Home Blog Page 5856

A është i denjë Ramush Haradinaj për të udhëhequr me vendin? Flet Albin Kurti

0

Kandidati i Lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër, Albin Kurti, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, ka folur edhe për kundërkandidatin e tij, Ramush Haradinaj.

Kurti ka thënë se në një demokraci elektorale janë votuesit që i tregojnë gjithkujt se a është dhe sa është i denjë për të qeverisur me vendin.

“Mendimi im personal është se në një demokraci elektorale janë votuesit që i tregojnë gjithkujt se a është dhe sa është i denjë për të qeverisur me vendin. Në zgjedhjet e vitit 2014 ne ishim subjekti i tretë, andaj edhe kur bëmë thirrje për të krijuar koalicionin opozitar, ne nuk kërkuam postin e kryeministrit. Madje nuk kërkuam asnjë post. Ata që këmbëngulën për poste më pas e prishën koalicionin dhe e lanë PDK-në në pushtet, gjë që siç dihet pati pasoja katastrofale të migrimit masiv e kosto të mëdha për vendin, që vijojmë t’i paguajmë si shoqëri e si shtet. Edhe sot, synimi për poste kur nuk i ke votat e duhura rrezikon ta sjellë të njëjtin rezultat, lënien e PDK-së në pushtet”, tha ai.

“Por sot, fatmirësisht, gjërat janë shumë më të lehta për ne, që kemi dalë subjekt i parë dhe shumë të vështira për PDK-në dhe për ata që ajo i josh duke përfituar prej dobësive të tyre”, tha Kurti. /Zeri/

DokuFest shpalosi mbrëmë programin në Tiranë

0

Festivali “Dokufest” këtë vit mbërrin në edicionin e 16-të. Në Tiranë organizatorët e tij prezantuan programin e plotë të edicionit të 16, që këtë vit do të zhvillohet nga data 4-12 gusht në Prizren. Por për publikun në Tiranë mbrëmë u shfaqën shtatë filma, që janë pjesë e festivalit “Dokufest”.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari u shpreh se për këtë edicion kanë aplikuar rreth 2000 filma shqiptarë dhe të huaj.

 

“Nga një numër rreth 2000 filmave, kemi përzgjedhur 102 filmave për kategori garuese të festivalit dhe rreth 150 filma për mbi pesëmbëdhjetë programe të veçanta të festivalit, shumë prej të cilave i përkojnë edhe temës së këtij edicioni”, pohoi Nurkollari.

Mbrëmë për publikun në Tiranë u shfaqën filma të regjisorëve nga Kosova, Amerika, Gjermania, etj.

Drejtori artistik Nurkollari pohoi mes të tjerave se është i kënaqur me numrin e filmave të regjisorëve kosovarë dhe shqiptarë, si dhe cilësinë e përgjithshme të filmave për këtë vit, duke e marrë parasysh se do të ketë filma fituese të festivaleve kryesore si Cannes, Tribeca, Berlinale, Sundance si dhe nga festivalet Europiane dhe rajonale. Selektori i programit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda tha se këtë vit në festival cilësia e projekteve të filmave shqiptarë ka qenë me nivel më të lartë.

“Vlen të përmendet që edhe cilësia e autorëve kombëtarë sivjet ka qenë e nivelit të jashtëzakonshëm duke i krahasuar me nivelet e viteve te kaluara, e sidomos autorët nga Shqipëria ku prej 13 filmave sa edhe janë në kategori garuese, 6 prej tyre janë të autorëve shqiptarë” pohoi mes të tjerave elektori Sami Karahoda. Programi kombëtar në festival do të ketë gjithsej nëntë premiera, që shfaqen për herë të parë në “Dokufest” nga data 7-10 gusht për publikun.

Tema e festivalit

Tema e së ardhmes do të jetë në edicionin e këtij viti të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest”. Ky edicion premton një vështrim të guximshëm në pasiguritë dhe shpresat e së ardhmes përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave vizuale, masterklasave dhe bisedave të ndryshme, punëtorive bashkëpunuese, koncerteve muzikore si dhe paltformave për përdorimin e mediave dhe teknologjive të reja. Drejtoresha e festivalit Nita Deda vlerësoi rëndësinë e temës së këtij edicioni të festivalit, e cila përbëhet nga një program i gjerë dhe i kuruar me kujdes duke shpresuar të jetë dhe Tirana.

