13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Zgjedhjet mbahen pa dekriminalizim

Spektri politik i Kosovës dhe institucionet nuk janë akorduar që ta hapin një proces të dekriminalizimit para zgjedhjeve të reja, si lokale edhe ato parlamentare. Edhe përkundër hapjes së një debati nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, që propozoi ndalesën e përfshirjes në lista zgjedhore të individëve me dosje hetimore, por edhe punësimi në pozita të larta të administratës publike të shtetit në të tri pushtetet, që është nisma e vetme serioze dhe e mundshme që të realizohet, madje edhe pa ndërhyrje në Kushtetutë, shihet qartë që nuk ka vullnet të merret seriozisht nga subjektet politike.

Derisa përfaqësues të pozitës janë në favor të përgatitjes së mirë të zgjedhjeve të reja, duke vepruar edhe për krijimin e bazës ligjore që të ndalohet kandidimi i individëve me të kaluar kriminale dhe me dosje hetimore, opozita e kundërshton një gjë të tillë dhe kërkon që të shkohet në zgjedhje, derisa këto tema të hapen vetëm pas krijimit të institucioneve të reja paszgjedhore. Në favor të opsionit të parë është deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

“Do të ishte shumë e rëndë- sishme për të ardhmen e Kosovës të kemi një ligj për lista të pastra zgjedhore, në të cilat nuk do të kenë të drejtë të jenë personat me të kaluar kriminale, si dhe ata që janë nën hetime dhe kanë aktakuza të ngritura. Ky veprim do ta pastronte deri-diku skenën politike të Kosovës, e cila është e stërmbushur me elementë kriminalë”, tha Salihaj për “Kosova Sot”. Mirëpo, kjo mundësi në kushtet e tanishme kundërshtohet nga të gjitha subjektet politike të bllokut opozitar, vetëm për faktin pse iniciativa po del nga presidenti i vendit.

Ku ishte ish-kryeministri…

Pal Lekaj, nga AAK-ja, thotë se një propozim i tillë ka mundur të vijë që në mandatin e kaluar qeverisës, derisa vendi udhëhiqej nga PDK-ja dhe kryeministër ishte presidenti i tanishëm, propozimi i të cilit shihet propozim jo i sinqertë, me qëllime të paramenduara kundër individëve të caktuar, që të eliminohen nga politika. “Ku ishte “presidenti” deri dje…ai ishte kryeministër dhe ka flirtuar me të gjithë këta, të cilët sot po pretendon t’ua pa mundësojë marrjen me politikë apo punën në pozicione të larta”, është shprehur ai. “Ligjet që janë në fuqi kanë mjaftueshëm ingerenca për t’ua pamundësuar këtyre personave, që të jenë në përfaqësimin e publikut apo të menaxhojnë me vendime të mëdha në emër të shtetit, po është njëri nga ta, kryeministri i djeshëm e “presidenti” i sotëm, i cili me qeverisje të keqe e ka bërë që këto ligje të mos implementohen drejt e ndoshta edhe të përkrahen këta persona. Çdo veprim dhe iniciativë që shkon në drejtim të “pastrimit” të politikëbërjes dhe vendimmarrjes është për t’u përshëndetur, por këto gjëra nuk janë aspak të mira, kur bëhen vetëm për protagonizëm dhe për të ‘larë’ veten”, tha Pal Lekaj për “Kosova Sot”.

Propozimi i pasinqertë

Ndonëse parimisht e sheh si proces të domosdoshëm dekriminalizimin e politikës edhe deputeti Ismail Kurteshi nga ‘VETËVENDOSJE’, thotë se propozimi i tanishëm është i pasinqertë dhe me prapavijë të caktuar politike, prandaj edhe nuk është kohë e qëlluar që të punohet në atë drejtim. “Kohëve të fundit zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët kryesisht janë të implikuar në krim e korrupsion, kanë dalë me iniciativa në parim të mira, por që pas tyre fshihen skenarë të caktuar, që dëshmojnë se këto iniciativa bëhen për interesat e propozuesve e jo për të mirën e vendit”, theksoi ai.

“Vërtet është mirë që në listat zgjedhore të futen njerëz të pastër moralisht, madje është e domosdoshme që edhe ata që emërohen të jenë të dëshmuar si njerëz të ndershëm, punëtorë dhe njerëz që e duan këtë vend. Për arritjen e këtij qëllimi janë të domosdoshëm disa hapa paraprakë. Ata që propozojnë dhe ata që gjykojnë (vlerësojnë) duhet të jenë vetë të pastër, të pakorruptuar dhe të pandikuar nga kupola e korrupsionit dhe krimit, sepse vetëm ata që janë vetë të pastër dhe të që nuk ndikohen mund t’i identifikojnë ata që nuk bën të hynë në lista dhe as të emërohen në funksione të ndryshme në institucione”, është shprehur Kurteshi. “Derisa drejtësia është e kapur nga ata që duhet të jenë objekt i drejtësisë dhe derisa në Kuvendin e Kosovës e kemi Listën Serbe dhe ministrat serbë që punojnë hapur kundër Republikës së Kosovës dhe ata mbeten të paprekshëm bashkë me krerët e korruptuar të institucioneve, kjo është një iniciativë që synon sigurimin e pushtetit për ata që duhet urgjentisht të largohen nga pushteti dhe të ndiqen nga organet e mirëfillta të drejtësisë, që sot nuk i kemi, për keqqeverisje dhe keqpërdorim të pushtetit. Megjithatë, iniciativa në parim është e mirë”, tha deputeti Kurteshi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit