9.6 C
Prizren
E hënë, 6 Prill, 2026
Home Blog Page 5977

Prizren: Dënohen me nga 250 euro gjobë të akuzuarit për lëndime të lehta trupore

0

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar të akuzuarit Lumni Salihu dhe Kabir Bajra, më nga 250 euro gjobë, për shkak se kanë kryer veprën penale” lëndime të lehta trupore”. Aktgjykimi në fjalë u shall të mërkurën, nga gjyqtari Gani Kastrati, pasi të njëjtit, pa angazhuar mbrojtës, e pranuan fajësinë.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua as nga prokurorja Sahide Sefa.

Sipas aktakuzës, Lumni Salihu me 3 korrik 2014, rreth orës 1:20 në fshatin Lubizhd, komuna e Prizrenit, i shkakton lëndime të lehta trupore, të akuzuarit të dytë Kabir Bajra, duke goditur gjamin e automjetit fillimisht. Pasi që Bajra del nga automjeti, të dy fillojnë të përleshen, duke shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria i ngarkonte të dy me veprën penale “lëndime të lehta trupore”, nga neni 188, paragrafi 1, të Kodit të Ri Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit./betimiperdrejtesi/

Prizren: Enver Muqaj mohon të ketë penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave zyrtare

0

Enver Muqaj, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, mohoi së i ka penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave të tij zyrtarë.

Pas leximit të dispozitivit të akuzës nga prokurorja Mehreme Hoxha, i akuzuari Muqaj, i cili nuk kishte të angazhuar mbrojtës, u deklarua i pafajshëm për veprën me të cilën ngarkohet.

Gjykatësja e rastit Tetuta Krusha, e caktoi shqyrtimin e radhës për 24 prill 2017,  në ora 14:00.

Muqaj akuzohet se me 6 dhjetor 2015, rreth orës 01:30, në Prizren, pikërisht në Stacioni Policor, kanosë seriozisht personat zyrtar. I akuzuari pasi që ishte ndaluar në rrugë nga policia, për kontroll rutinë, provokon me fjalët “çka e keni kap me kaq hez”, pasi automjetin e tij kundërmonte era alkool.

I njëjti  urdhërohet që së bashku me pasagjerët të zbresin nga automjeti, ku në momenti Muqaj i’u drejtohet zyrtarëve policor me fjalë të ndyta, dhe kërcënuese. Tutje, sipas aktakuzës i akuzuari po ashtu reziston në stacion policor, duke gjuajtur karrigen dhe tavolinën, më c rast i shkakton lëndime trupore zyrtarit policor Arben Elshani, pasi që e shtynë, dhe i njëjti bie me kokë në muri.

Muqaj është akuzuar për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës , e cila vepër dënohet me burgim prej një deri në pesë vite./betimiperdrejtesi/

 

Fatmir Limaj: Nisma është e para në Prizren

0

Sipas Fatmir Limajt, kryetarit të Nismës, nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet partia e tij do të fitonte së paku 8 për qind.

Limaj në Interaktiv të KTV-së ka kundërshtuar sondazhin e fundit të publikuar nga Vetëvendosje që këtë lëvizje e nxirrte si forcën e parë politike, ndërsa partinë e Limajt e linte jashtë Kuvendit. Ai thotë se është i bindur se partia e tij do të fitojë së paku dhjetë ulëse në Kuvend.

“Nëse shkojmë sot në zgjedhje, ne kemi 8 për qind, apo 10 deputetë. Besoj që secila parti politike mban sondazhe. Edhe ne bëjmë, por të brendshme jo publike. Herë në nivel vendi herë në komuna”, ka thënë ai.

Bindje ka shprehur edhe në ndryshimin e qeverisjes duke thënë se qytetarët më nuk do të votojnë për koalicionin aktual qeverisës.

