11.6 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 5980

Berisha: Veseli po e kopjon Thaçin

0

Deputeti nga radhët e Nisma për Kosovën, Zafir Berisha ka thënë se fushata parazgjedhore e Kadri Veselit është kopje e fushatës së Hashim Thaçit të bërë në vitin 2014.
Berisha përmes një postimi në Facebook ka theksuar se e gjithë kjo po ndodhë për prishje të koalicionit me LDK-në.

Postim i plotë:

Fushata parazgjedhore e Kadri Veselit është kopje e fushatës parazgjedhore të Hashim Thaqit në 2014 i cili e qoj vendin në zgjedhje, me arsyetimin se s,ka koncenzues për tresformimin e FSK-së.
E njejta storje po ndodhë edhe këtë vitë, për me kërku ,,qime në ve,, për me prishë kualicionin me LDK-në.
Dallimi nga 2014 është se sivjet në fushatën parazgjedhore përveç Hashimit është edhe Kadria….
Isa i gjorë ka mbet ,,as me shehër as me Barilevë,, siç thotë populli. Pra nuk po i shitet më as vet-viktimizimi, sepse edhe ata që i kanë humbur të dashurit e tyre pas luftës, nuk po i besojnë më./Telegrafi/

Prokurori kërkon dënimin e ish- drejtorit të Arsimit në Malishevë

0

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kërkoi që ish drejtori i Arsimit në Komunën e Malishevës, Blerim Thaçi, të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet, por avokati i tij e kërkoi të kundërtën e prokurorit.

Agron Matjani, që e mbron lëndën ndaj Blerim Thaçit, tha se në tërësi qëndron pranë aktakuzës së ngritur.

“Ngeli në tërësi pranë aktakuzës të ngritur kundër të akuzuarit Blerim Thaçi. Propozoj që gjykata të akuzuarin Blerim Thaçi ta shpall fajtor”, tha prokurori Matjani.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Blerim Thaçi në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Malishevë akuzohet se ka dhënë urdhër që të kryhen punimet e rrethojës së Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë në mars të vitit 2014, përderisa fituesi i tenderit është shpallur tek më 10 prill të atij viti në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Prokurori theksoi se punimet janë kryer pa asnjë lloj procedure.

“E gjithë kjo procedurë ka qenë formale pasi që punimet janë kryer më herët,” shtoi prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Agron Matjani.

Ndërsa, Emrush Kastrati, avokati i të akuzuarit Thaçi e kundërshtoi në tërësi aktakuzën me arsyetimin se ajo është e pabazuar në prova dhe fakte.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, konsideroj se me asnjë provë relevante nuk është vërtetuar teza e aktakuzës së prokurorit të shtetit“, tha avokati Kastrati.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të martën

Berisha flet për bashkëlojtarët, ja çfarë thotë për ta

0

Besart Berisha do të jetë një ndër risitë e formacionit të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Kosova do të luajë me Islandën në kuadër të eliminatoreve të botërorit Rusia 2018.
Sulmuesi i Melbourne Victory ka thënë se është rëndësishme njohja me futbollistët e përfaqësueses.

“Për mua është shumë e rëndësishme që të njoftohem më lojtaret dhe stërvitja e parë ishte e mirë. Lojtaret janë të disiplinuar, janë të mirë dhe më kane pritur shumë mirë”, ka deklaruar Berisha

Ndryshe, Kosova do të zhvilloj në Shkodër ndeshjen e së premtes me fillim në ora 20:45.

Kombëtarja, vijnë Balaj e Roshi, pritet dhe Hyka

0

Kombëtarja shqiptare ka nisur tashmë përgatitjet për ndeshjet e saj të radhës; atë me Italinë për eliminatoret e Botërorit 2018 në 24 mars dhe miqësoren me Bosnjen në 28 mars.

Në seancën e pasdites të së hënës, trajneri De Biasi dhe asistenti i tij Veronese nuk i kishin të gjithë futbollistët në dispozicion pasi mungonin Roshi, Balaj dhe Hyka për shkak të vonesës në fluturimet e tyre.

Ndërsa Bakaj dhe Roshi arritën të bashkohen me skuadrën në orët e mbrëmjes të së hënës, Jahmir Hyka ka mbetur i bllokuar në aeroportin e Romës për shkak të një greve të stafit të kompanisë ajrore “Alitalia”.

