11.1 C
Prizren
E martë, 11 Nëntor, 2025
Home Blog Page 6031

Pesë vjet burg për aktivistët e VV-së, nëse vërtetohet se ata kryen sulmin ndaj Kuvendit

0

Mëngjesin e djeshëm Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërmorën një aksion lidhur me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, me ç’rast u kryen bastisje në gjashtë lokacione në Prishtinë.

Si rezultat i këtij aksioni në pranga përfunduan gjashtë persona, si dhe u konfiskuan një numër i madh i armëve, dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë emrat e gjashtë të arrestuarve të cilët janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.Menjëherë pas arrestimit të tyre, zyrtarë të lartë shtetëror deklaruan se sulmi ndaj Kuvendit ishte terrorist dhe se mbështesin organet e rendit në punën e tyre.

Lidhur me atë se nëse ky sulm ndaj Kuvendit del të jetë terrorist, atëherë cilat do të jenë pasojat për kryerësit e kësaj vepre e sidomos për Vetëvendosjen, njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani ka thënë për Telegrafin se arrestimi i aktivistëve të një partie politike, me dyshimin që janë të përfshirë në sulmin e armatosur ndaj Kuvendit, është një çështje shumë delikate dhe e ndjeshme.

“Dy hipotezat në këtë situatë çojnë në një fazë të re politike dhe të sigurisë. Njëra hipotezë është se ata nuk janë të përfshirë dhe se kjo e tëra paraqet një inskenim. Nëse kjo vërtetohet, atëherë kjo do të shkaktojë reagim të paparë publik dhe një rrënim të udhëheqjes së tashme të institucioneve dhe të sektorit të sigurisë. Hipoteza tjetër është se këta ose ndonjëri prej tyre janë të përfshirë rreth sulmit të armatosur ndaj Kuvendit. Nëse kjo vërtetohet, atëherë qartazi kjo cilësohet si ‘terrorizëm politik i brendshëm’”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se një gjë e tillë do të fuqizonte efikasitetin e institucioneve të sigurisë, ndërsa menjëherë duhet të ndërmerret procedura legale për ndalim kushtetues të funksionimit të një strukture të tillë, që provohet se ka përdorë metoda terroriste.

Ramadani ka theksuar më pas se arrestimi i zyrtarëve të VV-së nuk kalon pa pasoja.

“Ose do të kenë pasoja juridike e politike institucionet dhe udhëheqësit e tyre, ose do të ketë pasoja juridike e politike VV-ja”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, avokati Arianit Koci ka thënë se sulmet e ditëve të fundit duke e përfshirë edhe sulmin në Kuvendin e Kosovës, e kisha veçuar prej subjektit politik Vetëvendosje.

“Aktivistët e Vetëvendosjes janë arrestuar, por në këtë faze të procedimit penal ndaj të pandehurve duhet të aplikohet prezumimi i pafajësisë. Ditëve të fundit, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit, kanë pasur shumë presion publik, me të drejtë, me i gjet kryerësit e akteve terroriste, që kanë ndodhur ditëve të fundit”, ka thënë Koci për Telegrafin, duke shtuar se shpreson që ky presion, nuk është konvertuar dhe nuk ka krijuar një situatë, që pa prova të fuqishme, kualitative dhe kredibile, të arrestohen aktivistët e Vetëvendosjes.

Avokati ka theksuar se në këto raste të ndjeshme, gabimet eventuale të policisë dhe prokurorisë, potencialisht mund ta tensionojnë gjendjen edhe ashtu të brishtë të sigurisë te ne.

“Sidoqoftë, nëse arrihet të vërtetohet lidhja në mes të sulmit në Kuvend dhe qëllimit për ndikim në vendimmarrje politike, atëherë sulmi në Kuvend është padyshim sulm terrorist. Terrorizmi sipas vet definicionit në Kodin Penal të Kosovës, është kryerja e një ose më shumë veprave penale me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë, të detyrimit të padrejtë të një organi publik, qeverisë apo ndonjë organizate ndërkombëtare për ta kryer ose për të mos kryer ndonjë veprim…”, u shpreh Koci.

Ai ka deklaruar se nëse vërtetohet nga ana e organeve të drejtësisë, që sulmet janë bërë për qëllimet e cekura më lartë, atëherë mund të themi që kemi të bëjmë me terrorizëm.

“Neni 136 i Kodit Penal të Kosovës parasheh që kushdo që kryen një vepër terroriste dënohet me jo më pak se pesë ( 5) vjet burgim”, ka treguar Koci.

I pyetur se a do të duhet t’i ndalohej veprimtaria politike Vetëvendosjes në rast se vërtetohet se sulmi në Kuvend është terrorist dhe se atë e kanë kryer aktivistë të saj, avokati Koci u shpreh se “Kriteret për ndalimin e veprimtarisë së një partie politike janë shumë rigoroze. Edhe po të vërtetohet se ndonjë aktivist i ndonjë partie politike ka kryer vepra terroriste, partisë nuk i ndalohet veprimtaria, përveç nëse nuk vërtetohet se urdhrat për një veprim të tillë janë marrë direkt nga strukturat udhëheqëse të partisë”.

Ndërkaq edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar ndaj deklaratave se sulmi në Kuvend është terrorist.

