Home Blog Page 5831

Aksident në Zhur, lëndohen dy persona

0

Dy persona janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur në fshatin Zhur të Prizrenit.

“Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor “, njofton Policia e Kosovës.

Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur në mes te dy veturave.

“ Deri te aksidenti ka ardhur kur i dyshuari, përderisa ishte duke lëvizur me veturën me targa lokale, për shkaqe të panjohura aksidentohet me veturën me targa te Shqipërisë, që drejtohej nga viktima mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë”.

“ Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kane pësuar dy pasagjer nja mashkull dhe një femër”./PrizrenPress.com/

Zjarr në depon e tekstilit në Prizren, intervenon edhe KFOR-i gjerman (Foto)

0

Mbrëmë një depo e tekstilit në lagjen “Kurrill” në Prizren është përfshirë nga zjarri.

Sipas një lexuesi të Indeksonline, zjarri nisi nga ora 19:00 dhe nuk u shua deri në ora 01:00 pas mesnate.

Ai ka thënë se pos zjarrfikësve, për të shuar zjarrin është dashur edhe intervenimi i KFOR-it gjerman.

Indeksonline iu sjell foto nga vendi i ngjarjes.

“Betejë e madhe” për të parin e Prizrenit

0

Të nominuarit për kandidatë për të parin e komunës tashmë po i sfidojnë subjektet politike brendapërbrenda. Kështu, deri më tani në këtë drejtim Dega e LDK-së, siç duket, është më e sulmuara.

Baxhaku para Selmanajt

Kryetari i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, thotë se kandidatura e Hatim Baxhakut për kryetar të Prizrenit është propozuar dhe diskutuar para se Driton Selmanaj të anëtarësohet në LDK. Sipas tij, Baxhaku e ka mbështetjen e Kryesisë dhe të 90 për qind të nëndegëve të LDK-së në Prizren. “Kur e kemi diskutuar emrin e Hatim Baxhakut, Driton Selmanaj nuk ka qenë pjesë e LDK-së. Tash ekziston një pajtim i gjerë që Baxhaku të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit”, thotë Avdyli. Mirëpo, një burim i gazetës, që nuk deshi të bëhet publik , tregon se Dritonin anëtarë të Kryesisë e kanë ftuar duke e quajtur një lloj Shpend Ahmeti për Prizrenin. “Tash, besoj se duhet ta mbajmë atë premtim që anëtarë të Kryesisë i kanë bërë”, na tha burimi. Kurse, kryetari Avdyli thotë se Kryesia e Degës së LDK-së ka kandiduar Baxhakun për kryetar të Prizrenit. Ndërkaq, vetë Baxhaku ka sqaruar të shtunën se nuk ka të tilla mospajtime, dhe se në mënyrë unanime ka marrë përkrahjen për të qenë në garën për Prizrenin. “Jo. Nuk ka këso mospajtime. Unë nga Kryesia e Degës në Prizren në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët prezentë kam marrë përkrahjen. Po ashtu edhe nga 90 për qind e nëndegëve. Normalisht kandidatura shkon në Kryesi dhe Këshillin e Përgjithshëm nga ku pres përgjigje pozitive”, u shpreh Baxhaku

PDK-ja ka 3-4 emra në listën e ngushtë

Ditë më parë kryetari i Degës, Minir Krasniqi, dhe ndoshta njeriu i dytë pas Veselit që ka ndikim në këtë vendim, për të bërë nominimin e të parit për kryetar të Komunës së Prizrenit nga kjo parti, ka thënë se janë katër emra, por ai nuk përmendi asnjërin prej tyre. Tash dihet se ky subjekt ka disa emra, si: Hasan Hasanin, Afrim Avdajn, Nahit Hasanin dhe Alush Shalën. Por, siç duket, këta janë emra të Kryesisë së kësaj Dege, edhe pse emrat të përfolur janë: Shaqir Totaj,Veton Firzi dhe Afrim Tejeci. Tani të gjitha këto mbetet se si do të perceptohen dhe ku do të jetë pika për të zgjedhur të nominuarin për kryetar të Komunës së Prizrenit. Krasniqi për “Kosova Sot” ka thënë se emra nuk do të veçojë, por e di se edhe këtë mandat kenë synim të fitojnë PDK, edhe se ka bindjen që falë organizmit të dalin fitues edhe në këtë mandat.

