20.9 C
Prizren
E martë, 12 Maj, 2026
Home Blog Page 592

Ndërprerje e përkohshme e furnizimit me ujë në tri fshatra të Prizrenit

0

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar konsumatorët se për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike në stacionin e pompave në Vërmicë, tri fshatra të Prizrenit do të mbeten përkohësisht pa ujë të pijshëm.

“Ndërprerje të furnizimit me ujë do të ketë në këto fshatra: Vërmicë, Zhur, Shkozë”, thuhet në njoftim.

Sipas “Hidroregjionit Jugor”, furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas stabilizimit të furnizimit me energji elektrike.

Ndërkohë është kërkuar mirëkuptimi i konsumatorëve deri në normalizimin e situatës.

Këta janë emrat e të zhdukurve që u gjetën në varrezën masive në Bishtazhin

0

11 trupa të personave të zhdukur janë gjetur në varrezën masive në Bishtazhin.

Këto viktima më 2 prill 1999, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke.

Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat.

Pas 26 viteve, në varrezën masive në Bishtazhin, janë gjetur dhe identifikuar:

Adem Gashi;

Sahit Gashi;

Bekim Hasani;

Sheremet Ismajli;

Mentor Myrtaj;

Osman Fejza;

Shkelzen Hajdaraj;

Bekim Gashi;

Sabedin Kryeziu;

Mentor Kryeziu;

Vehbi Halilaj.

Për këtë çështje ka shkruajtur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

“Në këto ditë të rënda nuk është e lehtë të gjenden fjalë ngushëllimi që mund të plotësojnë zbrazëtinë që ka lënë mungesa e tyre. Është e vështirë të gjejmë fjalë mjaftueshëm të fuqishme për të përshkruar forcën dhe durimin e palëkundshëm të familjarëve përgjatë këtyre viteve”.

“Në këto ditë, e çdo ditë tjetër, të përbashkët e kemi dhembjen dhe nderimin për martirët e dëshmorët e kombit në Kosovë. Qëndrojmë bashkë për të mos lejuar harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”, ka thënë Kurti.

 

 

 

New Basket një fitore larg gjysmëfinales

0

Ndeshja e parë e Play Offit në Ligën e Parë është zhvilluar në mes të Istogut dhe New Basketit. Skuadra prizrenase e mposhti kundërshtarin me rezultat 86-104.

10 minutëshi i parë përfundoi në favor të Istogut me rezultat 34-32, derisa New Basketi u këndell në çerekun e dytë, duke pësuar 9 pikë dhe shënuar 24, e më pas e kontrolluan ndeshjen deri në fund për ta regjistruar fitoren e parë në seri.

Jordan Roinson shkëlqeu me 25 pikë e 14 asistime te skuadra prizrenase, derisa u ndihmua edhe nga Etnik Peci me 25 pikë dhe Hajriz Hazeri me 24 pikë, 8 kërcime e 7 asistime.

Te Istogu u veçuan Brandon Adelman me 20 pikë e 8 kërcime, Labinot Kelmendi me 18 pikë dhe Albin Berisha me 17 pikë të tjera./topsporti

Ndeshja e dytë e serisë do të luhet në Prizren. New Basketit i nevojitet edhe 1 fitore për tu kualifikuar në gjysmëfinale, ku do të jetë kundërshtar Grapelandi.

Identifikohen pas 26 vitesh: Malisheva organizon varrimin e tre viktimave të masakrës së Kralanit

0

Komuna e Malishevës, nën përkujdesjen e kryetarit Ekrem Kastrati, do të organizojë ceremoninë e varrimit për tre viktimat e masakrës së Kralanit, Sabedin Kadri Kryeziu, Vehbi Pajazit Halilaj dhe Mentor Maliq Kryeziu. Ata ishin zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë dhe janë identifikuar pas 26 vitesh kërkimesh, përcjell PrizrenPress.