“Policia tashmë krejtësisht e diskredituar e Kosovës, aktivistët e arrestuar po i cilëson si terroristë. Ne i bëjmë thirrje policisë që të mos flasë me gjuhën e pushtetit dhe sqarojmë se monopolin për fjalën ‘terrorizëm’ nuk e ka ky pushtet dhe nuk mund ta përdorë sipas tekeve të tij të padrejta, pa asnjë argument e pa asnjë fakt të vetëm. Kur kishte ndodhur sulmi në drejtim të Kuvendit të Kosovës dhe kur ende nuk kishte të dyshuar, Policia këtë nuk e kishte quajtur akt terrorist, por vetëm ‘sulm me mjet shpërthyes’. Tash, që ka vendosur ta bëjë fajtore Lëvizjen VETËVENDOSJE! e përdori edhe këtë fjalë si armë përbaltëse”, kishte deklaruar Vetëvendosje përmes një reagimi.

Shpërthimi tek Kuvendi i Kosovës ka ndodhur në ditën kur Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për Demarkacionin me Malin e Zi, më datën 4 gusht të këtij viti. /Telegrafi/

Vetëvendosje në Prizren, fton qytetarët në protestë

0

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, thërret të gjithë qytetarët e Prizrenit që me datën 1 shtator, ditë e enjte, të marrin pjesë në protestën kundër Ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Nisja nga Prizreni bëhet në mënyrë të organizuar në orën 09:00 nga Stacioni i Autobusëve në Prizren.

Ky fakt për tradhtinë e femrave do t’ju habisë

0

Një raport i Indiana University ka arritur në përfundimin se për herë të parë në historinë moderne, gratë po kryejnë tradhti bashkëshortore po aq sa burrat.

Dhe sipas një tjetër studimi, është zbuluar se ndërkohë që përqindja e burrave që kanë tradhtuar gjatë dy dekadave të fundit ka qëndruar pothuajse konstante, përqindja e grave që bëjnë të njëjtën gjë është rritur me rreth 40%.

Ekspertët janë shprehur se përhapja e internetit dhe fakti që gratë tashmë punojnë shumë më tepër jashtë shtëpisë dhe e fitojnë vetë “bukën e gojës”, padyshim që janë faktorë që kanë ndikuar në këtë rritje të tradhtisë nga ana e grave. Megjithatë, duket se ato po e vuajnë një gjë të tillë më pak se meshkujt. Sipas terapistëve, në pjesën më të madhe të rasteve kur një grua kryen tradhti, përgjithësisht është burri ai që tenton ta shpëtojë martesën.

Etrit Berisha vendos të ardhmen

0

Kur na ndajnë edhe disa orë nga mbyllja e dritares së transferimeve, portieri i Kombëtares shqiptare Etrit Berisha është në tension për skuadrën e së ardhmes.

Lazios nën drejtimin e Inzaghit ka konfirmuar se Marcheti do jetë titullari i portës kryeqytetase ndërsa Berisha është i pakënaqur me hapësirën e limituar duke marrë pozicionin e portierit të dytë.

Marrëdhëniet mes Berishës dhe Lazios janë krisur ku pritet vetëm divorci i paralajmëruar, shkruan ‘Laziopress’, raporton Syri.net.

Dy klube të njohura në Serie A janë pranë transferimit të gardianit të portës kuqezi, bëhet fjalë për Paleron dhe Atalantën.

Berisha momentalisht është grumbulluar me Kombëtaren por gjatë orëve të fundit është i fokusuar për të zgjedhur klubin e ri.

Ushtria serbe stërvitet më tepër me NATO-n sesa me Rusinë

0

Megjithëse nuk është raportuar shumë në media, Serbia ka kryer 206 aktivitete ushtarake me SHBA-në dhe NATO-n në vitin 2016, por vetëm 17 me Rusinë, tha për BIRN ministria serbe e mbrojtjes.

Serbia është përfshirë në 116 aktivitete të përbashkëta ushtarake me NATO-n dhe 90 aktivitete ushtarake bilaterale me Shtetet e Bashkuara, por me ushtrinë ruse ka kryer vetëm 17 stërvitje për vitin 2016, i tha ministria e mbrojtjes BIRN.

Eksperti ushtarak Aleksandër Radiç i tha BIRN se kjo është shumë e ditur në qarqet ushtarake, por mediat lokale janë më të interesuara të raportojnë mbi bashkëpunimin me forcat ruse.

“Media serbe shpesh e përdorin këtë për të fituar vëmendje. Ata bënë të njëjtën gjë me bisedimet rreth bazës ushtarake ruse [në qytetin jugor] Nis, gjë që nuk ishte e vërtetë… ajo nuk ishte një bazë ushtarake, por një qendër klasike humanitare pa qëllime ushtarake”,- tha Radiç.

“Serbia ka dhjetë herë më tepër bashkëpunim me perëndimin se me Rusinë”,- shtoi ai.

Ministria e mbrojtjes tha se pjesëmarrja e trupave ushtarake serbe në Lojërat Ndërkombëtare Ushtrake 2016 nga 30 korriku në 13 gusht në Rusi dhe blerja e dy helikopterëve Mi-17 ishin shembujt më të zakonshëm të bashkëpunimit me Moskën në vitin 2016.

Serbia shpalli një doktrinë neutraliteti ushtarak në dhjetor 2007 dhe qeveria aktuale ka njoftuar plane për të ndryshuar politikën.

