31.2 C
Prizren
E mërkurë, 27 Gusht, 2025
Home Blog Page 5825

Avokati i familjes Dehari: Astriti kishte një mori gërvishtjesh në trup

0

Vdekja në burg e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje duket se ka ndodhur për shkak të asfiksisë, por se si ka ardhur deri tek ajo mbetet të konstatohet nga ekspertët e mjekësisë ligjore.

Në trupin e Astrit Deharit, aktivistit të VV-së, që u gjet i vdekur të shtunën në qendrën e paraburgimit në Prizren, ka pasur shenja të gërvishtjeve sipërfaqësore në njërën dorë dhe në qafë. Këtë e konfirmoi avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

“Shenja në trup ka pasur, edhe atë një mori gërvishjesh. Prerje sipërfaqësore ka pasur në dorën e majtë dhe në qafë, mirëpo nga kjo nuk mund të thuhet nga dikush se është vrasje apo vetëvrasje”, tha Gashi për Gazetën Express, pak minuta pasi trupit të Astrit Deharit iu krye autopsia në Qendrën e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Sipas Gashit, vdekja e aktivistit të VV-së në paraburgim ka mund të ndodhë për shkak të asfiksisë – mungesës së oksigjenit, por gjithçka mbetet të konfirmohet përfundimisht nga ekspertët që të hënën në mesditë kryen obduksionin.

“Vdekja e tij duket se ka ndodhur për shkak të asfiksisë, por si ka ardhur deri tek ajo, atë do ta thonë ekspertët e mjekësisë ligjore, kështu që tani jemi në fazën kur vetëm është kryer onduksioni”, tha ai.

Ai ka hedhur poshtë raportimet se Dehari ka përdorur barna, apo substanca tjera.

“Astriti nuk ka përdorur barna e as substanca tjera, qoftë edhe ato narkotike”, tha ai.

Avokati Gashi ka treguar se në obduksion që zgjati rreth dy orë e gjysmë përveç tre ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, të kryesuar nga Flamur Blaka, kanë marrë pjesë edhe ekspertët e thirrur nga familja Dehari Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj nga Anglia.

Astirt Dehari u gjet i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, fundjavën e kaluar. Ai po mbahej në këtë qendër si për sulmin e 4 gushtit në Kuvend, që u cilësua si sulm terrorist. Bashkë me Deharin, Policia e Kosovës, në shtator kishte arrestuar gjithsej 6 persona, të gjithë aktivistë të VV-së. /Express/

Ja shkaktari i vdekjes së Astrit Deharit

0

Ka përfunduar procesi i autopsisë së të ndjerit Astrit Dehari, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në Burgun e Prizrenit.

Pas përfundimit të autopsisë, Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se për momentin nuk ka të dyshuar për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Hoxha ka thënë se rasti do të ndriçohet deri në fund dhe se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur medikamente, siç është raportuar më parë.

Ai ka thënë se Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e asfiksisë, pra për shkak të mungesës së ajrit.

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi, ka thënë se procesi i autopsisë zgjati gati dy orë e gjysmë.

“Janë marrë të gjitha mostrat e nevojshme dhe në rast nevoje disa prej tyre do të dërgohen edhe në Angli”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se rezultatin përfundimtar do ta thotë Mjekësia Ligjore.

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, dy ekspertët e caktuar nga familja Dehari, Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj nga Anglia, kanë përcjellur nga afër këtë proces.

Gjithashtu prezent kanë qenë edhe tre mjekë nga Instituti, një përfaqësues i EULEX-it, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, si dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në lidhje me përfundimin e autopsisë së Astrit Deharit, avokati Tomë Gashi ka thënë se nuk janë gjetur barna që kanë aftësi psikotropike.

“Dy orë e gjysmë ka zgjatur autopsia. Ne, si përfaqësues të familjes, angazhuam edhe ekspertë nga Shqipëria e Anglia”.

“Të gjitha mostrat e nevojshme janë marrë për ta vërtetuar shkakun e vdekjes së Astritit, disa prej të cilave do të dërgohen edhe në Angli”, tha ai.

Gashi ka thënë se të rezultatet përfundimtare do t’i thotë Mjekësia Ligjore, të cilat pritet të dalin ditëve në vijim./Telegrafi/

Sylë Hoxha: Nuk ka të dyshuar për rastin e Astrit Deharit

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha ka folur para mediave pas përfundimit të autposisë ndaj Astrit Deharit.

