Home Blog Page 5933

Ndriçim Ademaj prezanton romanin “Pa heronj, pa bujë”

0

Është promovar  romani “Pa heronj, pa bujë” i autorit Ndriçim Ademaj.

Me ndërhyrjen e shkrimtarit dhe studiuesit Adil Olluri. “Pa heronj, pa bujë” është botuar nga Shtëpia Botuese “Pegi”.

Ky libër rrëfen një histori që përshkon dy kohë, dy vende, dy përjetime të ndryshme në dukje të huaja për njëra-tjetrën. Heroi ynë lëkundet mes një dashurie të pavetëdijshme për Sarën dhe kujtimeve gjysmë të trishta – gjysmë gazmore të fëmijërisë së tij në Kosovë. Mes dy anëve të medaljes, ai ndihet i përhumbur rrugëve të Zvicrës në kërkim të një identiteti, që nuk mund të hiqet e të vishet si një gunë e errët dimri, por që të qëndron pranë, në anë, në brinjë, si një kone e vogël e ledhatuese, e me raste, shndërrohet në një bishë të pakontrollueshme.

Shkrimtari Ndriçim Ademaj ka të botuar edhe librat me poezi “Kërkoj diellin”, “Dera” dhe “Këngë nga Rruga e Farkëtarëve”. Me vargjet e tij ai është prezantuar shpeshherë edhe jashtë Kosovës, në vendet e Ballkanit, në Francë dhe në Zvicër.

Gjobitja e subjektit politik si mësim për të mos cenuar monumentet

0

kishte vendosur materiale propagandistike zgjedhore në kinemanë “Lumëbardhi” është mirëpritur nga aktivistët e shoqërisë civile në Prizren.

Sipas tyre, ky vendim i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duhet të jetë shembull për parandalimin e cenimit apo dëmtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, shkruan sot Koha Ditore.

“Gjobitja e subjektit politik për panon e vendosur në murin e kino ‘Lumëbardhit’ duhet të shërbejë si mësim për të gjithë se monumentet e kulturës nuk bën të cenohen. Madje duhet të jetë shtytës për të gjitha autoritetet që tani e tutje të shtojnë vëmendjen dhe veprimet ligjore në këtë drejtim”, ka thënë Hajrulla Çeku nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”.

Me një qëndrim të tillë pajtohet edhe Ares Shporta nga fondacioni “Lumëbardhi”, i cili menaxhon kinemanë me të njëjtin emër në Prizren. “Ky është ndër rastet e rralla të gjobitjes për cenim të monumenteve kulturore. Mendoj që është shembull i mirë dhe shpresoj që të njëjtën gatishmëri do ta shohim edhe në rastet kur ka më pak vëmendje mediale dhe të shndërrohet në praktikë”, ka deklaruar Shporta.

Meditim për Hasin

0

Nga Hajdar Mallaku

Has! Këto ditë kur fushata zgjedhore është në kulmin e saj, politikanët (si çdo katër vjet) vijnë te ti. Ti di t’i presësh si është më mirë, me bukë e kripë e zemër, me buzëqeshje miku, sepse na duhet pushteti, por të lutem fjalët e tyre peshoji me urti. Sepse fjalët e tyre të kanë bërë me vjet e shekuj rob të modestisë dhe vetëkënaqësisë me pak ose me hiç. Do të të lavdërojnë prapë me fjalët:”Hasi është bukëdhënës, Hasi është mikpritës, Hasi është i urtë, Hasi është besnik, Hasi është i sinqertë, Hasi nuk i mbetet borxh askujt, Hasi i kryen obligimet ndaj shtetit etj” Këto lavede të kanë mitizuar dhe ti ndihesh modest dhe madje tepër modest. Bukëdhënës dhe mikpritës janë të gjithë shqiptarët në të gjitha trevat, ku më shumë e ku më pak. Hasi vërtet këto elemente mund t’i ketë më të theksuara se ndonjë vend tjetër, sepse është zonë etnogjeografike në vete dhe mjerisht e izoluar që kurrë nuk ka pasur han(bujtinë). Shtëpia e tyre ka qenë e Zotit dhe e mikut. Hasi , sipas një urtaku, zajtar nga Prizreni gjithnjë ka qenë besnik, i ka çitur faret shtëpitë e zejtarëve dhe tregtarëve më të fuqishqm të Prizrenit dhe Gjakovës, duke ua afruar portofolin(kuletën) që të marrin sa e kanë hakun për mallin e blerë, apo të punuar dhe ata janë mashtruar dhe kanë marrë më shumë. E harami di të hakmerret.