Të tjerët thanë se po punojnë

Në këtë kontest tashmë, sipas të gjitha gjasave, LVV-ja ka shpallur një lloj konkursi, ku të gjithë anë- tarët mund të konkurrojnë, por burime tona bëjnë me dije se aty janë dy kandidatë, ndoshta që mund t’i plotësojnë kriteret. Pra, mund të jetë Mytaher Haskuka ose edhe mund të shkohet me Azem Ramadanin. Ky i fundit i posaardhur nga PDK-ja në këtë subjekt politik. Por, po ky burim na bën me dije se Artan Abrashi nuk ka synime të jetë kandidat, edhe pse ai gëzon një reputacion pozitiv brenda kësaj partie.

Nga ana tjetër, AAK-ja tashmë ka kandidatin kaherë të nominuar Lulzim Kabashi, kurse Nisma do të nominojë Zafir Berishën. Mirëpo, takimet e fundit dhe mundësia e këtyre dy subjekteve politike të bashkohen në një subjekt për zgjedhje lokale, domosdo se nga këta dy emra mund të dekorohen që njëri të jetë i nominuari, ndërsa kandidat të tretë s’mund të pritet që të ketë brenda këtyre partive. Pastaj, ai dakordim varet se a bëhet shpejt e pa keqkuptime, kjo mbetet të shihet.

“Tash, vetë Nisma dhe AAK-ja i kanë shpeshtuar takimet me anë- tarësinë dhe janë të vetëdijshëm se Prizreni është “beteja e madhe”, siç quhet ndryshe në politikë, ngase Prizreni është një lloj tabele paraprijëse për politikën kosovare dhe tek pastaj vijnë qytetet e tjera, bile edhe vetë Prishtina”, thotë Bashkim Gashi nga shoqëria civile.

(Kosova Sot)

Numri i vdekjeve në komunikacion është rritur për 18%

0

Janë shtuar aksidentet me fatalitet në rrugët e Kosovës. Policia ka bërë të ditur se numri i aksidenteve është në rritje, ndërsa shkaktar janë faktori njeri dhe rrugët jo të mira.

Policia apelon që të shtohet kujdesi në ngasje për të mos ndodhur më e keqja në trafik.

Numri i vdekjeve në trafikun rrugor është rritur në 18%. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, bazuar në periudhën janar-korrik, nga aksidentet në trafik kanë humbur jetën mbi 70 persona dhe mbi 7 206 janë lënduar.

Nëse këto të dhëna krahasohen me vitin e shkuar, i bie që këtë vit; si pasojë e aksidenteve kanë vdekur 20 persona më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Feriz Lahu, kapiten në Policinë e Kosovës, për RTK-në, tha se përveç faktorit njeri, sipas policisë, shkak i aksidenteve është edhe infrastruktura jo e mirë e rrugëve.

Policia apelon për respektim të rregullave në trafik, ndërkohë paralajmëron se gjobat nuk do të ndalen për të gjithë shkelësit e ligjit. Numri i gjobave është rritur me mbi 12% për shkak të mosrespektimit të rregullave.

Sipas policisë, në 7 muajt e fundit në total kanë ndodhur 9 mijë 981 aksidente rrugore, ndërsa janë shqiptuar më shumë se 24 mijë gjoba.

Faleminderit Mentor Petrela

0

Edison Ypi

Dua të më bësh një sharrë elektrike për të prerë kafkat e të vdekurve për qëllime studimore, më tha një ditë andej nga fillimi i viteve ’80 një mik mjek që punonte në morg.

Kur për çdo send prej druri apo metali që lypsej thuhej “kam te puna”, bërja e një sharre s’ishte problem. Me një motor të vogël elektrik, dorezë, një marifet që disku të mos hynte në kafkë më thellë se trashësia e kockës, ja bëra sharrën që deshte mikut mjek të morgut që deri atëhere kafkat i sharronte me sharrë dore. Provat i bëmë me sukses të plotë mbi një kokë lope që e morëm në thertore. Ndoshta mjekut të morgut sharra nuk i duhej për eksperimente me kafkat e të vdekurve por për të torturuar të gjallët, se atëhere gjithçka bënte vaki’, megjithatë e besova.

