Një shkrim që nuk gënjen

Ylli Demneri

Fotografi japonez Nabuyoshi Araki, një pjesë e mirë e krijimtarisë së të cilit është e lidhur me të shoqen (martesa, muaji i mjaltit, udhëtimet, sëmundja e saj, vdekja), si dhe me jeten e tij të përditshme (mace, lule, kënde të shtëpisë, retë në qiell, etj.), thotë: «Fotografia është jeta. Jeta është një udhëtim sentimental.»

Vetë përdorimi i fjalës «sentimental» shpreh tonalitetin e fotografive të tij. Në një krijimtari me nota autobiografike, veta e parë është më tepër një zë. Një zë me të gjitha tonalitetet. Dhe Araki do të shtojë këtë frazë sa të bukur aq edhe të vërtetë: «Trupi im është kthyer në aparat fotografik.»

Jeta e tij është një pretekst për të fotografuar. Të njëjtën gjë do të thoja edhe për shkrimtarin, të paktën ashtu siç e konceptoj unë: jeta e tij është një pretekst për të shkruar. Pak nga pak të shkruarit kthehet në një mënyrë ekzistence. Duke shkruar shpëtojmë nga shuarja qenie dhe gjëra në një shoqëri dhe kohë të caktuar, ku mund të kemi qenë dëshmitarë. Është po ajo gjë që ka ndodhur me dy librat e mi: «Më kujtohet» dhe «E dashur A.». Shpesh herë, njerëz që kam njohur më vijnë në mendje me gjestet dhe fjalët e tyre. Kështu, në njëfarë mënyre, shpëtoj edhe vetë ekzistencën time. E ndiej që ky është motivimi im më i madh për të shkruar.

Libri « E dashur A. » ka lindur nga frika se mund « të vdesim » duke u harruar, si dhe nga ajo kënaqësi për të vazhduar « jetën ». Siç thoshte Kierkegaard-i, « Shkrimi është vazhdimi i jetës ». Një përsëritje e saj me një largesë kohore. Çka e bën tërheqës artin e të shkruarit. Udhëtimi më i bukur është ai që tregojmë pasi jemi kthyer. Madje Proust-i shkon më tej, duke thënë: «Jeta e vërtetë, jeta realisht e jetuar, është letërsia ». Në ditarin e tij, André Gide sjell këtë thënie të Proust-it : « Ju mund të tregoni gjithçka, por me kusht që të mos shkruani në vetën e parë. » Por është shkrimi ai që përcakton shkallën e së vërtetës dhe të realitetit dhe jo përdorimi i vetës së parë.

Ka mjaft tregime autobiografike që të japin përshtypjen e mungesës së realitetit. Dhe tekse të quajtura romane që e arrijnë atë gjë. «Një autobiografi, thotë Philippe Lejeune, nuk është një tekst ku autori thotë të vërtetën, është një tekst ku autori thotë që është e vërtetë. Kujdes! ».

I gjithë problemi është në gjetjen e fjalëve e të frazave të sakta, të cilat i bëjnë gjërat të shihen, të ekzistojnë duke harruar vetë fjalët. Ka vetëm libra që të trondisin, që të hapin mendjen, të nxisin ëndrrat, dëshirat, që të shoqërojnë, apo të zgjojnë dëshirën për të shkruar. Qofshin të shkruar në vetën e parë apo në vetën e tretë. Sa më përket mua, cilado qoftë pjesa autobiografike në një vepër letrare, ato që më pëlqejnë janë frazat pa metafora dhe pa efekte. Një shkrim që nuk gënjen.

Më Shumë

U raportua si e zhdukur, gjendet 65-vjeçarja në malet e Prevallës pas më shumë se tri orësh kërkime

Një bashkatdhetare 65-vjeçare nga Zvicra ka humbur rrugën pasditen e së martës gjatë një shëtitjeje me familjarët në malet e Prevallës. Sipas informacioneve fillestare, ajo...

Zafir Berisha: Nait Hasani mbeti jashtë Kuvendit për shkak të kundërfushatës brenda PDK-së

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, ka reaguar lidhur me moszgjedhjen e Nait Hasanit deputet në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës. Ai thotë...

Parajsa në ty

Lajmet e Fundit