“Opozita e ndarë fiton zgjedhjet. Nesër në zgjedhje e them me bindje se qytetarët me shumicë po rreshtohen kah opozita. Kërkesa për ndryshim pushteti është rritur. Ne me AAK-në do të dalim të parët. Por edhe nëse fiton VV-ja është vullneti i popullit dhe duhet të pranohet. LDK-PDK do të jenë në opozitë. Jam i bindur”, ka shtuar ai.

Limaj po ashtu ka deklaruar se partia e tij, sipas sondazheve, është e para në Prizren. Ka thënë se Nisma në këtë komunë do të garojë me deputetin Zafir Berisha.

Granit Xhaka: Zvicra është shtëpia ime e parë,para Kosovës dhe Shqipërisë

0

Njëri nga yjet më të mëdhenj që ka Përfaqësuesja e Zvicrës është Granit Xhaka, i cili luan në Arsenal.

Ai në një intervistë të gjatë për ‘Blick’ flet për ekipin e Zvicrës, gjasat për kualifikim, Arsenalin, kartonët e kuq, por edhe për prejardhjen e tij nga Kosova dhe letrën që kishte shkruar për tifozët e Kosovës.

Në fillim Xhaka thotë se ende nuk ka vendosur se kur do të martohet, ndërsa nuk beson se kjo do të jetë gjatë verës së vitit 2018, pasi është Kampionati Botëror në Rusi. Xhaka u ishte drejtuar tifozëve nga Kosova mbi vendimin për të luajtur për Zvicrën, por nuk ka frikë se kjo do të ketë ndikim tek tifozët zviceranë.

“Unë kam lindur në Zvicër, jam rritur dhe shkolluar këtu dhe i jam mirënjohës gjithmonë Zvicrës për çdo gjë. Zvicra është shtëpia ime e parë. Para Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo do të mbetet kështu. Por, prindërit e mi janë nga Kosova. Unë kam gjak shqiptari. Kështu janë gjërat. Nuk po gënjej asgjë. Unë jam i hapur dhe i sinqertë. Ky është karakteri im. Jam aktor i keq. Vendimi nuk ishte kundër Kosovës. Unë vendosa të luajë për Zvicrën”, ka thënë Xhaka për ‘Blick’, i provokuar nga gazetari për “mungesë lojaliteti” ndaj Zvicrës.

Ai njihet për shpirtin luftarak, derisa ka deklaruar se ëndërron që një ditë të jetë kapiten dhe shiriti do ta bëjë atë krenar. Graniti ka shtuar se vëllai i tij, Taulanti është model për të dhe jo vetëm në fushë, por edhe në jetë.

Xhaka gjithashtu ka folur për skuadrën e tij Arsenal, kartonët e kuq që i merr, derisa ka theksuar se shoqërohet me bashkëlojtarë që flasin edhe gjuhën gjermane, siç është edhe Shkodran Mustafi

Mushkolaj: Projektligji për FSK-në duhet të procedohet, inatet partiake të lihen anash

0

Inatet individuale dhe partiake nuk duhet të pengojnë një proces shumë të rëndësishëm siç është transformimi i FSK-së në ushtri.

Kështu tha për Telegrafin analisti Imer Mushkolaj.

Ai tha se ekziston një kohë e përcaktuar me ligj për dërgimin e projektligjit të FSK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, nëse Qeveria nuk e bën e procedon Projektligjin në Kuvendin, atëherë vet Kuvendi do ta procedojë Projektligjin për lexim të parë.

“Nuk ka nevojë të këtë kurrfarë zvarritjeje për këtë çështje, pavarësisht mospajtimeve ekzistuese. Inatet individuale e partiake nuk duhet të pengojnë një proces shumë të rëndësishëm, siç është transformimi i FSK-së në ushtri”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa, këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ditë më parë ka thënë për Telegrafin se Projektligji është gati mirëpo pritet që partnerët e koalicionit të merren vesh për ta dërguar Projektligjin në Kuvend.

