Home Blog Page 5864

Has: Kullani, shprehje e vuajtjeve të grave hasjane

0

Hasi është njëri ndër rajonet me shumë karakteristika të veshjeve, e njërin ndër to që e dallon nga të gjitha viset e tjera të Ballkanit janë veshjet karakteristike të Hasit. Eksperti i këtij lëmi, Dr. Nexhat Çoçaj shpjegon disa nga karakteristikat që e dallojnë këtë rajon, e ajo është veshja me kullan. Ai thotë se e merr këtë emër nga brezi, i cili quhet kulla në të folmen e Hasit.

” Kullani shoqërohet me pjesët e tjera të veshjeve, por meqenëse për kullanin lidhen pjesën e sipërme dhe të poshtmet, përkatësisht pothuaj të gjitha pjesët e veshjeve në përjashtim të mbathurat dhe pjesët që shërbejnë për lidhjen e kokës, që në njëfarë mënyrë edhe këto të fundit simbolikisht lidhen me kullanin. Në këtë lloj të veshjes bie në sy forma e kullanit, krejt e veçantë nga çdo veshje tjetër, mënyra e lidhjes së pjesëve me të dhe ngjyrat, me të cilat mbështillet. Por, gjithashtu një rol të veçantë luan edhe mënyra e mbështjelljes së kullanit, mbështjellje kjo që mund të jetë me funksion informativ (dekorimet, që i ngjiten si pjesë të veçanta zbukuruese) dhe funksioni për lehtësim të kryerjes së punëve të përditshme”, është shprehur ai.

Pëlhurat e punuara në vek

Të gjitha nënzonat etnografike të krahinës së Hasit, sipas ndarjes dhe klasifikimeve i kanë bërë studiuesit e njohur Prof. Rrok Zojsi, Prof, Andromaqi Gjergji, A. Dojaka, S. Shkurti, M. Tirta, Ll. Mitrushi, A. Onuzi, Y. Selimi etj, që i takojnë grupit të veshjeve me dy futa (kanaca). Po sipas studiuesve ky klasifikim është bazuar në fazën e zhvillimit të kostumeve popullore në fillim të shek. XX. Nevoja në njërën anë dhe në anën tjetër ndryshimi praktik, ndikuan në masë të madhe në banorët e fshatrave të Hasit që t’i emërtojnë jo vetëm pjesë të veshjeve, por edhe materialin që e përgatisnin për veshje. “Në bazë të formës, ngjyrës, trashësisë edhe pëlhurat, e punuara në vek i kanë marrë emrat e tyre”, shprehet Çoçaj. Kullani, emërtimi popullor i brezit, që e bartin gratë e Hasit në pothuaj gjysmën e fshatrave të kësaj krahine etnografike, për çka edhe është e njohur kjo veshje specifike.

“Veshja e grave me kulla është veshja më specifike”

“Kullani ngjishet për beli, duke e mbështjellë sa më mirë, pjesën ku bashkohen rrobat e pjesës së sipërme me ato të poshtmet. Dhe, si pjesë ndërlidhëse e pjesëve të veshjes, kullani shërben edhe për t’i lidhur pjesët e poshtme me ato të sipërme, që vetëm me anë të kullanit shndërrohen në veshje unike. Në shumë krahina, apo zona etnografike, kjo pjesë e veshjes ndryshon shumë për nga pamja e pse jo edhe nga funksioni dhe historia e saj”, është shprehur Çoçaj. Ai thotë se në shumë zona të tjera pjesët e ngjashme apo të përafërta për nga funksioni quhen brez, postova e me ndonjë emër tjetër.

“Veshja e Hasit, përkatësisht veshja e grave me kulla, është veshja më specifike jo vetëm e krahinës së Hasit, por në gjithë Rrafshin e Dukagjinit. Dhe si e tillë, është pikërisht kullani shenja më dalluese e kësaj veshje dhe njëherësh bartëse e transformimeve të kësaj veshje nëpër etapa të ndryshme historike. Kullani është pjesë, e cila më së shumti iu nënshtrua ndryshimeve të kohës, ngase këto ndryshime u kushtëzuan nga ngjarjet historike dhe luftërat që i diktuan ato ngjarje në të kaluarën. Gjithsesi, ngjarjet historike ndikuan edhe në ndryshimin e veshjes, për faktin se luftërat diktuan ndryshimin e kushteve ekonomike e bashkë me to edhe mënyrën e jetesës, përkatë- sisht të veshjes”.

