9.8 C
Prizren
E martë, 11 Nëntor, 2025
Home Blog Page 6032

Situata politike shtyn fillimin e vitit shkollor

0

Situata aktuale politike në Kosovë dhe protesta e paralajmëruar nga disa parti opozitare, pikërisht më 1 shtator, ditën kur fillon viti i ri shkollor, ka ngritur shqetësime tek prindërit e nxënëseve, për sigurinë e fëmijëve të tyre, thonë përfaqësues të prindërve.

Sipas tyre vendimi për shtyrjen e fillimit të vitit shkollor nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është vendim i drejtë.

Ministria e Arsimit në Kosovë mori vendim, dy ditë përpara se të fillojë viti i ri shkollor, që të shtyjë deri më 5 shtator ditën e parë të shkollës, me arsyetimin e mos sigurimit në tërësi të teksteve shkollore dhe materialeve të tjera, shkruan Rel.

Udhëheqësi Këshilli i Prindërve të Kosovës, Bajram Beqiri, për Radion Evropa e Lirë, tha se një numër i madh i prindërve të nxënësve, konkretisht të Komunës se Prishtinës, kanë paraqitur shqetësimet dhe kërkesat e tyre për mundësinë e shtyrjes se fillimit të vitit shkollor, për shkak të protestave të paralajmëruara.

“Shqetësimet e prindërve kanë qenë zhvillimet që do të ndodhin në Kuvendin e Kosovës më rastin e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, dhe paralajmërimi i protestave. Ekskluzivisht, shqetësimet kanë qenë tek prindërit e Komunës së Prishtinës, pasi në komunat tjera, nuk ka paralajmërime për protesta. Dhe sigurisht që janë frikësuar që fëmijët e tyre do të implikohen në dhunë dhe ndoshta do të rrezikojnë shëndetin e tyre”, kanë thënë Beqiri.

Se a ka pasur ndonjë ndikim eventual, në marrjen e vendimit, situata politike aktuale në vend, zyrtarë të Ministrisë se Arsimit nuk kanë pranuar të deklarohen, pavarësisht përpjekjeve për të siguruar një përgjigje të plotë.

Ndërkohë, ekspertë për çështje ta arsimit, pohojnë se prapa vendimit të Ministrisë, është situata politike dhe jo mungesa e librave.

Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit në Kosovë, duke e vlerësuar vendim të nevojshëm, thotë se ministria është dashur më herët të publikojë këtë vendim, për shkak të shqetësimit të prindërve.

“Ky vendim është politik, sigurisht që ka pasur ndikim frika dhe shqetësimi i prindërve, se çfarë do të ndodh më 1 shtator. Prapa këtij vendimi, fshihet frika dhe presioni i prindërve. Pra, situata politike ka ndikuar që të ministria të marr një vendim të tillë”, thotë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, më 1 shtator Kuvendi i Kosovës pritet që të diskutojë dhe më pas edhe votojë për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

Kjo marrëveshje për disa muaj po kundërshtohet nga partitë opozitare, disa nga të cilat edhe kanë paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës, për siç kanë thënë, pamundësimin e jetësimit të kësaj marrëveshjeje.

Sidoqoftë, jo gjithmonë viti i ri shkollor ka filluar më 1 shtator, pasi disa herë, greva pikërisht në këtë datë patën organizuar Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke kërkuar rritjen e pagave e më pas edhe përmirësimin e kushteve për mësim dhe punonjës të arsimit. /REL/

Dosja e shefave: Grabovci e quan Flora Brovinën “Idiote” (Audio)

0

Në serinë e XXIV-të të Dosjes së Shefave, Insajderi sjell katër biseda telefonike të Adem Grabovcit me Bekim Haxhiun, Safete Hadergjonajn, Fadil Fazliun, e Xhevat Bislimin. Pos sharjeve që ia bëjnë me nënë Flora Brovinës, protagonistët fyejnë me epitete raciste deputetët e pakicave. Fadil Fazliu, një anëtar i Lartë i Lëvizjes për Bashkim, intervenon tek Adem Grabovci që profesori Arsim Bajrami, t’ia jep një notë kaluese djalit të tij, në Fakultetin Juridik.

Humanisten të cilën dikur PDK-ja e kishte kandiduar për presidente të Kosovës, Adem Grabovci e quan “idiot”.

