Home Blog Page 6147

Prizren: Prindërit thonë se fëmijët e tyre po rrezikohen nga qentë endacakë

0

Fillimi i këtij gjysmëvjetori të dytë për nxënësit e Prizrenit ka nisur pa telashe të mëdha. Megjithatë, prindërit ankohen se, përveç ngricave e acarit, kanë edhe drojën nga qentë endacakë, të cilët janë në numër më të shtuar gjatë këtyre ditëve të ftohta të dimrit. Ekspertët e fushës shprehen se qentë endacakë janë më agresivë në këtë periudhë të vitit. Sipas tyre, në këtë kohë ata ngarendin në kërkim të ushqimit, derisa në pranverë është njësoj rrezik nga ta, për shkak të shumimit të tyre. Edhe drejtuesit e shkollave në Prizren shprehin shqetësimin e tyre se nxënësit mund të rrezikohen nga qentë endacakë. Këtë brengë e ka edhe Jehona Krasniqi, drejtoreshë në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Lekë Dukagjini” në Prizren.

“Pasi jemi shkollë pak në periferi të qytetit dhe duke i pasur parasysh kushtet atmosferike po vërehet në orët e mëngjesit një lëvizje e shtuar e qenve endacakë, e po ashtu edhe në orët e pasdites. Nga kjo mund të konsiderohet që mund të ketë edhe rrezik për fëmijët nga qentë endacakë, sidomos të atyre në moshë më të vogël dhe që janë të pashoqëruar nga prindërit apo shoqëria”, shprehet Krasniqi. Ajo shprehet se në muajt e kaluar nuk ka pasur ndonjë rast kafshimi të ndonjë nxënësi, megjithatë u bën apel prindërve për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë këtyre ditëve. Ndërsa drejtoresha e shkollës fillore në Piranë, Lirie Bajrami, shprehet se rreziku nga qentë endacakë është evident.

“Gjatë bisedës me nxënës po thonë që sot, në mëngjes, vetëm në disa pjesë periferike kanë parë qenë, kurse natën thonë se sillen dhjetëra qenë rrugëve. Prandaj, ende ekziston rreziku permanent nga qentë endacakë”, shprehet Bajrami, shkruan gazeta Kosova Sot.

Për shkak të mungesës së ujit, paralajmërojnë ndërprerjen e mësimit

Në këto ditë me acar, problem tjetër është edhe ai me ujin e rrjedhshëm në objektet shkollore. Hazër Shala, drejtor i SHFMU “Dëshmorët e Qëndresës”, në Randobravë, pohon se shkolla nuk ka ujë për momentin.”Jo, nga qentë endacakë nuk ka rrezik, sepse në këtë fshat nuk ka të tillë, por ne si shkollë s’kemi për momentin ujë. Fshati dhe shkolla jonë furnizohen nga Kompania “Radoniqi” dhe kjo kompani tani ka disa probleme më furnizim të ujit. Ky problem është që një javë ditë”, shprehet Shala. Ai shprehet se mungesa e ujit po pengon procesin normal mësimor dhe paralajmëron ndërprerje të mësimit nëse vazhdon kjo situatë.”Nëse kështu mbesim pa ujë, mësimi nuk mund të vazhdojë, për shkak të higjienës dhe ngrohjes qendrore”, tregon Shala për “Kosova Sot”.

Hilmi Rexhaj, nga shkolla “Aziz Tola’, shpjegon se ka pasur ankesa të përhershme prej prindërve, pikërisht nga rreziku i qenve endacakë, e sidomos në stinën e dimrit dhe të pranverës.”Unë të gjitha këto shqetësime të prindërve i kam paraqitur në komunë, pikërisht te Drejtoria e Bujqësisë. I kam paraqitur problemet dhe besoj se do të tejkalohet ky problem. Për shkollën tonë ky është problemi kryesor, pasi qentë endacakë janë të shumtë dhe po i rrezikojnë fëmijët. Prindërit domosdo në dimër e pranverë detyrohen të jenë shoqërues të fëmijëve, përndryshe rrezikojnë jetën e tyre nga qentë endacakë që në këtë lagje për fat të keq janë të shumtë”, ka thënë Rexhaj.

Ndahen 35 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë

Duke parë këtë si një lloj emergjence, të martën (më 17 janar), kryetari i komunës, Ramadan Muja, e ka futur në rend dite në takim me drejtorët e ekzekutivit pikërisht mundësinë e shpejtë të tenderimit trajtimin e qenve endacakë. Me propozim nga Drejtoria e Bujqësisë, tenderimi i këtij projekti pritet të bëhet në mënyrë urgjente. Lidhur me këtë problem, drejtori Pal Geci shpjegon se tani po e hapin tenderin prej 35 mijë eurosh, që do të ketë synim t’i trajtojë rreth 1300 qenë endacakë.

