10.3 C
Prizren
E shtunë, 25 Prill, 2026
Home Blog Page 8946

Vota e qytetarëve e paprekshme

0

Atifete jahjagaPresidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje për një proces zgjedhor demokratik. Ajo ua ka kujtuar të gjithë atyre që duan të manipulojnë me vullnetin e qytetarëve, se ndëshkimi për këtë vepër penale do të jetë rigoroz.
“Kemi hyrë në një proces shumë të rëndësishëm për Kosovën në një periudhë të avancimit të proceseve demokratike për vendin, gjatë së cilës duhet të tregojmë pjekurinë tonë politike dhe përkushtimin për ndërtimin e shtetit demokratik dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë Jahjaga, në një konferencë për media, pas takimit që pati me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve komunale në Kosovë.

Presidentja Jahjaga ka thënë se zgjedhjet e 3 nëntorit janë të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ato sigurojnë tërësinë territoriale dhe subjektivitetin e vendit. “Zgjedhjet lokale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, janë testi ynë i demokracisë dhe mbarëvajtja e tyre garanton rrugën tonë drejt integrimeve evropiane, drejt përparimit dhe një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Zgjedhjet e ndershme, demokratike, të drejta dhe të lira e hapin perspektivën tonë si vend dhe si shoqëri dhe mundësojnë ndërtimin e shtetit tonë mbi parimet demokratike dhe, në veçanti, mbi parimin e sundimit të ligjit”, është shprehur Jahjaga, duke shtuar se e drejta e secilit qytetar për të votuar dhe për t’u votuar është e garantuar me Kushtetutë dhe cenimi i kësaj të drejte, sikurse edhe cenimi i votës së lirë të qytetarit, ndëshkohet me ligj. “Vota e qytetarëve të Republikës së Kosovës është e paprekshme, e pashkelshme dhe e lirë. Çdo përpjekje për të prekur këtë votë dhe çdo përpjekje për të manipuluar me këtë të drejtë të qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës do të ndëshkohet fuqishëm. Shkeljet janë të patolerueshme dhe të papranueshme, sepse ato do ta pengojnë rrugën tonë drejt ndërtimit të shtetit demokratik, të lirë dhe të barabartë me të gjitha shtetet e tjera kudo në Evropë”, ka thënë Jahjaga.

E dini vendin se ku do të votoni? Mësojeni këtu!

0

Zgjedhje-kosoveEdhe pse disa prej jush e dini me siguri se ku do të votoni, ka edhe shumë prej tyre që ende nuk e kanë të qartë, lokacionin e tyre.

Për këtë gjë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka krijuar një rubrikë në faqen zyrtare të saj, ku ju shumë lehtë mund ta gjeni lokacionin tuaj.

E tëra që duhet të bëni është që së pari të vizitoni faqen, www.kqz-ks.org pastaj nw anën e djathtë të faqes e keni një rubrikë “Ku me votu”, klikoni aty dhe jepni të dhënat tuaja personale, Emrin, Mbiemrin, datën e lindjes dhe numrin personal të letërnjoftimit dhe ju do të merrni informacionin e duhur.

Ose thjeshtë klikoni këtu: http://www.kqz-ks.org/sq/ku-me-votu

E parashikojnë balotazhin në Prizren

0

Abrashi-MorinaTre nëntori nuk do të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve në Prizren. Analistët e zhvillimeve politike, parashikojnë se fituesi në këtë qytet, do të përcaktohet në balotazh. Sipas tyre, në zgjedhjet e 3 nëntorit në balotazh do të shkojnë PDK-ja dhe LDK-ja.

Analisti politik, Adnan Abrashi thotë se në balotazh do të shkojnë kandidati i PDK-së, Ramadan Muja dhe ai i LDK-së, Eqrem Kryeziu.

“Sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Komunës për Prizrenin, edhe shumë më përpara kam paraparë një balotazh në mes të kandidatit të LDK-së, Eqrem Kryeziut, dhe atij të PDK-së, Ramadan Muja. Kjo tregon se, pa marrë parasysh shumë mangësi që realisht kanë si personalitete këta kandidatë, qytetari prizrenas edhe këtë herë do të votojë sipas inercionit të militantizmit partiak”, thotë Abrashi për “PrizrenPress”.

