Home Blog Page 5987

Velezha e Prizrenit përkujton dëshmorin Pal Paluca

0

Në ambientet e objektit të papërfunduar të shkollës “Zef Lush Marku” në fshatin Velezhë të komunës së Prizrenit, është përkujtuar në 18 vjetorin e rënies heroike dëshmori, Pal Paluca, si dhe është shënuar 53 vjetori i institucionit arsimor të këtij lokaliteti.

Për të përkujtuar jetën dhe veprën e dëshmorit Pal Paluca dhe në shënimin e ditës së shkollës, përveç banorëve të Velezhës dhe fshatrave përreth, stafit dhe nxënësve, ishin të pranishëm familjarë të dëshmorëve, veteranë, invalidë e drejtues të shoqatave të dala nga lufta, oficerë të FSK-së, dhe zyrtarët më të lartë të komunës së Prizrenit.

Drejtori i shkollës, Ndue Çollaku, përvjetorin e 18 të rënies së dëshmorit Pal Paluca e quajti përvjetor të lavdisë së historisë sonë më të re.

“Në mesin e shumë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës është edhe dëshmori ynë Pal Paluca dhe sot përkujtojmë rënien e tij në luftë të drejtpërdrejtë me armikun gjakatar serb. Krahas këtij përvjetori shënojmë edhe 53 vjetorin e themelimit të shkollës që mban me krenari emrin e atdhetarit, Zef Lush Marku”, tha ai.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, në fjalën e tij tha se shkolla e Velezhës ka nxjerrë nga gjiri i saj emra të respektuar në fusha të ndryshme, dhe se

“Këto troje nëpër shekuj kanë dhënë figura të ndritura të kombit tone, në mesin e të cilëve ishte edhe dëshmori, Pal Paluca”, tha ai.

Për jetën dhe veprën e dëshmorit, Pal Paluca, ka folur mësimdhënësi i kësaj shkolle, Ludovik Përgjokaj, i cili tha në mes tjerash tha se atdhedashuria e dëshmorit është e lidhur ngushtënë brumosjen e tij patriotike të familjes Paluca nga Trepetica.

“Pali, në luftën e lavdishme të UÇK-së, u shqua në shumë beteja anëkënd Kosovës, deri në rënien e tij heroike në afërsi të fshatit Piranë pak para se të shporreshin hordhitë gjakatare”, theksoi ai.

Për të gjithë të pranishmit, nxënësit e shkollës së fshatit Velezhë performuan një program të pasur me këngë, valle e recitime. /TV Prizreni/

Ja si festohet Festa e Shëngjergjit në Prizren

0

Festa e Shëngjergjit tradicionalisht në trojet shqiptare është konsideruar si festë e fiseve nomade. Pra, festa e Shëngjergjit që është 5 maji, në qytetin e Prizrenit shënohet më ndryshe se kudo tjetër në botë.

Sipas Kamber Kamberit, kjo traditë fillon herët në mëngjes ku fëmijët e vegjël me të zgjuar pastrohen me ujë ku aty vendosen lule të ndryshme, gjethe kryesisht ftoi dhe hithra, që këto paraqesin dëshirën e prindërve për fëmijët, për begati e jetë të lumtur dhe përkujtim të përhershëm ndaj familjes. Kamberi thekson se pas kësaj të gjithë fëmijët vishen me rroba të reja dhe ia mësyjnë Prizrenit, tek varrezat e vjetra osmane.

“Në këto hapësira gjenden dy varre, ku aty shumica e familjeve, e sidomos nënat, lënë “nezra” dhurata, kurse ajo që e karakterizon, aty shkojnë edhe ato nuse të reja që nuk arrijnë të lindin”, shprehet ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Legjenda për kapedan Karabashin

Refet Shala, nga Malësia e Vërrinit, tregon se festa e Shëngjergjit paraqet në njëfarë forme edhe “shpëtimin” nga dimri dhe fillimi i një jete të re.

“Bile në shumë vende vazhdimisht kanë thënë se cungun më të madh duhet ruajtur për Shëngjergj”, që do të thotë se deri më 5 maj nuk kanë pasur siguri, kurse nga kjo datë fillon siguria e verës”, shprehet ai. Ai shton se kjo festë simbolizon një sezon të ri dhe që është më lehtë për qytetarët nuk duhet ngrohje, pastaj hapen mundësi të punës dhe të tjera.