“Ne kemi provuar të krijojmë një hapësirë, ku e ardhmja do të hulumtohet me gjithë mistikën dhe shpresën që ajo mbart, e shpresojmë që këtij hulumtimi ti bashkangjitet edhe Tirana” tha Deda.

Sipas saj, ideja për temën e këtij edicioni erdhi sepse në vitet e fundit ka pasur lëvizje të mëdha nga qytetarë që përpiqen të kenë një zë më të fortë për të ardhmen e tyre. Përmes punëtorive të ndryshme, “Dokufest” synon që të edukoj autorë të ndryshëm të rinj nga autorët më të mirë rreth realizimit të filmave. Bashkëpunimi më Laboratorin e Antropologjisë Vizuale kthehet sërish në Prizren dhe do të shënoj edicionin e dytë këtë vit. Këtë edicion rikthehet edhe Qendra Ballkanike e Dokumentarëve, ku do të jenë 7 projekte filmike të cila do të prezantohen para profesionistëve të ndryshëm për ti paketuar këto projekte për treg ndërkombëtar. Masterklase përveç tjerash, do të mbahen nga regjisorë të njohur si John Smith dhe Travis Wilkerson, shkruan SotNews.

92 vjet më parë ka rënë Azem Galica

0

Heroi kombëtar i shqiptarëve Azem Bejtë Galica tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit.

Azem Bejta kishte lindur më 10 dhjetor 1889 dhe ka vdekur më 26 korrik të vitit 1924

Azem Bejta ishte luftëtar i shquar për çlirim e bashkim kombëtar, , organizator i lëvizjes së armatosur në Kosovë kundër pushtuesve të ndryshëm gjatë viteve 1912 – 1924.

Veprimtarinë e tij patriotike e filloi në vitet 1910-1912, kur mori pjesë në kryengritjet antiosmane.

Pas shpalljes së Pavarësisë luftoi në fillim, më 1912-1915 kundër pushtuesve serbë, dhe më pas, më 1915-1918 kundër pushtuesve austriakë e bullgarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore drejtoi luftën e çetave kundër rivendosjes në Kosovë të pushtetit të borgjezisë serbomadhe. Pati përkrah tij deri në fund gruan e vet Shote Galica. Sipas direktivave të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në vitin 1919 mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e Kryengritjes së Rrafshit të Dukagjinit, më 1921-1923 mbrojti Zonën Neutrale të Junikut, që shërbente si bazë e kryengritësve të Kosovës e të Malësisë dhe përkrahu kryengritjen e malësorëve të Shqipërisë së Veriut kundër regjimit reaksionar feudo-borgjez. Në vitin 1924 Azem Galica dërgoi luftëtarë për të marrë pjesë në Revolucionin demokratikborgjez të Qershorit. Vdiq nga plagët që mori në luftimet e përgjakshme të korrikut 1924, për mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës, “Arbanisë së vogël”.

Vdiq më 25/26 korrik 1924 në moshën 35 vjeçae. Varri i tij në shpellën “Quku që kërset”, 75 metra i thellë.

Sot nis regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së re

0

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje, së bashku me përfaqësuesit e partive parlamentare ka vendosur që regjistrimi i deputetëve të bëhet nga sot deri më 28 korrik.

Kryesia është përcaktuar edhe për ndarjen e ulëseve në sallën e mbledhjeve plenare. Kështu, grupi i më i madh parlamentar, PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën), me 39 deputetë, do të ulet në qendër.

Në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës, do të ulet grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në anën e majtë të tij, do të ulen deputetët e grupit parlamentar LAA (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Alternativa).

Seanca konstituive e Kuvendit, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, do të kryesohet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.

Kurti: Kam përkrahjen e ambasadorëve për Qeverinë

0

Kandidati i “Vetëvendosjes” për kryeministër, Albin Kurti, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se edhe ambasadorët e rëndësishëm ndërkombëtarë në Kosovë ia kanë ofruar mbështetjen e tyre nëse i kanë numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë. Sipas tij, diskrecioni i presidentit Thaçit nuk është aq i rëndësishëm sa të dalë kundër votës së popullit, kundër shumicës në Kuvend dhe kundër ndërkombëtarëve

Presidenti Hashim Thaçi nuk guxon ta shfrytëzojë postin e tij për të “luajtur” me vullnetin e popullit dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Nëse PAN-i dështon ta bëjë Qeverinë, ai duhet t’ia japë shansin lëvizjes “Vetëvendosje” për krijimin e institucioneve të reja.

