Agron Demi nga Instituti GAP i ka paraqitur 12 mënyrat se si përgjimet, të cilat i ka siguruar Gazeta online Insajderi, i shfaqin, siç thotë ai, “cullak” politikanët kosovarë.
Ai ka thënë se “Adem Grabovci me shokë e konsiderojnë politikën si ‘art i të mundshmes’: vjedh e shkatërro pasurinë publike sa të mundesh”, duke shtuar se “Grabovci me shokë nuk kanë fije morali”. Andaj, sipas Demit, “është e kotë me pritë prej tyre që t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të dorëhiqen”, duke shtuar se “nuk mundesh me u thirr në diçka që nuk e ke”.
Agron Demi shkon edhe më tej në vlerësime, duke thënë se “Grabovci me shokë kanë gjuhë huliganësh, të sharat dhe nivelin e ulët të komunikimit që e dëgjojmë në përgjime paraqesin karakterin e tyre të përditshëm”.
“Duhet të jetë jashtëzakonisht e mundimshme për ta kur në adresimet zyrtare duhet të ndërrojnë gjuhën dhe të tregohen më ‘civil’”, thotë Demi.
Sipas tij, “në Kosovë nuk ekziston asnjë institucion publik i pavarur nga partia. Përderisa formalisht në ligje parashihen institucione të pavarura, në praktikë kjo ndarje nuk ekziston, dhe thotë se “Ligjet e Grabovcit” janë si “Ligjet e Maliqit”: varësisht në dorën e kujt janë, dikë e lëmojnë e dikë e kafshojnë.
“Grabovci me shokë kanë krijuar një sistem “të logjikës së mbrapshtë Orwelliane”: ku e keqja është e mirë, shkelja e ligjit është patriotizëm, vjedhja e pasurisë shtetërore është zotësi…”, shton Demi.
“Grabovci me shokë të interesit (dyshoj se dikush do kishte zgjedh me ba Grabovcin shok veç për qef), vuajnë tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit: ata kanë nevojë të vazhdueshme për me jau lëmu egon, më ju than ‘shef’, ‘faleminderit’, ‘ti je ma i madhi në vend’…Përndryshe ata hakmerren”, vlerëson ai.
“Grabovci me shokë kanë IQ idiote, ata janë në shkallë të hershme të zhvillimit. Pozita shtetërore ua mundëson me i hjek të gjitha qefet që i kanë pasë që nga puberteti”, thotë ai.
“Grabovci me shokë kanë kriju një shtet ku nuk ekziston ndarja dhe balanci i pushteteve. Në fakt, në shtetin e Grabovcit me shokë pushteti ekziston jashtë institucioneve. Parlamenti i ngjan një “kulle” e cila shërben veç për simbolikë”, vazhdon tutje vlerësimin Demi.
Ai ka thënë se “Grabovci me shokë kanë krijuar një sistem të rrezikshëm, në dorë të tyre është policia e gjyqësia: dy pushtete të cilat në dorë të Grabovcëve shkatërrojnë shtet e jetë qytetarësh”. Për Grabovcët, Demi thotë se “do të jetë dukur e çuditshme kur një polic i ka ndalë në rrugë: qysh ndodhë që policia e “Babës” me na ndalë neve?”
“Grabovci me shokë kanë krijuar një sistem i cili nuk mund të luftohet në rrugë institucionale. Për ata protestat qytetare janë e vetmja rrugë për me ua largu institucionet nga dora”, shkruan Demi në llogarinë e tij në facebook.
“Grabovci me shokë nuk lënë hapësirë për punësimin e grave në sektorin publik. Por ama gratë e tyre (që gjithqysh duhet me qëndru në shpi) kanë mundësi me punësu ndokënd në institucione. Amanetet e tyre qohen në vend nga sekserët e Grabovcit”, vazhdon postimi i tij.
“Grabovci me shokë janë vetëm fija e një lëmshi të madh. Po të kishim përgjimet e “Bashotëve me shokë”, “Lushtakëve me shokë”, “Thaçëve me shokë”, “Hamitëve me shokë”…do të ishin më të zeza se sa këto që po i dëgjojmë”, përfundon postimin e tij drejtori i Institutit GAP, Agron Demi./Insajderi.com
Adem Grabovci ishte fortë i kënaqur me shërbimet që po ia kryente, Ilhami Gashi deri në momentin kur një kandidate e preferuar e tij për një pozitë të lartë, kishte dalë e dyta me pikë. Në konkursin për kryeshef të Agjencisë për Produkte Medicionale, Arbenita Pajaziti ishte renditur pas Ilir Dushit. Dushi që kishte fituar, nuk e ka kryer mandatin. Ai është arrestuar nga Policia dhe është shkarkuar nga detyra. Ndërkohë, për pozitën e Drejtorit në Agjencinë e Regjistrimit Civil, Gashi dhe Grabovci e implikojnë edhe Hashim Thaçi, presidentin e vendit.
Adem Grabovci, ishte bërë fort nervoz kur Arbenita Pajaziti, kishte marrë më pak pikë për kryeshef të Agjencisë për Produkte Medicionale, sesa Ilir Dushi.
Në krye të panelit për vlerësim të kandidatëve ishte Ilhami Gashi.