“Unë e di se numri i qenve endacakë është edhe shumë më i madh dhe kjo shifër do të zbusë sadopak këtë problematikë që tashmë është bërë edhe shqetësim i komunës dhe vetë qytetarëve të Prizrenit. Duke ditur faktin se janë të thuash dy stinë kur ata janë më agresivë, tani dimrit dhe në kohën e shumimit në pranverë, ne po mundohemi që mos të vonohemi me procedura dhe të fillojë trajtimin e qenve endacakë”, ka thënë Geci. Ai shprehet se numri i qenve pa përkujdesje shtohet dita ditës, pasi nga fshati i sjellin dhe i lëshojnë rrugëve periferike të qytetit.”Në Prizren, për fat të mirë, nuk ka pasur viktima, por ne po mundohemi që mos të lejojmë që qentë endacakë të rrezikojnë jetën e ndonjë fëmije apo tjetërkujt”, ka thënë Geci.

(Kosova Sot)

Prizren: Rreshteri Nuredin Begolli kërkon që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tij

0

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Nuredin Begolli, i akuzuar për nxjerrjen e informatës zyrtare, të martën, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza kundër tij. Në shqyrtimin e dytë, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi, ka qëndruar pranë kërkesës me shkrim për hudhjen e aktakuzës, të cilën e kishte deponuar në gjykatë.

Krasniqi ka thënë se dëshmitarët janë marrë në pyetje në prokurori pa prezencën e mbrojtjes dhe se A. K, ka deklaruar në prokurori se nuk i ka marrë informatat nga i akuzuari. E njëjta ka shtuar edhe se me të dëmtuarin Deli Hoxha, nuk ka pasur asnjë lidhje.

Andaj sipas Krasniqit, nuk kanë bazë pretendimet e prokurorisë se i mbrojturi i tij i ka dhënë informata A.K., të cilat kanë ndikuar në prishjen e marrëdhënieve në mes saj dhe të dëmtuarit në këtë rast, Deli Hoxha.

Prokurori i çështjes, Genc Nixha, ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës, si e pabazë.Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka njoftuar palët se në lidhje më kërkesën e mbrojtjes do të vendosë me vendim me shkrim.

Nuredin Begolli akuzohet se në cilësinë e zyrtarit policor, ka zbuluar informatën zyrtare për personin tjetër, duke i dhënë atij një përparësi që nuk i takon.Sipas aktakuzës, Begolli ka njoftuar qytetaren A. K., për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes, të kryera nga qytetari Deli Hoxha, e i cili informacion, ka ndikuar në prishjen e raporteve në mes këtyre dy personave.

DokuFest i fton të gjithë nxënësit që të aplikojnë për kampin pranveror

0

Kampi udhëhiqet nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Aplikantët duhet të jenë nxënës të shkollave të mesme dhe të kenë aftësi komunikimi në gjuhën Angleze.

DokuFest i fton të gjithë nxënësit që të aplikojnë për kampin pranveror ku do të aftësohen për të xhiruar filma të cilat do të shfaqen në edicionin e ardhshëm të festivalit.

Kampi Pranveror mbahet nga 23 deri më 26 mars në Prizren. Deri më tani katër gjenerata të nxënësve kanë kaluar nëpër shkollën e filmit dokumentar dhe që nga viti 2013 janë prodhuar 22 filma të shkurtë dokumentar që trajtojnë tema të ndryshme shoqërore.

Shkolla e filmit është pjesë e projektit “Shkolla dhe Filmi Dokumentar” që ka për qëllim promovimin e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut përmes filmit.


Kampi udhëhiqet nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar. Aplikantët duhet të jenë nxënës të shkollave të mesme dhe të kenë aftësi komunikimi në gjuhën Angleze.

Formulari për aplikim mund ta gjeni tek faqja e DokuFest. Afati i fundit për aplikim është 10 mars 2017. /KultPlus.com

Alarmi i trenit serb dhe jehona e tij

0

Bardh Frangu

Thuhet se rasti ka ndodhur në Lipjan, menjëherë pas lufte, kur serbët kishin përgatitur valixhet për të ikur nga Kosova dhe mbase kur ishin ngarkuar nëpër traktorët dhe kamionët që kishin, njëri nga udhëheqësit e tyre u kishte dalë përpara dhe i kishte këshilluar të mos iknin. Ai thjesht u kishte thënë që të rrinin se shqiptarët kishin nisur të plaçkitnin gjithçka përreth dhe si të tillë nuk do të mund ta bënin shtetin e pretenduar.
Në bazë të kësaj logjike serbët ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Madje ngjashëm kishin bërë edhe serbët nëpër qendrat tjera të Kosovës, ku sot vazhdojnë të jetojnë si copa të ndara të shtetit serb (si në eks territore), të dirigjuar nga Beogradi. Edhe profesori serb nga Universiteti i Prishtinës, oponent i politikës së Millosheviqit, Milenko Karan, menjëherë pas lufte pat deklaruar: “Kam parë policinë serbe si ka plaçkitur, kam parë pjesëtarë të UÇK-së si kanë plaçkitur”. Dhe vërtet luftën e reduktuam në logjikë plaçke, duke demantuar edhe pandehmën e Fanonit se lufta për çlirim është shprehje e vetëdijes së lartë të një populli.