Sipas Kurtit, përmes zgjedhjeve të fundit populli tregoi se e do një qeverisje nga LVV-ja, mbështetjen ndaj së cilës e kanë konfirmuar edhe ambasadat kryesore të huaja në Prishtinë. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të qeveriset nga PAN-i, i varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e ku rreziqet do të ishin të paditura dhe të papritura.

Megjithatë, kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër thotë se kjo do të ndodhte vetëm përkohësisht, sepse “Vetëvendosja” tani ka fuqi të mjaftueshme për ta ndalur “PDK-në e vogël”, siç e quan ai dhe për t’u bërë gati për zgjedhje të shpejta.

E nëse do të kishte sërish zgjedhje të reja, sipas Kurtit, “Vetëvendosja” do të dilte me mbi 40 deputetë. “Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos të shmangin përsëritjen e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Më tej, Kurti ka thënë se aktualisht Kosova i ka vetëm dy opsione. “Të lejohet udhëheqja e PDK-së dhe SHIK-u që ta vazhdojnë plaçkitjen dhe kapjen e shtetit, apo të ndalet përfundimisht kjo gjë, me një qeverisje të Lëvizjes që do të punonte për krijimin e shtetit të së drejtës”, ka thënë ai. /Zeri/

Kadare ishte shokuar kur Erdogan tha në Prizren se “Kosova është Turqi”

0

Gazeta e njohur gjermane, Die Welt ka realizuar një intervistë me shkrimtarin shqiptar me përmasa botërore, Ismail Kadare.
Veç temave për të kaluarën e tij dhe shtetin shqiptar në kohën e komunizmit, ai ka folur edhe për Kosovën dhe një deklaratë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kur kishte thënë se “Kosova është Turqi”.

Në këtë bisedë, Kadare thotë ta ketë dëgjuar atë deklaratë, mirëpo nuk u kishte besuar syve kur e kishte lexuar atë.

“Ismail Kadare e ka vendosur Shqipërinë në hartën e literaturës botërore. Sot ai hamendet për deklaratën e Erdoganit për Kosovën”.

Kështu e ka nisur intervistën gazeta gjermane “Die Welt”, ndërsa i ka bërë pyetjen:

Ëelt: Disa vite më parë, presidenti turk, Erdogan, e quajti Kosovën si ‘Turqi’?

Kadare: E mbaj mend këtë deklaratë. Mund të them vetëm se nuk po u besoja syve kur e lexova.

Kujtojmë se Erdogan, këtë deklaratë e kishte bërë gjatë vizitës në Kosovë në vitin 2013, kur kishte thënë “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”.

Shumë fshatra të Hasit nuk kanë ujë

0

Shumë banorë të lagjeve “Dardania”, “Kurillë” dhe “Bazhdarhanë” ankohen për reduktime të gjata të ujit të pijshëm. Vapa e këtyre ditëve natyrisht se ka krijuar edhe kushte tepër të rënda, sidomos në ato pjesë të qytetit, ku nuk ka ujë të pijshëm apo në ato fshatra, ku uji i pijshëm mungon dhe krijon stres.

Haziz Hodaj tregoi se tashmë ka probleme të mëdha në fshatra të Hasit me problemin e ujit të pijshëm. Ai thotë për “Kosova Sot” se me ujë të pijshëm ka probleme fshati Gjonaj, Lugishtë e Hasit dhe Planeja. Ai shprehet se një burim i Gjonajve falë donacionit që ka ndarë mjete, “Hidroregjioni jugor” ka ngritur nën bazën për ujë, por shton se ende nuk është funksionalizuar dhe kjo domosdo se ka krijuar edhe apoteozë të ujit të pijshëm në gjithë Hasin.