Çoçaj shpjegon se bartja e kullanit te gratë hasjane ishte detyruar. Shumica e burrave ishin në kurbet, e ato ishin edhe burra dhe gra, kurse deri në kohën e pasluftës dihet se Hasi ishte lokacionin pa ujë, andaj edhe ndryshe quhej Hasi i Thatë. Derisa ajo pjesë me dru në bel u shërbente për të bartur ujin që shpesh ishin detyruar të bartnin nga Drini i Bardhë ose ndonjë burim i largët.

(Kosova Sot)

 

Artan Abrashi: Komuna është aktivizuar për t’i mashtruar qytetarët e Prizrenit

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Artan Abrashi thotë se Komuna e Prizrenit, është aktivizuar me projektet e pezullua, me qëllimin e vetëm- mashtrimin e qytetarëve.

“Të gjitha këto janë projekte të pezulluara qëllimisht që janë dashur të përfundojnë para disa viteve”, shkruan Abrashi në Facebook.

“Aktivizohen para zgjedhjeve për ta mashtruar qytetarin me iluzionin se pushteti aktual punon dhe investon. Por, triku i vjetër përballë qytetarit të vetëdijesuar #NukDhezëMo”./PrizrenPress.com/

Prizren: Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi për grabitje në firmën “Nisa”

0

Gjykimi, i cili ishte paraparë të vazhdonte të enjten, kundër Besnik Velisë, nën akuzën për grabitje, nuk është mbajtur, sepse ka munguar dëshmitari i propozuar nga mbrojtja, Flurim Shehu.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka thënë se ftesa këtij dëshmitari i është dërguar përmes policisë, por para se të hynte në sallën e gjykimit kishte folur me rreshterin e policisë, Besim Gjinovci, i cili e ka njoftuar se nuk kanë arritur ta takojnë dëshmitarin direkt.

Rreshteri Gjinovci, kishte thënë se dëshmitari punon në ndërtimtari dhe se nuk kanë arritur t’ia dorëzojnë ftesën personalisht, por ia kishin lënë ftesën në shtëpi për tu lajmëruar në stacionin policor ose në gjykatë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku, pas konsultimit me klientin e tij, ka deklaruar se mbetet pranë propozimit për të dëgjuar dëshmitarin Flurim Shehu, sepse i njëjti do të ndriçojë disa aspekte të rëndësishme të rastit penal.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, nuk e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes, andaj trupit gjykues, ka pranuar propozimin dhe ka lëshuar urdhër për sjellje me forcë për dëshmitarin Flurim Shehu.

Avokati Mazreku, po ashtu ka kërkuar që ndaj klientit të tij të ndryshojë masa e paraburgimit në ndonjë masë më të butë pasi që, sipas tij, i mbrojturi i tij, në këtë rast nuk mund të dënohet më shumë se 3 vite burgim sipas vendimit të Gjykatës Supreme, andaj, siç tha, ai edhe disa muaj veç i bën 3 vite paraburgim.

Sipas tij, në këtë rast do të kishte ekzekutim të një aktgjykimi i cili është anuluar nga shkalla e tretë sipas mjeteve të jashtëzakonshme juridike.

Prokurori Sefa, ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të të akuzuarit Besnik Velija, me arsye se ende qëndrojnë rrethanat për të cilat është caktuar një masë e tillë.

I akuzuari Besnik Velija, po ashtu ka kërkuar që t’i ndërpritet paraburgimi, pasi që sipas tij, ai padrejtësisht është dënuar nga gjykata sepse nuk ka prova.

Trupi gjykues, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për ndërprerjen e paraburgimit dhe në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimin e ka shtyrë për 26 korrik 2017, në ora 13:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzë së Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas së cilës i akuzuari Besnik Velija ngarkohet me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës i akuzuari Velija së bashku me të akuzuarin tjetër i cili është na arrati,  Remzi Kuqi, kanë hyrë me dhunë në firmën “Nisa”, e cila kryente shërbime të transferit të parave për “Western Union” dhe duke e kërcënuar me armë zjarri kanë marrë nga kasaforta rreth 2.500 euro.

I akuzuari Velija, më 4 maj 2016, është gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është dënuar me 3 vite burgim efektiv.