Gjithsesi pritet që Hyka të jetë së bashku me pjesën tjetër të skuadrës në mbrëmjen e sotme. Në paraditen e kësaj të marte është zhvilluar edhe seanca e radhës stërvitore, ndërkohë që një tjetër do të zhvillohet në orën 17:30.

Lamtumirë Manchester United

0

David De Gea është i gatshëm të largohet nga Manchester United në fund të këtij sezoni.

Mediat britanike shkruajnë se ‘gardiani’ spanjoll është duke u përgatitur të largohet nga ‘Old Traffordi për t’u transferuar tek Real Madridi, transmeton KosovaPress.Klubi madrilen prej kohësh është duke e kërkuar De Gean, dhe duket se ky transferim do të ndodh këtë verë.

Siç raportohet spanjolli dhe agjenti i tij, Jorge Mendes janë duke bërë presion mbi krerët e Unitedit dhe Jose Mourinhon që të lirojnë atë që të transferohet tek gjiganti spanjoll.Në fund të këtij sezoni, është koha ideale që De Gea të kthehet në vendlindjen e tij.Ai është i vendosur që të mos e zgjasë kontratën me ‘Djajtë e Kuq’ dhe të bashkohet me klubin ‘mbretëror’.

Martin Camaj për gjuhën

0

Lexues të dashtun, âshtë e para herë që shprehem botnisht mbi këtë problem tejet të kapërthyem e të randuem nga faktorët gjuhësorë e jo gjuhësorë, d.m.th. shoqnorë e politikë. Askush prej lavruesve e letrarëve tanë sot as në të shkuemen nuk âshtë as nuk ka qenë kundër njësimit të gjuhës së shkrueme. Mosmar­rëveshja nis me pikëpamjen se si duhet bâ normalizimi. Metoda e ndje­kun prej 1952 e këndej ka krijue probleme thelbësore në lamën teorike e metodologjike.Normalizuesit nuk janë nisë prej bazës së traditës gjuhësore të dokumenteve, d.m.th. nga autorët e vjetër, nga baza kur shqipja ende nuk ishte aq e coptueme si sot në dialekte.

Si shembull, le të krahasohet gjuha e Bogdanit me të folmen e Hasit sot në mënyrë strukturale, dhe do të shihet se çka ka ndodhë mbrenda treqind vjetëve. Në fazën kur u nis normalizimi i gjuhës në Tiranë, gjuha e autorëve të vjetër (gegë, arbëreshë e toskë) nuk ishte e studjueme në sistemin e saj fonologjik, morfologjik e sintaksor. Kjo mungesë nuk i justifikon normalizuesit, përkundra. Ata shpesh flasin për normal­izimin e gjuhës së kulturave të përparueme tue u përpjekë me gjetë paralelizma.
Tek italishëja, për shembull, apo anglishtja, ka pasë nji kontinuitet zhvillimi qysh nga fazat e lashta deri më sot; format e soçme të shkrueme, gjuhët letrare, janë rezultate të fazave gjuhësore tradicionale. Përkundra ndër ne i âshtë sjellë shpina traditës, shqipja e lashtë e dokumentueme nuk âsht marrë si komponente në këtë njësim gjuhësor. Normat për standardizimin në disa anë jane farkue nga nalt në mënyrë autoritare, jo demokratike. Ato mbështeten në një formë sinkronike të gjuhës shqipe në një variant toskë. Në këtë formë “gjuha e njësuar” e sotme mund të quhet thjeshtësim por jo njësim, mbasi në tê nuk janë integrue komponentet historike dhe kategoritë gramatikore bazore të trungut dhe trevës kryesore të shqipes. Këtë trung indo­europeistët e quejnë tash mâ se 100 vjet “allgemeinalbanisch”. Pra âshtë e provueme shkencorisht se shqipja e ka një bazë të vetën themelore.”

Martin Camaj (21.7.1925-12.3.1992) Ishte shkrimtar dhe albanolog, një figurë e madhe e letrave dhe pedagogjisë shqipe. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Në Munih, ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në vdekje,. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroi shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.

Vizat e ‘përjetshme’!

0

Liberalizimi i vizave me BE-në nuk pritet të ndodhë as këtë vit, pavarësisht se gati një dekadë liderët politikë në vend premtojnë heqjen e tyre.