Kryetari Kastrati ka takuar familjarët e viktimave dhe përfaqësuesit e Shoqatës për Persona të Zhdukur në Malishevë, duke i njoftuar për organizimin e ceremonisë. Homazhet dhe varrimi do të zhvillohen me nderimet e merituara nga Komuna e Malishevës.

Për këtë qëllim, është formuar një Këshill Organizativ, i cili, në bashkëpunim me familjet dhe Shoqatën e të Pagjeturve, do të publikojë së shpejti detajet zyrtare të ceremonisë./PrizrenPress.com/

Komuna e Suharekës mban prezantimin e dytë publik lidhur me dy planet rregulluese

0

Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mjedis në Komunën e Suharekës të mërkurën ka organizuar prezantimin e dytë publik lidhur me dy plane rregulluese të hollësishme.

Në këtë takim janë shpalosur hollësi lidhur me procesin për Planin Rregullues të Hollësishëm “Zona Ekonomike” në Duhël dhe Planin Rregullues të Hollësishëm “Zona Industriale” në Shirokë.

“Qytetarët patën mundësinë të shprehin mendimet, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me draft-dokumentet e këtyre planeve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Suharekës.

Ndërkaq Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këto procese, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm në përputhje me nevojat e qytetarëve.

Komuna e Prizrenit anulon prokurimin për trajnimin e filigranit, procedura do të përsëritet

0

Përpjekja e Komunës së Prizrenit për të angazhuar një operator ekonomik për organizimin e trajnimit për ruajtjen e zejes së filigranit ka dështuar në tentimin e parë të sivjetshëm.  Aktiviteti i prokurimit për këtë trajnim është anuluar.

Njoftimi për anulim është publikuar të mërkurën, në platformën e prokurimit elektronik.

Si arsye nga Komuna e Prizrenit është cekur se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

“Nuk kemi operator ekonomik të përgjegjshëm”, thuhet në pjesën dedikuar për informatat shtesë, raporton Telegrafi.

Ky aktivitet i Prokurimit ishte iniciuar në muajin shkurt.

Në njoftimin për kontratë thuhej se operatori ekonomik duhet të sigurojë 4 mjeshtër të diplomuar të filigranit, për 8 muaj, bashkë me mjetet dhe materialet adekuate të punës për këtë artizanat.

Vlera e paraparë e kontratës, sipas njoftimit për kontratë, ka qenë 9,900 euro.

Pavarësisht kësaj, drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Tarashaj ka theksuar se aktiviteti i prokurimit do të zhvillohet sërish me qëllim që të organizohet trajnimi për zejen e filigranit.

“DTZHE ka bërë kërkesë që sërish të zhvillohet aktiviteti i prokurimit, pasi synimi ynë është që të realizohet trajnimi për filigranin, ashtu siç është organizuar në vitet e shkuara”, ka thënë Tarashaj për Telegrafin.

Në punëtorinë e improvizuar të Filigranit në qendër të Prizrenit prej disa vjetësh organizohet trajnimi i filigranit për dhjetëra pjesëmarrës, me qëllim të ruajtjes së zanatit të vjetër.

Trajnimi realizohet nën mentorimin e një mjeshtreje dhe tre mjeshtërve të dalluar të këtij artizanati, me mjetet nga buxheti i Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik. /Telegrafi/

Identifikohen eshtrat e një personi të zhdukur në luftë, njoftohet familja nga Rahoveci

0

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se është bërë identifikimi i mbetjeve mortore të Elhami (Qamil) Tahiraga nga Rahoveci, pas 26 vjetësh.

Ai figuronte në Listën e Personave të Zhdukur që nga periudha e luftës në Kosovë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka informuar zyrtarisht familjen Tahiraga mbi rezultatet e procesit të identifikimit.

Me këtë rast, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shpreh solidaritet dhe mbështetje të sinqertë familjes Tahiraga, duke shpresuar që ky identifikim t’u sjellë sadopak lehtësim pas një pritjeje të gjatë e të dhimbshme, thuhet në njoftim.