Epitetin e të padijshmes, Grabovci ia jep deputetes Flora Brovina për shkak të pjesëmarrjes së saj në një debat televiziv në emisionin, “Jeta në Kosovë”.

Brovina ishte e ftuar për të debatuar për Ligjin për veteranët e luftës së bashku me Xhavit Jasharin, Xhevdet Qeriqin dhe një zyrtar të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Për këtë debat, Grabovcin e informonte kolegu i tij i partisë, deputeti, Bekim Haxhiu.

Në serinë e XXIV-të të Dosjes së Shefave, Insajderi sjell katër biseda telefonike të Adem Grabovcit me Bekim Haxhiun, Safete Hadergjonajn, Fadil Fazliun, e Xhevat Bislimin.

Pos sharjeve që ia bëjnë me nënë Flora Brovinës, protagonistët fyejnë me epitete raciste deputetët e pakicave. Romët, ashkalitë e egjiptasit, deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj i quan “gabel” e “magjupë”, ndërsa serbët i quan “shkije”.

Ndërkohë, Fadil Fazliu, një anëtar i Lartë i Lëvizjes për Bashkim, i cili ka një pozitë të lartë në KEK, intervenon tek Adem Grabovci që profesori Arsim Bajrami, t’ia jep djali të tij një notë kaluese në Fakultetin Juridik në mënyrë që ta zë kushtin për ndjekjen e ligjëratave të vitit pasues.

Në bisedën e parë, Grabovci flet me kolegun e tij partiak, deputetin Haxhiu.

“Ish kanë Jeta n’Kosovë, ajo farë Flora Brovina, s’guxojke me ju përgjigj atynev. Shkoi u kuq, u sarrakuq aty”, i tregon Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, Grabovcit.

“Ku, ku… ja kom …i nanën, ku ka shku ai idioti”, nervozohet Grabovci. Kamishi i thotë se Brovina nuk guxonte t’u përgjigjej, përfaqësuesve të veteranëve, Xhevdet Qeriqit e Xhavit Jasharit.

“Jo more, ja … nanën. Ajo u shku e ka bo bërbllog atje n’komision, tash u munojke me mbrojt aty gabimet e veta. Aty u tut prej Xhavitit a s’guxoi me fol prej Xhavitit, as Qeriqit”, shton Kamishi.

Grabovci, e pyet kolegun se çfarë thoshin Qeriqi e Jashari.

“S’ke ba kurfarë ligji, katastrofë, qisi farë sene. Jo e kom ligjin e dobët veç e përmisojna. Qisi farë senesh. Pa lidhje. Bile ma mirë ai djali, ai Rraci ai i.. ministrisë. Bile ai ma nom, ma nivel ke ai”, vlerëson debatin, Bekim Haxhiu për t’i quajtur demagogë përfaqësuesit e shoqatave të luftës.

Grabovci, thotë se po të kishte qenë ai në debat, do ta kishte mundur Xhavit Jashari. Shton se ai është dashur të marrë pjesë në këtë debat.

Ndërkaq në bisedën tjetër, Grabovci flet me Safete Hadergjonajn, deputete e PDK-së.

“E ke pa? Na jemi njerëz që përfaqësojmë krejt Kosovën… Me hashkali, e me…”, i thotë Grabovci, Hadergjonajt.

Ajo nis tregimin për takimin e fundit në Komisionit Parlamentar për Financa.

“Kuku, shuj, mos m’i kujto! N’takim t’fundit, ti je kon për financa… Unë, Naiti, Lumnia edhe ni mjekrosh. Kërkush tjetër me neve”, thotë Hadergjonaj.

“E Naiti, paradite ke i mrekullushëm aty, kur foli për drejtësi. I thash je kryesues i grupit a? Thash çka po dike ti m’u bo politikan. Thash po na kishe neve, pse me marrë mashën me djeg dorën ti. Masdite boni hajgare edhe tash i thash qyre, ken krejt, gabel, e magjup, e shkije. Thash kur Ademi e kishte kënaqësinë e përfaqësimit, thash ishte ai kur na iki kjo kënaqësi e të përfaqësuarit. Thash na ikën, gabel, e magjup, e turq, e boshnjak, s’ken mo. Thash ta la ty…, e qa kemi bo tu kesh”, tregon duke qeshur deputetja, Hadergjonaj.