Keq e plaçkitëm këtë vend. Plaçkitëm të mirat natyrore siç janë pyjet, kodrat e lumenjtë, plaçkitëm pronat publike dhe çdo gjë të tundshme dhe të patundshme e vumë në një tezgë plaçke, për ta sjellë vendin në një derexhe ku është sot. E nuk është thënë kot se kur Qeveria vjedh pulën, qytetarët kanë të drejtë të vjedhin venë. Kështu të gjithë u bëmë hajna, u bëmë plaçkitës të këtij vendi, ndërsa ata që nuk pranuan të jenë pjesë e kësaj logjike, u detyruan të tërhiqen në margjina dhe të mos u dëgjohet zëri, duke jetuar si specie në zhdukje.

Partitë politike që u shndërruan në banda plaçkitëse u mjaftuan me faktin se kufijtë e vendit i kishte marrë përsipër t’i siguronte KFOR-i. Përbrenda kapën shpejt sistemin e drejtësisë dhe duke plaçkitur çdo gjë të mundshme arritën të krijojnë pasuri marramendëse. E tani kur shfaqet një tren i veshur me ikonografi serbe, duket sikur liderët tanë politikë i ka kapur paniku. Madje krekosen si gjelat mbi pleh, kinse për të dëshmuar sesi muskujt e tyre e paskan kthyer mbrapsht një tren rus, të mbushur me kërcënim serb. Në fakt kthimi i trenit ka të bëjë me muskujt e KFOR-it në kufi. Po këtu pushteti i instaluar i gënjeshtrës nuk ka lënë hapësirë për të vërtetën. Kështu gënjeshtrat e tyre janë të vërtetat tona! Në këtë kontekst ne duhet ta besojmë edhe faktin se Treni serb u shfaq si Bajloz i Zi, ndërsa presidenti Thaçi si Gjergj Elez Ali!
Ndryshe, shikojini enklavat serbe në Kosovë dhe binduni se Serbia është brenda nesh, pa pasur nevojë që të eksportojë ikona e qytetarë militantë nga brendia e saj, siç ishte rasti me trenin. Në enklavat serbe kudo valon i vetëm flamuri i shtetit të Serbisë. Kudo përdoret monedha serbe, përkatësisht dinari serb. Kudo punojnë me plane mësimore të republikës së Serbisë dhe në çdo sferë të jetës ata provojnë të dëshmohen se jetojnë në një hapësirë që quhet Serbi. Në këtë kontekst është tepër ironik fakti kur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shkon dhe e viziton komunën e Shtërpcës dhe para se të futet aty mezi arrihet një marrëveshje që flamuri serb, i vendosur në objektin e komunës, të hiqet së paku për kohën sa presidentja do të qëndrojë aty. Dhe serbët e pranojnë këtë kusht dhe menjëherë pas largimit të saj e kthejnë flamurin në vendin e vet, ku qëndron tash e gati 18 vjet! Pastrimin e kësaj komune edhe sot e kësaj dite e bënë një ndërmarrje serbe, e udhëhequr nga strukturat paralele, e cila vazhdon të mbledhë edhe taksat e qytetarëve shqiptarë. Njësoj serbët vazhdojnë të udhëheqin me qendrën e skijimit në Brezovicë.
I sollëm këto dëshmi për të konstatuar se ne vërtet nuk jemi fare të interesuar për bërjen e shtetit dhe se shteti na duhet shkaku i pushtetit dhe për asgjë më tepër. E tash kur jemi futur në një fazë krize, me shenja të një rreziku të lartë, bëhemi sikur po mobilizohemi në mbrojtje të shtetit. Sigurisht që shtetin për hir të pushtetit do të përpiqen ta mbrojnë po këta plaçkitës, sepse në fakt ata mbrojnë pronën e tyre e jo republikën e qytetarëve. Ndryshe tingëllon kaq cinik fakti se qytetarët në anën tjetër kërkojnë që të bojkotohen mallrat serbe, ndërkaq që zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës është importuesi më i madh i këtyre mallrave. Këtu vërtet vetëm marrëzia meriton lavdi.

Quni, Hysenit: Duhet ta dimë nëse Thaçi ka dhënë urdhër për ndaljen e trenit

0

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka vlerësuar lart punën e Policisë dhe institucioneve për ndaljen e trenit serb.

“Një vlerësim prej një deri në dhjetë, unë e jap notën dhjetë. Ndjehem mirë kur ne i tregojmë shtetit tonë fqinj, se ne jemi shtet”, ka thënë Quni në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme.

Quni ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hysenin se si ka rrjedhur kronologjia e krejt këtij aksioni, dhe se nëse është e vërtetë se presidenti Hashim Thaçi ka dhënë urdhër për ndaljen e këtij treni.

“Në media kemi marrë informata se ka pasur ndërhyrje jashtë këtij institucioni, a mundeni me na tregu hierarkinë si ka rrjedhë kronologjia, pasi presidenti pretendon se ka dhënë urdhëra drejtpërdrejtë, nëse po, duhet ta dimë”.

Berisha, Hysenit: Asgjë s’keni bërë, keni respektuar ligjin dhe Kushtetutën

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha ka reaguar ndaj raportimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni në Komisionin për Siguri, anëtar i së cilit është edhe Berisha.

Duke ia përmendur Hysenit atë që deklaroi se kanë pasur frikë për Policinë për shkak të një objekti të braktisur dhe territ që kishte rënë Berisha tha se kjo nënkupton se në atë pjesë të vendit veprojnë struktura kriminale parapolitike dhe ushtarake.