Në Prizren këtë festë e festojnë të gjithë, si shqiptarët e të gjithë konfeksioneve, pastaj romët, turqit, boshnjakët dhe të tjerët. Festa e Karabashit, siç e quajnë Shëngjergjin në Prizren, është festë e traditës dhe thuhet se kjo në forma të ndryshme në këto troje është festuar që nga paganizmi. Ekzistojnë disa nga gojëdhënat e kësaj feste, ku në njërën prej këtyre thuhet se ishte kapedan Karabashi, i cili bie në luftë të përgjakshme dhe i cili kishte qenë djalë i vetëm i nënës së tij.

“Ajo nga pikëllimi kishte dalë për ta kërkuar birin e saj në male e fusha. Në momentin e ardhjes në këto varre, gojëdhëna thotë se ai është ringjallur për të mos e pikëlluar të nënën e tij. Nga gëzimi nëna e tij, se e ka birin gjallë, thuhet se ajo ka vdekur. Pas kësaj, ai përsëri hyn nën rrasën të varrit dhe nga atëherë besohet se lutja në varrin e tij sjell besnikëri dhe pjellshmëri”, shprehet Shala.

Sipas tij, kjo është vetëm njëra nga gojëdhënat e shumta në popull, kurse thuhet se për Karabashin janë mbi 23 gojëdhëna të njohura deri më tani.

Një tjetër gojëdhënë që tregohej nga pleqtë e këtij qyteti është ajo për Karabash Babën dhe shqetësimin e tij në varrin ku prehej. Vërtetësia e fillimit të tregimit mund të vihet në pikëpyetje, por ajo çka ka ndodhur më pas thuhet se është dëshmuar nga disa të tjerë dhe kështu tregimi është përhapur shpejt në mesin e popullit dhe është treguar brez pas brezi. Ngjarja duhet të ketë ndodhur kah pjesa e fundit e shekullit XIX, atëherë kur Prizreni ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Një i ri prizrenas, i quajtur Fetah, i biri i Sylejmanit, që ishte lindur në vitin 1860, gjendej i burgosur në ishullin Malta. Familja e tij në Prizren, gruaja dhe fëmijët, bëheshin gati për të imgruar në brendësi të territoreve të Perandorisë Osmane, që tani njihet si Turqia. Fetahu në burg ishte shumë i mërzitur rreth fatit të familjes së tij, të cilët nuk kishin asnjë haber për të, bile as nuk dinin nëse ky ishte i gjallë apo i vdekur. Kështu, një natë Fetahu i burgosur zgjohet nga gjumi, pasi në ëndrrën e tij ishte paraqitur një njeri që veten e kishte prezantuar me emrin Karabash Baba. Karabash Baba, emër që përdoret në mesin e popullatës, i kishte treguar Fetahut se ai nuk ishte i qetë në varrin e tij në Prizren, sepse mu përmbi varr gjendej një farkëtar, i cili vendin e rrahjes së hekurit e kishte mbi kërthizën e trupit të tij të pajetë. Dhe, çdoherë kur farkëtari rrihte hekurin, dëshmori Karabash Baba ndiente dhimbje në kërthizën e tij, tregon gojëdhëna.

Festa konsiderohet si festë blegtorale

Etnologu Nexhat Çoçaj shpjegon se festa e Shëngjergjit është feste pagane që shpjegohet si një festë që ka karakter blegtoral dhe qëllimi i kësaj feste është ruajtur si një traditë e lashtë për dalje në verë. Ai thotë se njerëzit e moshuar të Prizrenit, sa herë përmendet emri i Karabash Babës, ata lëvizin nga vendi dhe fillojnë të bëjnë lutje fetare.

Ka shumë gojëdhëna që lidhen me këtë figurë të periudhës osmane. Sipas gojëdhënave, ai ka tri varre: njërin në Prizren, tjetrin në Stamboll dhe një të tretë në Bullgari. Pos kësaj, ky njeri njihet edhe për amanetet e tij, të cilat janë ruajtur deri në ditët tona.

Ndryshe, në Prizren ka edhe një festë me emrin e këtij njeriu, ditë kur qytetarë të moshave të ndryshme bëjnë lutje. Kjo ditë lidhet me fillimin e stinës së verës dhe prej shumëkujt kjo është një festë pagane e trashëguar nga kohërat më të hershme, e që vetëm më vonë i është atribuuar një personi të njohur me emrin Karabash Baba. Reshat Gashi nga Prizreni tregon se kësaj feste çdo vit e më shumë po i bie nami.