Ndërkohë, Fadil Fazjiu i njohur me nofkën “Zjermi”, kishte një hall tjetër. I duhej ndihma e Grabovcit për të ndikuar tek Arsim Bajrami që djalit të tij student, t’ia falë një notë kaluese.

“Me t’u lutë për…, e, me Arsim Bajramin qysh i ki raportet, qysh i ki raportet me Arsim Bajramin”, e pyet Fajziu, Grabovcin.

“Mirë”, i thotë shefi.

“Djali, e ka ni provim aty, e s’ka mujt me… me tha tash e ka kushtin, me kanë që e jep…”, sqaron Fazliu.

“Hajde, hajde…, nesër, n’daq të pimë kaj kafe…”, e fton Grabovci duke mos dashur të flasin më shumë në telefon për këtë çështje.

Grabovci, shihej se kishte raporte të mira me kolegun e dikurshëm partiak, Xhevat Bislimin. Bislimi, në kohën e përgjimeve ishte deputet i PDK-së. Ai ishte larguar nga kjo parti për t’ju bashkuar Nismës për Kosovën, të udhëhequr nga Fatmir Limaj.

Por, pak javë më parë braktisi edhe këtë subjekt dhe iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje.

Biseda mes tyre nis në gjuhën serbe.

Grabovci i thotë Bislimit që në seancën e radhës të marrë pjesë për shkak se do të votohej Ligji për Prizrenin. Bislimi, që tash ka ndryshuar krejtësisht qëndrime lidhur me funksionimin e shtetit dhe ndarjen e pushtetit me pakicën serbe, kishte marrë pjesë në seancë duke votuar pro këtij ligji të kontestueshëm asokohe.

Sonte Slloveni-Kosovë

0

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll, sonte luan ndeshjen e parë kualifikuese për Eurobasket 2017.

Basketbolli i Kosovës sonte nis epokën e re, ku përfaqësuesja jonë do të përballet me Slloveninë, në ndeshjen e parë historike për vendin tonë në kualifikimet e Eurobasket 2017, takim ky që luhet në kuadër të Grupit E.

Përzgjedhësi i Kosovës, Arben Krasniqi qysh më 7 korrik ka nisur përgatitjen më skuadrën e tij, në mënyrë që skuadra jonë të paraqitet sa më mirë në kualifikimet e Eurobasket 2017.

Krahas përgatitjeve që janë bërë në Prishtinë, Kosova i ka zhvilluar edhe 9 ndeshje miqësore, të cilat i kanë shërbyer përzgjedhësit Krasniqi për të testuar të gjithë lojtarët, por edhe për të komponuar sa më mirë skuadrën.

Ndeshja mes Sllovenisë dhe Kosovës luhet në Lubjanë, dhe nis në orën 20:00. Përfaqësuesja jonë Pas kthimit nga Sllovenia, të enjten, ekipi do të zhvendoset nga Prishtina në Mitrovicë, për tu përgatitur sa më mirë për ndeshjen e parë si vendase më të shtunën, më 3 shtator, kundër Ukrainës.

Komunat e mëdha të Kosovës, 8 shkelje për 7 muaj

0

Kuvendet e Komunave të mëdha të Kosovës në shtatë muajt e vitit 2016 në tetë raste kanë marrë vendime që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjatë periudhës kohore janar-korrik 2016, në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) del se në KK-në e Prishtinës janë konstatuar tri shkelje ligjore, derisa në ata të Gjakovës dhe Ferizajt nga dy, në KK-në e Prizrenit një shkelje ligjore, dhe në anën tjetër në Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë të jugut nuk janë evidentuar shkelje ligjore.

Sipas informatave të marra nga MAPL-i, KK-ja e Prishtinës i ka rishqyrtuar të tria vendimet brenda afateve ligjore, Gjakova një vendim e ka rishqyrtuar dhe tjetrin jo, Prizreni e ka rishqyrtuar vendimin e vetëm, derisa KK-ja e Ferizajt ka pasur në dispozicion akoma afat për rishqyrtimin e dy vendimeve.