Një herë tjetër, një mjek dentist qefli muzike dhe motocikletash, më pat thënë se heqja e masës trunore nën ballin e njeriut, nuk shkakton asnjë zarar. Sipas qefliut, neurokirurgët, për të lehtësuar ndërhyrjet në thellësi të kafkës, masën trunore në brendësi të ballit e heqin me lugë, dhe e flakin në kosh. Përfytyrimi tmerrues i një asistenti që ngul lugën në ballin e një pacienti, e mbush me tru, dhe trurin e hedh në kosh, shoqëruar me tjetrin përfytyrim makabër “plumb në lule të ballit” që s’paskish qënë kushedi se çë përderisa i gjithnjohuri plumb në ballë e në fjalë ngulet në një masë që edhepse duket jetike është krejt e pavlerë, e ndërlikonte tej mase tablonë ndërkohë që dihej se mjeku autor i këtij pohimi vërtet shquhej për disa gjëra por jo për tru të tepërt.

Pata lexuar për Tiroidën që bën hatanë, për Hypofisën dhe Hypotalamusin prejnga vijnë të gjitha urdhërat, për themeluesin e Endokrinologjisë që nuk ishte një mjek i madh por një shkrimtar i madh, Balzaku që supozoi “ekzistencën në gjak të disa lëngjeve”.
Mik, mjek, morg, sharrë, kafkë, kockë, tru, lugë, kosh, tiroidë, hypofizë, hypotalamus, endokrinologji, shkrimtar, të gjitha të lidhura me bërjen ose mosbërjen dëm, më erdhën ndërment teksa do nisja të lexoj librin “Mos bëj dëm” shkruar fantastikisht nga Henry Marsh dhe shqipëruar mrekullisht nga Mentor Petrela. Prita pak sa më “erdhi” truri si “vjen” brumi i bukës pasi i ke hedhur majanë, dhe ju futa leximit si zhyten nën ujë nëndetset e Sevastopolit.

Lexoje atë libër të mrekullueshëm.

Ty që me gjasa konservativët ta shpifin, progresistët i urren, seriozitetin nuk e sheh kurrkund, banaliteti ta ka nxirë jetën, superficialiteti të ka afruar me varrin, e di dhe e ndjen se të merresh vetëm me veten shndrrohesh në delirant, të merresh vetëm me të tjerët, bëhesh budalla edhe nëse s’je, për të rivendosur një ekuilibër të humbur në xhunglën moderne të informacionit, duhet patjetër ta lexosh atë libër.
Ti që i hedh sytë pamjes tmerruese që të rrethon dhe sheh se të gjithë gënjejnë, të gjithë paraqiten të bukur, të gjithë hiqen të ndershëm, të gjithë dalin në foto me të ngrëna përpara, të gjithë janë katandisur ku thrret qameti, duke zënë kokën me duar bën pyetjen; Ku ndodhet një mes shplodhës ? Ku është një oaz qetësues ? Ku ta gjej një pyll ku fryn flladi ?
Mesin shplodhës, oazin qetësues, pyllin flladitës, i ke të gjitha te ai libër.
Lexoje. Pasi ta kesh lexuar, brenda teje do ndodhin disa ndryshime lidhur me ca shqetësime që i ndjeje por nuk guxoje ti bëje.
Pas leximit të këtij libri do qortosh veten si nuk je kujtuar të marrësh një varre’ ta godasësh televizorin ta bësh copa-copa ta hedhësh në kazanin e plehrave.

Me të lexuar atë libër nuk do ja falësh vetes që masakratorin e kreativitetit, kompjuterin, me gjithë kablla e me gjithë priter, do ta fusësh në një thes do ta lësh në një trotuar.

Kur atë mrekulli ta kesh mbaruar së lexuari, do habitesh se si Zoti nuk ta ka lëshuar një rrufe nga lart si dënim për mëkatin që penën, bojën, zarfin, tutkallin, pështymën, i ke lënë aq pas dore.