Telegrafi ditë më parë ka raportuar se Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka marr dritën e gjelbër nga tri ministritë, ajo e FSK-së, Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Ministrisë së Financave.
Ndryshe, ky projektligj është dërguar në Kuvend nga presidenti Hashim Thaçi, por Kuvend e kishte proceduar në Qeveri për ta marrë mendimin edhe të ekzekutivit. /Telegrafi/

Lamtumirë Napoli, Hysaj pranë gjigantit të Champions Leagues

0

Transferimi i mbrojtësit shqiptar të Napolit, Elseid Hysaj po konfirmohet gjithmonë edhe më shumë për një të ardhme drejt Bajernit të Mynihut.

Janë mediat italiane të cilat shkruajnë se me largimin në fund të sezonit të Lahmit, bavarezët kanë shtuar interesimin për Hysajn.

Sipas burimeve të “Tuttomercatoweb” ekipi i drejtuar nga Carlo Ancelotti është vënë në kërkim të një mbrojtësi të djathtë dhe të gjithë emrat të çojnë te mbrojtësi shkodran.

Gjithashtu raportohet se Bajerni po interesohet edhe për Matia De Sciglion por ende nuk e ka vendosur për të bërë ofertën zyrtare.

Kosova zhvillon stërvitjen në “Loro Borqi”

0

Përfaqësuesja e Kosovës, sot zhvillon stërvitjen e parë në Stadiumin “Loro Boriqi”, një ditë para takimit me kundërshtarin e radhës, Islandën.

Stërvitja zhvillohet nga ora 17:00 dhe vetëm pak minuta do të jetë e hapur për media, për të vazhduar pastaj me seancë të mbyllur.

Po ashtu, sot të dy përfaqësueset do të mbajnë konferencë për media.

Zgjedhjet mbahen pa dekriminalizim

0

Spektri politik i Kosovës dhe institucionet nuk janë akorduar që ta hapin një proces të dekriminalizimit para zgjedhjeve të reja, si lokale edhe ato parlamentare. Edhe përkundër hapjes së një debati nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, që propozoi ndalesën e përfshirjes në lista zgjedhore të individëve me dosje hetimore, por edhe punësimi në pozita të larta të administratës publike të shtetit në të tri pushtetet, që është nisma e vetme serioze dhe e mundshme që të realizohet, madje edhe pa ndërhyrje në Kushtetutë, shihet qartë që nuk ka vullnet të merret seriozisht nga subjektet politike.

Derisa përfaqësues të pozitës janë në favor të përgatitjes së mirë të zgjedhjeve të reja, duke vepruar edhe për krijimin e bazës ligjore që të ndalohet kandidimi i individëve me të kaluar kriminale dhe me dosje hetimore, opozita e kundërshton një gjë të tillë dhe kërkon që të shkohet në zgjedhje, derisa këto tema të hapen vetëm pas krijimit të institucioneve të reja paszgjedhore. Në favor të opsionit të parë është deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

“Do të ishte shumë e rëndë- sishme për të ardhmen e Kosovës të kemi një ligj për lista të pastra zgjedhore, në të cilat nuk do të kenë të drejtë të jenë personat me të kaluar kriminale, si dhe ata që janë nën hetime dhe kanë aktakuza të ngritura. Ky veprim do ta pastronte deri-diku skenën politike të Kosovës, e cila është e stërmbushur me elementë kriminalë”, tha Salihaj për “Kosova Sot”. Mirëpo, kjo mundësi në kushtet e tanishme kundërshtohet nga të gjitha subjektet politike të bllokut opozitar, vetëm për faktin pse iniciativa po del nga presidenti i vendit.