“Ministër ju jeni person politik dhe keni qasjen tuaj. Qesharake ka qenë gara se kush e nali trenin, asgjë s’keni bërë më shumë se sa që keni respektuar ligjin dhe Kushtetutën. Por kjo nuk është hera e parë sepse ndërhyrje të Serbisë ka tash se sa vjet si rezultat i politikës së gabuar”, tha Berisha.

Deputeti i Nismës tha se krejt kjo vjen si pasojë e bisedimeve në Bruksel ku sipas tij pala kosovare ka lëshuar pe dhe ka rrezikuar sovranitetin e shtetit.

Kush e ndaloi një tren, për.. Perzeren ?!

0

BEHXHET SH.SHALA

(M’rrou, t’rrou , brisku i Hashimit) Ishim para shpërthimit të një lufte, me pasoja të përmasave botërore. Edhe një herë Kosova , falë fluskave të sapunit të Serbisë , Vuçiqit, vojvodë Nikoliqit dhe palaqos Gjuriqit u mobilizua , më tepër për rrëzimin e qeverisë Mustafa se sa për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe sovranitetit të saj të cilat , deshëm ta pranojmë apo jo , nuk e kemi , as të parën e as të dytën . E kam fjalën për veriun e Kosovës që është i okupuar nga Serbia ndërsa vetëm shtegtarja e rrugëve të Brukselit e njohur si mashtruese ordinere që, me një alkimi formulën e së cilës vetëm ajo e dinë , këtë okupim klasik na e shet sikur shtrirje të institucioneve të Kosovës në veri .

Në po të njëjtat valë është edhe një analfabet 100% në politikë siç është kultivuesi i peçurkave i cili , vetëm në Kosovë arriti të bëhej kryetar komune dhe i cili thotë se Mitrovica është e bashkuar ndonëse 16 vite pas përfundimit të luftës është ndarë që nuk ka ndodhur në asnjë vend në botë ku ka pasur konflikte apo lufë të armatosur. Qytetet kryesisht ndahen gjatë luftës ose menjëherë pas përfundimit të saj në mënyrë që gjatë një periudhe kalimtare, përmes bisedimeve përsëri të bashkohet . E kemi rastin më bindës për këtë qytetin e ndarë të Berlinit i cili pastaj u bashkua , pasi u bashkua edhe Gjermania. Të thuash se qyteti që ndahet në kohë paqeje po ndahet pikërisht për t’u bashkuar do të thotë që, ose jeni budalla me letra , ose nuk merrni vesh asgjë e që përputhet me këtë të parën , ose jeni karrieristë i qelbur apo keni gjak të Esat Toptanit ! Ndryshe nuk kuptoj kur thuhet se Mitrovica është një dhe e pandashme. Zezdita Tahriri dhe Agim Bahtriri janë aty diku vetëm se nuk besoj se kanë marrë gjak nga ndonjë pasardhës i Esat Pashë.

Ose, unë jam ma më injorant se këta dy bashkë që nuk përjashtohet ! Zezdita është mashtruese e paskrupullt dhe shoqe e Hashimit i cili e shpiku një post sipas masave dhe cilësive të saj ! Kjo farë mashtruese , për çdo pordhë të Beogradit i shkruan Brukselit thuaja se Mogerini nuk ka punë më të mençur se të merret me përrallat e saj ! Në fund të fundit , Beogradi po e mbanë të okupuar veriun e Kosovës me pëlqimin dhe ndihmën e Mogerinit dhe kompanisë ndërsa këtyre tanëve ua ka futur dy këmbë në një opingë , tash këpucë firmato Prada , duke u thënë se veriun mund ta integroni vetëm me mjete paqësore në kohën kur një aleancë ushtarake dhe politike u detyrua ta bombardojë këtë shtet “ paqësorë “.

Agim Bahtriri është i lindur të bëhet yll i estradës. Së bashku me Artisten e Merituar të Popullit , Linda Morinën mund ta formojë një duet sikur që ishin Sajmon dhe Garfankëll të njohur me melodinë instrumentaliste , Fluturimi i Kondorit ( Shqiponjës ) . Linda është plotë shqiponja në trupin e saj por edhe mbathjet . Edhe kësaj rradhe Hashimi i rrou të tjerët sepse reagoi i pari duke “ urdhëruar “ që të ndalet treni me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet ! Hashimi fejsbukun po e përdorë sikur të ishte stringer , më shumë për të goditur politikanët e vendit se aradhën e vojvodë Nikoliqit me çetnikët e Serbisë dhe çetnikët e rinjë të Isës ( zkryeministrin e “ Kosovës “, Stojanoviq, ministrat Jevtiq dhe Mariq ) etj. Së pari, treni i Putinit me kondukter Gjuriqin as që ka planifikuar të hyjë në Kosovë por për qëllim ka pasur tensionimin e situatës dhe ngritjen e adrenalinës patriotike – folklorike të shqiptarëve të kosovarizuar dhe vazhdimin e lojës cic – mic me ne! Sikur edhe lujtjen e rolit ë viktimës para faktorit ndërkombëtar .

