Home Blog Page 6144

Reforma e Thaçit, drejt dështimit

0

Pavarësisht bojkotit nga opozita, iniciativa e presidentit të Kosovës për vazhdimin e reformës zgjedhore të mbetur pezull në mandatin e kaluar ka filluar të marrë formë dhe të përgatitet pakoja ligjore, e cila do t’i dërgohet edhe Kuvendit për miratim. Sado që mbi bazën e Kushtetutës presidenti e ka të drejtën për inicimin e nismave ligjore, në grupet punuese për reformë nuk ka pranuar të marrë pjesë askush nga përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare, të cilat kanë paralajmëruar edhe votën kundër në Kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë, analistët politikë theksojnë se derisa e drejta e garantuar me Kushtetutë e presidentit për nisma ligjore është fakt i pamohueshëm, do të ishte në interes të gjerë politik dhe demokratik që së paku gjatë procedimit në Kuvend të kyçet edhe opozita parlamentare ne këtë proces. Ndryshe, reforma nuk e ka legjitimitetin e plotë demokratik vetëm me votat e pozitës.

“Do të ishte me rëndësi për të dyja palët, pozitë dhe opozitë, të japin pëlqimin për të ecë përpara në reformën zgjedhore, pra duhet të ketë konsensus. Ndryshe dihet që në një formë edhe nuk është e thënë që të gjitha palët duhet të pajtohen me gjithë kontekstin që do të ketë reforma, sepse interesat janë të ndryshme”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot.

Vendimet e deritashme arbitrare Sipas Burjanit, dihet mirëfilli që këto dy ligje kanë mbetur të paprekura që nga koha e UNMIK-ut, sepse nuk ka pasur asnjë vullnet nga partitë që t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme dhe të reformojnë sistemin zgjedhor.

“Konsideroj se edhe presidenti duhet të duket qasje konsensusale, pra duhet të komunikojë me palët dhe të marrë pëlqimin e pastaj ndryshimet t’i dërgojë në Kuvend. Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh dhe tani vendimet e presidentit duken arbitrare në raport me konsensualitetin që paraqet”, theksoi ai.

Sipas tij, në këtë reformë të këtij presidenti nuk ka pasur asnjë ekspert që është marrë me zgjedhjet.

“Pra, s’ka pasur fare seriozitet, thjesht ka pasur vetëm zyrtarë të thjeshtë ligjorë, që shërbejnë për të gjitha punët ligjore. Pra, kjo është dështim dhe mund të ketë dështime edhe brenda strukturës së propozuar ligjore. Në këto situata duhet të vijnë njerëz që janë ekspertë zgjedhorë, të cilët i bëjnë ndryshimet në pajtim me interesat dhe pëlqimin e partive pozitë dhe opozitë, jo si është duke shkuar tani ky proces”, tha Blerim Burjani për ‘Kosova Sot’

Reforma e domosdoshme

Edhe eksperti tjetër i kësaj fushe, Ilir Fetahu, nuk e ka kontestuar të drejtën kushtetuese të presidentit për një iniciativë të tillë, por ai thotë se tani, pavarësisht kush ka qëlluar në këtë pozitë, duhet të lihen anash inatet politike dhe së paku gjatë procedimit të ligjit në Kuvend të japin kontributin e vet pozita dhe opozita, në mënyrë që materia e propozuar ligjore nga zyra e presidentit të jetë një reformë e përkryer dhe përmbajtjesore.

“Konsideroj se, pavarësisht nga kush është iniciuar, reforma zgjedhore është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë në Kosovë para zgjedhjeve të reja, sepse është vërtetuar që ligji i tanishëm ka shumë mangësi dhe ka nevojë serioze që të kemi një reformë të gjerë e përmbajtjesore të sistemit zgjedhor. Mirëpo, për fakt të keq, kjo nismë nuk po arrin t’i bashkojë pozitën dhe opozitën, e që parimisht një proces i tillë do të duhej t’i bashkonte gjithë spektrin politik vendor, me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile dhe monitorim të Komisionit Evropian”, theksoi Fetahu.