May be an image of 1 person and smiling

Dyshohen se kanosën dy viktima dhe kanë shtënë me armë zjarri, dërgohen në mbajtje dy të dyshuar në Prizren

0

Dy persona janë arestuar dhe dërguar në mbajtje në Prizren nën dyshimin se kishin kanosur dy viktima dhe kanë shtënë me armë zjarri.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti ka ndodhur më 15 mars në rrugën “Brigafa 126” dhe u iniciua si “Kanosje”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Përdorim i armës”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Me 18.03.2025 janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit meshkuj kosovarë nën dyshimin se të njëjtit kanë kanosur dy viktimat meshkuj kosovarë si dhe dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri. Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar: dy pistoleta (dyshohet të jenë me gas) dhe një granatë dore që është tërhequr nga njësiti i EOD-së”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

QRTK Prizren dhe ansambli “Katarina Josipi” angazhohen për ruajtjen e vlerave kulturore në fshatin Zym

0

Angazhimet lidhur me trashëgiminë kulturore në fshatin Zym dhe përpjekjet për ruajtjen e promovimin e vlerave të trashëgimisë shpirtërore të trevës së Hasit janë diskutuar në takimin që drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka zhvilluar me drejtoreshën e Ansamblit “Katarina Josipi”, Lajde Kolgjeraj.

Kjo e fundit është edhe anëtare e Këshillit për Fshatin Zym.

Sipas njoftimit të QRTK-së, gjatë takimit Hoxha është njoftuar me angazhimin e saj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, me një theks të veçantë në trashëgiminë shpirtërore.

“Znj. Kolgjeraj, për vite me radhë, ka mbledhur dhe ruajtur veshje tradicionale shqiptare të grave të Hasit, duke kontribuar në mbajtjen gjallë të traditave tona ndër breza”, thuhet në njoftimin e QRTK-së.

Aty është nënvizuar se në takim është diskutuar edhe për angazhimet tjera në fshatin Zym, duke përfshirë “Studimin e fizibilitetit dhe planin e menaxhimit për fshatin Zym të Hasit”, hartimin e projektit për restaurimin e Kullës së Zaptive dhe fillimin e punimeve për restaurimin e Kullës së Pjetër Prekpalaj, që pritet të përfundojë gjatë vitit 2026.

 

“QRTK Prizren vazhdon të punojë me këmbëngulje për ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e pasurisë sonë kulturore, duke bashkëpunuar me institucione dhe individë të angazhuar për të njëjtin qëllim”, përfundon njoftimi.

EC Ma Ndryshe shpalos historinë e arkitekturës moderniste në Prizren

0

Organizata jo-qeveritare “EC Ma Ndryshe” ka publikuar raportin “Ecje në trashëgiminë moderne të Prizrenit”, në të cilin dokument shpaloset një përzgjedhje e objekteve moderniste të ndërtuara në këtë qytet gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

Në këtë dokument janë përfshirë objektet e ndërtuara në Prizren midis viteve 1945 dhe 1989, të cilat pasqyrojnë karakteristikat kryesore të arkitekturës moderniste të asaj kohe.

“Këto ndërtesa sipas hulumtimit përfaqësojnë një periudhë të rëndësishme të zhvillimit urban të Prizrenit dhe në atë kohë janë ndërtuar për qëllime të ndryshme, përfshirë administratën, arsimin, shëndetësinë dhe tregtinë”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Aty gjithashtu theksohet se në raport janë paraqitur hollësitë për këto ndërtesa, duke theksuar vlerën e tyre arkitekturore dhe historike në kontekstin e qytetit. Gjithashtu është krijuar një hartë orientuese lidhur me lokacionet e këtyre strukturave.

 

Hulumtimi “Ecje në trashëgiminë moderne të Prizrenit” dhe harta përkatëse janë realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore për zhvillim të qëndrueshëm në Prizren”, që mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit.