20.6 C
Prizren
E mërkurë, 27 Gusht, 2025
Home Blog Page 5826

Shyqri Hasani: Astrit Dehari u soll i vdekur në Spitalin e Prizrenit

0

Ushtruesi i Drejtorit të Infermierisë në Spitalin e Prizrenit, Shyqri Hasani tregon se aktivisti i VV-së që ishte në paraburgim, Astrit Dehari është sjellë pa shenja jete në spital. Sipas tij, mjekët kanë bërë të gjitha përpjekjet për të kthyer në jetë Astritin, mirëpo nuk kanë pasur sukses.

“Nuk ka pasur shenja jete kur është sjellë në spital. Eipi i mjekëve është angazhuar që të kthejë në jetë Astritin, mirëpo nuk kanë pasur sukses”, tregon Hasani, shkruan PrizrenPress.

Hasani, sikurse kryeprokurori Sylë Hoxha tha se viktima Astrit Dehari ka pasur gërvishtje në qafë.

“Ka pasur në qafë gërvishtje”,tregon ai./PrizrenPress.com/

Dhurata Hoxha në Prizren: Jemi transparent në rastin e Astrit Deharit

0

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka thënë se e kanë marrë me shqetësim të thellë rastin, ku të shtunën ka ndërruar jetë aktivisti i Vetëvendosje, Astrit Dehari që po mbahej në paraburgim.

Në një konferencë që po mbahet në Prizren pikërisht për këtë rast ka thënë se si institucione janë plotësisht transparente, njofton Klan Kosova.

Ministrja Hoxha ka shtuar se ata kanë lejuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i vizitojnë të paraburgosurit.

Ajo ka thënë se janë duke pritur edhe për propozimin e familjes së Deharit që në autopsi të marrin pjesë edhe ekspertët që ata do t’i angazhojnë.

Më tej Hoxha ka thënë se duhet tu lihet organeve kompetente që të merren me rastin.

Më tej ka shtuar se është duke u punuar në raportin zyrtar në lidhje me rastin që do të qartësojë rrethanat e vdekjes së Deharit.

Ky raport do të bëhet publik, ka thënë në fund ministrja Hoxha.

“Që nga dita e djeshme Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante, janë duke u marrë me rastin, ndërsa aktualisht jemi duke pritur vendimin e familjes për anëtarin i cili do t’i bashkëngjitet ekipit i cili do ta kryej autopsinë”, theksoi Ministrja Hoxha në konferencën e mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ajo me tej shtoi se në kuadër të mandatit të saj, shpreh përkushtimin e plotë dhe gatishmërinë për sqarimin e rastit, me transparencë dhe ftoi që të mos bëhen paragjykime lidhur me rastin. Ministrja Hoxha theksoi se raporti do të jetë publik dhe transparent.

“Menjëherë kam urdhëruar hetim të brendshëm të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rrethanat e vdekjes së të paraburgosurit A. D. dhe në pajtim me të gjeturat e raportit dhe kompetencat, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, tha Hoxha.

Ministrja Dhurata Hoxha theksoi se Ministria e Drejtësisë do të japë informacione zyrtare dhe ato të cilat nuk e pengojnë hetimin dhe shkaktimin e çfarëdo paqartësie lidhur me rastin tragjik.

Fshatrat e Prizrenit, rrezikohen nga qentë

0

Banorët e fshatrave të Prizrenit, por edhe të lagjeve brenda qytetit ankohen për numrin e madh të qenve endacakë që po rrezikojnë jetët e tyre. Sadri Morina, nga fshati Landovicë, ankohet se çdo ditë përballet me probleme të mëdha dhe se në oborrin e tij vijnë dhjetëra qen të rrezikshëm nga deponia dhe rrezikojnë tërë lagjen. Tani e sa kohë Sadri Morina, nga lagjja e epërme e fshatit Landovicë, ankohet se ka një hall të tillë.