Sipas tij, shkuarja e këtyre dy kandidatëve në balotazh, do ta dëshmonte si të pasuksesshme marrëveshjen paraprake të kryetarit të PDK-së Hashim Thaçit të bëra me tetë parti minoritare të Prizrenit. “Shkuarja e pashmangshme në balotazh, njëkohësisht, do ta demaskonte edhe atë iniciativë gjoja se taktike-strategjike të Thacit që gjatë fushate në Prizren ta keqpërdori edhe vizitën shumë miqësore dhe dashamirëse të dy kryeministra tejet respektiv dhe reputativ nga ana e qytetarëve të këtij qyteti: kryeministrin Turk, Rexhep Taib Erdoganin ,dhe atë Shqiptar, Edi Rama”.

Abrashi parashikon se PDK-ja për të marrë pushtetin edhe një mandat para balotazhit do të lidhë koalicion me AAK-LDD. “Do të tentoj të lidh marrëveshje parazgjedhore edhe me koalicionin AAK-LDD, duke ja ofruar me këtë rast kandidatit të tyre, Lulëzim Kabashit, postin e zëvendëskryetarit të komunës?!!”.

Sipas tij, LDK-ja për të siguruar fitorën do të duhej të bëjë koalicion me se paku edhe dy subjekte tjera politike. “Oferta do t’i shkoj lëvizjes Vetëvendosje!, Bashkimit Demokratik të Zafir Berishës, si dhe asaj Konservatore, subjekte këto që do të kenë një numër të konsiderueshëm asamblistësh”.

Analisti Abrashi vlerëson se fushata zgjedhore e këtij viti nuk ka pasur risi dhe nuk ka dalluar shumë nga fushatat e kaluara.

“Shikuar për nga mënyra dhe performacat vizuale të fushatës prezantuese në përgjithësi , krahasuar me ato të mëparshme, edhe kjo e sivjetme nuk ka pas ndonjë risi të theksuar. Kuptohet edhe këtë herë kemi pasur përurime inventive në ditët e fushatës, premtimet boshe të natyrave të ndryshme megalomane, veprime groteske të politikanëve në opinion, përuljet dhe përgjërimet për një votë para qytetarëve…”

Edhe gazetar i “Zërit” nga Prizreni, Qazim Morina, thotë se Prizreni nuk mund t’i ikë balotazhit.

“Nuk është diçka e re të thuhet se Prizreni, do të shkojë në balotazh, që parashoh të zhvillohet në mes PDK-së, që lufton ta mbaj pushtetin dhe LDK-së, që pos përpjekjes për ta rikthyer, sikur është dukur që është përpjekur shumë edhe për t’ia nxjerrë “hakun” humbjes së Eqrem Kryeziut nga Ramadan Muja me 2007. Pra sa i përket kryetarit, edhe sivjet Prizreni do të jetë interesant vetëm në balotazh. Po ashtu nga ajo që është parë gjatë tubimeve parazgjedhore, edhe kandidati i koalicionit AAK-LDD kësaj radhe do të ketë një përkrahje më të madhe se herëve tjera”, tha Morina për “PrizrenPress”.

Morina vlerëson se edhe kjo fushatë nuk ka dalluar shumë nga ato paraprake. “Pos që mund të thuhet se kanë qenë më e varfër se herëve tjera, duke bërë që subjektet politike, e sidomos pjesa më e madhe e kandidatëve në Prizren, të kenë një lloj “skepticizimi” për fitoren e tyre, në një garë që do të jetë e fortë, sidomos për kandidatët meshkuj”.

Ai thotë se karakteristikë e këtyre zgjedhjeve ka qenë “varfëria” e listave me njerëz.

