12.1 C
Prizren
E diel, 22 Qershor, 2025
Home Blog Page 6022

Prizreni gjatë muajit të Ramazanit frymon ndryshe

0

Ajo që e dallon Prizrenin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është fakti se tani për një muaj ka më shumë jetë nate. Ajo që këtë muaj e dallon është edhe fakti se në Prizren në këtë muaj pasurohen edhe shumë sofra dhe begatohen me ushqime. Megjithatë, papunësia e madhe dhe varfëria ekstreme që ka kapluar shumë familje bën që në shumë shtëpi të mos ketë ushqime të mjaftueshme as gjatë këtyre ditëve të këtij muaji të shenjtë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prizreni vërshohet edhe nga turistët

Në Prizren tash e sa kohë është krijuar tradita që pas iftarit qytetarët dalin në qytet deri në orën 3:00 të mëngjesit. Pos të rinjve, shumica dalin edhe me familje për të shijuar freskun e natës buzë lumit të qytetit, pas një dite të gjatë dhe të lodhshme me agjërim. Për besimtarët më të devotshëm, xhamitë e shumta lënë dyert e hapura po ashtu deri në orët e vona, ku ata i falen Zotit dhe i drejtojnë lutje. Kjo traditë ka bërë që gjatë këtij muaji Prizreni të josh edhe shumë vizitorë e turistë nga qytetet e tjera përreth, apo edhe më larg, dhe ndodh që numri i turistëve të jetë më i madh se vetë prizrenasve që dalin për shëtitje. Kështu, ndodh që në mbrëmje vështirë është madje të arrish të sigurosh një vend për t’u ulur në kafenetë e mbushura përplot.

Shumë tiranas joshen nga bukuria e Prizrenit

Ne takuam edhe Afërdita Bruzin nga Tirana, e cila me këtë rast na tregoi se vjen gati në secilin vikend në Prizren për shkak të bukurisë që ka ky qytet.”Jam këtu shpesh, sepse Prizreni është mrekullia e gjitha qyteteve të shqiptarëve dhe të Ballkanit. Personalisht vij këtu sepse relaksohem dhe ndihem mirë”, na thotë Afërdita Bruzi, e cila shprehet se i pëlqen edhe jeta e natës në qytet. Po kështu me admirim të veçantë shprehet edhe Zamira Take, po kështu nga Tirana. “Prizreni është i bukur, i lirë për të jetuar dhe ka tipare të një qyteti të traditës së vjetër shqiptare. Është vendi ku më me dëshirë vij. Këtu jam shpesh, sepse besoni se kudo në botë të shkoja s’do të mund të jetoja pa këto burime të “Shatërvanit”, pa kalldrëmin e bukur të këtij qyteti. Më pëlqejnë edhe njerëzit dhe kultura e tyre”, tha ajo. Kurse kamerieri Meriton Gashi pohon se ditët e vikendit ka shumë mysafirë në Prizren. Edhe lokal ku ai punon gumëzhin nga mysafirët e shumtë. “Kemi shumë klientë, sidomos gjatë ditëve të vikendit, por edhe në mbrëmje kur vijnë grupe të ndryshme për iftar”, na thotë Gashi.

Një vakt i ngrohtë për skamnorët

Por, edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit familje të shumta po përballen me varfëri ekstreme. Një prej tyre është edhe ajo e Muhamet Hoxhajt. Kjo familje jeton në rrugën “Edit Durham” nr. 38, në një shtëpi të vjetër ku me vetëm 70 metra katrorë jetojnë gjashtë anë- tarë të familjes Hoxhaj. Muhameti pohon se është i papunë dhe jeton vetëm me ndihma sociale, pasi merr vetëm 75 euro në muaj. Ai edhe pse është vetë keq me shëndet, shprehet se shëndeti i djalit Endritit ia ka dërmuar tërësisht shpirtin atij dhe nënës së Endritit. Ndërkaq gjendja fare më të mirë nuk kanë as familjet që jetojnë në Qendrën kolektive si ajo Lubovci, Krasniqi e të tjera. Për skamnorët, por edhe për besimtarët e tjerë, në Prizren tash e sa vite organizohen iftare të përbashkëta, që organizohen nga shoqata të ndryshme humanitare. Këto darka pos që ofrojnë nga një vakt për skamnorët, janë edhe një përkujtues për gjendjen e rëndë në të cilën përballen shumë familje prizrenase që edhe në këtë shekull të ri përballen me mungesën e bukës së gojës.

(Kosova Sot)

Nait Hasani: Ja kur shkojmë në zgjedhje

0

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka theksuar se demarkacioni me Malin e Zi përfundimisht ka dështuar.