“Çdo mbrëmje e çdo mëngjes përballemi me qentë endacakë, të cilët pasi që ushqehen në deponi zdirgjen në fshat dhe rrezikojnë jetën e të gjithë banorëve”, tregon Morina për “Kosova Sot”. Ndërsa, Naser Brea, këshilltar në Kuvendin Komunal të Prizrenit, shprehet se problemi i qenve endacakë paraqet shqetësim për gjithë qytetarët e Prizrenit. Sipas tij, disa prej qenve janë edhe të sëmur dhe mund të infektojnë edhe qytetarët. Sipas tij, qentë endacakë mund të shihen madje edhe në qendër të qytetit, në sheshin “Shatërvan”, shkruan gazeta Kosova Sot.

Komuna e pafuqishme për të zgjidhur problemin

Lidhur me këtë, kemi biseduar edhe me drejtorin e Bujqësisë, Pal Geci. Sipas tij, këtë vit Komuna e Prizrenit për trajtimin e qenve endacakë ka ndarë 40 mijë euro.

“Deri më tani ka trajtuar një mijë qen të këtillë. Por, numri i tyre është i madh dhe është ende njëri ndër problemet e rënda që ka komuna”, thotë ai. Drejtori Geci shprehet se do të kërkojë angazhim shtesë për të ndërmarrë preventivën sipas Ligjit për Veterinarinë për trajtimin e këtyre qenve. Sipas tij, probleme me qentë endacakë kanë edhe fshatrat përreth, si Zhuri, Landovica, Smaqi, Vlezha dhe fshatra të tjerë. Sipas Gecit, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të përgatisë një informatë të sakë, me të cilin edhe do të njoftohet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Komuna e Prizrenit tani e sa kohë ka krijuar një vendtrajtim për qentë endacakë, tregon ai. “Rrezik permanent qentë endacakë janë duke krijuar edhe në fshatrat Zhur, Landovicë, Smaq, apo në ato vende ku edhe ka ndonjë deponi të egër”, thotë Geci. Ai kë përmendur edhe rastet e intervenimeve në Hatmaxhë, pastaj në fshatra të Luginës së Lumëbardhit, por prapë ka probleme.

Më të rrezikuarit janë nxënësit e shkollave

Asllan Ndrecaj, nga Legjenda, ka paraqitur rastin e qenve endacakë që i sjellin nga qytetet e tjera dhe i lëshojnë aty. Edhe shumë qytetarë kanë ankesa sa u përket qeneve endacakë. Që mos të përsëriten rastet e kafshimeve kërkohet ndërhyrja e autoriteteve. Drejtori Pal Geci shprehet se ky nuk është problem aq i lehtë për komunën e Prizrenit. “Ngase ata tashmë nuk mund të eliminohen, por duhet zënë dhe pastaj të trajtohen. Kjo edhe ka ndikuar në shpeshtimin e tyre”, thotë Berisha. E derisa autoritetet nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme, banorët kanë veçanërisht frikë për fëmijët që shkojnë në shkollë. Nxënës të shkollave në fshatrat si në Has, Përdrini dhe Luginë të Lumëbardhit po kanë probleme me qentë. Mitat Berisha shprehet se edhe nxënësit e shkollave në periferi po rrezikohen nga qentë endacakë. Numri i qenve në regjionin e Prizrenit arrin afër 2 mijë dhe ata lëvizin lirshëm edhe në zonat e banuara. Madje, disa prej tyre kanë shenja të dukshme të sëmundjeve, siç janë rruazat në lëkurë.

(Kosova Sot)

Adem Sallauka mohoi se largoi profesorin nga puna

0

Sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prizrenit Adem Sallauka tha në gjykatë se nuk kishte kompetenca ta largojë nga puna profesorin Enver Sopjani.