Apeli i kompanisë

Edhe Fatmir Kastrati, kuvendar nga AAK, pohoi se lagje të tëra të qytetit po përballen me mungesë të ujit të pijshëm dhe shton se mungesa më e madhe e ujit të pijshëm vërehet sidomos në lagjen “2 Korriku” atje ku tani e 15 vite ka të njëjtin problem. Menaxheri për konsumatorë nga “Hidroregjioni jugor”, Hysni Ahmeti, është shprehur përmes telefonit se këto temperatura të larta përcillen me shumë probleme në përgjithësi e po kështu edhe me ato të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Ne përndryshe me gjithë kapacitetet maksimale jemi duke i furnizuar të gjithë banorët. Herë pas here edhe mungesa e rrymës po e destabilizon furnizimin me ujë të pijshëm. Kurse tashmë dihet se kemi edhe keqpërdorim të ujit të pijshëm nga të papërgjegjshmit, por ne si kompani të gjitha rastet që shfrytëzojnë ujin ilegalisht do të procedohen në gjykatë”, është shprehur ai. Njëherësh, Kastrati ka thënë se do të shkyçen menjëherë nga rrjeti i ujësjellësit ata që keqpërdorin ujin.

“Nga zyra jonë kemi dalë me një apel se duke i marrë parasysh temperaturat të larta, të cilat po mbretërojnë, rriten e kërkesat të ujit, ka mungesë të të reshurave. Keqpërdorimet e shumta që po bëhen nga ana e konsumatorëve, si dhe shumë faktorë të tjerë, apelojmë që të kursehet maksimalisht uji i pijshëm, mos ta përdorim ujin e pijshëm për destinime tjera, e posaçërisht këto ditë me temperatura të larta. Shfrytëzimi i pa autorizuar dhe keqpërdorimi i ujit të pijes është vepër penale dhe si e tillë është i dënueshëm në bazë të ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Humbjet e ujit

Shfrytëzimi pa kriter i ujit të pijes pamundëson furnizim për nevoja elementare të një numri tjetër të konsumatorëve. Keqpërdorimet mund t’i lajmëroni në numrin 029/ 222-631”, pohon Ahmeti. Ai shton se ka reduktime dhe reduktimet janë shumë të vogla, por ato janë për shkak të aspektit teknik, e jo për shkak të mungesës së ujit.

“Në lagjen ‘Dardania’ furnizohen tetë orë në ditë me ujë të pijshëm, mirëpo nuk do të thotë që konsumatorët nuk kanë ujë, sepse na e dimë që të gjithë konsumatorët e asaj lagjeje posedojnë rezervuarë dhe tetë orë janë të mjaftueshme për me u mbush ato rezervuare dhe çdo banor i lagjes ka ujë 24 orë”, thotë Ahmeti.

Sipas Ahmetit për furnizimin me ujë të 36 mijë konsumatorëve të “Hidroregjionit Jugor” duhen 400 deri 500 litra ujë në sekondë, të cilat kapacitete kjo kompani i ka. Ai furnizimin me ujë gjatë 24 orëve e lidhë me eliminimin e humbjeve në rrjet dhe ndalimin e keqpërdoruesve të ujit.

(Kosova Sot)

Prizren: 18 muaj burgim për transportuesin e drogës

0

Tomor Tafarshiku, i cili akuzohej për transport, shpërndarje dhe posedim të paautorizuar të substancave narkotike të llojit kokainë, të martën, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me 18 muaj burgim dhe 2500 euro gjobë.

I akuzuari Tafarshiku, paraprakisht kishte arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren, sipas së cilës marrëveshje, ai mund të dënohej prej 18 deri në 22 muaj burgim dhe me gjobë prej 2500 deri në 5000 euro.

Ne seancën për shqyrtimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë të arritur në mes palëve, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Esat Gutaj, ka deklaruar se klienti i tij me vullnet të plotë ka hyrë në këtë marrëveshje dhe se është pajtuar me dënimin që parashihet në marrëveshje.

Gutaj ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit t’i shqiptojë dënimin minimal të gjobës dhe dënimit, që parasheh marrëveshja me arsye se ai është i ri në moshë, është student dhe se për herë të parë ka rënë ndesh me ligjin.

Po ashtu edhe i pandehuri Tafarshiku ka thënë se e kupton marrëveshjen e arritur për pranimin e fajësisë dhe se në këtë marrëveshje ka hyrë me vullnet të plotë, pa shtytje apo presion nga askush.

