Home Blog Page 5973

Nait Hasani: Prizreni përcakton fatin zgjedhor në Kosovë

0

Pa pasur shenja se Qeveria do të bjerë, në Prizren shumë kohë më përpara liderët e të gjitha subjekteve politike vinin e shkonin për të përgatitur me siguri atmosfer- ën elektorale, me qëllim të grumbullimit të votave.

Sado që disa prej tyre në deklarata thoshin se Prizreni është qytet i qytetarisë, secili që vinte e takonte elektoratin e vet politik. Ata që pak kanë shije vrojtimi e hetuan se Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Nënkryetari i degës së PDK-së, Nait Hasani, për gazetën “Kosova Sot” pohon se Prizreni ka masa të mëdha politike dhe domosdo se është edhe njëri nga përcaktuesit e fatit zgjedhor në gjithë Kosovën.

“Bile po ky rregull vlen edhe për PDK-në, sepse ne e kemi këtë qytet si bazë orientuese. Tashmë mediat e kanë quajtur një lloj Jerusalemi, pra PDK-ja do të bëjë shumë që këtë qytet ta mbajë të vetin edhe për shumë kohë”, është shprehur ai

Limaj në Prizren: Vota për koalicionin AAK-Nisma, do të thotë fitore për Kosovën

0

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka ftuar të rinjët e Prizrenit, që në zgjedhjet e 11 qershorit të votojnë koalicionin AAK-Nisma.

“Nëse në zgjedhjet e 11 qeshorit qytetarët e votojnë koalicionin AAK-Nisma, fiton Koosova, por edhe dy partit që kanë qeverisur deri më tash, PDK-LDK, ndërkaq, nëse qytetarët i votojnë këto dy parti, atëherë do të humbë Kosova”, tha Limaj në një takim me të rinjët e Prizrenit, shkruan PrizrenPress.

Kryetari i Degës së Nimës në Prizren, Zafir Berisha, ka ftuar të rinjtë që të mobilizohen.

“Lista e kandidatëve për deputetë të Nismës është oferta më e mirë për ndryshime demokratike që duhet të ndodhin nga 11 qershori”, tha Berisha./PrizrenPress.com/

“Terminali Prizreni” paditë Ministrinë e Infrastrukturës për marrje të licencës

0

Padia ndaj Ministrisë së Infrastrukturës do të mbetet edhe më tutje në fuqi, ka deklaruar Kushtrim Bytyqi, përfaqësues i palës paditëse, “Terminali Prizreni”.

Sipas Bytyqit, Ministria e Infrastrukturës ka revokuar në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme licencën për terminalin doganor.  Në seancë nuk ishte prezent  pala e paditur  dhe mungesën nuk e kishte arsyetuar në asnjë formë.

Nga seanca e kaluar e paditura, Ministria e Infrastrukturës ishte detyruar që të sjell provat lidhur më çështjen, mirëpo e njëjta këtë nuk e ka bërë, andaj gjykatësja e rastit, Lirije Maksutaj vazhdoi tutje më administrim të provave që kishte në dispozicion.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i palës paditëse, Kushtrim Bytyqi kërkoi nga gjykata që të vendos për lëndën në mënyrë meritore dhe të detyrojë të paditurën të lejojë vazhdimin e licencës së revokuar.

Sipas padisë Ministria e Infrastrukturës më 14 shkurt 2013 i kishte revokuar licencën “Terminalit Prizreni” për licencimin e terminalit të mallrave. Revokimi ishte bërë me arsyetimin se poseduesi i licencës i kishte humbur kushtet e parapara me nenin 14 të Udhëzimit Administrativ nr 2006/19, për faktin se kompania nuk kishte qasje në objekt dhe infrastrukturë përcjellëse në bazë të cilës ishin pajisur me licencë./betimiperdrejtesi/

I akuzuari për posedim dhe shitje të narkotikëve kërkon marrëveshje me Prokurorinë e Prizrenit

0

V.  H. i akuzuar për posedim dhe shitje të substancave narkotike, të martën, ka kërkuar kohë nga gjykata që të arrijë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari, përmes avokatit të tij, Naim Qelaj, ka kërkuar që shqyrtimi fillestar të shtyhet me qëllim që t’u jepet një afat për negocimin e marrëveshjes me organin e akuzës.