Ai u ka thënë mediave se nuk ka të dyshuar që lidhjen me vdekjen e Deharit, raporton Gazeta Blic.

“Për momentin nuk ka. Nëse do të ketë ai do të paraburgoset dhe nëse gjendet fajtor edhe do të dënohet”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Artan Abrashi: Astriti dëshmori i parë i Kosovës

0

Kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi, tha se vdekja e Astrit Deharit është një ngjarje e rëndë që na ka tronditur të gjithë.

“Ndërsa sonte po realizojmë një aksion simbolik për të përkujtuar mikun, aktivistin dhe të riun i cili është dëshmori i parë i Kosovës i cili ra duke kundërshtuar demarkacionin dhe themelimin e “ Zajednicës”,tha ai, shkruan TVPZ

Zafir Berisha ndezë qirinj në kujtim të Astitit

0

Qytetarë të shumtë në Prizren kanë bërë homazhe dhe kanë ndezë qirinj në nderim të Astrit Deharit.

Përmes një foto të postuar në facebook, deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha, ka treguar pamjet, ku disa qytetarë, por edhe vet deputeti, shihen duke ndezur qirinjë për të nderuar dhe përkujtuar ish- aktivistin e VV-së, Astrit Dehari

Dehari, që ka qenë student i Mjekësisë në UP, të shtunën ka vdekur në rrethana ende të paqarta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ai ishte arrestuar nga Policia si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës./PrizrenPress.com/

Psikiatri tregon gjendjen e të akuzuarit para se ta vriste Zejnepe Berishën

0

Ekspertë të psikiatrisë forenzike thanë se ekspertiza e tyre tregon se Nebih Berisha kur e vrau bashkëshorten e tij, Zejnepe Berishën, ka qenë në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore. Prokurori, ndërkaq, pati vërejtje në ekspertizën e ekspertëve psikiatrikë.

Në gjykimin e Nebih Berishës nga Suhareka, i cili akuzohet se e vrau bashkëshorten e tij, Zejnepe Berishën, në cilësinë e dëshmitarëve janë ftuar ekspertë të psikiatrisë forenzike.

Kryetari i Komisionit të psikiatrisë forenzike, Fahri Drevinja, tha se ekspertizën e kanë bërë si komision prej tre ekspertëve në Institutin e Psikiatrisë, aty ku edhe i pandehuri kishte qëndruar nga muaji prill deri në qershor për ekzaminim.

Eksperti përmendi edhe ndikimet post-traumatike tek i akuzuari, për të cilin tha se ka qenë në luftë dhe është invalid i luftës, përdorimin e alkoolit dhe problemet e mëhershme bashkëshortore.

“Tepora criminalis – siç thoni ju apo në momentin e kryerjes ka qenë në gjendje të sipërpërshkruar, pra aftësia për të gjykuar drejt, rëndësia e veprës si dhe aftësia për t’i kontrolluar dhe ndaluar veprimet e tij ka qenë e zvogëluar esencialisht. Edhe nga vizita që e patëm drejtpërdrejt edhe sapo mora informacion nga mbrojtësi se i njëjti është i aftë të përballohet me procesin e gjykimit dhe deponimet e tij janë valide”, tha ai.

Ndërsa, prokurori i shtetit kundërshtoi ekspertizën e ekspertëve me vërejtje të përgjithshme për shkak se ai konsideroi se ekspertët nuk kanë qenë në gjendje të japin përgjigje në disa pyetje të shtruara nga prokurori.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Esat Gutaj, tha se e vlerëson mendimin e ekspertëve të psikiatrisë.

“Sipas mendimit tim si jurist, si avokat me përvojë, një ekip i ekspertëve ma kulminantë të forenzikës së Kosovës i kanë dhënë vlerësimet e veta. Nëse dikush mendon ndryshe le të lypë superekspertizë dhe superekspertiza mundet me thënë se kanë pasë apo nuk pasë të drejtë”, tha ai.

Nebih Berisha akuzohet se në mbrëmjen e 23 tetorit 2015 në shtëpinë e tij familjare me dashje privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berisha dhe i shkaktoi lëndime trupore vajzës së tij/kallxo.com/

Goranët kundër hidrocentraleve në Vranishtë të Dragashit

0

Në fshatin Vranishtë të Dragashit, goranët po kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në lumin e Brodit, transmeton Koha.net.

Për këtë arsye, ata qe më shumë se një javë, pothuaj çdo ditë, po tubohen e po kundërshtojnë me protesta këto ndërtime.

