektit të restaurimit dhe të rindërtimit të objekteve të Kalasë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, nuk është paraparë rindërtimi i kësaj xhamie, për të cilën janë evidentuar të gjitha gjetjet e mundshme në gjurmimet arkeologjike, ku edhe themelet e saj ende qëndrojnë në hapësirën e Kalasë.

Kurse arkeologu Shafi Gashi thotë se lidhur me këtë rast, duhet pyetur në Ministri. “Ne atje i kemi dërguar të gjitha kërkesat”, thotë Gashi. Edhe Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, në Prizren shprehet se kërkesën ia kanë përcjellë Ministrisë. “Ne të gjitha kërkesat e Bashkësisë Islame i kemi adresuar në vendin përkatës, pra në Ministri”, thotë Hoxha.

Për rastin e xhamisë në Kala të Prizrenit interesohet edhe politika

Ndërsa Orhan Bislimaj njoftoi se KBI në Prizren, duke filluar që nga viti 2010 e pastaj, edhe në vitin 2014 kanë bërë kërkesa me shkrim që Xhamia e Kalasë mos të konservohet, por ajo të rindërtohet, sikurse objektet e tjera të rindërtuara. Ai shtoi se këto kërkesa me shkrim përveç në MKRS, janë dërguar edhe tek Kuvendi Komunal i Prizrenit, tek Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren si dhe tek Departamenti për Trashëgimi Kulturo-Historike, por që nga asnjë nga këto institucione nuk është marrë ndonjë përgjigje. “Për këtë arsye, ne si KBI i Prizrenit së fundi më 12 maj të këtij viti kemi dërguar kërkesë me shkrim tek Ministria e Kulturës që Xhamia e Kalasë të rindërtohet sikurse që janë rindërtuar edhe objektet tjera në atë hapësirë, të cilat kanë qenë me gjurmë shumë më të vogla se kjo xhami, e cila edhe momentalisht ka themelet dhe pak mure në tokë. Por prej asaj kohe që kur është dërguar kërkesa e deri më tani askush nuk na ka kontaktuar dhe nuk është kthyer përgjigje”, tregon Bislimaj.

Për këtë qëllim Bashkësia Islame po kontakton edhe me zyrtarë politikë në Prizren. Së fundmi, ata janë takuar me kryetarin e Nismës, Zafir Berisha, deputet në Kuvendin e Kosovës. Ky i fundit i ka dhënë mbështetje idesë së ringritjes së xhamisë në Kala.

Ndërsa, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha thotë se rindërtimi i Xhamisë së Kalasë ka një rëndësi të veçantë si për Bashkësinë Islame të Kosovës ashtu edhe për qytetarët e Prizrenit. Sipas tij, ky objekt ka një vend të veçantë për nga historia, si të gjitha xhamitë tjera të periudhës osmane. Sipas Berishës, janë qytetarët e Prizrenit ata që e duan xhaminë në Kala, derisa ata vetëm po e përcjellin këtë vullnet të qytetarëve. “Ne jemi vetëm një urë lidhëse e qytetarëve të Prizrenit për ta arritur këtë qëllim, sepse kjo ka një vend të veçantë dhe ka rëndësi më të madhe, sepse është në territorin e Kalasë”, thotë Berisha.

Iniciativa Qytetare përgatit peticion

Mbështetje kësaj ideje i ka dhënë edhe Iniciativa Qytetare, së cilës i prin Ilir Gashi. “Duke marrë parasysh injorimin e vazhdueshëm të kërkesës së BI-së nga ana e MKRS-së dhe institucioneve tjera relevante për rindërtimin e shkatërruar në Kala, e pamë të arsyeshme ta formojë një Iniciativë qytetare, e cila do të jetë në përkrahje të kërkesës së BI dhe qytetarëve të Prizrenit për rindërtimin e xhamisë në Kala. Në përbërje të Iniciativës Qytetare kemi përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, gazetarë, studentë, afaristë dhe qytetarë të profileve të ndryshme. Qëllimi i kësaj iniciative është arritja e një konsensusi për ndërtimin e xhamisë në Kala. Për këtë qëllim Iniciativa Qytetarët me BI kanë filluar edhe mbledhjen e një peticioni dhe takimet me subjekte politike, shoqërinë civile dhe intelektualë të qytetit”, thotë Gashi.