Avokati Qela po ashtu ka kërkuar që ndaj të akuzuarit të ndryshohet masa e arrestit shtëpiak, në atë të paraqitjes në stacionin policor.

Prokurori i rastit, ka pranuar që të hyjë në negociata me të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij. Ai po ashtu nuk ka kundërshtuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke arsyetuar se qëndrimi në arrest shtëpiak do t’i llogaritet brenda dënimit me burgim.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka pranuar kërkesën e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, duke ia ka ndryshuar masën e sigurisë, ndërsa palëve u ka dhënë afat deri mw 2 qershor 2017, në ora 10:00, për të arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Ndryshe, rasti zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas të cilës, i akuzuari  më 31 gusht dhe 1 shtator 2016, ka transportuar substancë narkotike nga Shqipëria në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari këtë e ka bërë përmes një “bunkeri” të ndërtuar në automjetin e tij “Jaguar”, dhe më pas ia ka ofruar një personit për shitje. Tutje thuhet se policia ka bërë bastisje në shtëpinë e të akuzuarit dhe ka gjetur një sasi të lëndës narkotike të llojit marihuanë, prej rreth 700 gramë.

Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e përhershëm të substancës narkotike, automjetit “Jaguar” një revole TT, 40 fishekëve dhe 800 kapsolave ndezëse për eksploziv, shumën e parave prej rreth 23 mijë euro, një “Iphone”, dy “Samsung”, të cilët janë gjetur gjatë bastisjes në shtëpinë e të akuzuarit/betimiperdrejtesi/

Eqrem Kryeziu komenton kandidaturën e Avdullah Hotit

0

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dikur edhe udhëheqës i qytetit të Prizrenit, e ka komentuar kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër.
Kryeziu i cili njihet për akuzat tejet të ashpra drejtuar kryetarit aktual të LDK-së Isa Mustafës, thotë se nuk befasohet nga vendimet e këtij subjekti.

Ish-deputeti i Kosovës Kryeziu, duke komentuar kandidaturën e Hotit për kryeministër, deklaroi të martën për Express se erozioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës është duke vazhduar.

“Kandidati për kryeministër është çështje e secilës parti. Në qoftë se më pyetni si veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, atëherë mund të ju them se nuk befasohem: vazhdon erozioni i kësaj force politike”, u shpreh Kryeziu për Express.

Madje duke folur rreth kësaj situate, Kryeziu thotë se këto edhe ishin arsyet pse u largua nga LDK-ja.

“Paj, kjo ishte arsyeja pse i ka i dëshpëruar prej saj”, tha ai ndër tjerash.

Ish-nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, që ishte edhe kandidat për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Kosovë, e ka braktisur këtë parti, muajin mars të këtij viti.

Qe një kohë të gjatë ka kritika për udhëheqësit e LDK-së, por së fundmi janë bërë më të fuqishme, ndërkaq kohë më parë ai kishte deklaruar se fatkeqësi për Kosovën është Qeveria “Mustafa”.

Kryeziu, gjithmonë ka pasur poste të larta në LDK, madje ishte edhe deputet i saj në Kuvendin e Kosovës, për disa legjislatura me radhë. /D.K/GazetaExpress/

Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër

0

Kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit do të jetë Albin Kurti.
Klan Kosova merr vesh se ky subjekt politik tashmë ka vendosur për ta caktuar ish-liderin e kësaj partie si kandidat të saj, ndërsa zyrtarizimi pritet që të bëhet në një votim formal në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie.

Ndërkohë që sonte është edhe afati i fundit i caktuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor që partitë politike t`i paraqesin koalicionet me të cilët do të garojnë në këto zgjedhje, njofton Klan Kosova.

Krushë e Madhe: Kërkohet zbardhja e fatit të Ukshin Hotit

0

Në kuadër të “Javës së Ukshin Hotit”, sot në oborrin e shtëpisë muze të Ukshin Hotit, në fshatin Krushë e Madhe të Komunës së Rahovecit, u mbajt tubim senzibilizuës për zbardhjen e fatit të tij, me moton “Ku është Ukshin Hoti”, “Ai nuk i përket Harresës”.