Po ashtu edhe Gjykata e Apelit më 16 shtator 2016, ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka refuzuar ankesat e mbrojtjes si të pabazuara.

Por mbrojtja e të akuzuarit, ka atakuar vendimin e Apelit në Gjykatën Supreme, për shkelje të procedurës penale dhe ligjit penal, me ç’rast Supremja ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Sipas Gjykatës Supreme në këtë rast nuk janë vërtetuar saktë provat nga vendi i ngjarjes, pasi që sipas tij, ekzekutorët kanë mbajtur maska dhe nuk mund të vërehen nga kamerat se kush janë.

Tutje, në aktgjykimin e Supremes, thuhet se as punëtorja e lokalit të sulmuar nuk ka mundur të bëjë identifikimin e personave që e kanë sulmuar e po ashtu i akuzuari tjetër është arratisur dhe nuk e ka inkriminuar të akuzuarin si bashkëkryerës./betimiperdrejtesi/

Prizren: Eshref Qafleshi deklarohet i pafajshëm për kanosje ndaj prokurorit, Besim Susuri

0

Eshref Qafleshi, i akuzuari për kanosje ndaj prokurorit Besim Susuri dhe fëmijëve të tij u deklarua i pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Shefik Mehmeti, duke e konsideruar veten të pafajshëm, Eshref Qafleshi procesin ndaj tij e cilësoi të montuar.

“Është poces i montuar nga prokurori Besim Susuri, nuk e ndjej veten fajtor”, tha Qafleshi.

Qafleshi akuzohet se përmes rrjetit ‘Facebook’ ka kërcënuar dy fëmijët e prokurorit, e përmes tyre edhe vetë prokurorin Besim Susuri.

Prokuroria pretendon se kërcënimi është bërë për shkak të një lënde të cilën e kishte përfaqësuar tani i dëmtuari, prokurori Susuri.

Pas deklarimit rreth fajësisë, avokatja e të akuzuarit, Jehona Musa- Sylejmani, kërkoi nga gjyqtari i vetëm që Qafleshit t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me ndonjërën nga masat alternative.

“Kërkoj që të njëjtit t’i ndërpritet kjo masë pasi që kanë pushuar arsyet ligjore për vazhdimin e së njëjtës dhe është baba i tre fëmijëve dhe njëherit ushqyes i familjes. Njashtu njëri nga fëmijët e tij vuan nga sindromi ‘Doën’ dhe gjendja e tij është keqësuar pasi që babai i tij gjendet në paraburgim”, tha avokatja Musa- Sylejmani.

Për një afat të caktuar kohor mbrojtja e të akuzuarit kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ndërsa rreth propozimit mbi ndërprerjen e paraburgimit gjyqtari Azizi tha se do të vendosë me aktvendim të posaçëm.

Sipas aktakuzës, Qafleshi më 7 dhe 8 qershor 2017 në fshatin Bellobrad të Komunës së Dragashit me qëllim që t’u shkaktojë frikë dhe ankth përmes rrjetit social ‘Facebook’ ka kanosur drejtpërdrejt dhe seriozisht djalin dhe vajzën e prokurorit, e përmes tyre edhe prokurorin Susuri që do t’u shkaktojë ndonjë të keqe.

Në dy pikat e akuzës ceken edhe SMS- të të cilët prokuroria pretendon se i akuzuari ua ka dërguar fëmijëve të prokurorit.

“E pata vështirë të ju gjej mirëpo nëse prindi juaj vazhdon me idiotizëm ju do të ndëshkoheni shumë keq, mos harro i bën të fala Besim Susurit, tash ta njoh edhe motrën o m… o m… i m…”, është SMS-ja që prokuroria pretendon se i akuzuari ia ka dërguar djalit të prokurorit Susuri.

Për këtë SMS KALLXO.com kishte shkruar edhe më herët.

Ndërkaq, SMS i radhës për të cilin prokuroria pretendon se i është dërguar vazjës së prokurorit Besim Susuri, ka përmbajtjen si në vijim:

“Nëse prindi i juaj nuk përmirësohet ne do të hakmerremi në fëmijët e tij dhe tek vëllaçko i juaj”.