Serbia po bën përpjekje të gjej azil në prapanicën e Trampit por duke i mikluar topet e Putinit gjë që del të jetë mision i pamundur ! Kur e lexova “ urdhërinë e prerë “ të presidentit Thaçi që , për shkak të mosveprimit të institucioneve përgjegjëse për ta ndaluar trenin e Putinit të hyjë në Kosovë , ka urdhëruar mobilizim të përgjithshëm të Policisë së Kosovës , me injorancën time mendova se Hashimi e paska shkarkuar Isën , Kadrinë dhe Skenderin sikur edhe njëshin e AKI–së, se e paska shpërndarë Kuvendin e Kosovës dhe e paska shpallur gjendjen e jashtëzakionshme ! E pranoj se më hyri frika në palcë , rreth palcës dhe në organet që puna e tyre varet prej palcës kurrizore ! Prapanica , në radhë të parë! Por , kur ta donë, ta donë ! Nga ankthi dhe makthi më nxorri një postim gjenial i komandant Remit , vëllaut hitorik të Romulit i cili tha se ( kam nderin ta citoj nëse kam kapacitet ): “ presidenti Thaçi e kreu detyrimin kushtetues duke mos e lejuar hyrjen e treni të Serbisë në Kosovë “ .

Shkurt , shumë qartë , bindës , inteligjent , përshkrues , analitik dhe parashikues ishte ky vlerësim i Remit , autorit të disa librave me orientim dhe vlerë ev(u)ropiane, të cilat, ndonëse i kam lexuar disa herë , asgjë nuk kam kuptuar ! Mbase kapaciteti im intelektual është pengesë objektive për këtë moskuptim ! Edhe Kadria i mëshoi sikur Remi për dallim që postimi i Remit ishte simfoni intelektuale dhe politike prandaj po dorëzohem para tyre sepse nuk kam kapacitet intelektual , politik , njerëzor , kombëtar dhe moral të vë në dyshim këto vlerësime.

Po Isai , ku ishte

Isai nuk foli deri sa u fal Bajrami . Është interesant që kishte analistë që u dëshpëruan pse treni i Putinit nuk hyri në Kosovë në mënyrë që ta përdorin si kërkesë shtesë për rrëzimin e qeverisë Mustafa e sidomos të Isa Mustafës . Nuk pajtohem me Isa Mustafën për shumë gjëra po e konsideroj ligësi të skajshme që në mënyrë aq të paskrupullt të keqpërdoret një situatë që , në fund të fundit u kushton të gjithëve ; Isa Mustafës , Hashimit , Kadrisë , Albinit, në veçanti dhe Kosovës në përgjithësi vetëm për t’i përmbushur synimet për pushtet , pa shtet . Raportet me Serbinë nuk janë çështje apo vetëm përgjegjësi e këtyre që aktualisht janë në pushtet por edhe përgjegjësi e atyre që duan të vinë në pushtet. Është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve të Kosovës . Ndërkaq , për të ardhur në pushtet janë zgjedhjet , është vota e qytetarit , vullneti i votuesit ! Kjo duhet të respektohet , pavarësisht a pajtoheni me një subjekt politik apo jo ! Demokracia më e keqe është më e mirë se anarkia më e “ organizuar “ .

Isa Mustafa është kryeministri më i sulmuar dhe më së shumti është penguar në punën deri me tani . Nga opozita vetkuptohet por edhe partneri qeverisës nuk ka qenë shumë i mëshirshëm me te duke e goditur nën brezë sikur edhe nga disa deputetë të partisë që e drejton . Ata që e kundërshtojnë botërisht që mund të konsiderohen se kanë një ndershmëri dhe ata që janë të mëshehur që mund të konsiderohen si të padrejtë dhe të pamoralshëm! Edhe nëse Isa Mustafa do ta drejtonte trenin Beograd Mitrovica e Rakiqit , nuk e besoj se do të sulmohej më shumë se që ishte sulmuar diteve të fundit . Madje , një gazetar veteran që shquhet me sensor të nuhatjes që automatikisht aktivizohen gjatë ndërrimit të pushteteve , rrëshqiti duke kërkuar dorëheqjen e Isa Mustafës që është njëjtë sikur të kërkosh që Papa Françesku të bëhet synet ! Duket se kësaj radhe sensorët e ndryshimeve i janë bllokuar nga overdoza e kafes Prince . Isa nuki kishte pse të jepte dorëheqje sepse treni mbeti në Rashkë .