“Listat pothuajse të të gjitha partive në Prizren janë për të ardhur keq, sa që shumëkush këto ditë edhe më ka pyetur për kë të votohet. Asesi nuk mendoj që ky është “harxhi” i Prizrenit. Ata që meritojnë pengohen të kyçen, ndërsa ata nuk imponohen, aq më keq kur shohin, kush u del para sa herë shkojnë në zyre të partisë, ku më së shpeshti sillen përfituesit pa ndonjë profesion. E votimi siç duket do të shkojë për njerëz të fisit, e jo ata të merituarit, të cilët edhe ashtu të paktë i ke nëpër lista”./PrizrenPress.com/

Jahjaga: Çdo përpjekje për manipulim të votës do të ndëshkohet fuqishëm

0

Atifete jahjagaPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për organizimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve komunale në Kosovë, kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, kryetarin e KGJK-së, Enver Peci, kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, kryeprokurorin e shtetit, Ismet Kabashi, prokuroren e shtetit, Laura Pula, kryetarin e PZAP, Shukri Sulejmani, dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Si thuhet në komunikatën për media të Presidencës, përfaqësuesit e këtyre institucioneve e njoftuan Jahjagën me përgatitjet e deritashme për zgjedhjet dhe angazhimin e tyre për të siguruar dhe garantuar një proces të rregullt e të qetë zgjedhor. Ata thanë se kanë shtuar kapacitet për ditën e zgjedhjeve për të garantuar proces demokratik zgjedhor. Njëkohësisht, ata dhe Presidentja theksuan rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta, demokratike, të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse në gjithë territorin e vendit.

Pas këtij takimi, Jahjaga dha një deklaratë për media, në të cilën tha se vota e qytetarëve është e paprekshme, e pashkelshme dhe e lirë. “Çdo përpjekje për të prekur këtë votë dhe çdo përpjekje për të manipuluar me këtë të drejtë të qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës do të ndëshkohet fuqishëm. Shkeljet janë të patolerueshme dhe të papranueshme, sepse ato do ta pengojnë rrugën tonë drejt ndërtimit të shtetit demokratik, të lirë dhe të barabartë me të gjitha shtetet e tjera kudo në Evropë”.

Në fund të kësaj deklarate, Jahjaga ftoi të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare, fetare apo gjinore, që të dalin të gjithë në zgjedhje dhe të votojnë njerëzit që konsiderojnë se e meritojnë t’i përfaqësojnë interesat e tyre në zbatim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, të rendit dhe të sundimit të ligjit.

Panairi i Librit kumton: Pirateria dhe informaliteti po vrasin librin

0

Panairi librit-Tirane2013Në orën 9:00 të datës 13 nëntor do të çelet Panairi i 16-të i Librit “Tirana 2013”. Për pesë ditë me radhë 90 subjekte botuese, 12 prej të cilave vijnë nga Kosova e shumë më pak nga Maqedonia dhe Mali i Zi, do të sjellin për lexuesin e librit shqip tituj e autorë të rinj.

Ndërkaq një pjesë e mirë e vëmendjes do të përqendrohet në sloganin që ka këtë vit ky Panair: “Pirateria dhe informaliteti po vrasin librin”. Aktivitete të shumta do të zhvillohen mbi këtë tematikë. Shumë personalitete të kulturës dhe të politikës, institucione kombëtare dhe faktorë ndërkombëtarë do të diskutojnë mbi problemet që sjell në tregun e lirë të librit “vjedhja” e të Drejtës së Autorit. Qëllimi i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë është sensibilizimi i shoqërisë shqiptare. Sipas kryetarit të SHBSH, të gjithë bashkë mundemi t’i themi “Stop piraterisë”. Pra ky edicion i Panairit të Librit nuk do të jetë thjesht dhe vetëm prezantim. Gjatë pesë ditëve do të trajtohen edhe mjaft probleme të tjera që ka sot tregu i libri. Sigurisht që siç çdo vit edhe shumë shtëpi botuese kanë programuar aktivitetet e tyre gjatë ditëve të Panairit. Të ftuar specialë, shqiptarë dhe të huaj do të jenë të pranishëm për të prezantuar librat e tyre dhe siç e do tradita, edhe për të lënë një shënim në faqen e parë të librit për lexuesit e tyre. Për herë të parë në Panairin e 16-të të Librit “Tirana 2013” do të jenë dhe dy personalitete të kulturës italiane: Claudio Magris dhe Bruno Vespa, shkruan Mapo.