E di se je regjioni më i pazhvilluar në Kosovë? Megjithatë kurrë nuk u bëre barrë për pushtetin, as në Jugosllavinë e vjetër, kur kufiri të ndau përgjysmë dhe u ndërtua vetëm një rrugë makadam Krajk-Zym- Dedaj dhe atë me punë të detyrueshme(angarie) dhe populli mezi mbijetoi dhe e mbajti shpirtin gjallë; as pas Luftës së Dytë Botërore kur moment për t’u shënuar janë asfaltimi i rrugës Landovicë –Zym dhe paralele të gjimnazit në katër qendra e ndonjë cikërrimë, dhe kaq. Prapë trastën e kurbetit në shpinë dhe dyerve të botës. Dhe pas Luftës së fundit janë realizuar projekte të vogla:rrugë me kubëza, objekte shkollore, ambulanca, kanalizime më shumë me vetëkontribut, një shtepi e kulturës e cikërrime të tjera, se rrugët regjionale edhe ato të shtruara me asfalt të dobët janë mbushur me arna si kanacat e gjysheve dikur. Shërbimet shëndetësore kanë mbetur në mëshirën e mjeksisë private. Vetëm në katër fshatra janë ende paralelet e  gjimnazit. Dhe rinia prapë trastën e kurbetit në krah dhe rrugëve të botës, me dyqane në Nju Jork, në Londër, në Madrid, në Berlin, në Vjenë, në Bukuresht, në Budapesht etj. e në të gjitha viset e ish-Jugosllavisë. Dhe tash më keq se herave tjera, shkohet me familje në rrugën që të çon e nuk të kthen. Kthehen herëpashere vetëm gjeneratat e vjetra. Kur kthehen të rinjtë, në të njejtën familje, nipërit dhe mbesat, kushërinjtë dhe kushërirat flasin gjuhë të ndryshme e jo shqip: njëri anglisht, tjetri gjarmanisht, i treti spanjisht, hungarisht, kroatisht, sllovenisht, serbisht dhe u duhet përktjyes. Po ndodh që martesat po bëhen atje, atje po bëhen dasmat, atje po bëhet varrimi i të vdekurve, atje po bëhen martesat me të huaj. Vërtet Evropa është familje jona e madhe ku e kemi pashmangshëm vendin si gjeografikisht ashtu dhe shpirtërisht, por thuase gjaku shqiptar nuk e pranon ende shkrirjen në globalizmin gllabërues. Fshatrat po zbrazen: Zymi, Shëngjergji, Milaj, Gorozhupi, etj. Dhe në fshatrat tjera po pakësohen banorët. Nënat po lindin gjithënjë e më pak. Duhet pritur dy-tri vjet për ta formuar një klasë të parë me dy a tre nxënës. E shkaku dhe i një fëmiu familja po shpërngulet. Sa dhimbje, o Zot!

Prandaj, Has, vlerësoi  parullat mashtruese(slloganet) ”Koha për Fillimin e Ri”, “Me vullnet”, thuase vitet e kaluara në pushtet, kur ishin po këta në pozitë, i qesin posht dhe tash po fillon jeta e shtetit tonë. Është kjo një cilësi e re me njerëz të vjetër ? A fitohen betejat e reja me dyfeqe të vjetra ? Gjithnjë fillojmë nga fillimi, nuk i korrrigjojmë gabimet dhe nuk nisemi aty ku kanë mbetur procest dhe të shkojmë përpara. Vlerësoje slloganin”Së bashku të vendosur”( kur kanë qenë të ndarë paskan punuar jo të vendosur). Vlerësoje slloganin”Me zemër” a pa zemër. Kujdes nga politikanët e shterrur, fytyrat banale që janë kthyer gati në surrat, që na llomotitin që 18 vjet e sot prap thonë “Ka ardhur koha”(a u desht që të kalojnë 18 vjet dhe tash paska ardhur koha që prapë të na japin premtime që nuk i realizojnë as po të ishte në dispozicion buxheti i Amerikës. Kur të lodhesh s’ka çka të bën as Amerika. Flasin vetëm ata e populli brohorit e nuk i pyet: Çka bëtë deri sot që na e kërkoni votën prapë? Ne dolëm nga lufta të barabartë e ata sot kanë krijuar pasuri marramendëse. Ne i dimë kush janë ata. Populli nuk është qilimi.