Madje , po të kishim politikanë që shohin pak më larg se hunda e tyre apo që largpamësinë e tyre nuk e identifikojnë me dioptrinë + , treni as që do të duhej të pengohej të hyjë në Kosovë dhe ROSU nuk do të dërgohej në Jarinje por në stacionin hekurudhor të Mitrovicës . Me të mbërrirë ky tren ( mendoj se as që ka pasur qëllim të hyjë në Kosovë ) , do të arrestoheshin të gjithë për kalim ilegal të kufirit ndërsa treni do të përfundonte në Fushë Kosovë dhe do të përdorej për qëllime humanitare siç është strehimi i atyre që nuk kanë ku të vendosen . Së paku për këta muaj të dimrit ! Për mua është shumë më i rrezikshëm muri ndarës , Asociacioni i Beogradit si dhe pjesa çetnike e qeverisë Mustafa që po e pengojnë ushtrinë e Kosovës, se një tren me porosi shoviniste. Nëse keni pasur mundësi të shkoni në pjesën veriore të Mitrovicës , ku me asnjë shenj dhe me asgjë nuk identifikohet me Kosovën atëherë ajo ikonografia e trenit fatkeq paraqet një hap të madh drejt tolerancës ndëretnike. Mos e dëgjoni Zezditen dhe partnerin e Linda Morinës në muzikë , Agim hiççkafin si dhe pjesës së haxhilerëve të bisedimeve të Brukselit që deklarojnë se veriu është integruar dhe po integrohet në Kosovë . Veriu është më Serbi se çdo vend në Serbi dhe as era Kosovë nuk i vjen. Së paku kështu e shoh unë me injorancën time sepse , gjatë vizitave zyrtare ( burgut ) atje kemi shkuar në mënyrë klandestine , me vetura pa tabela të regjistrimit , sikur në Kolumbinë e Eskobarit dhe Meksikon e kartelit të Sianaloas apo Zetas. Me mua kanë qenë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe pastaj thuani se atje është Kosovë !

Rreziku nga lufta

Varrmihësi i Serbisë dhe ardhmërisë së popullit serb , vojvoda Nikoliq po u bjen trumpetave të luftës duke kërcënuar se do të jetë në ballë të kësaj lufte nëse serbët rrezikohen nga shqiptarët . Se do ta dërgojë ushtrinë e Dikoviqit në Kosovë . Pordhë e ftohtë nga një mbetje mortore politike siç është vojvoda i tredhur në kokë , Nikoliqi. Nikoliqi mund të ketë vrarë ndonjë kroat , boshnjak apo shqiptar si paramilitar i Serbisë , mund të ketë dhunuar ndonjë femër në këto vende apo mund të ketë plaçkitur ndonjë pronë të huaj në luftën e fundit po ky nuk është i luftës. Ky varrmihës ka shkuar vetëm në të sigurt ku nuk i është rrezikuar jeta . Merreni me mend se çfarë trimi është ky farë çetniku kur ka frikë nga Enver Hoxha i Therandës e jo i Gjirokastrës . Deshi të vijë në Kosovë por u zbothë nga kërcënimi i Enverit se do të arrestohej , nëse vjen në Kosovë! Pasi i mbushi brekushet me prodhime fiziologjike , u arsyetua se ia kanë keqtrajtuar sigurimin ! Serbia nuk mund ta sundojë më Kosovën . Luftën e lavdishme të UÇK-së e patën filluar një grusht patriotësh dhe idealistësh , pa pregatitje ushtarake dhe pa armatim . Sot janë 20.000 ushtarë dhe policë të Kosovës të stërvitur mirë , me armatim shumë më të mirë se që kishte UÇK-ë , që në rast nevoje , në një afat të shkurtër mund të stërvisin dhe aftësojnë për luftë edhe 80.000 qytetarë të Kosovës . Nëse serbët kanë motiv të luftojnë dhe vdesin për tokë të huaj , pse ne nuk do të kishim motiv të vdesim dhe luftojmë për vendin tonë ! Serbia nuk e donë luftën por me bizantinizmin politik do ta merr pjesën veriore të Kosovës , pjesë të Anamoravës dhe të Llapit nëse do ta ketë pëlqimin e faktorit vendosës ndërlombëtarë . Në afatin 20-25 vjeçar mund të ndodhë kështu dhe Kosova me disa territore tjera shqiptare të bashkohet me Shqipërinë . Në të kundërtën , me forcë Serbia nuk do ta merr as edhe një centimeter të territorit të Kosovës sepse Serbia më nuk ka dhëmbë për të kafshuar . Mirëpo , kam frikë se është një disponim ndërkombëtar që të ridefinohen kufijt e shteteve të Ballkanit . Prandaj duhet të pozicionohemi dhe të bëhemi gati për çdo situatë të mundshme. Nuk ka gjasa që Serbia ta mbajë më Kosovën sepse duhet t’i ketë së paku 150.000 ushtarë në Kosovë. Prandaj, nuk duhet t’ia kemi frikën Serbisë por vetes sonë !

Humbja e frymëzimit

Imagjinata dhe frymëzimi më janë shtrirë për toke. Kam marrë masa të këndelljes prandaj e kam lutur një mikun tim që t’i sigurojë të gjitha veprat artistike muzikore të këngëtares së mirënjohur kombëtare , Linda Morinës . Gjithashtu , kam nevojë për analizat dhe ligjeratat politike të eruditit kombëtar dhe politik , Zafir Berishës. Më tej , më duhen edhe tekstet e përballjeve taktike dhe strategjike të Agim Bahtirit me të cilat e bashkoi Mitrovicën. Për fund kam nevojë për orë plotësuese të Remit në mënyrë që t’i kuptojë qasjet e tij integruese e(u)vropiane . Në mungesë së kohës së çmuar të Remit , ate mund ta zëvendësojë edhe shkruesi i vërtetë i librave . Me ndihmën e tyre dhe të Zotit besoj se mund t’ia dal. Gëzuar Shqipërinë e bashkuar sepse drejt asaj jemi duke shkuar apo po atje po na dërgojnë proceset.