MAPL ka sqaruar se në KK-në e Prishtinës gjatë periudhës janar-korrik 2016, shkeljet ligjore janë evidentuar te vendimi për formimin e grupit punues për plotësim-ndryshimin e Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatra, vendbanime dhe lagje urbane; pastaj te vendimi komunal për lejimin e afatit shtesë AKP-së për lirimin e hapësirave, të cilat i janë dhënë me qira në bazë të kontratës; dhe vendimi për caktimin e komisionit për udhëheqjen dhe koordinimin e punës për përzgjedhjen e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane. Të tria këto vendime sipas MAPL-it janë harmonizuar brenda afatit ligjor.

Në Gjakovë, MAPL-i ka konstatuar dy shkelje ligjore, njërën te vendimi për shpalljen e interesit publik me qëllim të dhënies në shfrytëzim afatshkurtër të disa hapësirave shkollore, i cili akt është rishqyrtuar dhe harmonizuar; dhe tjetrën te vendimi paraprak për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, që ende nuk është rishqyrtuar nga KK-ja ani pse MAPL-i ka kërkuar një gjë të tillë me shkresën e datës 8 qershor 2016.

Në Prizren, MAPL-i ka gjetur shkelje ligjore në vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, por KK-ja në përputhje me kërkesën e ministrisë përkatëse e ka harmonizuar këtë akt komunal brenda afatit ligjor.

Në Ferizaj, MAPL-i ka kthyer dy vendime për rishqyrtim që kanë të bëjnë me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të KK-së së Ferizajt të destinuara për zhvillim ekonomik, e për të cilat akte KK-ja ka pas afat për rishqyrtim.

Ndërsa gjatë vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të KK-ve të Pejës, Gjilanit dhe Mitrovicës së Jugut në periudhën janar-korrik 2016 MAPL-i nuk ka evidentuar asnjë shkelje ligjore.

Duke i marrë për bazë të dhënat e mësipërme, EC Ma Ndryshe konsideron se KK-të e lartpërmendura duhet të jenë më të përgjegjshme gjatë vendimmarrjes, sidomos te aktet për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. EC edhe njëherë përkujton se Kuvendi i Komunës është organi më i lartë përfaqësues në nivel lokal dhe se të gjithë anëtarët e KK-ve betohen se do t’i kryejnë detyrat dhe ushtrojnë autorizimet sipas ligjit, prandaj dhe duhet të shtojnë nivelin e përgjegjësisë për vendimmarrje në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për këtë arsye KK-të përsëri rekomandohen që pas marrjes së vlerësimeve nga niveli qendror në afatin sa më të shkurtër kohor t’i rishqyrtojnë aktet që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe t’i harmonizojnë ato në linjë me udhëzimet e marra nga MAPL-i. /PrizrenPress.com/

Pse munguan Xhavit Haliti dhe Adem Grabovci në mbledhje të PDK-së?!

0

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës e cila është mbajtur gjatë ditës së djeshme, kanë munguar disa nga figurat me të zëshme të kësaj partie.

Ish- shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, që vijnë nga rajoni i Pejës, e që po kanë dilema për demarkacionin me Malin e Zi, nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e djeshme që zgjati me orë të tëra, e që temë diskutimi ishte votimi i marrëveshjes për demarkacionin, raporton gazetablic.com

Mungesën e Halitit dhe Reçicës, burime të Gazetës Blic brenda kësaj mbledhje e kanë arsyetuar me pushimet të cilat këta dy deputetë i kanë nisur ditë më parë

“Gazeta Blic” ka provuar ta flasë me Grabovcin dhe Xhavit Halitin, përmes telefonit, për ta kuptuar arsyen e mungeses, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Në këtë takim e Këshilli Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës është marrë vendim që të mbështetet demarkacionin me Malin e Zi. / Gazeta Blic/