Grabovci, donte që në këtë pozitë të vinte, Pajaziti – një zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë, e përfshirë në rastin e korrupsionit me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ajo nuk e kishte fituar këtë pozitë të lartë në këtë institucion shtetëror, por Ilir Dushi. Dushi nuk ka arritur që ta përfundojë mandatin. Është arrestuar, paraburgosur dhe shkarkuar nga detyra. Aktualisht po zhvillohet një proces gjyqësor kundër tij.
Në pjesën e dytë të hulumtimit për veprimtarinë e Adem Grabovcit dhe zyrtarëve tjerë të PDK-së, Insajderi sjell tri biseda të reja të Ilhami Gashit dhe Grabovcit që dëshmojnë ushtrimin e ndikimit dhe dallaveret me pozita të larta shtetërore.
Në një rast tjetër, Gashi ishte pjesë e përzgjedhjes së Blerim Camajt, për drejtor të Agjencisë së Regjistrimit Civil. Ai është familjar i afërm i Xhavit Halitit.
Protagonistët flasin edhe për angazhimin e Ilhami Gashit, në Bordin e Universitetit, “Haxhi Zeka” në Pejë.
Grabovci i telefonon Gashit fill pas intervistave të kandidatëve për Agjencinë për Produkte Medicionale. E pyet se si shkoi procedura.
“Kalum mirë, kjo, kjo u kfalifiku veç jo e para”, raporton Gashi.
“E kush i pari”, e pyet Grabovci. Kur merr vesh se Arbenita Pajaziti nuk është e para, i thotë Gashit se “ia paske kajtë nanën”.
“Ehe… ja ke kajt nanën, se s’ke punu me anëtar. I pari Ilir Dushi, e dyta Arbenita, e treta. I treti Jetoni. Për nantë poena, 491, osht.., 480 osht Arbenita edhe 474 osht Jetoni”, vazhdon Gashi, ish-sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kandidat i PDK-së për Komunën e Pejës.
“Jaa… kkk… mener me thanë ma keq kurrë s’kishe punu”, ia kthen Grabovci për ta thirrur në zyrë.
Biseda tjetër ka të bëjë me Blerim Camajn. Ata flasin për një takim që do të zhvillonin me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin, nga i cili duhej marrë bekimin për emërimin e Camajt në pozitën e drejtorit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Po shkojmë deri n’kryemnistri niherë”, thotë Grabovci, teksa Gashi e porosit se që ta pyet Thaçin, siç i referohet “i madhi” se çfarë të bëjë me Blerim Camajn. .
“Edhe vete, vete pra masi po shkon te shefi për ARC çka me bo… Për, Agjensionin e Regjistrit Civil, që e kom Blerim Camaj. Çka me bo me atë ven… Intervista, intervista osht t’premten edhe vete çka po thotë i madhi”, vazhdon Ilhami Gashi.
“Paj duhet… ti e din qysh jon rrethanat aty”, ia kthen Grabovci.
“Ti fol me t’madhin se ky kryesus… (nuk kuptohet) drejt me ni punë bohet”, sqaron Gashi. Ai pyetet nëse mund ta mbajë Blerim Camajn në garë.
“Po, muj aty tash… intervista o t’premten”, thotë Gashi.
“Kshtu gabime, cilësore s’ka bo jo?”, interesohet Grabovci.
“Cilësore s’ka ba, menaxher nuk o i aftë, po ski çka me bo burrë”, vazhdon Gashi.
“Ëhë, ëhë… hajt se bisedoj, bisedoj, e t’tregoj kur t’shihum”, thotë Grabovci.
Camaj ishte emëruar në këtë pozitë, ndonëse ishte i dobët sipas vlerësimit të vetë Gashit. Vazhdon ta mbajë edhe më tej, ani se ishte suspenduar me vendim të ish-ministrit, Bajram Rexhepi, për përgjegjësi në skandalin e vjedhjes së 1.4 milion eurove të pasaportave.
“Bisedo edhe tregom edhe tash ti mos u vono qysh ki merak me ndejt me to tre sahat”, ia rikujton Gashi – Grabovcit.
“Hajt se po pres unë pra qitu pra se ashtu, kshtu po vazhdoj me do punë”, përfundon Gashi.
Gashi e Grabovci flasin edhe për angazhimet tjera, siç janë përmbushja e kritereve të Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave, e për angazhimin tjetër në Bordin e Universitetit të Pejës.
“Gashi: Unë pasha besën, ton kohën n’komunikim me Bashkësinë Evropiane, i kem pas sot ata… ata edhe na kanë intervistu qysh ça kem punu, tek kem punu… Për integrime edhe mirë kem kalu”, thotë Gashi. Për këtë merr një “bravo” nga Grabovci.
“Than keni bo progres”, thotë ai.
Grabovci i tregon se ka biseduar me dike që e quan Xhelë, se si Gashi do të hyjë në histori si themelues i Universitetit.
“Hehehe…, i thash le more thash se hin në histori t’Universitetit, themelus i Universitetit, thash o ti”, i tregon Grabovci.
Biseda e parë
Gashi: Urno zoti…
Grabovci: Alo.
Gashi: Ka je shef i shefave?
Grabovci: Ku je pllum? Unë tu t’prit vallain n’zyrë.
Gashi: E bravo t’qoftë, se ti kishe, kishe…
Grabovci: Qysh kalut?
Gashi: Kalum mirë, kjo, kjo u kfalifiku veç jo e para.
Grabovci: E kush i pari?
Gashi: I pari shkoj iii…, qe prit veç ni moment.