Prokuroria në aktakuzën e ngritur ka theksuar se Qafleshi ka të kaluar kriminale./kallxo.com/

Mytaher Haskuka: Presidenti gjithnjë ka anuar kah PAN-i

0

Presidenti i vendit Hashim Thaçi edhe një herë është vënë në qendër të kritikave me nismat e tij.

Thirrja e tij e fundit për takim konsultativ me partitë politike po vlerësohet si blerje kohe për PAN-in.

Sipas partive të tjera politike në vend, presidenti nuk është fare konstruktiv e as në nivelin kushtetues.

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mytahet Haskuka, ka thënë se presidenti Thaçi asnjëherë nuk është treguar neutral pasi ka përkrahur PDK-në në çdo rast të nevojshëm.

E të njëjtën, sipas tij, Thaçi po e bën edhe tani me koalicionin PAN, duke u dhënë hapësirë për grumbullim të votave.

“Presidenti nuk po anon vetëm tani nga PAN-i. Ai këtë e ka bërë edhe më herët. E kemi parë gjatë fushatës zgjedhore, por edhe gjatë zgjedhjeve në Drenas. Ajo që ka bërë presidenti deri më tash është munduar t’i sigurojë kohë PAN-it për t’i bërë numrat për formimin e Qeverisë. Nuk ka qenë e nevojshme një takim me partitë. Ajo që duhet të bëjë presidenti është të thërrasë seancën konstituive”, ka thënë Haskuka për “Zërin”.

Haskuka nuk ka treguar nëse lëvizja “Vetëvendosje” do ta pranojë ftesën e presidentit për takim apo jo.

Ymer Berisha: S’ka kurdisje të tenderit për teleferikun e Kalasë, LDK-ja në Prizren, parti e papërgjegjshme

0

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, e ka quajtur të papërgjegjshme degën e LDK-së për dyshimet në kurdisjen e tenderit të teleferikut, fituesi i të cilit pritet të shpallet këtë javë.

“Nga informacionet që i kam nga Zyra e Prokurimit, besojmë që operatori ekonomik fitues do të del këtë javë”, tha Berisha.

“ Komisioni që e bënë përzgjedhjen do ta bëjë publik kush është fitues i tenderit dhe do ta mbajmë të informuar opinionin për fituesin e tenderit pastaj do të vazhdohet me realizim të projektit”.

I pyetur për dyshimin e shprehur të LDK-së për kurdisjen e tenderit, zëdhënësi Berisha tha se LDK nuk duhet të ia lejojë vetes të dalë me deklaratë politike për një politikë të caktuar publike.

“Teleferiku dhe të gjitha projektet që realizohen nga komuna kanë veç një rrugëtim, atë ligjor. Nuk ka rrugëtim politik ose diskrecion të vullnetit të individit apo lidershipit prandaj LDK e ka të gabuar këtë informim”,transmeton tvpz.

Lidhja Demokratike në Prizren ka shprehur dyshimet për kurdisje nga ana e PDK-së, lidhur me shpalljen e fituesit të tenderit që pritet të ndodh për teleferikun në Kalanë e Prizrenit.

LDK në Prizren thotë se krerët lokal të PDK-së janë takuar me njerëzit e Kompanisë që dyshohet se do të shpallet fituese e këtij tenderi.

Në një reagim për media LDK thekson se ‘janë zgjedhjet lokale afër dhe Degës së PDK-së në Prizren e në qendër i duhen këta 1 milion euro të kontrabanduara përmes marrëveshjeve të fshehta, për ta blerë votën edhe në zgjedhjet lokale’.

Dega e LDK-së shprehet e vendosur në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe thotë se do t’i deponojë në organet e drejtësisë të gjitha provat me qëllim të demaskimit të krimit.

Dega e LDK-së, kërkon nga kryetari i Komunës, që në fund të mandatit të tij, ta bëjë një akt në përputhje me aktet ligjore, të cilat e rregullojnë punën e tij, por edhe në anën humane e qytetare duke mos lejuar abuzimin e 1 milion eurove.

LDK i kujton opinionit dhe Ramadan Mujës se nga 3 firmat ofertuese, të cilat kanë konkurruar në këtë tender, i kanë dhënë këto tri oferta:

1. Ofertuesi i parë, Vlera: 2.411.138.08 2. Ofertuesi i dytë, Vlera: 3.296.098.00 3. Ofertuesi i tretë, Vlera: 3.465,316.65.