Ku ishte ish-kryeministri…

Pal Lekaj, nga AAK-ja, thotë se një propozim i tillë ka mundur të vijë që në mandatin e kaluar qeverisës, derisa vendi udhëhiqej nga PDK-ja dhe kryeministër ishte presidenti i tanishëm, propozimi i të cilit shihet propozim jo i sinqertë, me qëllime të paramenduara kundër individëve të caktuar, që të eliminohen nga politika. “Ku ishte “presidenti” deri dje…ai ishte kryeministër dhe ka flirtuar me të gjithë këta, të cilët sot po pretendon t’ua pa mundësojë marrjen me politikë apo punën në pozicione të larta”, është shprehur ai. “Ligjet që janë në fuqi kanë mjaftueshëm ingerenca për t’ua pamundësuar këtyre personave, që të jenë në përfaqësimin e publikut apo të menaxhojnë me vendime të mëdha në emër të shtetit, po është njëri nga ta, kryeministri i djeshëm e “presidenti” i sotëm, i cili me qeverisje të keqe e ka bërë që këto ligje të mos implementohen drejt e ndoshta edhe të përkrahen këta persona. Çdo veprim dhe iniciativë që shkon në drejtim të “pastrimit” të politikëbërjes dhe vendimmarrjes është për t’u përshëndetur, por këto gjëra nuk janë aspak të mira, kur bëhen vetëm për protagonizëm dhe për të ‘larë’ veten”, tha Pal Lekaj për “Kosova Sot”.

Propozimi i pasinqertë

Ndonëse parimisht e sheh si proces të domosdoshëm dekriminalizimin e politikës edhe deputeti Ismail Kurteshi nga ‘VETËVENDOSJE’, thotë se propozimi i tanishëm është i pasinqertë dhe me prapavijë të caktuar politike, prandaj edhe nuk është kohë e qëlluar që të punohet në atë drejtim. “Kohëve të fundit zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët kryesisht janë të implikuar në krim e korrupsion, kanë dalë me iniciativa në parim të mira, por që pas tyre fshihen skenarë të caktuar, që dëshmojnë se këto iniciativa bëhen për interesat e propozuesve e jo për të mirën e vendit”, theksoi ai.

“Vërtet është mirë që në listat zgjedhore të futen njerëz të pastër moralisht, madje është e domosdoshme që edhe ata që emërohen të jenë të dëshmuar si njerëz të ndershëm, punëtorë dhe njerëz që e duan këtë vend. Për arritjen e këtij qëllimi janë të domosdoshëm disa hapa paraprakë. Ata që propozojnë dhe ata që gjykojnë (vlerësojnë) duhet të jenë vetë të pastër, të pakorruptuar dhe të pandikuar nga kupola e korrupsionit dhe krimit, sepse vetëm ata që janë vetë të pastër dhe të që nuk ndikohen mund t’i identifikojnë ata që nuk bën të hynë në lista dhe as të emërohen në funksione të ndryshme në institucione”, është shprehur Kurteshi. “Derisa drejtësia është e kapur nga ata që duhet të jenë objekt i drejtësisë dhe derisa në Kuvendin e Kosovës e kemi Listën Serbe dhe ministrat serbë që punojnë hapur kundër Republikës së Kosovës dhe ata mbeten të paprekshëm bashkë me krerët e korruptuar të institucioneve, kjo është një iniciativë që synon sigurimin e pushtetit për ata që duhet urgjentisht të largohen nga pushteti dhe të ndiqen nga organet e mirëfillta të drejtësisë, që sot nuk i kemi, për keqqeverisje dhe keqpërdorim të pushtetit. Megjithatë, iniciativa në parim është e mirë”, tha deputeti Kurteshi.

Thaçi u tërhoq nga padia kundër Serbisë

0

Ndonëse një vit më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati paralajmëruar padi të shpejtë nga institucionet e Kosovës ndaj Serbisë, për krime lufte dhe gjenocid, koha po kalon dhe ai ka filluar të merret me tema të tjera, sikurse dhe Qeveria e Kosovës. Zotimi për padi kundër Serbisë po mbetet një retorikë vetëm për konsum e mashtrim dhe gënjeshtër e ligë politike. Gazeta ka adresuar edhe pyetje konkrete në presidencë për të mësuar se në çfarë faze është procesi përgatitor për një padi të tillë, dhe kur do të ushtrohet ajo, por nuk ka marrë përgjigje.