Selami Hoti, kryetar i këshillit të fshatit Krushë e Madhe në fjalën e tij u shpreh se ju nxënësit duhet të mburreni se shkolla në të cilën ju ndjekeni mësimet mban emrin e Ukshin Hotit, profesorit, ideologut dhe politikanit të përmasave ndërkombëtare e gjithë kombëtare.
I pranishëm në tubimin e organizuar nga kryesia e këshillit të fshatit Krushë e Madhe ishte edhe Idriz Vehapi, Kryetar i Komunës së Rahovecit i cili ndër të tjera ka thënë për 18 vite me radhë, jemi duke u mbledhur këtu që të kërkojmë zbardhjen e fatit të profesorit të Ukshin Hoti i cili u zhduk 18 vite me parë në burgun e dubravës.

Ndërsa në emër të familjes së Ukshin Hotit, foli Etrit Hoti, i cili ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në tubim duke thënë se shteti ka bërë shumë dhe është duke u bërë shumë për Ukshin Hotin. Ai poashtu ka kërkuar që të jenë pjesë aktive, që filozofia politike e çështjes Shqiptare të jetë busulle për të ardhmen e vendit.

Akuzohet PDK-ja në Prizren për zaptim të projekteve

0

Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, nga radhët e opozitës, por edhe të koalicionit qeverisës, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mungesën e ftesave për ceremonitë e përurimit të projekteve të realizuara me buxhetin komunal.

Ata i kanë akuzuar zyrtarët e PDK-së për uzurpim të këtyre projekteve, pasi që konsiderojnë se në këto ngjarje ftohen vetëm militantët e kësaj partie, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shkas për këto reagime është bërë përurimi i objektit të ri të shkollës “Zenun Çoçaj” në Gjonaj, në të cilin projekt Komuna e Prizrenit ka investuar afro 1 milionë euro.

“PDK-ja i ka uzurpuar të gjitha projektet në Prizren. Në prerje shiritash sheh vetëm militant të kësaj partie. ‘Ju lumtë’!”, është shprehur në rrjetet sociale Fatmir Kastrati, këshilltar nga radhët e AKK-së, subjekt ky që bashkëqeveris me PDK-në në Prizren.

Ndërsa Haziz Hodaj nga radhët e LDK-së, që është në opozitë, ka pohuar se të premten e kaluar për herë të dytë është përuruar objekti i shkollës në Gjonaj, që është ndërtuar për 5 vjet e që sipas tij ende nuk është përfunduar…

Zgjedhjet që nuk prodhojnë zgjidhje

0

Shkruan: Blerim Burjani

Kosova nuk ka pasur nevojë fare për këto zgjedhje të parakohshme pa e kryer asnjë punë deri në fund. Një varg telashesh priten ta katandisin shtetin pas zgjedhjeve të parakohshme, për shembull kush ta zgjidhë Demarkacionin…? Askush prej këtyre njerëzve të dikurshëm, pozitë dhe opozitë! Kush do ta zgjidhë çështjen e themelimit të Ushtrisë dhe Asociacionit? Kosova mund të përballet me izolim ndërkombë- tar si rezultat i paaftësisë së lidershipit konfliktuoz, kryeneç dhe absurd, i cili përfundoi kot mandatin në gjysmë dhe pa asnjë përfitim nga qytetarët, kujt i intereson në opinion publik pse u prish një koalicion, PDK dhe LDK, dhe kujt më i intereson kush do të fitojë në zgjedhje të parakohshme nga qytetarët? As që merret më kush me këtë klasë politike të deritashëm, të cilët sollën varfëri dhe vulgarizim të politikës dhe institucioneve, paaftësi dhe apetite për kolltukë dhe për dërgim të familjarëve nëpër ambasada të Kosovës. Kush të zgjidhë tash çështjen e sigurimeve shëndetësore, që është e domosdoshme për qytetarët, kush do të merret me të papunët? Këta që ishin deri dje në institucione? Po kush u beson këtyre më? Dhe pse? Dështues të plotë nuk kanë dështuar për interesa personale, aty kurrqysh, por për interesa qytetare as që janë marrë me ata! Kush u mor me qytetarët kur ra Qeveria? Të gjithë vajtonin në mënyrën e vet, si pozita e deritashme edhe opozita, qysh ndodhi? Pse ndodhi? Pse u prishën e këso gjera banale pa kurrfarë fitimi prej kësaj pune nga qytetarët?