Në një prononcim për Gazeta Blic ka thënë se shumë deputetë të PDK-së i janë bashkuar qëndrimeve të tij kundër demarkacionit.

Po, tjerët nga PDK-ja janë kthyer nga ana ime, të më përkrahin për të mos kaluar, ka theksuar Hasani.
Ai ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, njëherë duhet të përmbyllet çështja e demarkacionit dhe pastaj shkojmë në zgjedhje të reja.

Sa i përket zgjedhjeve, njëherë duhet të përmbyllet demarkacioni, e pastaj të shkojmë në zgjedhje, i ka thënë Hasani Gazetës Blic.

Kohëve të fundit, në PDK janë shtuar zërat kundër demarkacionit. Dy nga njerëzit më të fuqishëm në këtë parti, Adem Grabovci e Xhavit Halitit kanë dalë kundër këtij procesi.

Opozita, ndërkaq ka paralajmëruar masa radikale kundër miratimit të Demarkacionit në Kuvend./ Gazeta Blic

Amber Rose dëshiron të ketë fëmijë të tjerë me ish burrin e saj

0

Ata janë të ndarë që nga viti 2014 mirëpo, Amber Rose ende e dashuron ish burrin e saj Wiz Khalifa.

Madje, ajo ka thënë se do dëshironte të kishte fëmijë të tjerë nga ai. “Ndoshta për dy vjet, ne do të kthehemi së bashku prapë dhe do kemi më shumë fëmijë. I them atij gjatë gjithë kohës: Të lutem, ma jep vetëm spermën tuaj. Kjo është e gjitha që unë dua” ka thënë ajo, shkruan Daily Mail.

Ajo ka folur edhe për djalin e tyre Sebastianin për të cilin ka thënë se ai bëhet shumë i lumtur kur Amber dhe Wiz janë së bashku.

Amber ka folur edhe për anën profesionale, dhe ka thënë se shou i saj ‘VH1’ është shtyer për një kohë të pacaktuar.

Putin: Nuk përjashtoj një tjetër luftë të ftohtë

0

“Nuk mund të përjashtoj që herët a vonë të jemi përballë një Lufte të re të Ftohtë”, nëse “NATO vazhdon të nxisë”, logjikën e kundërpërgjigjes. Kështu është shprehur presidenti rus, Vladimir Putin në Forumin Ekonomik të Shën Pjetërsburgut, duke nënvizuar që Aleanca Atlantike “ka nevojë për një armik të jashtëm” dhe ky armik qenka Rusia. “Mendoj se asnjë nuk e do këtë gjë, ne sigurisht nuk e duam”, – ka konfirmuar shefi i Kremlinit.

Gjatë samitit plenar, është folur edhe për presidentin e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë. Për kandidatin republikan Donald Trump, Putin ka konfirmuar se “kam thënë vetëm që është një njeri brilant. Ai është i gatshëm të rivendosë dialogun e plotë me Rusinë. Ne e mbështesim këtë, por do të punojmë me këdo president që do të zgjidhet në krye të SHBA-ve”.

Më pas Putin, vlerësoi marrëdhëniet e tij në të shkuarën me ish-presidentin amerikan Bill Clinton: “Me të kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Mund të them se i detyrohem madje për disa momente, kur po hyja në politikën e madhe. Disa herë, ai ka shfaqur shenja vëmendjeje dhe respekti ndaj meje dhe Rusisë. E kujtoj këtë fakt dhe i jam mirënjohës”.

Arrestohet autori i dyshuar i një vrasjeje në 2014

0

Policia e Durrësit arrestoi 22-vjeçarin, Bedri Haka, i dyshuar si autor i vrasjes së Leonard Muratajt, 51-vjeç, ndodhur në nëntor të vitit 2014.

Pesë ditë pas vrasjes së Muratajt, Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Bedri Hakan për akuzat e vrasjes me paramendim dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake.

22-vjeçari Haka, banues në Krujë, u ndalua në ambientet e një lokali në qendër të qytetit të Durrësit.

Policia thotë se Murataj ka qenë person me precedentë të mëparshëm penalë

Paralajmërohet anulimi i Testit të Maturës në disa qendra

0

Këshilli Shtetëror i Maturës nëpërmes një komunikate për medie ka thënë se si pasojë e lëshimeve të konstatuara do të anulojë Provimin e Maturës Shtetërore në ato qendra ku janë vërtetuar shkeljet.

Ky këshill thotë se është i kënauqr me rrjedhen e përgjithshme të Provimit të Maturës në vend, edhe pse Koha.net më parë ka raportuar se testi tashmë vetëm se ka rrjedhur në rrjete sociale.