Grabovci: E ja paske kajt nanën.
Gashi: Ehe… ja ke kajt nanën, se s’ke punu me anëtar. I pari Ilir Dushi, i dyti Ar…, e dyta Arbenita, e treta. I treti Jetoni. Për nantë poena, 491, 480 osht Arbenita edhe 474 osht Jetoni.
Grabovci: Jaa… kkk… mener me thanë ma keq kurrë s’kishe punu.
Gashi: Ehh…, s’ke punu pra.
Grabovci: Hajde a po vjen. Hajde merri hajde ti kqyrum qato… n’zyrë jom.
Gashi: A… e qishtu qe jarani jem, hajde.
Biseda e dytë
Gashi: Urno, kryetari i kryetarëve.
Grabovci: A je larg?
Gashi: Po, n’ministri po dal, prej ministrisë.
Grabovci: Po shkojmë deri n’kryemnistri niherë.
Gashi: Mirë.
Grabovci: Si te kryjsh qater veç ma boj ni telefon.
Gashi: Edhe vete, vete pra masi po shkon te shefi për ARC çka me bo.
Grabovci: Për?
Gashi: Për, Agjensionin e Regjistrit Civil, që e kom Blerim Camaj çka me bo me atë ven.
Grabovci: A, Blerim Camën.
Gashi: Intervista, intervista osht t’premten edhe vete çka po thotë i madhi.
Grabovci: Paj duhet… ti e din qysh jon rrethanat aty.
Gashi: Ti fol me t’madhin se ky kryesus… (nuk kuptohet) drejt me ni punë bohet.
Grabovci: A munesh me, me e majt Blerimin?
Gashi: Po, muj aty tash… intervista o t’premten.
Gabovci: Kshtu gabime, cilësore s’ka bo jo?
Gashi: Cilësore s’ka bo, menaxher nuk o i aftë, po ski çka me bo burrë.
Grabovci: Ëhë, ëhë… hajt se bisedoj, bisedoj, e t’tregoj kur t’shihum.
Gashi: Bisedo edhe tregom edhe tash ti mos u vono qysh ki merak me ndejt me to tre sahat.
Grabovci: Jo bre çfarë.
Gashi: E hajt qashtu qe.
Grabovci: Për merak ti e din si tybe shkoj te shpija se jom lodhë.
Gashi: Hihihihi…
Grabovci: Po tybe.
Gashi: Hajt se po pres unë pra qitu pra se ashu kshtu po vazhdoj me do punë.
Grabovci: Hajde, hajde.
Biseda e tretë
Gashi: Urnoni, kryetar i kryetarve.
Grabovci: Ku je more, ku je more, sekretar që, që je hup krejt, qe tri ditë t’u t’lyp ?
Gashi: Unë pasha besën, ton kohën n’komunikim me Bashkësinë Evropiane, i kem pas sot ata… ata edhe na kanë intervistu qysh ça kem punu, tek kem punu…
Grabovci: Po a?
Gashi: Për integrime edhe mirë kem kalu.
Grabovci: Mirë kalut a?
Gashi: Po pasha besën.
Grabovci: Bravo.
Gashi: Than keni bo progres. E ti çka bane sot kallxom?
Gabovci: Vallain, ton ditën do takime do qishtu, s’di.
Gashi: A mirë?
Grabovci: Mirë, ja… mirë, mirë, mirë, u kon.
Gash: E qajo me rëndësi vlla, qajo me rëndësi vllau jem.
Graboci: Nesër a je n’Pejë a n’Prishtinë qitash ?
Gashi: Nesër jom… edhe tash jom n’Prishtinë edhe nesër jom n’Prishtinë. Muj mu dok pak, se tanaj ka me shku për Pejë se na kanë thirr n’atë bordin e Universitetit t’Pejës, na kishe pas emnu ti atje, a po din.
Grabovci: Ehhheeee….. hahah…. a e ki, a e ki edhe Xhelën aty?
Gashi: Edhe Xhelali ish n’to.
Grabovci: Ahhaa… po, po, mirë osht… (nuk kuptohet) e mirë shumë.
Gashi: Mirë ish vallain ha…
Grabvci: Jo, jo, është super i mirë, mujmë me bo qysh… a din për qef tonin aty.
Gashi: Po, qashtu qe vallain.
Grabovci: Se kanë desht do, do, do, palidhje me i…, me të thanë drejtën vonë, s’di a t’ka tregu Xhelali ? Ma bojke Xhelali e çka osht ajo?
Gashi: E çka osht ajo more tha, e çka osht ka bon ? Thash qatu ki me shku.
Grabovci: Hehehe…, i thash le more thash se hin në histori t’Universitetit, themelus i Universitetit, thash oo tii.
Gashi: Po pra, e ke themelu Universitetin, thash mor djalë.
Grabovci: Eee…, hej nesër pra n’mëngjes na duhet mu taku.
Gashi: Hajde u bo, n’sa po del ti n’rezidencë ?
Grabovci: Unë, n’nanë, n’nanë dal, n’sa del ti ?
Gashi: Unë dal n’tetë, e dhetë.
Grabovci: Po a?
Gashi: Po, loçkoman.
Grabovci: Hajt po kqyri, po kqyri me dal.
Gashi: Hajde pra se shihum pra.
Grabovci: Okej shoqi.
Gashi: Hajde shoqit. Hajde sukses hej.
Grabovci: Çao, natën e mirë.