Po kujt i interesonte prishja tek qytetarët? Askujt, vetëm partiakëve dhe klientalave të tyre partiake.”Nëse këto parti, që ishin pjesë e pozitës dhe opozitës, fitojnë prapë, shtetin e pret një ngërç i ri, inatet personale dhe partiake, zhvatje të buxhetit, varfëri e gjithçka tjetër. Por, nëse veç fiton ndonjë subjekt i ri, i cili nuk ishte fare pjesë e Parlamentit, pra në skenë të jetë një parti e re, mund të jetë një shpresë për qytetarin, e cila shtetin do ta dërgojë më shpejt në BE dhe anëtarësim në NATO. Këto subjekte politike që 17 vjet kanë sjellë trazira dhe konflikt politik, kanë përçarë popullin dhe nuk kanë bërë gjë tjetër. Pra, pse të votohen këta njerëz të deritashëm, të cilët pa dallim janë të përgjegjshëm, për stagnim të realizmit të drejtave të qytetarëve, siç janë liberalizimi i vizave, zhvillimi ekonomik, Demarkacioni. Andaj nuk ka perspektivë shteti ynë, të cilin duhet ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë, të kemi rend dhe ligj, të ndalet korrupsioni, nepotizmi e të gjitha të tjerat. Kosovës nuk i duhen këto zgjedhje fare, Kosovës dhe qytetarëve u duhet zbatimi i projekteve që kam përmendur më lart. Mishmash i vërtetë, njerëz të shumtë kur s’kanë ndonjë profesion veten e gjejnë në politikë, sa shumë njerëz janë të interesuar të hyjnë për interesa personale? Krejtësisht njerëz të panevojshëm për politikën, njerëz pa profesion? Por, me ambicie të vetme të përfitojnë ndonjë kolltuk apo për t’u bërë ambasador.

Kush do të dalë në zgjedhje?

Një numër i vogël dhe simbolik mund të dalë në zgjedhjet e parakohshme, rënie të madhe do të ketë dalja e qytetarëve, përveç përfituesve partiakë. Këto zgjedhje janë joatraktive, joshpresëdhënëse për askënd nga qytetarët. Rinia është vetëdijesuar? Kur s’po munden të gjejnë vetën në Kosovë, atëherë po aplikojnë për të dalë nga shteti me “green kart” dhe në punësim në Gjermani. Profile të shumta kanë ikur dhe janë në ikje për një jetë më të mirë, profesorë, mjekë, inxhinierë, këngëtarë, artistë dhe gjithçka tjetër. Kosova po mbetet shtet vetëm i atyre që po përfitojnë nga politika… Dalja e qytetarëve në zgjedhje do të jetë sfida më e madhe e shtetit tonë, ka pak të interesuar për këtë temë që vlerësohet nga të rinjtë si e kotë. Dalje për çka?Për të ricikluar korrupsionistë, familjarë, politikë, e njerëz përfitues personal dhe shëtitës nëpër botë në emër të buxhetit te Kosovës, për njerëz që kane ngritur pensione për deputetë dhe kanë rritur paga dhe kanë adoptuar ligje në rast se s’janë më në politikë, mund të kthehen aty ku ishin, të punojnë në shërbim civil të shtetit? Po kush do të merrej në botën perëndimore me këtë kategori njerëzish? Askush, gjemani një shteti ku deputetët rrisin paga për veti, askund. Qytetarët e këtij shteti duhet të vetëdijesohen skajshmërisht se i pret ngërç i sërishëm i madh dhe paaftësi për t’u marrë me shtetin. Përderisa në Suedi një deputet paguhet me mëditje dhe këshilltari komunal vetëm pesëdhjetë euro për seancë, në Kosovë paga e deputetit synohej të bëhej rreth dy mijë euro. Rumania dhe Bullgaria gjithashtu si vende që hynë në BE kishin zbritur të gjitha privilegjet, pra për të shërbyer shtetit dhe qytetarit nuk ka nevojë të ketë fare privilegje. Pra, duhet te hiqen të gjitha privilegjet, kjo është rruga për të nxitur njerëzit të merren me ekonomi tregu, por jo me politikë, në ekonomi të tregut merren vetëm njerëzit e pasur ekonomikisht dhe klasat sociale, pra të pasurit, të varfrit dhe klasa e mesme, të cilët organizohen në parti për të mbrojtur interesat ekonomike.