Adem Sallauka, sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prizrenit paraqiti mbrojtjen në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre.Sallauka bashkë me Mazllum Baraliun,ish-rektorin e Universitetit “Ukshin Hoti” dhe zyrarin për buxhet e financa të këtij universiteti Halim Hazirajn akuzohen se duke shfrytëzuar postet e tyre me dashje dhe dijeni shkelën seriozisht të drejtat e profesorit Enver Sopjani, duke ia shkëputur marrëdhënien e punës.

Por gjatë mbrojtjes së tij Adem Sallauka deklaroi se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për shkëputjen e marrëdhënies së punës Enver Sopjanit që në këtë proces është palë e dëmtuar.

Ai tha se largimi nga puna i dikujt është kompetencë e rektorit, ndërsa bëri të ditur se për vendimin e largimit nga puna të profesorit Sopjani ka marrë vesh vetëm në Prokurorinë e shtetit kur është intervistuar për këtë rast.

Sallauka u pyet më pas nga avokati i tij Fatmir Jelliqi se a është i obliguar sekretari i përgjithshëm i universitetit të zbatojë vendimet e Ministrisë së Arsimit.

“Sekretari i përgjithshëm i universitetit nuk është i obliguar të zbatojë asnjë vendim që vjen nga jashtë universitetit,” u përgjigj i akuzuari Adem Sallauka.

Naser Sopjani, avokati i profesorit Enver Sopjani tha se i akuzuari Sallauka u mundua t’i ikë përgjegjësisë duke ia lënë fajin ish-rektorit.

“Komplet u konstatua veprimet e tij që kanë qenë në atë formë që tani mundohet t’i fshehë pas autoritetit, apo pas pozitës, kinse çdo gjë është bërë me urdhra apo kërkesat e ish rektorit të asaj kohe,” tha Sopjani.

Sopjani parashikoi që në fund të gjykimit do të vërtetohet se të akuzuarit me qëllim ia ndërprenë marrëdhënien e punës Enver Sopjanit.

“Besojmë që do të vërtetohet që në tërësi këta persona veprimet e tyre i kanë kryer me dashje të plotë dhe me qëllim nuk i kanë zbatuar vendimet e MASHT-it, si institucion që është më i lartë dhe ka qenë obligative që Enver Sopjani ta nisë punën e tij si profesor i asocuar në Universitetin e Prizrenit,” tha avokati Sopjani.

Seanca ardhshme u caktua me 15 nëntor, ku do të jepet fjala përfundimtare në këtë rast./Kallxo.com/

Mamushë: Edukatorja e larguar kthehet në punë

0

Inspektorati i Arsimit ktheu në punë edukatoren e larguar nga procesi arsimor i Komunës së Mamushës.

Indira Haliti tha se nënshkroi kontratën e punës pasi u ankua në inspektoratet e arsimit dhe punës, si dhe në Sindikatën e Bashkuar të arsimit dhe Kulturës (SBASHK).

“Pas ankesave të ushtruara në këto institucione, ata kanë ndërmarrë hapin duke i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe mua më është rikthyer puna ime. Vendimi ka ardhë prej inspektoriatit të arsimit dhe të punës dhe dje e kam nënshkru kontratën,” tha Haliti.

Edukatorja tregoi se ka nisur punën, ndërsa do të kompensohet edhe për muajin kur u largua nga puna. /kallxo.com/

Burgjet e vdekjes dhe shteti që s’ka besë

0

Agron Halitaj

Khatuna është një femër gjeorgjiane. Emri i saj u bë i njohur në skenën ndërkombëtare, pas një veprimi që e ndërmori sa ishte në pozitën e ministres së Drejtësisë së këtij vendi. Ajo dha dorëheqje vetëm pak orë pasi i publikua një video në të cilën shiheshin të burgosurit duke u keqtrajtuar nga gardianët. Khatuna e la Qeverinë, jo pse iu kërkua, por e bëri këtë në shenjë të aktit moral që nuk kishte arritur ta mënjanonte torturimin e të burgosurve.