Nëntoka kriminale, në ofensivë

0

Pas incidenteve të vazhdueshme të fundit në Kosovë, analistët, njohësit e fushës së drejtësisë, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë hedhur dyshimet e tyre se nëntoka kriminale është aktivizuar sërish përmes skenarëve të bombave dhe ashpërsimit të gjuhës publike politike, për ta paraqitur kësisoj Kosovën si një shtet të pasigurt ku nëse, “të fortët” nuk mbështeten nga ndërkombëtarët dhe po ashtu nëse oligarkët nuk janë në pushtet, nuk do të ketë paqe të përgjithshme në vend, pasi, veç të tjerash, ata tashmë edhe po e shohin se po demaskohen si asnjëherë më parë në publik, shkruan gazeta Kosova Sot.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se situatat e rënda në Kosovë i shfrytëzojnë lloj- lloj forcash destruktive e agjenturash të ndryshme, të cilat, sipas tij, kanë për qëllim të fundit destabilizimin e Kosovës dhe defaktorizimin e saj. “Në anën tjetër, të “fortët” në vazhdimësi kanë qenë të dëgjueshëm dhe të shantazhueshëm, ngase ata gjithmonë e kanë luajtur rolin e dëgjuesit, duke zbatuar gjithmonë politikat e të tjerëve si primare e asnjëherë tonat. Në këtë mënyrë janë dëmtuar rëndë interesat tona nacionale e shtetërore. Ne nuk e dimë saktë se kush janë autorët e bombave, por një gjë është e sigurt se ata nuk ia duan të mirën Kosovës. Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë,por gjithmonë duke pasur në rend të parë interesat tona e jo interesat e të tjerëve”, ka theksuar ai.

Dibrani: Skenar i përgatitur për të bartur vëmendjen e popullsisë në tema të tjera

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi ka vlerësuar se sido që të jetë, së pari duhet të identifikohen dhe të gjenden personat e vërtetë që kanë hedhur bomba apo mjete shpërthyese, ose çfarëdo tjetër që kanë vepruar, e që janë padyshim vepra inkriminuese dhe vepra të rënda penale. Ai shtoi se përderisa nuk do të zbulohen ata dhe nuk gjykohen mund të jetë secili variant i mundshëm. Në anën tjetër, analisti Shefqet Dibrani thotë se siç duket nëntoka e veprimeve kriminale është në ofensivë, derisa, sipas tij, bombat më shumë duhet të shikohen me dyshim si një skenar i nëntokës sa për të shprehur pasiguri në nivel Kosove. ” Rastet po ndodhin sipas një planimetrie e cila rrit dyshimin, pasi shpërthimet po bëhen në një kohë që, përveç panikut dhe dëmeve materiale, deri më tani nuk paraqisnin rrezikun e jetëve njerëzore.

Pastaj nëse analizohen deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, se si u bëjnë thirrje organeve të drejtësisë për t’i ndriçuar rastet, lë përshtypjen e personave që nuk kanë asnjë përgjegjësi udhëheqëse, ngase këto thirrje irritojnë qytetarin, në vend se ata të lëshojnë urdhëresa për t’u kapur personat që kryejnë akte terroriste, ndërsa lihet po ashtu përshtypja se rastet po ndodhin në një shtet tjetër, ndërsa këta kanë kompetencë vetëm të bëjnë thirrje publike për t’u ndriçuar rastet”, u shpreh ai. Më tej, Dibrani ka nënvizuar se po aq shqetësuese janë deklaratat e personave të atakuar, të cilët në emër të një vendosmërie shprehin guximin e tyre për të shkuar më tutje dhe për të mos u zmbrapsur, andaj, sipas tij, e tëra duket si një skenar i përgatitur, sa për të bartur vëmendjen e popullsisë në tema të tjera, më pak të rëndësishme. “Shqetësuese është kur deklaratat e Qeverisë dhe të Parlamentit lidhen me një subjekt politik, veçanërisht për t’u gjykuar është deklarata e Bordit të RTK-së, ku rastin me bombë e lidhin drejtpërdrejt me një subjekt politik, madje pa u dhënë raporti policor, është joprofesionale dhe veprime të pafalshme që mund të kualifikohet si vepër penale. Edhe sikur të shihej qartë personi që kryente veprën penale, edhe sikur atij t’i dihej emri, mbiemri dhe përkatësia partiake, shteti nuk guxon të drejtojë gishtin nga një subjekt politik, i cili është pjesë e Parlamentit, aq më pak këtë gabim nuk është dashur ta përsërisë RTK-ja si medium publik. Hedhja e bombave dhe deklaratat janë për keqardhjen, por nëse këto gjëra janë skenar i grupeve dhe individëve që kanë kapur shtetin, prandaj policia dhe drejtësia janë vetëm instrumente në duart e tyre. Derisa policia nuk e ka kapur asnjë rast, dyshimet mund të shtohen se këto ngjarje janë një skenar i strukturave të nëntokës të cilat e kanë kapur shtetin dhe nga aty po tallen jo vetëm me qytetarët dhe me fatin e Kosovës, por edhe me rolin e bashkë- sisë ndërkombëtare në Kosovë”, është shprehur Dibrani për gazetën “Kosova Sot”..