Bashkimi Evropian insiston se pa kalimin e Demarkacionit në Kuvend nuk hiqen vizat për kosovarët, derisa opozita kërcënon se me rikthimin e Marrëveshjes për Kufirin rikthehet edhe gazi lotsjellës. Në anën tjetër, kosovarët do të vazhdojnë të mbesin populli i vetëm i izoluar në Evropë edhe gjatë vitit 2017.

Qytetarët e Kosovës nuk pritet të lëvizin lirshëm në zonën Shchengen as gjatë këtij viti. Liberalizimi i vizave, i premtuar tash e 6 vjet, ka mbetur peng i Marrëveshjes së Demarkacionit, e cila po kundërshtohet fuqishëm nga opozita kosovare për afro dy vjet. E njëjta situatë po vazhdon edhe sot. Derisa në Qeveri thonë se janë duke e shqyrtuar riprocedimin e Marrëveshjes në Kuvend për një kohë të përshtatshme, opozita kosovare nuk ka lëvizur nga pozicionet e saj. /Zeri

Pozita dhe opozita ia dhanë teposhtën Republikës

0

Derisa ky koalicion po i afrohet vitit të tretë të qeverisjes, shumë të brishtë dhe jofunksionale, analistët politikë konsiderojnë se kjo “martesë” e panatyrshme politike, duke mos lënë anash as opozitën që ishte pa alternativë, do të mbahet mend si një nga koalicionet më të shantazhuara dhe më të dëmshmit politikisht në historikun e shtetndërtimit të ri të Kosovës. Kjo politikë e egër dhe konfrontuese e ka shndërruar Kosovën në një vend të paperspektivë nga i cili do të ikte çdokush që ka mundësi. Duke u marrë me zënka për Demarkacionin, Asociacionin, pushteti dhe opozita kanë lënë anash problemet reale të qytetarëve të saj për ndërtim, zhvillim, punësim e mirëqenie.

Këto tema e kanë zhytur vendin në krizë politike, derisa tash kur këtyre u shtohet edhe transformimi i FSK-së në ushtri del që kjo klasë politike dëshiron të merret vetëm me tema kinse ” të mëdha”, duke anashkaluar problemet reale jetësore që kanë qytetarët për një jetë më të mirë e të dinjitetshme. Analisti politik Hidajet Ahmeti konsideron se pikërisht falë kësaj klase politike, e cila po qeveris vendin, në të dyja nivelet, pozitë apo opozitë, Kosova është shndërruar në një zorrë qorre në Ballkanin Perëndimor.

Pushteti i kriminalizuar Sipas Ahmetit, në njërën anë investimet nga jashtë kanë rënë shkaku i një klime të mbrapshtë, kurse në anën tjetër, Kosova është shndërruar në një vend krimi nga pushtetet autoritare.

“Pushtetet e passhpalljes së pavarësisë kanë shndërruar shtetin e Kosovën si të ishte pronë e tyre personale, gjithherë në interesa të ngushta politike e klanore. Pushteteve të passhpalljes së pavarësisë së Kosovës i ka munguar një vizion dhe strategji afatgjatë për ta nxjerrë vendin nga ky mjerim socioekonomik, dhe pikërisht nga ky konstelacion qeverisës vendi ka ardhur në një gjendje të rëndë socio-ekonomike sa të konsiderohet si një vdekje klinike për Republikën e Kosovës. Është paksa utopike të thuhet se Kosova shumë shpejt mund të rimëkëmbet dhe ta marrë veten, pasi duhen dekada të tëra për ta ngjallur Republikën e Kosovës nga kjo vdekje klinike”, tha Hidajet Ahmeti.

Ai vlerëson se pushtetit kryesisht i shkon për shtati kjo mjegullinë e krijuar nga vetë ata, duke i cilësuar si tema të mëdha për vendin dhe shumë më rendësi, kurse në anën tjetër përmes këtyre vakumeve të krijuara politike po mbijeton krimi, korrupsioni, kontrabanda dhe mbi të gjitha po mbulohet “vizioni” dhe “koncepti” i tyre për të ardhmen e vendit, sado që qytetarët janë lodhur nga këto pushtete autoritare dhe në mënyrë të vazhdueshme është zbehur shpresa për një ndryshim substancial në mirëqenie dhe zhvillim ekonomik. “Pushtet e tilla, edhe këtë çka e kemi tash po mbijeton falë rrjetit të krimit të shtrirë nëpër institucionet publike, bizneset e nëntokës dhe fiktive të krijuar brenda natës për qëllime ekonomike”, potencoi Ahmeti.