Ai ka thënë se gjatë arritjes së marrëveshjes ka qenë prezent avokati i tij dhe se e ka njoftuar për lartësinë e mundshme të dënimit me burgim dhe me gjobë. Ai ka thënë se është penduar me veprimet e bëra dhe ka premtuar se më asnjëherë nuk do të merret me punë të jashtëligjshme.

Prokurori i rastit, Metush Biraj, ka thënë se aktakuza është ngritur duke u bazuar në prova të pakontestuara dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur duke u bazuar në dispozitat ligjore, andaj ka kërkuar që e njëjta të pranohet nga gjykata.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur në mes prokurorisë dhe të akuzuarit Tomor Tafarshiku dhe atij i ka shqiptuar dënimin me gjobë prej 2500 euro dhe dënimin me burgim prej 18 muajsh. Osmani i ka thënë të akuzuarit se ka shkuar në minimum të dënimeve të parapara me marrëveshje sepse ka marrë parasysh gjendjen e tij financiare, se ai është relativisht i ri dhe se për herë të parë ka rënë ndesh me ligjin.

Ndryshe, Tomor Tafarshiku, akuzohej se ka transportuar narkotik të llojit kokainë nga Tirana me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes saj në territorin e Kosovës. Sipas aktakuzës, i akuzuari ka marrë substancën narkotike në Tiranë, me qëllim që të njëjtën ta transportojë për në Prishtinë, por duke udhëtuar me autobus, në pikën kufitare në Vërmicë i është gjetur nga policia kufitare. Të akuzuarit sasia prej 102 gramë kokainë, i ishte gjetur gjatë kontrollimit të autobusit me të cilin udhëtonte nga policia kufitare, i cili e kishte fshehur atë afër pjesëve intime të tij.

Deputeti si mall në treg

0

IMER MUSHKOLAJ

Me veprime joparimore e të dëmshme për demokracinë e shoqërinë, deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës po shndërrohen në mall të lirë tregu. Në këtë mënyrë, ata po përdhosin vullnetin e mijëra votuesve. Ata nuk mbeten më përfaqësues të qytetarëve, por kthehen në qenie njerëzore të trafikuara për interesa të ulëta.

Kur zgjedhjet e 11 qershorit përfunduan dhe rezultatet u zyrtarizuan, të gjitha përpjekjet e koalicionit PAN u përqendruan në sigurimin e të paktën dy votave të nevojshme për krijimin e qeverisë. Menjëherë nisi loja e ndytë dhe tërësisht joparimore e tregtisë me deputetë nga koalicioni rival LAA, në mënyrë që të sigurohet shumica e thjeshtë e nevojshme për ta zgjedhur Ramush Haradinajn kryeministër.

Në vend se të provohet që me subjekte politike të arrihen marrëveshje eventuale për përafrim programesh dhe, rrjedhimisht, bashkim në koalicion, u përdorën metoda nga më të ndryshmet që të binden deputetë të partive të tjera për t’i thënë “po” ofertës së Haradinajt. Dhe, siç ndodh rëndom në të tilla raste, në shënjestër vihen deputetë për të cilët parimet, përballë përfitimeve të mundshme, nuk kanë fare rëndësi.

Të tillët, të zgjedhur nga votuesit si anëtarë të partive, e jo si të pavarur, nuk e kanë hiç dert që të keqpërdorin besimin e dhënë, duke u vënë në krah të opsioneve politike rivale të partive që i përfaqësojnë.

Spektakli me familjen Rugova, respektivisht me deputeten Teuta Rugova, tregon më së miri se çka përfaqësojnë deputetë të tillë, të cilët për interesa të caktuar janë në gjendje të veprojnë kundër vullnetit të atyre që i kanë votuar, duke gjetur arsyetime nga më banalet.

Dhe të gjithë e dinë se veprime të tilla bën njëra nga deputetet e legjislaturës së kaluar, e cila e ka çelur gojën veç një herë a dy në Kuvend dhe e cila ka përfituar para të majme nga taksat tona.

* * *

Çfarë logjike ka që të marrësh vota si kandidat për deputet i një partie të caktuar dhe menjëherë pas zgjedhjeve të kalosh në kampin rival, thua se kjo është gjëja më normale në botë? Për çfarë veprimesh parimore “për të mirën e vendit” mund të flitet kur në këtë mënyrë keqpërdoret vullneti i mijëra votuesve që i kanë zgjedhur deputetët si të tillë, pasi kanë përfaqësuar opsionin politik të besueshëm për ta?