Tenderin sipas të gjitha zhvillimeve dyshojmë se do ta fitojë Kompania me ofertën mbi 1 milion Euro më të shtrenjtë, sipas informacioneve tona më ndërhyrjen direkte të krerëve të PDK-së.

“I’a kujtojmë kryetarit Muja se do të jetë përgjegjës para ligjit edhe për tenderët tjerë të cilët janë shpallur me vlera milionëshe e ku absurdi shihet te shpallja e tenderit me titull: “Mbjellja e drunjëve dekorativ në Komunën e Prizrenit”, i cili mban vlerën e parashikuar prej 1 milion e 500 mijë Euro. Pastaj, tenderi tjetër: “Riparimi i rrugëve me kubëza betoni dhe asfalt” me vlerë të parashikuar mbi 1 milion e 500 mijë Euro, ku dyshimet edhe këtu janë se PDK dëshiron të siguroj para për fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit”, thuhet në reagimin e LDK-së./PrizrenPress.com/

Visar Islamaj i përgjigjet akuzave të Nismës në Prizren

0

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Visar Islamaj, thotë se ky dikaster i Qeverisë i pajisë me leje ndërtimore investitorët dhe atë në përputhje me planet rregulluese urbane , derisa “aty ku nuk ka plane rregulluese urbane DUPH-ja lejon ndërtimin në pajtim me Ligjin për ndërtime”.

“Si drejtor jam shumë transparent dhe nga muaj mars kemi filluar t’i publikojmë të gjitha vendimet e lejeve ndërtimore”, ka thënë Islamaj, shkruan Koha Ditore.

“Të gjithë ata të cilët kanë dyshime lirisht mund t’u qasen dokumenteve publike qofshin persona fizik apo juridike”.

Sipas tij, e vërteta është se në Prizren ka investime në sektorin privat dhe se :kjo shihet nga shifra e të hyrave komunale nga lejet e ndërtimit”.

“Ndërsa deklarimet subjekteve në këtë kohë janë të kuptueshme ngase ky trend i zhvillimit të qytetit ua zjat jetën opozitarëve”.

“Madje, subjekti i cili ka lëshuar komunikatën nuk ka potenciale profesionale për të analizuar këtë trend zhvillimor, duke përfshirë nga kryetari i tij e më poshtë”, është shprehur Islamaj.

Dega e NISMA-s ka akuzuar Qeverinë lokale të Prizrenit se është duke i mbyllur sytë përballë ndërtimeve pa leje dhe mbindërtimeve në zona të ndryshme të qytetit.

Madje zhvillimet në këtë drejtim ky subjekt opozitar i ka cilësuar si sulm ndaj perspektivës zhvillimore të urbanizmit të qytetit. Njëherësh, ka shprehur dyshimin se kjo dukuri është shpeshtuar në prag të zgjedhjeve komunale dhe kjo për interesat e partive të koalicionit qeverisës në Prizren.

10 libra që të ndryshojnë jetën

0

Ka libra që argëtojnë, libra që informojnë, libra që tërheqin, libra që i flasin trurit, mendjes, intelektit dhe emocioneve. Dhe pastaj ka libra që duket se flasin drejtpërsëdrejti me shpirtin – libra që ndryshojnë jetën, që ju bëjnë të ngrini pikëpyetje mbi besimet tuaja kryesore, që “rrijnë” brenda jush, shumë kohë pasi keni mbaruar leximin.

Bota.al ju rekomandon këto 10 kryevepra, të cilat bien në kategorinë e dytë. Secili është një kënaqësi për t’u lexuar, një thesar për t’u peshuar dhe përfundimisht ndryshon diçka, thellë brenda jush.

1. ALKIMISTI

AUTORI: Paulo Coelho

VITI: 1988

PERMBLEDHJA: I botuar fillimisht në gjuhën portugeze, ky rrëfim frymëzues vetëzbulimi ndjek Santiagon, një bari andaluzian që dëshiron shumë të udhëtojë në kërkim të një thesari tokësor. Por kërkimi e shpie në një tjetër drejtim – shumë më të kënaqshëm – për të mësuar se si të dëgjojë zemrën dhe të ndjekë ëndrrat e tij.

E VEÇANTE: I lehtë për t’u lexuar dhe shumë përshkrues, kjo kryevepër do ju frymëzojë që të merrni guxim në rrugën e ndjekjes së ëndrrave tuaja – ashtu si Santiago.