Njohës të fushës së drejtësisë dhe analistët politikë vazhdojnë të jenë shumë kritikë karshi faktit që institucionet nuk kanë bërë asnjë hap për ta paditur Serbinë, jo vetëm për gjenocid, por edhe për dëmet e luftës që i ka shkaktuar gjatë luftës së fundit. Bile edhe ato padi që janë ushtruar nëpër gjykatat e Kosovës nuk janë shqyrtuar, ose janë refuzuar pa asnjë baze ligjore. “Paralajmërimi i një viti më parë dhe me pompozitet i presidentit Thaçi, se do të ngrejë padi kundër Serbisë për krimet e luftës, nuk ishte asgjë tjetër, veçse një retorikë për konsum të brendshëm politik dhe mashtrim i radhës për qytetarët. Gënjeshtra dhe hipokrizia politike e Thaçit, iu kthye bumerang qytetarëve të vendit”, është shprehur analisti Florim Zeqa.

Koncesion pas koncesioni

Sipas Zeqës me veprimet e pamatura politike, me përulje nënshtruese e poshtëruese pranë varrezave dhe lapidarëve serbe, me mbishkrimin “Viktima të terrorit shqiptar”, presidenti i ka hapur rrugën Serbisë gjakatare për ngritjen e akuzave ndaj shqiptarëve e në veçanti ndaj luftëtarëve të lirisë. “Si rezultat i këtyre veprimeve dhe mungesës së ngritjes së një aktakuze nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës ndaj Serbisë për gjenocid dhe për dëmet e luftës, kësaj të fundit i ka lehtësuar punën për marrjen e ofensivës në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, e cila kryesisht do të merret me krimet e shqiptarëve!”, tha analisti politik Florim Zeqa. Ai konsideron se heshtja dhe indiferenca e institucioneve shtetërore të Kosovës për 18 vite rresht ndaj krimeve serbe, përveç rehabilitimit politik e ka amnistuar Serbinë për krimet monstruoze të luftës në Kosovë.

“Akuzat dhe paditë individuale ndaj shtetit serb në gjykatat e Kosovës, nuk janë shqyrtuar ose janë refuzuar pa asnjë bazë ligjore, me qëllim që të kursehet Serbia, si ish-shtet i tyre okupues, por edhe sot i respektuar nga politika e Gjyqësori i nënshtruar, i mjerë dhe i inkriminuar skajshmërisht”, ka thënë ai. “Bazuar në përvojat e deritanishme, deklarimet pompoze të Thaçit, gjithnjë kanë përfunduar me koncesione politike ndaj Serbisë. Andaj edhe iniciativa e fundit e tij, kokë më vete pa u konsultuar fare me spektrin politik vendor dhe miqtë ndërkombë- tarë për bërjen e ushtrisë me projektligj, shumë lehtë mund të përfundojnë me koncesione të reja për Serbinë dhe me pasoja afatgjata për vendin, si pasojë e lëkundjes së raporteve fqinjësore me aleatin dhe sponzorizuesin e pavarësisë së shtetit tonë-SHBA-të dhe NATO-n!”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Presioni i Speciales