Përpara se të kandidojnë në lista partiake, secili nga deputetët ka pasur rastin dhe mundësinë të zgjedh opsionin më të përshtatshëm politik. Ta zëmë, Teuta Rugova ose kushdoqoftë tjetër nga partitë e koalicionit LAA kanë mundur fare lehë të përfshihen në listën e PANI’it, në mënyrë që t’ia lehtësojnë Ramush Haradinajt zgjedhjen kryeministër. Shumë më e ndershme do të ishte të veprohej ashtu, sesa që tash të provohet për t’i hedhur hi syve opinionit duke e arsyetuar mbështetjen për Haradinajn. Tekefundit, çfarë kuptimi ka gara politike nëse vërtet ata që kandidojnë nën siglën e një partie, mbështesin opsione rivale pas zgjedhjeve?

Po që se deputetë të koalicionit LAA ua duan të mirën partive të veta, atëherë le të punojnë që ky koalicion të vijë në pushtet. Nuk mund të arsyetohesh se po e mbështet koalicionin rival për shkak të një të kaluare të përbashkët që dikush i yti, qoftë edhe babai i vdekur, paska pasur me dikë. Kjo është çështje parimesh e morali politik, jo çështje gjenetike e trashëgimie. Përrallave të tilla nuk iu beson më askush.

* * *

Ditëve të fundit janë tërhequr paralele ndërmjet qëndrimeve dhe veprimeve të Vjosa Osmanit për koalicionin e para tre vjetësh të LDK’së me PDK’në e zgjedhjes së Hashim Thaçit president dhe veprimit që mund ta bëjë Teuta Rugova, duke mbështetur koalicionin e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Ndonëse mund të duken veprime të ngjashme, në kuptimin që Osmani dhe disa të tjerë nuk e kanë përfillur qëndrimin e partisë, siç mund të bëjë edhe Rugova tash, dallimet janë thelbësore.

Vjosa Osmani, ndryshe nga lideri i partisë së saj, ka respektuar vullnetin e atyre që e kanë votuar, për të mos bërë koalicion me PDK’në. Teuta Rugova, ndërkaq, po përdhos vullnetin e votuesve të saj, të cilët ia kanë dhënë votën jo për të përkrahur Ramush Haradinajn kryeministër, por për të ndihmuar që LDK me partnerët e koalicionit t’i fitojë zgjedhjet dhe ta marrë pushtetin. Çdo përpjekje për ta interpretuar ndryshe këtë situatë është dashakeqe dhe e pasinqertë.

Osmani ka mbrojtur parimet e veta, ndërkaq Rugova po i shkel ato. Situata bëhet edhe më e rëndë duke pasur parasysh se “kumbarë” të kësaj kontrabande janë edhe njerëz të dyshuar dhe të dënuar për vepra penale. Njerëz që për përfitime personale e kanë keqpërdorur emrin e presidentit Ibrahim Rugova.

Kështu, me veprime të tilla joparimore e të dëmshme për demokracinë e shoqërinë, deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës po shndërrohen në mall të lirë tregu. Ata nuk mbeten më përfaqësues të qytetarëve, por kthehen në qenie njerëzore të trafikuara për interesa të ulëta./Gazeta Express/

Idriz Vehapi: Luftëtarët e lirisë e kanë vendin në parajsë kurdo që ndërrojnë jetë

0

Sot i është dhënë lamtumira e fundit ish luftëtarit të UÇK-së, Veli Spahiu. Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka shkruar në Facebook se “luftëtarët e lirisë e kanë vendin në parajsë kurdo që ndërrojnë jetë”.

Shkrimi i plotë Vehapit:

I thamë lamtumirë shokut, mikut, njeriut të mirë, Veli Spahiut! E dhembshme kjo ikje e tij e parakohshme! Zakonisht themi se njerëzit e mirë ikin shpejt nga kjo botë, por Veliu i duhej kësaj bote që ta bëj më të mirë me pozitivitetin e tij. Luftëtarët e lirisë e kanë vendin në parajsë kurdo që ndërrojnë jetë. Ne do ta kujtojmë gjithmonë. Lum ai që lë kujtime të mira, siq i le Ti, sepse siguron jetën në dy botëra! Shpirti të pastë dritë në përjetësi, Veli!