Kosova dhe ngërçet

Shtetin e pret një ngërç i ri, po qe se këta njerëz vijnë në pushtet prapë, pra hynë në Kuvend. Këta njerëz, të cilët e kanë problem për të shkruar “ese për pranverën” , do të rroken sërish për interesa personale, se kush do të marrë postin e kryeministrit. Nuk është me rëndësi a është parti e vogël a e madhe, këta kërkojnë pa dallim të marrin postin e kryeministrit, apetitet e mëdha e “takatin kërkah”, kështu e shpjegoj unë, këta njerëz gënjejnë pa këputë e pa ndalë, se kanë vija të kuqe, a të “bojkafta”, përndryshe këta njerëz, që quhen liderë, që kanë themeluar parti – organizata private, kuptohet qëllim apo synim të tyre e kanë pa dallim postet publike dhe interesat e tyre në radhë të parë personale, materiale apo pasurimi, pastaj familjarë dhe partiakë. Ngërçi mund të riciklohet,gjasat janë reale që këta njerëz ta sjellin skenarin e Maqedonisë në Kosovë, me ngërç e karrige e dhunë dhe konflikte personale? Jemi në pozitë të keqe shumë me këtë kategori njerëzish të deritashëm që përbënin pozitën dhe opozitën, sepse këta deri tash ishin shembulli më negativ i mundshëm i zbatimit të vullnetit të qytetarëve.

Koalicionet apo pazaret partiake?

Shumë koalicione përmenden, por s’po përmendin asnjëherë zgjidhje, kujt po i interesojnë kush me kë po bëhet, qytetarit i intereson kush po realizon interesin e tyre e jo kush me kë po bëhet? Krejt koalicionet janë të hapura, “të gjithë me të gjithë”, pra s’ka rëndësi a janë të majtë a të djathtë, a çka janë? Me rëndësi është posti i kryeministrit? Por, këto parti të vogla apo copëza secila ka interesin e madh sa partitë e mëdha, vështirë e kanë për t’u bërë bashkë dhe për ta mundur PDK-në. Meraku i madh, por mundësitë e vogla, kështu unë e shpjegoj këtë. Pra, këtu s’ka dallim fare në mes tyre, të gjithë të gatshëm të hyjnë në koalicione me para, kështu është situata, politika po ofron në Kosovë shkollim, karrierë, poste, perspektivë, të gjitha, për këtë arsye është aktiv interesi për t’u marrë me politikë, pse të merresh me zanat dhe mezi të mbetesh gjallë ekonomikisht, më mirë të bëhesh partiak e i pasur, kështu mendohet në Kosovë. Ende është herët për të bërë koalicione apo është vonë. E para, herët është se askujt nuk i konvenon për ta proklamuar koalicionin me dikë kur s’dihet fare rezultati zgjedhor, e dyta, vonë nëse e humbin matematikën e tyre e presin pas rezultatit për t’u marrë me këtë temë, kjo është më tërheqëse edhe për partitë e mëdha, edhe për “goglat e vogla” apo partitë e vogla.

Dekriminalizimi i politikës dhe vetëpastrimi i shtetit nga krimi

0

Shkruan: Margarita Kadriu

Kur je jashtë partive, gjërat i shikon me një dimension tjetër, prej atij që zbulon, pasi ke vendosur të jesh e angazhuar në një subjekt, i cili zotohet se do të bëjë ndryshimet që i prêt shoqëria. Njerëzit kritikë, jokonformistë dhe jomilitantë, pasi binden se përmes sipërmarrjes së tyre te suksesshme personale, profesionale, biznesore, mediale, nuk mund të arrijnë më shumë rezultate për shoqërinë, natyrshëm angazhohen për të kontribuar edhe në jetën politike. Kësisoj, para rreth tre vjetësh vendosa të jap kontributin tim në avancimin e proceseve dhe të zhvillimit të demokracisë në vend, me idenë se pa qenë pjesë e vendimmarrjes nuk mund të ushtrosh ndikimin pozitiv, në favor të të gjithë qytetarëve tanë.