Sipas tij, në këtë proces do të duhej gjetur praktikat më të mira evropiane dhe ato të përshtaten me rrethanat në Kosovë, që të lehtësohet procesi zgjedhor dhe që vota të jetë e pastër, e besueshme dhe assesi me mundësi cenimi dhe manipulimi, që ajo votë të konvertohet besnikërisht në mandatet e të zgjedhurve të qytetarëve. Fetahu për ‘Kosova Sot’ tha se aktualisht barrikadimi kundër dhe bojkoti nga opozita nuk i bën mirë shëndetit të demokracisë së re kosovare, prandaj do të duhej tejkaluar kjo situatë e kundërshtimeve për interesa politike.

“Unë konsideroj që institucionet e Kosovës dhe klasa politike nuk duhet të tregojnë arrogancë dhe ky proces nuk do të duhej shkuar deri në fund pa opozitën, por do të duhej gjetur mënyra dhe forma e bashkëpunimit që edhe opozita të marrë pjesë në proces”, potencoi më tej ai. /Kosova Sot/

Jon Harrison: Jam krenar që kam shërbyer në UÇK

0

Ish-ushtari britanik i UÇK-së, Jon Harrisoni, i cili ka luftuar për çlirimin e Kosovës, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka treguar se në muajin prill do t’i nënshtrohet një operacioni me kancer.

Harrisoni thotë se shqiptarët kanë mbledhur shumë mjete për të, por ato nuk mjaftojnë për ta kryer këtë operacion. Ai ka treguar se ka biseduar me njerëz të LDK-së, pjesë e së cilës është bërë, por ka marrë sinjale se ka shumë pak shanse që Qeveria e Kosovës ose LDK-ja ta ndihmojnë.

“Unë e kuptoj se nuk jam banor i Kosovës dhe ata s’kanë ndonjë obligim të më ndihmojnë mua. Të jem i sinqertë, ata kanë shumë probleme të brendshme tani dhe unë jam shumë poshtë në listën e tyre”, është shprehur Harrisoni.

Ai ka paralajmëruar se nëse operacioni i shkon mirë, do ta vizitojë Kosovën në muajin prill. Në këtë intervistë Harrisoni ka folur edhe për vendimin e tij kur iu bashkua luftës çlirimtare dhe për personat e parë që ka takuar kur ka ardhur për të luftuar në Kosovë. /Epoka e re/

‘Srpska’ mban pezull Ushtrinë e Kosovës

0

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) vazhdon të mbetet peng nga politika, sidomos nga Lista Serbia e cila duhet të votojë ndryshimet kushtetuese që mundësojnë këtë transferim.

E derisa nuk arrihet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vështirë se do të ketë ushtri të re, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve ushtarake në Kosovë, të cilët thonë se mbajtja e krijimit të ushtrisë peng për shkaqe politike është një gabim tejet i madh i institucioneve dhe partive politike kosovare.

Ndërkaq, sipas përfaqësuesve të Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Kosova nuk duhet të jetë peng i Listës Serbe.

Ata madje thonë se institucionet e Kosovës duhet të veprojmë shpejt dhe ta bindin edhe palën serbe se krijimi i ushtrisë së Kosovës është edhe në të mirë të tyre, jo vetëm të palës kosovare.

Mundësitë që FSK-ja të transferohet në FAK, të vogla

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja, ka vlerësuar se mundësia që FSK-ja të kthehet në FAK, është shumë e vogël, për shkak të mosgatishmërisë së Listës serbe.