“Ekspertët, administratorët dhe mbikëqyrësit tanë, bashkë me drejtorët komunalë, këshillin rinor, këshillin e prindërve, mediet dhe policinë, si dhe akterët tjerë të përfshirë në proces, janë duke i identifikuar dhe evidentuar rastet e abuzimit dhe kopjimit”, thuhet në komunikatën e Këshilli Shtetëror i Maturës.

Mbretëresha qorton Princin (Video)

0

Festimet për 90-vjetorin e Mbretëreshës Elizabeth II u bënë një burim frymëzimi të shumë parodive dhe ironive rreth familjes mbretërore në internet.

Pas ngjyrës së gjelbër të veshjes së Mbretëreshës, për të cilën u krijuan shumë fotomontazhe në internet, një gjë tjetër që tërhoqi vëmendjen ishte një qortim i Mbretëreshës për një nga nipat e saj.

Gjatë përshëndetjes së familjes mbretërore të gjithë ishin në këmbë, përveç Princit William i cili në fakt po kujdesej për Princin George.

Mbretëresha Elizabeth e prek në sup Princin William duke i kërkuar të ngrihet në këmbë.

Ai siguririsht që ngrihet, fundja ai është Princ por ajo është Mbretëresha.

Jakup Krasniqi kritikon ashpër EULEX-in

0

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se shtetet Evropiane po vazhdojnë të përkëdhelin Serbinë duke mos e obliguar të merret me seriozisht me kriminelët e luftës.

Reagimi i Krasniqit është nxitur nga një lajm i qarkulluar dje në mediat serbe se në Serbi fshihen tre mijë persona të dyshuar për krime lufte në Ballkan.

“Kjo do të thotë se vendet e Demokracisë Perëndimore, jo vetëm që nuk e kanë obliguar Serbinë që të merret seriozisht me kriminelët serbë apo nuk kanë krijuar një EULEX a Gjykatë Speciale për Serbinë siç po bëjnë me Kosovën, por ata, kriminelët serbë, edhe në Tribunalin e Hagës nuk kanë marrë ndonjë dënim të merituar”, ka shkruar Krasniqi.

“Në kohën kur përkëdhelet Serbia, duke i amnistuar kriminelët serbë për krimet e kryera e të konfirmuara serbe në Kosovë, i gjithë presioni i ndërkombëtarëve është drejtuar ndaj të ashtuquajturave “krime” të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet tutje në një shkrim të Krasniqit.

Ai ka kritikuar edhe EULEX-in sepse sipas tij, ky mision ka drejtuar gjithë luftën , gjithë luftën kundër krimit e korrupsionit, të mos e drejtonin ekskluzivisht kundër pjesëtarëve të UÇK-së,

“Do t’i kuptoja disi pjesëtarët e këtij misioni sikur të ashtuquajturat “krime” të luftës t’i kërkonin te pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (kjo edhe mund të përtypej disi), por, i gjithë orientimi i këtij misioni, për kohën kur ai është i pranishëm në Kosovë (2008-2016), të ndiqeshin ekskluzivisht për krimet ekonomike e korrupsion vetëm ish-pjesëtaret e UÇK-së, kjo, kryekreje, është një veprim thjesht politik e aspak veprim i drejtësisë”, ka thënë Krasniqi.

“Ne një rast të tillë, njeriu s’ka si tëmos i parashtrojë disa pyetje: A thua në qeveritë e pasluftës paskan qenë vetëm njerëz me origjinë nga UÇK-ja? Në institucionet e pavarura, si AKM-ja e cila ka bërë dhjetëra privatizime të kriminalizuara, na paskan qenë me origjinë nga UÇK-ja? Në TRUST e BQK na paskan qenë njerëz me origjinë nga UÇK-ja?”/

Usher publikon këngë të re (Video)

0

Në videoklipin e ri të këngës së re “Crash”, Usher shihet tepër i emocionuar madje edhe me lot në sy.

Artisti 37 vjeçar në klip ka edhe një korografi të mirë se bashku me dy valltarë.

“Crash” dhe kënga e tij tjetër “No Limit” të dyja janë të vendosura në albumin e tjetër të Usher “Flawed”, i cili thuhet se është vendosur të dal në korrik.

Një nxënës përjashtohet nga testi në Prizren

0

Një nxënës i Gjimnazit “Abdyl Frashëri” në Prizren është përjashtuar nga testi i maturës.

Përjashtimin e tij e konfirmoi për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit Nexhat Çoçaj.
Çoçaj tregoi edhe arsyen e përjashtimit të këtij nxënësi.

“Në qendrën numër pesë një nxënës është përjashtuar nga testi pasi që ka fotografuar testin dhe e ka publikuar në Facebook,” tha Çoçaj për KALLXO.com.

KALLXO.com shkroi edhe sot për shpërndarjen e testit të maturës online.