Do tmerrohesh se si ke qëndruar aq gjatë në rrjetet sociale. Do ti mbyllësh të gjitha accountat. Do nisësh të mendosh ndonjë mënyrë për tu mbledhur për të pirë diku kafe a çaj jo me “friends” virtualë por me miq prej mishi e kocke.
Do të lindi dëshira tu ulurasësh komunistave në surrat; Ishit dhe jeni një çetë rrugaçësh. Ajo që e quani lufta nacional çlirimtare është një gënjeshtër e pështirë. Nuk keni asgjë ta dokumentoni. Keni provokuar italianë dhe gjermanë nga maja malesh, pastaj ju ja keni mbathur, ata kanë djegur fshatin.

Zotërinj konservatorë, ndizni nga një qiri për Doktorin që të 10, falë të cilit për ca kohë u muar vesh se ekzistonit. Kështu si bëni ju që vetëm mburreni, vetëm qurreni, vetëm shpifni për njëritjetrin, nuk do ta merrni kurrën e kurrës pushtetin. Mentor Petrela mund tua drejtojë disi kolonat e shtrembëruara nga vuajtjet dhe përkuljet. Mund tua heqi dhe ndonjë tumor. Por as Mentor Petrela dhe as Henry Marsh, nuk u bëjnë dot derman deformimeve tuaja cerebrale që ua shkapërdheu kurvi.

Do falenderosh Marsh dhe Petrela, të cilët, për të mos u bërë dëm të tjerëve, i bënë dëm vetes duke hyrë ku nuk hyhet, në punët e Zotit.
Do mësosh se në këtë botë s’ka gjenialitet tjetër veç atij të gjithkujt që dëshmon prej “këndej” sadopak nga “fshehtësia” që ndodhet e tëra “andej”.

Lexoje derdhjen bujare të njerzillëkut, ndjeshmërisë, profesionalizmit, erudicionit, përkushtimit, durimit.
Proporcionet danteske, çartallosjet shekspiriane, fluturimet lasgushiane, dalldisjet kadareane, gjithçka e këtejme dhe e përtejme, gjithçka njerëzore dhe qiellore, guximi, frika, dështimi, dashuria, urrejtja, lavdia, fantazia, shenjtëria, ndodhen të gjitha në atë libër të sofistikuar si tumor, në atë përkthim të bukur si tru.

Malishevë: Jep dorëheqje nga PDK-ja Adem Berisha

0

Anëtari i PDK-së në Malishevë, Adem Berisha i ka dhënë fund angazhimeve të tij në këtë parti, duke thënë se PDK-ja është bërë parti e interesave të disa individëve.

Berisha ka shprehur kundërshtime edhe për marrëveshjen PDK-Nisma për Malishevën, të cilën ai e quan marrëveshje për injorimin e qytetarëve të Malishevës.

 

Letra e plotë e Berishës:

Letër publike drejtuar anëtarëve të PDK-së dhe qytetarëve të Malishevës

Të dashur qytetarë të Komunës së Malishevës, shumë të respektuar mbështetës.

Kam pasur nderin dhe respektin të jem me ju në momente vendimtare përgjatë shumë viteve, ku kemi kaluar bashkërisht vështirësi, kemi ndarë dhimbje dhe gëzime, kemi qëndruar pranë njëri tjetrit edhe atëherë kur dukej e pamundur.

Andaj, sot ju falënderoj përzemërsisht për mbështetjen që me keni dhënë gjatë luftës me gatishmërinë dhe sakrificën tuaj, pas luftës me mbështetjen politike e morale.

Pa angazhimin tuaj vetëmohues asnjë zhvillim pozitiv në Kosovë nuk do të ishte i mundur!

Sot, përmes kësaj letre dua të ju njoftoj për vendimin që kam marrë sa i përket veprimtarisë sime politike në Partinë Demokratike të Kosovës.

Siç e dini, shumë zhvillime politike në Kosovë dhe në veçanti në Malishevë janë larg synimeve që ka brezi ynë. Për këtë situatë ka përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi ka disa vite që e kërkoj në Partinë Demokratike të Kosovës, dhe kudo ku më është dhënë rasti në sferën publike.