UPZ-ja lëshon diploma të pavlefshme

0

Ish-studentja e Universitetit të Prizrenit Y.H, e cila ka kryer studimet në drejtimin Gjuhë dhe letërsi angleze, ka marrë vesh se drejtimi i saj ka qenë i paakredituar tek atëherë kur ka dashur të aplikojë për studime master jashtë vendit.

Ajo i ka thënë gazetës “Zëri” se një gjë të tillë e ka kuptuar nga Ministria e Arsimit, një vit pasi ka kryer studimet në nivelin bachelor, të cilat i kanë zgjatur katër vjet. Megjithëkëtë, askush deri më tash nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë çështje.

“Pas një vit diplomimi, unë dhe një kolege imja kemi shkuar në MASHT në Prishtinë për ta marrë një vulë nga ana e tyre, sepse na duhej për studime jashtë vendit. Mirëpo, në Ministri na kanë thënë që nuk munden sepse drejtimi ynë nuk paska qenë i akredituar dhe që diplomat tona nuk paskan vlerë. Vetëm kaq, asnjë sqarim tjetër”, është shprehur Y.H për gazetën “Zëri”.

Y.H. fajëson dekanin Ismet Temaj

Ajo ka thënë se bashkë me kolegen e saj, B.H., kanë shkuar te dekani i Fakultetit, Ismet Temaj, për të marrë së paku një sqarim.

Siç ka treguar ish-studentja e UPZ-së Y.H., dekani e ka pranuar se ka qenë i informuar për një gjë të tillë, por ai ka mohuar që kjo çështje të jetë pjesë e obligimeve të tij.

“Pas një bisede të gjatë, zotëriu në fjalë e pranoi që ka qenë në dijeni qysh para pranimit të studentëve në fakultet që nuk është i akredituar, por që nuk paska qenë detyra e tij që të na lajmërojë se po e vijojmë një lëmi që nuk ka për të pasur vlerë për ne”, ka treguar ish-studentja e Universitetit të Prizrenit.

Sipas saj, dekani Temaj qëllimisht i ka mashtruar studentët, pasi ashtu si ajo është shprehur, vetë dekani ka qenë ai i cili i ka nënshkruar diplomat e tyre.

“Ismet Temaj është ai që e ka hapur konkursin për pranimin e studentëve dhe po ai i cili e ka nënshkruar diplomën, që po i bie se ka bërë mashtrim, falsifikim me vetëdije për 4 vjet rresht”, ka shtuar më tutje ajo.

Dekani Temaj fajëson MASHT-in

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe dekanin Ismet Temaj, mirëpo ky i fundit ka thënë se në kohën kur studentja Y.H. është pranuar në fakultet, ai nuk ka qenë në pozitën që është sot.

“Ju bëj me dije se unë në kohën e regjistrimit, gjegjësisht pranimit të studentëve të kësaj gjenerate (2011), nuk kam qenë në asnjë pozitë udhëheqëse të Universitetit ‘Ukshin Hoti’, gjegjësisht nuk kam qenë dekan i Fakultetit të Edukimit”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Ndërkaq, arsyeja se pse është vazhduar që drejtimi Gjuhë dhe letërsi angleze të jetë në program të Fakultetit të Edukimit në Prizren, sipas Temajt, ka qenë se me këtë gjë vetëm është zbatuar një vendim i Ministrisë së Arsimit.

“Sa i përket akreditimit të programit të Gjuhës dhe letërsisë angleze, ju njoftoj se ne, gjegjësisht Universiteti ‘Ukshin Hoti’, ka zbatuar vendimin e MASHT-it për të regjistruar (vazhduar studimet në këtë program dhe programet e tjera lëndore). Një gjë e tillë ishte edhe në universitetet e tjera publike në Republikën e Kosovës”, ka shtuar më tutje dekani Temaj.

Ndërsa, ka thënë se problemin në fjalë mund ta zgjidhë vetëm Ministria e Arsimit, por jo UPZ-ja.

“Ju bëjmë me dije edhe një herë se këtë çështje mund ta zgjidhë MASHT-i e jo Universiteti ‘Ukshin Hoti’, gjegjësisht Fakulteti i Edukimit në Prizren”, ka deklaruar Temaj.