Hasi im i mirë, dhimbje dhe dashuri e mbetur peng ! Të mbysin me sllogane “Hasi bastion I LDK-së”, “Tërë Hasi PDK”. Disa politikanë( madje dhe njëri nga kupola e politikës sonë) deklarojnë se hapat e parë në politikë i nisën në Has dhe u shkoi mbarë. U shkoi mbarë për vete, jo për ty, Has . Të emërtojnë të shenjtë dhe tempull kur u duhesh për vota e pastaj të harrojnë katër vjet dhe gjithnjë.

Pak përmendet se kryesisht armatimi hyri përmes Hasit dhe u shpërnda deri në të gjitha skajet e atdheut. Pak përmendet se Hasi i priti dhe i përcolli luftëtarët e lirisë dhe askënd nuk e tradhëtoi. Edhe kur ranë në pritë së pari u vranë hasjanët si: Dinë Koleci, Skender Hameli, Haxhi Hoti, Qenë Qenaj etj. E pastaj të tjerët.

Pak përmendet se Hasi derdhi gjak për liri, që ka dëshmorë dhe viktima. Pak përmendet se si zonë kufitare ishte më e rrezikuara, u dogj e u bë shkrum e hi.

Pak përmendet se armiku u përpoq të na hasmërojë  me                                                                                                                                                        vëllëzërit e besimit të krishterë, ne duke na dëbuar e ata duke i mbajtur peng. Pak përmendet se zona e Hasit duhej ruajtur që të mos hapej front, se prej andej bëhej furnizimi me armë. Pak përmendet se statusi i dëshmorëve, i veteranëve të luftës, i invalidëve dhe viktimave nuk u trajtua aq mirë. Ka edhe sot e kësaj dite dëshmorë që edhe pas sa kohësh familja e tyre nuk ka marrë certificatë, edhe pse janë në listë, dhe jetojnë në stres a thua ku shkoi gjaku i tyre. Pak përmendet si është gjendja e pëmendoreve të dëshmorëve. Pak përmendet si është gjendja e shëndetit dhe e banimit të familjeve të dëshmorëve. Pak dhe aspak nuk përmendet se Hasi e meriton një monografi për kontributin e tij gjatë luftës, etj.

Has, të mashtruan kur t’i premtuan dy komuna e nuk e realizuan asnjërën. Këtë e dija që atëherë dhe reagova me shkrim. Ti nuk pate dhe nuk ke zë të mirëfilltë në Parlament, nuk ke zë në Qeveri, nuk ke zë të mirëfilltë as në qeverinë lokale. Ti vuan nga militantë hushkulur që veprojnë me verbëri. Kanë kërçik të vogël ata dhe krekosën kot. Më mirë ta kishim dërguar ndonjë gjysh a gjyshe atje.

Po, Has, ti je modest në kërkesat tua, tepër modest. Ruaji virtytet dhe kultivoji dhe më tutje si fisnikëri, por kujdes që ato  mos të të vrajnë, mos të të neutralizojnë, mos të të mitizojnë e të bëjnë gojëmbyllur; kuptoji kur sillen si bukëpërmbysur, kuptoji kur ata i kullundrisin veprimet pa ndonjë plan të vërtetë . Kërko me guxim çka të takon.

Ti, Has, meriton të të sigurohet ujët e pijes(Vuan gjatë muajve të verës Zymi, Shëngjergji, Lugishta, Gjonajt, Mazrreku, Gorozhupi etj.); meriton të të ruhet toka e bukës, hambari që të mbajti gjallë, e shkatërruar me ndërtime e shfrytëzim të egër për zhavorr; meriton të të pastrohet rrjedha e lumit Drini i Bardhë ku në shelgjishtet e saj mund të lajmërohen dhe krokodilët; meriton të ndërtohet një urë mbi lumin Drin i Bardhë në fshatin Bregdi; meriton të të ruhen malet tashmë të shkatrruara plotësisht; meriton të të shtrohen rrugët regjionale, të ketë hapje kufiri nga Gorozhupi për në fshatrat e Hasit të Shqipërisë, të ketë lidhje nga Lupaveci për në Qafë të Prushit e në Krumë që të mos mbetesh zorr e verbër; meriton të të subvencionohet turizmi lumor, turizmi malor, ngritja e fermave për bagëti, të pavarësohen ku ka kushte gjimnazet ekzistuese, t’u mundësohet kurbetçarëve investimi në vendlindje që të hapen vende të punës( di ti se je vendi me më pak punëtorë në sektorin shoqëror në tërë Kosovën ?! Di ti se më shumë se gjysma e punëtorëve të punësuar në Has nuk janë nga Hasi falë politikës së padrejtë të punësimit ? …), t’u mundësohet hapja e artizanateve, të mbështeten shoqatat, shka-të, klubet sportive, muzetë; të ruhet pasuria e trashëgimisë kulturore etj. Këto dhe të tjera nuk realizohen për një mandat, por sipas një plani  afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë që askush nuk i përmend.