Ajo tash është një ish-ministre, siç do duhej të ishte nga pasditja e 5 nëntorit edhe ministrja jonë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Ngjarja që ndodhi në Qendrën e paraburgimit në Prizren, është më e rënd se sjelljet e gardianeve gjeorgjian ndaj të burgosurve. Me 5 nëntor, u privua nga jeta Astrit Dehari, një i ri, student e aktivist politik. U privua nga jeta, sepse edhe sikur të merren të mirëqena deklarimet mbi vetëvrasjen e tij, prapë dikush është përgjegjës që sot ai nuk është në jetë.

Ministrja e Drejtësisë padyshim se nuk është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për vdekjen e Astritit, por ajo është përgjegjëse për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, një sistem të cilin e ka trashëguar në gjendje të tmerrshme, e brenda të cilit janë të përfshirë edhe burgjet e qendrat e paraburgimit. S’duhet harruar se Astriti nuk është rasti i parë që ndërron jetë brenda burgjeve.

Hoxha, nuk do duhej të priste t’i bëheshin thirrje për dorëheqje, por para se ta merrte këtë akt do duhej të merrte masa ndaj drejtorit të Shërbimit Korrektues, e ky para se ta priste ndonjë vendim nga ministrja, veç do duhej ta kishte vënë para përgjegjësisë drejtorin e Qendrës së paraburgimit në Prizren. Pra, sot ne do duhej të kishim së paku një dorëheqje e dy masa ndëshkimore. Por, meqë asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur, atëherë edhe zbardhja e mënyrës së vdekjes së Astritit do të jetë e komplikuar.

Organizatat e pavarura qëmoti kanë raportuar se në Kosovë mungon infrastruktura humane dhe profesionale për trajtimin e të burgosurve dhe për pasojë kemi shumë raste kur të burgosurit janë trajtuar nën dinjitetin njerëzor, e ku pos tjerash ndaj tyre është ushtruar edhe presioni psikik. Nisur nga kjo, edhe njohësit e çështjeve të drejtësisë që nuk kanë ngarkesa politike, por që s’ munden të qëndrojnë indiferentë ndaj këtij rasti, me të drejtë kërkojnë hetime të pavarura nga ekspertë të jashtëm. Një trup i tillë hetimor do të duhej aktivizuar sa më parë, për faktin sesa më shumë kohë që kalon, gjurmët që çojnë në zbardhjen e plotë të vdekjes mund të zhduken.

Tash për tash, ka mjaftë hapësirë për dilema e dyshime. Me të drejtë secili nga ne mund të pyes: si ju dhanë Astritit medikamentet? Me rekomandimin e kujt? Pse iu lejua gjithë ajo sasi? Kush e kishte nën kontroll, e mbi të gjitha pse vdekja u shpallë si “vetëvrasje” ende pa e dhënë fjalën mjekësia ligjore?

Të vërtetën mbi mënyrën e vdekjes së Astrit duhet ta kërkojmë të gjithë, pavarësisht se këtë nuk e ka kërkuar ende presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, ai që vetëm para pak javësh ia dërgoi katër letra kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me kërkesat që të angazhohet në zbardhjen e vrasjeve që kanë ndodhur gjatë dhe pasluftës në Kosovë.

S’ka dyshim që ne si qytetarë duam që të zbardhet e vërteta për gjithë ato vrasje politike që kanë mbetur mister për vite të tëra. Por, presidenti duhet ta ketë të qartë se edhe vdekja e Astritit është politike. Ai u fut në burg si aktivist politik dhe nga aty u nxor pa shenja jete. Presidenti, nuk mund të hesht në këtë situatë, sepse kështu jo vetëm që nuk e kryen obligimin kushtetues për garantim të funksionalitetit të institucioneve, por i rrezikon ato.