Megjithatë, vendi është i lidhur me NATO-n përmes programit të Partneritetit të Aleancës për Paqe. Në mars 2015, Serbia kreu një Plan Veprimi të Partneritetit Individual me NATO-n, i konsideruar si niveli më i lartë i bashkëpunimit me NATO-n për një vend jo-anëtar.

Opinioni në lidhje me NATO-n ka qenë i ndarë thellësisht në Serbi që kur aleanca perëndimore filloi sulmet ajrore kundër ish-Jugosllavisë gjatë fushatës 78 ditore të bombardimeve në vitin 1999, që e detyroi Serbinë të tërhiqet nga Kosova. Kosova u vendos më pas nën administrimin ndërkombëtar dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Shumica e serbëve janë ende të zemëruar rreth humbjes së provincës, që e konsiderojnë “djep” të shtetit serb.

Sipas sondazheve të opinionit publik të kryera më herë këtë vit, 80 për qind e serbëve janë kundër anëtarësimit në NATO.

Një sondazh i kryer në shkurt nga kompania e kërkimit Ipsos Strategic Marketing gjithashtu sugjeroi se rreth dy e treta e atyre që iu përgjigjën sondazhit kishin sjellje më pozitive ndaj Rusisë sesa ndaj BE-së, SHBA-së apo NATO-s./ Sasa Dragojlo/BIRN/

Vetëvendosje: Sulmohen dy aktivistë në Malishevë

0

Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar sulmin fizik ndaj dy aktivistëve të Qendrës së Malishevës, Bekim Gashi dhe Liman Hoti, sulmin për të cilën VV thotë se është “bërë nga të afërm të deputetit të LDK-së, Salih Morina”.

“Aktivistët tanë u sulmuan teksa po shpërndanin fletushka dhe po vendosnin posterë që bëjnë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 1 shtatorit. Për pasojë, të dy aktivistët janë në Qendrën Emergjente të Malishevës”.

“Ky klan kriminelësh që po qeveris me vendin, tash ka filluar ta shfaqë brutalitetin e tij edhe fizikisht, nga paniku për fundin që po iu vjen. Sulmet e tilla nuk do të frikësojnë aktivistët tanë, dhe rezistenca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj bandave kriminale në pushtet veçse do të fuqizohet”.

“Ne mbajmë përgjegjës deputetin Morina për këtë sulm, dhe ftojmë organet e rendit dhe drejtësisë që të merën me hetimin e këtij rasti të kriminelëve të pushtetit, në koordinim me një deputet që është vegël dhe shërbyes i klanit Pronto. Si dhe, i bëjmë me dije deputetit Morina se do të mbajë përgjegjësi historike për qëndrimin e tij ndaj demarkacionit me Malin e Zi”, thueht në një njoftim të këtij subjekti politik.

Jurgen Kurti, rinis jetën luksoze 5 muaj pas vrasjes së babait

0

Personazhi i njohur i muzikës botërore, që erdhi në Tiranë me ndërmjetësimin e menaxherit të VIP-ave, Jurgen Kurti, ishte reperi i famshëm me ngjyrë, Rick Ross.

Drejtuesi i një kompanie të njohur në Tiranë postoi foto me të famshmin e hip-hop-it pak orë para se në banesën e tij, në zonën e ish-Bllokut, të ndodhte vrasja e babait të tij, Artur Kurti.

Deri në atë moment, Jurgeni njihej si djaloshi pasanik i ekraneve, që e kishte tejkaluar famën metropolitane, duke u shndërruar në një personazh televiziv që fliste për jetën e tij luksoze, edhe pse ishte vetëm 23 vjeç.

Për shkak të kësaj fame, ngjarja e rëndë që ndodhi në shtëpinë e tij mori jehonë më të madhe, duke pushtuar rrjetet sociale me lajme të njëpasnjëshme për të. Si i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Jurgeni përfundoi në qeli, por Gjykata e liroi disa ditë më vonë duke e lënë në arrest shtëpie.

Ai u arrestua pas vrasjes së të atit Artur Kurti, të ndodhur më 4 prill 2016, ndërsa u dha arrest me burg për dajën e tij, Leonard Ristanin, që mori përsipër autorësinë e vrasjes.

Historia në familjen e djalit që vishet me marka, u kthye në një serial mediatik që i ngjasonte një filmi, pasi kureshtja shtohej gjithmonë e më shumë për të mësuar se çfarë ndodhi në shtëpinë e tij natën e 4 prillit.

Sipas Policisë, atë mbrëmje viktima Artur Kurti ka hyrë me thikë në dorë në banesë dhe është përleshur me djalin dhe kunatin, ku ka plagosur kunatin. Më pas, në rrethana të cilësuara si të paqarta, në përleshje e sipër, shtetasi Artur Kurti gjeti vdekjen si pasojë e plagëve me thikë.

Natyrisht që kjo ishte një tragjedi për jetën e Jurgenit, i cili në të gjitha daljet publike apo statuset që postonte në rrjetet sociale paraqitej si djalë që e dashuron jetën dhe e shijon atë në maksimum.

Tashmë pas pesë muajsh nga kjo fatkeqësi familjare, ai duket se i ka rimarrë frenat e jetës, duke iu rikthyer normalitetit. Pak ditë më parë, ai na ka dëshmuar se e ka marrë veten pas ngjarjes së rëndë, me fotot duke pushuar në Jalë.