Letër artistit

0

Ragip SYLAJ
Lirë e shet gjakun e fjalëve
Zemrën tek e shtrydh
Të kjasojë nektar

Po dashuria jote sublime
Pse rrudhet ndër kthetra frike

Dhe ngreh krye dreqnisht
Kur Zeusët të rrinë përmbi

E Liria ka tagër të lartë
Edhe kur mbetesh gjallë

Dhembjen e ke të vetmin trashëgim
Dhe më të madhin shpërblim

Arti i flijimit-
Një testament për mikun e panjohur

Shtegtimet nëpër ferr
Ëndërrimet nëpër parajsë
S’i ndal kalorësi i agut

Ballë për ballë me veten
Njihe të panjohurin
Misterin e vuajtjes

Pastaj ngritja çmimin artit të dashurisë
Kur demonët flirtojnë me muzat

(2001)

Fjalët e urta shqipe përballë atyre romane

0

Shkruan: Enver Sulaj

Lidhur me librin “Aspekte krahasimtare të proverbave shqipe me ato të gjuhëve romane“, të autorit Ramadan H. Ramadani, Prizren 2015

 

Në heshtje, pa zhurmë e pa trumbetime neveritëse, pas një pune shmëvjeçare, Ramadan H. Ramadani ka krijuar veprën “Aspekte krahasimtare të proverbave shqipe me ato të gjuhëve romane”- si vlerë shkencore e kulturore, për t´i dhënë studiuesit e lexuesit nektarin shpresëdhënës kundër mediokritetit e injorancës, që në shumë aspekte po na zë frymën.

Paremiologjia dhe paremiografia, janë jo vetëm nocione shkencore me të cilat autori përpiqet ta njoftojë lexuesin që në hyrje të librit, por edhe praktikë shkencore që ai zbaton në çështje të studimit të fjalëve të urta shqiptare. Duke bërë analizën krahasimtare, këto proverba (fjalë të urta), shprehje frazeologjike, marrin peshën e vet në kuadër të korpusit të përbashkët të fjalëve të urta latine e në gjuhët romane, si frëngjisht, italisht, spanjollisht e rumanisht.
Ndonëse në folkloristikën shqiptare ka pasur përpjekje që të bëhet analizë krahasimtare e përqasime edhe me krijimet e popujve tjerë, sidmomos në fushën e epikologjisë, fjalët e urta më rrallë kanë qenë objekt studimi krahasimtar. Prandaj, në këtë aspekt libri i Ramadan H. Ramadanit gjithsesi është i një vlere të veçantë, jo vetëm për qarqet shkencore, por pse jo, edhe për lexuesin e pasionuar, i cili do të gjejë në një vend, qoftë fjalët e urta shqipe, bashkë me ato të gjuëve me të cilat krahasohen, por edhe shpjegimet e nevojshme e komentet për to, që do t´i ndihmojnë ata për të kuptuar më më mirë e më drejt porosinë që ato ngërthejnë në vete. E, në fund të fundit, ky është funksioni që i krijoi dhe i mbajti gjallë deri më sot. Autori insiston në analizën, studimin, ruajtjen e përdorimin e tyre, pra në rifunskionalizimin brenda kontekstit të ri socio-kulturor shqiptar.

Shtegtimi i motiveve është i njohur, ashtu siç është i përbashkët edhe motivi i njeriut në të gjitha kohërat e vendet për të ngadhënjyer mbi të keqen, për ta dashur atdheun e lirinë, për të demaskuar veset e hiperbolizuar virtytet, për t´u ruajtur nga ligësitë, e për t´u sakrifikuar për të drejtën e njeriut. Këtu është fuqia e fjalës së urtë- që është e artë për dimensionin moralizues, që u gdhend e u latua përgjatë shekujve. Kjo dëshmon se oraliteti gjalloi edhe në kohë kryqëzatash e marshimesh të falangave orientale, sidomos në këtë nënqiell, sepse kjo ishte jo vetëm çështje e kënaqësisë estetike- por edhe vetë mbijetesë.