“Dikur këtu ka pasur dasmë, por tash po e shihni se po bie interesimi i njerëzve”, është shprehur ai. Shton se këtu dikur këndohej me surla e tupanë. (Kosova Sot)

Aksident i rëndë në Lubizhdë të Hasit

0

Një aksident trafiku i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Lubizhdë të Hasit – Komuna e Prizrenit.

Sipas raportit të Policisë, në këtë aksident dy persona janë lënduar: një i mitur dhe një femër. Kjo e fundit ka marrë lëndime të rënda trupore, dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësorë, shkruan PrizrenPress.

“I mituri mashkull K/Shqiptar, i cili ka qenë duke e drejtuar biçikletën e ka goditur këmbësoren me biçikletë dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, e cila është dërguar në QKUK për tretman mjekësorë. Po ashtu lëndime ka pësuar edhe çiklisti, i cili pas tretmanit mjekësorë është liruar për në shtëpi”, thuhet në raport. /PrizrenPress.com/

Arrestohet një femër për mashtrim në Prizren

0

Policia e Kosovës ka arrestuar një femër në Prizren, pasi kishte mashtruar disa persona kinse për aranzhime të takimit me viktimën femër të kombësisë shqiptare, e cila nuk ka pasur njohuri për këto veprime të dyshuarës.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se arrestimi është bërë pas një pune operative hetimore, shkruan PrizrenPress.

“Pas një pune operative hetimore dhe me urdhër të prokurorit është arrestuar e dyshuara femër K-Shqiptar pasi që e njëjta në vazhdimësi ka mashtruar persona të ndryshëm (meshkuj) kinse për aranzhime të takimit me viktimën femër K-Shqiptare, e cila nuk ka pas njohuri fare për këto veprime të dyshuarës”, thuhet në raport.

Me urdhër të prokurorit e dyshuara dërgohet në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Suharekë: Gjen eksploziv në oborrin e shtëpisë

0

Një person në Suharekë ka raportuar se të dyshuar të panjohur, për shkaqe të panjohura në oborrin e shtëpisë së tij ka vendosur një mjet të dyshuar, të mbështjellë në një qese najloni.

Rasti ka ndodhur dje, njofton Policia e Kosovës në raportin e saj të rregullt 24 orësh, shkruan PrizrenPress.

“Viktima mashkull K-Shqiptar ka raportuar se të dyshuar të pa njohur, për shkaqe të pa njohura në oborrin e shtëpisë së tij ka vendosur një mjet të dyshuar, të mbështjellë  në një qese najloni. Njësiti EOD i PK-së në vendin e ngjarjes ka konstatuar se në qese ka pasur  400 gr. eksploziv te llojit “TNT” dhe i njëjti është tërhequr në mënyrë te sigurt nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raport.  /PrizrenPress.com/

 

 

Prizren: Tre muaj burgim me kusht për rrezikim të trafikut

0

M. G., pasi pranoi fajësinë për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik” në seancën e së premtes, u shpall fajtor nga Gjykata Themelore e Prizrenit dhe u dënua me tre muaj burgim me kusht. I njëjti për këtë proces gjyqësor nuk kishte të angazhuar mbrojtës.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua as nga prokurorja Sahide Sefa.

Ndërkaq, sipas gjykatëses së rastit Shpresa Emra, me rastin e shpalljes së aktgjykimit janë marrë parasysh të gjitha rrethanat, duke përfshirë edhe faktin se M.G. ka shfaqur kujdes ndaj të dëmtuarit A. Sh. deri sa ky i fundit kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor pas aksidentit.

Sipas aktakuzës, M.  G. më 12 prill 2016, rreth orës 12:00 në rrugën “Ismet Jashari” në Prizren, rrezikon trafikun publik.

I njëjti duke drejtuar automjetin e udhëtarëve, kur arrin në vendin kritik, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, me anën e djathtë të automjetit e godet çantën e të dëmtuarit A.Sh, ku si pasojë i dëmtuari sillet dhe me kokë godet njërën nga xhamat e veturës.

Me këtë veprim të dëmtuarit i shkakton lëndim të lehtë trupor.

