16.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Prizren: Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi për grabitje në firmën “Nisa”

Gjykimi, i cili ishte paraparë të vazhdonte të enjten, kundër Besnik Velisë, nën akuzën për grabitje, nuk është mbajtur, sepse ka munguar dëshmitari i propozuar nga mbrojtja, Flurim Shehu.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka thënë se ftesa këtij dëshmitari i është dërguar përmes policisë, por para se të hynte në sallën e gjykimit kishte folur me rreshterin e policisë, Besim Gjinovci, i cili e ka njoftuar se nuk kanë arritur ta takojnë dëshmitarin direkt.

Rreshteri Gjinovci, kishte thënë se dëshmitari punon në ndërtimtari dhe se nuk kanë arritur t’ia dorëzojnë ftesën personalisht, por ia kishin lënë ftesën në shtëpi për tu lajmëruar në stacionin policor ose në gjykatë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku, pas konsultimit me klientin e tij, ka deklaruar se mbetet pranë propozimit për të dëgjuar dëshmitarin Flurim Shehu, sepse i njëjti do të ndriçojë disa aspekte të rëndësishme të rastit penal.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, nuk e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes, andaj trupit gjykues, ka pranuar propozimin dhe ka lëshuar urdhër për sjellje me forcë për dëshmitarin Flurim Shehu.

Avokati Mazreku, po ashtu ka kërkuar që ndaj klientit të tij të ndryshojë masa e paraburgimit në ndonjë masë më të butë pasi që, sipas tij, i mbrojturi i tij, në këtë rast nuk mund të dënohet më shumë se 3 vite burgim sipas vendimit të Gjykatës Supreme, andaj, siç tha, ai edhe disa muaj veç i bën 3 vite paraburgim.

Sipas tij, në këtë rast do të kishte ekzekutim të një aktgjykimi i cili është anuluar nga shkalla e tretë sipas mjeteve të jashtëzakonshme juridike.

Prokurori Sefa, ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të të akuzuarit Besnik Velija, me arsye se ende qëndrojnë rrethanat për të cilat është caktuar një masë e tillë.

I akuzuari Besnik Velija, po ashtu ka kërkuar që t’i ndërpritet paraburgimi, pasi që sipas tij, ai padrejtësisht është dënuar nga gjykata sepse nuk ka prova.

Trupi gjykues, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për ndërprerjen e paraburgimit dhe në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimin e ka shtyrë për 26 korrik 2017, në ora 13:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzë së Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas së cilës i akuzuari Besnik Velija ngarkohet me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës i akuzuari Velija së bashku me të akuzuarin tjetër i cili është na arrati,  Remzi Kuqi, kanë hyrë me dhunë në firmën “Nisa”, e cila kryente shërbime të transferit të parave për “Western Union” dhe duke e kërcënuar me armë zjarri kanë marrë nga kasaforta rreth 2.500 euro.

I akuzuari Velija, më 4 maj 2016, është gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është dënuar me 3 vite burgim efektiv.

Po ashtu edhe Gjykata e Apelit më 16 shtator 2016, ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka refuzuar ankesat e mbrojtjes si të pabazuara.

Por mbrojtja e të akuzuarit, ka atakuar vendimin e Apelit në Gjykatën Supreme, për shkelje të procedurës penale dhe ligjit penal, me ç’rast Supremja ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Sipas Gjykatës Supreme në këtë rast nuk janë vërtetuar saktë provat nga vendi i ngjarjes, pasi që sipas tij, ekzekutorët kanë mbajtur maska dhe nuk mund të vërehen nga kamerat se kush janë.

Tutje, në aktgjykimin e Supremes, thuhet se as punëtorja e lokalit të sulmuar nuk ka mundur të bëjë identifikimin e personave që e kanë sulmuar e po ashtu i akuzuari tjetër është arratisur dhe nuk e ka inkriminuar të akuzuarin si bashkëkryerës./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

‘Rrufe në qiell të hapur’, Bayern refuzohet edhe nga Ralf Rangnick

Ralf Rangnick thuhet se ka refuzuar mundësinë për të zëvendësuar Thomas Tuchel-in si trajner i Bayern Munich-ut, duke e lënë klubin të përpiqet për...

Hyseni për herë të pestë fiton çmimin ‘Ylli i javës’

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 31-të...

Lajmet e Fundit