Ministria nuk ka qenë në dijeni

Ndërkaq Faton Fetahu, asistent personal i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se Ministria nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë, përkundrazi, ashtu si ai është shprehur, për çështjen në fjalë MASHT-i është njoftuar kohët e fundit.

“Në emër të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami, ju njoftoj se kabineti i ministrit tash së fundmi është njoftuar për këtë problem, me rastin e kërkesave të studentëve të këtij programi për verifikime të diplomave të fituara”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.

Më tutje, Fetahu ka thënë se çështja në fjalë është duke u shqyrtuar dhe ajo do të qartësohet në përputhje me ligjin.

“Përndryshe, aktualisht është duke u trajtuar me Departamentin për Arsim të Lartë dhe gjithçka do të sqarohet në bazë të legjislacionit në fuqi”, ka deklaruar asistenti i ministrit Bajrami.

Pavarësisht kësaj, sipas një vendimi të MASHT-it, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” (gjersa Ramë Buja ishte ministër), thuhet se Ministria e Arsimit kishte vendosur t’ua njihte të gjitha diplomat e studentëve të Fakultetit të Edukimit nëpër universitetet publike, siç thuhet “në fazën e transformimit të programeve lëndore nga Fakulteti i Edukimit, në departamentet tjera përkatëse, për vitin akademik 2011/2012 dhe 2012/2013”

Kadaj-Bujupi: Veseli kryekriminel, regjimi si ai i Millosheviqit

0

Donika Kadaj-Bujupi, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka thënë se arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje tregojnë më së miri regjimin nën të cilin po jetojnë qytetarët e Kosovës, ndërkaq nuk hezituar që kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ta quajë kryekriminel.

“Unë dëgjova një deklaratë të kryekriminelit(i drejtohet Kadri Veselit) që konfirmoi se ai ishte urdhërdhënës, dhe në këtë intervistë paragjykoi për aktivistët e Vetëvendosjes dhe vërtetoi që deri në orët e vona kanë ushtruar presion ndaj deputetëve të PDK-së për ta votuar demarkacionin”.

“Aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes shkëlqejnë edhe në karrierë edhe në pjesën akademike. Për dallim prej këtyre të tjerëve, që na e nxinë fytyrën”.

“Sonte u kërkua që në emër të demarkacionit deputetët të votojnë shitjen e mbi 8 mijë hektarëve të territorit të Kosovës”.

“Arrestimet e djemve dhe vajzave më të mira kanë për qëllim që të na dëmtojnë tash kur jemi afër 1 shtatorit. Por ne nuk do të ndalemi. Do të punojmë”.

Kadaj-Bujupi ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë provë të vetme për t’u bërë këto arrestime, ndërsa sistemin qeverisës të vendit e ka krahasuar me regjimin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, njofton Klan Kosova.

“Sot nuk ka pasur asnjë provë të vetme. Ka pasur vetëm akuza dhe paragjykime. A duhet që secili që posedon telefon dhe kompjuter të arrestohet. Nuk e arsyetoj mbajtjen ilegale të armëve, por ato nuk kanë asnjë lidhje me predhën e hedhur në Kuvend. Ajo predhë ka ardhur nga pushteti”.

“Veprimet e sotme janë veprime të regjimit, që kanë ndodhur edhe gjatë regjimit të Millosheviqit, që i kanë parapri propagandës. Vet arrestimi kaq tendencioz, pa asnjë provë e tregon këtë gjë”.

“Ekziston një rrjet i organizuar kriminal që e lufton opozitën me qëllim të mbetjes në pushtet dhe zhvatjes së vazhdueshme që e kanë bërë tash e një kohë”.

“Ne jemi në vazhdimësi, në përgatitje maksimale, që 1 shtatori të jetë dita kur këtij regjimi t’i vie fundi. Në të kundërtën do të kemi një vazhdimësi dhe rrënim të Republikës. Prandaj jemi duke punuar në terren dhe presim që më 1 shtator, deputetët brenda dhe qytetarët jashtë t’i thonë jo demarkacionit”.

“Unë edhe kur kam qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në raste të caktuara kam votuar kundër (propozimeve të PDK-së), ndërsa vota ime është përshtatur me votat e Lëvizjes Vetëvendosje”. /klankosova.tv/

Sonte nis festivali “Zambaku i Prizrenit”

0

Sonte në Prizren do të nis festivali “Zambaku i Prizrenit”, me ç’rast duke filluar nga ora 20:00, do të këndohen 14 këngë, të përcjella nga orkestra.