Ndryshe, vepra penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit./betimiperdrejtesi/

“Hasi Jehon” i ka vënë vetes misionin për ruajtjen e vlerave dhe identitetit

0

Organizatori i festivalit “Hasi jehon” është shprehur i kënaqur me me paraqitjet e grupeve folklorike në dy netët e para të festivalit.

“Jemi duke u munduar si gjithmonë dhe besoj të jenë të kënaqur grupet që vijnë, sepse në po e bëjmë maksimumin që të ju ofrojmë kushte maksimale me të gjitha mundësitë që i kemi. Ne si organizatorë jemi të kënaqur me paraqitjen në skenë të grupeve në dy netët e para. Janë prezantuar këto dy net rite, doke e zakone, ato që realisht i kërkon karakteri i festivalit”, tha në përfundim të natës së dytë të festivalit “Hasi jehon 2017”, Haziz Hodaj, drejtor i festivalit.

Ai ka ripërsëritur edhe njëherë se qëllimi i këtij festivali është ruajtja e vlerave dhe identitetit.

“Faktikisht qëllimi i organizimit është që të ruhen këto vlera, të kultivohen e të paraqiten në skenë. Duhet të ua bartim gjeneratave të reja këto vlera të folklorit tonë, në mënyrë që edhe atyre të ua prezantojmë këto janë vlera të identitetit tonë kombëtar. Ne me aq sa mundemi, sa kemi fuqinë për ta organizuar këtë festival do të punojmë që të krijojmë edhe ekip të ri dhe njerëz të ri që do ta organizojnë këtë festival edhe në vitet e ardhshme”, shprehet Hodaj.

Në natën e fundit do të ndahen çmimet tradicionale. Festivali nuk ka karakter garues por çmimet ndahen si motivim për grupet që marrin pjesë.

“Sigurisht që çmimet janë motivim shtesë për grupet që paraqiten. Ne iu kemi ik çmimeve klasike: vendi i parë, vendi i dytë, vendi i tretë, sepse është e pamundur që të vlerësohet folklori burimor, është e pamundur që të vlerësohen ritet, doket e zakonet sepse secili në vete e ka vlerën e vetë. Organizatori për shkak të motivimit i ka paraparë çmimet tradicionale kryesore: Malësori, Malësorja dhe Lahuta dhe çmimet tjera për individë sepse sigurisht që ka individë të dalluar në mesin e grupeve që paraqiten në festival”.

Kompozitori Sami Piraj vlerëson se “Hasi Jehon” është një ndër festivalet më të mira që mbahen në Kosovë dhe gjetiu në trevat shqiptare.

“Jemi dëshmitarë të një sërë aktivitetesh që janë mbajtur pikërisht në këtë festival dhe tashmë ky festival ka krijuar një traditë të gjatë të prezantimit të vlerave autoktone, jo vetëm të kësaj treve të Hasit por në përgjithësi nga Kosova nga Maqedonia nga Shqipëria dhe këtë vit mori pjesë edhe një Ansambël që e ruan traditën shqiptare në Suedi. ‘Hasi Jehon’ është një festival që tashmë e ka krijuar identitetin e vet të prezantimit të këtyre vlerave dhe vazhdon të mbaj primatin e njërit nga festivalet më të mira që mbahen në Kosovë dhe gjetiu në trevat shqiptare”, shpreh mendimin e tij Piraj.

Ai thotë se mendimin e tij e mbështet në arritjet që vijnë në këtë festival, me vlera të cilat gjurmohen nga aktivistët e ShKA-ve për të krijuar kreativitetin si vlerë.

“Autenticiteti i vlerave nuk nënkupton vetëm muzikë, por edhe instrumentet, veshjet dhe festivali realisht Festivali e mbron vlerën dhe kjo është një gjë e mirë, në këtë periudhë të tendencës së “mbytjes “ së folklorit me elementet e reja. Kemi shpresë që folklori po mbahet mirë dhe kjo është një e mirë jo vetëm për traditën por përgjithësisht për vlerat dhe identitetin tonë, të popullit që gjithmonë e ka ruajtur këtë vlerë.

Publiku sipas kompozitorit Piraj motivon pjesëmarrësit.