Sërish bie në sy për argëtimet ekstreme me jet ski, apo frekuentimin e club-eve verore të shtrenjta të Jugut, në shoqërinë e miqve të tij.

Ai edhe më herët nëpër media të ndryshme kishte deklaruar ambicien e tij për t’u pasuruar, edhe pse shumë i ri në moshë. Shoqëria që ai ka regjistruar në QKR mban emrin “Albania Luxury Brands”, ndërkohë që figuron si pronar i 10 bizneseve fitimprurëse në Shqipëri./Panorama/

Enver Hoxha qau për Kosovën

0

Një nga zyrtaret e pakta që kanë vizituar Kosovën nga Shqipëria komuniste ka qenë, atëherë ministre e Arsimit, Tefta Cami. Ajo atë vizitë katërditore e ka përmbledhur në librin “Katër ditë vizitë në Kosovë”. Në këtë libër ajo shkruan: “E mora në telefon sekretarin e Enverit, Haxhi Kroin, dhe i thashë se dua të takoj Enver Hoxhën, për t’i raportuar për problemet e arsimit dhe të kulturës. Po atë ditë, ndihmësi i Ramiz Alisë, Mehmet Karakushi, më tha që t’i thosha edhe Nexhmije Hoxhës se dëshiron të takohesh me Enver Hoxhën për problemet e arsimit dhe kulturës. Dhe ashtu bëra. Hyra te paradhoma e Nexhmijes dhe sekretarja më çoi te zyra e saj, e cila e mirëpriti kërkesën time për të takuar Enverin”.

“Pas një jave, më 18 janar të vitit 1980, më njoftoi Haxhi Kroi se, sipas kërkesës së paraqitur, për të takuar komandantin siç e thërrisnin në ato vite Enver Hoxhën, më tha se ju pret nesër paradite në orën 11.30 në zyrën e tij.

Të nesërmen, më datë 19 janar, që në orën 11.00 shkova në aparatin e KQ të PPSH dhe në orën 11.15 hyra në paradhomën ku punonte Haxhi Kroi. Në orën 11.30 fiks Haxhi Kroi hapi derën e zyrës së Enver Hoxhës dhe unë hyra pas tij.

Enver Hoxha po qëndronte në këmbë impozant në mes të zyrës, dhe më priti me përzemërsi e më tregoi karrigen ku do të ulesha, në një tavolinë pranë dritareve me pamje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Sapo u ulëm pranë tavolinës, e mori fjalën Enver Hoxha:

‘Kam dashur prej kohësh të bisedojmë për zhvillimet e arsimit dhe të kulturës, por kam qenë i zënë me punë. Megjithëse jam informuar nga shoku Ramiz (Alia), dëshiroj të më informoni dhe ju, shoqja Tefta, sepse më mirë është drejtpërdrejt sesa me ndërmjetës’.

Fillova ta marr veten, më krijoi një ambient më të qetë, që ndikoi të më kalonin emocionet. Atëherë fillova të dalloj pamjen e zyrës dhe tavolinën e punës. Tavolina e punës e Enver Hoxhës ishte e veçuar, e cila ndodhej në anën e Korpusit qendror të UT, dhe ishte e mbushur me libra e gazeta. Një abazhur me disa llamba ndodhej pranë tavolinës në krah të majtë. Në të dy faqet e murit ishin të varura portretet e Marksit dhe Engelsit. Ndërsa, në faqen tjetër të murit qe vënë një pikturë me portretin e Heroit Kombëtar, Skënderbeut.

Raportimi im u zhvillua në formë bashkëbisedimi. Enver Hoxha kishte një njohje të gjerë të arsimit e të kulturës. Materiali i këtij bashkëbisedimi është botuar pothuajse i plotë në veprën e dytë të Enver Hoxhës ‘Mbi shkencën’”.

Tefta Cami e vijon më tej rrëfimin e kësaj skene që i është ngulitur në mendje për çdo detaj të saj.

“Pasi mbaruam për problemet e arsimit e të kulturës, Enver Hoxha vazhdoi të më pyeste për marrëdhëniet me Kosovën dhe me viset shqiptare përtej kufirit. I raportova se si i kishim ndjekur e po i ndiqnim si Ministri dhe institucionet përkatëse marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare, duke theksuar se e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë si një nga drejtimet kryesore të MAK. Në mënyrë të përmbledhur i fola për vizitën në Shqipëri të dr. Ymer Jakës, sekretarit për Arsimin, Shkencën e Kulturën të KSA të Kosovës.

Enver Hoxha më dëgjoi me vëmendje dhe, pasi mbarova, tha: ‘Jam i informuar për punën që bëhet në drejtim të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Këto marrëdhënie po na ecin mirë, se ti je ministre e Arsimit dhe Kulturës, që vjen nga një familje e madhe patriote. Edhe për vizitën e ministrit të Kosovës jam i informuar se qe një vizitë e suksesshme’.

Pastaj menjëherë Hoxha i ka komunikuar: ‘Ti do të jesh e privilegjuar, se sivjet do t’i kthesh vizitën ministrit të Kosovës, pra do të shkosh në Kosovë. Ata janë më patriotë se ne këtu, sepse po luftojnë për të mbijetuar e përparuar dhe për të ringritur ndërgjegjen kombëtare në kushtet e një regjimi të dyfishtë, të atij titist, dhe të shovinizmave serbe, maqedonase dhe malazeze, që po ngrenë krye e po acarojnë gjendjen në Kosovë. Edhe unë jam me mendimin tënd. Të mos i lejoni që t’i etiketojnë shqiptarët e Kosovës, se ky apo ai është agjent i UDB-së e spiunë. Ata janë e mbeten vëllezërit tanë të një gjaku e të një etnogjeneze historiko-kulturore’”.