Claudio Magris, është një shkrimtar dhe studiues mjaft i njohur i gjuhës gjermane. Gjithashtu ai ka qenë senator. Magris është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë të Italisë. Shkruan për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.

Bruno Vespa, drejtuesi i njohur i emisionit “Porta a Porta” është, përveç të tjerash, edhe autor i mbi 30 librave, një pjesë e madhe e të cilëve janë studime shumë serioze mbi historinë e politikës italiane dhe mbi personalitetet që kanë bërë historinë e Italisë. Ky i fundit vjen i ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Botimet UET PRESS.

KQZ gati për nesër

0

ValdeteDaka-zgjedhjetKomisioni Qendror i zgjedhjeve ka vlerësuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale që do të mbahen nesër.
Në mbledhje u diskutua edhe raporti i OSBE-së për procesin në Veri të vendit, të cilin Betim Gjoshi, anëtar në KQZ, e ka quajtur më shumë si informatë se si raport, ndërsa disa anëtarë të tjerë e kanë quajtur si të vonuar, duke kritikuar po ashtu komunikimin me këtë institucion.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, përkundër kësaj ka falënderuar OSBE-në për punën që po bënë në rolin e lehtësuesit.

Sekretariati i KQZ-së, ka thënë se ka përfunduar pothuajse i gjithë procesi i shpërndarjes së materialit sensitiv. Po ashtu, Qendra e numërimit të rezultateve është e përgatitur.

Në mbledhje u vendos që për të dhënat zyrtare do të deklarohet vetëm KQZ-ja, asnjë KKZ, OSBE-ja, apo ndonjë organizatë joqeveritare.

Do t’i arrestoj manipuluesit

0

ShpendMaxhuni-policiakosovesNesër Kosova voton. Nga premtimet ngjajshme të partive politike që i japin sa herë që dalin në fushatë parazgjedhore, këto zgjedhje dallojnë për një gjë. Do të mbahen edhe në pjesën veriore, do gjatë fushatës janë hedhur bomba, janë rrahur e kërcënuar kandidatë, është shtënë më armë zjarri… Pra, aty ku pritet të ketë probleme.

Edhe përkundër kësaj, Policia e Kosovës, është e gatshme për të siguruar qytetarët e Kosovës të përmbushin obligimin e tyre kushtetues, të dalin të votojnë të papenguar. PK ka edhe ndihmën e EULEX në pjesën veriore, ndërsa të gjithë ata që do të tentojnë që të manipulojnë procesin në një mënyrë ose tjetër, porositin: “Do t’ju arrestojmë”. Shpend Maxhuni, drejtor i Policisë së Kosovës, flet për Indeksonline, për parapërgatitjet e PK për ditën e zgjedhjeve.

Indeksonline: Për herë të parë zgjedhjet mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës, dhe policia duket se do të ketë punë shtesë në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Si kanë shkuar parapërgatitjet dhe sa jeni të gatshëm për ditën e zgjedhjeve dhe cilat masa janë ndërmarrë për të shkuar ajo ditë si ësthë më së miri?

Shpend Maxhuni: Ka më tepër se dy muaj që Policia e Kosovës në bashkëpunim edhe me institucione të tjera relevante që kanë përgjegjësi në organizimin e zgjedhjeve, menaxhimin e tyre, kanë filuar përgatitjet e nevojshme. Natyrisht që secili institucion sipas ligjit I ka edhe obligimet, detyrat dhe specifikat e veta. Nga ky këndvështrim Policia e Kosovës ka përgatitur urdhërin operation i shpërndarë tek të gjitha njësitë vartëse dhe parasheh një mori aktivitetesh dhe detyrash konkrete për secilën njësi vartës brenda policisë së Kosovës. E thatë, që këto zgjedhje dallojnë për nga karakteri, për vetë faktin që për herë të parë organizohen nga institucionet e Republikës së Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, dhe natyrisht me këtë fakt PK do të jetë më tepër e angazhuar, megjithëse urdhëri operativ parasheh të gjitha veprimet e nevojshme edhe për pjesën veropre, ku tashmë drejtoria rajonale e PK në pjesën veriore, ka përgatitur planin e vet për ndërmarrjen e të gjitha masave për menaxhimin nga aspekti i sigurisë i procesit zgjedhor.