“Mundësitë janë shumë të vogla. Kjo për faktin që spektri politik serb në Kosovë është i vendosur që mos ta mbështesë ndryshimin e Kushtetutës”, ka deklaruar Qehaja, sipas të cilit, deri në ndryshimin e rrethanave politike e të sigurisë, Qeveria e Kosovës duhet të mendojë në aktivizimin e të ashtuquajturit “Plan B”. /Zëri/

Dialogu goditi Kosovën

0

Institucionet kosovare, edhe pse kanë kaluar plot pesë vjet nga fillimi i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në Bruksel me palën serbe, akoma, në asnjë moment dhe në asnjë pikë të vetme, nuk kanë mundur ta diktojnë agjendën e tyre në bisedimet me Serbinë, për tema të rëndësishme që janë kërkuar nga opinioni publik të jenë pjesë e këtyre bisedimeve, siç janë dëmet e luftës.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vazhdojnë akoma ta mbajnë në heshtje një dështim të tillë, derisa analistët politikë dhe ekspertët e fushës së të Drejtës Kushtetuese konsiderojnë se duke biseduar me agjenda të imponuara nga Serbia, sot kemi provokime nga Serbia, si kjo me trenin dhe me çështjet e tjera si Asociacioni etj. Duke iu shmangur temave të mëdha, sipas njohësve të këtyre rrethanave, Kosova e ka treguar dobësinë e vet në bisedime.

“Kjo gjendje është kështu, sepse përfaqësuesit tanë nuk kanë vizion kombëtar. Së pari, ata as që e dinë çfarë është kombi i tyre apo flamuri i tyre kombëtar, e aq më pak interesi i tyre kombëtar. E dyta, nuk i kanë dijet e duhura për të mbrojtur interesat kombëtare”, tha prof. Nexhmedin Spahiu për “Kosova Sot”

Lidershipi i shantazhuar

Sipas analistit Florim Zeqa, shkaqet pse institucionet kosovare, gjegjësisht ekipi negociator nuk ka arritur asnjëherë të diktojë agjendën e bisedimeve me Serbinë për tema të mëdha, janë dy.

“E para, e kanë “bishtin e zënë” me akuza për vepra të rënda kriminale dhe korruptive, dhe e dyta, edhe mund të jenë korruptuar nga palët ndërmjetësuese apo pala kundërshtare në bisedime! Ndryshe nuk ka si shpjegohet mosngritja e temave të mëdha në bisedime, siç janë krimet serbe në Kosovë dhe dëmet e luftës, të cilat do të ishin kartë e fortë e negociatorëve kosovarë në bisedimet e Brukselit dhe adut i fuqishëm i institucioneve tona në shtrirjen e sovranitetit në konsolidimin e shtetit”, theksoi ai.

“Me ngritjen e të paktën vetëm dy temave të sipërpërmendura, do ta kishin mbështetur Serbinë për muri, duke e detyruar të lëshojë pe në shuma fusha të tjera. Negociatorët kosovarë në bisedimet e Brukselit në vend që të sillen si palë e barabartë në bisedime, me ngritjen e temave të rëndësishme për të ardhmen e vendit të tyre, janë sjellë si pengje të Beogradit dhe Brukselit, për të shërbyer vetëm si dekor i bisedimeve,pa qenë në gjendje të ngritin as çështjen e të zhdukurve gjatë luftës, të paktën as si çështje humanitare”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Ai vlerëson se pushtetarët tanë, duke u sjellë në mënyrë inferiore dhe nënshtruese para Serbisë në bisedimet e Brukselit, kanë bërë që kjo e fundit të imponojë me lehtësi agjendat e veta, të përgatitura paraprakisht në kuzhinat e Akademisë së Shkencave dhe Kishës serbe.

“Për pasojë të kësaj, sot kemi provokime të koordinuara të Serbisë, siç janë; muri në veri, ndalimi i Haradinajt në Francë, treni provokues serb, nesër do të vazhdojë me “Zajednicën” e kështu më radhë”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Brezovicë: Policia nxjerr kufomën e 24 vjeçarit nga bora

0

24 vjeçari që duke skijuar në Brezovicë u godit për vdekje nga një ortek bore të enjten rreth orës 14:15 minuta.

Policia menjëherë pas aksidentit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe vetëm në orët e mbrëmjes ka arritur ta gjejë dhe ta nxjerrë nga bora kufomën e të ndjerit me inicialet F.Ç., njofton Klan Kosova.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve për proceduar e varrimit, pasi është rasti është cilësuar si vdekje aksidentale.