Pohon pas kësaj Tefta Cami: “E mora me mend se Enveri ishte i mirë informuar për problemin që më preokuponte. Kush e kish bërë dhe si, nuk e mora vesh”.

“Sigurisht Cami e ka fjalën për çështjen e përhapjes së librave politikë të Hoxhës në trojet shqiptare në Jugosllavi dhe më pas përshkruan: ‘Kur po fliste për Kosovën, vura re që Enver Hoxha u përlot me dhimbje. Dhe duke përfunduar tha: ‘Është Kosova, prandaj është edhe Shqipëria. Shqiptarët e Kosovës që nga ai më i thjeshti e deri te politikanët janë shprehur hapur se vetëm kur të kalojnë mbi trupat e tyre, mund të sulmohet Shqipëria amë’.

Në vazhdim të kësaj deklarate të fortë, pra se mbi të gjitha ekziston Kosova prandaj edhe mbijeton si shtet Shqipëria dhe aspak nuk është e kundërta, Enver Hoxha ka vijuar me fjalët: ‘Takimet e bisedat me shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi duhet të jenë takime pune e vëllazërore me interes të përbashkët’.

Pastaj Hoxha këmbëngul: ‘I kam thënë Ramiz Alisë që, gjatë bisedimeve me shqiptarët përtej kufirit, të mos përmendet partia apo emri im, pra të mos lejoni që të politizohen problemet e bisedimeve, sepse dëmtohen marrëdhëniet vëllazërore me ta dhe vihen në situata të vështira, sepse dihet se në ç’sistem jetojnë dhe ç’pasoja e rrjedhoja mund të kenë kur të kthehen në vendet e tyre’.

Kur dola nga zyra e Enver Hoxhës, m’u duk se kisha marë përkrahjen e nevojshme dhe të domosdoshme…”!

Tefta Cami ende nuk e mbyll këtu skenën mbresëlënëse të takimit të saj me Enver Hoxhën dhe pa e fshehur pikëllimin dhe habinë, shkruan: “Me keqardhje, bisedën me Enver Hoxhën për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare dhe vlerësimet e orientimet që më dha, nuk i kam gjetur në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit”.

Në mëngjesin e 19 janarit 1980, pikërisht atë ditë kur Enver Hoxha, sipas kërkesës së Tefta Camit, e priti këtë të fundit në zyrën e tij, gazeta “Zëri i Popullit” kishte në faqen e parë një kryeartikull, në të cilin bëhej e ditur një deklaratë e qeverisë shqiptare. Sipas saj, në rast të një agresioni kundër Republikës Federative Jugosllave, populli shqiptar do të luftonte përkrah popujve jugosllavë.

Qenë ditët kur shëndeti i Titos së shtruar në Qendrën e Klinikës së Lubjanës kishte rezultuar shumë problematik dhe pothuaj ishin prerë shpresat se mund të rikthehej në drejtimin ekzekutiv të shtetit.

Deklarata e Tiranës qe bërë posaçërisht për të dekurajuar një përpjekje të mundshme të Traktatit të Varshavës për sulm ushtarak ndaj vendit fqinj, çfarë do të hapte rrugën edhe për një agresion në Shqipëri.

Gjithsesi, duke ndjekur fillin e shkrimit të një dite më parë, në librin e saj “Katër ditë vizitë në Kosovë”, Tefta Cami pranon se ka mbetur mjaft e habitur se si pjesa më interesante e bisedës së saj me Enver Hoxhën jo vetëm nuk u publikua në ndonjë botim politik të kohës, në ndonjë “Ditar” apo cikël të “Vepra”-ve të tij, por nuk e ka gjetur atë dëshmi të jashtëzakonshme të largpamjes së Hoxhës as në arkivin e Shtetit, ku ndodhet edhe tërë arkivi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Përderisa një pjesë të bisedës, atë të fillimit, Cami e pohon se ka qenë e publikuar tek botimi “Mbi shkencën” i Enver Hoxhës, pra i përkujdesur prej Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste të drejtuar prej bashkëshortes së tij, Nexhmijes, do të thotë se për gjithçka në mesditën e 19 janarit 1980 është biseduar mes Hoxhës dhe Camit, siç ka qenë praktikë, është regjistruar dhe zbardhur.

Ish-ministrja e ka pyetur pas vitit nëntëdhjetë Nexhmijen për mungesën në arkivin e Shtetit dhe të KQ të PPSH-së të pjesës më të spikatur në mesazh të asaj që i ka thënë Enver Hoxha dhe ka marrë prej saj përgjigjen se kjo qe detyrë e sekretarit teknik, Haxhi Kroi.