Autori vë përballë njëra- tjetrës fjalët e urta shqipe dhe ato latine e neolatine, për të gjetur pikëtakimet e ngjashmëritë në mes tyre. Në këtë pikë, libri ofron një denduri shembujsh e komentesh me vlerë. Bien në sy fjalë të shumta të shqipes, të cilat të krahasuara me simotrat latine e neolatine, përveç kënaqësisë, dëshmojnë një vazhdimësi të paprerë krijimesh e thesaresh shpirtërore të popullit tonë, të të gjitha trevave etnike. Me këtë libër autori ka vënë një gur të rëndësishëm në folkloristikën krahasimtare shqiptare, sidomos në fushë të paremiografisë, ku shkenca shqiptare çdo ditë e më tepër po shtrin fushën e interesimit dhe të hulumtimit.

Tani, kur zhanre të krijimtarisë gojore konsiderohen si të përmbyllura, është materiali i mbledhur e i botuar që pret studiuesit e fushave specifike për të bërë punën e tyre. Mendimi i ngjeshur në formë elipse, ngarkesa emcionale, ndërtimi leksiko- semantik, figuracioni etj. janë elemente të rëndësishme që ia shtojnë vlerën këtij materiali të marrë në shqyrtim dhe analizë, i cili i vënë përballë krijimeve të popujve tjerë, sigurisht se bëhet edhe më interesant.Ndonëse nuk përpiqet të hyjë në fushë të vjetërsisë së këtyre proverbave, duke i krahasuar me autorët latinë, dijetarët e shkrimtarët e mëvonshëm europianë, autori sikur sugjeron tërthorazi se në këtë kohë do të duhej të shtrihet edhe lashtësia e fjalëve të urta shqipe. Kur e themi këtë, sigurisht se faktet duhet të vërtetohen shkencërisht, pa përpjekje joshkencore për të krijuar mite të paqena, të cilat nuk sjellin asgjë të re në mendimin shekncor.
Libri „Aspekte krahasimtare të proverbave shqipe me ato të gjuhëve romane“ është minierë në të cilën, varësisht nga interesimet dhe parapëlqimet e tyre, studiuesit do të gjejnë lëndën e tyre të vlefshme.

Fjalët e urta shpesh përdoren për të thënë diçka me elokuencë, në disa raste për të peshuar mirë mendimin, e për të theksuar traditën e paraardhësve në fushën e krijimtarisë gojore. Fjalët e urta mund të përdoren, thjesht për ta bërë bisedën e ose dialogun më të gjallë. Në shumë pjesë të botës fjalët e urta vlerësohen si shenjë oratorie, por jo çdoherë fjala e urtë kishte status të tillë, ngase u keqpërdor, duke u vënë në funksion të propagandimit të ideve e të bindjeve të papranueshme.

Elementet figurative, si metafora, pyetja retorike, alegoria etj. dëshmojnë për vlerat artistike, që në periudha të caktuara historike ua mundësoi njerëzve të shprehin atë që quhet „revoltë paremiologjike“, duke bërë përgjithësime për t`iu shmangur kritikave të hapura ndaj autoriteteve dikatatoriale që shtypin të drejtat dhe liritë qytetare.

Proverbat, gjithashtu janë trupëzuar edhe në strategjitë e punëtoërve social, mësuesve, predikuesve fetarë, madje edhe të politikanëve, duke u shfrytëzuar kështu si mjet propagande. Por studimi i proverbave është i rëndësishëm për studiuesit e letërsisë, por edhe të dijeve tjera, të cilët mund të gjejnë aty lëndë për studimet dhe punën e tyre.

Të gjitha këto venerime të lartpërmendura, autori i librit i ka përforcuar përmes shpjegimeve e komenteve të shumta që ka bërë për secilën fjalë të urtë.
Meqë fjalët e urta përçojnë mesazhe sublime e të fuqishme, si rrjedhojë e përvojës së gjatë jetësore, sfidat e vështirësitë me të cilat janë ndeshur njerëzit, kemi veçuar tri të tilla për të mbështetur idenë e paraqitur. „Atë që njeriu e mëson në djep, e braktis në varr“; „Luemnjtë më të thellë rrjedhin në gurgullimën më të vogël“; „Librat janë pavdekësia e së shkuarës dhe përjetësia e së ardhmes“. Këto tri fjalë të urta kalojnë nëpër tri kohë, që janë jo vetëm prezencë fizike në këtë botë, por edhe gjurmë shpirëtrore: Edukatë që zgjat përjetësisht, qëndresë e mbijetesë vlerash për vete e brezat që vijnë.