Zyrtari i Komunës së Prizrenit dëshmon pse u vonua përgjigja për rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore

0

Muhamet Kurtaj, i cili punon si bashkëpunëtorë profesional, në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, ka deklaruar se kjo drejtori nuk është fajtore për vonesën në përgjigjen ndaj kërkesës për rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore “Hani i Mullafazlive”.

Kurtaj, në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj të akuzuarve Nexhmedin Musliu dhe Refki Muzbegu, ka thënë se drejtoria e urbanizmit nuk lëshon asnjë leje për rrënim të objekteve të vjetra, pa marrë pëlqimin nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore(KTK). Ky dëshmitar tuje ka thënë se pikërisht vonesa e përgjigjes nga Këshilli në fjalë, ka pamundësuar që drejtoria e urbanizmit të përgjigjet ndaj kërkesës së pronarëve të objektit “Hani i Mullafazlive”.

Për më tepër, Kurtaj ka deklaruar se Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, parasheh që Drejtoria e Urbanizmit brenda 15 ditësh duhet të përgjigjet ndaj kërkesave për rrënimet e objekteve. Por, sipas tij, i njëjti ligj, ia pamundëson kësaj drejtorie, të përgjigjet në kërkesa, pa marrë pëlqimin nga Këshilli i Trashëgimisë Kulturore dhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren(QRTK).

Sipas këtij dëshmitari, në kohën për të cilën po akuzohet kolegu i tij, tani i akuzuari Refki Muzbegu, për mos përgjigje ndaj kërkesës për rrënim, lënda për një kërkesë të tillë është dërguar në  KTK, por ky këshill, në atë kohë, nuk ka punuar për më shumë se gjashtë muaj.

Në këtë seancë ka munguar dëshmitarja Xhyle Bytyqi, e cila ishte thirrur me rregull, prokurori Metush Biraj ka insistuar që e njëjta të dëgjohet si dëshmitare, andaj kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka lëshuar urdhër për sjellje me forcë.

Në mungesë të kësaj dëshmitareje, shqyrtimi është ndërprerë, ndërsa seanca e radhës do të mbahet me 21 shkurt 2017, me fillim nga ora 10:00.

Të akuzuarit Musliu dhe Musbegu gjykohen në bazë të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të ngritur në korrikun e këtij viti, me të cilën ata i akuzon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Musliu, në cilësinë e Inspektorit Komunal për ndërtim, pasi ka dalë në vendngjarje, nuk ka ndaluar rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore “Hani i Mullafazlive”, por vetëm ka urdhëruar që të hiqen mbetjet nga rrënimi i tij.

Ndërsa, Refki Musbegu, ngarkohet se duke qenë bashkëpunëtor profesional në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk i është përgjigjur kërkesë për leje-rrënim të objektit “Hani i Mullafazlive” të parashtruar nga familja Mullafazliu, me ç’rast, pronari i ri ka vepruar duke rrëzuar objektin në fjalë.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë dëmtuar kujtesën kolektive, trashëgiminë kulturore e arkitektonike të qytetit të Prizrenit./betimiperdrejtesi/

950 mijë euro për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë

0

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vazhdën e investimeve kapitale, për ndërtimin apo renovimin e qendrave të kulturës nëpër komuna të Kosovës, sot ka nënshkruar dy memorandume të bashkëpunimit, me Komunën e Suharekës dhe të Vushtrrisë.

Memorandumi ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Suharekës është nënshkruar për vdërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, dhe është në vlerë financiare prej 950 mijë euro.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, u shpreh se investimet që po bëhen në qendrat e kulturës nëpër shumë komuna të Kosovës, duke ndërtuar objekte të reja apo duke rinovuar ato ekzistuese, janë synim politik për të përmirësuar infrastrukturën kulturore në Kosovë, me qëllim të krijimit të kushteve më të volitshme dhe bashkëkohore, për zhvillimin e aktiviteteve kulturore nëpër komunat e Kosovës, dhe shtoi se këto investime do të vazhdojnë edhe nëpër komuna tjera.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e frytshëm në shumë fusha, dhe sidomos tani për këtë investim kapital në Suharekë, me çka, kjo komunë do të bëhet me shtëpi moderne të kulturës.

