Home Blog Page 5854

Ligj për konfiskim të pasurisë së paligjshme

0

Shkruan: Qazim Morina

Aty ku një shtresë e popullatës ka para të hajnisë e krimit apo me një fjalë të haramit, jo vetëm që nuk vlerësohet, por edhe nënçmohet puna e ndershme. Për këtë urgjentisht na duhet miratimi edhe më me rëndësi zbatimi i Ligjit për konfiskim të pasurisë së paligjshme.

Kjo do ta parandalonte jo vetëm mentalitetin dhe trajtimin e punës së ndershme, por edhe në mënyrë institucionale do ta godasë shtresën e të gjithë atyre, të cilët janë pasuruar përmes rrugëve të pista, duke paragjykuar punëtorin dhe djersën e tij.

Ky soji i njerëzve ka problem me ndërgjegjen e tyre. Shtrohet pyetja: Cila është porosia që ua përcjellim brezit të ri. Punën apo krimin e hajninë, që edhe ashtu, në një masë ka krijuar imazh të keq për shqiptarët në botë.

Në këtë kontekst dua ta kujtoj thënien e ish-ambasadorit anglez në Kosovë, Ian Cliff, gjatë një bisede kur ndër të tjera, tha se janë fjalë këto për gjoja luftë ndaj korrupsionit.

“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Kosova ta parandaloi dukurinë e korrupsionit, pos nëse nuk vepron me ligj kundër kësaj dukurie”, tha ai.

Diplomati anglez pat thënë se këtë po e thoshte nga përvoja, pasi edhe në vendin e tij kishte ndodhur kësisoj, derisa kishte filluar zbatimi i Ligjit për konfiskim të pasurisë së paligjshme, kur pas vuajtjes së burgut, keqbërësit do të mbetnin duarthatë.

Mjerisht, në shoqërinë shqiptare kjo ka marrë hov, si asnjëherë më parë. Këtu sikur është bërë modë, që ata të cilët kanë pak mundësi ta zhvatin paranë publike, ndërsa të tjerët të përfitojnë paligjshëm në forma të ndryshme.

Për më keq në mentalitetin e një shoqërie të varfër, një pjesë e popullatës, në vend se t’i urrejë e t’i ndëshkojë ata që janë pasuruar përmes rrugëve të pista, për me keq edhe të krimit, tek ne njerëzit e këtij soji quhen “njerëz të zotë apo të gjindshëm”. Pra ia ndërrojnë edhe kuptimin etimologjik fjalës hajn.

E çfarë të presësh në raste të tilla, kur gjithnjë e më pak po përdoret fjala ndershmëri. Madje nëse shkon kështu, atëherë do të ishte mirë që gjuhëtarët ta heqin tërësisht nga fjalori, pasi po më duket se edhe poetët, po e përdorin gjithnjë e më pak.

Policia monitoron ahengjet në Suharekë

0

Komuna e Suharekës ka mbajtur takimin e rregullt për koordinim lokal të sigurisë, të cilin e kryesoi nënkryetari Rexhep Kuçi.

Aty u tha se gjatë javës kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, ka përcjellë pothuajse të gjitha aktivitetet kulture-zbavitëse të Manifestimit “Ditët e mërgatës 2017”.

Kurse zv.komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, toger Afrim Sylaj, theksoi se situata në komunë është në përgjithësi e qetë dhe stabile.

“Policia këto ditë janë më të angazhuar në mbarëvajtjen e qarkullimit të lirshëm në trafik si dhe monitorimin e ahengjeve pas rastit që ka ndodhur disa ditë më parë në një fshat të Suharekës”, tha Sylaj.

Ndërsa përfaqësuesi i OSBE-së në Suharekë, Adem Kollari, ka njoftuar për fletëpalosjen për buxhetin të cilën e ka ndihmuar Misioni i OSBE-së në Kosovë. Nga LMT –ja e KFOR-it është raportuar për vizitën e komandantit të Brigadës shumëkombëshe Jug, kolonelit turk Mustafa Tavazar.

Dokumentari ‘Zoti i Shpisë’ që trajton traditat shqiptare, vjen në DokuFest

0

‘Zoti i Shpisë’, dokumentar në të cilin u arrit të gërshetohet tradita shekullore shqiptare, mori petkun e realizimit të tij nga regjisorja holandeze, Danielle Bremer. Në pamundësi që të flasim me vetë regjisoren, KultPlus, realizoi një intervistë të shkurtër me producentin e filmit Edon Rizvanolli.

Ai tregoi më konkretisht se çfarë trajton ky film dokumentar.