Po, Hasi im i mirë, jepjua votën atyre që të sjellin diçka të mirë. Vota  është liria jote. Vota jote le të shkojë te djemtë dhe vajzat tua, jo në skajin tjetër të atdheut, pa e mohuar se edhe ai është Atdheu ynë. Voto më të mirët ( si Kastriot O. Jahajn e ndonjë tjetër. Në bazë të numërit të votuesve të Hasit të Prizrenit dhe të Gjakovës mund t’i kesh dy deputet. Mos rivalizoni shumë me parti, grumbulloni votat me marrëveshje e mos i shpërndani…

Has, ti je vetë i urtë. Unë dhimbja jote vetëm po ta përkujtoj. Vota është obligim dhe interes shtetëror, komunal, lokal dhe qytetar. Kujdes të mos e shesësh, mos të ta kushtëzojnë, mos prano ta tjetësosh edhe nëse të kërcënojnë, kujdes mos të mashtrojnë, mos lejo që ta vjedhin. Se grabitësit e votave i ngjajnë një fshati të S. që kur nuk kishin çka të vjedhin i gjuanin sa më larg plisat e tyre e pastaj shkonin fshehtas e zhagëz për t’i vjedhur për të mos e harruar zanatin. Kur ktheheshin, i vinin në kokë dhe krekoseshin me krenarinë e tyre të vjedhur duke e menduar atë si pronë dhe krenari të huajën.

Me urti, Hasi im i mirë ! As tash nuk të ofruan me planin e tyre diçka për të qenë. Bëhu bastion i vetvetës!

Uroj për mirëkuptim…

PDK në Prizren: Fillimi i Ri në përkrahje të avancimit të grave në shoqëri

0

Nën organizimin e Gruas Demokratike të Kosovës – dega në Prizren, është shtruar iftari për strukturat e Gruas Demokratike të Kosovës, mësimdhënës, sportistë, shoqata kultor- artistike, dhe simpatizantë tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës – dega në Prizren, ku të pranishëm ishin më shumë së 2 mijë pjesëmarrës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Ky aktivitet është shënuar në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për gjithë kontributin e pamohueshëm të dhënë nga kjo kategori shoqërore në të gjitha proceset e rëndësishme që ka kaluar Partia Demokratike e Kosovës”, thuhet në komunikatë, shkruan PrizrenPress.

Më tutje thuhet se gjatë këtij takimi prezent ishin edhe kandidatët për deputetë nga rajoni i Prizrenit, Nait Hasani, Luljeta Veselaj- Gutaj, Nezir Coçaj, Nijazi Kryeziu si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

“Forcimi i rolit shoqëror të grave dhe vajzave nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes në vendimmarrje do të bëhet duke dhënë shembull në shtimin e përfshirjes së tyre në poste të larta shtetërore”.

“Në këtë drejtim Qeveria e ardhshme do të miratojë politika nëpërmjet të cilave do të zbatohen programe për eleminimin e stereotipeve përmes vënies së kuotave të punësimit për gratë në sektorët e administratës publike. Sikurse sigurija, mbrojtja, agjensia e intelegjencës dhe shumë sektor tjerë në të cilët gruaja mund ta rrisë kontributin e saj”.

“Po ashtu në qeverisjen e ardhshme do të themelohet Fondi për Barazi Ginore të cilit shteti do t’i ndaj një shumë prej 20 miljon eurosh, dedikuar tri qëllimeve: garancitë për kreditë, përkrahje të ideve Start – Ups nga gratë, si dhe zbatimi i programeve të ndryshme të kualifikimit për gra”.

“Në muajt e parë të qeverisjes së ardhshme të udhëhequr nga platoforma e Fillimi të Ri, do të bëhet studim i politikave për sa i përket pushimit të lehonisë për të pamundësuar që kjo të jetë arsye për mos punësimin e grave, që aktualisht konsiderohet të jetë ndër faktorët kryesor. Kjo do të bëhet duke konsideruar si masë uljen e kostos së pushimit të lehonisë për punëdhënësit në dy mënyra: subvencionim i zëvendësuesit gjatë pushimit të lehonisë si dhe ulje e kostos së lehonisë nga ana e punëdhënësit në këtë format”, thuhet në komunikatën e PDK-së, dega në Prizren. /PrizrenPress.com/

Prizreni përkujton Bekim Fehmiun

0

Aktivistët e kulturës në Prizren organizojnë shënimin e shtatë vjetorit të vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu.