Ndërkaq, memorandumi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Vushtrrisë, u nënshkrua me qëllim të mbështetjes financiare për projektin Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, me vlerë financiare prej 250 mijë euro.

Ministri Kujtim Shala dhe kryetari Bajram Mulaku, e vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Vushtrrisë, dhe u shprehën se ky investim është me rëndësi të veçantë për ambientin kulturor të këtij qyteti, sepse do të krijohen kushte më të mira për gjithë ata që do të zhvillojnë aktivitet kulturore në këtë objekt.

Presidenti i Kanunit

0

IMER MUSHKOLAJ

Në vend që të sigurojë funksionim të pavarur të sistemit të drejtësisë, Hashim Thaçi ka zbritur në odë për të ndarë drejtësi me Kanun. Ai në njërën dorë mban Kushtetutën dhe proklamon ligjin, e në dorën tjetër mban Kanunin. Ai shpall hero një viktimë, duke e viktimizuar gjithë shtetin ligjor
Në tetor të vitit të kaluar, presidenti Hashim Thaçi ua kishte dërguar katër letra Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nëpërmjet tyre, ai kërkonte zbardhjen e krimeve gjatë kohës së luftës dhe atyre të pasluftës. Gazetarëve iu tha se në këtë formë, ai po inkurajonte këto institucione që t’i adresojnë për zgjidhje shumë raste që i shqetësojnë qytetarët.

Zbardhja e së vërtetës për këto raste, sipas Thaçit, do të rezultonte edhe në fuqizimin e besimit të gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Megjithatë, Hashim Thaçi nuk e ka pritur drejtësinë që të zbardh një rast të ndjeshëm. Tre muaj pasi adresoi katër letrat e tij, ai ka zgjedhur Kanunin për të qartësuar rastin e vrasjes së Haki Imerit. Në vend se ta fuqizojë besimin e qytetarëve në drejtësi, ai fuqizoi Kanunin.

Presidenti e ka bindur vëllanë e Hakiut, Imerin, duke i bërë be se nuk ka gisht në këtë vrasje. Imer Imeri, që e ka akuzuar vazhdimisht Thaçin, ka deklaruar se është bindur se ai “nuk ka hak as hile në këtë krim”. Sipas tij, presidenti është i gatshëm t’i bëjë be me 124 pleq se është i pastër. Për më shumë, Thaçi e shpalli hero ish-kujdestarin e tij të klasës dhe bëri homazhe te varri i tij.

Ish-funksionari i LDK’së, Haki Imeri, ishte vrarë më 2 nëntor të vitit 1999, në një fshat të Drenicës. Vrasësit e tij ende nuk janë arrestuar dhe vrasja e tij konsiderohet politike. Vëllau i tij, Imeri, kishte rrëfyer se Hakiu ishte kidnapuar dhe torturuar nga tre policë ushtarakë të UÇK-së dhe më pas ishte vrarë. “Fillimisht u kidnapua nga tre policë ushtarakë të UÇK-së duke dalë nga shkolla ku ishte mësues. Pastaj, sipas informacioneve, është torturuar fizikisht dhe psikikisht dhe pastaj po të njëjtën ditë edhe është vrarë. Me të vetmin motiv-bindjen politike. Është ndër vrasjet e para politike pas lufte në rajonin e Drenicës. Ende nuk është ndriçuar kjo vrasje, nuk u identifikuan nga Prokuroria as rrëmbyesit, as organizatorët dhe as urdhërdhënësi. Në atë kohë vepronte Qeveria e Përkohshme me kryeministër Hashim Thaçin dhe ministër Rendi Rexhep Selimin. Përgjegjësia bie mbi ta. Më së miri këta dy persona e dinë se kush ishin ata tre ushtarë të Policisë Ushtarake të UÇK-së që e rrëmbyen, torturuan dhe pastaj e vranë Haki Imerin, e të cilët nuk ishin nga rajoni i Drenicës. Unë nuk po kërkoj hakmarrje. Po kërkoj drejtësi”, kishte thënë para disa muajsh, për ZonaExpress, Imer Imeri.