Në një njoftim për media, thuhet se kënga “Nuk jam shpirti yt” që do të këndohet nga Xhevat Kelmendi, sonte në orën 20:00, në kopshtin e Kino Lumëbardhit do ta hap perden e edicionit të 28 të Festivalit të këngës së vjetër qytetare, i cili me edicionet para këtij është vënë në dilemën “të jesh apo të mos jesh”.

“Orkestra në përbërjen e së cilës janë instrumentistë të dëshmuar në një kohë prej vetëm pesë ditësh, nën përkujdesjen e kompozitorit Tomor Berisha, ka bërë përgatitjet maksimale të mundshme që Prizrenit t’i kthehet “Zambaku i Prizrenit” me vlerat e dëshiruara. Festivali i këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit” është i vetmi festival i kësaj natyre, që synon ruajtjen e vlerës dhe promovimin e kompozitorëve dhe këngëtarëve”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se juria, emrat e së cilës do të bëhen publike vetëm pas fillimit të festivalit do t’i ndaj tri shpërblime.

“Kënga të cilës do t’i ndahet vendi i parë nga juria, përveç “Zambakut të Argjend” që i takon kompozitorit do të shpërblehet me shumën prej 500 Euro, vendin i dytë, do të shpërblehet me shumë prej 300 Euro dhe vendi i tretë do të shpërblehet me shumën prej 200 Euro. Kënga më e mirë e zgjedhur nga publiku përveç me “Mikrofonin e Artë” i takon këngëtarit, do të shpërblehet edhe prej 300 Euro. , Shpërblimet në para në mënyrë të barabartë i takojnë këngëtarit dhe kompozitorit të këngëve fituese”, thuhet më tej në njoftim.

Live në kopshtin e Kino Lumëbardhit do të paraqitjen me këtë renditje këto këngë:

1, “Nuk jam shpirti yt”. Kompozim i Memli Kelmendit e këndon Xhevat Kelmendi.

“Flokëzeza”. Kompozim i Irfan Blakqorit e këndon Irfan Blakqori .
“Kënga e zemrës”. Kompozim i Veton Perrollit, e këndon dueti Hysen Kafexhiu dhe Frida Toçi;
“Me trille t’ambla ma more zemrën” kompozim i Zyhni Beqirajt e këndon Olta Juba;
“Sa të kam dashtë”. Kompozim i Nexhat Maculës e këndon Albulena Jashari.
“Sen Oldun”. Kompozim i Hisein Kazaz e këndon Tolga Kazaz.
“Miris belog Zambaka”. Kompozuar nga Shefqet Hoxha e këndon Shaqir Ahmeti”
“O po qan Lulja”, kompozuar nga Ylli Kalaja, këndohet nga Rakipe Karaj;
“Malli im”. Kompozim i Isa Jakupit, këndohet nga Ylberina Avdyli
“Lem ta puth nishanin” kompozim i Ylli Ramzotit, këndohet nga Ilsi Ademi.
“I vetmuar jam”. Kompozim i Arsim Kryeziut, këndohet nga Andi Qerreti.
“Vera e hidhur”. Kompozim i Edon Ramadanit këndohet nga Denik Prizreni.
“Sa të dua o Prizren”. Kompozim i Tomor Berishës, këndohet nga Majlinda Cikaçi e Sahit Vata;
14 “ Do t’ këndojmë e do t’ këndojmë”. E ka kompozuar dhe e këndon Artan Bakija.

Mustafi zyrtarisht lojtar i Arsenalit

0

Mbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi zyrtarisht është lojtari më i ri i Arsenalit.

24-vjeçari është larguar nga Valencia pas 64 paraqitjeve me klubin. Mustafi ka luajtur më parë edhe te Evertoni e Sampdoria.

Reprezentuesi i Gjermanisë i bashkohet Granit Xhakës te ekipi londinez.

“Ai është në moshën e duhur. Ka përvojë. Është futbollist i fokusuar që luan mirë me top. Kemi marrë futbollist të mrekullueshëm të përgatitur për të ardhmen”, ka deklaruar trajneri Arsene Wenger.