Më 15 qershor të vitit 2010-të, u shua aktori Bekim Fehmiu. Kësisoj më 15 qershor të vitit 2017-të, bëhen gjithsej shtatë vite pa yllin e teatrit dhe kinematografisë,aktorin Bekim Fehmiu.

E pikërisht për të shënuar këtë përvjetor organizatat dhe aktivistët e kulturës në Prizren organizojnë shënimin e shtatë vjetorit të vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu, të enjten duke filluar nga ora 12:00, ku do të nis tubimi në Sheshin e Lidhjes (te Ura e Arastës).

Pas këtij tubimi, në orën 12:10 do të gjuajnë lule në lumë ndërkaq pesë minuta më vonë do të mbahet një fjalë rasti nga Fahri Musliu dhe Veton Nurkollari.

Në orën 12:30 do të bëhet paralajmërimi i nismës ‘Bekimi i Prizrenit’ ndërsa në orën 21:30 në mbrëmje do të shfaqet filmi ‘Mbledhësit e puplave’ në kejin e Lumbardhit.
Ky është programi i organizuar nga organizatat dhe aktivistët e kulturës në Prizren me nismën ‘Bekimi i Prizrenit’.

Hoxhaj: Prizreni e bën fitoren e PDK-së të madhe

0

Zëvendëskryetari i PDK-së dhe kandidati me numrin pesë i kësaj partie për deputet, Enver Hoxhaj, ka qëndruar sot në Prizren ku ka takuar shumë përkrahës të tij dhe të Partisë Demokratike.

Në këto takime, Hoxhaj ka falënderuar prizrenasit për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë kësaj fushate dhe gjatë gjithë kohës së karrierës së tij politike.

Hoxhaj ka thënë se përkrahja e madhë e Prizrenit për PDK-në e bën edhe më të madhe fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e 11 qershorit.

Hoxhaj ka deklaruar se fitorja e PDK-së në këto zgjedhje është e sigurt dhe e vetmja gjë që është në pyëtje, është se sa e madhe do të jetë kjo fitore.

Limaj: Nuk ia kam frikën Vuçiqit e Daçiqit, i kam mundur në luftë

0

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka komentuar një vizitë të tij ditë më parë në veri të vendit. Limaj ka thënë se nuk frikësohet nga Serbia dhe udhëheqësit e saj. Limaj i cili në luftë mbante nofkën “Komandant Çeliku” ka thënë se nuk ka kurrfarë ndjenje inferioriteti në raport me Serbinë.

“Në luftë i kam mundë dhe nuk kam kurrfarë kompleksi ndaj tyre. Unë jam për dialog me të gjitha fqinjët për çdo temë. Por, jo për dialog siç e kanë zhvilluar Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi”, ka thënë Limaj transmeton ‘Indeksonline’.

Limaj në tubimin zgjedhor me qytetarët e Prishtinës u ka kërkuar atyre që të mos e shajnë shtetin në asnjë variant, pavarësisht zhgënjimeve.

“Pavarësisht zhgënjimeve qe mund t’i keni mos e shani shtetin. Ka ardh koha më u lidhe me njerëzit dhe jo me emrat e partive. Emrat e partive nuk e zgjedhin problemin”, ka shtuar Limaj.

Ai është zotuar se përfaqësuesit e Nismës në qeveri do të punojnë me përulje dhe me respekt në shërbim të detyrës qe kanë marrë.

Tutje, Limaj ka thënë se ka ardhë koha për t’i përvjele duar e jo për të treguar muskujt.

“Për herë të parë kemi pasur një opozitë të bashkuar dhe nisma ka qenë urë e lidhjes brenda opozitës. Është koha për të lëvizur dhe m’i dhënë drejtim vendit. Me Nismën në qeveri ky do të jetë vizioni politik. Dhe ky është ndryshimi ynë fundamental qe e bën Nismën ndryshe nga të tjerët. Për neve shteti është i shtrenjte”, ka theksuar Limaj

Andin Hoti: Puna për rahovecianët, kod i atdhetarizmit

0

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet nga Rahoveci, Andin Hoti, ka thënë se bujqësia mund të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit.
Në një postim në rrjetin social facebook, Hoti ka thënë se Rahoveci, me të drejtë, është quajtur kryeqyteti i bujqësisë së Kosovës dhe se karakteristikë e qytetit të Rahovecit është dashuria për punën.