Dhe, drejtësinë e kërkuar duket se “e gjeti” te Hashim Thaçi, të cilin e mbante përgjegjës për humbjen e vëllaut.

* * *

Është e trishtueshme të mendosh se çfarë është në gjendje të bëjë presidenti i një vendi, vetëm për “ta larë” veten nga bëmat e pretenduara se janë kryer me dijeninë e tij. Është e tmerrshme kur sheh se si Hashim Thaçi është në gjendje të bëjë gjithçka vetëm për të përfituar politikisht. Edhe në raste vrasjesh makabre si kjo.

Ai zgjidh probleme me Kanun ndërkohë që proklamon drejtësi, e gjatë gjithë kohës së qeverisjes së tij sistemi i drejtësisë ka qenë i kapur nga politika.

Ai shpall hero një qytetar të këtij vendi që supozohet se është vrarë nga njerëz të UÇK’së, thua se kështu vepron drejtësia. Ai shpall hero një viktimë, duke e viktimizuar gjithë shtetin ligjor. Me veprimin e tij skandaloz, lindin një varg pyetjesh që kërkojnë përgjigje.

Pse është kaq e rëndësishme për Hashim Thaçin që ta “lahet” nga akuzat për vrasjen e Haki Imerit? Pse ka nevojë që pikërisht tash të “bëjë be” se nuk ka gisht në këtë krim? Si ka mundësi që me një lehtësi të padurueshme ta keqpërdor pozitën e tij prej presidenti për ta shpallur dikë hero, pa u zbardhur vrasja e tij? Si u bind vëllau i viktimës se ai nuk ka gisht në krim dhe si ndodhi që tash Imer Imeri akuzon LDK’në se nuk bëri agjë për zbardhjen e vrasjes së vëllaut të tij? Vetë Imeri ka qenë i burgosur i UÇK-së në Cahan të Shqipërisë, ku është mbajtur dhe torturuar nga pjesëtarë të UÇK-së. Për këtë krim dhe të tjera janë dënuar disa pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Sabit Gecin.

Më 1999 heronj me siguri janë konsideruar ata që dyshohet ta kenë vrarë Haki Imerin – njerëzit e UÇK’së drejtor politik i së cilës ishte Hashim Thaçi. Më 1999, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Më 1999, Hashim Thaçi kishte në dorë gjithçka.

* * *

Për cilin shtet ligjor flet presidenti, kur krimet i zgjidh me Kanun? Për çfarë sistemi të drejtësisë flet presidenti, kur e sfidon atë me veprime skandaloze? Për Haki Imerin dhe të gjithë të vrarët tjerë kërkohet drejtësi institucionale, jo kanunore. Ashtu siç ka thënë edhe djali i Hakiut, Kastrioti. Ashtu siç duhet të jetë. Ashtu siç Hashim Thaçi nuk ka denjuar të jetë./Gazeta Expresss/

Vdes një i ri në Brezovicë, ra në humnerë

0

Një djalë ka humbur jetën në Brezovicë pasiqë gjersa ishte duke skijuar ka rënë në një humnerë.

Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë rajonale të Ferizajt, Agim Gashi.

“Lajmin e kemi marr rreth orës 14:40 dhe të gjitha ekipet tashmë janë duke shkuar në vendin e ngjarjes”.

Ai ishte student i arkitekturës dhe vinte nga Ferizaj.

Klan Kosova ende nuk ka informacione më të detajuara rreth këtij rasti.

Revolta e Faik Konicës: Më mirë të shes m… njeriu, se të shkruaj për shqiptarët!