Gashi: Natën e mirë./Insajderi.com
(Në transkriptim të bisedave mund të ketë lëshime të vogla teknike).
Gazetari vuan kur kërkon një titull. Titulli është, sa thelbi i gjërave që ka thënë i intervistuari, sa vitrina që kërkon t’i ekspozojë të gjitha; për të thënë dhe për ‘të shitur’. Të intervistuarit nuk të ndihmojnë me këtë, ose e bëjnë me kursim të madh. Njerëzit, edhe ata që shëtisin profilin e një veteje të thellë a transgresive, janë kryesisht të rrafshët. Derikur takon Flutura Açkën, shkrimtare dhe botuese. Prej secilës nga 33 përgjigjet e saj mund të nxirrje një titull, dhe madje të fortë e të mirë. Çfarë fati për gazetarin!
1.Çdo të thotë të jesh shqiptar?
Të jesh më shumë naconalist, se patriot. Patrioti e ruan atdheun edhe për gjeneratat.
2.A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?
Ka, dhe janë sociale, të gjitha thuajse të diktuara nga kohët. Si fizik, shqiptarin e mund ta dallosh kudo që të jetë. Nga kafka, nga vështrimi, nga një lloj inferioriteti që ndrydh një krenari të papërballueshme. Një qenie që përshtatet, që mëson të përshtatet, që nuk ndihet i humbur ta bëjë këtë, ndoshta pse e zotëron thelbin e vetes.
3.Kur themi “qytet” në kuptimin “polis”, ku ndaleni me mendje në hartën e Shqipërisë?
Në Butrint, së paku nuk ka beton, por prapë edhe ai një të tretën e kohës popullohet nga hijet. Përmeti, do të thoja si pëlqim dhe Skampisi si nostalgji.
4.Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?
Aht, më thotë shumë. Fjala tamam, nuk më ndenji kurrë tamam, nuk e kam përdorur nëpër shkrime.
5.Ka një traditë letrare në gegnisht, por ka edhe përpjekje të rimarra për të patur edhe një gegnishte të standardizuar. A i kuptoni ata që i bëjnë këto përpjekje?
Po i kuptoj, e shoh si pasuri dhe liri të tyre, por vetëm ata që e kanë të natyrshëm, që kanë jetuar me të edhe në kohë shtrëngesash. Ka një dallim të qartë mes asaj gegënishteje burimore dhe gegënishtes së shkruar si përkthim i letrares.
6.A e konsideroni të tejkaluar nocionin Shqipëri etnike?
Jo. Etnia nuk i nënshtrohet gjeopolitikës, por natyrisht gjeopolitika e shkujdesur e thërrmon etninë. Është e njëjta gjë, por unë pëlqej termin Shqipëri natyrale; edhe para të huajve “syçelët” ndaj gjakut të thartë ballkan, kjo duket edhe më e butë.
7.A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?
Po, i dukshëm. Mjafton të analizosh pesë vitet e fundit, kemi bërë disa hapa prapa.
8.A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?
Jo, nuk mund të quhet rrezik, sepse është një kahje për ku shqiptarët shkojnë vetë.
9.A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?
Po, e artikuluar frikshëm dy-tri vitet e fundit edhe nga politika. E ushqeu komunizmi, dhe po e ushqen mosintegrimi (ose integrimi i ngadaltë) me Kosovën. Druaj të them, se ka diku një skenar që e drejton këtë moskuptim dhe ndarje shqiptaro-shqiptar.
10.Si do e përkufizonit një toskë e si një geg?
Një tosk është një qejfli më i sofistikuar se një geg, por thelbi është po ai.
11.A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?
Padyshim po shkruhet letërsi shumë e mirë; ndryshimi është se nuk ka direktiva leximi nga Partia, dhe kjo e vonon “rënien në sy”. Lokalja, është plaga e letërsisë shqipe, nga e cila duket se po çlirohet me vështirësi.
12.Një shqiptar/e që ju frymëzon…
Është një personazh i imi, shqiptar është edhe ai.
13.Çfarë mund të thoni në pak rreshta për kontesha hungareze Geraldine Apponyi e cila u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve?
Mendoj se u martua me mbretin, jo me burrin, atë burrin që kishte zbritur djalosh fare i ri me ushtrinë e tij të mbronte Princ Vidin e që në subkoshiencë mbase po shihte se si mund ta zëvendësonte. Tek kjo gjë, te dëshira për t’u dominuar nga fama dhe paraja, rehatia dhe burri i zot, duket që bota femërore nuk ka ndryshuar fare. Por ka qenë e bukur dhe me klas, dhe në gra të tilla, vështirë të rrijë e keqja. E shoh si një grua të pafat.
14.Partizani, Tirana apo Vllaznia?
Vllaznia.
15.Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…
Viti 1990. Unë jam krijesë letrare e lirisë. Pa të, natyra si imja nuk kishin zgjedhje, ose burg, ose heshtje. Më mjaftuan vitet e fundit para 90-tës ta provoja këtë.
16.A ekziston një Shqipëri europiane dhe një orientale?
Është një përzierje, shprehja është europiane, sjellja është gati orientale.
17.Bestytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?
I sundoj, por ndodh që gjejnë ndonjëherë të çara te dobësia ime.