“Ky kryeqytet, e merr epitetin nga puna, angazhimi dhe përkushtimi tradicional për punë i rahovecasve. Të gjithë e dimë se i madh e i vogël, ka dashuri për punën. Madje, toka djerrinë, shihet si turp në këto anë. Puna, puna është letërnjoftimi origjinal i Rahovecit. Puna është kod i atdhetarizmit”, ka shkruar Hoti.

Më tëj, ai thotë se rahovecianëve puna u ka dhënë motiv shtesë dhe fuqi për përkushtim ndaj atdheut dhe sakrificë.

“Sakrifica është ekzistencë në formë tjetër, në dimensionin madhështor, për vendin, për kombin, për dinjitetin njerëzor. Këtë e kanë bërë dhjetëra e qindra rahovecjan me të cilët jam unë, krenar, është familja ime krenare, ashtu siç paraardhësit e mi ishin krenar. Tu shtoftë e mira, vendlindja ime”, thekson më tej kandiati i PDK’së për deputet.

Hoti ka shtuar se bujqësia tradicionalisht i ka shërbyer njerëzve të këtij vendi për të mbijetuar dhe se Fillimi i Ri synon ta nxisë evoluimin e kësaj veprimtarie në një koncept biznesi.

Masakra e Gjeneralit Zerva, dëboi me dhunë nga Çamëria 25 mijë veta

0

Historiani dhe diplomati Pëllumb Xhufi është shprehur se problemi i çështjes çame ka nevojë për një zhvendosje në binarët e duhur nga politika greke.

Në një intervistë për gazetën Panorama , Xhufi shprehet që sheh avancim në trajtimin e çështjes çame pasi tani të paktën tani pranohet të flitet për të, por nuk është dakort me kategorizimin që ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i bëri popullsisë çame gjatë vizitës së tij dyditore.

Xhufi kujton se ikja masive e çamëve rreth 25 mijë veta nga Çamëria nuk ishte zgjedhje, por dëbim nga dhuna e gjeneralit Zervas. Xhufi kujton gjithashtu se në gjyqin e Janinës pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 1 mijë çamë u dënuan dhe kjo u bë në mënyrë arbitrare, dhe mbi baza etnike dhe fetare.

Xhufi u shpreh se ky problem mund të zgjidhet siç u zgjidh çështja e italianëve të Istrës të Riekës. “Pra ka një referencë dhe që është në tone shumë më minore se çështja çame, sepse italianët e Istrës i përkisnin një kombi pushtues, invazor në Luftën e Dytë botërore, kurse çamët tanë ishin viktimë e fashizmit, ishin një popullsi e pushtuar siç ishin edhe grekët.”-shprehet studiuesi.

Deklaratat e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në lidhje me çështjen çame, mund të konsiderohen një hap përpara në qasjen e Greqisë ndaj kësaj çështjeje, kur nga një çështje që nuk ekzistonte fare për të, ai në Tiranë pranoi që ka një problem çam, por e ndau në disa kategori. Si e vlerësoni këtë qëndrim?

Pa dyshim ka një zhvillim pozitiv që nuk fillon sot, por dita e djeshme e bisedimeve zyrtare në Ministrinë e Jashtme mund të konsiderohet një ngjarje pozitive në marrëdhënien shqiptaro-greke, qoftë dhe për faktin se tani pranohet të flitet. Mos harrojmë se para 10 viteve në vitin 2005, Presidenti Papulias, një njeri shumë i nderuar dhe pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, u kthye nga rruga kur mësoi se në vendin e takimit me presidentin e asaj kohe, Alfred Moisiu, kishte një grup çamësh që në mënyrë shumë miqësore e prisnin para hotelit ku do të bëhej takimi, madje do të thosha me parulla mjaft miqësore, duke shprehur shqetësimin e një popullsie me një konsistencë shumë të madhe. Fakti pozitiv është që për këtë çështje diskutohet dhe nuk lihet në mes biseda dhe aq më shumë, takimi i sotëm me studentët dhe profesorët pranohet të diskutohet edhe me opinionin publik dhe jo të mbyllet problemi thjesht në nivelet e larta të politikës. Por problemi çam ka nevojë për një zhvendosje në binarët e duhur nga politika greke. Interpretimet që zoti Kotzias bëri në lidhje me çështjen çame, në gjykimin tim nuk qëndrojnë.

Përse, nuk qënrojnë politikisht apo historikisht?