‘Filmi ka trajton vështirësitë e gruas në shoqërinë shqiptare, për shkak të traditave sipas të cilave meshkujt janë atë që dominojnë në shoqëri. Filmi sjellë historinë e një gruaje kosovare, e cila në moshë 13 vjeçe kishte ikur nga shtëpia e saj, pasi babai i saj tenton të ia ndërkrejë shkollimin. Synimi që të shkollohej e mbajti atë larg pragut të shtëpisë, ngase ekzistonte frika se po të kthehej do të mbytej nga babai i saj, i cili kundërshtonte shkollimin e saj’, pohoi Rizvanolli.

Është edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest , ai që do të shërbejë si pasqyrë për shfaqjen e këtij filmi.

Producenti i këtij filmi, Edon Rizvanolli tregoi se filmi ‘Zoti i Shpisë’ do të shfaqet edhe në festivale tjera, ngase trajton një temë mjaft të rëndësishme.

Xhirimet për këtë film janë bërë në Bresana, Pobergj e Dragash.

Prokurori Metush Biraj : Nuk ka fakte që Vetëvendosje! është përfshirë në vdekjen e Astrit Deharit

0

Rreth nëntë muaj nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, organet e ndjekjes bëjnë të ditur se nuk ka asnjë fakt, i cili përfshinë vizitorët e Deharit në vdekjen e tij.

Edhe pse të gjithë ata që vizituan Deharin gjatë qëndrimit të tij në paraburgim, ishin cilësuar nga prokuroria si të dyshuar të mundshëm për përfshirje në vdekjen e Deharit, prokurori i rastit, Metush Biraj, thotë edhe pse janë kryer 99 për qind e hetimeve nuk ekziston fakti më i vogël se të njëjtit janë përfshirë në këtë rast.

“Ende nuk i kemi intervistuar, por s’ka kurrfarë indikacioni që mund të rezultojë me ndonjë dyshim që vizitorët e Deharit mund të jenë të implikuar në këtë rast”, është shprehur prokurori Biraj.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Metush Biraj i ka thënë “arbresh.info” se ende janë në pritje të ekspertizës dhe se nuk e di se kur do të vijë kjo ekspertizë.

“Nuk ka diçka të re rreth asaj çështjeje, rreth 99 për qind të veprimeve i kemi rrumbullakosura, na ka mbetur me ardh edhe përgjigja definitive prej ekspertizës së Austrisë”, është shprehur prokurori”, tha ai.

Sipas tij, nuk ka asnjë të dyshuar konkret ndaj të cilit do të mund të nisnin hetimet.

“Nuk kemi të dhëna se ai është ndikuar apo jo, ose ka mundësi ndoshta të ketë qenë ndikuar nga dikush indirekt, mirëpo problem është mi faktu zhvillimet në kuadër të botës së tij të brendshme shpirtërore. Deri tash nuk kemi dyshime të nivelit të tillë që ne me iniciua procedurë ndaj dikujt, por jemi në veprime akoma”, është shprehur prokurori Biraj.

Ai tha se nuk ka hequr dorë nga intervistimi i vizitorëve të Deharit, ku përfshihen pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, prokuroria po shqyrton një mundësi të re që në të ardhmen edhe vizitorët e Deharit të intervistohen, e kjo sipas tij do të bëhet në mënyrën më adekuate të mundshme.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari ka ndërruar jetë më 5 nëntor të vitit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, deri sa po qëndronte në paraburgim për hetimet që po zhvilloheshin ndaj tij dhe 5 aktivistëve të tjerë nënë dyshimin për sulm në Kuvendin e Kosovës./ Arbresh.info/

Monedha të falsifikuara në Suharekë

0

Një person nga fshati Mushtisht i Suharekës ka raportuar në Polici se derisa ishte duke punuar në lokalin e tij, ka pranuar dy kartëmonedha prej 50 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Monedhat e dyshuara janë konfiskuar.

Në Prizren u hap ekspozita “Jeta dhe koha” në 100 vjetorin e lindjes së presidentit amerikan John F.Kenedy

0

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Greg Delawie, të enjten ka marr pjesë, në hapjen e ekspozitës me fotografi nga jeta e presidentit amerikan John F. Kenedy. Kjo ekspozitë u hap në 100 vjetorin e lindjes se presidentit të 35 të Amerikës.

Drejtoresha e Bibliotekës ndërkomunale në Prizren, Sahadete Sadikaj, tha me këtë rast se kjo ekspozitë me fotografi nga jeta e presidentit amerikan John F. Kenedi hapet në 100 vjetroin e lindjes së tij. Po ashtu është mbajtur një ligjëratë dhe bashkëbisedim për jetën e presidentit amerikan me grupin e vullnetarëve të bibliotekës.