Prandaj, duke e parë brenda PDK-së një logjikë të udhëheqjes partiake të centralizuar dhe pa parime

Duke mos u pajtuar me marrëveshjen aspak parimore të bërë në mes PDK-së dhe NISMA-s e cila e shfaqi hapur injorimin ndaj qytetarëve.

Duke qenë se udhëheqja e PDK-së po tregohet jo serioze sa i përket Komunës së Malishevës dhe kandidatëve për Kryetar Komune të cilën është vazhdim i marrëveshjeve.

Duke e parë situatën ku shumë qytetarëve të Malishevës ju bëhen lloj lloj padrejtësish dhe PDK-ja në asnjë nivel nuk ju del në mbështetje.

Dhe mbi të gjitha duke parë se si Partia Demokratike e Kosovës nga një subjekt i cili synonte të ishte pranë qytetarëve dhe mirëqenies së tyre, pranë idealeve të luftës së UÇK-së dhe vlerave kombëtare ka përfunduar në një parti që është bërë rob i interesave të disa individëve, duke u larguar nga qytetarët dhe duke mohuar ato vlera për të cilat kontribuan shumë veprimtarë që padrejtësisht u injoruan, u përqeshën dhe u luftuan nga brenda.

Sot, bëjë publike dorëheqjen time të pakthyeshme nga PDK-ja.

Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata qytetarë dhe bashkë partiakë duke filluar nga fshati Gurbardh, dhe te gjitha fshatrat tjera te Komunës e Malishevës dhe më gjerë që më inkurajuan dhe mbështetën vazhdimisht që të punoj dhe veproj gjithmonë në interes të qytetarëve dhe vendit, që nga koha kur isha mësimdhënës e pastaj luftëtar në luftën e lavdishme të UÇK-së, e deri tek angazhimet e pasluftës si përfaqësues i tyre në asamblenë komunale, në qeverisjen lokale dhe qendrore.

Angazhimin tim publik dhe politik nuk do ta ndalë, por do ta vazhdoj edhe më shumë për çka besoj në mbështetjen dhe angazhimin e përbashkët me qytetarët e Malishevës për të sjellë në jetë ato ideale dhe të drejta të cilat sot ende na mohohen si qytetarë të Malishevës dhe Kosovës

Vetëvendosje sot voton kandidatin për kryetar të Prizrenit

0

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, sot  organizon procesin e brendshëm zgjedhor për kandidat  të  Komunës së Prizrenit.

“Zgjedhjet, do të organizohen nëpërmjet demokracisë së drejtpërdrejtë – një anëtar, një votë”.

“Ftohen të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje! Qendra Në Prizren për të votuar për kandidatin për kryetar të Prizrenit”.

Votimi mbahet prej orës 10:00 – 19:00.

Më poshtë po japim vendin se ku mund të votojnë anëtarët e pikave të Qendrës në Prizren.

Anëtarët e pikave:

Piranë

Landovicë,

Arbanas,

Zojz

Randobravë,

Medvec,

Krushë e Vogël

do të votojnë në Piranë tek restorant “Ylli”

Anëtarët e Pikës në Korishë do të votojnë në objetkin e postës.

Anëtarët e pikave:

Arbanë,

Nashec

Jeta e Re

do të votojnë në rrugën “Afrim Bytyqi”, afër shkollës fillore “Ibrahim Fehmiu”.

Ndërsa, anëtarët e pikave:

10 Qershori

2 Korriku

Petrova

Tabakhane

Lakuriq

Bazhdarane

Dardania

Ortakoll

Lagja e Trimave

Zhur

Kobaj

Shkozë

Mirëz

Vërmicë

do të votojnë në zyrat e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren (adresa “Adem Jashari” nr. 104).

Stacioni i Autobusëve të Prizrenit hap dyert për artin bashkëkohor

0

Autostrada Biennale në edicionin e parë të titulluar ‘’E Ardhmja e Kufijve’’, terminalin e autobusit do ta ketë vendtakim të artistëve, puna e të cilëve trajton politikën e mobilitetit, refugjatët, dislokimin e pakicave, migrimin, shkëmbimin kulturor, pakufishmërinë e imagjinatës, luftën, kufijtë gjinor, kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm në hapësirën bashkëkohore publike.

