11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Reforma e Thaçit, drejt dështimit

Pavarësisht bojkotit nga opozita, iniciativa e presidentit të Kosovës për vazhdimin e reformës zgjedhore të mbetur pezull në mandatin e kaluar ka filluar të marrë formë dhe të përgatitet pakoja ligjore, e cila do t’i dërgohet edhe Kuvendit për miratim. Sado që mbi bazën e Kushtetutës presidenti e ka të drejtën për inicimin e nismave ligjore, në grupet punuese për reformë nuk ka pranuar të marrë pjesë askush nga përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare, të cilat kanë paralajmëruar edhe votën kundër në Kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë, analistët politikë theksojnë se derisa e drejta e garantuar me Kushtetutë e presidentit për nisma ligjore është fakt i pamohueshëm, do të ishte në interes të gjerë politik dhe demokratik që së paku gjatë procedimit në Kuvend të kyçet edhe opozita parlamentare ne këtë proces. Ndryshe, reforma nuk e ka legjitimitetin e plotë demokratik vetëm me votat e pozitës.

“Do të ishte me rëndësi për të dyja palët, pozitë dhe opozitë, të japin pëlqimin për të ecë përpara në reformën zgjedhore, pra duhet të ketë konsensus. Ndryshe dihet që në një formë edhe nuk është e thënë që të gjitha palët duhet të pajtohen me gjithë kontekstin që do të ketë reforma, sepse interesat janë të ndryshme”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot.

Vendimet e deritashme arbitrare Sipas Burjanit, dihet mirëfilli që këto dy ligje kanë mbetur të paprekura që nga koha e UNMIK-ut, sepse nuk ka pasur asnjë vullnet nga partitë që t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme dhe të reformojnë sistemin zgjedhor.

“Konsideroj se edhe presidenti duhet të duket qasje konsensusale, pra duhet të komunikojë me palët dhe të marrë pëlqimin e pastaj ndryshimet t’i dërgojë në Kuvend. Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh dhe tani vendimet e presidentit duken arbitrare në raport me konsensualitetin që paraqet”, theksoi ai.

Sipas tij, në këtë reformë të këtij presidenti nuk ka pasur asnjë ekspert që është marrë me zgjedhjet.

“Pra, s’ka pasur fare seriozitet, thjesht ka pasur vetëm zyrtarë të thjeshtë ligjorë, që shërbejnë për të gjitha punët ligjore. Pra, kjo është dështim dhe mund të ketë dështime edhe brenda strukturës së propozuar ligjore. Në këto situata duhet të vijnë njerëz që janë ekspertë zgjedhorë, të cilët i bëjnë ndryshimet në pajtim me interesat dhe pëlqimin e partive pozitë dhe opozitë, jo si është duke shkuar tani ky proces”, tha Blerim Burjani për ‘Kosova Sot’

Reforma e domosdoshme

Edhe eksperti tjetër i kësaj fushe, Ilir Fetahu, nuk e ka kontestuar të drejtën kushtetuese të presidentit për një iniciativë të tillë, por ai thotë se tani, pavarësisht kush ka qëlluar në këtë pozitë, duhet të lihen anash inatet politike dhe së paku gjatë procedimit të ligjit në Kuvend të japin kontributin e vet pozita dhe opozita, në mënyrë që materia e propozuar ligjore nga zyra e presidentit të jetë një reformë e përkryer dhe përmbajtjesore.

“Konsideroj se, pavarësisht nga kush është iniciuar, reforma zgjedhore është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë në Kosovë para zgjedhjeve të reja, sepse është vërtetuar që ligji i tanishëm ka shumë mangësi dhe ka nevojë serioze që të kemi një reformë të gjerë e përmbajtjesore të sistemit zgjedhor. Mirëpo, për fakt të keq, kjo nismë nuk po arrin t’i bashkojë pozitën dhe opozitën, e që parimisht një proces i tillë do të duhej t’i bashkonte gjithë spektrin politik vendor, me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile dhe monitorim të Komisionit Evropian”, theksoi Fetahu.

Sipas tij, në këtë proces do të duhej gjetur praktikat më të mira evropiane dhe ato të përshtaten me rrethanat në Kosovë, që të lehtësohet procesi zgjedhor dhe që vota të jetë e pastër, e besueshme dhe assesi me mundësi cenimi dhe manipulimi, që ajo votë të konvertohet besnikërisht në mandatet e të zgjedhurve të qytetarëve. Fetahu për ‘Kosova Sot’ tha se aktualisht barrikadimi kundër dhe bojkoti nga opozita nuk i bën mirë shëndetit të demokracisë së re kosovare, prandaj do të duhej tejkaluar kjo situatë e kundërshtimeve për interesa politike.

“Unë konsideroj që institucionet e Kosovës dhe klasa politike nuk duhet të tregojnë arrogancë dhe ky proces nuk do të duhej shkuar deri në fund pa opozitën, por do të duhej gjetur mënyra dhe forma e bashkëpunimit që edhe opozita të marrë pjesë në proces”, potencoi më tej ai. /Kosova Sot/

Më Shumë

Policia jep detaje për aksidentin me dy të vdekur në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës. Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar Drejtori i Policisë në Prizren,...

Diell dhe vranësira, priten edhe reshje shiu

Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku lokalisht pritet të ketë reshje shiu, kryesisht në sasi të pakta. Sipas MeteoKosova...

Lajmet e Fundit