Behar Ramadani nga Vranishta i ka thënë tanjugut se ky lum për banorët është jetë, ekzistencë në atë anë dhe për këtë arsye fshati po mblidhet për të protestuar.

Përkrahje në protesta banorëve të dielën u ka dhënë edhe deputeti i Kosovës nga kjo anë Adem Hoxha.

Detaje të vdekjes së Astrit Deharit

0

I ndjeri Astrit Dehari nuk ka qenë duke përdorur kurrfarë terapie në Burgun e Prizrenit, kanë bërë të ditur burime brenda shërbimit mjekësor të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Policia nuk ka gjetur asnjë gjurmë të barnave në dhomën e Deharit, të burgut të Prizrenit të cilën e ndante me katër të burgosur tjerë.

Burime nga Prokuroria dhe Policia kanë thënë për Insajderin se afër trupit të shtirë është gjetur një shishe plastike mjalti 400 gram, të cilën Dehari e kishte blerë në burg pak ditë para vdekjes.

“Nuk është gjetur asnjë provë që mund të dëshmojë se i ndjeri ka kryer vetëvrasje me përdorim të barnave. Nuk ka asnjë shenjë dhune në trup. Nuk ka qenë asnjë person brenda dhomës kur i ndjeri ka vdekur”, ka thënë një burim i përfshirë në hetim.

Ky burim e ka përjashtuar mundësinë e vrasjes nga dikush të aktivistit të Vetëvendosjes.

“Ditën e vdekjes, në orarin e shëtitjes, të burgosurit tjerë i kanë thënë se a po vjen në shëtitje. I ndjeri u ka thënë se ndjehet i lidhur dhe se dëshiron të pushojë. Pas pak kohësh, është gjetur pa shenja jete i shtrirë në dysheme”, ka thënë ky burim.

Një burim tjetër brenda sistemit shëndetësor ka treguar se të burgosurve nuk i jepen dhe nuk u lejohen barna në dhomë, por terapia u jepet nga vetë mjekët. Megjithatë, ka raste kur të burgosurit grumbullojnë barna duke mos i përdorur barnat që u jepen nga mjekët dhe infermierët.

“Ka pasur shumë raste kur infermierët u japin barnat pacientëve. Ata bëhen sikur po i pijnë, por i heqin fshehtas nga goja dhe i fshehin. Ka shumë raste kur të burgosurit nuk janë të sëmurë, por deklarohen si të sëmurë për të krijuar dosje mjekësore të cilat pastaj i përdorin për të kërkuar lirim nga burgu apo vizita mjekësore jashtë burgu”, ka thënë ky burim.

Megjithatë, të gjitha këto dyshime pritet ti zbardhë autopsia që pritet të kryhet gjatë ditës. Ekipi tashmë është mbledhur dhe pritet nisja e autopsisë për të zbuluar shkaqet e vdekjes./Insajderi.com

Homazhe në “Shatërvan” të Prizrenit për Astrit Deharin

0

Kryetari i Vetëvendosjes në Prizren, Artan Abrashi njofton se sot do të bëhen homazhe në shehsin “Shatërvan” për nder të Astrit Deharit.

“Sot në ora 17:00, në sheshin ‘Shatërvan” ne Prizren, do të mbahen homazhe në nderim të aktivistit dhe shokut tonë Astrit Dehari. Ftohen të gjithë aktivistët dhe qytetarët e Prizrenit që të marrin pjesë”, njofton Abrashi në Facebook.

“Drini i Bardh”, vërshohet nga mbeturinat

0

Me vetëm 5 euro në muaj, qytetarët e fshatrave të Anadrinit do t`i hudhnin mbeturinat nëpër kontejnerë dhe do të përfundonin në deponinë e mbeturinave në Landovicë dhe jo si tani në shtratin e lumit “Drini i Bardhe”.

Kështu ka shkruar në facebook anëtari i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Xhafer Bytyqi, i cili ka publikuar edhe një video, ku “Drini i bardh”, shihet i vërshuar nga mbeturinat.

Shëmtia dhe ndotja që po i bëjnë lumit këto mbeturina, duhet të troket fuqishëm në ndërgjegjen e çdo qytetari në mënyrë që këto mbeturina të hudhen në vendin e duhur. Është shumë e nevojshme që institucionet tona lokale e qendrore të marrin hapa konkret që ta ndryshojnë këtë gjendje”, ka shkruar Bytyqi.