Indeksonline: A do të ketë Policë në të gjitha vendvotimet, posaçërisht në pjesën veriore, aty ku pritet të shfaqen probleme?

Shpend Maxhuni: Pavarësisht nga retorika politike e cila mund të dëgjohet ditëve PK përmes planifikimeve të saja do të jetë prezent në të gjitha qendrat e votimit dhe do të ketë detyra konkrete, e ato janë, mbarëvajtja e procesit zgjedhor duke qenë prezent sipas planit të përgatitur tashmë, ku qytetarët do të kenë mundësi të dalin dhe të kryejnë obligim e tyre qytetar. Policia do të jetë prezete në të gjitha qendrat e votimit për të ofruar siguri procesit zgjedhor dhe të gjithë qytetarëve.

Indeksonline: Pra, që të gjithë policët do të punojnë 24 orë pa përjashtim?

Shpend Maxhuni: Plani ynë parasheh një periudhë të caktuar kohore, ne jemi në përfundim të fazës së tretë e cila ka mbuluar edhe fushatën zgjedhore, ndërsa faza tjetër do të jetë ajo e ditës së zgjedhjeve, ku ne kemi paraparë një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë që do të kenë angazhime shtesë, natyrisht, për shkak të rëndësisë dhe obligimeve që dalin për PK në ditën e zgjedhjeve. Pra do të kemi në vazhdimsi prezencë policore deri në përfundim të procesit zgjedhor më datën 3 dhe më pas veprimet tjera e parapara me planin operativ edhe me datën 4 e deri në përfundim të këtij procesi.

Indeksonline: Si do të reagojë policia nëse sheh manipulim me vota?

Shpend Maxhuni: Ne kemi bërë të njohur jo vetëm, që kemi arritë një marrëveshje të bashkpunimint me agjencionet e tjera, në rastin konkret me Prokurorinë e Shtetit dhe me Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa, se si duhet vepruar nëse eventuliasht vërehen tendenca për manipulim zgjedhor të kujtdo qoftë. Përgjegjësitë janë të ndara, janë të qarta, po flas për PK, dhe çdo detyrë është e qartë për secilin zyrtar policor në ditën e zgjedhjeve, ku do të jenë prezent afër qendrave të votimit ashtu si parashihet edhe me plan. Ne kemi pasë një mori takimesh me prokurorinë e Shtetit, me Këshillin Qëndror Zgjedhor po ashtu i cili e menaxhon në tërësi procesin, dhe që të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë e këtij procesi, dhe po ashtu shpresojmë që kësaj rradhe një koordinim I planifikuar mirë me kohë I të gjitha këtyre institucioneve, akterë kryesor në menaxhimin e këtij procesi, do të përmbushin obligimet e veta ashtu sikurse edhe ligji e parasheh.

Indeksonline: A do të arrestohen?

Shpend Maxhuni: Definitivisht po. PK, do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, kurdohere që kërkohet dhe ku gjinden shkelës potencial të procesit zgjedhor.

Indeksonline: Bashkëpunimi me EULEX dhe KFOR për ditën e zgjedhjeve?

Shpend Maxhuni: E them me përgjegjësi që ne kemi një bashkpunim shumë të mirë, çdo herë, edhe me EULEX edhe me KFOR. Zakonisht PK, kur vlerëson, parasheh nevojën për angazhimin e EULEX, ne ato çdo herë I bëjmë në formën e përcaktuar të bashkëpunimit mes policisë së Kosovës dhe EULEX, qoftë mes takimeve , qoftë mes parashtrimit të kërkesave në formë të shkruar. Edhe për këtë kemi mbajtë rradhazi disa takime, ku kemi kërkuar angazhimin e EULEX kryesisht në pjesën veriore të vendin sepse në pjesën tjetër nuk ka nevojë për angazhimin e tyre në çështjet operacionale sepse PK ka të gjitha kapacitetet për të menaxhuar të tërë këtë process ashtu sikurse kërkohet. EULEX është i gatshëm, dhe ka bërë planifikimin e nevojshëm ta mbështesë PK varësisht nga rrjedhat apo situatat që mund të paraqiten në pjesën veriore.