Në gjykimin e çamëve që janë gjallë, përkufizimi është arbitrar, metafizik, nuk është real, nuk është historik, sepse ai foli për çamë të cilët kanë ardhur në Shqipëri qysh përpara Luftës së Dytë Botërore. Është e vërtetë që disa familje çame kanë ardhur në Shqipëri, por pas masakrave që ka kryer ushtria greke në Çamëri në vitin 1913 dhe kanë ardhur për të shpëtuar jetët e tyre. Këta çamë që u vendosën në Shqipëri, kryesisht afër kufirit, në Sarandë, Delvinë edhe në kushtet kur u bllokua kufiri, veçanërisht pas Luftës së Parë Botërore, rrezikonin jetën për të kaluar kufirin matanë për të parë familjet e tyre në Çamëri. Pra, nuk ka qenë një zgjedhje, por një dëbim i detyruar ashtu siç ndodhi edhe në Luftën e Dytë Botërore. Për sa u përket çamëve që paskan qenë të krishterë dhe në shekullin e 17-të i janë kthyer islamizmit, kjo ka ndodhur me të gjithë popullin shqiptar, që nga Kosova dhe në Veri të Kosovës, akoma e deri në Çamëri. Ashtu si dhe Labëria, Dibra, Shkodra kanë qenë të ndarë në të krishterë dhe në shqiptarë që lanë fenë e parë dhe morën fenë myslimane. Këtu nuk ka asgjë të re dhe kjo nuk thotë asgjë. Kjo mund të thotë nëse edhe zoti Kotzias mendon se të gjithë të krishterët shqiptarë janë grekë. Kam frikë se zoti Kotzias i konsideron çamët si grekë që kanë qenë të krishterë, që më pas u islamizuan dhe u kthyen në shqiptarë. Si historian i Mesjetës dhe që merrem pikërisht me shekullin e 17-të, e di shumë mirë që shqiptarët në atë shekull kanë qenë në Çamëri, në Paramithi, në Mazrek, në Filat, në Igumenicë dhe kanë qenë edhe të krishterë, edhe myslimanë.

Ministri Kotzias evidentoi edhe një kategori çamësh që kanë bashkëpunuar me pushtuesin e huaj dhe duket se është ky grup që prish të gjithë marrëdhënien e Greqisë me çamët…

Kjo është një tezë e vjetër dhe nuk ka ndonjë zhvillim të ri që e lidh ikjen e çamëve si një ikje vullnetare të disa kriminelëve që kishin bërë krime në Greqi, kishin bashkëpunuar me nazistët gjermanë dhe që ikën vullnetarisht për t’i shpëtuar gjyqit. Absolutisht kjo është një e pavërtetë e madhe. Çamëria ka nxjerrë gjatë Luftës së Dytë Botërore kolaboracionistët e saj, si dhe Greqia ka pasur kryeministra kuislingë, si Ralis, Tzolagoglou, të cilët patën pozicione të nderuara në jetën politike greke dhe nuk u dënuan siç i dënoi gjykata e Janinës disa çamë, që thuhej se kishin bashkëpunuar me gjermanët. Ka pasur vetëm një çetë, Nuri dhe Vasar Dino, djem xhaxhallarësh, që në kohët më të mira të saj ka pasur 300 veta, si paraushtarakë dhe kjo çetë ka vepruar, sipas dokumenteve gjermane, kryesisht në Shqipëri. Ka luftuar kundër partizanëve shqiptarë në Zagorie, në Delvinë dhe Gjirokastër. Ajo lokalizohej në Shqipëri gjatë të gjithë kohës së luftës, sepse gjermanët e hoqën nga territori grek për të evituar edhe përplasjet me popullsinë e krishterë greke në Çamëri.

Zoti Kotzias kërkoi zbatimin e vendimeve të gjykatave për të zbatuar parimin e reciprocitetit…