“Ka shumë mesazhe që mund të merren nga kjo ekspozitë, si nga jeta ashtu edhe nga vepra e presidentit amerikan. Ekspozita do të jetë e hapur deri me 8 gusht” tha Sadikaj.

Ambasadori amerikan pos që mori pjesë në hapjen e ekspozitës vizitoi edhe grupin e vullnetarëve, me të cilët e zhvilloi një bashkëbisedim të shkurt, dhe pa u prononcua fare për medie, u largua nga shtëpia e kulturës.

Drejtoresha e Bibliotekës ndërkomunale Sahadete Sadikaj tha me këtë rast se grupi i vullnetarëve të Bibliotekës do të jetë në shërbim të vizitorëve të qytetit të Prizrenit.

“Gy grup nga data 29 do të jenë në përcjellje të vizitorëve për në Kalanë e Prizrenit, tha ajo.”/gazetaere/

Baza e KFOR-it mbi kodrën e Cviljenit i dorëzohet Komunës së Prizrenit

0

Dje Bundeswehr-i i dorëzoi pas 18 vitesh shfrytëzim bazën mbi kodrën e Cviljen-it Misionit të Kombëve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Bundeswehr-i, si pjesëmarrës i misionit të KFOR-it, ngriti që në vitin 1999 një bazë ushtarake mbi këtë kodër dhe e shfrytëzoi atë. Ajo bazë shërbeu për arsye të pozitës së saj gjeografike para se gjithash si një pikë vëzhguese për KFOR-in. Shpërbërja e kësaj baze është kryer në muajt e kaluar. Në këtë hapësirë mbeten depo dhe ndërtesa administrative, të cilat do t´i dorëzohen shfrytëzuesit pasues. Fillimisht kjo hapësirë ju dorëzua UNMIK-ut dhe kjo e fundit ia dorëzoi në vijim KK të Prizrenit.

Komandanti i Kontingjentit Gjerman të KFOR-it, koloneli Jochen Gumprich, u shpreh shumë i kënaqur me përmbylljen me sukses të këtij kapitulli të Bundeswehr-it.

“Për Kosovën dhe Bundeswehr-in dorëzimi i kësaj baze pas 18 vitesh shfrytëzimi tek Misioni i Kombëve të Bashkuara në Kosovë është një moment ushtarako-historik”, theksoi koloneli Gumprich.

A është frëngjishtja gjuha më logjike?

0

Miti që frëngjishtja është më e qartë dhe më logjike si gjuhë është forcuar gjatë katër shekujve të fundit nga vetë francezët. Në vitin 1647, gramaticieni francez Claude Favre de Vaugelas thoshte:

“Ne, në cdo gjë që themi, ndjekim ekzaktësisht rendin e mendimit logjik, që është rendi i Natyrës”.

Ideja ishte që sistemi francez i gramatikës zotëronjte një logjikë të natyrsme dhe qartësi që gjuhët e tjera, edhe latinishtja, e prishnin me paqartësinë dhe mosartikulimin. Disa gjuhëtarë madje shihnin tek përsosmëria komplekse e gjuhës francez, reflektimin e vetë qytetërimit.

Këto ide janë përhapur nëpër botë nga francezë dhe frankofilë. “Pour la beaute de la langue francaise” e rreperit McSolaar është një provë. Megjithatë, problemi me gjithë këtë ide është se ndërkohë që gjuha njerëzore është domosdoshmërisht lineare, logjika njerëzore dhe perceptimi nuk janë. Kur ne shohim një ari që ha një taco, ne e perceptojmë të gjithë konceptin, pa iu referuar procesit gjuhësor të ariut (krtefjala) – ha (folja-kallezori) – taco (kundrinori).

Cdo gjuhë mund të shprehet me logjikë dhe qartësi, dhe cdo gjuhë, përfshirë frëngjishten, mund të shprehet në mënyrë jokoherente, sic mund ta kenë dëshmuar të gjithë ata që flasin me njerëzit që përpiqen të shesin suvenirë të lirë poshtë Kullës Eiffel. /Bota.al

Votat për PAN-in do të jenë më shumë sesa mendohet

0

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), anëtar i kryesisë së kësaj partie, Xhavit Haliti, beson se koalicioni PDK-AAK-Nisma i ka votat e mjaftueshme për ta konstituuar kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë e re.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se votat për këtë koalicion do të jenë më shumë sesa mendohet. Ai ka bërë me dije se çdo qeveri e cila merr votat e nevojshme në Kuvend mund të funksionojë pa problem deri në fund të mandatit.