18.Haxhi Qamilin, ndër të tjera, e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. M’anë tjetër regjimi i Enver Hoxhës e paraqiti lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë…
Është një vit (1913-1914) që e njoh mirë, kam vite që e studioj. Haxhi Qamili është periferik, para thelbit të çështjes: A u vu shqiptari të vrasë shqiptarin në kohën e Princ Vidit? Nëse po, a quhet kjo një luftë civile? Nuk ka qenë një kryengritje e vegjëlisë, ka qenë një rrebelim i mirëfilltë kaotik. Por me habit diçka e asaj kohe. Mes kërkesave që “haxhiqamilsat” kishin ndaj qeverisë së Vidit, kishte edhe të tilla: “Duam rrugë” dhe “Rroga e mësuesit të bëhet më e madhe se e hoxhës”. Tani pas njëqind vitesh, rroga e mësuesit është ende më e vogël se e hoxhës.
19.Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan…
Unë kam një roman, të katërtin, me titullin “Ku je?”. Është skaneri i asaj kohe, aty e shpjegoj gjithçka në mënyrë gati shteruese.
20.“Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”… premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?
Në kohë të caktuara Diaspora ka mbajtur thelbin tonë, ndoshta kjo shpjegon edhe këtë shtegtim të shpeshtë të mendjes që kemi.
21.A mendoni për vdekjen?
Po, ndonjëherë. Nuk do të doja të vdisja në gjumë, sepse ashtu nuk u them dot çastin e fundit njerëzve që dua se sa i kam dashur. Unë dua që ta them këtë.
22.Për këtë diell! apo, për Zotin!?
Për këtë diell!
23.Nëse do të zgjidhnit një epitaf për kryet e varrit tuaj…
Diti të ishte njeri!
24.A është i paragjykuar Kanuni?
Përderisa vepron ende, qoftë edhe i fragmentarizuar, është ai (ose fuqia e tij) që paragjykon ligjet tona, organizimin e shoqërisë sonë, bën sarkazmë me pafuqinë e saj. Ose diku kemi deformime të pariparueshme. Duhet të ishte relikte, po ja që nuk është.
25.Çfarë u ndodh kur bëheni koniciane e mendoni “ky vend nuk bëhet”?
Mund ta mendoj shpesh, por fakti që asnjëherë nuk ika me gjithsej, edhe pse jam një qytetare europiane prej vitesh, do të thotë që besoj se ky vend edhe (mund) bëhet.
26.Kur dëgjoni “o sa mirë me qenë shqiptar!” si ndiheni?
Më ngjan një frazë idiote. Cili komb nuk ndihet krenar për atë që është. Po të mos ishte kështu, nuk kishte pse në Zwaziland të martoheshin me ceremoni të veshjeve dhe me ritet shekullore, edhe pse i kanë të gjitha markat në shitore. Kur dëgjoj fjalën “shqiptar” po, kam ndjesinë e qenies me identitet.
27.Kriza, ka bërë që në aula të ndryshme, kuptohet të majta, të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. Në ç’lloj krize jemi në fakt: shpirtërore, morale, financiare apo sistemike?
Nuk jam e sigurt, por mbase e ka thënë Churchill: “Diktatura është këllirë, por edhe demokracia mban erë”. Nuk e di nëse njerzimi do të mund të shpikë më rende të tjerë shoqërorë. Ne jemi në një krizë të thellë morale, që po e shkatërron botën me një shpejtesi marramendëse, ajo e pjell edhe krizën financiare, dhe atë shpirtërore. Kam drojë se do të ndodhin shumë shpejt ndryshime të mëdha, lëvizje të mëdha të popullsisë së botës, nga kushtet klimaterike, nga luftërat, që do t’ia ndryshojnë rendin botës.
28.Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd?
Zgjedhja e misterit më ngjan një sjellje naïve dhe disi përulëse, por edhe përkufizimi i të kundërtës si absurd, është kategorik. Unë barabitem në të vërtetë në një ndjesi mes të dyjave, se ka një rregullator i kurdisur nga perfeksioni kjo bota ku jetojmë, si të thuash, jam gati-gati agnostike. Jam idhtare e shkencës, çfarë do të ishim pa shkencën? Meqenëse kam përshtypjen se ky mister ndonjëherë e ka ndarë shtëpinë me terrorin, dhe është në vetvete një formë diktati, mbaj një lloj distance nga përfshirja në të; e shoh si filozofi e prodhuar nga nevoja e përhershme për purifikim shpirtëror, dhe e respektoj si të tillë.
29.Fan Noli dhe princi gjerman von Wied kanë qenë më jetëshkurtërit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. Pse kështu?
I pari ishte aq i madh, sa nuk e nxinte rasoja e pushtetit; i dyti ishte aq i vogël, sa i binte shumë e madhe. Një personazhi im në romanin historik që po shkruaj për atë kohë, thotë për Princ Vidin: “Ai nuk di ç’të bëjë as me gjatësinë e vet”. Ndonjëherë më duket se këtë problem e ka edhe kryeministri ynë i tanishëm.
30.Ndër gjërat që ndalojnë fetë, cila është më e pandalueshmja?
Seksi në agjërim, duket denatyruese.
31.Ka një debat rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?