2. RRUGA E ARTISTIT

NGA: Julia Cameron

VITI: 1992

PERMBLEDHJE: Në thelb një libër për përmirësimin e kreativitetit vetiak, ky libër e shpie lexuesin përgjatë një rruge shpirtërore, artistike. Me detyra për t’u përfunduar në fund të secilit kapitull, leximi i këtij libri është një gjë me të vërtetë dinamike.

E VEÇANTE: I thellë e prapëseprapë i thjeshtë, ky libër ka fuqinë të ndezë krijimtarinë tek cilido – nga kontabilistët, tek atletët dhe gjithë të tjerët.

3. JETA E PI-së

NGA: Yann Martel

VITI: 2001

PERMBLEDHJA: Pi Patel është djali i një punonjësi kopshti zoologjik, me njohuri enciklopedike të kafshëve dhe një shije për filozofinë. Ndërkohë që emigron në Amerikën e Veriut nga India me familjen e tij, anija e tyre mbytet – dhe Pi e gjen veten të vetëm, në një varkë shpëtimi, bashkë me  një hijenë, një orangutang, një zebër të plagosur dhe Richard Parker, një tigër bengali … apo jo? Ajo që vijon është një përrallë fantastike me intriga dhe aventurë.

E VEÇANTE: Ndonëse ky nuk është një libër mbi fenë, ai është një rrëfim rreth rëndësisë së besimit në diçka – qoftë kjo Perëndia, Nënë Natyra, ose forca jote.

4. RRUGA MË PAK E SHKELUR

NGA: M. Scott Peck

VITI: 1978

PERMBLEDHJA: Një kryqëzim mes psikologjisë dhe spiritualitetit, ky libër është i mbushur me depërtime dhe urtësi rreth atributeve që e bëjnë një person të ndihet i plotësuar. Me një ekzaminim elokuent të koncepteve komplekse njerëzore, si disiplina dhe dashuria, Peck hedh teorinë për katër faza të ndryshme të zhvillimit shpirtëror njerëzor, përgjatë rrugës së vetë-realizimit.

E VEÇANTE: Kjo i thotë të gjitha: “Problemet kërkojnë që të nxjerrim guximin dhe mençurinë tonë, vërtet, ato krijojnë kurajën dhe urtësinë tonë”.

5. HISTORIA E DASHURISË

NGA: Nicole Kraus

VITI: 2005

PERMBLEDHJA: Ky libër brenda një libri, shumë i bukur, tregon historinë e Leo Gurskyt dhe dashurinë e jetës së tij, Alma. Me një aventurë që përshkon oqeane dhe dekada, romani ushqehet prej trilleve të mistereve dhe gëzimit të lidhjes.

E VEÇANTE: Ky libër do t’ju lejojë të mendoni për Leon dhe Almën për ditë të tëra, pasi ta keni përfunduar atë – dhe ndërsa historia do të largohet dalëngadalë nga pjesa e përparme e mendjes tuaj, ajo kurrë nuk të ikë me të vërtetë.

6. BISEDA ME PERËNDINË

NGA: Neil Donald Ualsch

VITI: 1995

PERMBLEDHJA: Emri i plotë i kësaj trilogjie është “Biseda me Perëndinë: Një dialog i pazakontë” – dhe është me të vërtetë një dialog i pazakontë. E gjithë seria është një bisedë magjepsëse midis autorit dhe ‘Zotit’ – në tema që variojnë nga feja dhe spiritualiteti, tek arsimi, dashuria dhe politika.

E VEÇANTE: Pavarësisht nga besimet tuaja, këto libra të frymëzuar dhe frymëzues do t’ju sfidojnë të mendoni për botën rreth jush dhe vetë ekzistencën tuaj.

7. PEMA QE JEP

NGA: Shel Silverstein

VITI: 1964

SYNOPSIA: Pema që jep është tregimi i bukur dhe prekës i një peme, e cila donte një djalë të vogël. Pema e do djalin dhe bën gjithçka që mundet për të, teksa ai rritet – pa marrë fare parasysh se çfarë ajo merr mbrapsht prej tij.