Sipas një njoftimi për media të kësaj Bienalje Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, autobusët janë një nga automjetet kryesore publike moderne, ato përdoren për të transportuar masën ndërmjet pjesës rurale dhe urbane, mes qyteteve të mëdha dhe të vogla, në të gjithë kufijtë kombëtarë dhe rajonal.

“Ky aspekt masiv, së bashku me qasjen e tij të përhapur në territore me nivele të ndryshme të modernizimit, i bën autobusët një fokus qendror kur bëhet fjalë për të ardhmen e kufijve. Imigrimet, refugjatët, pakicat shpesh duhet të mbështeten në autobusë për arsye të lehtësirave që sjellin me kosto të ultë dhe përhapje që kanë ato. Pra, nëse Autostrada është thelbi infrastrukturor i mobilizimit masiv modern, atëherë autobusët janë shprehje publike e rrugëve moderne”, thuhet në njoftim, përcjell PrizrenPress.

Artistë pjesëmarrës në ekspozitë janë: Valentina Bonizzi (Itali), CHANG Chien-Chi (Tajvan), Libia Castro (Spanjë) & Ólafur Ólafsson (Islandë), Irwin (Slloveni), Alban Muja (Kosovë), Rena Rädle (Gjermani) dhe Vladan Jeremi (Serbi), Ella Raidel (Austri) , Oliver Ressler (Austri), Saso Sedlacek (Slloveni), Alketa Xhafa (Kosovë). Veprimtaritë e këtyre artistëve mbulojnë media të ndryshme duke filluar nga fotografitë, videot, vizatimet, posterët, robotët interaktiv dhe performancat.

Nga 19 Gusht deri më 23 Shtator, këto vepra të artit do të ekspozohen: në dhomën e pritjes së stacionit, kafene të mëdha, zyre, fasada, tek hapësira në natyrë, si dhe në sallën legjendare të dasmës. Pritja e hapjes së Autostradës Biennale do të mbahet me 19 gusht në mbrëmje tek Stacioni i Autobusëve.

Si vendtakim për ekspozitën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, do të përdoren zona të ndryshme të qytetit të Prizrenit me trashëgimi kulturore. Duke qenë qendër e mobilizimit masiv, stacioni autobusëve do të jetë pikënisja e ekspozitës me titull “E ardhmja e kufijve”.

Një histori e shkurtër e Stacionit të Autobusëve të Prizrenit:

Stacioni i parë i autobusëve në Prizren ishte e vendosur tek Posta, ndërsa në vitin 1960 ai u zhvendos në vendin ku gjendet edhe sot. Themelet e para të stacionit aktual të autobusëve u vendosën në vitin 1978 dhe në vitin 1981 ai u hap për publikun. Stacioni i autobusëve gjithashtu kishte një sallë dasmash ku organizoheshin dasma dhe ahengje të ndryshme. Gjatë tendencave të privatizimit në periudhën e pas-Jugosllavisë, stacioni i autobusëve ishte përjashtuar nga lista dhe deri më tani funksionon si objekt publik. /PrizrenPress.com/

FJALA nominon Nexhmedin Ramadanin kandidat për kryetar të Prizrenit

0

Partia Fjala ka emëruar Nexhmedin Ramadanin kandidat për Kryetar të Prizrenit.

Nexhmedin Ramadani është profesor i Gjuhës Angleze.

Ramadani njëherësh do t’i prijë listës së kandidatëve për Asamble Komunale të Komunës së Prizrenit.

Fshati Dejnë i Rahovecit do të bëhet me amfiteatër

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka nënshkruar urdhëresën me të cilën ka urdhëruar zyrën e prokurimit, që të fillojë me procedurat për shpalljen e tenderin për projektin: “Ndërtimi i infrastrukturës kulturore në fshatin Dejnë”.

Në kuadër të këtij projekti do të rregullohet, amfiteatri dhe infrastruktura përcjellëse, për organizimin e festivali tradicional kombëtar të folklorit “Anadrinia Jehon”.

Bazuar në pikën tre të urdhëresës së nënshkruar nga ana e kryetarit, për zbatimi i kësaj urdhërese do të përkujdeset zyra e prokurimit dhe Drejtoria e Kulturës, Rinis dhe Sportit. /PrizrenPress.com/