Nëse është fjala për shtypin si letër, po, është në fazën e fundit të ekzistencës së tij. Dora e fundit e fanatikëve të letrës, do të vdesin. Por jo media vetë. Do të ndryshojë mediumi, por jo thelbi. Madje kështu ka edhe më shumë lexues. Ky proçes ndodhi më shpejt se ç’po ndodh me librin, për vetë natyrën e medias. Unë, një njeri i dashuruar me letrën, ble gjithnjë e më rrallë gazeta. Por me librin nuk më ndodh; ndoshta sepse ndër fragrancat e mia më të dashura, është letra e librit të saposhtypur, nuhuritja e së cilës hyn tani te kenaqësitë e mia. Nuk mendoj se në ekran librat kanë atë aromën e autorit, për të cilën flet Amos Oz.
32.Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?
Clarice Lispectorit: “A ke ti pengun e të qenit grua?”
33.Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?
A nuk mendoni se skrupujt ua kanë mpakur jetën? /revistamapo.al/
Rreth romanit “Gjyzlykët e arta”, botimet IDK, ardhur në shqip nën përkthimin e Beti Njumës
“Nuk e lexova deri në fund. Mbylla sytë. Zemra kish nisur të rrihte rregullisht. Prita që Eliza, e cila qe shfaqur për një çast, të na linte edhe njëherë vetëm, e mandej qetësisht, por aty për aty i thashë:”Ka vdekur doktor Fadigati!” Në Italinë e fillim viteve 60-të Giorgio Bassani, një protagonist i njohur i kohës, shkrimtar autor i disa veprave të pritura mirë nga kritika, si dhe një nga editorët kryesorë të Fertinelit nuk mund ti jepte një fund tjetër personazhit të tij. Ky ishte fundi drejt të cilit një qytet konservator si Ferrara e asaj periudhe, do ta çonte doktor Atos Fadigatin. Lumi Po ku ai u zhyt për ti dhënë fund errësirës që i kishte pushtuar mendjen, ishte ravijëzimi që Bassani po i bënte një shoqërie ende në dyshim, për të pranuar të kundërtën brenda saj, qoftë edhe në letërsi. Sigurisht Bassani nuk është autori i parë italian që rrek të prekë temën e homoseksualizmit. Autorë të tjerë herët e kanë prekur këtë temë. Pier Paolo Pasolini, kishte vetëm pak kohë që kishte publikuar përmbledhjen poetike “Të qarat”, një libër që mban brenda gjithë vuajtjen e tij përballë një shoqërie që nuk do ta pranojë të seksualitetin ndryshe. Fundi i Passolinit, vite më vonë tregon dhe dhunën e shoqërisë përballë këtij realiteti, duke bërë një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë dhe poezisë italiane të gjendjen i vrarë si në një skenë që të kujton filmat e tij.
Por në vitet 58-të kur “Gjyzlykët e arta” doli nëpër librari do të kthehej në një pamflet të rëndësishëm jo vetëm për të drejtat e njeriut, por dhe drejt hapjes së shoqërisë. Doktor Atos Fadigati, nuk është thjesht një personazh letrar. Më shumë se gjysmë shekulli nga krijimi i tij, ai vazhdon të bëhet pjesë e jetës tek çdo lexues, që pavarësisht pyetjeve që i bën vetes gjatë leximit të librit, në fund ndjen të jetë përfshirë i gjithi nga figura e këtij personazhi.
Në historinë e letërsisë janë pak personazhe si doktor Atos Fadigati. Një burrë i ndershëm, human, i dhënë pas profesionit të tij. Gjithçka ndryshon në jetën e tij në një udhëtim me tren kur njihet me Deliliersin. Ishte mëngjes kur ai bisedoi për herë të parë me të, një mëngjes që do të luhaste ngadalë trupin e doktorit, i cili do të ndjente se tashmë mëngjeset e tij kishin ndryshuar përgjithmonë. Ka njerëz që shfaqen në jetën tonë, dhe nuk na duhet shumë për të kuptuar se ikja prej tyre nuk do të jetë e lehtë. E tillë ishte dhe njohja me Deliliersin, një dashuri e cila do ta vendoste atë përballë shoqërisë, duke ndjerë përbuzjen, izolimin prej saj. Por doktor Atos Fadigatin beson tek dashuria. Ai nuk do ta mendojë se përtej pamjes së brishtë të një djaloshi plot ëndrra qëndron një djalë që një ditë do ta braktis. Ai i jep gjithçka, ashtu siç mund ta japë natyrshëm një i dashuruar, dhe kërkon ta jetojë në mënyrën e tij këtë lidhje të fshehtë. Me një stil shpesh të ftohtë Bassani kërkon të qëndrojë i shkëputur nga personazhi, duke e lënë atë të lirë të jetojë historinë që i ka besuar. Ai thjesht e ndjek në lëvizjet që përshkon, duke na dhënë skena e dialogë të paharrueshme për forcën e intensitetit emocional që mbartin. Duket se shkrimtari nuk e ka të vështirë të përshkruajë qytetin e Ferrarës ku ndodhin ngjarjet, pasi është qyteti i tij i lindjes. Tabloja psikologjike e qytetit, vjen në këtë libër si përshkrimi më i mirë që mund ti bëhet shoqërisë italianë në kapërcyell të shekullit të 19-të. Bassani provokon me një histori dashurie ndryshe, duke vendosur përballë njerëzve të qytetit të tij, një dashuri homoseksuale, për të parë se deri ku do të shkojë qasja që ka komuniteti ndaj individëve të tillë, por dhe ndaj së resë. Vuajtjet e doktor Atos