0

Të gjithë e pranojnë karakterin kontravers të Konicës, megjithatë prirja ka qenë që ai gjithnjë të rrezatojë nën një dritë shkëlqyese të të diturit, atdhetarit, fisnikut.
Të gjithë e dinë se ai ka qenë i krimbur në borxhe dhe me një stil jetë jo aq simpatik, sa, po të kishte qenë ndër ne të gjallët do ishte bërë qepaze, pavarësisht kulturës së thellë që mund të zotëronte nga të lexuarit e shumtë apo zotërimi i gjuhëve të huaja.

Ne këtu po sjellim një shkrim të tij, në të cilin ka fraza nervoze, pse jo dhe urrejtje ndaj shqiptarëve, por që nuk bën gjithsesi që mos gjykohen në një konteskt të caktuar. Por kjo nuk e përjashton atë nga të qënit një personalitet plot dritë-hije, gjë që në fakt shkon në përputhje dhe me anën halabakërore të tij krahas asaj intelektuale…

Çështë liria?

Çshtë liria? – Më mbetet pakë kohe akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanj kokën gomarëve, edhe, në vend të trurit, të kllas këtë: ç’është liria? Te mos të kisha nisur këtë fletën, (gazetn Albania), vaftë në Djall! s’do të humbja kohën time të mësonj gomerave ç’është liria. Dy muaj janë që u- nis kjo puna, dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve.

Më mirë te shes pleh njeriu se të nisje punë për Shqiptarët. Janë nja 50 Shqiptarë që kuptojnë ç’është liria: ata nuk na shkruajnë gomarërira se dinë që është i lirë njeriu të thotë si e ka në fund të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numra mbas fjalës që dhashë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes mut, në vend që të mbanj të përkohshmen; më mirë të shes mut njeriu, se të shkruaj për Shqipetarët. Gomarëve pra, le të përpiqem akoma një herë t’u mbush kokën me këtë: ç’është liria?

Liria është të mundet njeriu:
1. të besojë ç’i do zemra;

të thotë ç’i do zemra;
të shkruanj ç’i do zemra;
të bëjë ç’i do zemra, veç ato që janë kundër lirisë së tjeteri njeriu.
Shqiptarët, më të shumët, janë shpirtrobër. Për dëftim: Janë Shqiptarë që kanë fe. Unë thom: “ata janë të lirë të kenë fe, janë të lirë të thonë që kanë fe, janë të lirë të shkruajnë që feja është e mirë, janë të lirë të bëjnë ç’urdhëron feja” dh kur më dërgojnë artikuj për të lëvduar fetë, i shtyp pa besuar, se s’ kam të drejtë t’u pres lirin’ e fjalës. Po kur unë besonj, thom; shkronjë që më vjen të vjellur për ç’do fe.

– ata shpirtrobërit më thërresin: “S’të lëshojmë lirinë të shash fetë!” S’më lëshoni të shaj fetë. Por unë, shpirtrobër, pse u lëshonj t’i lëvdoni fetë? A kini, në mos fillosofi, pakëz mend për të kuptuar që fjala juaj është fjalë gomari?

Vëllezër Shqiptarë! mjaft rrojti e gjora Shqipëria jetën e Kurmit; duhet dhe ajo të nisjë tani të rrojë jetën e mendjes (La vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim të tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës tjatrit, të kuvendojmë si njerëzit e qytetëruar që mblidhen të lëftojnë me fjalë për iderat e tyre.

Mos besoni se kështu do të largonemi njëri – tjatrit! për kundër, do të qasemi më shumë, se do të njihemi më mirë, s’do të kemi mendime të fshehura, dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshërimi i së Vërtetës e dëshërimi i Shqipërisë.

Për të qenë e mirë e përkohëshmja, duhet të jete si pazar, – nji pazar ku gjenden njerëz të pasure, njerëz të vorfër, gra, burra, djem, të krishterë, muslimanë, të pafe, të tërë tok, dhe, duke kuvenduar, miren vesh për mbrothësin’ e punërave të tyre

T.S (TRANK- SPIRO BEG (pseudonimi i Faik Konicës, shënimi ynë –V.H)

Gazeta Albania, v. 1897, nr. 2, f. 32 /tesheshi