Prizren: Përleshen tre të moshuar

0

Në rrugën “Remzi Ademi” në Prizren, tre të moshuar pas nj mosmarrëveshje janë përleshur mes vete, me ç’rast njëri nga ta ka pësuar lëndime të lehta nga mjeti i prehtë dhe të nëjjtit i është ofruar trajtim i nevojshëm mjekësor.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, raportohet se me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, njofton Klan Kosova..

Nuk raportohet për të arrestuar.

Kërcënimet serbe shtojnë presionin për Ushtrinë e Kosovës

0

Pas situatës së fundit të krijuar me provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, fillimin edhe të rreshtimit të forcave të ushtrisë dhe policisë së këtij shteti përgjatë vijës kufitare me Kosovën, me kërcënime të hapura, analistë politikë dhe njohësit e fushës së sigurisë konsiderojnë se është momenti i fundit kur institucionet e shtetit duhet të punojnë me urgjencë për transformimin e FSK-së në ushtri. Analisti dhe eksperti i fushës ushtarake dhe të mbrojtjes, Naim Maloku tha për “Kosova Sot” se institucionet e shtetit të Kosovës munden dhe duhet të veprojnë që t’i ndërtojnë dhe t’i avancojnë kapacitetet e tanishme mbrojtëse të FSK- së, duke krijuar kapacitete të mjaftueshme teknike dhe humane, me këtë buxhet që tani e kemi në dispozicion që, përveç mbështetjes që e kemi nga NATO-ja, respektivisht forcat e KFOR-it, edhe Kosova të mundë të japë kontributin e vet për t’u përballë me sfidat më të mëdha se kjo.

“Pra, me sfida të kërcënimit edhe me mjete ushtarake dhe policore, e që mund të vihet në pikëpyetje integriteti dhe sovraniteti i vendit. Pra, konsideroj që një formë e tillë e avancimit teknik dhe human e FSKsë, pa nevojën e ndërrimit të emrit, mund dhe duhet të bëhet, madje pa e pasur fare nevojën e dërgimit në Kuvend për ndryshim të Ligjit dhe as për amendamentin të Kushtetutës për të kërkuar dy të tretën e votave të deputetëve të pakicës serbe. Kosova duhet dhe mundet ta forcojë forcën e vet mbrojtëse në këtë mënyrë, sepse ka modele të shteteve që funksionojnë kështu. As Japonia dhe as Izraeli nuk e kanë të emërtuar ushtrinë si ushtri”, theksoi ai.

Kapacitetet mbrojtëse duhen ndërtuar

Edhe analisti politik, Ali Hertica tha se Kosova po vonohet jashtëzakonisht shumë në gjetjen e formulës për ndërtimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse, që gjithsesi do të bashkëvepronin me forcat ndërkombëtare në mbrojtje të kufijve të shtetit, derisa edhe synimi i Kosovës është anë- tarësimi i shpejtë në NATO. “Nocioni shtet është real, e ka edhe kuptimin e palëkundur vetëm kur e ka të ndërtuar edhe forcën e vet mbrojtëse, që kujdeset dhe jep kontributin ligjor e kushtetues në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shtetit, e cila pozicionohet dhe mban nën kontroll çdo pikë kufitare të shtetit, që siguron dhe garanton kundërpërgjigje për çfarëdo agresioni apo sulm të jashtëm mbi shtetin. Reflektimi në këtë drejtim tani nga institucionet e shtetit është tepër urgjent dhe nuk duhet të vonohet, aq me tepër kur i kemi provokimet e hapura të politikës së Beogradit”, ka thënë ai.

“Zyrtarët serbë nuk ngurrojnë aspak, por flasin hapur për planet e dërgimit të ushtrisë serbe në Kosovë nën pretekstin e mbrojtjes së minoritetit serb. Ky paralajmërim nuk është asgjë tjetër veçse një planifikim perfid i agresionit të mundshëm dhe cenim i rendit kushtetues e sovranitetit të shtetit të Kosovësthirrje për luftë”, tha Hertica për “Kosova Sot”.

Zbehja e shtetësisë Sipas analistit Florim Zeqa, neglizhenca e tepruar e institucioneve tona për bërjen e ushtrisë së Kosovës, jo vetëm që ka zhgënjyer qytetarët e vendit, por e ka zbehur në masë të madhe edhe shtetësinë e vendit tone,derisa tani,në rrethanat e krijuara, pas provokimeve të hapura dhe kërcënimeve të fundit për luftë të Serbisë, duhet të mobilizojnë gjithë klasën politike për ta bërë sa më parë Forcën e Armatosur të Republikë së Kosovës. “Në rast të invazionit ushtarak serb, nuk mund të mbrohemi vetëm me forca policore, duke u mbështetur gjithnjë në forcat e KFOR-it. Tashmë ka ardhur momenti i fundit që të ndahet “shapi prej sheqeri”, të dihet saktë- sisht pozicioni i shtetit tonë. Përderisa krerët shtetërorë dhe partiakë e kanë gojën plot shtet të pavarur dhe sovran, atëherë duhet të mbledhin forcat urgjentisht për formimin e ushtrisë së shtetit tonë, ashtu sikurse e kanë të gjitha shtetet e pavarura, pavarësisht pengesave dhe obstruksioneve të pakicë serbe,….të gjejnë mundësitë financiare për të investuar menjëherë disa qindra miliona euro nga buxheti i shtetit në pajisje dhe armatim modern për ushtrinë, e cila do të jetë e zonja të mbrojë shtetin tonë,…për të plotësuar kushtet që sa më parë Kosova të anëtarësohet në organizatën më të fuqishme ushtarake në botë- NATO”, ka potencuar ai.