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se me këtë temë vazhdimisht ka pasur shumë taktizime politike, por nuk është bërë asnjë lëvizje përpara. “Për një kohë të gjatë është testuar ngritja e padisë ndaj Serbisë për krime lufte të bëra në Kosovë, sikurse edhe për dëmet e mëdha ekonomike që i ka shkaktuar shteti serb Kosovës. Një kohë të gjatë ka pasur mendime se BE-ja nuk e dëshiron këtë ngritje të padisë ndaj Serbisë, për shkak të dialogut që mund të vihet në pyetje, varësisht prej zhvillimeve dhe agresivitetit serb ndaj njerëzve të luftës dhe akuzave të saj”, ka thënë ai. Sipas tij, tani edhe retorika e Thaçit ka ndryshuar pas themelimit të Gjykatës Speciale dhe akuzave të Dick Martit, edhe më pastaj kjo retorikë ka vazhduar me shumë zhurmë për ngritje padie ndaj Serbisë varësisht nga zhvillimet, që janë politike në Kosovë. “Deri më tani asnjëherë nuk u bë publik materiali i mbledhur për krime lufte të Serbisë në Kosovë, andaj edhe opinioni nuk është fare i njoftuar se çka përmban akuza e plotë ndaj Serbisë, nëse ajo veç është përgatitur eventualisht”, potencoi ai. Sipas Burjanit në saje të presionit që bën Gjykata Speciale ndaj disa individëve të fuqishëm edhe politikisht financiarisht mund të ndodhë që të ngrihet ndonjë padi edhe ndaj Serbisë, por kjo mbetet të shihet në vazhdim, edhe pse realisht zhvillimet politike në Kosovë janë mjaft të ndjeshme, që po përcillen edhe me tensione, që mund të çojnë për një kohë më të shpejtë në zgjedhje të parakohshme nacionale.

Biznes me vrasje

0

IMER MUSHKOLAJ

LDK ka nisur sërish betejën për vota, në kurriz të anëtarëve të vet, të vrarë pas luftës. Aspak e moralshme e fort hipokrite të dëgjosh sërish akuza në drejtim të SHIK’ut e PDK’së, nga zyrtarë të kësaj partie që iu futën vullnetarisht në shtrat Hashim Thaçit e Kadri Veselit për ta qeverisur Kosovën.
Sa herë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të vet, zakonisht zgjedhjet janë afër. Ka vjet që kjo parti bën biznes me këtë çështje të dhimbshme. Siç ka vjet që drejt partisë rivale, PDK’së dhe shërbimit të saj të fshehtë, SHIK’ut, drejtohet gishti nga eksponentë të LDK’së, si përgjegjëse për këto vrasje. Por, LDK’së i bie ndërmend të bëjë akuza për vrasjen e aktivistëve të vet vetëm kur i vjen përshtati një grupi udhëheqës të saj.

LDK ka qenë pjesë e pushtetit, në një mënyrë a tjetër, gjatë gjithë pasluftës. Po të kishte vullnet të sinqertë, çështjen e vrasjeve do ta çonte në fund. Kjo nuk ka ndodhur, madje LDK ka stopuar edhe iniciativa që kishin këtë qëllim.

Deputetja Vjosa Osmani kishte ndërmarrë nismën për të diskutuar në Kuvend për këto vrasje, por ishte ndaluar nga vetë partia e saj. Siç kishte rrëfyer Osmani, grupi parlamentar i LDK’së I kishte thënë asaj se nuk bën të flasë për vrasjet politike. Po ashtu, deputetët e LDK’së nuk kishin përkrahur nismën për krijimin e një komisioni parlamentar që do të merrej me këtë çështje.

Zbardhja e vrasjeve politike ishte kërkuar nga Isa Mustafa dhe drejtues të tjerë të LDK’së gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2014, por pas koalicionit me PDK’në, kjo gjë ishte lënë në harresë.

Në fakt, Mustafa e kishte përmendur këtë çështje edhe para dy vjetësh, kur kishte pritur në një takim familjarë të veprimtarëve të vrarë të LDK’së. Kryeministri i kishte siguruar ata se do të angazhohej për të kontribuuar në çdo formë për zbardhjen e vrasjeve. Por, që atëherë e deri tash, kjo çështje mjaft e ndjeshme është heshtur, për të dalë sërish në sipërfaqe vetëm kur i konvenon grupit që e udhëheq partinë – tash kur zgjedhjet e parakohshme duket të mos jenë larg dhe kur partitë politike kanë nisur fushatën për to.