Burgjet duhet të shfrytëzohen për vuajtje dënimesh, e jo për vdekje.

Veton Surroi: Ja kush e ka përgjegjësinë për vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit

0

Ndaj vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit ka reaguar edhe publicisti Veton Surroi.

Ai në një shënim në Facebook ka bërë institucionet për vdekjen e Deharit, raporton Gazeta Blic. Shënimi i plotë:

Vdekja e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit tërheq dy përgjegjësi. Një është shtetërore. I riu 26 vjeçar vdiq ndërsa ishte nën përkujdesjen e institucioneve të shtetit, në burgun e Prizrenit. Kohë më parë në burgun e Prizrenit, me bekimin e pushtetit , një i arrestuar kishte rregulluar qelinë e vet sipas shijes vetjake, në mënyrë që aty të jetonte dhe zhvillonte biznes. Shteti në burgjet e të cilit një i burgosur ndërton apartament ndërsa tjetri gjen vdekjen nuk mund të quhet as shtet i sundimit të ligjit e as shtet demokratik. Elitat politike në pushtet mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë.

Përgjegjësia e dytë është politike. Astrit Dehari u fut dhe u mbajt në burg sepse kishte bindje të ndryshme politike prej pushtetit. Ai dhe qindra e mija qytetarë të Kosovës u ngritën për ta mbrojtur Kushtetutën e Kosovës në momentin kur pushteti me Marrëveshjet e Brukselit pranoi që disa prej shtyllave kryesore të kësaj Kushtetute të dëmtoheshin në formë të pariparueshme.

Pushteti kishte mundësi , me vite të tëra, të përpiqej që të ndërtonte një konsensus politik, një konsensus në të cilin do ta gjenin veten edhe Astrit Dehari dhe qindra e mija qytetarë të Kosovës që ishin kundër Marrëveshjes së Brukselit. Në vend të konsensusit pushteti përdori arrogancën e shpërfilljes dhe forcën e policisë së shtetit. Pushteti tash do të vlerësohet sipas hapave që do të ndërmerr për të treguar se është i gatshëm ta trajtojë përgjegjësinë vetjake, shtetërore dhe politike. Kjo nuk do t’ia kthejë jetën Astrit Deharit. Por do t’i ndihmojë këtij vendi që të mos kthehet tek gogoli që po na përcjell se konflikti politik medoemos duhet të përfundojë në tragjedinë e humbjes së jetës së njeriut.

Jeta e Mercury në film

0

Pas disa vitesh pune, filmi për jetën e Freddie Mercur, vokalisti i grupit legjendar Queen, duket se do të shoh dritën së shpejti.

Emrat e përfolur për rolin e shumëlakmuar të këngëtarit të famshëm kanë qenë të shumtë, por i përzgjedhuri thuhet të jetë Rami Malek, protagonist i Mr Robot.

Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht, mediat thonë se Malek ka firmosur për të portretizuar Mercury’n në filmin biografik që do të quhet “Bohemian Rhapsody”, sipas titullit të një prej hiteve më të famshme të grupit.

Bryan Singer, i njohur për 4 filmat “X-men” dhe ‘The Usual Suspects”, është në bisedime për të marrë regjinë. Ishte pikërisht ai që njoftoi përfshirjen e Malek përmes një postimi në Instagram.

Filmi do të prodhohet nga Graham King i ndihmuar nga ish-pjestarët e Queen, Brian May dhe Roger Taylor, në rolin e producentëve muzikorë. King po punon për projektin prej disa vitesh. Kur ai u njoftua fillimisht, komediani Sacha Baron Cohen u përfol si protagonisti i mundshëm i filmit për rockerin me stil pompoz, por hoqi dorë për shkak të mosmarrëveshjeve me ish-pjestarët e bendit, lidhur me mënyrën se si filmi do të paraqiste disa prej detajeve më pikante të jetës së këngëtarit.