“Është publiku një nga elementet motivuese për pjesëmarrësit. Festivali ‘Hasi Jehon’ vazhdimisht përkrahet nga publiku dhe që është më e rëndësishme ky publik e njeh mirë vlerën autentike dhe është një juri në vetvete, dhe në mos pajtimet me jurinë herë herë ka pasur të drejtë”, shprehet Piraj.

Në natën e dytë me programet e tyre u prezantuan 5 grupe të folklorit burimor.

Në natën e dytë u paraqitën: ShKA “Rexho Mulliqi” nga Preshevë, me valle me motive preshevare; ShKA “Bajram Shabani” me ritet e dasmës së Kumanovës; ShKA “Jonuz Ramadani” nga Smira e Vitisë me ritet e dasmës dhe kanagjegjes nga Karadaku, Qendra Kulturore “Besa” nga Kavaja u paraqit me valle me motive të Shqipërisë së mesme dhe ShKA “Muharrem e Xhevat Qena” nga Ramaja e Hasit, me ritet e lojërave të Shëngjergjit dhe valle të Hasit.

Ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

0

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.
Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane. Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.

Heroi ynë kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdis më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare.

Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.

Me i dhanë zor… për demarkacion

0

Shkruan: Ditar Kabashi

Kur shkruaj diçka, sfidë kryesore e kam vënien e titullit. Mirë, – them me vete, po shkruaj, ndoshta edhe ia qëlloj, por çka nëse e titulloj shkrimin në mënyrë jo të duhur? Çka nëse nuk e nxit lexuesin? Kush klikon për t’i hedhur një sy? Problem kjo punë.

Më duhet të pranoj, gjithsesi, se shpesh gegërishtja t’i lehtëson artikulimet. Paskajorja “me” (me dhanë, me shkue) s’ka “t’pagueme”. Edhe te ky titull më nxori nga kriza.

***

Ja që dalja ime nga kriza nuk do të thotë dalje nga kriza edhe për Kosovën. Shteti ynë i ri, me legjislacion modern (për pak postmodern me Kodin Penal), “po sikur lisi i rrxuem përdhe” i Pashko Vasës, ka rënë në kokërr të shpinës dhe pret që dikush t’i zgjasë dorën a ta drejtojë. Atyre që iu besua kjo punë sakaq dolën të paaftë t’ia përcaktojnë bile edhe megjen (kufirin) se deri ku ky lis mund ta shtrijë hijen e vet (sovranitetin) dhe degët e tij (mekanizmat shtetërorë).

Po mirë, ndonjëherë edhe nuk dilet përtej lëkurës. Ndodh që s’mund të bësh diçka edhe pas përpjekjeve të shumta. Më e dhimbshmja e krejt kësaj është që kurrqysh të lirohemi nga analizat e opinionistëve të famshëm të televizioneve tona. Sikur të mos mjaftonin këta (ku secili është ekspert i secilës fushë të mundshme), tani filluan të shfaqen edhe eksponentët e liderëve të partive politike si sihariq i një fillimi të fushatës së parakohshme elektorale. Ç’është e vërteta, deri diku edhe jemi mësuar ngase ende nuk kemi pasur një qeverisje me mandat të plotë kushtetues. E si ta kemi kur Kushtetutën dhe ligjet i konsiderojmë aksesor në praktikën politike?

Ajo që nuk po arrij të kuptoj është se për ç’arsye kryeministri Isa Mustafa po i jep zor demarkacionit. Votimi ose jo i tij nuk është përcaktues i jetëgjatësisë së kësaj qeverie. Ortakët politikë të kryeministrit akademik në bashkëqeverisje zaten s’po duan ta vazhdojnë koalicionin me të. Kjo është e qartë si hëna katërmbëdhjetë. E n’e pastë sa për liberalizim, z. Mustafa s’ka pse të brengoset. Veç le të shkojë në zgjedhje parlamentare dhe populli sigurisht i ndëshkon fajtorët e demarkacionit, rrjedhimisht të liberalizimit të vizave.

***

Kësaj radhe, gjëja e parë ishte përcaktimi i titullit. Si popull e përdorim mjaft shpesh këtë thënie. Njeriut nuk i dihet se me çfarë vështirësish ballafaqohet e që duhet t’i japë zor. E shtyn një veturë të bllokuar në rrugë, bart ndonjë thes me miell, qe besa ha pasul dhe pastaj… Sidoqoftë, për që vjen puna të përdoret kjo shprehje për demarkacionin, s’ma kish marrë mendja.