Cami e mbylli këtu bisedën e sqarimit të fatit të mungesës në kujtesën e shtetit dhe të vendit, të asaj pjese të bisedës, ku Enver Hoxha shkëlqen në elasticitetin politik të tij, çfarë nuk qe rast i shpeshtë për dogmatizmin që kishte. Ajo nuk dëshiron të vërë në pozitë të vështirë Nexhmije Hoxhën, e cila e ka dashur dhe po ashtu e ka, si dibrane, bashkëkrahinase. Mirëpo, autorit të këtij cikli të titulluar “E fshehta e vitit 1981”, që po botohet prej shumë muajsh, pjesë-pjesë, nga gazeta “Shqiptarja.com”, e gjen të domosdoshme të mos e mbyllë me kaq.

Arsyeja?

Sepse këto punë nuk mund t’i vendoste kurrë Haxhi Kroi. Paradhoma e tij i regjistronte, pastaj të ngarkuar të posaçëm i zbardhnin dhe i korrektonin, lënda i dërgohej Enver Hoxhës, por këto çaste, janar 1980, për shkak se prej diabetit agresiv vështrimi i qe dobësuar rëndë, materiali kalonte nëpërmjet të shoqes.

Të hamendësojmë se Nexhmije Hoxha ia ka lexuar apo parashtruar të gjithë lëndën dhe Enveri ka dhënë lejen për t’u publikuar vetëm njëra pjesë, ajo, po e quajmë, më “zyrtarja”, por përse nuk është ruajtur në arkivin e partisë edhe pjesa tjetër?

Që botohej vetëm një pjesë ky ishte rregull i zakonshëm, e pazakonshme është përpjekja për të mos e ruajtur në kujtesën kombëtare të një bisede ku Enver Hoxha deklaron se “është Kosova pa është edhe Shqipëria”?

Në mes të korrikut të atij viti, 1980, qe një ministër tjetër shqiptar që pati vizituar Jugosllavinë dhe kishte kryer bisedime në Beograd. Ky qe Nedin Hoxha, drejtuesi i Ministrisë së Tregtisë me Jashtë.

Ai pati firmosur dy marrëveshje të rëndësishme: e para kishte të bënte me shkëmbimet tregtare mes dy vendeve dhe e dyta për tërë marrëdhëniet ekonomike midis Beogradit dhe Tiranës për një pesëvjeçar të tërë: 1981-1985.

Në vitin 1982 shkëmbimet tregtare do të mbërrinin deri në 135 milion dollarë, tërë pesëvjeçarin do të shkonin në 720 milionë. Qe një rritje pesëfishe.

Jugosllavët qenë shprehur mjaft të gëzuar nga kjo vizitë dhe e patën vlerësuar si shenjë të bukur të dëshirës për paqe në Ballkan.

Gjithsesi vizita e Tefta Camit prej Enver Hoxhës, që në çastin kur e vlerësoi më të lartën e qeverisë shqiptare në Jugosllavi për vitin 1980, do ta ruante këtë epërsi, të paktën për objektivin e saj: ta hapte më shumë rrugën për çështjen kryesore, bashkimin e ardhshëm të trojeve.

Kështu tre ditë para se të nisej për vizitën e saj zyrtare në Kosovë, më 3 tetor 1980, Tefta Cami u takua me Ramiz Alinë, sekretar i Komitetit Qendror të PPSH që mbulonte sektorin ideologjik. Gjatë raportimit Cami nuk u mjaftua me qëllimin e misionit të saj për nxitje të shkëmbimit në fushën e dijes dhe të kulturës, por u shty edhe më tej, deri edhe të tregtisë. Ajo i tha Alisë që delegacioni i drejtuar prej saj qe i ndërgjegjshëm që “kemi interes për të marrë nga Kosova artikuj të ndryshëm si plumb të përpunuar, lloje plehrash të ndryshme dhe minerale, grurë të fortë për makarona, vaj dhe farë luledielli etj.”.

Ramiz Alia ia miratoi gjithçka që ministrja i parashtroi si objektiva me përparësi të vizitës dhe e porositi se duhej të mbante parasysh orientimin që i kishte dhënë Enver Hoxha: “Të mos politizohen bisedimet dhe të mos përmendet partia dhe emri i Enverit”.

Po ashtu Alia i tha se “Duhet të pranohen të gjitha propozimet që do t’ju bëhen gjatë bisedimeve zyrtare e private në Kosovë”.

Porosia e tretë e tij qe: “Vizita juaj në Kosovë duhet të mbetet vetëm në kuadrin e Kosovës dhe nuk duhet të shtrihet në republika e krahina të tjera të RSFJ-së”.

Në 5 tetor, e diel, Tefta Cami u takua me shtatë anëtarët e tjerë të delegacionit. I pranishëm qe edhe ambasadori jugosllav Branko Komatina. Ai e njoftoi ministren se nuk do ta shoqëronte gjatë vizitës në Kosovë, por gjithsesi prej ambasadës së tyre do të kishte pranë një punonjës.

Ky do të qe sekretari Spaso Tuniq si edhe shqiptari Qemal Muhaxhiri.

Më pas e tërë dërgata u nis për në Kukës dhe natën e kaluan në Kukësin e ri. Ministrja Cami fjeti shumë pak, jo vetëm prej emocioneve të kalonte. Lexoi edhe një libër të fundit të Rexhep Qoses, të porsabotuar në Tiranë.

Në pikën doganore të Shqipërisë në Qafë Morinë i priste ambasadori në Beograd, Sokrat Plaka, dhe kur në orën nëntë hynë në territorin jugosllav në pikën doganore të Kosovës ndodheshin dy zëvendësit e Ymer Jakës si edhe shefi i protokollit i qeverisë së krahinës.