I konsideruar si një prej zërave më të bukur të të gjitha kohërave, Mercury, emri i vërtetë i te cilit ishte Farrokh Bulsara, u nda nga jeta në vitin 1991 si pasojë e sëmundjes së sidës.

Nesër kryhet obduksioni i kufomës së Deharit, familja angazhon një ekspert nga Shqipëria për ta mbikëqyrur procesin

0

Familja Dehari ka angazhuar një ekspert të mjekësisë ligjore nga shteti i Shqipërisë, i cili do ta mbikëqyrë procesin e autopsisë për Astritin, i cili gjatë ditës së djeshme ndërroi jetë në rrethana ende të paqarta. Autopsia pritet të bëhet të hënën, pasi eksperti shqiptar ende s’ka ardhur në Kosovë.

“Presim që së shpejti të vijë mjeku nga Shqipëria dhe nesër të ndjerit t’i bëhet procesi i autopsisë”, ka thënë prokurori Metush Biraj, i cili po merret me vdekjen e dyshimtë të 26 vjeçarit.

Biraj, ka thënë për Gazetën Express, se është miratuar kërkesa e Familjes Dehari për angazhimin e një eksperti të jashtëm për të marrë pjesë në autopsinë e djalit të tyre.
Eksperti nga Shqipëria nuk do të jetë pjesë e mjekëve ligjorë që do ta bëjnë autopsinë, por vetëm do të jetë mbikëqyrës.

“Nuk do të marrë pjesë në obduksion, por vetëm ta mbikëqyrë procesin”, ka thënë Biraj.
Vdekja e Deharit është cilësuar si e dyshimtë. Për të hetuar rastin janë përfshirë Policia, Prokuroria dhe Mjekësia Ligjore.

Prokurori Biraj ka thënë se gjatë ditës së djeshme ekipet e forenzikës i kanë bërë të gjitha hetimet lidhur me këtë çështje. Ai tha se prokuroria tashmë është në fazën e hetimeve lidhur me këtë çështje.

“Jemi në fazën e hetimeve. Ende nuk kemi ndonjë të re në këtë drejtim, por ju konfirmoj se ne tashmë jemi në fazën e hetimeve”, ka shtuar ai.

Ndërkohë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha kontaktuar nga Gazeta Express ka bërë të ditur se të gjitha dyshimet lidhur me vdekjen e Astrit Deharit do t’i bëjë të ditura raporti i obduksionit.

Hoxha tha se në trupin e pajetë të Deharit nuk ka pasur ndonjë plagë, por vetëm disa gërvishtje në pjesën e qafës.

“E kemi cilësua si vdekje të dyshimtë, ende nuk i dimë shkaqet. Po i presim të gjitha raportet. Për momentin nuk mund të deklarojmë më shumë”, ka thënë Hoxha për Gazetën Express.

Ndërkohë që sot familja e Astrit Deharit ka njoftuar se sot nuk do të bëhet varrimi i djalit të tyre, i cili vdiq derisa ishte duke shkuar nga burgu i Prizrenit për në spital

“Ju informojmë se varrimi i Astrit Dehari djalit te Avni Dehari NUK bëhet sot (e diel) Për më shumë ju informojmë më vonë”, thuhet në njoftimin e Familjes Dehari, shkruan Gazeta Express.

Astrit Dehari ka ndërruar jetë të shtunën ndërsa ishte duke u mbajtur në paraburgim prej 67 ditësh nën dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm ndaj Kuvendit të Kosovës./GazetaExpress/

Në Dragash u protestua kundër një minihidrocentrali

0

Në fshatin Mlike të Dragashit, dje është mbajtur një protestë kundër ndërtimit të një minihidrocentrali

“ Raportohet se rreth 100 qytetar kanë protestuar duke shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me ndërtimin e një minihidrocentrali. Rreth orës 13: protesta ka përfunduar e qetë”, njofton Policia e Kosovës.