Kur zgjedh një parti, nuk është e lehtë, sepse presionet shtohen nga brenda dhe nga jashtë. Të pretendosh të ruash identitetin tënd njerëzor, profesional, politik, në një mjedis partiak kosovar, është shumë e vështirë. Edhe më e zorshme bëhet një gjë e tillë, kur i bashkohesh një partie, e cila, në fakt, më vonë e merr vesh se nuk është thjesht një subjekt politik, por një korporatë e sofistikuar dhe tejet e ndërlikuar, ku krerët kanë secili hisen e vet. Dhe, këtu nuk është fjala për kapital privat të tyre, të ndërtuar me mund e djersë për vite të tëra, siç e di nga përvoja ime në ndërmarrësi, por për atë hisen e madhe publike që merret nga shteti, së cilës kush më shumë e më pak, kur vijnë në pushtet, i gjuhen për ta ngrënë deri në fund.

Kështu, angazhimi im i sinqertë në partinë aktualisht më të madhe në vend hasi me shpejtësi që në ditët e para me një skenar të planifikuar nga brenda, sikur edhe nga mercenarët jashtë subjektit, në pengesa, shantazhe, shpifje, bllokada, mashtrime, linçime. Kur sulmet të vijnë nga qarqe të zakonshme brenda apo jashtëpartiake, që gjithë ditën merren me thashetheme poshtë e lart, kjo nuk është shumë problematike, por kur e mëson se burimi i goditjes vjen pikërisht nga brenda, situata bëhet tepër serioze. Në rrethana të tilla, përpjekjet, sado të forta, janë të pafuqishme për ta sjellë frymën e re, për një parti më të mirë, institucione më të forta, qeverisje më transparente dhe në shërbim të qytetarëve.

Për të mos e lejuar veten që të zhytesh në këtë llum, ajo që mund të bësh si hap i parë është distancimi i plotë dhe largimi, gjë që unë e bëra menjëherë pas disa muajsh, duke dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së atij subjekti.

Si përfaqësuese e popullit dhe deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jam munduar të ngre çështje të rëndësishme, që preknin interesat e njerëzve, por nismat serioze nga unë, që synonin hetime të aferave, skandaleve, informalitetit, kontrabandës, monopoleve, ishin të destinuara të mos kenë sukses. Në momentin që prek interesat e partive-korporatave, të prêt një bllokadë e jashtëzakonshme. Individualisht, pra, është një betejë e humbur, por megjithatë, mund të ketë efekt në opinionin publik, në ndërgjegjësimin e shoqërisë.

Qysh në fillimin e mandatit si deputete e pavarur, e ngrita zërin për vjedhjen e buxhetit përmes informalitetit e kontrabandës, pastaj për monopolet që mbushin xhepat e kontot e oligarkëve dhe zbrazin ato të qytetarëve, ose të arbitrazheve që po e godasin Kosovën financiarisht, si dhe shumë e shumë probleme të tjera, mirëpo si zë i vetëm dhe i pavarur nuk ke fuqi t`i ndryshosh gjërat. Tash, kur është koha e fushatës, shumë prej ish-kolegëve deputetë mund t’u rikthehen këtyre temave, vetëm sa për konsum elektoral, por kjo është një hipokrizi që besoj se nuk mund të shitet më te votuesit deri diku të ndërgjegjësuar kosovar.

Pikërisht për shkak që ngrita problemet më të mëdha rreth korrupsionit e krimit të organizuar, që po zhvat qytetarët e Kosovës, shumë shpejt u “shpërbleva” nga nëntoka e inkriminuar dhe “portalet” mercenare me fushata linçuese, bilborda, shpifje në baza ditore, shpërthimin e gomave të veturës para banesës sime në Prishtinë e deri te paralajmërimi se do të ma “mbyllin gojën përgjithmonë”!

Policia, edhe pse ka hapur rastin e shpërthimit të katër gomave të veturës para derës se banesës sime, deri më sot nuk kanë bërë asnjë lëvizje dhe nuk ka asnjë rezultat të hetimeve!