* * *

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të degës së partisë në Podujevë, kërkoi sërish që vrasjet të zbardhen. Kërkesa u përsërit edhe nga zyrtarë të tjerë partiakë. Kjo shkaktoi reagime nga familjarët e të vrarëve, të cilët duket ta kenë mësuar strategjinë bizare të LDK’së për të fituar vota.

“LDK dëshiron të përfitojë nga viktimat e SHIK’ut dhe të ringjall vetveten”, deklaroi Kastriot Imeri, djali i ish-anëtarit të LDK’së, Haki Imeri. Fushatën e LDK’së para zgjedhjeve, ai e cilësoi të ndyrë dhe gjakpirëse. “LDK’ja është partnere me ata që vranë figurat e e njohura kombëtare të Kosovës, prandaj adresa është e qartë, partneri i koalicionit të LDK’së është qendra e të gjitha llojeve të krimeve si politike edhe ekonomike”, shkroi ai.

Edhe e bija e Xhemajl Mustafës, Beriana, akuzoi LDK’në për përfitim në kurrizin e të atit. Kurse Rilind Bërbatovci, djali i ish-anëtarit të kësaj partie që u vra pas luftës, Ismail Bërbatovci, ka shkruar se kur zyrtarët e LDK’së ia nisin të flasin për vrasjet, zgjedhjet janë afër.

Zyrtarë të LDK’së, si deputeti Adem Salihaj, kanë kritikuar më herët qasjen e partisë së tyre, duke kujtuar se LDK vazhdon të bashkëqeveris pikërisht me atë strukturë individësh që dyshohen për lidhje të drejtpërdrejtë me krimin politik të pasluftës. Sipas tij, akademitë përkujtimore për çdo përvjetor dhe “zotimi” si refren i vazhdueshëm se do të zbardhen këto vrasje, është vetëm një cinizëm dhe mashtrim i opinionit. Nuk kanë munguar as reagimet nga zyrtarë lokalë të partisë, si kryetari i nëndegës së Ulpianës, i cili ka thënë se zyrtarët e LDK’së që po flasin për vrasjet politike, po tallet me familjet e të vrarëve.

Nënkryetari i LDK’së, Veliu, ka vazhduar edhe më tej, duke thënë se PDK zhegitet shumë kur flitet për vrasjet e pasluftës. Por, pikërisht Veliu ka qenë një ndër kumbarët e koalicionit qeverisës aktual. Pikërisht bashkëpartiaku i Veliut, Lutfi Haziri, i cili deklaroi se PDK e ka mizën nën kapuç për vrasjet, është ndër ata që ka tumirë koalicionin me partinë e Hashim Thaçit e Kadri Veselit dhe ka punuar për bashkëqeverisjen “guns and roses”, siç ka dëshirë ta quajë. Andaj tingëllojnë elektorale, hipokrite deri në perfiditet deklaratat e tyre.

* * *

LDK asnjëherë nuk është interesuar seriozisht për zbardhjen e vrasjes së anëtarëve të vet. Në emër të viktimave, kjo parti ka kërkuar besimin e qytetarëve vite me radhë. Në emër të viktimizimit, LDK ia ka dalë që të mbijetojë në skenën politike, ndonëse duke rënë poshtë e më poshtë nga viti në vit.

Të tallesh me viktimat dhe të luash me ndjenjat e familjarëve të tyre është e turpshme, e pamoralshme. Siç është dyfytyrësi, e turpshme dhe e pamoralshme të bësh koalicion me njerëz, të cilët i akuzon për vrasje. Është e pafashme, bizare të fitosh vota në kurriz të të vrarëve. Është e tmerrshme të bësh biznes me vrasje./gazeta express/