(Kosova Sot)

Zafir Berisha: Nisma në Prizren po mobilizohet për t’i dhënë fund kapjes së shtetit

0

Kryesia e Degës së Nismës në Prizren, ka marrë vendim që të vazhdojë tubimet me qytetarë.

Kryetari i Degës Zafir Berisha tha se në këtë mbledhje u diskutu mënyra e mobilizimit, siç tha për t’i dhen fund kapjes së shtetit.

“Kryesia ka marr vendim që në ditët e ardhshme të shtojë angazhimet e mobilizimit me qëllim që sa më shpejtë me i dhënë fund kapjes së shtetit nga grupet mafioze e parapolitike”, tha Berisha.
Takimet do të rrjedhin si më poshtë

E premte dt. 11.11. 2016 në ora 19.00 ne Malsi të Vrrinit /Lybeqevë/. Tubimi mbahet në shklollën ,”Mic Sokoli”

E diel dt.13.11.2016 ora 19:00h, në lagjen “Bajram Curri”

Tubimi mbahet në shkollen “Fatmir Berisha”

E diel dt.13.11.2016. ora 20:00h, në lagjen “Dardania”
Tubimi mbahet në shkollen “Nazim Kokollari”

E hënë dt.14.11.2016, në ora 19:00h, në lagjen “Tabakhane” Tubimi mbahet në lokalet kaffe bar “DORA”afer Mullirit

E hënë dt. 14.11.2016, ora 20:00h, në lagjen “Gani Qavderbasha”

Tubimi mbahet në zyret e “NISMA”- Dega Prizren
Ne po vijmë!
Bashkohu edhe ti…

“Kukësi” i Prizrenit, kërkon ‘shpëtim’ nga kuvendari Arbër Rexhaj

0

Banorët e rrugës “ Kukësi”  në Prizren kanë probleme me mungesën e rregullimit të rrugës, kanalizimit dhe shtyllave të vjetruara elektrike.

Ata thonë se që tre vjet kanë kërkuar nga komuna që të angazhohet në realizimin e kërkesave të tyre, mirëpo ato nuk janë zgjidhur.

Për këtë arsye ata kanë ftuar në vendngjarje kuvendarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj.

Gëzim Xhemaj, banor i kësaj rruge thotë se në mungesë të intervenimit të organeve kompetente komunale si pasojë e rrugës së parregulluar, bllokimit të kanalizimit në hyrje të rrugës po na krijohen telashe të mëdha, pasi që uji dhe ujërat e zeza po na futen nëpër shtëpi, ndërsa po rrezikohemi edhe nga shtyllat e dëmtuara elektrike.

Ai thotë se qysh para tre vitesh kanë paraqitur shqetësimet e tyre para organeve komunale, por një gjë e tillë nuk është marrë parasysh ende , dhe për këtë arsye kemi qenë të detyruar të thërrasim edhe zyrtarin e LVV-së në Prizren, Arbër Rexhajn, theksoi ai.

Ndërkaq, Shefki Kurtaj i cili ka blerë një truall në afërsi të xhamisë së re në këtë rrugë, thotë se për shkak të mungesës së rregullimit të infrastrukturës ai nuk po mund të ndërtojë shtëpinë në këtë rrugë.

Për të parë nga afër situatën, kishte ardhur zyrtari i LVV-së në Prizren, Arbër Rexhaj, i cili tha se kërkesat e këtyre banorëve janë plotësisht legjitime dhe komuna qysh moti ka qenë dashur të zgjidh hallet e këtyre qytetarëve, për të ofruar kushte optimale për një jetë normale.

Ai shprehu gatishmërinë e tij për të ngritur këtë shqetësim në instanca më të larta që të intervenohet në zgjidhjen e kërkesave të këtyre banorëve. Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Sulltan Badalli, tha se nuk ka njohuri për kërkesat e banorëve të rrugës “ Kukësi”, mirëpo ai shprehu gatishmëri që të intervenohet në zhbllokimin e kanalizimit i cili është ndërtuar privatisht nga banorët e që duhet rregulluar në të ardhmen nga komuna, ndërsa saj përket rregullimit të rrugës ai tha se një gjë e tillë këtë vit nuk mund të realizohet. Por, rreth shqetësimeve për rregullimin e shtyllave elektrike në këtë rrugë, kemi kontaktuar drejtorin e distriktit të KEDS-it në Prizren, Artan Kazazi, i cili premtoi se brenda një jave do të intervenohet në rregullimin e shtyllave ose zëvëndësimin e tyre me të reja… /TV Prizreni/