Ndriçohet amfiteatri antik i Durrësit

0

Amfiteatri i Durrësit ndricohetALBtelecom dhe Eagle Mobile ka mundësuar ndriçimin profesional të arenës dhe galerive të brendshme të Amfiteatrit të Durrësit. Me nismën e Fondacionit Shqiptar të Trashëgimisë Kulturore dhe Mjedisore, nën kujdesin e Zonjës së Parë, Odeta Nishani, ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë bërë të mundur që amfiteatri i Durrësit të presë vizitorë jo vetëm ditën por edhe mbrëmjeve, duke ndriçuar objektet historike që ndodhen në këtë amfiteatër.

Nëpërmjet këtij ndriçimi synohet promovimi i trashëgimisë kulturore në vend, nxitja e turizmit historik, sjellja në vëmendje e Amfiteatrit të Durrësit si një monument kulture i një rëndësie dhe vlere të veçantë.

Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, Znj.Odeta Nishani dhe përfaqësues të institucionit të Presidencës, zv. Ministri i Kulturës Zef Çuni, zv. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Osman Dinler e përfaqësues të tjerë të kësaj kompanie, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Prefekti i Durrësit RolantXhelilaj,si dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, arkitektë, arkeologë, ekspertë të fushës së restaurimeve.

Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë në fjalën e saj duke falënderuar kompaninë ALBtelecom dhe Eagle Mobile për realizimine këtij projekti, tha se monumentet e kulturës janë të një rëndësie të veçantë që duhet të nxirren në pah dhe të promovohen sa më mirë, qoftë edhe duke u përdorur edhe për aktivitete kulturore të ndryshme.

Ndërsa Zv. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Osman Dinler shprehu kënaqësinë që kompania ka kontribuar sado pak në daljen në pah të këtij monumenti kulture kaq të rëndësishëm për ta bërë atë të vizitueshëm edhe gjatë mbrëmjeve.

Zv. Ministri i Kulturës Zef Çuni tha se nëse monumentet kulturore nëse nuk do të bëheshin të vizitueshëm do të ishin të destinuar të shkatërrohen, prandaj mirëmbajtja dhe investimi në drejtim të ruajtjes së tyre është një mision i vështirë dhe i domosdoshëm.

Kryetari i Bashkisë së qytetit të Durrësit z. Vangjush Dako nënvizoi tha se këto iniciativa duhen mbështetur pasi amfiteatri është aseti më i madh i Durrësit dhe një monument kulturor mjaft me rëndësi për të gjithë Shqipërinë. “Të gjithë turistët do të kenë mundësi të vizitojnë në çdo kohë tashmë amfiteatrit tonë. Në këtë mënyrë do të shtojmë më shumë vlera për vendin dhe ekonominë tonë”, ka thënë Dako, transmeton Durrëslajm.

Amfiteatri i Durrësit është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në botën antike. Gërmimet për zbulimin e tij janë kryer me faza. Deri tani është zbuluar vetëm gjysma e monumentit që përfaqësohet nga shkallarja, galeritë dhe dy menianume. Ky monument është ndërtuar me muraturë të përzier ose vetëm me tulla. Me një bosht të gjatë prej 120 m, bosht të shkurtër prej 101 m dhe bosht të arenës 61 x 42 m, për nga përmasat e arenës, në universin perandorak romak, amfiteatri i Durrësit, radhitet i treti pas Koloseut të Romës dhe amfiteatrit të Veronës në Itali. Mendohet që kapaciteti i amfiteatrit të Dyrrachiumit të ketë qenë 15. 000 spektatorë.

Ekspozita e LiveART 2013 shkon në Durrës

0

Ekspozita e LiveARTEkspozita e LiveART i është prezantuar publikut në Durrës më 31 tetor, ku janë ekspozuar 26 punët finaliste, të cilat për një muaj qëndronin të ekspozuara në Tiranë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Organizator i ekspozitës është Intesa Sanpaolo Bank Albania, e cila në këtë rast ka bashkëpunuar me bashkinë e Durrësit.