Fadigatit janë të qortueshme në sytë e opinionit, i cili nuk mund ta pranojë një histori të tillë. Vuajtja e tij vjen përmes skenave shpesh të zakonshme, të cilat Bassani i sjell si në një fotografi, duke e lënë lexuesin vetë të gjykojë. «Gjyslykët e arta» është një histori e fortë dashurie, përmes së cilës shohim si mund ta transformojë një opinion i izoluar individin. Në fund të librit, personazhi del i transformuar nga një histori e cila e çon drejt një fundi fatal, dhe Bassani nuk bën asgjë për ta ndaluar. Pasi në letërsi ai do të tregojë vetë jetën. I ardhur në shqip nën përkthimin e Beti Njumës, e cila tregon me këtë shqipërim se kjo është një fushë që tashmë e posedon dhe botimeve IDK, letërsia e Giorgio Bassanit është një letërsi e cila të prek thellë. Përmes një stili të zgjedhur, shkrimtari të përballë me personazhe që jo vetëm jetojnë një histori, por edhe bëjnë histori. Jemi në fillimin e viteve 1960-të dhe letërsia nuk mund të jetë tjetër veçse e angazhuar. Si intelektual, Bassani vendosi personazhet e tij përballë fortunave shpesh mediatike, por i bindur se kishte ardhur koha e përballjes së tyre me të vërtetën. «Gjyzlykët e arta» është një libër për tjetrin, atë që mund të jetë secili prej nesh. Një roman pa kohë, i cili dhe tashmë në shekullin e XXI, vazhdon të përkthehet në gjuhë të ndryshme të botës për vetë vlerën që mbart. Një letërsi e mirë, e cila pas takimit me të të bën të ndjehesh i ndryshuar, dhe sigurisht të mësosh nga gabimet e doktor Fadigatit por dhe ta duash mendjen e tij. I lindur në qytetin e Ferrarës, Bassani duket sikur nuk u largua asnjëherë prej saj. Kjo ndjehet në librat që shkroi, pasi pjesa më e madhe e historive ndërtohen në ketë qytet. I vogël pëlqente muzikën dhe ëndërronte të bënte karrierë si pianist, deri sa zbuloi se librat dhe letërsia ishin pasioni i tij i vërtetë. Në vitin 1935 ai ndoqi Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Bolonjës. Ai udhëtonte me tren nga Ferrara në Bolonja, e treni dhe udhëtimet i ndjen shpesh në letërsinë e tij. Një student i angazhuar, Bassano do të merrte pjesë në grupet filozofike të ngritura pranë Universitetit. Në vitin 1940 do të botonte librin e tij të parë me pseudonimin Giacomo Marchi. Gjatë kësaj kohe bashkë me miqtë e tij do të krijonin grupin intelektual të Ferrarës, në përbërje të së cilit do të ishin dhe disa aktivistë politikë. Bassano do të bëhej pjesë dhe e lëvizjeve antifashiste e në maj të 1943-shit do të arrestohej. Më vitin 1944 ai martohet me Valeria Sinigallia me të cilën u njoh gjatë një loje tenisi. Çifti i ri vendoset në Firence ku jetojnë disa kohe, deri sa zhvendosen në Romë ku jetuan gjithë jetën. Librat e parë të tij ishin përmbledhje poetike. Ishte e pashmangshme të mos bëheshe poet në atë periudhë. Ndër veprat e tij kryesore mund të përmendim «Kopshti i Finci-Kontinëve» (përkthyer dhe ky në shqip nga B. Njuma), «Romani i Ferrarës», «Pas portës», «Çafka», «Aroma e Sanës». Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm italianë dhe evropianë të shekullit XX fitues i çmimeve letrare më prestigjioze në Itali. Pjesa më e madhe e veprave të tij janë bërë dhe filma. «Njeriu ngjan shumë me kafshën, e megjithatë, a mund që njeriu të dorëzohet? Ta pranojë se s›është veçse një kafshë? « janë disa nga pyetjet që Bassani ngre tek «Gjyzlykët e arta». /Gazeta Shqip/
Fotografi japonez Nabuyoshi Araki, një pjesë e mirë e krijimtarisë së të cilit është e lidhur me të shoqen (martesa, muaji i mjaltit, udhëtimet, sëmundja e saj, vdekja), si dhe me jeten e tij të përditshme (mace, lule, kënde të shtëpisë, retë në qiell, etj.), thotë: «Fotografia është jeta. Jeta është një udhëtim sentimental.»
Vetë përdorimi i fjalës «sentimental» shpreh tonalitetin e fotografive të tij. Në një krijimtari me nota autobiografike, veta e parë është më tepër një zë. Një zë me të gjitha tonalitetet. Dhe Araki do të shtojë këtë frazë sa të bukur aq edhe të vërtetë: «Trupi im është kthyer në aparat fotografik.»
Jeta e tij është një pretekst për të fotografuar. Të njëjtën gjë do të thoja edhe për shkrimtarin, të paktën ashtu siç e konceptoj unë: jeta e tij është një pretekst për të shkruar. Pak nga pak të shkruarit kthehet në një mënyrë ekzistence. Duke shkruar shpëtojmë nga shuarja qenie dhe gjëra në një shoqëri dhe kohë të caktuar, ku mund të kemi qenë dëshmitarë. Është po ajo gjë që ka ndodhur me dy librat e mi: «Më kujtohet» dhe «E dashur A.». Shpesh herë, njerëz që kam njohur më vijnë në mendje me gjestet dhe fjalët e tyre. Kështu, në njëfarë mënyre, shpëtoj edhe vetë ekzistencën time. E ndiej që ky është motivimi im më i madh për të shkruar.