Haliti në këtë intervistë ka mohuar lajmin se do të jetë kandidat i PDK-së për kryekuvendar, duke e konsideruar këtë spekulim mediatik.

“Kandidati ynë për kryekuvendar është Kadri Veseli, i cili ka mbështetjen e plotë të partisë”, është shprehur Haliti.

Prizren, Besnik Velija: Po akuzohem padrejtësisht për grabitje

0

Besnik Velija, i akuzuar për grabitje, të mërkurën, ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj tij, është e bazuar në një rast tjetër penal dhe se në bazë të kësaj aktakuze, sipas tij, janë marrë disa aktgjykime të padrejta.

Velija, së bashku me Remzi Kuqin, i cili është në arrati, ngarkohen me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje, pasi sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të njëjtit kanë hyrë me dhunë në firmën “Nisa”, e cila kryente shërbime të transferit të parave për “Western Union” dhe duke e kërcënuar me armë zjarri kanë marrë nga kasaforta rreth 2.500 euro.

Velija, në mbrojtjen e tij, ka thënë se provat në një rast të grabitjes së kazinosë “Las Vegas”, për të cilin nuk ka aktgjykim të plotfuqishëm, prokuroria i ka marrë për bazë për të konkluduar se të njëjtit persona e kanë kryer edhe grabitjen në këtë rast. Sipas tij, bazuar në provat e atij rasti janë marrë tre aktgjykime, siç i ka cilësuar ai, të paligjshme në këtë rast penal.

Në seancën e së mërkurës, ka dëshmuar Flurim Shehu, i cili ka thënë se gjatë vitit 2010, duke punuar në shtëpinë e Remzi Kuqit, e ka njoftuar të akuzuarin Besnik Velija, i cili po ashtu ka punuar në rregullimin e mureve të jashtme të asaj shtëpie. Ai ka thënë se gjatë 10 ditëve sa ka punuar në atë shtëpi i ka parë të rrinë bashkë Remzi Kuqin dhe Besnik Velinë, e po ashtu me një rast kishte pirë kafe së bashku me ata, pas pune.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku, ka kërkuar që në këtë rast të dëshmojë sërish e dëmtuara Diellza Pervanqe, por një propozim të tillë e ka kundërshtuar prokurori Mehdi Sefa, me arsye se njëherë janë pajtuar që deklarata e saj e mëparshme të lexohet.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitares Diellza Pervanqe, ndërsa me kërkesë të mbrojtjes, e ka shtyrë shqyrtimin për 28 korrik 2017, në ora 13:30, ku do të jepen fjalët përfundimtare.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas së cilës i akuzuari Besnik Velija ngarkohet me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës i akuzuari Velija së bashku me të akuzuarin tjetër, i cili është në arrati,  Remzi Kuqi, kanë hyrë me dhunë në firmën “Nisa”, e cila kryente shërbime të transferit të parave për “Western Union” dhe duke e kërcënuar me armë zjarri kanë marrë nga kasaforta rreth 2.500 euro.

I akuzuari Velija, më 4 maj 2016, është gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është dënuar me 3 vite burgim efektiv.

Po ashtu edhe Gjykata e Apelit më 16 shtator 2016, ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka refuzuar ankesat e mbrojtjes si të pabazuara.

Por, mbrojtja e të akuzuarit, ka atakuar vendimin e Apelit në Gjykatën Supreme, për shkelje të procedurës penale dhe ligjit penal, me ç’rast Supremja ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Sipas Gjykatës Supreme në këtë rast nuk janë vërtetuar saktë provat nga vendi i ngjarjes, pasi që ekzekutorët kanë mbajtur maska dhe nuk mund të vërehen nga kamerat se kush janë. Tutje, në aktgjykimin e Supremes, thuhet se as punëtorja e lokalit të sulmuar nuk ka mundur të bëjë identifikimin e personave që e kanë sulmuar e po ashtu i akuzuari tjetër është arratisur dhe nuk e ka inkriminuar të akuzuarin si bashkëkryerës.

Ndërsa, sipas Supremes, nuk është e mjaftueshme arsyetimi i gjykatës se i akuzuari ka pasur veshë një trenerkë me vija, e cila po ashtu është përdorur në një rast tjetër të grabitjes (Las Vegas) dhe se është vërtetuar se është e të akuzuarit në fjalë, për të cilin rast gjithashtu nuk ka vendim përfundimtar të çështjes./betimiperdrejtesi/