Në pritje të Tefta Camit dhe delegacionit të Tiranës gjendeshin ato çaste edhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Qenë veshur me uniformë shkollore dhe shallin e kuq të pionierit në qafë. Që të dy mbanin në duar nga një buqetë me karafila të kuq.

Ato kohë, shumë mund t’i mbajnë mend, sepse më pas, sidomos pas vitit nëntëdhjetë kjo traditë u zbeh deri sa u harrua, karafilat e kuq qenë simbol shprehjeje i dashurisë së shqiptarëve të Kosovës për atdheun amë.

Tefta Cami, duke qenë edhe vetë nënë, pasi i përqafoi të dy fëmijët, kur i pyeti se si quheshin u emocionua shumë. Vajza tha se quhej Shqiponja dhe djali se e kishte emrin Bashkim.

Ajo u rrëqeth e tëra. Ishte mesazh.

Kosova po e priste qeveritaren shqiptare më të lartë të ardhur pas vitit 1948, me kodin e saj të palëkundur për t’u rikthyer në trungun e shtetit unik të shpallur në 28 nëntor 1912.

Ministres Cami prej shtangies nga ky emocion i papritur i hipi një çast meraku se mos në emër të dërgimit të një mesazhi politik për bashkimin e trojeve amtare, emrat e vërtetë të dy fëmijëve, nxënës të shkollës tetëvjeçare të Prizrenit, mund të ishin realisht të tjerë.

Ia tha këtë ambasadorit Plaka dhe ky, kurioz por edhe i vëmendshëm të “lexonte” çdo shenjë diplomatike, iu afrua atyre dhe pa u rënë në sy se e bënte qëllimisht, i pyeti si quheshin.

“Shqiponja”, u përgjigj vajza, “Bashkim”, shqiptoi djali.

Kësaj radhe Tefta Cami u përlot, madje për pak sa nuk ngashëreu. Shkoi dhe i puthi në ballë. Vajzës i tha “Ti me siguri do të bëhesh shqiponjë malesh dhe do t’u ngjash Norës së Kelmendit dhe Shote Galicës”, kurse djalit: “Ke një emër shumë të madh, që sintetizon ëndrrën e madhe të të gjithë shqiptarëve”.

Kur delegacioni do të largohej nga pika doganore e Qafë Morinës për të hyrë në brendësi të Kosovës, djali dhe vajza e buqetave me karafila, edhe pse një oficer i rojes së pikës kufitare u përpoq t’i shkëpuste nga makina e ministres, sigurisht thjesht për të mos e bezdisur, nuk u larguan. Vazhdonin ta përshëndetnin me dorë.

Po ashtu bëri edhe ministrja Cami, deri sa të dy palët humbën nga sytë e njëri-tjetrit. /Shqiptarja/

/Gazeta InfoPress

“Hashim Thaçi të ndiqet penalisht nëse Demarkacioni ka probleme”!

0

Nëse vërtetohet se Demarkacioni ka probleme, atëherë presidenti i vendit Hashim Thaçi duhet të ndiqet penalisht, ka thënë në një prononcim për Gazetën InfoPress, analisti politik Imer Mushkolaj.

Sipas tij, edhe kreu i LDK-së dhe kryeministri i vendit Isa Mustafa po i shërben si patericë Hashim Thaçit, për ta shpëtuar nga përgjegjësia e nënshkrimit të marrëveshjes së Demarkacionit, e në anën tjetër po insiston në miratimin e marrëveshjes, sepse dëshiron të qëndrojë në pushtet.

“Përndryshe, nuk ka kurrfarë arsye tjetër që ai t’i jep kaq zor që marrëveshja të ratifikohet. Mustafa e di se nëse bie nga pushteti, ky do të jetë fundi i tij politik, ashtu siç e di edhe Thaçi se nëse vërtetohet se Demarkacioni ka probleme, ai do të mund të ndiqet penalisht. Andaj, të dy janë bërë bashkë dhe po bëjnë çmos që demarkacioni të kalojë me çdo kusht. Të rëndësishëm e kanë interesin personal, e jo atë nacional”, thotë Mushkolaj.

Demarkacioni mund të jetë fundi i “regjimit” të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit!

0

Me një shtator, siç duket është vendosur që të votohet për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është e prerë pro kësaj marrëveshje, partitë tjera opozitare, apo disa deputet të koalicionit qeverisës janë kundër këtij ratifikimi.

Disa deputet të PDK-së, të PD-së dhe e gjithë opozita janë kundër Demarkacionit në këtë mënyrë, por LDK-ja është e vendosur që të kaloj kjo marrëveshje.

Mirëpo, analistët politik, insistimin e LDK-së me kreun e saj, njëherës edhe kryeministër të Kosovës, e shohin si të rrezikshëm për vendin. Ata për Gazetën InfoPress, theksojnë se, interesat personale vihen para atyre nacionale, gjë që, me këtë mënyrë të veprimit nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe partia e tij, mund të dështojnë politikisht, por edhe karriera e z. Mustafa mund të marr fund në politikë!

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thekson për InfoPress se, Isa Mustafa në njërën anë po i shërben si patericë Hashim Thaçit, për ta shpëtuar nga përgjegjësia e nënshkrimit të marrëveshjes së Demarkacionit, e në anën tjetër po insiston në miratimin e marrëveshjes, sepse dëshiron të qëndrojë në pushtet.