Dua të njoftoj opinionin publik se prej momentit kur fillova punën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra për 2 vjet e gjysmë, unë pata oferta prej pothuajse të gjitha partive parlamentare, pozitë e opozitë. Ofertat vazhduan pa ndërprerë deri në momentin kur unë po shkruaj, mirëpo me insistimin e mijëra qytetarëve që më kanë përkrahur gjatë tërë këtyre viteve, unë kam REFUZUAR të gjitha ofertat e partive aktuale politike parlamentare. Për të qenë vetëm një FIGURË që merr post të lartë dhe duhet të mbyll gojën para dëmtimit e shkatërrimit të shtetit, kam mundur të vazhdoj ta bëj nga pozita e nënkryetares së partisë ku kisha aderuar tre vjet më parë dhe ku qëndrova vetëm pak muaj. Qëndrova e pavarur për afro 3 vjet dhe jam e sigurt se për të bërë ndryshimin nga brenda strukturave, në partitë aktuale politike në Kosovë, biles për momentin, është ende një MISION I PAMUNDUR.

Po qe se bëhesh pjesë e sistemit të tyre, duhet të jesh “I DËGJUESHËM”, “SERVIL” ,”KUKULL” dhe mundësisht vetëm “ZËDHËNËS” i shefave, qofshin ata brenda partive apo financuesve të tyre.

Gjithsesi, duke e parë se mundësitë për të ndikuar që Kosova të bëhet shtet i qytetarëve e shtet ligjor dhe të fillohet puna e mirëfilltë për një zhvillim ekonomik dhe sundim të rendit e ligjit, për një zhvillim në shëndetësi dhe arsim tërësisht ndryshe nga kjo që kemi, e shumëçka tjetër që duhet ndryshuar, ende nuk ka asnjë shans të bëhet nga partitë aktuale politike në vend, andaj dhe kam vendosur që për këto zgjedhje të refuzoj të gjitha ofertat, pasi jam bindur se ndryshimi nuk mund të bëhet përmes strukturave aktuale politike.

Mirëpo, misioni im nuk përfundon me kaq. Unë do t`i kthehem familjes time, mirëpo po ashtu planifikoj që të filloj një projekt të ri, së bashku me të gjithë përkrahësit e mbështetësit e kauzës time për një Republikë të re, ku detyrimisht sundon rendi e ligji, si në një shtet të së drejtës, me një zhvillim të hovshëm ekonomik e mirëqenie sociale përmes punësimit në masë të qytetarëve , me një zhvillim të shëndetësisë dhe arsimit që po lëngojnë, për të ndërtuar një forcë të re e të shëndoshë politike nga e para me njerëz të rinj, të merituar e me shumë vullnet, pa u nxituar që qysh tani të jem pjesë e institucioneve, të cilat do të krijohen pas zgjedhjeve të 11 qershorit, institucione, të cilat mund të kenë punën gati të njëjtë e pa bërë ndonjë diferencë e ndryshim pozitiv me këto aktuale. Me këtë garniturë të skenës aktuale politike, ndryshimi përfundimisht është pothuajse i pamundur.

Falënderoj votuesit e mi, të cilët me votën e tyre ma mundësuan të përfaqësoj për gati tre vjet interesat e tyre dhe të adresoj problemet thelbësore të tyre dhe të vendit. Shpresoj po ashtu që një ditë edhe partitë e tjera do të reformohen thelbësisht nga siç janë tani, të vetëçlirohen apo të detyrohen të çlirohen nga epshi për të sunduar e për të përfituar pa meritë, ashtu që në vend se të jenë e të mbesin korporata përfitimi, politika duhet të pastrohet e të dekriminalizohet e të kthehet detyrimisht në shërbim të qytetarëve, gjë që është shumë e vështirë se do të ndodhë pa i votuar në Parlament dy reforma të mëdha paralele: e para, për dekriminalizimin e plotë të politikës aktuale në vend dhe e dyta, përmes reformës së “Vetting”-ut ose vetëpastrimit në drejtësi, dhe në të gjitha institucionet publike të shtetit të kapur. Deri atëherë, ju ftoj të punojmë dhe të gjithë aty ku jemi, së bashku të kontribuojmë, që sa më parë të dy reformat të bëhen realitet për shpëtimin dhe zhvillimin e Republikës sonë të përbashkët, ku të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë para ligjit, pra ku sundon ligji e ligjshmëria, dhe jo “Maliqi”, trafikimi e oligarkia.

(Autorja është ish—deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës)

(Kosova Sot)