“Përfundimisht, me formimin e ushtrisë së Kosovës, përveçse do të kthehej besimi i qytetarëve në shtetin e tyre, do të qartësoheshin edhe kompetencat ekzekutive të presidentit të vendit dhe kryeministrit. Besoj se urimit tim, që 9- vjetori i shpalljes së pavarësisë ta gjejë shtetin tonë me ushtri, do t’i bashkohen të gjithë bashkatdhetarët në trojet etnike dhe diasporë. Në të kundërtën, nëse kjo klasë politike tregohet e paaftë për themelimin e ushtrisë para 17 shkurtit, atëherë më mirë të dorëhiqet e të shkojë në theqafje të pakthim, për t’u lëshuar rrugën forcave përparimtare që kanë guximin të përballen me të gjitha pengesat deri në vetëflijim për bërjen e shtetit me ushtri dhe institucione krejtësisht të pavarura nga Beogradi”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Vendimi i Arbitrazhit është përfundimtar

0

Seremb Gjergji

Vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit janë përfundimtare. Madje çdo vonese në implementimin e afateve të caktuara nga Arbitrazhi dënohet me interesin mujor të kamatave bankare vendore (lokale) të shumës totale të caktuar nga Arbitrazhi.

Në qershor të 2016-së Kosova është anëtarësuar në Gjykatën e Arbitrazhit, edhe përkundër presioneve dhe pengesave që ngriste Serbia. Kosova është shteti i 120 anëtar i kësaj Gjykate. Kjo gjykatë ka marrë vendim për “Lëndën e Pasaportave” të ngritur nga shtypshkronja shtetërore austriake “OeSD (Osterreische Staatdrukerei GMBH)”, e që rishtazi është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit e Kosovës.
Por në Vendimin Përfundimtarë të kësaj gjykate shkruan: “Kundër vendimit të Arbitrazhit nuk ka mundësi ankese dhe autoritetet në Prishtinë janë të detyruara që në afatin prej 14 ditëve të paguajnë shumën e caktuar prej €4.996.000.00 milion eurosh plus shpenzimet.

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës për të anuluar vendimin e Arbitrazhit he kthyer në rigjykim lëndën është i dëmshëm dhe ndoshta edhe i pamundur.

Njëherësh e dëmton Republikën e Kosovës në disa drejtime:
1. Tregon se Qeveria dhe Kryeministri Mustafa kanë ndikim direkt mbi Gjyqësorin e Kosovës dhe vendimet e tij.
2. Në Kosovë nuk investon asnjë kompani e huaja e cila llogaritë se nesër mund të përballet me të njëjtat probleme.
3. Imazhi ndërkombëtarë i Kosovës në fushën e Drejtësisë dhe Jurispondencës është lënduar tej-mase.
Të gjithë Gjykatësit, Prokurorët dhe Avokatët në Kosovë e që janë serioz në punën e tyre mund t’i konfirmojnë lehtësisht tri (3) segmentet e lartpërmendura.

Ligji për Arbitrazhin ka qene i aprovuar gjate administratës se UNMIK-ut në vitin 2001, dhe pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 2008 është rivotuar nga Kuvendi i Kosovës. Sot ky ligj është pjesë e pakos së ligjeve të Kosovës.

Në aspektin juridik, Gjykata e Apelit nuk ka qenë as pjesëmarrëse e as faktorë mbrojtës i lëndës në Arbitrazh, që e bënë edhe më të pamundur vendimin që e ka marrë. Nga i gjithë procesi del që Qeveria e Kosovës mund të humbë edhe raste të tjera po në këtë gjykatë dhe borxhet mund të rriten çdo ditë nga shkalla e interesit të shumës së borxhit.
Më ke se kaq, kompania austriake OeSD mund ta padis edhe Shtetin dhe Gjykatat e Kosovës për përzierje në sistemin e DREJTËSISË dhe në këtë mënyrë Kosova do ta humbim edhe IMAZHIN ndërkombëtarë; dhe fillojmë t’i tregojmë botës se nuk jemi të denjë të ndërtojmë shtet të së drejtës.

Njësoi do të ndodhë edhe me vendimin e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Paris që ka dhenë për padinë që ka bërë Zmobile ndaj Telekomit të Kosovës për mos përmbushje të kontratës. Të njëjta masa mund të aplikohen edhe më Telekomin e Kosovës dhe kompania do të jetë e obliguar të paguaj €26.1 milion euro plus shpenzimet që arrijnë në €30 milion euro. Të gjitha këto dënime, dhe të tjerat në të ardhmen do të bëhen barrë shtesë për të paguar qytetari i Kosovës.