Këtu duhet bërë një sqarim se jo të gjithë kanë njohuri. Vendimi i gjykatës së Janinës që dënoi rreth 1 mijë çamë me emra, si kriminelë dhe bashkëpunëtorë me gjermanët, është një vendim i bërë mbi baza të qarta paragjykimi etnik dhe fetar, për të krijuar një bazë ligjore për dëbimin përfundimtar të çamëve. Por edhe sikur ta pranojmë që këta 1 mijë çamë kanë qenë të tillë, po ata 25 mijë të tjerë që ikën pikërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore të dëbuar nga hordhitë e Zervas, përse duhet të dënoheshin dhe dëboheshin?! Lind edhe pyetja tjetër, përse fëmijët e tyre, qoftë edhe të atyre 1000 nuk u jepet e drejta t’i kthehet shtetësia greke siç e kanë pasur? Përse qeveria greke në vitin 1982 bëri një ligj të posaçëm për të drejtën e të ikurve nga Lufta e Dytë Botërore për t’u kthyer, ish-luftëtarët e AMI-t, të majtë që pas 1949 që u arratisën në vendet ish-socialiste, ka pasur dhe Shqipëri të tillë. Qeveria e PASOK-ut i lejoi të ktheheshin të ikurit për arsye politike nga Greqia. Por ai ligj ishte selektiv dhe u jepte të drejtë të ktheheshin vetëm qytetarëve grekë që kishin kombësinë greke dhe jo çamëve që kishin kombësi shqiptare. Ky ligj është bërë në 1982, kur Greqia ishte vend anëtar i Bashkimit Europian. Është një ligj diskriminues dhe antieuropian. Pra, çështja çame ka shumë pikëpyetje, të cilat, për fat të keq, qëndrojnë nga ana greke. Çamët kanë luftuar kundër nazistëve si në Shqipëri, edhe në Greqi, ka pasur luftëtarë nga familje të shquara patriotike, ekzistojnë dëshmorët çamë. Në këtë çështje pala greke ka një ngërç, një vështirësi të madhe.

Si mund të zgjidhet kjo çështje?

Ka zgjidhje që u kanë dhënë këtyre çështjeve vendet europiane, siç është çështja e italianëve të Istrës të Riekës. Zgjidhja është bërë para pak vitesh mes kroatëve dhe italianëve. Pra ka një referencë dhe që është në tone shumë më minore se çështja çame, sepse italianët e Istrës i përkisnin një kombi pushtues, invazor në Luftën e Dytë botërore, kurse çamët tanë ishin viktimë e fashizmit, ishin një popullsi e pushtuar siç ishin edhe grekët.

Pati edhe një deklaratë kontradiktore të ministrit Kotzias kur tha se reagimi i Ministrisë së Jashtme greke lidhur me deklaratat e Kryeministrit Rama për çështjen çame nuk ishin të tij, por të disa qarqeve në këtë ministri. Si e vlerësoni këtë qëndrim?

Edhe kjo tregon atë ngërçin në të cilën ndodhet çdo qeveri greke, por do të thosha edhe kjo qeveri, e cila mendoj se shënon një progres në kuptimin e trajtimit të marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm me Shqipërinë, por dhe me Turqinë. Ka një përmirësim në këto marrëdhënie që tregon për një vullnet të mirë. Sigurisht këtu bëhet fjalë për Shqipërinë e vogël, jo për Turqinë dhe është më e vështirë që të merret kthesa në këto marrëdhënie. Por me Shqipërinë pozicioni është shumë më i vështirë, sepse gjërat e mbetura pezull janë skandaloze.

Ligji i Luftës është vërtet skandaloz, statusi i marrëdhënieve strategjike që ne e kemi shpallur me Greqinë nuk u përgjigjet qëndrimeve që ka mbajtur Greqia. Zoti Kotzias tha se kemi mbështetur Shqipërinë për integrimin në NATO. Në fakt, Greqia është vendi i fundit që ka kaluar në parlamentin e saj ratifikimin e marrëveshjes për hyrjen e Shqipërisë në NATO, edhe atë me kushte shumë të rënda, me një marrëveshje deti që rezultoi se çfarë ishte, por që la shije të hidhur dhe mes popujve tanë. Ne mund të kemi qeveri të korruptuara, të cilat bëjnë çfarëdolloj marrëveshjesh, por politikanët tanë dhe grekë duhet të llogarisin që janë popujt në fund të fundit dhe te ta duhet të kultivojnë respektin reciprok. Ato që bëjnë politikanët dhe me celularë shpeshherë dhe pa lënë gjurmë, marrëveshje dhe ka të tilla, ato mund të zgjidhin një problem të çastit, qëndrimin tënd në pushtet, por krijojnë probleme shumë të rënda mes dy vendeve.

Haxhi Avdyli: Kam me qenë zëri i afaristëve

0

Kandidatët e LDK-së për deputetë, Haxhi Avdyli e Sadije Osaj- Jakupi, të enjten kanë vizituar lokale afariste në qytet si dhe Shoqatën e Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit.

Avdyli, premtoi se me angazhime konkrete përmes bashkëpunimit të mirëfilltë, do të zgjidhen problemet me të cilat ballafaqohen.

Suksese në këto zgjedhje , kandidatëve të LDK-së ju uroi kryetari i SHZAP, Sami Dida.

Më pas u zhvillua një bashkëbisedim i gjatë i kandidatëve të LDK-së dhe drejtuesve të SHZAP-së, të cilët njoftuan mysafirët për shumë gjëra që i preokupojnë /TV Prizreni/