Libri « E dashur A. » ka lindur nga frika se mund « të vdesim » duke u harruar, si dhe nga ajo kënaqësi për të vazhduar « jetën ». Siç thoshte Kierkegaard-i, « Shkrimi është vazhdimi i jetës ». Një përsëritje e saj me një largesë kohore. Çka e bën tërheqës artin e të shkruarit. Udhëtimi më i bukur është ai që tregojmë pasi jemi kthyer. Madje Proust-i shkon më tej, duke thënë: «Jeta e vërtetë, jeta realisht e jetuar, është letërsia ». Në ditarin e tij, André Gide sjell këtë thënie të Proust-it : « Ju mund të tregoni gjithçka, por me kusht që të mos shkruani në vetën e parë. » Por është shkrimi ai që përcakton shkallën e së vërtetës dhe të realitetit dhe jo përdorimi i vetës së parë.
Ka mjaft tregime autobiografike që të japin përshtypjen e mungesës së realitetit. Dhe tekse të quajtura romane që e arrijnë atë gjë. «Një autobiografi, thotë Philippe Lejeune, nuk është një tekst ku autori thotë të vërtetën, është një tekst ku autori thotë që është e vërtetë. Kujdes! ».
I gjithë problemi është në gjetjen e fjalëve e të frazave të sakta, të cilat i bëjnë gjërat të shihen, të ekzistojnë duke harruar vetë fjalët. Ka vetëm libra që të trondisin, që të hapin mendjen, të nxisin ëndrrat, dëshirat, që të shoqërojnë, apo të zgjojnë dëshirën për të shkruar. Qofshin të shkruar në vetën e parë apo në vetën e tretë. Sa më përket mua, cilado qoftë pjesa autobiografike në një vepër letrare, ato që më pëlqejnë janë frazat pa metafora dhe pa efekte. Një shkrim që nuk gënjen.
Do të jetë një ekip i tërë i femrave që vijnë në versionin më ndryshe të filmt “Oceans Eight”.
Anne Hathaway, Sandra Bullock, Cate Blanchett e së fundmi edhe këngëtarja Rihanna tanimë janë konfirmuar të jenë pjesë e filmit që nisë xhirimet këtë tetor.
Steven Soderbergh do ta bëjë regjinë e filmit, me skenar nga Olivia Milch. Filmi origjinal flet për një konsulente që udhëton për në Bolivi për tu marrë me presidentin problematik atje.
Rihanna shumë shpejt po futet në botën e aktrimit ndërsa tanimë ka realizuar edhe dy filma të tjerë që do të dalin për publikun gjatë vitit tjetër.
Në kuadër të turneut të tyre botëror për të festuar 20-të vjetorin e themelimit, bendi Placebo vjen edhe në Zagreb të Kroacisë.
I formuar në vitin 1994, bendi do të luajë këngët e tyre më të famshme në Sallë e Koncerteve Drazhen Petroviq në Zagreb me datë 10 nëntor.
Turneu i Placebos titullohet “The Place for Us to Dream” dhe feston daljen e albumit të parë të grupit, me 17 qershor të vitit 1996, e që më pas u pozicionua në pozitën e pestë në albumet më të shitura në Angli.
Në ndërkohë Placebo ka koncerte edhe në Suedi, Itali, Danimarkë, Holandë, Finlandë e Poloni. Placebo ka shtatë albume muzikore si dhe rreth 11 milion disqe të shitura në mbarë botën.
Bendin e përbëjnë Brian Molko, Stefan Olsdal, Steve Forrest, Steve Hewitt,Robert Schultzberg dhe Brian Molko si frontmen.
Ish-trajneri i Liverpoolit, Gerard Houllier, ka deklaruar se Manchester United ka humbur identitetin si klub, duke u shndërruar në fabrikë, pas transferimit rekord të Paul Pogbas. United bleu mesfushorin e Juventusit për 105 milionë euro, për t’u bërë lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit.
“Shuma e transferimit ka një anë të errët”, ka thënë Houllier për “L’Equipe”.
“Mund të bëhet problem shkaku i personalitetit të lojtarit, i cili nuk duhet të jetë në presion. Për këtë arsye është i rëndësishëm diskursi i menaxherit. Manchester United ka të ardhura të jashtëzakonshme. 120 milionë euro në pesë vjetët e fundit? Kjo i bie 25 milionë për edicion. Është e arsyeshme kur ju keni një buxhet mbi 500 milionë euro, sepse United shet dhe blen çdo afat kalimtar rreth 50 milionë euro. Nuk është më klub. Është fabrikë”, ka shtuar Houllier.
Ylli botëror në ngjitje, Dua Lipa përpos për kapacitetet vokale, njihet dhe pëlqehet edhe për një bukuri mahnitëse.
E thjeshtë në grim dhe pa komplikimet e mbushjeve me filler-a, Dua është simboli i një artisteje të kompletuar, mes tjerash edhe për imazhin që reflekton.
E duket se bukuria është çështje gjenesh. Përderisa e njohim babain Dukagjin Lipën, Dua duket të ketë marrë shumë edhe nga nëna e saj, zonja Anesë.
Në një foto nga dita e djeshme ku shfaqen të rregullura nga Studio Sellma, nënë e bijë shkëlqejnë. /Prive