Gjatë çeljes së kësaj ekspozite ceremonia e hapjes dhe fjalimi u mbajtën nga Z. Alberto Prestopino, Drejtori i Divizionit të Retail i Intesa Sanpaolo Bank Albania. Ai theksoi impenjimin e Bankës në iniciativa që nxisin e promovojnë kulturën e artin duke mbështetur veçanërisht të rinjtë e talentuar shqiptarë, duke vënë kështu në jetë parimet e Përgjegjësisë Sociale të Korporatës, në zbatim të vlerave ku Banka bazon punën e saj të përditshme, shkruan gazeta Shqiptarja.

Eventi dhe ceremonia e hapjes së ekspozitës, u nderua nga prezenca e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Z. Vangjush Dako dhe Prefektit i Durrësit Z. Roland Xhelilaj. Gjatë fjalës së tij, Z. Dako e konsideroi këtë projekt një shprehje të rëndësishme të fuqisë artistike të Shqipërisë dhe shembull pozitiv të asaj që mund të arrihet në partneritet me sektorin privat.

Ai theksoi se Moto e Qytetit te Durrësit është “ARTI ËSHTË MBIEMRI IM”. Nderoi eventin me pjesëmarrjen e tij Drejtori i Galerisë Kombëtare Z. Artan Shabani. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në ambientet e Galerisë së Qytetit “Nikolet Vasia” deri në 10 Nëntor 2013.

Në Malishevë, mësuesi pedofil kapet në flagrancë

0

wqNjë rast i rëndë i keqpërdorimit të vajzave të mitura, madje nga mësuesit, ata që do të duhej t’i edukonin dhe udhëzonin fëmijët në rrugë të drejtë, ka ndodhur më 28 tetor në Malishevë, por që deri dje është mbajtur në heshtje, larg opinionit.

Mësues 59 vjeçar, me inicialet R. M. është kapur dhe arrestuar nga policia, për veprën penale shpërdorimit seksual pasi është gjetur në një dhomë me një nxënëse të shkollës fillore ‘’Ibrahim Mazreku’’në një dyqan të këpucëve në Malishevë.

Rasti ndodhi tri ditë më parë, por policia rajonale në Prizren e ka mbajtur në heshtje. I pyetur rreth rastit, zëdhënësi Rajonal i Policisë në Prizren Hazir Berisha, tha se zyra e tij ka vepruar kësisoj, për të ruajtur identitetin e vajzës së mitur, që është edhe nxënëse.

Berisha ka konfirmuar për Zëri-n se i arrestuari është mësues në shkollën fillore “Ibrahim Mazreku” të Malishevës, i lindur në vitin 1954, ndërsa bashkë me të është arrestuar edhe pronari i dyqanit të këpucëve, i cili kishte lejuar që lokali i tij të përdorej për një takim të kësaj natyre.

“Për këtë rast policinë e ka njoftuar një qytetar, i cili ka telefonuar duke thënë se një arsimtar ishte mbyllur në një lokal me një vajzë të mitur. Policia ka reaguar shpejt, duke gjetur lokacionin dhe pas kërkesës së policisë i dyshuari ka hapur derën e dhomës ku ishte bashkë me vajzën e mitur”, tha Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit. Ai poashtu pohoi se nuk ka pasur ndonjë kontakt seksual ndërmjet mësimdhënësit dhe të miturës pasi që rasti është lajmëruar me kohë. Berisha nuk pranoi t’i japë as inicialet e të miturës me qëllim të mbrojtjes së identitetit të saj.

Ai konfirmoi se Berisha tha se dy të dyshuarve të arrestuar, mësuesit dhe pronarit të lokalit, u është caktuar masa e paraburgimit deri 48 orë, por nuk ështët i sigurt nëse ata vazhdojnë të jenë në paraburgim sepse ,sipas tij, çështja i kalon Prokurorisë por sipas burimeve jozyrtare të arrestuarit janë liruar nga qendra e mbajtjes dhe janë në arrest shtëpiak.

Burime të gazetës kanë thënë se i njëjti mësimdhënës ka edhe raste të tjera të këtij lloji, por Policia Rajonale e Prizrenit thotë se zyrtarisht nuk ka të dhëna për diçka të tillë.