“Përndryshe, nuk ka kurrfarë arsye tjetër që ai t’i jep kaq zor që marrëveshja të ratifikohet. Mustafa e di se nëse bie nga pushteti, ky do të jetë fundi i tij politik, ashtu siç e di edhe Thaçi se nëse vërtetohet se Demarkacioni ka probleme, ai do të mund të ndiqet penalisht. Andaj, të dy janë bërë bashkë dhe po bëjnë çmos që demarkacioni të kalojë me çdo kusht. Të rëndësishëm e kanë interesin personal, e jo atë nacional”, thotë Mushkolaj.

Ndërsa, publicisti Faik Krasniqi, thotë se, nuk e kupton gjithë këtë insistim të kryeministrit Isa Mustafa dhe Presidentit Hashim Thaçi për ratifikimin e Demarkacionit, kur të gjithë ekspertët e pavarur, por edhe ekspertët e partisë së Mustafës, e konfirmuan me fakte të gjalla se Kosova me ratifikimin e Demarkacionit ashtu siç është punuar nga Komisioni Shtetëror, do të humbas 8200 hektarë ose 82 km2.

“Edhe pse mund të jetë në pyetje karriera politike e Isa Mustafës, në rast të dështimit të ratifikimit të Demarkacionit, interesat personale nuk guxojnë të vihen para atyre nacionale. Isa Mustafa dhe LDK-ja do të dështonin politikisht vetëm nëse ratifikohet Demarkacioni, sepse jo vetëm populli por në histori do të futeshin si tradhtarët e këtij kombi. Jo vetëm Isa Mustafa dhe LDK-ja, por të gjithë ata deputetë dhe ato parti që do ta bënin këtë marrëzi. Prandaj, duhet të kenë kujdes të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, që mos ta bëjnë një marrëzi të tillë, pavarësisht presionit që kanë nga liderët e tyre partiakë!”, përfundon analisti politik Faik Krasniqi.

Kurse, për analistin Leon Duhanaj, çështja e Demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, është bërë aq shumë zhurmë e politizim, sa që me gjasë më askush nuk është i sigurt as çfarë të mendoj. “Këtë e them duke menduar që përpos ata që kanë agjenda politike të cilat synojnë t’i avancojnë duke politizuar me tema të interesit nacional”.

“Është vërtet për keqardhje se si në si shoqëri, e që thirremi e emancipuar politikisht, nuk po ia dalim të koordinojmë çështje me interes vital për vendin. Si ka mundësi që ne për asnjë moment dhe për asgjë, nuk kërkojmë dhe nuk gjejmë konsensus nacional të bazuar në mirëkuptim dhe në interes të vendit”, thotë Duhanaj për Gazetën InfoPress.

Sipas tij, kjo është vërtetë rast për t’u studiuar, pasi që kjo çfarë po ndodhë më politiken dhe shoqërinë tonë të tersi, nuk është normale.

“Tani duke qenë se tematika është tejet problematike dhe se propaganda ka arritur t’i vej në dilema, qoftë deputetët, qoftë edhe opinionin e gjerë, duke ua mjegulluar të pamurit dhe mundësinë për ta kuptuar drejtë këtë çështje. Është shumë problematike edhe të parashihet apo të paragjykohet një zhvillim hipotetik, në rast se ndodhë kjo apo ajo. E vërteta është se, me vetë faktin që janë gjithë këto sugjerime të miqve tanë ndërkombëtare, e posaçërisht atyre amerikan, çështja është shumë serioze dhe ka konotacion të rëndësishëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik për interesat e NATO-s në rajon”, shton ai.

Duhanaj thotë se, ne duhet të dëshmojmë si shtet, që jemi të gatshëm të marrim vendime, në interes të sigurisë nacionale dhe në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë.

“Tani mënyra se si do ta bëjmë mbetet të shihet, por duke qenë se kur ka vullnet për zgjidhje ajo gjithmonë gjendet, do të ishte e mirëseardhur nëse do të gjenim rrugë të përbashkët drejtë daljes nga ky kolaps. Kosova nuk e ka luksin të qëndroj në pengmarrje duke mos e lejuar zhvillimin normal. Së këndejmi, nëse nuk ka gatishmëri për zgjidhje të përbashkët atëherë është më mirë të deklarohen hapur dhe të shkohet në zgjedhje. Përgjegjësia tek deputetët është tejet e madhe dhe e kuptueshme, duke qenë se kjo temë është shndërruar në mjet propagandë, përmes së cilës deputetët ndahen në “patriot apo tradhtar”, kjo nuk është në shërbim të vendit pasi që duhet të shtrohet pyetja; çka nëse demarkacioni është mirë dhe se krejt kjo ka qenë një aranzhim i interesave pansllaviste të cilat janë në luftë diplomatike më SHBA-ne dhe NATO-n. Njëjtë siç mund të thuhet se nëse kanë ndodhur gabimet përgjatë përcaktimit të vijës kufitare atëherë do t’i bënim një dëm territorit”, pohon Duhanaj, duke shtuar se, mundësia për të gabuar është në të dyja anët, prandaj më e lehta për deputetët do të ishte nëse brenda subjekteve të tyre dalin me konsensus të plotë, pasi që ombrella partiake do t’i mbronte në çfarëdo rasti.

/Gazeta InfoPress