Mbeturinat e ngurta shkaktojnë kaos në Prizren

0

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren në mbështetje të JAICA-s japoneze ka përfituar konsensus për Kornizën e punës së master-planit për menaxhimin e mbeturinave të ngurta në komunën e Prizrenit, me qëllim që të kemi një shoqëri më të shëndoshë. Kjo komunë ka hartuar planin pesë vjeçar të menaxhimit të mbeturinave duke synuar deri në vitin 2020 të mos ketë të tilla në këtë qytet. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren Sulltan Badallaj thekson se ka pasur një shqetësim si drejtor se tashmë qytetarët e ndoshta edhe kompani të papërgjegjshme kanë krijuar rrethana për deponi ilegale duke derdhur sidomos mbeturinat të ngurta vend e pavend. Badallaj është shprehur për “Kosova Sot” se në Prizren janë krijuar deponi të egra sidomos për mbeturinat e ngurta.

Shkallë e ulët e grumbullimit të mbeturinave të ngurta

Badallaj tha se si drejtori bashkë me Drejtorinë e Inspektorateve kanë dalë në terren dhe kanë bërë evidentimin e këtyre rasteve. “Ne do të mundohemi të sensibilizojmë ata që mos të hedhin mbeturina të ngurta kudo, ose do të pasojnë gjobat”, është shprehur ai. Kurse drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Hasani, tregon se deponi të këtilla nga të pandërgjegjshmit janë krijuar tashmë duke shtuar se kanë menduar t’i vrojtojmë me kamerë, kurse dënimet do të jenë drakonike për ata që e keqpërdorin natyrën apo rasti si te shtrati i Lumbardhit. Ai ka thënë se po përgatisin planin afat gjatë të master-planit për menaxhimi e mbeturinave dhe në këtë plan janë edhe parashikimet e gjenerimit të mbeturinave në të ardhmen. Ai ka shtuar se Republika e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria japoneze asistencë teknike në fushën mjedisore. Në përgjigje të kësaj, JAICA ka kryer studimin e Menaxhimit Mjedisor. Përmes rezultateve të këtyre studimeve, JAICA, ka gjetur se Menaxhimi i Mbeturinave të ngurta është njëra nga çështjet më kritike në Kosovë. Shkalla e grumbullimit të mbeturinave ka qenë tejet e ulët dhe shërbimi i grumbullimit nuk ka qenë i mjaftueshëm. Për mbeturinat e ngurta u caktua edhe lokacion në Zhur, por qytetarët dhe kompanitë pak po i përmbahen.

Situata të rënda në komunë

Kurse Drita Millaku, nga lëvizja ‘Vetëvendosje’, theksoi se krijimi i deponive të egra të mbeturinave të ngurta shkakton kaos për Prizrenin. “Ne vazhdimisht kemi kërkuar dhe kërkojmë, që ky kaos të ketë një zgjidhje. Sepse tashmë ato vërtetë janë duke krijuar situata të rënda për komunën tonë. Unë dua me këtë rast të akuzojë tri Drejtori, atë të Shërbimeve Publike, atë të Emergjencës dhe Mirëqenies për Punë Sociale”, është shprehur ajo. Shton se këto drejtori janë përgjegjëse për këtë situata të deponive të egra. Edhe njëri nga pronarët e kësaj deponie, Jakup Hoxha, nga Zhuri, tregon për gazetën se është detyrë e komunës këtë problem ta kryejë ashtu si duhet. Qeveria e Kosovës ka formuluar strategji për Menaxhimin e Mbeturinave për periudhën 10- vjeçare (2010-2020) si politika zhvillimore për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta. Strategjia përmend arritjet e pakësimit të ndotjes mjedisore të shkaktuar nga mbeturinat, përmirësimin e shërbimit të grumbullimit në tërë vendin, realizimin e një cikli material të shëndoshë përmes 3R (ripërdorimit dhe riciklimit të Mbeturinave). Edhe shoqëria civile me këtë rast ka reaguar ashpër për mbeturinat e ngurta. Valon Xhabali nga “Ec Ma Ndryshe” thotë se krijimi i atyre deponive të egra e prish imazhin dhe natyrën e Prizrenit. Kreu i degës së LDK të Prizrenit, Haxhi Avdyli, theksoi se është urgjente eliminimi i të gjitha deponive të egra.

(Kosova Sot)