E VEÇANTE: Në dukje një libër për fëmijë, kjo parabolë ka një mesazh të qartë për lexuesit e të gjitha moshave – për dhuntinë e të dhënit, dhe pranimin e mënyrave të ndryshme me të cilat, të tjerët na rikthejnë dashurinë.

8. RRJEDHA: PSIKOLOGJIA E EKSPERIENCËS OPTIMALE

NGA: Mihaly Csikszentmihalyi

VITI: 2013

PERMBLEDHJA: Studimet e Csikszentmihalyit gjatë dy dekadave të fundit kanë zbuluar se ‘rrjedha’ është ajo që i bën përvojat e jetës vërtet të kënaqshme – një ndjenjë e përqendrimit të thellë, zhytjes dhe absorbimit. Ky punim klasik mbi lumturinë prek psikologjinë bashkëkohore, duke kaluar në çështje të tilla si familja, arti dhe sporti, për t’iu përgjigjur përfundimisht pyetjes – si i bëjmë jetët tona kuptimplota?

E VEÇANTE: Ky libër do t’ju ndihmojë të identifikoni se kur jeni vërtet të lumtur – dhe kanalizoni ‘rrjedhën’ për të maksimizuar ato momente.

9. BOTA SOFISE

NGA: Jostein Gaarder

VITI: 1991

PERMBLEDHJA: Një roman dhe një vepër filozofike, ky libër tregon historinë e Sofi Amundsen, një vajzë adoleshente që jeton në Norvegji dhe Alberto Knox, filozof në moshë të mesme që e prezanton atë me filozofinë.

E VEÇANTE: “Kush je ti?” Dhe “Nga vjen bota?” janë dy pyetjet kryesore, të cilave Sofia duhet t’i përgjigjet. Edhe ju do t’i peshoni.

10. ÇADRA E KUQE

NGA: Anita Diamant

VITI: 1997

PERMBLEDHJA: Ky roman përfytyron historinë e Dinas – bija e Leas dhe Jakobit dhe motra e Jozefit. Duke u bazuar në treguesit e Librit të Zanafillës, autori shkruan për jetën e grave në kohët biblike, duke prekur nënat, bijat, maminë, dashurinë dhe jetën në një vend të huaj.

E VEÇANTE: Duke qenë thellësisht feministe dhe thellësisht prekëse, kjo histori do të ndryshojë mënyrën se si mendoni për kohët biblike. /Bota.al

Aksident në Zhur të Prizrenit, gjashtë të lënduar

0

Një aksident trafiku ka ndodhur në mes të dy automjeteve civile në fshatin Zhur të Prizrenit.

Përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona.

“Pesë prej tyre pas trajtimit mjekësor janë liruar, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar në QKUK për trajtim të nevojshëm mjekësor”, njofton Policia, përcjell PrizrenPress.

Plagosen tri femra në një dasmë në Suharekë

0

Tri femra janë plagosur, mbrëmë rreth orës 22:38 minuta, në një dasmë në fshatin Tërnje të Suharekës, nga të shtënat e pa kontrolluara nga dy armë të zjarrit: njëra kallashnikov dhe tjetra pistoletë, shkruan PrizrenPress.

Viktimat janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për trajtim mjekësor dhe pas dhënies së ndihmës, njëra nga viktimat është përcjell në QKUK në Prishtinë.

“Pas pranimit të informatës për rastin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer hetime. Janë kryer bastisje në katër shtëpi me ç’ rast janë gjetur dhe sekuestruar: një kallashnikov i prodhimit jugosllav me numër serik 207588; një pistoletë “Ekol Firat” me numër serik EJC16080142; dhjetë fishekë të kalibrit 9mm; një fishek i revolverit; një gëzhojë e kalibrit 9mm; gjashtë gëzhoja të kalibrit 7.62mm; një karikator i AK-47; një karikator i pistoletës”, njofton Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren.

Policia bën të ditur se gjatë hetimeve janë arrestuar dy meshkuj në cilësi të personave të dyshuar për të cilët dyshohen se kanë konsumuar elemente të disa veprave penale.

“Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe më pas është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalën nën masën e arrestit policor”, njofton policia.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren bën apel që të mos përdorën armët e zjarrit në asnjë mënyrë e posaçërisht në dasma dhe ahengje familjare sepse ekziston rrezik permanent për lëndime trupore dhe humbje të jetëve të njerëzve. /PrizrenPress.com/